• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ENVER HOXHA SI FIGURE ARTISTIKE NE VEPRA TE REALIZMIT SOCIALIST

December 4, 2016 by dgreca

1-thanas-gjikaNga Thanas L. Gjika/
Në vitet e diktaturës, partia shtet bënte presion të vijueshëm për të popullarizuar e hymnizuar Enver Hoxhën si një burrë të shquar shteti, politikan të madh, luftëtar e strateg të pashok, etj. Këtë presion ajo e bënte përmes artikuj gazetash, këngësh, librash me kujtime veteranësh, filmash dokumentarë, pllakatash, etj. Me porosi ose jo të udhëheqjes së partisë, Enver Hoxha u kthye në figurë artistike për të trumbetuar këto ide edhe në vepra letrare, në piktura, vepra monumentale skulpturore, etj. Të gjitha këto vepra i shërbenin diktaturës për të mashtruar popullin se gjoja udhëheqësi legjendar po e drejtonte vendin dhe popullin nga fitorja në fitore, kur në të vërtetë po ecej drejt një fundi të palavdishëm e të turpshëm. Këtë e dëshmoi kapitullimi i sistemit diktatorial njëpartiak me ekonomi të përqendruar dhe zëvendësimi tij me sistemin pluralidt me ekonomi të tregut të lirë.
Të tilla vepra artistike kishin kryesisht vlera propagandistike dhe shumë pak vlera artistike. Themi se kishin pak ose shumë pak vlera artistike, sepse ato ishin vepra të hartuara sipas metodës së realizmit socialist. Si të tilla autorët e tyre për t’i realizuar ato ishin udhëhequr nga parimi i partishmërisë komuniste, parim i cili kërkonte që pa tjetër vepra t’i shërbente politikës së partisë. Dhe si të tilla ato i shërbenin propagandës politike të partisë shtet, por jo artit të vërtetë. Veshja e tyre me art i bënte ato shumë më të dëmshme se veprat thjesht propagandistike, si ishin artikujt e gazetave, fjalimet e politikanëve, pllakatat, apo filmat dokumentarë.
Veprat me vlera të vërteta edukative artistike i përkasin artit të realizmit, art i cili e pasqyron jetën jo sipas parimeve /interesave të imponuara të kësaj ose asaj parti politike, por sipas parimit të tipizimit duke e pasqyruar jetën në përputhje me të vërtetën historike.
Ta hymnizoje Enver Hoxhën si një burrë të shquar shteti në një potret, si bëri piktori Zef Shoshi më 1974, pa pasur porosi nga familja Hoxha, madje pa e parë asnjëherë nga afër dhe pa e pasur as personin si model, ishte shprehje e frikës që kishte ngjallur ky diktator dhe partia e tij në mendjen e këtij artisti të talentuar. Themi ishte shprehje, ose më mirë pjellë e frikës, sepse në atë vit Zef Shoshi dhe gjithë intelektualët kishin dëgjuar për krimet që kishte urdhëruar Enver Hoxha dhe ishin kryer gjatë viteve 1943-1960 ndaj intelektualëve shqiptarë të formuar në botën Perëndimore, kundër klerit e sidomos atij katolik në vitet 1945-1967, kundër artistëve pjesëmarrës në festivalin e këngës së vitit 1973 dhe kundër disa komunistëve disi liberalë si Fadil Paçrami e Todi Lubonja, etj. Pra portreti i Enver Hoxhës krijuar prej piktorit Shoshi në vitin 1974, ndonëse duket si portret i realizuar bukur, është një vepër me vlera artistike negative propagandistike. Ai portret është krijuar nga halli, nga frika që vlonte në ndërgjegjen e autorit të saj se mos dënohej dhe ai si shumë artistë të tjerë. Vetë Zef Shoshi ka thënë në një intervistë se “ajo vepër është pjellë e kohës…, se ai dhe gjithë vepra e tij i përket kohës kur e ka krijuar”. E pikërisht kjo thënie duhet shpënë deri në fund me sinqeritet e guxim, pra duhet pranuar se në atë kohë klima krijuese ishte një klimë nënshtrimi ndaj rregullave të realizmit socialist e partishmërisë komuniste. Se po të doje në atë kohë të hartoje një portret të Enver Hoxhës nuk mund të bëje ndryshe vetëm se ta hymnizoje atë, pra shkurt duhej të bëheshe vegël e propagandës së partisë. Dhe të pranosh se ke shërbyer si vegël e asaj partie është një akt qytetar i guximshëm, por që nuk mjafton të ndalesh deri aty, por ta shpiesh deri në fund, deri tek dënimi i vetes për dëmin që i ke shkaktuar popullit tënd. 
