• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Femra shqiptare, filmi dokumentar dhe realiteti i sotëm

May 11, 2016 by dgreca

Nga Albert Z. ZHOLI/

Jemi pak a shumë të ndërgjegjshëm që shoqëria shqiptare është akoma e zhytur brenda një koncepti tepër të prapambetur kundrejt femrave. Ja p.sh, t’ia fillojmë nga lidhja martesore. Martesa përbën një lidhje shpirtërore, ndjesore dhe shoqërore, në të cilën të dy palët pranojnë të ndajnë dhe të gëzojnë në mënyrë të barabartë gjithçka, gjë e cila në Shqipëri akoma mbetet vetëm si ide në shumicën e rasteve. Thonë që burri është koka e shtëpisë dhe gruaja qafa, por, për fat të keq, në një familje tipike tradicionale shqiptare, burri është kokë dhe qafë bashkë. Gruaja është pa mendim ndaj asgjëje, e lehtë si pupla në erë. Në disa zona rurale, ku ende sundon ende psikologjia e Kanunit, gruaja konsiderohet si pronë e burrit. Ai ka lirinë e veprimit, të fjalës, të mendimit. Ai programon dhe marrëdhëniet seksuale. Gruaja është thjesht e detyruar të plotësojë çdo oreks dhe dëshirë të tij, si një marionetë e drunjtë, pa ndjenja…E kanë pakëz në gen femrat grindjen, pakënaqësinë në përgjithësi për gjithçka, ku për to fajin e kanë të gjithë dhe në veçanti burrat. Por mos e kanë tepruar pak, duke ia hedhur fajin shoqërisë apo burrave?! Mos vetë femra shqiptare ka faj për këtë ndrydhje dhe mbizotërim sjelljesh maskiliste brenda shoqërisë tipike shqiptare? Besimi në vetvete është një armë e fortë mbrojtëse për një femër. Nëse një femër është e pajisur me këtë armë të fortë, atëherë mund të ndryshoj gjithçka. Si mundet ta gjejë këtë armë? Është fare e thjeshtë… Jeta është aritmetike Olimbi, -i drejtohej Nikolaqi te “Karnavalet” e famshme të Korçës bashkëshortes. Le të zhvillojmë veprimin e mëposhtëm aritmetik, që mund t’ia drejtoj vetes çdo femër: “Ajo çka mendoj se jam…Doket dhe zakonet e pandryshueshme… Zakonet e dëmshme të mijat… Urdhrat që marr prej shoqërisë… Gjërat e kushtëzuara që duhet t’i zbatoj me doemos…Shuma e ndikimeve ndaj meje…Boshllëku i krijuar nga çka refuzoj, duke zbatuar me përpikëri çdo rregull shoqëror…” Duke bërë shumën e mbledhjes, pa pasur nevojë të bëjmë provë ta vërtetojmë… do marrin si rezultat “pasaportën” e tyre. Dhe, duke qenë tashmë me identitet, gjithsecila nga femrat mund të ndihet e lirë (sipas normave) në çdo çast, përtej ngushtësive të ambientit shqiptar… e lirë jo siç ndihet vetë, por siç e kërkojnë normat…e lirë të gjejë sjelljen dhe reagimin në orën e duhur. E lirë të jetë e pa parashikueshme, pa u ndjerë fajtore ndaj çdo gjëje skeptike që e rrethon dhe ndaj çdokujt, pa frikën se mund të shkaktoj pakënaqësi apo deziluzion. Nuk janë të pakta femrat sot ;politikane, moderator, spikere, deputete, ministre apo drejtuese biznesesh. Por ajo që do veçoj është femra regjisore dhe gazetare. Ka shumë femra të tilla që kanë bërë emër dhe për çdo ditë përcjellin emrin dhe personalitetin e vërtetë të femrës sot. Ka shumë që janë regjisore apo skenariste filmash dokumentarë që kanë marr çmime apo vlerësime edhe në shumë aktivitete ndërkombëtare. Përpos kësaj, shumë prej tyre janë drejtuese të organizmave apo shoqatave femërore që përcjellin zërin e vërtetë të femrës shqiptare kudo në botë. Sot do të veçojmë tre prej tyre, Donika Mustafaj, Tefta Radi dhe Elsa Xhai, si regjisore dhe skenariste filmash dokumentarë dhe si gazetare dhe drejtuese shoqatash për të drejtat e grave (aktiviste) . Pyetja për forum është rreth rolit të femrës si regjisore apo skenariste në filmat dokumentarë dhe këndvështrimi i tyre për tematikat e këtyre filmave.

Tefta Radi, regjisore

Kjo gjini e filmit kishte kohë që flinte brenda meje, por ndoshta duhej koha fizike, duhej koha e bollshme, si dhe një pjekuri gazetarske që të futesha në këtë autostradë të re sa të bukur, po aq dhe të vështirë. Dokumentari është një gjini që kërkon vëmendje, kërkon hulumtime, biseda, arkiva. Dokumentari mbështetet mbi dëshmi autentike, në rrëfimet e personave që kanë pasur kontakte me personazhin (apo njohin mirë vendin apo fenomenin) por gjithashtu pasqyron jetën, veprën dhe virtytet njerëzore që ka pasur ai. Vetëm pas një pune hulumtuese, tek dokumentari përcillen dhe vijnë edhe fakte te reja e te panjohura më parë për personazhin (vendin apo fenomenin social). Të gjitha së bashku zbulojnë personazhin. Figura e çdo personazhi (vendi apo fenomeni social) vjen në dokumentar si një qenie e madhe sociale, me gjenialitetin e mendjes, të rezultateve, arritjeve, dështimeve, përpjekjeve, ku hidhet dritë dhe mbi historitë e dhimbjes e të dashurisë. P.sh, arsyet që më shtyn të bëjë një dokumentar për Migjeni janë të shumta, pasi e kam adhuruar Migjenin në krijimtarinë e tij (krijues për dhimbjen njerëzore), por e kam pasur dhe burim mirënjohjeje, pasi njerëz nga familja Radi kanë punuar me Migjenin në Pukë. Nga ana tjetër, personalisht kam punuar disa vite në Pukë (ku kam shumë kujtime), ku kam hulumtuar rreth tij dhe mbi të gjitha kam pasur fatin të njihem më nxënësit e tij, që mbeten dëshmitarët e fundit të viteve 1930, të cilët si askush më sollën afër shumë detaje jetësore që nuk mund ti gjeje veçse tek ata Një film tjetër… Im’Zot Vinçenc Prennushi. Një prej figurave të shquara të Rilindjes sonë Kombëtare, Im’Zot Vinçenc Prennushi është prelati më i lartë dhe i fundit i fesë katolike në Shqipëri, deri më 1949 kur ai vdes nën tortura të tmerrshme të diktaturës komuniste, në burgun e Durrësit, në duart e Arshi Pipës ndërsa emri i tij ka shkuar edhe në Vatikan për t’u lumturuar. Për realizimin e tij, u jam referuar dëshmive autentike dhe dokumenteve të shumta arkivore. Dokumentari është shumë aktual dhe paraqet histori e materiale të pa dokumentuara më parë. Parë në këtë kontekst dua të them se filmi dokumentar ka një vend të veçantë në këtë gjini krijuese, por ai nuk po vlerësohet. Tematikat për shkak të financimit të dobët janë rrudhur. Kjo bën që të bjerë dhe cilësia. Çdo film ka parametrat e vetë me të cilët duhet të paraqitet, por për shumë shkaqe objektive dhe subjektive (të cilat i bëmë prezent) kjo gjini filmi nuk merr vlerësimet dhe përmasat e duhura. Defekte që nuk po zvogëlohen me kohën….

