Nga: Dr. Pashko R. Camaj, Doktor i Shkencave të Shëndetit Publik */
Përkundër asaj që ka bërë shkenca, për të zbutur dhe shpjeguar botën tonë biologjike, ka akoma shumë gjëra që mbeten jashtë sferës së njohurive dhe të kuptuarit tonë. Përhapja e korona-virusit që u shfaq në Kinë, gjatë muajve të fundit të vitit 2019, ishte një kujtesë alarmuese, në një farë mënyre, se sa gjëra janë ende të pashpjegueshme për ne dhe për shkencën. Virusi i ri pushtoi nikoqirin e padashur – trupin e njeriut – për t’u përhapur më pas si një zjarr, në të gjithë globin. Edhe kur shkenca filloi të zbulojë shumë prej mistereve të virusit, se si përhapet, si mashtron hyrjen a vetë në qeliza, dhe si vret, një pyetje themelore, se si ta ndalojmë këtë virus, u bë britmë në çdo cep të botës. Gara kundër kohës filloi, ndërsa fati ynë njerëzor varej nga përgjigja në një pyetje kolektive: a mund të krijojmë një vaksinë që do të ndalojë korona-virusin? Më pak se një vit më vonë, ne kemi një përgjigje – një PO të bindshme! Lajmet nga Pfizer dhe Moderna, në Shtetet e Bashkuara, se ata kanë lëshuar veçmas të dhëna paraprake që tregojnë se vaksinat e tyre janë 90-95 për qind efektive, që është shumë më tepër sesa shumë shkencëtarë prisnin, siguroi një arsye për një psherëtimë kolektive lehtësimi, që bota ka pritur. Ditëve të fundit, AstraZeneca në Britaninë e Madhe ka raportuar se vaksina e tyre mund të jetë efektive deri në 90 për qind. Këtu në Shtetet e Bashkuara, Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA), ka filluar të vëzhgojë vaksinat, pasi shpresojmë për rishikim të shpejtë dhe miratim për autorizimin e përdorimit emergjent. Nëse gjithçka shkon sipas planit, miliona doza do të jenë në dispozicion në fillim të dhjetorit.
Mrekulli shkencore e vaksinave të mARN-së
Shpikja e vaksinave kundër një virusi të identifikuar vetëm 10 muaj më parë është një arritje e jashtëzakonshme shkencore. Këto janë vaksinat më të shpejta të zhvilluara ndonjëherë, me një diferencë prej shumë vitesh. Nga praktikisht ditën kur sekuenca gjenetike e një korona-virusi të ri u vu në dispozicion, studiuesit filluan të hartonin vaksina që mund të trajnonin sistemin imunitar, për të njohur virusin dhe për ta shkatërruar atë para se ai të na dëmtojë. Fillimisht, studiuesit kishin nevojë për të identifikuar një pjesë të përshtatshme të virusit për t’u kthyer në një vaksinë, dhe një objektiv premtues ishin proteinat në formë gjembash që dekorojnë lëvozhgën e jashtme të virusit. Të dy, vaksinat, e Pfizer dhe e Moderna, mbështeten në proteinën gjembash, ashtu si edhe disa kandidatë për vaksina që janë ende në zhvillim. Një teknologji e re që përdor lajmëtarin Acid-Ribonukleik (mARN), në vaksinat e tyre ofron një udhë më të që vaksinat konvencionale nuk e kanë. Këto suksese fillestare sugjerojnë që kjo strategji ishte një sukses i madh dhe disa vaksina të tjera Covid-19, së shpejti mund të vihen në disponim.
Këto nuk janë vaksinat konvencionale
Sistemi imunitar i njeriut është i jashtëzakonshëm në fuqinë e tij, por ka nevojë për një ‘trajnim’ për të përgatitur ‘ushtarët’ (antitrupat) tanë, për të na mbrojtur kundër mikroorganizmave pushtuese dhe, shpeshherë, të dëmshëm. Atë detyrë e bëjnë vaksinat. Ato paraqesin një fotografi të armikut (patogjenit) që ia tregon sistemit imunitar, ashtu që ai të njohë virusin e vërtetë, kur jemi të ekspozuar ndaj tij. Tradicionalisht, vaksinat konvencionale e siguruan këtë fotografi në formën e një virusi të dobësuar ose të një pa-aktivizuar ose të një pjese (molekule) të veçantë nga virusi. Por për këto qasje kërkohej që hulumtuesit e vaksinave të prodhonin dhe të rritnin viruse ose molekula të tyre, gjë që merr shumë kohë, shpeshherë shumë vite. Siç e dimë, kur korona-virusi na infekton, ai rrëmben makineritë tona qelizore, duke i kthyer qelizat tona në fabrika që prodhojnë miliona dhe miliarda viruse infektive. Vaksina mARN e kthen këtë dobësi në një avantazh. Në fakt, ato “mashtrojnë” qelizat tona duke e bërë vetëm një pjesë të padëmshme, edhe pse shumë të njohur, të një proteine virale, e cila gjendet në gjembat e korona-virusit. Bazuar në udhëzimet e koduara që mARN dërgon, qelizat tona fillojnë të bëjnë atë proteinë të saktë, duke imituar hapat e infeksionit më mirë se disa vaksina konvencionale. Proteinat gjemba të sapo prodhuara tani do të qarkullojnë në sistemin tonë dhe do të kenë përgatit trupin tonë për të prodhuar antitrupa, veçanërisht kundër asaj proteine. Kurë expozohemi, dhe një virus po me ato gjemba, i bërë nga e njëjta proteinë të na pushtojë, trupi ynë do të jetë gati për të një përgjigje imune që do të ndalojë virusin të vdekur në gjurmët e tij!
Dritë në fund të tunelit
Lajmi i shkëlqyeshëm për vaksinën në vetvete nuk mund të ngadalësojë trajektoren e rrezikshme të shtrimeve në spital nga Covid-19, që pritet të vazhdojnë këtë vjeshtë dhe në muajt e ftohtë të dimrit, ose shpëtojmë shumë njerëz që mund të vdesin. Por kjo na jep shpresë se pandemia do të marrë fund. Çdo infeksion që ne parandalojmë tani – përmes përdorimit të maskave dhe distancës sociale – është një infeksion që, përfundimisht, mund të parandalohet përgjithmonë, përmes vaksinave të sigurta dhe efektive. Qëllimi tani nuk është më që të mësojmë të jetojmë me virusin. Qëllimi është që sa më pak njerëz të bëhen të sëmurë dhe mbajtja e niveleve sa më të ulët, të mundshëm, të infeksioneve, sepse, pasi të kemi vaksinën në dorë, kjo do të na lejojë të kontrollojmë përfundimisht virusin. Planet janë që gjatë muajit dhjetor të fillohet me fazën e pare të vaksinimit të miliona njerëzve, duke përfshirë ata që janë në vijat e para të pandemisë, në spitale dhe institucione të mbrojtjes të shëndetit, dhe më pas, ata që janë në kategori me rrezik më të lartë. Në fazën e dytë, do bëhet vaksinimi i popullsisë më të gjerë, dhe deri në pranverë, ne do të prodhojmë imunitetin e ‘tufës’ që na nevojitet, kështu që në fillim të verës ne do të fillojmë të shohim fundin e kësaj pandemie globale, njëherë e përgjithmonë!
* Nënkryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës -VATRA