-Nga festivali i 3-të interkultural në Riva del Garda/Nga Ndue LAZRI/Nëse tre vjet më parë Festivali Interkultural nisi si një spektakël eksperimental i shoqatës “Rinia” me president Erio Korani, dhe pati një sukses e jehonë jo të vogël tek artdashësit dhe tek mediat, me dy edicionet e mëvonshme mund të themi që është kthyer në një traditë që nuk mund t’i mungojë më jo vetëm zonës së Trentinos, por gjithë komunitetit shqiptar në Itali. Sivjet ky festival u bë më herët se vitet e tjera, por interesimi dhe pjesëmarrja ishin mjaft të gjera, duke kaluar mjaft tej zonës ku zhvillohet. Dhe kjo flet qartë që jo vetëm emigrantët shqiptarë, por edhe komunitetet e etnive të tjera dhe vetë publiku italian i zonës ndihen jo vetëm të interesuar, por edhe pjesëmarrës në këtë eveniment që nga viti në vit i rrit përmasat dhe pretendimet e tij. Është një sipërmarrje jo e lehtë, që kërkon një makinë të vërtetë organizative. E në përfundim të tij mund të thuhet që organizatorët ia dolën mbanë mjaft mirë, duke u përballur edhe me vështirësi e të papritura që nganjëherë nuk mungojnë në spektakle të tilla me përmasa të mëdha.Përgjithësisht dita e zhvillimit të Festivalit kthehet në një ditë feste për qytetin piktoresk Riva del Garda buzë liqenit të kaltër në prehërin e maleve të thepisur që e rrethojnë. Shtohet numuri i turistëve të huaj, madje edhe i emigrantëve shqiptarë që ia lejojnë vetes një fundjavë turistike për hir të festivalit. E kjo është një vlerë jo e vogël, se përveç gjallërimit të jetës kulturore, në mënyrë indirekte ndikon edhe në ekonominë e qytetit. Madje, këtë radhë, edhe pse maji ka mbajtur i freskët e thuajse përditë me shira, këtë ditë u lejoi jo pak turistëve edhe një banjë dielli apo zhytje në ujrat e liqenit.
Festivali nisi që në orët e para të pasdites, me sfilatën e kostumeve popullore e karakteristike të grupeve pjesëmarrëse, që tërhoqën vëmendjen e publikut. Parakalimi i lodërtarëve me tingujt e fuqishëm të daulleve e tambureve, sikur e shkundi qytetin në prag të koncertit të madh. Në këtë kuadër ishin futur edhe konkursi i pikturës për fëmijë dhe jehona nga bota në një tingull të vetëm me muzikë nga nxënësit e shkollës së muzikës Alto Garda. Edhe këtë do ta cilësoja si një vlerë më vete, se u jepet hapësirë brezave të rinj të krijuesve, artistëve e interpretuesve, të cilët garantojnë vazhdimësinë dhe pasurimin e mëtejshëm të traditës së këtij festivali.
Gjithashtu, në kuadrin e Festivalit ishin futur edhe promovimi i krijimtarisë artistike të poetëve Lumturi Plaku e Skënder Lazaj, duke dëshmuar një realitet që në emigracion në Itali ka një numër të madh krijuesish letrarë e të arteve të tjera, anëtarë të dy shoqatave të krijuesve që bëjnë pjesë në gjirin e Federatës FNAI. Edhe këta krijues i japin një pasuri më vete jetës kulturore qoftë të qyteteve ku ata jetojnë, qoftë të shoqatave të emigrantëve.
Konferenca e shtypit, që zhvillohet pak orë para koncertit, ka një synim të caktuar. Aty, autoritetet lokale të komunave trentine, organizatorët e festivalit dhe të ftuar të tjerë diskutojnë bashkërisht rreth këtij evenimenti, duke treguar atë bashkëpunim të ngushtë midis tyre për një realizim sa më të suksesshëm të festivalit, çka reflekton qartë atë integrim të shëndoshë, real e të natyrshëm të emigrantëve në jetën shoqërore, kulturore e ekonomike të zonës. Kryetarët e bashkive, assesorët e komunave e nëpunës të tjerë komunalë, prej tre vitesh ndihmojnë e i shikojmë gjithnjë prezentë e me fjalë vlerësuese për aktivitetin, për organizatorët dhe për rëndësinë e këtij festivali në jetën kulturore të zonës.
Koncerti i madh, që zgjati mbi 5 orë, këtë vit ishte më i pasur e më i larmishëm, me një pjesëmarrje të gjerë të etnive të ndryshme. E do të thoja që kjo ishte një nga vlerat më të veçanta të Festivalit. Bashkëjetesa, vlerësimi reciprok, njohja, gërshetimi dhe ekspozimi i kulturave të 8 kombeve të ndryshme në të njëjtën skenë e nën një regji të vetme është një sipërmarrje me të vërtetë e vështirë e arritja e saj në mënyrë harmonike dëshmoi për një punë serioze, profesionale e të kualifikuar të të gjithë stafit, por në mënyrë të veçantë të regjisorit Aleksandër Kolshi, që jeton e punon në Rovereto e bën një punë të madhe për kulturën shqiptare në zonë. Kërkesat e grupeve të ndryshme për të marrë pjesë në festival kanë qenë të mëdha e nga shumë rajone të Italisë, kështuqë është dashur të bëhej edhe një punë e kujdesshme seleksionuese për të sjellë një gamë sa më të gjerë përfaqësuese vlerash të muzikës, valleve, kostumeve. E të mendosh se tërë ajo pasuri kostumesh, tërë ajo punë përgatitore për interpretime dinjitoze, bëhet krejtësisht mbi baza vullnetare, e bazuar mbi pasionin e vete emigrantëve që i realizojnë ato me shpenzimet e tyre. Tek bisedoja me zëvendëskonsullen e konsullatës së përgjithshme të Kosovës në Milano, Gjylymsere Kundja (e vetmja përfaqësuese diplomatike në këtë eveniment), ajo theksonte që është e nevojshme që edhe vetë shteti të jetë më tepër i pranishëm në ngjarje të tilla, sepse përfaqësohet kultura shqiptare me vlerat e saj të mëdha përballë publikut të një vendi të madh europian që është në avagardën e kulturës botërore.
I mendoja sakrificat e pasionin e emigrantëve tek shikoja jo vetëm sfilatën e kostumeve nëpër rrugët e qytetit, por edhe interpretimin e grupeve në skenën e festivalit. Grupi “Shtojzovallet”, i shoqatës “Vatra” në Ala, prej vitesh sjell në skenë jo vetëm bukurinë e kostumeve të krahinave të ndryshme shqiptare, por edhe elegancën, dinamikën e mesazhin tipik shqiptar të valleve tona. Ndërsa grupet “Dance emotion” i Riva del Garda, përgatitur nga Elisa Versini, “Artisti” i Roveretos, përgatitur nga Aleksandër Kolshi, “Scuola musicale Alto Garda” në Arco e Riva dhe “Studio danza Annalisa” në Arco dëshmuan për punën me pasion që bëhet me fëmijët e të rinjtë në fushën e baletit klasik e modern. Të shikosh në skenë fëmijë tre apo pesëvjeçarë të kërcejnë aq bukur në një grup të madh e të përgatitur mirë artistikisht, është pa dyshim diçka emocionuese dhe entuziazmuese në të njëjtën kohë.
Grupi “Ura e Bashkimit”, ardhur që nga Legnano në afërsi të Milanos, solli kostumet tradicionale të burrave dhe epikën e muzikës së çiftelive të veriut.Po kështu edhe grupi “Skënderbeg” i ardhur nga një shoqatë me tradita shumë të mira në Parma, solli emocione me vallet e kostumet dibrane. Ndërsa këngëtaret e mirënjohura Mariza Ikonomi e Ani Myzeqarja, që kishin ardhur nga Shqipëria, sollën në skenë këngë të bukura të vendit tonë, që përfaqësojnë atë trashëgimi të çmuar kulturore.
Kishte emocionet e veta paraqitja në skenë e dy grave të ardhura posaçërisht nga Kalabria, nga toka e arbëreshëve. Hera e parë që ato ngjiten deri buzë Alpeve. Por ishte normale që të mos mungonin edhe arbëreshët në këtë festival. Edhe ata janë pjesë e historisë, kulturës e traditave shqiptare. Lucia Martino (Mjeshtër i Madh), presidente e shoqatës “Vorea” në Frascineto, solli për festivalin mesazhin e arbëreshëve për të punuar sëbashku për gjuhën e kulturën tonë kombëtare edhe në dhe të huaj. Ndërsa këngëtarja energjike Francesca Prestia nga Catanzaro këndoi në gjuhën arbëreshe këngën “O e bukura More” dhe një këngë që evokon luftrat e shqiptarëve nën udhëheqjen e Skënderbeut. Mendoj se prezenca e arbëreshëve ishte një vlerë e shtuar në këtë festival.
I një gjinie krejt të veçantë, por me mjaft interes ishte interpretimi i grupit “Vertik&Dance”, përgatitur nga Ervin Picalli. Një lidhje e bukur harmonike e akrobacisë me vallëzimin në lartësi, realizuar me mjeshtëri artistike.
Shoqata “Polacchi in Trentino” e Trentos u paraqit me “Gruppo Jawor”. Janë të njohura në gjithë botën vlerat e padiskutueshme të kulturës e muzikës polake në shekuj, ndaj ndoqëm me kureshtje e interesim interpretimin e tyre. Dhe në fakt, kostumet befasuese me ngjyrat e tyre, delikatesa e valleve, mjeshtëria koreografike, bënin që këta amatorë të pasionuar të ishin afër profesionistëve të vërtetë të skenës. Impresionues në interpretimin e tij grupi i komunitetit indian “Bhangra”. Një vullkan ngjyrash, lëvizjesh e energjishë në valle tipike indiane, që e bënë për vete publikun dhe merituan duartrokitjet e tij.
Edhe grupi “Arcobaleno” i moldavëve në Trento, grupi Folk i rumunëve të Veronës, grupi “Son 4” i venezuelanëve të Arcos apo grupet “Zampognaro” dhe “La Lëm” të shoqatave kulturale në Lagaro e Tremosine, i sollën vlera të veçanta festivalit me larminë e kostumeve, instrumenteve muzikore dhe mënyrat shumë origjinale të interpretimit.
Drejtimi i një programi 5 orësh nuk ishte i lehtë edhe për prezantuesit e tij Anila Kaja e Riccardo Cis, të cilët vinin në skenë pas edicionit të vitit të kaluar. Por mendoj se përgatitja profesionale dhe sidomos spontaneiteti i tyre, i dhanë spektaklit ritmin dhe dinamikën e duhur.
Mendoj se ky festival vlerash të 8 etnive të ndryshme, që u paraqitën denjësisht përpara publikut, nuk do të humbiste asgjë, po të mënjanohej repertori i këngëtarit Sinan Hoxha. Nuk kam asgjë kundër aftësive interpretuese të këtij këngëtari, që është e natyrshme të ketë fansat e vet të cilëve u pëlqen muzika e tallavave, por në kontekstin e festivalit repertori i tij ishte krejtësisht i papërshtatshëm. Siç e theksova më lart secili grup, apo edhe dy këngëtaret e ardhura nga Shqipëria, sollën vlerat përfaqësuese me nivel e shije artistike. Kurse këngë si “Sexy mama bom, bom bom”, apo “Fustani me kuklla”, jo vetëm që nuk paraqesin vlera, por janë antivlera dhe huazime vulgare që nuk kanë të bëjnë aspak me muzikën e vërtetë shqiptare.
Festivali i sivjetëm interkultural në Riva del Garda ishte një eveniment i suksesshëm, që e rrit më shunë përgjegjësinë e organizatorëve për vitet e ardhshme, si për të sjellë risi në organizim, në seleksionimin e grupeve, në anën regjisoriale etj. Sepse edhe pjesëmarrja e kërkesat e vetë publikut do të jenë më të mëdha. Bashkëpunimi i shoqatës “Rinia” me Federatën FNAI, ku ajo bën pjesë dhe ka bashkëpunuar në dy edicionet e fundit, do të bëjë që ky eveniment të tërheqë grupe edhe të shoqatave të tjera në rajone të ndryshme të Italisë, të ketë një mundësi më të madhe zgjedhjeje dhe të sjellë ne skenë një konkurs të vërtetë vlerash të mirëfillta. Madje, në të ardhmen, mund të mendohet që të jepen edhe çmime për tre grupet më të mira, çka do e bënte edhe më të fortë garën midis grupeve pjesëmarrëse.
Ndue Lazri