Lexuesit rreth romanit “Biri i armikut” të Shpend Sollaku Noé-së/
Shkruan Fatmir Mamo/
Mbas romaneve “Il confine della nebbia” e “Il Però fiorì a dicembre” Shpend Sollaku Noé vjen me romanin “Filius hostis ovvero Il Figlio del nemico” (“Biri i armikut”). Në këtë roman autori kërkon që në fillim të faqeve të para ta bëjë lexuesin pjesmarrës të ngjarjeve, sidomos atë që e ka jetuar atë periudhë me dramën e të drejtës së të shkuarit në shkollën e lartë. Rresht pas rreshti, faqe pas faqeje, me saktësinë dhe realitetin e shprehur në menyrë brilante të jetes së personazheve që rrallëherë e gjen në autor të tjerë, autori të bën të ndihesh fizikisht në ato ngjarje. Ai përshkruan me aq mjeshtëri ankthin, pasionin, dëshiren për jetë të lirë, dashurinë e atyre viteve, vuajtjen edhe të prindërve, frikën që regjimi komunist mund të të zhdukte me burgim por edhe me eleminimin fizik sepse ishe bir i armikut. Shpend Sollaku Noé na mrekullon me ngjarjet e atyre viteve – shkuarjen për kryerjen e shërbimit ushtarak. Me mjeshtërinë e penës së tij ai tregon ankthin e asaj dite që shumë prej nesh e kanë jetuar personalisht.
Sazani ishte ai ishull aq misterioz dhe habitës për ne që e shikonim nga bregu i Vlorës. Në këtë roman për këtë ishull hidhet dritë si për një realitet rrënqethës. Asnjëherë deri më sot pë të nuk është është shkruar kaq imtësisht.
Është momenti që ky roman por edhe romanet e tjerë të Shpend Sollaku Noé të lexohen jo vetëm nga ne që e jetuam atë periudhë të egër diktature por, dhe sidomos, nga fëmijët tanë, pasi kanë rastin e vetëm që atë periudhë komuniste ta lexojnë siç ka qenë në realitet dhe jo me deformimet që herë pas herë bëhen nga disa pseudoshkrimtarë. I uroj Shpend Sollaku Noè-së nga thellësia e zemrës një rrugë të gjatë dhe të suksesshme krijuese. Faleminderit për emocionet që më dhuron me veprat e tij .
*Fatmir Mamo, Sant’Andrea Apostolo dello Ionio, Catanzaro, Calabria.