• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FIGURA TË SHQUARA TË ÇAMËRISË

January 24, 2017 by dgreca

Të flasësh për figurat e shquara të Çamërisë, si për çdo vis tjetër të atdheut, është një temë e vështirë. Sepse këto figura janë kaq të shumta, aq të ndritshme, sa nuk mund t’i rrokësh dot me një kumtesë të shkurtër apo informacion. Duhen libra të tërë për këtë qëllim.
Dhe libra për Çamërinë janë bërë, jo me dhjetra, por me qindra. Por, gjithmonë ka edhe punime e këndshikime të veçanta, që e thellojnë apo e koncentrojnë më shumë njohjen e historisë dhe figurave të saj.1 Idajet
Njëri prej këtyre këndshikimeve është edhe kjo kumtesë e shkurtër. Është përgatitur edhe një libër gjithëpërfshirës për këtë qëllim. Synimi është që informacioni për figurat e shquara të përhapet si objekt më vete në masat e gjera, deri edhe tek nxënësit e shkollave e brezat e rinj, në të gjitha trevat e atdheut. Pra, jo vetëm si punim akademik, i cili përqëndrohet tek pak njerëz, por një punim me karakter masiv, popullor, për të gjitha viset. 
Kemi evidentuar rreth 60 figura të tilla të Çamërisë martire. Sa pika e nyje njohëse ka për to! Kuriozitete e të dhëna të shumta që të emocionojnë e frymëzojnë.
Ja disa prej tyre:
“Ptolemejtë ishin çamë” – shkruan Sami Frashëri në “Fjalorin” e tij të madh historio-grafik për Shqipërinë. Ptolemejtë ishin pasardhësit e Aleksandrit të Madh, të cilët i vendosi zotër në Aleksandri. Aty ata ndërtuan Bibliotekën e famshme me librat e antikitetit, të cilën e dogjën vandalët evropianë të Kryqëzatave më vonë. 
Dihet nga të gjithë se strategu i Lashtësisë , Pirro,  ka lindur në Ledhëz të Çamërisë.
Kuriozitetet vijojnë në shekuj. Vetë themeluesi i Egjiptit, Mehmet Ali Pashë Misiri, kishte lindur në një zonë të Korçës, por rininë e vet e kaloi në Çamërinë Jugore. Aty mori edukatën, frymën dhe guximin për të shkëlqyer më vonë si një shtetar i madh.
Kështu, toka çame ka qenë farishtja e rritjes dhe e përndritjes të sa e sa yjeve të kombit tonë. Folklori çam ka poetizuar:
 
Qysh ka qenë mëmëdheja?
Iskanderi si rrufeja…
Filipjadha nga Janina,
Që ka pjellë aq-ë trima…
 
Çam i famshëm Hoxha Tahsini ishte rektori i parë i Universitetit të Stambollit, në vitet 80-të të shekullit 19-të. Por ai nuk shkëlqeu më tepër për këtë, se sa për faktin e madh që ai u bë fanari i parë i Rilindjes Kombëtare, rrezet e të cilës i përhapi në çdo kënd të tokës shqiptare. E quajtën edhe “Koperniku i Lindjes”, dhe  populli ynë i këndoi:
 
Gjithë rilindasit radhë
Nga Tahsini morën farë…
 
Rilindësja Dore d’Istria flet me dashuri për Pargën e bukur çame. Bile, diku ajo  thotë se “Kam lindur në Pargë…dhe se nëna e saj i fliste me dashuri të madhe për atë qytet të bukur çam”.
 
Çami i famshëm Abedin pashë Dino është vlerësuar nga historio-grafia e kohës si njëri nga 50 valinjtë më të shquar të perandorisë së atëhershme. Ai ishte krahu i djathtë i Ismail Qemalit për çështjen Kombëtare. Dhe ky patriot vdiq me emrin e Shqipërisë në gojë.
E kështu, yjet e Çamërisë hijeshojnë në shekuj e dekada. Sidomos në kapërcim të shekullit XIX e në dekadat e para të shekullit XX, – këta yje u dendësuan shumë. Sepse ishte çështja e lirisë së mëmëdheut, e cila rrezikohej nga bishat shovene ballkanase dhe duart gjakatare të drejtuesve të Fuqive të Mëdha të Evropës.
Kujtojmë: Sheh Sabri Preveza, në kapërcim të shekullit, u bë përhapësi i madh i librit shqip në krejt jugun shqiptar, deri në Vlorë e Berat.
Shquajnë në folklor emrat e Osman Takës me vallen e tij, e Çelo Mezanit me këngën e tij; shkëlqejnë dyert e mëdha Çame me e kulturën e patriotizmin e tyre  shqiptar e sakrificat për liri. Shkëlqejnë poetët Muhamet Kuçuku e Ali Dine, ashtu sikurse i riu çam- internacionalisti Thimio Gogozoto, i cili ra dëshmor në luftën e Spanjës, në vitin 1936, bashkë me të tjerë trima nga Kosova e vise të tjera të atdheut. Shkëlqeu Ali Demi, dëshmor – hero në Kaninë të Vlorës, në Luftën Nacionalçlirimtare.
Figurat e shquara të artit: shkrimtari Mitrush Kuteli nga Pogradeci e piktori Kolë Idromeno nga Shkodra, ishin me origjinë nga Çamëria…
Qielli i Çamërisë martire është i përflakur nga këta yje, martirë e heronj. Ata janë e do mbeten farët e neonët e çështjes shqiptare edhe paskëtaj, në shekuj. Një folklor i madhërishëm i popullit çam i ka përjetësuar në vargje këta trima e veprimtarë. Poeti e prozatori brilant Bilal Xhaferri e sa e sa të tjerë në fushën e artit e kulturës, – janë qëndistarë të etnisë sonë në jugun e thellë shqiptar.
Çështja çame nuk vdes. Ajo është çështje e gjithë popullit shqiptar. Në vitin 1913, pas coptimit të trojeve tona nga Fuqitë e Mëdha Evropiane, populli vajtoi fatin e pjesëve që mbetën jashtë:
 
Qaj Kosovë e Çamëri,
Që kini mbetur në botë;
Ca Greqi, ca në Serbi,
Jinni këputur si zogjtë;
S’është e mirë ajo zoi,
Që jini ndarë me shokë,
Me ne do kini bashki,
Ësht’ e shkruar në Evropë…
 
Por sot, kur liria e Kosovës vezullon në qiellin Shqiptar, në gjirin e mëmës Shqipëri, vargjet e kësaj kënge vijojnë me mallëngjim për pjesën tjetër të atdheut :
 
Qaj Metvegjë e Çamëri,
Që kini mbetur në botë…
 
Por, për Çamërinë e djegur, të shkulur, të vrarë, të mohuar nga shovenët e Jugut, kënga elegjiake e popullit vazhdon:
 
Pa shikoni varret tanë:
Atje te trojet-ë  çamë,
Për një pikëz ujë qajnë.
Në varret e të parëve tanë
Lulet e barit janë tharë;
Aty lule duhen mbjellë,
Kombi ujë duhet të hedhë;
Në buzët e detit Jon,
Ku gjaku i shqipes kullon…
 
Figurat e Çamërisë janë të shumta edhe më pas, gjatë shekullit XX e në ditët tona. Ja njëri prej tyre: Skënder Beqiri, – martir i gjallë i çështjes çame. Ai është këtu mes nesh, në Vlorë. Po afron shekullin me moshën e tij dhe ka bërë një vepër të rrallë: me fotot e tij, në fototekën e tij, ka një Çamëri e një Vlorë të tërë brenda në shtëpinë e tij. Për këtë e kanë cilësuar edhe “Marubi i Çamërisë e i Vlorës”. Dhe ja një fjalë e tij prej rilindasi të gjallë: “Do vdes, po jo nga tjetër gjë, por nga derti etnik i coptimit të trojeve tona, që akoma janë jashtë trungut të mëmës!”
 
Por kënga thotë:
 
Çamëri pushoje vajnë,
Se s’të lënë djeltë çamë,
E gjithë këta shqiptarë…
 
Por ka edhe shumë të rinj çamë që punojnë fort për iealin e kësaj pjese të Atdheut. Një nga këta është edhe Festim Lato, vëllai i poetit të njohur , Xhemil Lato. Festimi banon në Holandë, por me përpjekjet e tij, me idealizmin e tij të zjarrtë, ka organizuar, ka sponsorizuar dhjetra aktivitete, takime, konferenca shkencore e sensibilizuese, tubime, botime librash patriotikë, për çështjen çame. Ai djalë, rreth të dyzetave, ka arritur ta çojë zërin e Çamërisë deri tek drejtuesit e atij shteti, deri në organizmat e tjera të larta të Evropës, organet e Drejtësisë së çështjeve nacionale, siç është çështja çame, me të drejtëne saj themelore- atë të kthimit të trojeve e pronave të këtyre shqiptarëve të shkulur me genocid afro tre çerek shekulli më parë.
Pra, yllësia çame, si e çdo visi tjetër të atdheut, vazhdon, përpiqet, ndriçon, dhe ekziston e plotë shpresa se kjo Evropë, që e coptoi Shqiperinë më 1913, po kjo – me moralin e demokracisë që përfaqëson, do ta kthejë në vend çështjen e drejtë të kësaj pjese të kombit tonë të martirizuar.

Filed Under: Histori Tagged With: figura, Idajet Jahaj, te shquara Came

PRESIDENTI NISHANI DEKORON INDIVIDE NE DIASPORE

September 24, 2016 by dgreca

Presidenti Nishani vlerëson figura dhe personalitete me kontribute të spikatura të Bashkësisë Shqiptaro-Amerikane: Krenarë që jemi shqiptarë!/

24 shtator 2016-Nju-Jork, SHBA/

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani vlerësoi dhe çmoi në një ceremoni mbresëlënëse dekorimi në prani të shumë bashkatdhetarëve, kontributin mjaft të rëndësishëm të disa personaliteteve shqiptaro-amerikane me veprimtari të shquar atdhetare e shoqërore.

Kryetari i Shtetit shqiptar, i mikpritur ngrohtësisht së bashku me Zonjën e Parë Odeta Nishani në një atmosferë festive në Manhatan, shprehu kënaqësinë dhe emocionin e madh të shkaktuar nga takimi me bashkatdhetarët, duke vlerësuar në të njëjtën kohë atdhedashurinë dhe vullnetin e tyre për të ruajtur ndër breza identitetin dhe frymën kombëtare në shtetin më të fuqishëm e më demokratik në botë, në zemër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Me këtë rast, Presidenti Nishani nënvizoi mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të partnerit strategjik dhe aleatit të pazëvendësueshëm të dhënë ndaj demokracisë dhe institucioneve shqiptare, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të qeverive të saj në kohët më vendimtare të historisë së kombit shqiptar, ndaj shqiptarëve kudo ku janë: në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, Luginën e Preshevës, Çamëri.

“Kjo traditë do ta vazhdojë në ditët, muajt, vitet, dekadat dhe shekujt në vijim miqësinë mes Shqipërisë dhe Shteteteve të Bashkuara të Amerikës” – theksoi Presidenti.

Presidenti Nishani çmoi rolin thelbësor e të pamohueshëm të Diasporës shqiptare për evidentimin dhe ruajtjen e vlerave të vërteta njerëzore e traditave të mrekullueshme të shqiptarëve.

“Ky vlerësim është për ju që jeni sonte në këtë sallë, për qindra mijëra shqiptarët kudo në Shtetet e Bashkuara, për familjet tuaja, të cilat ju mësuan jo vetëm respektin për të parët tuaj, por ju lanë trashëgim edhe respektin dhe krenarinë e të qenit shqiptarë”. – vuri në pah Presidenti Nishani.

Në veçanti, Kreu i Shtetit vuri në pah kontributin e jashtëzakonshëm dhe atdhetar, nëpërmjet ceremonisë zyrtare të dekorimeve, ku, u vlerësuan me Dekoratën “Nderi i Kombit” zotin Stan Dragoti me motivacionin: “Në vlerësim të krijimtarisë së tij të pasur kinematografike, rolit e kontributit të çmuar dhënë për dekada me radhë ndaj forcimit të lidhjeve të gjithanshme amerikano-shqiptare, si dhe përfaqësimit dinjitoz si artist i rrallë, duke lartësuar emrin e kombit shqiptar kudo në botë”; me Titullin “Mjeshtër i Madh” zotin Gëzim Nika: “Në shenjë mirënjohjeje për veprimtarinë e tij të shquar artistike dhe kontributin e rëndësishëm shumëvjeçar në lartësimin dhe përçimin e vlerave të rralla e të vyera të muzikës popullore shqiptare” si dhe me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” zotin Musli Mulosmanaj: “Në vlerësim të qëndresës fisnike e të paepur ndaj përndjekjes së diktaturës, si dhe me mirënjohje për veprimtarinë e tij të shquar atdhetare, kontributin e qenësishëm dhënë për mbrojtjen e përparimin e çështjes shqiptare”;zotin Vehbi Bajrami: “Në shenjë mirënjohjeje dhe vlerësimi për veprimtarinë e tij të spikatur atdhetare si dhe për kontributin e rëndësishëm mediatik në mbajtjen gjallë, përhapjen dhe lartësimin e vlerave më të çmuara të kombit tonë në bashkësinë shqiptaro-amerikane”; zotin Sami Repishti me motivacionin: “Me mirënjohje për vuajtjet e sakrificat e parrëfyeshme, përpjekjet mbinjerëzore dhe qëndresën stoike ndaj diktaturës komuniste. Në nderim të veprimtarisë së palodhur atdhetare për çështjes kombëtare, si dhe në respekt të rolit e kontributit të çmuar dhënë për dekada me radhë si veprimtar i shquar i të drejtave të njeriut; farkëtues i lidhjeve të gjithanshme shqiptaro-amerikane, duke u shndërruar në një simbol të rrallë e të vyer të shqiptarizmit”; zotin Frank Shkreli me motivacionin: “Në vlerësim të veprimtarisë së shquar atdhetare dhe kontributit të vyer shumëvjeçar si gazetar, publicist e redaktor i Seksionit Shqip dhe drejtues i palodhur i Divizionit Euro-Aziatik të “Zërit të Amerikës”, duke përhapur, mbrojtur me paanshmëri dhe lartësuar vlerat e parimet e shenjta të lirisë dhe demokracisë”.

Presidenti Nishani dekoroi gjithashtu zonjën Lisa Milicaj me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” me motivacionin: “Në shenjë mirënjohjeje për veprimtarinë e saj të shquar sipërmarrëse dhe politike, si dhe në vlerësim të arritjes së saj historike, duke qenë gruaja e parë shqiptaro-amerikane e zgjedhur në Shtetin e Nju-Jorkut; kontribuese e devotshme publike në mbrojtje, përhapje dhe lartësim të vlerave e parimeve të shenjta të lirisë dhe demokracisë” dhe zotin Lui Fundo me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”: “Në shenjë mirënjohjeje për veprimtarinë e tij të shquar atdhetare dhe sipërmarrëse, si dhe në vlerësim të kontributit të vyer dhënë në forcimin e lidhjeve historike shqiptaro-amerikane, si dhe për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike e tregtare mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë”.

Në fjalën e mbajtur në këtë ceremoni, Presidenti Nishani u shpreh se: “është kënaqësi e veçantë të jem në mesin e bashkëkombësve të mi, të cilët kanë ardhur këtu për të ndërtuar një jetë më të mirë për veten e tyre, por nuk kanë harruar asnjëherë nga kanë ardhur dhe kush janë. Çdo ditë të jetës dhe punës tuaj në Amerikë, ju e keni dëshmuar se çfarë do të thotë të jesh shqiptar dhe ta duash vendin tënd. Ju keni bërë që miqësia shqiptaro-amerikane të thellohet dhe keni qenë faktor i rëndësishëm që çështja shqiptarë të jetë në agjendën amerikane. Ju keni mbajtur gjallë ëndrrën e shqiptarëve për liri edhe atëherë kur ajo dhunohej nga vetë ne shqiptarët. Ju keni mbajtur të gjallë ëndrrën për liri edhe atëherë kur ajo na mohohej nga të tjerët.

Shqiptarët e Amerikës, të gjithë brezat kush më shumë e kush më pak, dikush më miqësitë në nivele të larta politike, dikush më miqësinë me median, dikush më kontribut financiar e fizik, e dikush tjetër duke mbajtur familjet e tyre në trojet shqiptare, keni dhënë për Shqipërinë dhe shqiptarët një kontribut të jashtëzakonshëm. Kur askush në këtë anë të botës nuk e njihte Shqipërinë, diaspora e hershme këtu, ka bërë që Amerika të ishte në anën e shqiptarëve. Kur shteti zyrtar shqiptar vetëshpallej armik i Amerikës, ju shqiptarët e Amerikës keni bërë gjithçka që keni pasur mundësi që Amerika mos t’i braktistë shqiptarët mos ta harronte çështjen shqiptare. Kur ne po rigjenim lirinë pas errësirës së komunizmit, ju shqiptarët e Amerikës ishit të parët që ndihmuat, të parët që rivendosët lidhjet mes dy vendeve tona, dhe të parët që erdhët për ta rindërtuar dhe ringritur Shqipërinë, tashmë ashtu siç e kemi ëndërruar gjatë. Kur Kosova ishte në rrezik shfarosjeje, ju ishit të parët për të ngritur zërin, për të ndërgjegjësuar administratën amerikane për rrezikun që po iu kanosej shqiptarëve. Nuk u ndalët me kaq, po ndihmuat më qindra e mijëra familje kur ato kishin më së shumti nevojë, djemtë tuaj ishin vullnetarë dhe të patrembur në luftë për të mbrojtur popullin e Kosovës dhe ishit të parët që investuat për të ringritur Kosovën e shkatërruar nga lufta dhe gjenocidi. Ju çdoherë dhe në çdo kohë keni punuar dhe vepruar që sot të gjithë ne të themi me mburrje: JAM SHQIPTAR!

Kontributi i shqiptarëve të Amerikës është i veçantë i pazëvendësueshëm dhe që meriton mirënjohjen e shtetit shqiptar. Sonte, në cilësinë e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, kam vendosur që të dekorohen disa figura të shquara të diasporës shqiptare të Amerikës, por, secili shqiptar i Amerikës meriton mirënjohje të veçantë për kontributin e dhënë për çështjen shqiptare. Çështja kombëtare nuk është retorikë, por një kolonë thelbësore e identiteti tonë, dhe për ju në këtë vend të madh e të lirë ka qenë e mundur të punohet e të merren rezultate për çështjen kombëtare. Prandaj ne duhet të frymëzohemi, të ruajmë identitetin tonë dhe para të gjithash me krenari origjinën tonë: JAM SHQIPTAR!

Zoti e bekoftë popullin amerikan! Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që janë në botë!” – përfundoi fjalën e Tij Presidenti Nishani.

Në përfundim të kësaj pritjeje me bashkatdhetarët Shoqata e Policëve Shqiptarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i shprehu Presidentit të Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani mirënjohjen dhe vlerësimin për mbështetjen e Tij besnike e të përkushtuar që ka treguar ndaj anëtarëve të Komunitetit Ligjzbatues Shqiptaro-Amerikan në të gjithë Amerikën.

Filed Under: Featured, Komunitet Tagged With: diaspore, figura, presidenti Nishani, vleresim

Figura e Qazim Koculit në histori e këngë*

September 2, 2013 by dgreca

NGA ALBERT HABAZAJ*/

Ndoshta për herë të parë, nëpërmjet kësaj kumtese, mund të prezantojmë një fashë vagëlluese për figurat me dritë hije në historinë e Luftës së Vlorës, 1920 dhe folklorin për ta, sipas Epikës Historike të Luftës së Vlorës. Në fokus do të kemi figurën komplekte të Qazim Koculit, si rasti më tipik i, të paktën, dhjetë nga dymbëdhjetë anëtarëve të komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare” të Luftës së Vlorës. Grafiku historik dhe folklorik i figurave të tilla të njohura nuk ecën në trajtë lineare, por me një kolorit kontrastesh të forta, që, duke i interpretuar në kontekst rrethanat lehtësuese dhe rënduese, japin efekte deri kombëtarisht. Shumë prej figurave të LV, të cilëve u këndohen këngë, se bënë histori, patën nga regjimi monist një përfundim tragjik, u pushkatuan, u burgosën ose vdiqën në burgjet e zeza komuniste, u internuan nga fashistët dhe komunistët dhe u mbuluan me harresë, u lanë në heshtje apo u qëlluan me rrufe shpifjesh e falsifikimesh. Ata, që dikur i kishin shërbyer me përkushtim pavarësisë kombëtare dhe shtetit, u bënë jetë të harruara. Ja pra, se përse është e domosdoshme për të shkruar, për të thënë të vërtetën dhe për t`i kthyer historisë personazhet e saj të merituara. Për hir të së vërtetës historike, në mirënjohje të kujtesës njerëzore të komuniteteve ku kanë lindur, jetuar dhe vepruar personazhet historikë, mendojmë se ngjarjet dhe personazhet që i bënë këto ngjarje në kohën që ndodhën dhe në hapësira konkrete, të caktuara e reale, duhen paraqitur e shkruar ashtu siç kanë qenë, siç kanë menduar dhe vepruar, me anët pozitive dhe negative të tyre.

***

Abstract: This paper will, perhaps for the first time, shed a glowing beam of light on the controversial historical figures of the 1920 War of Vlora, as well as their place in the historical lore epic of that War. We will make a focal point of this research the complex figure of Qazim Koculi, as the most typical representative of at least ten out of the twelve members of the “Committee for National Defence” that was set up to bring that War to success. The historical and folk representation of these men is not a linear graph; it is full of sharp contrasts which, when interpreted within the contextual mitigating and aggravating circumstances, leads to effects amounting to a national scale. Many of the figures of the War of Vlora, of whom folk songs were made, for they made history, were decreed a tragic end by the communist regime: they were jailed and died in the bleak communist prisons, were sent to internment by both the fascists and the communists, and were sent to oblivion, they were cast silence upon, or bolts of slander and falsity. Those who had once devotedly served the national independence and state were tuirned into forgotten lives. This is why it is necessary to write in order to restore to history its meritted characters. For the sake of the historical truth, in gratitude to the human memmory of the communities where such historical characters were born, lived and worked, we hold that the persons who made the events within the real time and spatial frame, should be pictured realistically, as they thought and acted, with all their lights and shades.

***

Punimi ynë ngushtohet vertikalisht, duke patur në optikë: raportin histori – epikë historike, për figurat me dritë hije në histori dhe folkor. Lufta e Vlorës, 1920 mbetet trampoline jonë për të notuar, aqsa, ku ka “det”, “liqen”, “lumë”, “përrua”, a “rrëke”  historiko – folklorike. Për mos t’ u hapur si vaji në lakra, se ka shume figura të errësuara (të denigruara) nga LV, 1920, po shqyrtojmë një rast tipik, Qazim Koculin.

Gjykojmë se përshkrimi korrekt, pa shtesa të tepërta dhe pa hequr bëmat e tyre për një arsye apo një tjetër e bën sidomos historinë një shkencë serioze, të besueshme dhe pashqetësueshmërisht referencë kryesore burimore për studiuesit dhe për të interesuarit. Për të mos rënë në batakun e historiografisë komuniste, pra, për të mos përsëritur modelin e keq të paraqitjes bardhë e zi të figurave historike, puna më e vlertë që mund të bëhet është radioskopia historike, skaneri historik që historiani ka detyrë ndaj figurave historike, si mjeku ndaj pacientit. Gjykimin e bën koha për historinë, për ngjarjen, për personazhet, për ata që bënë historinë dhe për ata që e shkruajnë historinë.

1.1. Figurat me dritë hije në histori dhe folklori për ta. Rasti i Qazim Koculit

Dëshirojmë të sjellim një rast të freskët, nga Lufta e Gjormit (30. 12. 1942 – 02.01. 1943), për të bërë një krahasim të nevojshëm. Gjatë muajit mars 2013, Hyso Askushaj nga Gjormi i Vlorës na kujton se në ato luftime, nga më të mëdhatë në rrethin e Vlorës, armiku u thye keq. Atyre brinjave mbeti dhe komandanti i tyre, konsulli Franko Klementis. Të mbeturit gjallë, kur u kthyen në Vlorë, për humbjen që pësuan në luftën e Gjormit, pushkatuan edhe guvernatorin Qazim Koculi, edhe prefektin Lele Koçi. Nuk mund të mbetej jashtë vëmendjes së kujtesës popullore kjo ngjarje, se populli në këngën: “Lufta e Gjormit”, që mbahet mend deri sot e praktikohet në komunitetin e Gjormit, Vlorë, ndër të tjera merret vesh se… “Armiqtë e mblodhë veten/ S’ lanë plaçk’ e bagëti,/ Për hakmarrje morën pleqtë/ Dhe i mbyllë në qeli./ Kur në Vlorë vanë:/ Qazim, na jep llogari!”/ Armiqtë vranë shoshojnë,/ Vranë Kocul e Koçì…”[1] Kur thotë kënga se vranë shoshojnë, ka parasysh faktin se: si ata që erdhën si pushtues edhe ata që nuk luftuan për çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj e u pajtuan  me të, ishin njësoj, për vendasit që u ngritën me armë në dorë, si gjithnjë, kundër zaptuesit të tokave e pronave që trashëgonin nga të parët, që kur s’mbahet mend. Kënga i vë në një kandar, i vlerëson ashtu siç e mendon: armiq, u vë notën në moment, nuk i dallon nga njeri – tjetri, ndaj shprehet që ata vranë shoqi – shoqin, njeri – tjetrin.

Më 1920 – n Qazim Koculi ishte hero, një nga udhëheqësit më të shquar, më të zotë, më veprimtarë ndaj çështjes së Atdheut, shembulli i patriotit të vërtetë. Për atë luftë i këndohet kënga, bashkë më Osman Haxhiun me nur kombëtar: “Lule, Osmën Efendi/ Edhe Qazim Koculì/ Të kishin dy, tre si ti/ do të bënej Shqipëri!…”, apo “Burrat që morën vendimë/ Osmëni me dy Qazimë/ mblodhë gjithë Parësinë,/  të hidh’ në det Italinë” etj. Gjatë LDB, apo gjatë LANÇ, siç është quajtur më ngushtë, e fëlliqi, siç thotë populli. Kjo është e vërteta. Kjo është historia. Nga sa kemi njohuri, gjykojmë se jo vetëm historia e Shqipërisë, e Ballkanit, e Europës, por edhe historia botërore dhe qytetërërimi, nuk njeh ndonjë personazh “kimikisht të pastër”[2]. Edhe personazhet historikë, njerëz janë, dhe, si të tillë s’mund të jenë të pagabueshëm. Si duket, ne vuajmë akoma nga kompleksiteti i të qenit o vetëm i mirë, o vetëm i keq. Mendojmë se ende nuk qenkemi pastruar nga vesi i të dukurit, i vetëmburrjes (pa e ngatërrruar me ndjenjën e krenarisë, si veti, si virtyt). Mbase nuk mjaftojnë disa bulëzime studimore, në të cilat jepen ngjarja apo personazhi ashtu siç duhet: siç është paraqitur në realitet, siç është njohur në komunitet, siç ka qenë në të vërtetë, me të mirat dhe të këqijat e tij si profil, që ka zenë një vend të caktuar në histori dhe kënga e ka marrë në gjirin e saj, e mban apo e flak dhe pse? Ujëvara studimore, ku jepen ngjarjet e personazhet me të gjitha “ngjyrat e ylberit” dhe jo vetëm o bardhë, o zi, mendojmë se e bën të patundshme ndërtesën e historisë, me themele të forta, me mure rezistente; vetëm kështu mund të shëndoshet pema historike që hijeshon kështjellën e veçantë dhe interesante të “Vendit të Shqipeve”; vetëm kështu rrënjët e pemës nuk i shkul dot asnjë furtunë, nga do që të vijë. Dhe trungu forcohet, dhe degët lulëzojnë në rrjedhat e kohës. Ndërkohë, ndjejmë se Kujdesi Studimor ndaj Infeksioneve të Ekspansionit së Shfrenuar Amatoreks të Parasë së Egos Primitive, ia vlen të jetë i vëmendshëm, serioz dhe i vijueshëm. Atje ku historia ka nevojë, e ndihmon kënga, e plotëson atë, e saktëson, me gjithë rezervat, se folkori hiperbolizon, apo litotizon, sipas botës së tij mentale, që nuk duhen shpërfillur nga historishkruesit. Historianët, historishkruesit, sigurisht, duke respektuar parimet shkencore, metodat e kërkuara, parë nga pozitat e duhura, ata dhe vetëm ata e kanë shkruar po e shkruajnë dhe do ta shkruajnë Historinë e Popullit Shqiptar, duke i vështruar e vlerësuar në zhvillimin e tyre historik të pandërprerë e tërësor historibërësit, ngjarjet, dukuritë, personazhet, sendet etj., dhe në lidhje të ngushtë me kushtet konkrete historike. Fjala vjen, një figurë e njohur, me kontribute të dalluara për LV, por e diskutueshme si Qazim Koculi, nuk ka mbetur i shpërfillur nga historia. Konkretisht është përmendur në HSH, 1965, i është hequr emri në botimet e mëvoshme, ndërsa i ripërmendet emri i pacunguar në HPSH/ 3, 2007. Pse ka ndodhur ky fenomen? Telegrafisht mund të bëjmë këtë interpretim. Q. Koculi ka vlera të padiskutueshme për LV, 1920. Ai, duke qenë edhe ushtarak me akademi, oficer marine, me gradën kapiten, jo vetëm që radhitej në krye të Parisë së krahinës së Vlorës, qe drejtues ushtarak i LV, (pas A. Lepenicës në Kotë), që hodhi në det Italinë kolonizatore, me bekimin e zotit, në të drejtën shqiptare, sipas urtësisë kombëtare të KMK dhe në ballë të gjithë Shqiptarëve të organizuar e të armatosur për liri. Gjatë LDB (LANÇ) Koculi bashëpunoi me pushtuesit, me “Italinë e dytë”, siç thotë populli.  Por “vëllezërit pipinor” nuk mund t’ia harronin Njëzetën “mikut”, që u doli në shteg, kur u erdhi zogu në dorë, pavarësisht nga fasada e përzemërt miqësore e matansëve adriatikas.

Edhe në komunitetin e Vlorës, për Qazim Koculin ka dy mendime kontradiktore me njëra – tjetrën. Njëra palë thotë se ka bashkëpunuar me pushtuesin; nga pala tjetër, nga të pasmit e tij thuhet se ka qenë atdhetar. Mbi këto gjykime, duke interpretuar mendësisë e banorëve të Vlorës si krahinë, si rreth, ne me përgjegjësi vërtetësore, evidentojmë se, ai qe anëtar i KMK dhe në ballë të LV, më 1920, por më 1943, i vuri shqelmin lavdisë që bëri ndaj Italisë së Parë, me turpin që nxiu faqen me Italinë e Dytë. Banorët – për Njëzetën e quajnë patriot, për Dyzetetreshin tradhëtar (jezit). Gjithsesi, ai është një figurë komplekse, me dritëhije, me të mira e të liga, që ndoshta ka rëndësi të njihet nga historia, sepse folkori shumë pak vend i ka kushtuar dhe ndoshta vetëm në Kocul, në vendlindjen e tij dhe jo gjetkë. Ndoshta ka patur, por ato këngë pa përhapje, kanë rrjedhur gjatë rrugës, janë tharë e nuk kanë qarkulluar edhe për shkak, se në regjimin e Hoxhës ka patur direktiva për figura të tilla dhe krijuesit e rinj të folklorit të pasluftës e kanë parë të arsyshme të mos e përfillin, ose janë tutur të këndojnë për luftën e tij të parë, apo, si duket ngaqë nuk i kanë pëlqyer fundin e palavdishëm e kanë anashkaluar apo përbuzur. Kemi parasysh një pasazh të Sali Muratit, (të cilin të gjithë luftëtarët e flisnin Kapedan; e konfirmon dhe i madhi P. Marko te “Ultimatumi”), debatin me Q. Kokoshin, anëtar i KMK të LV(“Unë të bëra Kokosh, unë t’i çkul pëndët!”), të dy personalitete të LV. Kemi shkelje të dinjititetit njerëzor tek ky rast nga komandanti i çetës së Rrëzës ndaj anëtarit të KMK? Mendojmë se jo, po ta gjykojmë në kohën e ndodhur dhe në situatën reale, sepse ata ishin të njohur me njëri – tjerin, ishin edhe miq, por qëndrimi ndaj çështjes kombëtare ishte pasaporta e Nderit. Ndaj thotë populli, që e mira do një jetë të tërë të mbahet e të ruhet si vlerë; e keqja për një minutë bëhet dhe shëmbet monumenti i mëparshëm i lavdisë, bëhet hi e përfundon në koshin e Historisë. Ndoshta ka vend të shprehemi, se po nuk u repektuan kriteret shkencore të historizmit nuk prodhohet histori, por hiçtori; ashtu sikurse po nuk u respektuan veçoritë specifike të folklorit, nuk rrjedh folklor i kulluar nga burimi, por “turbofolk”, ku turbullohet burimi folklorik, me një, dy, tre a katër zëra të bërë tok në mënyrë artificiale, të shtërnguar, duke shtërzuar, pa një bërthamë harmonike, ku elementët të rezonojnë me njëri – tjetrin kumbueshëm. Ndërkohë, nga shkruesit e historisë deri më sot (2013), nuk ka një monografi të plotë kushtuar figurës së Q. Koculit, kur ka vërshime të papara për figura më periferike sesa ky shqiptar i shkolluar, me kontribute dhe me karakter kompleks.

Ndër figurat e rëndësisë parësore në LV, vetëm për Osman Haxhiun është bërë një monografi e veçantë, nga studiuesi B. Gaçe dhe për Ahmet Lepenicën, nga E. Memishaj dhe ende për asnjë tjetër nga anëtarët e KMK, apo 12 komisionë, siç i quan populli me gjuhën e tij. Janë trajtuar ata në artikuj të ndryshëm veç e veç, por ato shkrime, pavarësisht nga dëshira e mirë dhe atdhetarizmi i artikullshkruesve, nuk mund të klasifikohen për t’u përfillur në kriteret studimore – shkencore. Po ashtu viganët e LV janë përfshirë në libra, nga të cilët mund të qëmtojmë për botime serioze, por që ata trajtohen bashkë në një tekst, janë personazhe kolektivë, që gjithsesi nuk mund të jepen plotësisht. Mungojnë librat monografikë individualë për drejtuesit e asaj epopeje të lavdishme shqiptare, që bëri jehonë në botën e kohës.

Për popullin, i cili flet me këngë, të mburr apo të shan, apo dhe s’ të përmend fare, se s’i intereson, se s’ka ndërmend të të rregjistrojë në kujtesën sociale, as të të qarkullojë me krahët magjikë të këngës së komunitetit të tij, Q. Koculi (i paraqitur me dy pamje), vërtet në Luftën e Vlorës, më Njëzetën është Hero, është në gjirin dehës e të merituar të Lavdisë, por në LDB (LANÇ), për segmentin kohor trevjeçar 1939 – 1943, cilësohet tradhëtar i vendit, se u bë me armikun. Këtë dëshmon në Shqipëri logjika e Lirisë, se liria e atdheut nuk mund të jetë trampoline e lavdisë vetiake, e mosngacmimit të interesave personale dhe kështu baloset kushdoqoftë, si Ballabani. Ky është folkori. Një fytyrë ka ai, s’pranon dy fytyra…S’ke ç’i bën, se dhe të duash, s’e ndryshon dot, pasi ai ka përhapjen gojore dhe lidhjen e së bukurës me të dobishmen “ligjësi”. E ka në natyrën e tij dhe kontrastin e prerë (o i mirë deri në fund, o i lig që në fillim – pikë dalluese kjo, ku trajtimi folklorik bëhet jo siç është fakti historik.

1.2. Arsyet e vërteta që emrat e KMK t’i merrte harrimi memorial dhe zvetënimi historik. Me fillimin e erën së re demokratike, për Shqipërinë po shkonte, të paktën, haka morale tek i zoti që i takon. Por prapë zhurmënajë, mjegullnajë, rrëmujhane në vlerësime, në fjalime, në botime, në klasifikime. Tirrej e tirrej filli e s’po i vihej pika mbi ì personave historikë të lënë në errësirë e më keq akoma, të quajur armiq të popullit. Parë me syrin e kohës që lamë pas, jo vetëm anëtarët e KMK, por edhe luftëtarë të tjerë të shquar në LV, në personalitetin e tyre kanë patur dritë, por kanë patur dhe hije. Dje iu hoq drita, ju retushuan vlerat, u la vetëm profili i errët i tyre, i theksuar, i avancuar. Sot ju hoq hija, errësimi dhe ju la vetëm ndriçimi i qenësishëm, deri në dritë pa limit. Shumë i çuditshëm na duket ky qëndrim, kjo metamorfozë që dëmton e nuk bën mirë. Na duket se, për këto gjëra kemi të bëjmë me probleme karakteri, se të kalosh nga ekstremi në ekstrem, sipas erës që fryn, nuk ëshët cilësi pozitive. As rrumbullakosja, suvatimi e patimimi i dritave apo hijeve në personalitetin e figurave të LV nuk është i dobishëm për kërrkënd. LV, me historinë e saj të shkruar na dha heroin historik. LV, me ciklin e këngëve të EHLV, me folkorin e saj të kënduar, na dha heroin kulturor.

Nga sa kemi studiuar historinë lokale dhe atë kombëtare, rezulton se figura e Qazim Koculit, me gjithë kontrastet e dritëhijeve të jetëshkrimit historik, ravijëzohet si kontribues për paqen, pare në kontekst, me planin e aktorëve shqiparë, me faktorët rajonalë e ndërkombëtarë, në atë det me lule e furtunë të faktorit të brendshëm, paparashikueshmërisht të ndryshueshëm. Ndërsa epika historike, folklori i asaj hapësire ku ka lindur, ku ka jetuar dhe ku ka vepruar jo pak kohë personazhi historik që trajtojmë, siç është Koculi, një fshat i vjetër kufitar midis krahinës etnografike të Labërisë së Brendshme dhe asaj të Myzeqesë së Vogël, në krahinëzën e Fëngut apo Treblovës, po thuaj është bjerrafat, sepse ka humbur. Ai pak, shumë pak që ka ngelur e kemi mundur të mbledhim, nuk ka nivel aristik dhe nuk bëhet dot përfaqësues i folklorit tëasaj treve të pasur me gurrë popullore, edhe me burimin e vjetër, por të kulluar të epikës historike të Luftës së Vlorës. Vetëm kënga që s’bëhet me urdhëra. Dhe në se ngrihet me paterica, nuk ka jetëgjatësi. Folklori është qibar, fodull, sqimatar, kryelartë, shumë i kujdesshëm intuitivisht e kërkues në “Kushtetutën” e tij, që nuk afrohet me këdo, por me ata që plotësojnë kushtet e tij specifike.

*) Drejtor i Bibliotekës “Nermin Vlora Falaschi”

Universiteti “Ismail Qemali”

Vlorë, ALBANIA

*Kumtesa e mbajtur më 29 . 08. 2013 në Takimin VIII Vjetor të Institutit ALB – SHKENCA,Tiranë,  Konferenca e Shkencave të Filologjisë, të Historisë e të Kulturës

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Me fillimin e erën së re demokratike, për Shqipërinë po shkonte, të paktën, haka morale tek i zoti që i takon. Por prapë zhurmënajë, mjegullnajë, rrëmujhane në vlerësime, në fjalime, në botime, në klasifikime. Tirrej e tirrej filli e s’po i vihej pika mbi ì personave historikë të lënë në errësirë e më keq akoma, të quajur armiq të popullit. Parë me syrin e kohës që lamë pas, jo vetëm anëtarët e KMK, por edhe luftëtarë të tjerë të shquar në LV, në personalitetin e tyre kanë patur dritë, por kanë patur dhe hije. Dje iu hoq drita, ju retushuan vlerat, u la vetëm profili i errët i tyre, i theksuar, i avancuar. Sot ju hoq hija, errësimi dhe ju la vetëm ndriçimi i qenësishëm, deri në dritë pa limit. Shumë i çuditshëm na duket ky qëndrim, kjo metamorfozë që dëmton e nuk bën mirë. Na duket se, për këto gjëra kemi të bëjmë me probleme karakteri, se të kalosh nga ekstremi në ekstrem, sipas erës që fryn, nuk ëshët cilësi pozitive. As rrumbullakosja, suvatimi e patimimi i dritave apo hijeve në personalitetin e figurave të LV nuk është i dobishëm për kërrkënd. LV, me historinë e saj të shkruar na dha heroin historik. LV, me ciklin e këngëve të EHLV, me folkorin e saj të kënduar, na dha heroin kulturor.

Nga sa kemi studiuar historinë lokale dhe atë kombëtare, rezulton se figura e Qazim Koculit, me gjithë kontrastet e dritëhijeve të jetëshkrimit historik, ravijëzohet si kontribues për paqen, pare në kontekst, me planin e aktorëve shqiparë, me faktorët rajonalë e ndërkombëtarë, në atë det me lule e furtunë të faktorit të brendshëm, paparashikueshmërisht të ndryshueshëm. Ndërsa epika historike, folklori i asaj hapësire ku ka lindur, ku ka jetuar dhe ku ka vepruar jo pak kohë personazhi historik që trajtojmë, siç është Koculi, një fshat i vjetër kufitar midis krahinës etnografike të Labërisë së Brendshme dhe asaj të Myzeqesë së Vogël, në krahinëzën e Fëngut apo Treblovës, po thuaj është bjerrafat, sepse ka humbur. Ai pak, shumë pak që ka ngelur e kemi mundur të mbledhim, nuk ka nivel aristik dhe nuk bëhet dot përfaqësues i folklorit tëasaj treve të pasur me gurrë popullore, edhe me burimin e vjetër, por të kulluar të epikës historike të Luftës së Vlorës. Vetëm kënga që s’bëhet me urdhëra. Dhe në se ngrihet me paterica, nuk ka jetëgjatësi. Folklori është qibar, fodull, sqimatar, kryelartë, shumë i kujdesshëm intuitivisht e kërkues në “Kushtetutën” e tij, që nuk afrohet me këdo, por me ata që plotësojnë kushtet e tij specifike.


 

[1] “LABËRIA”, gaz. Shoqatës Atdhetare – Kulturore “Labëria”, nr. 4 (252), 20 mars 2013, f. 6.

[2] FRASHËRI, Kristo, “Identiteti kombëtar shqiptar dhe çështje të tjera”, Edisud Spa, Tiranë, 2006, f. 49.

Filed Under: Kulture Tagged With: Albert Habazaj, e denigruar, figura, Qazim Koculi

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT