• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FRIKA NGA KINA VË N’UJDI BIDEN-in ME EVROPËN

May 30, 2021 by dgreca

Nga FEDERICO FUBINI-“Corriere della Sera”-Perktheu_Eugjen Merlika/

Në pak muaj, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi evropian po vihen në ujdi mbi pothuajse gjithshka në një mënyrë që dukej e pamendueshme një vit më parë. Thjesht, njëra mbas tjetrës, hallkat e marrëdhënieve ekonomike e tregtare ndërmjet dy blloqeve po kthehen në vënd. Në mars Washingtoni e Brukseli kanë pezulluar taksat e vendosura në vitet e shkuara nga të dy anët për debatin në lidhje me Airbus e Boeing. Në prill Joe Biden, i pari president amerikan që ka guxuar një gjë të tillë, ka propozuar një taksim të drejtë të të gjitha  shumëkombësheve Big Tech që sot i fshehin fitimet – edhe qeverive evropiane – në parajsat fiskale. Dje Janet Yellen, sekretarja e Thesarit e Biden-it ka vënë drushtën në 15 %. Është një shenjë që po bisedohet për t’arritur në një marrëveshje në korrik, në një takim të nivelit të lartë në Venetik ndërmjet njëzet ekonomive të para të planetit. Jo rastësisht kolegët evropianë të Yellen-it – Daniele Franco për Italinë, Bruno Le Maire për Francën, Olaf Scholz për Gjermaninë – kanë pritur shpejt me dobi lëvizjen e Shteteve të Bashkuara.

            Mbas katër viteve të tmerrshme të Donald Trump-it, të tjera shenja vërtetojnë se marrëdhëniet euro – amerikane po kthehen të shtruara. Të hënën Brukseli ka bërë të ditur se do të tërheqë taksat e vendosura për shpagim të atyre që ish tycoon-i kishte imponuar kundër çelikut dhe aluminit evropian. Të martën administrate Biden ka hequr sanksionet synuese kundër gjermanit Matthias Warnig, një ish agjent i Stasit, prej dhjetëvjeçarësh afër Vladimir Putin-it, që drejton ndërmarrjen e gazsjellësit Nord Stream 2 ndërmjet Rusisë e Gjermanisë. Të enjten europarlamenti ka varrosur traktatin e investimeve ndërmjet Kinës dhe Bashkimit evropian, që Angela Merkel e kishte dëshiruar fuqishëm e për të cilin Biden-i – para se të hynte në Shtëpinë e Bardhë – ishte zëmëruar fort. E tani eurodeputetët afër kançelares kanë votuar të gjithë kundër marrëveshjes me Pekinin.

            Në thelb evropianë dhe amerikanë po bëjnë lëshime të pafundme për njëri tjetrin për të gjetur një klimë besimi të ndërsjelltë. E është gjithmonë pak miope të mendohet se gjithshka i detyrohet një njeriu të vetëm, veçanërisht nëse ka një fytyrë e një emër të njohur. Por mbërritja e Mario Draghi-t në Pallatin Chigi e ka lehtësuar këtë shkrirje. Kryeministri italian flet shpesh me Yellen, me Biden dhe të dërguarin e SHBA për klimën John Kerry. Ka studjuar në një universitet të zgjedhurish të Bostonit, ka punuar në një bankë amerikane dhe është i besuar në Shtetet e Baashkuara kur siguron se do t’a mbajë Italinë – dhe Evropën për sa të mundet – në binarët atllantikë. Në shkëmbim Biden-i  dëshëron mbi të gjitha një front të përbashkët në shemërinë e SHBA me Kinën: jo shumë më tepër. Edhe për këtë nuk është e thënë që kthjellimi i tanishëm të jetë normaliteti i ri, i qëndrueshëm. Por tashti dielli këtheu të shkëlqejë mbi Atllantikun e Veriut.

            “Corriere della Sera”, 25 maj 2021     E përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika- Federico Fubini- Corriere della Sera, Federico Fubini

DRAGI DHE MARRËDHËNIET E QËNDRUESHME ME SHBA – TASHMË ITALIA KA MË SHUMË RËNDËSI N’EVROPË

February 27, 2021 by dgreca

Nga FEDERICO FUBINI- Përktheu Eugjen Merlika /

Ishim lënë në prag të krizës së qeverisë me një përfytyresë simbolike të rolit evropian të Italisë e të politikës së saj të jashtëme. Vlen të  rikthehemi tek një çast, tani që u krye riti I kalimit ndërmjet Giuseppe Conte-s e Mario Dragi-t. Ishte 30 dhjetor 2020.

Mario Dragi/

            Angela Merkel, Emmanuel Macron dhe Xi Jinping lajmërojnë një marrëveshje historike mbi investimet mes Bashkimit Evropian dhe Kinës. Kancelarja merr pjesë si kryetarja e rradhës e BE. Francezi nuk kishte arsye institucionale për t’u dukur – ishte njëri nga 26 drejtuesit e tjerë të Bashkimit – por ishte i vendosur të mbante përshtypjen se pesha e tij politike n’Evropë është e barabartë me atë të Merkel-it. Sa i përket Italisë, ajo as që e kishte parë arritjen e marrëveshjes: pak ditë më parë e gjithë struktura e ministrisë së Jashtëme punonte qetësisht me bindjen se do të ishin dashur ende disa vite.

            Por ajo e Merkel-it, Macron-it dhe Xi-ut së bashku nuk është vetëm përfytyresa e parëndësisë, hija e së cilës po zgjatet gjithmonë mbi Italinë kur ai që e drejton nuk i luan më së miri letrat e tij. Ai çast do të mbetet edhe për një tjetër arsye që tani ka të bëjë me Mario Dragin. Ajo fotografi grupi me autokratin kinez zbulonte tërthorazi se Donald Trump-i nuk është e vetmja pengesë në marrëdhëniet ndërmjet Evropës dhe Shteteve të Bashkuara. Joe Biden e priti shumë keq zgjedhjen e evropianëve për të përmbyllur marrëveshje me Kinën më parë se sa ai, atëherë në pritje për të hyrë në Shtëpinë e Bardhë, të kishte kohë për t’u shprehur.

            Këtu hyn në lojë qeveria Dragi, sepse kryeministri i ri njihet nga të tjerët drejtues evropianë, jo vetëm si njëri nga të pakëtit që është i sërës më të parë në fushën ndërkombëtare. Dragi ka edhe marrëdhënie më të ngushta se cilido në BE me shumë përfaqësues së majës në administratën Biden, tani që Trump-i ka shkuar por arsyet e tensionit mbeten. Nëse Shtëpia e Bardhë nuk vlerëson marrëveshjen e Brukselit me Kinën, n’Evropë shihet në strategjinë e “Buy American” të administratës së re një lëvizje mbrojtëse në dëm të furnizuesve gjermanë, franceza ose italianë. Nëse në Washington nuk pëlqehen kufizimet në eksportin e vaksinave nga Evropa, në Bruksel vihet re se tani për tani nuk është hequr asnjëra nga taksat e Trump-it kundër qindra prodhimesh evropiane për grindjen mbi Airbusin. E ndërsa Italia, Franca e Spanja vazhdojnë të detyrojnë taksa të jashtzakonshme mbi gjigandët e Big Tech, Biden-i nuk jep asnjë shenjë të pranimit të kompromiseve që lënë të pakënaqur financuesit e mëdhenj të Silicon Valley-t. Lista e mosmarrëveshjevet është e gjatë e sigurisht më e dukëshmja ka të bëjë me marrëdhëniet me Kinën. Macron-i dhe Merkel-i kanë rezerva të dukëshme mbi idenë e një “koalicioni të demokracive”, të propozuar nga Biden-i për të përmbajtur ngjitjen e Pekinit.

            Cili mund të jetë vendi i Dragit, që për qeverinë e tij synon në një strategji europeiste e filoatllantike? Jo ai i një ure ndërmjet dy brigjeve, edhe sepse askush nuk ka nevojë për ndërmjetës: gjithmonë një rol i dyshimtë ose, në rastin më të mirë, jo i frytshëm. Në të kundërt hapet një rast i rrallë për Italinë, të ketë rëndësi më shumë se sa lë të mendohet pesha specifike e Vendit në kuadrin ndërkombëtar. Merkel është në muajt e fundit si kancelare, ndërsa kujt do t’a pasojë në Berlin do t’i duhet kohë për të përcaktuar bindjet e tij. Macron-i pothuajse po hyn në fushatën presidenciale, të caktuar pak më shumë se pas një viti dhe është në një formë jo të shkëlqyer: në muajtë e fundit Marinë Le Pen, udhëheqësja e së djathtës skajore, për të parën herë që nga 2017 e ka kaluar në sondazhet mbi turnin e parë.

            As Dragi nuk ka një horizont qeverie të pakufizuar. Por ka prestigjin e tij, përvojën dhe marrëdhëniet globale, ka një vështrim të interesit evropian e të aleancës evro-amerikane që përfshin e siguron Italinë në shumë mënyra. Dragi do të ketë edhe kryesinë e G20 për gjithë vitin e do të ecë i rrethuar nga përceptimi që koha e tij në institucionet italiane nuk do të mbarojë me jetën e kësaj qeverie. Për të parën herë prej kohësh zëri i një italiani mund të vlejë njësoj – ndoshta më shumë – se ai i udhëheqësve të Vendeve të tjera më të qëndrueshëm e të sigurtë për vendin e tyre në botë. Një rast për të ndërtuar pak qëndrueshmëri e siguri në vete edhe këtu.

            “Corriere della Sera”, 15 shkurt 2021     Përktheu Eugjen Merlika 

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika- Federico Fubini- Corriere della Sera, Federico Fubini, Mario Dragi, SHBA

ZEMRA E PLAGOSUR E QYTETIT SIMBOL, I KTHYER NË KRYEQYTETIN E GJITHË EVROPËS

March 25, 2016 by dgreca

(Nuk është vetëm selia e burokracisë, por edhe vendi ku përcaktohen fatet e miliona njerëzve)/

Shkruar nga FEDERICO FUBINI-  “Corriere della Sera”/Askush nuk do t’i besonte sigurinë e Washingtonit policisë së Distriktit Kolumbia ose shërbimeve të fshehta të Virgjinias. Askujt nuk do t’i shkonte ndër mënd të mbronte kështu Shtëpinë e Bardhë ose Kongresin e SHBA-s e, megjithatë, është saktësisht ajo që ndodh në Bruksel. Kryeqyteti i Bashkimit Evropian është selia e Aleancës atllantike, një qytet në qendër të një sistemi të 508 milion njerëzve e të një ekonomie të madhe si ajo e Shteteve të Bashkuara, por i mbrojtur si një ngulim i vjetër fushor. Mbrojtjet e saj thonë gjithshka mbi ngurimin e Evropës për të pranuar rolin politik që, poshtërsisht, edhe vetë islamistët i kanë njohur nëpërmjet gjakut të derdhur dje.

Në Bruksel përcaktohet në këta muaj e ardhmja e milionë të ikurish sirianë dhe ajo e monedhës së dytë të botës. Angela Merkel luan me kancelerinë e Berlinit dhe vendin e saj në librat e historisë. Ndërkaq siguria është në duart e autoriteteve belge e të Krahinës Bruksel-Kryeqytet. Kjo do të thotë se as nuk mund të mbështetet në një trupë policie të bashkuar – në qytet veprojnë gjashtë forca të ndara, mbi bazë rajonale e klientelare – dhe as mbi një shërbim të fshehtë të krahasueshëm me atë të një fuqie të mesme perëndimore. Mbas sulmeve të Charlie Hebdo në Paris në janar 2015, qeveria belge zbuloi se i mungonin 150 nga 750 agjentëve të zbulimit ; që atëherë ka marrë 42 por, shkruan Politiku, mbeten në stërvitje për së paku dy vjet.

Ndoshta problemi është se Brukseli është shumë gjëra së bashku, bashkon shumë kundërshti në një hapësirë më të vogël se Milano. Popullsia arabe ka filluar të vijë në vitet 50 nga Maroku, Tunizia e Algjeria së bashku me ato italiane, turke dhe portugeze : të gjithë të pajtuar në Vendet e tyre për minierat apo uzinat e çelikut të Valonias. Sot janë 300.000 brukselas të besimit mysliman, pak më shumë se një e katërta e banorëve të kryeqytetit ; nga 2013 Valonia, krahina frengfolëse, ka riemëruar pushimet e krishtlindjes në shkolla si “leje dimërore”, për të mos prekur asnjë ndjeshmëri. Shumica e madhe e myslimanëve bashkëjeton në paqe me bashkësitë e tjera. Ka një pakicë të dyshimtë, mjaft të gjërë, që i ka siguruar mbulim terroristit Salah Abdeslam në Molenbeek, gjysmë ore me biçikletë nga Komisioni i BE. Aty pranë, në tregun e thertoreve të Anderlehtit, është vështirë të gjindet edhe një njeri i vetëm me origjinë evropiane në një turmë prej stadiumi.

Në Bruksel mund të ecet ndërmjet një blloku ndërtesash e një tjetri e të ndryshojë gjuha në zyrat (nga frengjishtja në flamandçe). Edhe më shpesh, në një shëtitje prej pesë minutash, ndryshojnë aromat dhe rrobat e kalimtarëvet, nga kravatat e firmuara tek dollomaja salafite, tek festja fisnore e Kongos. Kulla Madou, nga ku fuksionarët e Konkurrencës së Komisionit BE vendosin t’ardhmen e bankavet italiane, brënda është përsosmërisht sterile. Praktike dhe e thjeshtë në stil të përsosur eurokratik. Jashtë është e mbështjellur nga popullsia myslimane e Saint Josse, demografikisht vërshuese dhe gjithënjë e më shpesh e radikalizuar tek të rinjtë në kërkim të identitetit.

Nga ana tjetër e lagjes evropiane, mbrapa krahëvet të Parlamentit të ri e të stërmadh, rrugët kryesore të Ixelit janë plot kafene të shijes franceze e të rinj të diplomuar në çdo qoshe t’Evropës. Por rrugicat e vogla janë të mbushura me Internet kafè të vjetëruara, ku bijtë e të mërguarvet marokenë apo bengalezë kalojnë netët gjithmonë mbi të njëjtit siti web në arabisht.

Brukseli është tepër kompleks, i rëndësishëm dhe simbolik për t’a quajtur atë të djeshmin një sulm vetëm kundrejt Belgjikës. Deri edhe armiqtë tanë, tragjikisht deklarojnë me një veprim lufte, se ky është kryeqyteti politik i Evropës dhe ka ardhur koha për qytetarët ashtu si për qeveritë t’a trajtojnë si të tillë. Brukseli kishte muaj që pregatitej për këtë ditë. Për Krishtlindje qeveria belge kishte shpallur deri edhe një shtetrrethim të gjatë ; megjithatë dje, më shumë se një orë mbas masakrës së parë në aeroport, askush nuk u kujtua të mbyllej metroja për të parandaluar goditjen e dytë.

T’i lihet siguria e Brukselit qeverisë belge dhe policive të saj rajonale është sikurse të mëtohet që qeveria greke dhe peshkatarët e Lesbos të mbarështojnë vetëm valët e refugjatëve. Duhet një forcë e sigurisë evropiane gjatë kufijve dhe në qendrën nevralgjike të Bashkimit. Terroristët, që kanë goditur zemrën e Bashkimit, duket se i kuptojnë këto kundërshtí më mirë se ne vetë evropianët. Duke shpërthyer bombat në aeroportin e Zaventemit dhe në metrò, dy hapa larg Komisionit dhe Parlamentit BE, e trajtojnë Brukselin – në mënyrën e tyre të tmerrshme – si kryeqytetin e Shteteve të bashkuara t’Evropës. Do të shihet shpejt nëse përgjigja do të jetë në lartësinë e duhur. Ose nëse mbas lotëvet do të mbizotërojnë ende ikjet iluzore mbas mureve apo kufijve të vegjël, pikërisht atje ku armiqtë tanë do të donin të na mbyllnin.

“Corriere della Sera”, 23 mars 2016    E përktheu Eugjen Merlika

           

Filed Under: ESSE Tagged With: Eugjen Merlika, Federico Fubini, I KTHYER NË KRYEQYTETIN E GJITHË EVROPËS, ZEMRA E PLAGOSUR E QYTETIT SIMBOL

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT