Nga Dalip GRECA/
Në këtë 4 Korrik të Ditës së Pavarësisë së Amerikës, mungon një veteran i Ushtrisë Amerikane, që me Flamurin e këtij vendi, në radhët e ushtrisë më të fuqishme të Botës, ishte për gjysëm dekade ushtar i Lirisë. Kudo ku shërbeu, në SHBA, Gjermani Islandë, ai nderoi racën dhe gjakun shqiptar. Për merita është dekoruar nga Amerika. Sot, në emër të Tij, urimet për Ditën e Pavarësisë së Amerikës, i përcjell Familja,por edhe Vatra, së cilës ai i shërbeu me devocion, Dielli, të cilin ai e mbështeti plot bujari- HAPPY JULY 4TH!
****
Të Martën, 7 Prill 2020, në orën 10 të paraditës, në Laurel Grove, në Totowa, New Jersey, iu dha lamtumira e fundit, fisnikut të Dibrës, Jonuz Ndreut, nipit të Heroit të Kombit Elez Isufi, i biri i Cen Elezit, antikomunisti,demokrati, ushtari i dekoruar për merita në Ushtrinë Amerikane.Diktuar nga kushtet e pandemisë nuk iu bënë dot nderet ashtu siç i meritonte, ai u përcoll nga një numër i kufizuar familjarësh dhe klerikët fetarë.Komuniteti do të donte që të ishte i gjithi atje, vatranët do të ishin të parët për të përcjellë ikonën e vet, por nuk u lejuan.Kryetari i Vatrës, z. Elmi Berisha, ka përcjellë ngushëllimet në emër të gjithë vatranëve dhe ka planifikuar pas kthimit në situatë normale, një nderim të veçantë, ashtu siç e meriton për vatranin-ikonë, ish anëtari i Këshillit të Vatrës prej më shumë se 3 dekadash.
Jonuz Ndreu u lind me 10 Mars 1930 në Sllovë të Peshkopisë dhe ndërroi jetë në shtëpinë e tij me 3 Prill 2020. I qoftë i lehtë dhe’u i Tokës së lirë!
FISNIK EDHE NË VUAJTJE
Fisniku mbetet fisnik, edhe në çastet e vështira të jetës.Kështu ndodhi me Jonuz Ndreun.Shtatë vite të shkuara, në nëntor 2013, ku ai pësoi goditjen e parë, edhe pse shtati i lartë si lisat e vendlindjes ishte shembur në shtrat, sytë kishin dritë e shpresë:-Do të ngrihem shpejt!,- na dha më shumë zemër ne, që ishim ligështuar dhe hutuar nga rrëzimi i tij i beftë prej strokes,se sa vetes, duke hedhur vështrimin sa tek zonja Bale, tek vajzat, që e kishin rrethuar, si për t’i siguruar përkujdesje.Ndoshta mjeku ia kishte bërë të qartë se nuk do të mund të ngrihej sërish në këmbë, por ai nuk jepej. Ka qenë 3 nëntor 2013, kur së bashku kryetarin e atëhershëm të Vatrës dr. Gjon Buçaj dhe Zef Përndocaj, qëndronim pranë krevatit të tij në Oreange Reggional Center, në Middletown, New York. Ai për asnjë çast nuk e dha veten, por nisi të bisedonte shtruar, duke na pyetë për familjet dhe për vatranët.Të folurit nuk ishte prekur.
U përpoqëm që bisedën ta largonim nga sëmundja,duke u kthyer tek vizita e fundit e tij në Shqipërinë e dashur, për të cilën si familje e fis, Elezët-Ndretë, nuk kursen as jetët. Në majin e vitit 2013, ai ishtë i ftuar nga Bashkia e Dibrës dhe Presidenca Shqiptare, me rastin e rivlerësimit të Heroit të Kombit, Legjendës që u kthye në tmerr për sllavët, duke mbrojtur trojet e Arbërit, Arushës së Malit, Elez Isufi. Përherë Jonuz Ndreu ndjehej krenar që ishte nip i Elez Isufit, dhe bir i Cen Elezit, të cilin e zhdukën serbët në rrethana misterioze.Krenar për paradhësit e tij, krenar që e mbajti lartë veprën dhe emrin e tyre në shërbim të Kombit, ai u përpoq në jetë, që të ishte i denjë për fisin e vet.
Pas pesë ditësh shkova sërish që ta shihja patriotin fisnik në spital. Ishte 8 nëntor 2013. Atë radhë isha me dr. Skënder Murtezanin.Sërish na priti me dritë në sy. U gëzua. Dr. Skënderi e vizitoi dhe i rrahu shpatullat:-Mos u dorëzo!-,i tha.
Jo jo,kurrë, nuk kam për t’u dorëzuar.Kurrë nuk jam dorëzuar në jetë edhe kur kam qenë pa shpresë jete! Dhe tundi kokën.
Dhe nuk u dorëzua, edhe pse nuk u ngrit më në këmbë.Në gëzimet e familjes dhe në festat e Vatrës,në Ditën e Flamurit Kuq e zi, apo në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, ai u soll plot fisnikëri, nuk mungoi kurrë. Burrat e Dibrës, miq e kushërinj, e shoqëronin përherë. Kishin hije, kur e rrethonin të gjithë së bashku simbolin e fisnikërisë!Kishin të drejtë, ai ishte më shumë se Simbol i Dibrës. Dukej se prania e tij në festa i jepte forcë. Nuk mungonte as në morte.Fisnik,si ai! Fisnik edhe në qëndresë, edhe në vuajtje. Dinjitoz dhe i papërsëritshëm!
NJË JETË PLOT NGJARJE, PËRHERË NË KËMBË
Jonuz Ndreu u përkund që në fëmijëri në shtratin e historisë kombëtare,ku të parët e tij, ishin në ballin e qëndresës, në frontin e luftës, personazhe të historisë. Nipi i Elez Isufit, i biri i Cen Elezit,fëmijërinë e kaloi përmes krismave të luftës dhe në kampet e izolimit në Berat, Kuçovë, periferitë e Tiranës, ndërsa rinia iu përkund nën privimet e dhunën e pushetit të dhunshëm.Me intuitë e ndjeu pamundësinë e jetësës nën pushtetin e dhunës dhe vendosi të arratisej.Arratisja e parë dështoi, ndërsa e dyta, qe me sukses.
Ishte ende i parritur kur 17 vjeç e dërguan në hekurudhë, në sektorin e Rrogozhinës. Që aty nisi aventura e arratisjes. Arratisja e parë nisi me 6 maj 1949, por dështoi se hafija i sigurimit kishte depërtuar brenda grupit.Mes tyre ishte një person i filturat nga Sigurimi i shtetit,që i çoi drejt kurthit. Pas tri ditë rrugëtimi të vështirë, ranë në duart e rojeve jugosllave që i burgosën. Pas 21 ditësh izolim, Jonuzi, duke qenë se ishte nën moshë, e kthyen sërish në kampin e punës.Qëndroi gjashtë muaj në kamp, duke u përballë me jetën e vështirë. Në fillimin e muajit nëntor 1949, atij së bashku me një grup shokësh, iu krijuan sërish rrethanat për t’u arratisur. Këtë herë aventura doli me sukses, në Maqedoni. I dërguan në kampin që ndodhej në Trashevë. Shtatë muaj qëndroi aty. Në këmbë, me dinjitet.Më pas u trasferua në Sarajevë.Provoi punë të ndryshme, si punëtor e si mekanik. Dikur i kthyen prapë në Maqedoni. Qëndruan pak kohë në Gostivar, më pas në Serbi, në Pançevo. Aty takoi dy xhaxhallarët e tij,që kishin qenë të burgosur në burgjet serbe. Mësoi prej tyre lajmin e dhimbshëm; babai, Cen Elezi, kishte vdekur në rrethana misterioze. I dhembi zemra, i rënkoi shpirti, por nuk e dha veten. Sërish në këmbë. Sllavët nuk ia falnin Elezëve plumbat e marrë nga Gjenerali me shajak…Për gjashtë vjet Jonuz Ndreu përjetoi klavarin mes përbuzjes sllave nëpër Ish jugosllavi.Në vitin 1955, pasi kishte kaluar edhe kampin e tmerrshëm të Gerovës, ai do të prekte Lirinë e Perëndimit, do të dilte në Itali, ku u vendos në Kampin e Kapo-s, që administrohej nga anglo-amerikanët.Ëndërr kishte Amerikën, ku jetonin të afërmit.Po si të shkonte atje?
Ndër alternativat që iu paraqitën, ai parapëlqeu që të regjistrohej që në fillim në ushtrinë amerikane.Hartoi kërkesën dhe e paraqiti,iu aprovua.Shkoi në ushtrinë amerikane, ku fitoi një tjetër përvojë, disiplinë, kulturë. Me vullnet kapërceu çdo vështirësi, madje dhe sëmundje e shtrime në spital. Fillimisht shërbeu në një bazë ushtarake në Karolinën e Jugut, pas 8 muajësh e transferuan në një tjetër bazë në Kolorado, në Fort Devis. Më pas u trasferua në një bazë ushtarake amerikane në Berlinin perendimor në Gjermani Federale, por atje shëndeti nuk i mori për mirë, e shtruan në spital.Pas daljes nga spitali e trasferojnë në Islandë. Qëndroi atje 1 vit.Klima i mori mirë për shëndetin.Pas një viti e transferojnë në Amerikë, në bazën ushtarake Fort Er në Massachusets. Shëndeti i mori për mirë, por s’kaloi shumë kohë dhe e trasferojnë sërish në Berlinin perëndimor.Aty qëndroi 18 muaj, derisa e kreu përfundimisht detyrën për të cilën ishte betuar. E kreu shërbimin ushtarak në mënyrë shembullore.Për rezultate të shkëlqyera në radhët e ushtrisë amerikane atë e graduan Kapter i Parë. Motivacioni që mbart gradimi është “Për merita në Këmbësori”. Ai u vlerësua disa herë dhe u pajis me çertifikata zyrtare mirënjohjeje,Urdhëra vlerësimi, dhurata të shumta nga personalitete të larta të Ministrisë së Mbrojtjes Amerikane.
Pas ushtrisë, ku shërbeu 5 vjet, ai ndërtoi jetën e lirë,krijoi familjen dhe u shqua në veprimtaritë politiko-atdhetare të komunitetit,por shpirtin e rehatoi me Vatrën, ku punoi pa u lodhur, kontribuoi me bujarinë e dibranit.Ai ishte shembullor edhe në punën e përditshme, që kishte siguruar, si supervajzer në kompaninë Daglas Management.Jo pak, por 37 vite kaloi ai në këtë kompani,nga viti 1968 dhe deri në vitin 2005, kohë kur doli në pension.
Jonuz Ndreu do të mbetet në Kujtesën vatrane dhe të gjithë Diasporës shqiptare, si etalon i fisnikërisë.
Pusho në paqë njeriu i mirë, Jonuz Ndreu!