Donika Mustafaj, regjisore

Dokumentari ka fituar sot në botë një vlerësim të ri, qoftë për publikun, ashtu edhe nga kritika e specializuar. Sa për të dhënë një shembull, le të kujtojmë dokumentarin e Al Gore, i cili i shfaqur në kinema, ka tërhequr një rekord të jashtëzakonshëm shikuesish, duke tejkaluar edhe filmat më të suksesshëm të Hollivudit. Po ashtu, në festivalin më të famshëm të kinemasë, që është festivali i Kanës, para pak vitesh palmën e artë e mori një film dokumentar. Kjo do të thotë se edhe vetë dokumentari është zhvilluar për t’ju përgjigjur pritjes së publikut, është pasuruar me mjete shprehëse, është bërë më artistik. Do të thosha, me keqardhje, se dokumentari shqiptar nuk i ka ndjekur dot këto ritme zhvillimi. Por, tendencën e ka drejt modernes. Dhe kjo është shumë e rëndësishme. Dokumentari tek ne vuan, ashtu si edhe filmi, nga mungesa e financimeve për projekte serioze. Sepse edhe prodhimi i një dokumentari të mirë ka kosto të konsiderueshme. Megjithëse, krahasuar me filmin artistik, dokumentari sot ka mundësi më të madhe, në sajë të rritjes së disa televizioneve private, të cilat, krahas TVSH-së, po i kushtojnë gjithnjë e më shumë rëndësi prodhimit të mirëfilltë të dokumentarëve. Një defekt, që më duket me vend ta theksoj në këtë rast, qëndron te një disbalancë midis temave historike, apo atyre kushtuar personaliteteve të ndryshme dhe temave sociale. Duket sikur autorët i kanë më për zemër temat historike apo dokumentaret portrete, dhe shpërfillin temat sociale, që do e afronin dokumentarin më pranë problematikës, me të cilën përballet sot shoqëria jonë. Entet financiare të projekteve mund të shërbejnë edhe si orientuese të prodhimit dokumentaresk. Brenda komisionit të vlerësimit dhe miratimit të projekteve ka personalitete, që e kuptojnë shumë mirë rëndësinë e temave të ofruara. Dokumentari te ne vuan gjithashtu nga jetë shkurtësia. Ai shfaqet njëherë në televizion kur prodhohet dhe me aq vdes. Puna e madhe dhe shumë e lodhshme e ekipit realizues gjatë shumë muajve, mbetet kështu e pashpërblyer, gjë që i dëmton krijuesit. Po ashtu, me vetëm një shfaqje, dhe ajo jo në orët më të shikueshme, dokumentari humbet mundësinë për t’iu nënshtruar një gjykimi të vërtetë të publikut. Kjo bën që autorit, të cilët i kanë kushtuar jetën dokumentarit, mbeten më së shpeshti anonimë, pa marrë respektin e dëshiruar të publikut. Sot numri i grave të përkushtuara ndaj filmit dokumentar është rritur si kurrë më parë. Por edhe vepra e tyre vuan nga të njëjtat mangësi si edhe gjithë prodhimi ynë dokumentaresk.

Elsa Xhai, gazetare, skenariste

Roli i femrave regjisore apo skenariste të filmave dokumentarë ka ardhur në rritje. Por nuk duhet të anashkalojmë një fakt, që ato kanë qenë prezentë edhe në regjimin komunist, po aq sa dhe sot. Në ambientet e Radio Tirana kam pasur fatin të njoh shumë regjisore femra të cilat edhe sot kujtohen me shumë respekt. Mbi të gjitha veçohet Xhanfise Keko një personalitet i padiskutueshëm i regjisë shqiptare si i filmit dokumentar po ashtu dhe i filmit artistik. Personaliteti i saj, përgatitja e saj, vizioni i saj bënte që të krahasohej me çdo regjisor mashkull. Nuk mund të harrohen titujt e filmave “Kryengritje në pallat”, “Mimoza llastica”, “Qyteti më i ri në botë”, “Beni ecën vetë”, “Tingujt e luftës”, “Tomka dhe shokët e tij”, “Pas gjurmëve”, “Partizani i vogël Velo”, “Kur xhirohej një film”, “Një vonesë e vogël” dhe “Taulanti kërkon një motër” na lidhin të gjithëve pazgjidhshmërisht me këtë emër të madh që ka bërë epokë. Por nuk do lë pa përmendur edhe skenaristen e filmave dokumentarë Angjelina Xharo. emër i njohur dhe në botën televizive dhe për të ardhur tek Tefta Radi dhe Donika Musraja dy realizuese të shkëlqyera të filmit dokumentar. Pra filmi si gjini ka vështirësitë e saj, por formimi, bota e brendshme e femrës, karakteri i fortë, dëshira për ti kapur në rrënjë problemet, eksperienca në media, ka bërë dhe bën që femrat si regjisore, skenariste të jenë po aq të suksesshme sa dhe burrat. Brenda tyre është një botë shpirtërore e pasur, që vetëm ato dinë ta përcjellin natyrshëm dhe bukur në art.

*Ne Foto:Donika Mustafaj, regjisore

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Albert Zh Zholi, dhe realiteti i sotëm, FEMRA SHQIPTARE, filmi dokumentar

A është maskiliste femra shqiptare?

May 25, 2015 by dgreca

Flet balerina Lidia Banushi/
-Ka raste që profesioni ynë paragjykohet/
-Të veçantat e një balerine janë, bukuria, elasticiteti, brishtësia, eleganca, dhe finesa/
Nga Albert Z. ZHOLI/
Dëshira për kërcimin i ka filluar që në moshë të vogël akoma edhe sot në memorien e saj i kujtohen momentet kur vallëzonte e kërcente në shtëpi duke ju a shfaqur familjarëve të sajë këtë gjë çdo ditë e më shumë, mirëpo pasi kishte arritur një moshë të caktuar diku 6 vjeçare prindërit e vendosën që talentin që kishte për kërcimin pse jo, ta ushtronte ashtu siç duhej. Pra në skenë. Kështu që ato ishin iniciatorët për ta futur në këtë rrugë arti.
Pra dëshirën e vegjëlisë nuk e anashkaluat, por njëkohësisht ndiqnit dhe shkollën si gjithë nxënësit?
Po, në të njëjtën kohë që bëja shkollën si gjithë fëmijët e tjerë, po në të njëjtën kohë ushtroja dhe baletin. Ishte pak e lodhshme edhe e stërmundimëshme për një fëmijë në moshën time dikur ti bënte të dyja, mirëpo pasioni më shtynte të kisha kurajë dhe guxim për të vazhduar. Përsa i përket prindërve ata ishin dakord sepse ata ishin të parët që panë talentin tim.
Cilët ishin mësuesit tuaj, si jua përcollën profesionin?
Mësuesit profesorët apo pedagoget e mi kanë qenë të ndryshëm dhe gjej mundësinë ti falënderoj por do doja të thoja se mësuesi kryesor për çdo person është vetvetja, që do të thotë të gjesh kurajën guximin dhe forcën për të përballuar çdo vështirësi të rrugës së madhe të artit.
Kur e keni luajtur pjesën e parë dhe si e mbani mend atë moment?
Ehhh..! Pjesa ime e parë në moshën 6 vjeçare nuk ka lidhje me kërcimin dhe me profesionin e sotëm pasi at’herë ushtroja balet modern e tashmë një tjetër lloj zhanri bellydance, por mbaj mend që pjesa e parë nga baleti modern ka qenë” liqeni i mjelmave”.
Po si profesioniste, kur filluat?
Si profesioniste e vërtetë kam dalë në skenë në moshën 16 vjeçare me kërcimin oriental të cilin e ushtroj dhe sot.
A ka klasifikime të vështira dhe normale për këtë lloj kërcimi?
Nuk do të klasifikoja pjesë të vështirë apo të lehtë në kërcimin tim oriental pasi të gjitha kërcimet që bëhen në skenë kanë ato vështirësitë e veta.
Ndikoheni nga emocionet në skenë?
Në përgjithësi balerinët gjithmonë në auditore në prova janë më të lirshëm dhe më të saktë sepse skena ka atë magjinë e vet të emocioneve, mirëpo tek unë ndodh e kundërta, në auditore gjithmonë jam e lodhur nuk dua të kërcej, ndërsa në skenë gjithmonë jam pa komplekse dhe kërkoj të jap maksimumin tim.
Në repertorin tuaj, apo arkivin sa pjesë apo role keni interpretuar?
Nëse do të filloja të numëroja pjesët premierë të miat në skena të ndryshme këtu dhe jashtë janë aq shumë saqë ndoshta nuk i mbaj mend të gjitha, por di të them janë shumë.
Ky lloj kërcimi që ju interpretoni normalisht, çfarë të veçantash ka?
Në përgjithësi kërcimi oriental është i bukur në natyrë, por kur dihet që ky kërcim vendoset në skenë nga një balerinë qe di ta përfaqësoj bukur, atëherë bukuria është e dyfishtë dhe nuk do të bëja veçime të një pjese të bukur apo të keqe…Të gjitha më kanë dhënë reputacionin dhe famën e duhur.
Kërcimtaret dhe balerinat a janë sot të paragjykuara në Shqipëri?
Për të qenë dikushi në jetë dhe të krijosh një figurë publike tënden normal që duhet të paragjykohesh, sepse jo të gjithë kanë gusto e duhet të na pëlqejnë. Ka dhe nga ato që na kritikojnë, kështu që në ditët e sotme, paragjykimet nuk po i vëren më askush, përkundrazi, po na japin më tepër famë dhe publike.
Kur je ndjerë më keq në skenë dhe si e tejkalon këtë gjendje?
Momentet në të cilat një artist nuk ndihet mirë në skenë janë gjithmonë momentet që lidhen me publikun dhe afrimin me të por, për këtë gjë duhet të falënderoj publikun që gjithmonë më ka duartrokitur e përkrahur në çdo skenë dhe i jam mirënjohëse për fjalet dhe komplimentet e ngrohta që marr çdo ditë.
Ky profesion i përshtatet më shumë femrave apo meshkujve?
Në fakt në ditët e sotme, ky profesion është tek të dyja gjinitë, ndërsa unë për të mos u treguar pak natyre egoiste do më pëlqente që vetëm femrat të ishin pjesë e baletit, sepse sipas mendimit tim, ka akoma edhe shumë profesione të tjera për meshkujt.
Cilat janë të veçantat e një balerine?
Të veçantat e një balerine janë të shumta mirëpo, do përmendja disa, duke filluar nga bukuria, elasticiteti, brishtësia, eleganca, dhe finesa.
Ke norma strikte në jetën tënde?
Nuk më pëlqen të jetoj jetën me rregulla edhe regjime, kështu që jetoj ashtu siç jetohet normal pa ndjekur asnjë regjim.
Ke pikë referuese në këtë profesion?
Gjithmonë kam dal në skenë me modelin tim origjinal kështu që stili im origjinal besoj se është me i vlefshëm sesa një i referuar.
Çështë dashuria për ju?
Dashuria për mua është një lloj lidhje ku dy persona duhet të ndjejnë të njëjtën gjë për njeri – tjetrin, pa harruar pikat kyçe që ekzistojnë në një lidhje, sinqeritet, dashuri dhe besnikëri….Të gjithë janë të dashuruar, nëse do thoja jo i bie që po dal jashtë vetes dhe kohës.
Je penduar që ke zgjedhur këtë profesion?
As nuk jam penduar, as nuk do të pendohem asnjëherë që pasioni ëndrrat e mia që fëmijë, tashmë janë realizuar dhe janë aty ku duhen. Pra nuk janë më në sirtar. Hahahah!
Ndihet e vlerësuar femra shqiptare?
Besoj se tani në këtë kohë pothuajse femra shqiptare është duke u vlerësuar çdo dite e më shumë dhe kjo shihet mjaft qartë kudo në rrugë, në kafe, në rrjete sociale dhe më vjen mirë që kjo gjë vjen edhe në rritje, sepse femra është figurë e pazëvendësueshme
A është maskiliste femra shqiptare?
Maskiliste…?! Mendoj se deri diku po, deri diku jo…
E keni frekuentuar plazhin nudo?
Nuk ka asgjë të keqe të frekuentosh një plazh nudo….Nuk e kam bërë akoma por ndoshta në të ardhmen besoj se po.
Problemi më i madh i femrës sot?
Problemi më i rëndësishëm për femrën shqiptare është dhuna në familje dhe për këtë ju bëj thirrje te gjithëve që mjaft me dhunë, mendoni për një herë te vetme nëse do te ishte nëna juaj ajo që dhunoni

Filed Under: Interviste Tagged With: A është maskiliste, Albert Z. Zholi, FEMRA SHQIPTARE, Lidia Banushi

FEMRA SHQIPTARE NË LUFTËN E 2001

March 8, 2015 by dgreca

Nga Teuta Kamberi-Llalla*/
Në çdo luftë të popullit shqiptar kundër pushtuesve të ndryshëm, për krah burave në betejat e luftërave heroike e në çdo sakrificë, roli i femrave shqiptare ka qenë i pranishëm dhe i domosdoshëm. Duke filluar që nga koha e lashtë kur mbretëresha Teutë, ishte në krye të ushtrisë kundra pushtuesve romakë e më pas pjesmarrja e femrës në luftrat çlirimtare u bë traditë dhe u përcoll brez pas brezi. Të shumta janë portretet e femrave shqiptare që mbetën në kujtesën e kombit dhe të historisë së lavdishme të popullit tonë, ku mund të veçojmë: Laskarina Bubulina, Shote Galica, Mine Peza, Ibe Palikuqja, Xhevë Lladrovski, Hyrë Emini e shumë e shumë femra të tjera shqiptare. Në Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare me gjithë një farë konservatorizmi në lidhje me praninë e femrës, në gjirin e saj në detyra dhe funksione të ndryshme u radhitën me dhjetra femra, krah për krah me vëllezërit e ytre të idealit kombëtar nën emblemën e UÇK-së.
Unë, isha njëra nga femrat e shumta ushtare të UÇK-së për të cilën krenohem sepse përmbusha një obligim ndaj popullit tim për liri, drejtësi, përparim dhe emancipim të shoqërisë. Me luftën e vitit 2001, lidhen shumë ngjarje të jetës time. Ajo periudhë është për mua një periudhë e shenjtë, një periudhë që për mua do të mbetet e pa harruar. Për çudinë, pyetjen e shumë atyre që nuk e kuptojnë si duhet, botën e femrës shqiptare, po e jap me intervistën që kam dhënë për një gazetar norvegjez, gjatë vizitës së tij në zonën tonë të luftës gjatë asaj periudhe të vështirë.
“Ishte herët në mëngjes, kur na njoftuan se një gazetar norvegjez kërkon të intervistojë komandantin tonë, në rajonin veri-perëndimor me bazë në fshatin Odri. Qëllimi i intervistës së gazetarit të huaj ishte të mësojë diçka më tepër rreth shkakut të kësaj lufte. Vizita e tij na gjeti në momentin kur ne ishim të rreshtuar dhe prisnim urdhrat nga komandanti. Krahas rregullit ushtarak, disiplinës që dukej në çdo hap, gazetari u befasua, edhe nga një fenomen i paparashikuar, siç pranoi edhe ai vetë më vonë. Befasia e papritur për të ishte se në rreshtim ushtarak ishim dhe ne femrat me uniformën e UÇK-së. Pas bisedës me komandantin tonë Malën, gazetari kërkoi leje të intervistonte njërën nga femrat ushtarake. Ai theksoi se për lexuesit e gazetës për të cilën shkruante, do të ishte diçka shumë i veçantë ky fakt. Do të ishte një befasi e këndshme për të njohur botën e vërtetë të femrës shqiptare, si pjesëmarrëse në luftë. Nga grupi i vajzave që ishim aty, për të dhënë intervistën gazetari norvegjez, komandanti më caktoi mua. Midis ngrohtësisë që donte të krijonte gazetari për bashkëbisedim, qëndronte dhe dyshimi për çudinë që ai po përjetonte, ndaj në mendjen e tij plekseshin lloj-lloj pyetjesh në kërkim të zbulimit të asaj se: – Çfarë na shtynte ne femrat shqiptare për të luftuar krahas me burrat?!
Pyetjet e gazetarit ishin të shumta, por pak provokuese që buronin nga paragjykimin e tij për pjesëmarrjen e femrave në luftë. Një ndër ato pyetje ishte se: Çfarë më kishte shtyrë mua, një vajzë e re që të kapja armën dhe të rreshtohesha në radhët e UÇK-së?
– Kësaj pyetje i thashë gazetarit që është e lehtë, që shumë shkurt ti përgjigjesh, por është e vështirë që ta kuptoni ju, ndaj për tu përgjigjur do të zgjatem pak, që në radhë të parë ju të kuptoni botën tonë, persekutimin dhe injorimin që na është bërë tërë kohën, vetëm se jemi shqiptarë apo shqiptare. I shpjegova situatën politike para dhe pas viteve nëntëdhjetë kur në vendet e Lindjes u vendos demokracia dhe pluralizmi politik. I tregova çfarë prisnim dhe çfarë arritëm në fakt ne shqiptarët. Gazetari dëgjonte dhe habitej me ato që unë i tregoja dhe shkruante mbi fletën e bardhë. I tregova të gjitha dhe sa arrita te ngjarjet para krijimit të universitetit të Tetovës për të më kuptuar më mirë i thashë.