Sot, kur metoda e realizmit socialist nuk përbën më një metodë krijuese, dhe kur kanë dalë në shesh edhe shumë krime të tjerë të Enver Hoxhës, piktori Zef Shoshi po t’i kthehet hartimit të portretit të Enver Hoxhës nuk mund të hartojë një portret të njëjtë hymnizues për atë person historik. Ai patjetër ka për të hartuar një portret shumë të ndryshëm nga portreti i vitit 1974, sepse tani piktori do të punojë i çliruar prej frikës dhe do të përdorë një kombinim tjetër ngjyrash përmes të cilave do të shprehë jo hymnizim, por kritikë ndaj figurës së këtij diktatori të egër e gjakatar. Portreti i vitit 1974 u krijua me qëllim që të shprehte idenë e gabuar: “ Enver Hoxha është një burrë shteti largpamës, që mendohet thellë para se të marrë vendimet e tij”. Kjo ide binte dhe bie ndesh me të vërtetën historike, sepse e vërteta historike tregoi se me luftën e tejskajshme të klasave, me izolimin e tepruar të Shqipërisë, me varfërimin e jetës së popullit, Enver Hoxha nuk ishte aspak një burrë shteti largpamës, që mendonte thellë para se të merrte vendimet. Pikërisht kjo na bën që portretin e Enver Hoxhës të vitit 1974, që u vlerësua me çmime në atë kohë si portret i bukur, do të mbetet thjesht si një vepër me vlera edukative negative si vepër e propagandës komuniste. Ajo u realizuar në kohën e mungesës së lirisë krijuese, e nxitur prej frikës dhe autocensurës së autorit dhe jo prej kërkesave të brendshme të një artisti të lirë. Në atë kohë ajo u pëlqye prej ish komunistëve dhe masave të gjera të droguara nga propaganda e partisë, kurse sot ajo mund të pëlqehet vetëm prej disa ish komunistëve që nuk u ka dalë ende droga komuniste, si dhe prej atyre personave të cilët i patën lyer duart me gjak dhe nuk duan të pranojnë krimet e tyre, duke u justifikuar se ai rregjim ishte përparimtar dhe ata kryenin detyrën ndaj partisë e komandantit. Ai portret dhe simotrat e tij e kanë vendin në skutat e studiove të autorëve të tyre, ose në bodrumet e Galerisë së Arteve. Ato nuk duhet të riprodhohen dhe nuk duhet të ribotohen në organe shtypi a në media. Riprodhimi e ribotimi i tyre në ditët tona ka pa tjetër një qëllim keqdashës ndaj ecurisë së mendësisë së popullit tonë drej Europës demokratike. Kurse mosdënimi i tyre prej vetë autorëve tregon se autorët nuk janë ndërgjegjësuar për krimin që kanë kryer dhe nuk duan të kuptojnë rëndësinë e katarsës që duhet të kryejnë si artistë shërbëtorë të propagandës vrastare të diktaturës komuniste. 
Të njëjtët vlerësime mund të shprehim edhe për veprat monumentale që krijuan skulptorët Kristaq Rama, Mumtaz Dhrami, Sali Shijaku e Shaban Hadëri për figurën e Enver Hoxhës si udhëheqës i shquar i partisë, pas vdekjes së tij. Këto vepra kanë pasur kryesisht vlera propagandistike dhe pak vlera artistike të mirëfillta, sepse duke u krijuar me porosi nga lart në kushte të mungesës së lirisë, ato, ashtu si dhe potretet e diktatorit, shprehën ide të gabuara në kundërshtim me të vërtetën historike për vlerat e vërteta të Enver Hoxhës si shtetar e politikan. Po të rikrijonin po ata piktorë e skulptorë portrete e monumente të rinj për të njëjtin person historik pasi u shkërmoq diktatura, kur u njohën më mirë krimet e atij sundimtari, asnjëri prej tyre nuk do të krijonte më portrete ose monumente të ngjashëm me ato që kishin krijuar në vitet e diktaturës. Enver Hoxha do të jepej dhe me të metat e karakterit të tij si person dhe si shtetar, sepse të krijosh sot në kushte lirie një portret ose një monument hymnizues për një diktator si ai, do të thotë të jesh një artist qesharak e regresiv.
Ndryshe qëndron puna me vepra të tjera të këtyre piktorëve dhe skulptorëve, ku janë vënë në qendër njerëz të thjeshtë, malësorë, bujq të fushës, luftëtarë të së kaluarës, personalitete si Ismail Qemali, Kostandin Kristoforidhi, etj. Në këto vepra figurat njerëzore janë krijuar në përputhje me vërtetësinë historike të kohës së cilës i përkasin heronjtë që janë vënë në qendër të tyre, pra ato vepra i përkasin artit realist. Trajtimi i temës së jetës shqiptare nga e kaluara ndihmonte krijuesit për të qenë më të shpenguar ndaj kërkesave të realizmit socialist, prandaj shkrimtarë, piktorë, skulptorë, kineastë etj shpesh herë iu drejtuan të tilla temave në vitet e vështira të diktaturës.
Përsa i pëket romanit “Dimri i vetmisë së Madhe” të Ismail Kadaresë, ku është vënë në qendër figura e Enver Hoxhës si udhëheqës i PPSh-së, kemi të bëjmë me një rast më të veçantë dhe kompleks . Kjo vepër ndonëse u hartua në kohën e mungesës së lirisë krijuese, madje si kemi dëgjuar, dhe me kërkesë të Nexhmie Hoxhës, përsëri aty ka nota kritike ndaj personalitetit historik të Enver Hoxhës. Vepra ka në qendër mbledhjen e 81 partive komuniste në Moskë, në nëntorin e vitit 1960, ku Enver Hoxha u ngrit kundër vijës politike të Nikita Hrushovit, drejtuesit të kampit socialist. Pavarësisht se ky guxim i Hoxhës e kishte burimin tek interesi i tij për të mbrojtur karrigen e vet, përsëri ishte një guxim i pajetuar midis drejtuesve të partive komuniste. Ky akt në fakt ngjallte shpresa për ardhmërinë e Shqipërisë, për ndaljen e procesit të rusifikimit të kulturës shqiptare, pra ishte një akt që duhej vlerësuar prej shqiptarëve për guximin. Dhe këtë vlerësim autori e bën me ndërgjegje. Më tej në skalitjen e Enver Hoxhës si burrë shteti, si udhëheqës i PPSh-së autori krahas notave hymnizuese ka dhe nota kritike. Kritikat e shprehura kundër punonjësve të Sigurimit të shtetit me në krye Ministrin e Brendshëm Koçi Xoxe duhen kuptuar dhe si nota kritike ndaj vetë drejtuesit të partisë, i cili në fakt drejtonte dhe komandonte dhe Ministrinë e Brendshme dhe Sigurimin e shtetit. Pikërisht kritikat e ashpra ndaj Sigurimit të shtetit dhe Koçi Xoxes, tregojnë se notat hymnizuese me të cilat përshkruhet Enver Hoxha në këtë vepër mund të merren dhe si një dëshirë e autorit për të shprehur idenë sesi duhej të ishte udhëheqësi i PPSh-së pas kësaj ngjarjeje të madhe. Në mbështetje të mendimit tonë janë dhe dy thënie që hasen në roman: “Në Socializëm konkurojnë të aftët me të paaftët, ku të aftët lodhen të parët” dhe “Ashtu si borgjezia prodhon proletariatin – varrmihësin e saj – diktatura e proletariatit prodhon inteligjencën, varrmihësen e saj”. Këto shprehje pavarrësisht se në gojën e kujt janë vënë, shprehnin mendime të subkoshiencës së autorit për karakterin e socializmit dhe ardhmërinë e tij të pasigurt si sistem shoqëror, mendime që lidhen përmes nëntekstit me të vërtetën historike ndaj sistemit socialist. Jo rastësisht autori u urdhërua që ta ripunonte këtë roman. Pra kjo vepër letrare edhe pse u krijua në kohën e mungesës së lirisë dhe me porosi nga lart, për shkak të talentit të fuqishëm dhe guximit qytetar të autorit, është larg së qeni një vepër propagandistike e kohës kushtuar diktatorit Enver Hoxha. Ajo renditet midis veprave të artit realist. Aty heroi qendror është krijuar jo thjesht sipas kërkesave të realizmit socialist, jo thjesht i himnizuar, por ndërthurrur dhe me kritika ndaj sistemit shoqëror dhe vetë heroit që kishte përgjegjësi për krijimin e atij sistemi.
Deri sot shkrimtarë të talentuar nga radhët e të dënuarve të ndërgjegjes si Visar Zhiti dhe disa studiues u kanë bërë thirrje krijuesve të ndryshëm që të njohin dëmin që i kanë shkaktuar shoqërisë me veprat e tyre propagandistike artistike dhe të dalin hapur me kritika ndaj atyre veprave, por këto thirrje nuk janë marrë si akte dashamirëse dhe janë lënë pa përgjigje e kanë kaluar pa u vlerësuar. 
Tani mendojmë se është radha e shkrimtarit Ismail Kadare, i cili më 1992 e hodhi i pari hapin drejt katarsës me skicën “Prometeu i pajtuar” ku pranoi me guxim qytetar se e meritonte epitetin “poet i oborrit”. Ai mund të ndihmojë e mund të dëgjohet më mirë prej kolegëve shkrimtarë e artistë për të kuptuar se është e pamjaftueshme të thuhet “vepra ime ishte pjellë e asaj kohe”, por të pranohet se veprat e tyre artistike propagandistike të realizmit socialist kryen një krim shoqëror që duhet dënuar. Duke qenë shkrimtari më i talentuar i kohës dhe me guxim qytetar më solid fjalët e tij mendojmë se do të zenë vend dhe ecuria drejt qytetërimit europian do të marrë formë të qartë. Ismail Kadareja me një vepër analitike mund të zbulojë procesin e dyzimit të krijuesve gjatë diktaturës. Ai mund të tregojë me kurajë se si frika, presioni për të jetuar e dëshira për të krijuar sajonin në ndërgjegjen e tyre një autocensurë që i pengonte të krijonin jashtë kërkesave propagandistike të partisë shtet. Një vepër e tillë analitike mbi laboratorin krijues të shkrimtarëve e artistëve të asaj kohe, do të jetë një ndihmë e pallogaritshme për të nxitur e ndihmuar krijuesit e tjerë të ecin me kurajë në rrugën e katarsës, akt që ka 25 vjet që pritet të kryhet për çlirimin e mendësisë së mjaft krijuesve nga vargojtë e ndryshkur të asaj partie mëkatare. 
Kjo vepër do t’i ndërgjegjësojë ish krijuesit e kohës së diktaturës dhe ata që kanë filluar të krijojnë mbas diktaturës sesa madhështor dhe hyjnor ka qenë akti i kundërshtimit të së keqes që kryen me pasoja flijimi poetë si Vilson Blloshmi, Genc Leka, Havzi Nelaj dhe ata që pësuan burgjet si Visar Zhiti me shokë e sot lihen mënjanë, kur meritojnë të kthehen në ikona të kombit tonë, sepse ata dëshmuan ashtu si thotë Franc Kafka “NUK KA ART TE MADH PA MORALIN DHE TE VERTETEN BRENDA”… 

Filed Under: Opinion Tagged With: figura e Enver Hoxhes, si figure artistike, Thanas L Gjika

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT