Nga Danny Blloshmi/
Ende e ndjej brenda vetes atë mahnitje që më shkaktoi Festivali i 22-të Shqiptar i organizuar nga Qendra “Nëna Terezë” pranë Kishës Katolike Shqiptare Zoja e Shkodrës, me 11 nëntor në mjediset me akustikë të shkëlqyer të pallatit të Artve në një nga godinat e Lehman College në Bronx. Nuk e di se çfarë mund të ketë më tepër një shfaqje profesionistësh gjithëkombëtare se sa ai festival, ku e gjithë Shqipëria ishte në skenë. Më shumë se 250 artistë amatorë dhe profesionistë, këngëtarë dhe valltarë nga e gjithë Shqipëria natyrale, ishte pjesë e asaj sofre gjigande të folklorit shqiptarë që natën e 11 nëntorit na mrekulloi të gjithëve. Siç tregojnë emigrantët më të hershëm, ky festival, e ka zanafillën që në vitet ’70, kur nisi për të parën herë dhe vazhdon si një traditë e mirë, që përcjell këtu në atdheun e adaptuar tonin kulturën Kombëtare gjitëhshqiptare.
Ajo që të mbetet në mendje është jo vetëm pasioni për këngën dhe vallen shqiptare, jo vetëm pasuria e pashtershme e folklorit shqiptar, që si një gurrë e pashtershme derdhet përvit në atë skenë, por edhe mbizotërimi i skenës nga fëmijë të lindur këtu në SHBA, të cilët ndjehen të dashuruar pas kulturës të Kombit të tyre, që i ngazëllehen Flamurit Kombëtar kuq e zi, që iu përkëdhelen kostumet kombëtare me një dashuri të jashtzakonshme. Sa shumë kostume kombëtare që pamë në atë skenë të festivalit të Pavarësisë së 100-të të Shtetit shqiptar!
Kostumet e jugut dhe të veriut, të Malësisë dhe të Çamërisë, të lebërve dhe malësorëve, rugovasve dhe gjakovarëve, njëri më i bukur se sa tjetri u prezantuan në skenë e festivalit. Po sa u shkojnë të rinjëve ato veshje! Pa t’i shihje se si flladiteshin në skenë nën rrotullimin e valltarëve. Nuk e di por unë mbeta i dashuruar pas xhubletës së veriut dhe fustanellës së jugut, njëra magjike se tjetra, njëra më e lashta se tjetra; të dyja idetike shqiptare, të dyja plot mistere në simbolet zbukuruse dhe në atë fërshfërimën valëzore gjatë rrotullimit të valltarëve.
Xhubleta më duket si një veshje legjendë, plot mistere, që e shihja të veshur edhe tek vajzat e vogla edhe tek të rejat, edhe tek gratë artiste dhe secilave u jepte një pamje të zanave të legjendave.
Në mendjen time xhubleta , me atë formën e saj valë-valë, me atë fundin që zbret hijshëm në shtatin e bukurosheve shqiptare,që nis me një lloj ngushtësie e që vjen duke u zgjeruar në formën e një këmbane, të mrekullon. Veshja më tipike e femrave shqiptare në Shqipërinë e mbi e nën Drin, në Malësi, Kelmendin kreshnik, ndërsa ornamentet zbukuruse janë të papërshkrushme dhe vezulluese. Po ashtu të mrekullon dhe fustanella, që e shohim shpesh në trevat jugore,dhe që e shohim çdo vit në këtë festival, veçanërisht tek djemtë që kërcejnë vallet çame. Studiuesit kanë treguar se edhe kjo është veshje tipike shqiptare, që dikur gjendej në të gjitha trevat shqiptare në forma të ndryshme. Kam lexuar se mjeshtëri i madh i fjalës shqipe, rizbuluesi I Flamurit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, bashkëthemelusi i Vatrës, Faik Konica, ua spjegonte me pasion amerikanëve magjinë e fustanellës shqiptare, madje edhe në emisione radiofonike, u tregonte se kjo veshje është tipike shqiptare, por është shëmtuar me variantin e adaptuar nga grekët, të cilët e kanë shkurtuar dhe po ashtu tentojnë ta paraqesin atë si veshje të tyre identifikuese.
Në Festivalin e 22, pjesmarrja ishte rreth tre mijë vetë, në skenë u ngjitën më shumë se 250 artistë, që kishin ardhe edhe nga Toronto e Kanadasë, Michigani e Bostoni, kënga dhe vallja iu kushtuan 100 vjetorit dhe kjo ishte e natyrshme sepse të gjithë shqiptarët, kudo ku jetojnë në vendlindje apo në mërgim, kanë kohë që kanë nisur festën e shekullit të pavarësisë. E gjithë Shqipëria natyrale ishte në skenën e festivalit, ku u prezantuan të gjitha trevat, që nga Shqipëria amë(siç shprehen kosovarët), Kosova, Malësia kreshnike, Ulqini piktoresk, Lugina e Preshevës – Medvegja- Bujanovci, Çamëria, shqiptarët e Malit të Zi, Maqedonisë. Duke ndjekur këtë festival, kushdo ndjenë krenari dhe brenda vetes i shpërthejnë vargjet: O sa mirë që jam shqiptar!
Në radhët e para të sallës së madhe, pranë skenës ishin ulur klerikë dhe drejtues të shoqatave të komunitetit shqiptar : dom Fran Kolaj, famullitari i Kishës së Shën Palit në Rochester të Miçiganit, Mark Gjonaj, shqiptari që hyri në histori si i pari shqiptar në Ansamblenë e Shtetit të Nju Jorkut, famullitari i Kishës Katolike Shqiptare, dom Pjetër Popaj, i përnderëshmin Dom Viktor Dedaj, Kryetari i Vatrës dr Gjon Buçaj, presidentja e shoqatës të grave “Motrat Qiriazi” dr Ana Kohen, zv/presidenti i Shoqatës së mjekëve shqiptaro-amerikanë, Dr. Sulejman Çelaj e të tjerë.
Festival Shqiptar ka për organizatore Qëndrën Kulturore Nëna Tereze pranë Kishës Katolike Shqiptare Zoja e Shkodrës. Në broshurën e përgatitur me profesionalizëm nga Ismer Mjeku, ku ka një parathënie për 100 vjetorin e Pavarësisë, të shkruar nga editori i gazetës më të vjetër të botës shqiptare, “Dielli”, Dalip Greca, janë paraqitur realizuesit e festivalit: Kryetar i festivalit është Dom Pjetër Popaj, – Drejtori i Qendrës Nëna Tereze, Mark K. Shkreli, Drejtor i Festivalit, Simon Vukel, Drejtor Organizativ Fran Çotaj, Drejtor Artistik, dhe regji Ludvig Çotaj dhe Ismer Mjeku, Drejtor i Skenës, Ludvig Çotaj, Skenografia, Fran Shala,Luigj Tinaj, Sokol Smalaj, Kreshnik Smalaj, Nick Gjokaj, dhe Gjeka Shala dhe Lisa Junçaj, Korrdinator i Mediave Simon Vukel, Koordinatore të reklamave Lule Gjokaj, Age Ivezaj,Leonora Lulaj, Arjana Elezaj, dhe Margarita Koçoviç.
Këshilli Drejtues i Festivalit: Simon Vukel (Drejtor), Fran Çotaj, Ludvig Çotaj, Mark Shkreli dhe Ismer Mjeku. Anëtarë të Komisionit të Festivalit, Age Ivezaj, Angelina Nika, Agim Kola, Anton Dedvukaj, Elsa Lulaj, Gjon Çota, Lekë Lulaj, Lekë Përlleshi, Leonard Berishaj, Palok Rudaj, Prena Berisha, Sokol Smalaj dhe Vasel Smalaj, Gjergjë Paloka, Lizë Vuktilaj, Gjelosh Narkaj.
Këtë radh Festivalin e drejtuan Etrita Ibroçi dhe Albert Popaj, ndërsa bekimin dhe përshëndetjen për festivalistët dhe pjesmarërsit, e bëri famullitari i Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” Dom Pjetër Popaj.
Festivalit ia shtoi profesionalizmin Orkestra “Alba” në drejtimine mjeshtrit Edi Xhani.Tashmë kjo orkestër është bërë e dashur për shqiptarët në të gjitha ngjarjete rëndësishme të komunitetit, përfshi dhe 100 vjetorin e Vatrës organizuar me madhështi me 29 prill 2012.
Në fjalën përshëndetëse Dom Pjetër Popaj solli atmosferën festive dhe historike njëkohësisht: Ndërsa kremtojmë këtë datë historike së bashku me këtë festival,tha ai, ne përkujtojmë heronjët tanë kombëtar, që nuk kursyen jetën e tyre por derdhën gjakun për liri e pavarësinë e popullit tonë të robëruar në 5 shekuj me radhë. Të frymëzuar prej Kastrioit, Atit të flamurit tonë kuq e zi, me shqiponjën dy krenare me 1912, – Ismail Qemali me Isa Boletinin, Luigj Gurakuqin e Dom Nikoll Kaçorrin, përsëri ngritën këtë flamurë të valvisë i lirë në tokën Arbërore.
Sonte, shtoi dom Pjetër Popaj, ne festojmë së bashku, kulturën tonë, historinë tonë, trimërinë dhe traditën e bukur, që mbahet e paprekur gjatë shekujve nga njerëzit tanë të guximshëm, të cilët dhanë aq shumë në shekuj për të ruajtur identitetin kombëtar. Frymëzuar prej historisë tonë janë brezi e rinj, të gjithë këta fëmijë, që megjithse janë të lindur këtu në SHBA, ndjehen krenarë që janë shqiptarë, dhe këndojnë e vallëzojnë shqiptarisht plot hare, gëzim e krenari. Dhe sonte duke vallëzuar dhe kënduar ata do të tregojnë se sa e duan kulturën tonë kombëtare.
Në mbyllje, dom Pjetër Popaj tha: “Falënderojmë Komitetin Organizativ të këtij festivali, i cili, ka punuar aq shumë për ta bërë këtë mbrëmje të veçantë për të gjithë ne. Zoti e Bekoftë Nënën Shqipëri, Kosovën, trojet e tjera shqiptare të okupueme, shqiptarët kudo që gjenden! Zoti e bekoftë Amerikën – Gëzuar 100 vjetori i Pavarësisë !
Të gjitha grupet u shfaqën së bashku në çelje të festivalit dhe morën duartrokitjet e sallës. Fragmenti dramatik “Nëntori i dytë”, që evokon shpalljen e pavarësiësë më 28 nëntor 1912, shënoi nisjen e kësaj maratone artistike që zgjati rreth katër orë. Aktori Agim Rugova në rolin e këshilltarit politik të Ismail Qemalit, Luigj Gurakuqi, krijoi sfondin historik tek lexoi Deklaratën e Pavarësisë, ndërkohë që performuan edhe Shaban Lajçi në rolin e Ismail Qemalit dhe Tom Gjergji në rolin e Isa Boletinit.Atmosfera historike festive vazhdoi me një fragment poetik “Flamuri” nga Dritan Dragu dhe këngën për Pavarësinë , kënduar bukur nga Gëzim Nika, që u pasua me një valle festive të interpretuar nga kërcimtarët e vegjël të “Rozafatit” . Mjeshtërisht u paraqitën valltarët e Detroitit dhe grupit “Bashkimi” të Bostonit, të drejtuar nga mjeshtrat e koreografisë, Brahaj dhe Papristo.Festivalin e ka përshëndetur z. Mark Gjonaj.
Realizuesit e kësaj mrekulli artistike kishin zgjedhur për mbyllje të festivalit
shpalsojen e një një flamuri të madh kuq e zi, ç’ka e ndezi atmosferën atdhetare në sallë. Pas mbylljes, festivalistët u çvendosën në sallën e Qendrës Kulturore artistike “Nëna Terezë”, pranë Kishës “Zoja e Shkodrës”, ku festa ka vijuar deri në mesnatë!(Botoi DIELLI ne numrin Special te 100 Vjetorit- 28 nentor 2012)