-Më shiko mua. Ja, unë jam vajzë që kam diplomuar në UT dhe pa filluar lufta punoja si asistente e lëndës së Morfologjisë, pranë Katedrës së gjuhës dhe letërsisë shqipe në po këtë universitet. Me marrjen e kësaj përgjigjeje nga ana ime, kureshtja e gazetarit u shtua edhe më tepër. Ai, kërkonte të dijë pak më gjerësisht për gjendjen ekonomike dhe arsimore të familjes time.
E informova se rrjedh nga prindër intelektualë që tërë kohën kanë aspiruar për një zgjim dhe çlirim nacional. Babai, profesor i gjuhë-letërsisë shqipe dhe nëna mësuese e ciklit të ulët. I tregova se edhe gjendja ime ekonomike e familjes ishte me të ardhura të mjaftueshme, për një jetë normale. Tregimi për familjen time, ishte për të një e pa pritur, por prapë ai këmbënguli për të ditur vërtet se çfarë më kishte shtyrë për tu rreshtuar në radhët e UÇK-së.
-Ju thashë se kam mbaruar Universitetin, por nuk u tregova se me sa mund e sakrificë u arrit që të bëhej ky universitet, që akoma shteti nuk e njeh zyrtarisht. I tregova periudhën që lidhej me ëndërrat e rinisë time dhe të moshatarëve të mi shqiptarë, që ëndërronim të studionim, ashtu si të rinjtë maqedonas në një universitet në gjuhën tonë amtare. I tregova që në çdo nismë për përparim dhe zhvillimin e historisë, gjuhës dhe kulturës shqiptare në Maqedoni është shtypur nga grushti i hekurt e i pamëshirshëm i policisë dhe ushtrisë sllavo-maqedonase. I fola për historinë e themelimit të UT-së, ku që në fillimin e veprimtarisë së tij u derdh gjak shqiptari. Vlen të theksoj se në vitin 1994 ra dëshmori i parë i krijimit të këtij universiteti.
Mjaftuan këto për të nxitur edhe më tej dëshirën e gazetarit të huaj për të pyetur e për të mësuar më shumë për çështjen e arsimit të shqiptarëve në Maqedoni.
– Lufta në Maqedoni kundra shqiptarëve nga ana e pushtetit ka qenë vijë politike prej vitesh, por këto dhjetë vitet e fundit ne shpresuam te demokracia, por ndodhi e kundërta. Presioni e presekutimi ndaj shqiptarëve po kalonte çdo kufi njerëzor edhe pse pushkëve të policisë dhe ushtrisë sllavo-maqedonase ne i përgjigjeshim me laps dhe fletore, domethënë në mënyrë paqësore. Kërkesat tona për liri e drejtësi njerëzore gjithnjë ranë në vesh të shurdhër dhe erdhi kjo ditë për të cilën ju pyesni: “pse jemi këtu me armë?”
Pas ekspozesë së gjatë që unë i bëra për të ardhjen deri te lufta dhe për ardhjen time dhe të shoqeve të mia në luftë, gazetari shikonte me habi dhe mos besim. Për ta bindur dhe për ti hequr çdo fije besimi ju drejtova dhe njëherë: Kjo që ju thashë është e vërteta, nëse vërtetë jeni të interesuar tis thoni popullit tuaj. Për sa i përket pjesëmarrjes time dhe femrave të tjera në këtë luftë, motivi është i njëjtë me atë të burrave. Në këtë rast lufte ne shqiptarët jemi motra dhe vëllezër për njeri-tjetrin, kjo është fija lidhëse, kjo dhe vetëm kjo është fija e vetme e idealit patriotik shqiptar.
Gjatë gjithë kësaj bisede gazetari arriti të kuptojë shumë gjëra për luftën, pjesëmarrjen time dhe të të gjitha femrave në këtë luftë, për historinë e popullit tonë dhe trajtimin e shqiptarëve nga ana e këtij shteti. Por, ajo që Ai dukej atij dhe shumë të huajve e pa kapshme, ishte dhe është dhe sot, se shkaktar i gjitha këtyre ngjarjeve ishte dhe është politika nacionaliste e maqedonasve, ishte dhe është politika e cila edhe sot në sy të botës flet në emër të demokracisë.”
ish-ushtare në UÇK, brigada 112 “Mujdin Aliu”.
Sot profesoreshë e gjuhë-letërsisë shqipe në gjimnazin e Tetovës.

Filed Under: ESSE Tagged With: FEMRA SHQIPTARE, NË LUFTËN E 2001, Teuta Llalla

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT