Nga ky fis do të përmendja Abdurraman Çirakun patriotin e madh, mbështetësin dhe përkrahësin e Ismail Qemalit/
Shkruan: Albert Z. Zholi/
Në grykën që krijohet mes maleve të Gribës me majën më të lartë atë të Këndërvicës, në anën lindore të kësaj gryke dhe malit të Çipinit në anën perëndimore, ndodhet fshati i Vërmikut. Kjo grykë me karakteristikat e saja të veçanta dhe disa kilometra e gjatë mban emrin e këtij fshati. Banorët e këtij fshati ashtu si edhe të gjithë krahinës së Kurveleshit që në kohët më të hershme janë shquar në vazhdimësi për ndjenja të larta patriotike, ata i kanë luftuar me pushkë pushtuesit që kanë dashur që hynë në këtë fshat, por edhe për ta hyrë në krahinën e Kurveleshit, nëpërmjet kësaj “porte”. Nga ky fshat herë pas here, kur e kanë kërkuar interesat e vendit kanë dalë djem dhe vajza, burra dhe gra të zot në mbrojtje të vatanit dhe i kanë thënë ndal ushtrive të huaja pushtuese. Në këtë fshat malor midis shumë familjeve dhe fiseve, ka jetuar edhe ai i Çirakajve, i cili është larguar nga fshati në fund të vitit 1939.
Fisi i Çirakjave ka qenë i lidhur me Luftën NCL, por edhe më pas, ata janë dalluar për përkushtim dhe korrektësi në shërbim të vendit. Nga ky fis do të përmendja Abdurraman Çirakun, patriotin e madh, mbështetësin dhe përkrahësin e Ismail Qemalit, i cili i qëndroi atij besnik..
Abdurramani është lindur më 5 mars 1888, pasi kreu shkollën në gjuhën turke në qytetin e Vlorës, vazhdoi studimet në Stamboll të Turqisë për oficer artiljer. Gjatë kohës në Turqi, u njoh me shumë patriotë shqiptarë, të cilët punonin për çështjen kombëtare. Për aktivitetin e tij ai shikohet me dyshim dhe për të shpëtuar, ai arratiset nga Turqia dhe shkon në Marsejë të Francës. Duke përfituar nga amnistia e shtetit turk ai kthehet përsëri në Turqi dhe shërben oficer në ushtri. Në tetor të vitit 1912 ai arratiset nga shërbimi në ushtrinë turke dhe shkon në Vlorë, ku po bëheshin përgatitjet për ngritjen e flamurit. Qeveria e Ismail Qemalit e caktoi me detyrë komisar të policisë për qytetin e Vlorës. Kur Ismail Qemali u largua nga Shqipëria e mori Abdurraman Çirakun si shoqërues të tij në Francë. Më pas, ai kthehet përsëri në Shqipëri dhe vazhdon aktivitetin patriotik. Ai ka qenë një ndër luftëtarët më në zë të luftës së vitit 1920, kur Labëria hodhi italianët në det. Komiteti Ushtarak, i cili drejtonte Luftën e vitit 1920 e kishte ngarkuar Abdurramanin të komandonte artilerinë, e cila ishte vendosur në malin e Shashicës. Në këto luftime ai rrëzoi një aeroplan dhe dëmtoi një benzinatë të flotës italiane në gjirin e Vlorës
Përgatitjes së tij të lartë, zotësisë dhe trimërisë si ushtarak i kushtohet edhe kënga e kushtuar nga populli i Vlorës:
………………………………….
Në urë të Peshkëpisë
Ra balona e Italisë
Aeroplanin kush e shtiu
Trim Avdurraman Aliu …!
……………………………….
Sa herë që këndohej kjo këngë nëpër dasma dhe sebepe, ai ulte kokën dhe i vinte rëndë dhe thoshte me modesti se mbase e kishte qëlluar edhe ndonjë tjetër… Sa herë përkujtohej dita e qëllimit me top të Asamblesë Kusilinge, nga kodrat e Saukut, atë si një nga artiljerët e parë shqiptar e thërrisnin në Tiranë.
Më 16 maj 1924 ai ishte pjesëmarrës në batalionin “Bashkimi”, i cili marshoi drejt Tiranës për përmbysjen e Ahmet Zogut.
Përveç Abdurramanit, një bir i denjë i këtij fisi ka qenë edhe Xhule Çiraku, i cili që në moshën e tij të re u lidh me lëvizjen e LANÇ-it. Në fillimet e kësaj lëvizjeje ai njihet me Hysni Kapon, ky bashkëpunim e çoi edhe më përpara aktivitetin e tij në qytetin e Vlorës. Në vitin 1942, ai aktivizohet dhe merr pjesë në përpilimin dhe shpërndarjen e trakteve kundër pushtuesve italianë. Më 9 maj 1942 merr pjesë në demonstratën e bukës, që u organizua në Vlorë. Më qershor të vitit 1943, krijohet çeta “Avni Rustemi”, ku ai do të ishte një nga pjesëmarrësit e saj. Më vonë, inkuadrohet në Brg. e VI Sulmuese, duke arritur të bëhet edhe Komisar i saj. Pas çlirimit të vendit, ai kryen detyra të rëndësishme: Komisar në mbrojtjen bregdetare të vendit, në disa degë të Punëve të Brendshme si dhe në Ministrinë e Brendshme me detyra të rëndësishme deri dhe në postin e zëvendësministrit.
Gjatë gjithë kohës që ai shërbeu është dalluar si një kuadër i zotë, i ndershëm, i drejtë, i përkushtuar dhe me një aftësi të rrallë komunikimi. Ai në të gjitha detyrat që ka kryer nuk ka përfituar prej tyre as më të voglin privilegj, përkundrazi ka qenë shembull e model për zbatimin e ligjeve të shtetit. Edhe pse i larguar nga vendlindja, ai interesohej herë pas here për bashkëfshatarët, mbante lidhje të vazhdueshme me ‘ta dhe i ka ndihmuar për hallet e problemet që ata kanë patur. Por jo më pak aktivitet patriotik kanë patur edhe tre vëllezërit në fisin e Çirakajve, Qemali, Seiti dhe Jonuz Çiraku. Që në moshë të re ata u radhitën me forcat partizane dhe luftuan deri në çlirimin e Shqipërisë.
Me krijimin e Këshillit Nacional Çlirimtar në fshatin e Vërmikut, më 25 shtator 1942, Qemal Çiraku zgjidhet sekretar i këtij këshilli. Po kështu, më 22 tetor 1943 në këtë fshat, krijohet celula e Partisë Komuniste dhe Qemali ishte një nga anëtarët e kësaj celule. Për shumë vite ai punoi dhe shërbeu në detyrën e Kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme në qytetin e Fierit, ku edhe sot ai kujtohet e përmendet nga banorët e këtij qyteti, për përkushtimin dhe kryerjen me korrektësi të detyrës.
Qemali së bashku me vëllanë e tij, Seit Çirakun ishin aktivist dhe pjesëmarrës direkt në shpërndarjen e trakteve të Partisë Komuniste si dhe në demonstratat e zhvilluara në qytetin e Vlorës, së bashku, edhe me disa bashkëfshatarë të tjerë.
Për pjesëmarrjen dhe trimërinë e treguar prej tyre në Luftën NÇL, po përshkruaj më poshtë luftimet në fshatin Qesarat dhe plagosjen e komandantit të kompanisë Seit Çiraku.
Beteja e Qesaratit ka qenë nga më të përgjakshmet dhe më heroike në historinë e Luftës NCL. Për luftimet e zhvilluara në Qesarat ish -luftëtari i kësaj beteje Seit Çiraku, në kujtimet e tij ka shkruar midis të tjerave : “….Terreni dhe bora na e bënë edhe më të vështirë përplasjen me gjermanët. Partizanët pasi kishin shpartalluar një grup gjermano-ballistësh, u futën në fshat për t’u qetësuar si dhe mjekuar disa shokë të plagosur. Gjatë kohës që po qetësoheshim, forcave gjermane u kishin ardhur përforcime të shumta dhe rrethuan brigadën partizane. Lufta u bë e përgjakshme dhe e vetmja mundësi për të dalë nga kjo situatë ishte çarja e rrethimit. Komandanti i brigadës më urdhëroi mua, komandantin e njërës prej kompanive, që së bashku me një grup partizanësh të kapnim majën e kodrës përballë Qesaratit. Me të mbërritur në kodër, efektivi i partizanëve u përplas me një kompani ushtarësh gjermanësh, të cilët e kishin kuptuar se marrja e pikës dominante do t’u jepte edhe fitoren. Qëlluam me breshëri ndaj komandos gjermane dhe plumbat e automatikut e prenë në mes komandantin gjerman, i cili në ato çaste hedh edhe një granatë që e kishte në dorë ndaj grupit të partizanëve. Granata më bie në parakrah dhe unë e kam marrë veten pas 36 orësh në dëborë dhe i vetëm. Partizanët e grumbulluar pas beteje më kishin konsideruar të vdekur dhe u habitën, kur morën vesh që unë ashtu këmbë e duar dhe i gjakosur mbërrita në fshat. Parakrahu pothuajse ishte copëtuar në copa lëkure dhe gjak i ngrirë vareshin përpara meje. Pasi mbërrita në fshat më çuan në spitalin partizan dhe më vonë me anije drejt spitalit aleat në Bari….”, – përfundon tregimin e tij ish-partizani dhe Komandanti i Kompanisë, Seit Çiraku.
Në fisin e Çirakajve do të përmendja midis të tjerëve edhe Burhan Çirakun, i cili si një intelektual e pedagog ka dhënë një kontribut e ndihmesë të veçantë në fushën e historisë, me kontributin e tij në detyrën e Drejtorit të Muzeut Kombëtar, detyrë të cilën e ka kryer për disa vite. Ai ka kontribuar për pasqyrimin sa më mirë të historisë së popullit tonë në këtë muze.
Fisi i Çirakajve, edhe lidhjet miqësore i ka bërë në familje të dëgjuara e patriote si në Kuç e Vërmik të Vlorës, në Gjirokastër, në Korçë, në Fier, Dibër etj..
Aktiviteti i fisit të Çirakajve, megjithëse, një fis relativisht i vogël, në shërbim e për të mirën e vendit, është i madh e i rëndësishëm, i cili nuk mund të përshkruhet vetëm me një shkrim në të përditshmen “Telegraf”. Ata kanë qenë dhe do të mbeten një fis atdhetar e patriot, që gjithë jetën e tyre ia kanë kushtuar vendit të shqiponjave, atdheut të tyre.
Vlerësimi i shoqatës “Labëria”
Në Kongresin e fundit të Shoqatës Kulturore Atdhetare “Labëria”, që u mbajt në muajin Maj 2014, në qytetin historik të Gjirokastrës, z. Agim Çiraku, pasardhës i denjë i fisit Çiraku, u zgjodh nënkryetar i shoqatës me votim unanim. Disa muaj më parë z. Agim u vlerësua me titullin “Personalitet i Labërisë” Për ndihmën dhe punën e bërë në ndihmë të aktiviteteve të shoqatës. Ky vlerësim ju dha vetëm disa prej personaliteteve të Labërisë në fusha të ndryshme të historisë, letërsisë, shkencës. Ky është vlerësimi më i madh që iu bën kjo shoqatë, figurave intelektuale dhe patriotike të saj.