Shenjëzimi modern e postmodern në sublimitetin e figurës së nënës në poezinë e Gjekë Marinajt/
Nga Dr.Yllka FILIPI*/
Poezia e pas viteve “90 në Shqipëri u karakterizua nga një shthurje e dukshme e varianteve tradicionale dhe rrjedhimisht eksperimentimi drejt formave e prurjeve të reja, çka solli tkurrjen e modeleve paraeksistuese në kohë. I dalë në liri të plotë shpirti krijues shpërtheu në të gjitha trajtat, format e mënyrat, duke eksploruar deri në ujdhesat më misterioze të përroit të nënvetëdijes, aty ku gëluan shenjat e para të modernizmit e postmodernizmit në poezinë shqiptare.
Në qoftë se në letërsinë evropiane modernizmi i ka fillesat shumë të hershme, (për arsye të rrjedhës së zymtë historike dhe tronditjes shpirtërore që i dha kombit tonë kjo rrjedhë), tek ne erdhi shumë vonë kjo liri, ndaj, këto ishin vitet e arta, ku Shqipëria poetike do të vibronte njësoj si simotrat e saj, pavarësisht se me një prerje shekujsh midis.
Modernizmi aludohet se në letërsinë Evropiane i ka fillesat që në shekullin e 17-të1, ndërkohë që i dokumentuar si periudhë me shenja të dukshme, filozofi shpirtërore dhe sistem estetik, daton nga shek.XIX deri në mesin e shekullit XX, ndërsa postmodernizmi vijon pas kësaj periudhe. Postmodernizmi si dukuri letrare ecën ende nëpër mjegull, është një lëvizje në ngjizje e sipër, por me shenja të dukshme, sythë e embrionë që premtojnë një lloj prirjeje drejt një papërcaktueshmërie poetike: Sipas Jenifer Ashton: Postmodernizmi në artet kontemporane është poetikë e indeterminimit, pra një poetikë e papërcaktuar.2
Përgjithësisht drejtimet letrare nëpër kohëra, kanë ardhur si kundërshti të njëra tjetrës, mohim, përmbysje, shpesh është metamorfizim i të njëjtave ideale, në trupa biologjikisht të ndryshëm. Maurizio Ferraris vendos një lloj dallimi principal midis postmodernitetit metahistorik dhe modernitetit ahistorik dhe idealist. Mendimet dhe këndvështrimet e studiuesve janë të variueshme, ndaj shpesh pikëpamjet e tyre nuk përputhen: Douwe Wessel Fokkema, është i bindur se postmodernizmi është rezultat i polemikës kundër modernizmit. 3
Në rrjedhën e poezisë shqipe, flasim për periudhën pas viteve ’90 të shekullit që lamë pas, modernizmi dhe postmodernizmi si estetika krijuese nuk kanë kufij të prerë midis, ato shpesh metamorfozojnë njëra-tjetrën, herë-herë binomizohen, herë herë-ecin paralel nëpër të njëjtat shina në trenin e kohës, kur shpalosin përmasat e tokësores dhe shndërrohen në krahë të të njëjtit avion në qiellin e përbashkët të hyjnores. Duke iu referuar bërthamave poetike të veprës së Gjekajt, bie në sy sendërtimi i imazheve te reja, pasurimi i shenjave me një sistem gjuhësor specifik, abstragimi i sintagmës shenjë-të shenjuar jokonvencionalë, çka rrit abstraksionin e vargjeve dhe shumëzon leximet. Po t’i referohemi Julia Kristevës, do ta shohim gjuhën poetike si një nga mënyrat më të sukseshme të krijuesit për transmetimin e risive dhe eksperimentit, për arsye të praktikave dinamike të cilat synojnë thyerjen e inercisë dhe zakoneve gjuhësore.4
Brenda dimensioneve të këtij shpirti artistik, rri në fronin e një Perëndeshe të Përjetshme imazhi universal i figurës së nënës në gjithkohësi. Duke iu referuar vibracioneve të jashtëzakonshme të strukturës poetike që server vëllimi “Lutje në ditën e tetë të javës”, së poetit Gjekë Marinaj, kjo figurë zë një vend dominant, përmbledhur në ciklin “Duart e nënës”.
I gjithë ky vëllim karakterizohet nga sintetizimi i dukshëm i niveleve poetike, evokimin e imazheve, trajtave e formave, tingujve e ritmit, në inkorporimin e nënteksteve, brenda percepsioneve interkomunikative që përcjell. Bërthamat poetike përgjithësisht segmentohen në mesazheve të thella filozofike, në hulumtimet ndërshtresore që ofron vepra që në titull. (Përmbysje biblike: 7 ditë ju deshën Zotit për të krijuar Universin, Të Dukshmet dhe Të Padukshmet, Qiellin dhe Tokën, Detet dhe Oqeanet; Poetit Gjekë Marinaj i nevojitet ajo dita e tetë e munguar, duke e zhvendosur lutjen e te Dielës së shenjtë, në ditën e tetë.) Në tërësinë e lojës poetike vargu përçon hyjnoren përmes tokësores, afreske figurativë, simbolikë empirike përshkuar nga një ndjenjë e hollë që përcjell ndjesi unikale receptetative. Performanca e bërthamave poetike karakterizohet nga ritmi, bukurtingëllimat, kodet e shenjat semio-semantike, prurjet nuovo-stilistikore, konotacionet poetike, nuancat inter-kulturore të cilat marrin trajtë brenda gjithë kësaj materie discursive, në art-universum, për dekodifikimin e Olimpit poetik të shpirtit human që shpaloset në vargje. Uni lirik është shumëplanësh, materia dhe shpirti shtrihen drejt sublimitetit dhe amshimit, çka tregon për një shije të hollë estetike dhe nerv poetik.
Lidhur me poetiken dhe prezencën e saj, Roman Jakobson thekson se ajo ndjehet atëherë kur fjala me kompozimet e saj, me semantikën e saj, me formën e brendshme dhe të jashtme përfiton gjithçka, dhe vlerën në vetvete.5
Ndarja e strukturave poetike vijon nëpërmjet një game të gjerë tematikash ku shpirti fiton pavarësi eksplicite. Autori luan me mungesën e kuptimit, sipas filozofisë postmoderniste në kaotizmin e botës, atu ku ai shtresëzon realitetin, trazon kohërat, poetët, figurat, idhujt nëpër ringjallje e qytetërime dhe gjunjëzohet tek froni i Kryeperëndeshës Nënë. Ndalemi tek poezia “Duart e nënës”6, shkëputur nga cikli me të njëjtin titull.
Lexoj duart e nënës/ që fytyra ime të ketë vlerë./ Gjithçka në vija të holla,/ Ose brazda të thella…/ Mozaikë hallesh/ Duart e saj prej shenjti:/ Porte ku vaporët e vuajtjeve/ Ndaluan për të kaluar natën./ (Lutje në ditën e tetë të javës, fq.82)
Poezia është e shkruar në distikë, në vargje të lira eliptike, brenda të cilave konotacionet artistike shumëfishohen. Dominon një e tashme e gjithkohshme, pasi është poezi e pakohë, pa përcaktim të mirëfilltë etapash, ku zëri i shpirtit poetik ngrihet përmes ritmit, lirisë, thellësisë së imazhit të nënës që nuk vdes.Vargu përmbyllës fillon më metaforën foljore ndal (-uan), (ata, vaporët e vuajtjeve!), si për të anatemuar vdekjen, fundin, pra, për të konfirmuar, se jeta nuk ndalet këtu, pavarësisht! Fuqia e metaforës foljore të vargut të parë, lexoj (duart) e mohon kategorikisht afrimin e errësirës në vargun e fundit, me të tashmen e përjetshme. Nga pikëpamja e strukturës, thyerjet artistike janë elementë të modernes, loja poetike, ngatërrimet e qëllimshme dhe përzierjet kohore gjithashtu. Poezia nuk ka as fillim, as fund të mirëfilltë, ajo nis si nga asgjëja dhe përfundon tek gjithçkaja nënë. Miksimi i vizionit mes imazheve simbiotike nënë-bir (lexoj duart e nënës- që fytyra ime të ketë vlerë), pikëvështrimi prej nga asgjëkundi, janë elementë postmodernistë që i mbivendosen mesazhit poetik. Pra, kemi një rindërtim abstrakt kohor implicid brenda koherencës së vargjeve. Është si të thuash një lloj eksperimentimi ku çrregullimi poetik, reflekton rregull absolut. Rimetaforizohet imazhi kontrastues: Duart e saj -mozaikë hallesh dhe duart e saj-prej shenjti. Rifunksionalizohet simbolika e nënëns: nëna= kuptim i ekzistencës (fytyra ime të ketë vlerë), nëna=mozaikë hallesh, nëna=shenjt, nëna=port vuajtjesh.
Në këndvështrimin strukturor shenjues-or, eksplicid, realiteti grafiko-tingullor përbëhet nga këto shenjues:
Shenjuesit:
Nënë-vlerë
Vija -brazda
Halle-shenjt
Vuajtje – natë
I zbërthyer në dy rrafshe, paralelisht do të kishim lidhjet shkak-pasojë në rrafsh linguistik dhe lidhjet në bazë të elementëve ndërveprues në rrafsh universal. Në paralelen e parë tema-nënë është shkaku i vazhdimësisë së jetës dhe i kuptimësisë së eksistencës, pra vlera, domethënia. Në rrafshin e dytë të dy shënjuesit futen në marrëdhënie binomatike me njërit-tjetrin në misionin më të shenjtë: Nëna- dhuron jetë, ajo jetë tashmë është cimentuar, dhe vjen çasti i feed-back-ut, ku biri lexon imazhin në kujtime, në sy, në përditshmëri, në gjumë, në gjithkund nga një asgjëkund i papritur, aty ku profili i nënës rri varur përjetësisht, por nuk janë as sytë, as flokët, as fytyra, vetëm duart. Ato duar që mbajnë rruzullin mbi shpinë, detyrimisht të lexueshme/ si një lloj kushti, i pashkruar, por padukshmërisht imponues prej të cilit fytyra e birit (un-it lirik), merr papritmas kuptim. Këtu krijohet një marrje fryme, një si gulçim dhe kontekstualisht lexuesit i shfaqet nje frikë e beftë, po nëse imazhi i duarve humb, çdo të bëhet më fytyrën e birit?
Dy fjalët-tema në vijim, vija dhe brazda, në rrafsh linguistik, krijojnë marrëdhënie sinonimike me njëra –tjetrën, nga ku e dyta e përforcon dramën e së parës, duke detajëzuar profilin poetik të duarve, të mbështetur nga epitetet metaforike (të holla-të thella). Në rrafshin universal, i cili përforcohet edhe në kontekst, këto vija të holla janë brazda të thella të një shpirti të përvuajtur, janë dëshmi e sakrificës mbinjerëzore që vetëm duart e nënës dinë t’i bëjnë ballë. (Kontekstualisht brazdat të kujtojnë gjurmët e thella të plagëve të kryqëzimit në duart e Jesu Krishtit) Kryefjala nënë të sjell ndërmend fronin e Kryeperëndeshës dhe semat vija, brazda, të kujtojnë tokën e plasur të çarë nga thatësira, (këtu pranëvihen kontekstualisht). Përzierja e leksikut të lartë dhe të ulët është element i dukshëm modernist e postmodernist, krijon mbivendosje rrafshesh, përjetimesh, gjendjesh.
Gjithnjë është krijuar një lloj lidhjeje simbiozë midis halleve dhe shenjtëve, ata gjithnjë janë parë si skllevër të vuajtjeve. Pra, aty hallet nuk kanë kuptim pa shenjtët dhe vetëm shenjtët janë të aftë për t’i mbajtur hallet. Në rrafsh universal paralelisht si nëpër mjegull të shfaqen papritur torturat dhe vuajtjet e Krishtit në Kryq për të shpëtuar njerëzimin, duke u përmbysur shëmbëlltyra Shën Mëri-Nënë, pra jo duart e të shenjtës (shenjtes), por duart e shenjtit, pra shfaqet një shenjt, një Zot, një Jesu dhe një mijë halle shumëngjyrësh, mozaikë hallesh. Kjo përmbysje, devijancë biologjikisht alla-frojdiane, përbën një shfaqje të dukshme të elementëve postmodernistë në strukturën vertikale poetike. Në rrafsh filozofik përplasen fort e përkohshmja (hallet) dhe e përjetshmja (shenjti). E dyta vjen pas të parës, përjetësohet imazhi.
Temat përmbyllëse të distikut të fundit vuajtje dhe natë, në rrafsh gjuhësor janë si të thuash një lloj paralajmërimi dramatik, vuajtja që lind natën, në një natë pa fund. Lidhja linguistikore është e stisur dhe organike njëkohësisht. Ajo përforcohet shumë në rrafshin e dytë duke marrë kuptim të thellë filozofik, vaporët e vuajtjeve ndalen-për të kaluar natën. Metafora fojlore ndaluan (vaporët e vuajtjeve), të ndal frymën. E kanë marrë me nge këtë punë.Vaporët kanë ndaluar. Vuajtjet kanë ndaluar, të kalojnë natën.
Ky varg përmbyll poezinë.Sa e gjatë do të jetë kjo natë? Është vetëm një natë, vijnë të tjera pas saj, apo është thjesht një natë e përjetshme vuajtjesh? … Një natë pa fund? Lidhja është kundërshtuese. Përdorimi i lidhores të kalojnë fill pas të kryerës kanë ndaluar, hap dritare shprese në vizionin e marrësit. Po t’i referohemi M.Mc.Luhan, pranëvënia e njësive gjuhësore gjeneron më shumë domethënie, sesa njësitë gjuhësore në vetvete.7
Vijojmë me poezinë:”Në ditëlindjen e nënës”, në të cilën spikasin elementë të fortë postmodernistë që në strukturën poetike:
Sapo e pashë në ëndërr nënën./
Si një trëndafil i velur në/ Dorën e një shenjti, me/ 62-petale të rëna dhe të/ Kalbura mbi tokë koka e / Saj akoma varur në / Qiellin e një jete me re të/ Zeza që hezitojnë të kthehen/ Në shi. E pastër dhe qetë si/ Një zonjë, për herë të parë i/ Lejoi sytë e saj që nëpërmes/ Syve të mi të njomin jastëkun/ Tim prej puplash. Prej puplash të ndukura prej pulave të / Bardha që për të kënaqur dikë/ janë therë dhe përvëluar/ Në ujë të valë. Si të fle, kur heshtja/ Në dhomë më ngjan se avullon?/ Në njërin vesh më bëhet se/ Dëgjoj krismat e lugëve dhe pirunëve të zonjave më me fat në / Tavolina, kurse në veshin/ Tjetër më duket se dëgjoj/ Zhurmën e lopatës dhe / Të tërfurkut të nënës në arë …/ O, e di, e di, se burrat nuk / Qajnë (të paktën kështu më/ Thoshte nëna kur isha i vogël),/ Por më dhimbset në shpirt e shkreta:/
Ajo është tëpër e re që të vdesë/
E tepër e lodhur që të rrojë” (Dallas, 21 Maj, 200, fq.84)
Nga pikëpamja strukturore tek kjo poezi janë thyer të gjitha rregullat e vargëzimit klasik, vargu i parë është i shkëputur, vijon zbërthimi në monokolonë, mbyllet me një distik me kontrast të thellë filozofik. Është përmbysur vijimësia e mendimeve, ka pikë në mes të vargut: Në ujë të valë. Si të fle, kur heshtja/… Ka një lloj “lajthitjeje” artistike në pështjellimin e mendimit, element ky i dukshëm postmodernist, krijohet një lloj pezullie, rrjedha të merr përposhtë, tatëpjetë si rënie në rrëpirë, gjersa mezi pret t’i nxjerrësh fundin, ndryshe nga rënia e vërtetë në humnerë. Tipik është vargu: “Kalbura mbi tokë koka e”apo”Tavolina, kurse në veshin”…
Leksiku i lartë gërshetohet më leksikun e ulët e me traditën duke krijuar 3-bërthama të forta poetike brenda të njëjtës mëmbranë.
LEKSIKU I LARTË
(Hyjnorja)
Ëndërr- nënë- trëndafil- shenjt- petale- qiell- re-shi – e pastër-sy- ujë- fle- pupla- heshtje-avull-shpirt… (bota hyjnore)
LEKSIKU I ULËT
(njërëzorja)
Kalbura- tokë -varur,-të zeza- therë-përvëluar- të valë- krisma- zhurmë- e lodhur…(bota tokësore)
TRADITA
Pula- lugë- pirunë- lopatë- tërfurku-ara- burrat- nuk- qajnë- i vogël – më dhimbset- e shkreta- të vdesë-të rrojë…
Miksimi i këtyre elementëve krijon larmi gjendjesh shpirtërore të ndera që rrisin kureshtjen e lexuesit dhe e prekin atë shpirtërisht, duke kaluar nëpër një metamorfozë shpirtërore, element ky modernist e postmodernist njëherësh, pa kufij të prerë në mes: Simbolika e figurës së nënës transformohet gradualisht, gjersa përplaset fuqishëm me dilemën hamletiane-të vdesë a të rrojë:
Nëna
Në Ëndërr/ trëndafil në dorën e një shenjti/ e pastër dhe e qetë/ zonjë …/ tepër e re…
Metamorfoza
62-tetale të kalbura mbi tokë/ kokë e varur mbi qiellin e një jetë me re të zeza/ që lejoi sytë e saj nëpërmjet syve të mi të njomin jastëkun,/ zhurmë e lopatës dhe e tërfurkut në arë …/ tepër e lodhur
Mendimi nuk mbyllet në vargun pasues, as në mes të vargut pasues, por, pothuaj brenda 4-vargjeve, element ky modernist, ndërsa ankthi do të zgjasë deri në fund, deri në asgjëkund, element postmodernist: elipsat janë të qëllimshme.
Le të përpiqemi të riorganizojmë fiktivisht strukturën e strofave poetike, në vargje të lira, sipas parimit klasiko-modern:
Strofa 1
Strofa 2
Strofa 3
Strofa 4
Sapo e pashë në ëndërr nënën./
Si një trëndafil i velur/ Në dorën e një shenjti/ Me 62-petale të rëna/ Dhe të kalbura mbi tokë/
Koka e saj akoma varur/
Në qiellin e një jete
Me re të zeza/
Që hezitojnë të kthehen në shi./
E pastër dhe qetë
si një zonjë,/
Për herë të parë i lejoi sytë e saj /
Që nëpërmes syve të mi/
Të njomin jastëkun tim prej puplash./
Prej puplash të ndukura/
Prej pulave të bardha/
Që për të kënaqur dikë/
Janë therë dhe përvëluar
në ujë të valë./
5-vargëshe
Tercinë
Katrenë
Katrenë
Strofa 5
Strofa 6
Strofa 7
Strofa 8
Si të fle,/
Kur heshtja në dhomë/
Më ngjan se avullon?/
Në njërin vesh më bëhet se dëgjoj/ Krismat e lugëve dhe pirunëve/
Të zonjave më me fat në tavolina,/
Kurse në veshin tjetër më duket se dëgjoj/
Zhurmën e lopatës dhe të tërfurkut/
Të nënës në arë…
O, e di, e di,/
Se burrat nuk qajnë/
(Të paktën kështu më thoshte nëna/
Kur isha i vogël),/
Por më dhimbset në shpirt e shkreta:/
Ajo është tëpër e re që të vdesë/
E tepër e lodhur që të rrojë”
Tercinë
6-vargëshe
Katrenë
Tercinë
Vargje të lira, mendimi rrjedh vetvetishëm, por ankthi që krijohet nga strukturimi postmodernist, përmes “lajthitjeve” të thyerjeve grafike, i mungon lexuesit. Riorganizimi strukturor është bërë thjesht për qëllime studimore. Përmbysja e kësaj strukture nga ana e autorit dëshmon për një vertikalitet inkandeshent poetik në dekodifikimin e thellësive të mesazhit dhe eksperimentim të suksesshëm.
Figuracioni i dendur, rrit vëllimin e nëntekteve poetike: Dominojnë:
Similituda kilometrike: Si një trëndafil i velur në/ Dorën e një shenjti, me/ 62-petale të rëna dhe të/ Kalbura mbi tokë…; krahasimi: si një zonjë…
Pyetja retoriko-metaforike: Si të fle, kur heshtja/ Në dhomë më ngjan se avullon?…/
Kontraste mbi bazën e antonimisë kontekstuale:
Trëndafil- me 62 petale të rëna…; Trëndafil-me 62 petale të kalbura mbi tokë…; Re të zeza…- e pastër dhe e qetë…; sy yë njomur… – jastëk prej puplash…; pula të bardha…- therë e përvëluar në ujë të valë; zonjave më me fat- tërfurkut të nënës…; e re që të vdesë…- e lodhur që të rrojë…
Ironia situacionale dhe Situata paradoksale:
Prej puplash të ndukura prej pulave të / Bardha që për të kënaqur dikë/ janë therë dhe përvëluar/ Në ujë të valë…
Dëgjoj krismat e lugëve dhe pirunëve të zonjave më me fat në / Tavolina, kurse në veshin/ Tjetër më duket se dëgjoj/ Zhurmën e lopatës dhe / Të tërfurkut të nënës…
… O, e di, e di, se burrat nuk / Qajnë (të paktën kështu më/ Thoshte nëna kur isha i vogël),/…
Sipas pararendësit të kritikëve të rinj Ivor Richards (Ironia është tipar i veprave me tipar të lartë rregulli), në rastin konkret ironia verbale si një figurë retorike që ngrihet mbi ambiguitetin ia ka lënë vendin ironisë situacionale që nxjerr në pah njohjen, identifikimin e mospërputhjeve. Ndërsa, po të kemi parasysh konceptin e T. Elliot-it, mbi paradoksin, ndryshimet e vogla e të vazhdueshme të gjuhës, pranëvënia e fjalëve përdoren vetëm për të arritur kombinime të reja e të papritura:
Metafora: …koka e / Saj akoma varur në / Qiellin e një jete me re të/ Zeza që hezitojnë të kthehen/ Në shi…
Për herë të parë i/ Lejoi sytë e saj që nëpërmes/ Syve të mi të njomin jastëkun/…; heshtja – avullon;
…më dhimbset në shpirt, e shkreta…!
Simbolika e Nënës në asosacionet poetike zbërthehet nëpërmjet vargjeve eliptike, të cilat i japin valencë kuptimore shenjës, njësi pas njësie, nëntekst pas nënteksti duke krijuar kështu shtresëzimet kuptimore të saj: Vlen të permëndim parimin e M.Riffaterre, sipas të cilit: Në poetikën e tekstit çdo njësi e sistemit funksionon si një metonimi në raport me bërthamën.8 Nëna- hyjneshë e qiellit- nëna skllave e vuajtjes /, nëna – lot, nëna-sakrificë mbinjerëzore; nëna-zonjë pa fat, nëna – dhimbje, nëna – përjetësi. Nëna portretizohet si simbol i zvetënimit shpirtëror në bodrumin e jetës me dhimbje nga të 4-anët.
Kryeperëndesha femërore ravijëzohet si Zonjë e sakrificës, sipas Walter Burkert-it.9 Metamorfoza e dramave kombëtare, në nëntekstin e poezisë së, Marinajt e shndërron atë në një Kryeperëndeshë të vdekshme.
Poeti enkas i ngatërron botët, botën hyjnore me atë njërëzore, qiellin e tokën, botën e luksit dhe botën e varfërisë, gëzimin dhe dhimbjën, jetën dhe vdekjen;
Autori aktivizon akohorësinë nëpërmjet dominimit të së tashmes së përjetshme: Sapo e pashë-më dhimbset, është tëpër e re; është tepër e lodhur etj.
Un-i lirik paraqitet i dallgëzuar, gati – gati i çmendur e skizofrenik, i sapozbritur nga qielli i ëndrrës në skenën e përgjakur makbethiane: Autori improvizon humor të zi:
Ëndërr… trëndafil… shenjt…dhe më pas lexuesi përfytyron tmerrin: pula të bardha që për të kënaqur dikë – Janë therë e përvëluar në ujë të valë…E më tej në vesh oshëtijnë: krismat…
Antiestetizmi është dukuria që karakterizon gjithë strukturimin poetik të vargjeve të kësaj poezie.
Vijojmë me poezinë: Mall për nënën
E mora gjithësinë në duar/Të shuaj mallin e nënës,/ Por kjo ndarja e tërbuar/ Qenka dhimbja e dhembjes./ Diku atje larg përtej detit,/Diku atje lart buzë qiellit,/Vështrimet e ftohta të hënës/ Gjithnjë venisin sytë e nënës…/ Jemi ndarë në këtë botë/ Si substanca të truara malli / Dëshirat sa nisën dështojnë/ Kthehen në vdekje për së gjalli./ Tek i ndjek si foshnje ëndrrat,/ Me duf ja shtyp dy polet globit,/ Sepse boshti i tij prej flake/ Rrotullon tokën kot së kotit. (fq.87)
Un-i lirik iluzionon: E mora gjithësinë në duar. Autori copëton veten në disa vende: Herë bëhet zot i gjithësisë, provon të shuajë mallin e dhe herë ndjehet skllav (Qenka dhimbja e dhembjes.), zhgënjehet, vdes së gjalli në boshtin prej flake të globit të mallit për nënën.
Nëpërmjet përdorimit të leksikut popullor, shprehjes frazeologjike: vdekje për së gjalli… substance të truara malli; Rrotullon tokën kot së kotit, poeti rivitalizon traditën. Paul De Man thekson: Në shkrimin postmodern huazohet popkultura, kultura massive.10
Përdorimi i rimës së alternuar klasike me skemë ABAB e humb njëtrajtshmërinë vetëm në strofën e dytë ku shndërrohet në rimë të përputhur AABB. Poeti eksperimenton. Bashkohet universi: tokë-det-qiell e bëhet një, metamorfozohet në mall. Mall për nënën përtej detit.
Lejtmotiv i kësaj poezie mbetet kryevargu: Gjithnjë venisin sytë e nënës…
Un-i lirik ecën paralelisht nëpër disa rrafshe duke u transformuar: misioni i shenjtë i shuarjes së mallit- takimi iluzionar me nënën; Përballja fuqishëm me ndarjen; shfaqja e imazhit të përlotur të nënës nën hënën e ftohtë; mallkimi -mosrealizimi i dëshirës; vdekja për së gjalli; vrapi pas ëndrrave. Tërbimi dhe revolta janë gati-gati migjeniane, por nësë tek Migjeni mbeten tentativë, këtu bëhën konkrete; Poeti konfirmon: Me duf ia shtyp…: Un-i lirik shndërrohet në anti-un-dramatik – (Thyerje tipike e modelit klasik):
O, si nuk kam një grusht të fuqishëm (Migjeni):- me duf ia shtyp dy polet globit (Gj. Marinaj)
Më pas vjen zhgënjimi; kotësia… Situata është absurde:
…Sepse boshti i tij prej flake/ Rrotullon tokën kot së kotit.
Barbara G.Walker shprehet: Çdo Perëndeshë femërore, Gaia, Ki-a sumere, Hlöᶨyn-i norvegjeze, Danu tek keltët, etj, mund të konsiderohen si forma të ndryshme të shfaqjes së të njëjtit mit, atij të Kryeperëndeshës Nënë.11
Sema-nënë dhe togfjalëshat vijues shpesh e shndërrojnë portretin e saj në poezinë e Marinajt, nga Perëndeshë e gjithësisë në skllave të vdekjes, prej nga ku evitohet tradita e hershme dhe jeta zakonore: Kujtojmë se Sistemi patriarkal e ka zanafillën që në fillim të periudhës së bronxtë (Marija Gimbertas)12. Më pas me përhapjen e gjuhëve Proto-Indo-Evropiane, kohë kur parajsa matriarkale e shoqërive të lashta mori fund dhe përfundoi duke u shkatërruar nga patriarkalizmi Indo-Evropian (Stone, M.).13 Në bërthamat gravitacionale poetike sema – nënë kap standarte thellësisht letrare e filozofike: Diku atje larg përtej detit,/ Diku atje lart buzë qiellit,/ Vështrimet e ftohta të hënës/ Gjithnjë venisin sytë e nënës…
Poeti fiksionon, iluzionon, aludon për një botë matrifokale nëntekstualisht (a-në marrëdhënien dikotomike burrë grua, nëna, pra gruaja ka epërsi, funksion primar), nëna për poetin është epiqendra e botës, malli për të djeg: b- mungësa e pranisë mashkullore (kurbeti, vdekja, vetmia) Jemi ndarë në këtë botë/ Si substanca të truara malli / Dëshirat sa nisën dështojnë/ Kthehen në vdekje për së gjalli./
Poezia postmoderne, vjen si një lloj këndvështrimi nga asgjëkundi që të çon në gjithkund. Semiotika e tekstit poetik në artin kontemporan është një ftesë e përzemërt për lexuesin elitar e të popullarizuar gjithashtu, Pra 2-nivele leximi (masë + elitë), sipas U. Eco-s. Pothuaj të njëjtën rrjedhë mendimi përforcon edhe Linda Hutcheon: Postmodernizmi është po aq akademik e i popullarizuar, sa edhe elitist e i perceptueshëm.14
Poezia si tekst i shkruar (scriptible), sjell një shumësi tekstesh të lezuara (lisible), pra kemi të bëjmë me vargjepolisemantike. Kujtimet e poetit si digression vetjak dhe arketipal, malli: … ”në kotecin thurur me brinjët e mia/ mbështjellë në ca fletë të zverdhura librash, gjej e rigjej dashurinë…”,(Komëshinjtë në Brrut, po aty, fq.79) risjellin kujtimet e kahhershme të njerëzimit, nëpërmjet një autonomie estetike filozofike. Rrjedhimisht poezia mbi figurën e shenjtë të nënës, dhe jo vetëm, ofron lexime rizomatike (hulumtim nëpër zhardhokë rrënjorë), pra mëvetësi kuptimore, brenda së njëjtës bërthamë, sipas profilit rizomatik të Zh. Delëzi & F.Guatar, duke u shndërruar në sytha të nëndheshëm, rrënjë për vetveten, brenda një kolazhi strukturor temash të ngjashme e të përafrueshme. Serviren kumte organike, mbushet zbrazëtia shpirtërore, labirinthet të çojnë drejt imazheve të dritës, ngjizet profili i i poezisë së të ardhmes. Poetika e Gjekë Marinajt është dëshmi e elementëve modernistë dhe eksperimentim i suksesshëm drejt postmodernizmit shumëdimensional në letërsinë shqiptare dhe atë botërore.
*Dr.Yllka FILIPI, (Ferguson Auditirium), Stamford CT, Qershor, 7, 2015
__________________________________________________
1 Armstrong, Tim, Modernism, “A Cultural History”, Cambridge, 2005, Polity Press, p.24
2 Ashton, Jenifer, From Modernism to Postmodernism, American Poetry and Theory in the Twenty Century,2005, Cambridge University Press, p.3
3 Fokkema, Douwe Wessel, A Postmodern Reader, U.S.A, State University of New York Press, 1993, p.521-522
4 Kristeva, Julia, Towards a Semiology of Paragrams, The Tel Quel Reader, New York, 1998, Routledge, p.38
5 Jakobson, Roman, Ç’është poezia, Tema, Suplementi, 2004, Fjala, fq.9
6 Marinaj, Gjekë, Lutje në ditën e tetë të javës, Faik Konica, Prishtinë, 2008, fq. (Gjithë vargjet ilustruese janë marrë aty)
7 Marchand, Philip, Marshall McLuhan: The Medium and the Messenger, New York, 1998, MIT Press, p.80
8 Riffaterre, Michael, Semiotics of Poetry, Bloomington, 1978, Indiana University Press, P.39
9 Burkert, Walter, The Orientalizing Revolution, Near Eastern Influence on Greek Culture of the Early Archaic Age, Cambridge, Harvard University Press, 1992, p.79
10 De Man,Paul, The Resistance of Theory, Theory & History of Literature, Minneapolis & London, University of Minnesota, 1986, Press, p.13
11 Walker, Barbara, G., The Woman’s Enciklopedia of Myths & Secrets, San Francisco, 1983, Harper & Row, p.67
12 Gimbustas, Marija, The Goddness & Gods of Old Europe, Thames & Huston, Ltd, London, 1982
13 Stone, M.When God was a woman, Harvest, Orlando, 1974, p.110
14 Hutcheon, Linda, A Poetics of Postmodernism, New York & London, 2005, Routledge, p.44