• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Pavarësinë e Shqipërisë e njohën nga burgu i Beogradit

November 24, 2023 by s p

Shkruan: Dr. Fitim RIFATI

Instituti i Historisë – Prishtinë

Viti 1912: Shqiptarët në burgun e Beogradit

Më 28 nëntor të vitit 1912 në Vlorë, përfaqësues nga të gjitha viset shqiptare shpallën Pavarësinë e Shqipërisë, formuan Qeverinë e Përkohshme dhe zgjodhën kryeministër Ismail Qemalin. Mirëpo, në ato momente historike në Vlorë nuk ndodheshin miqtë dhe bashkëpunëtorët e afërt të Ismail Qemalit, patriotët Hasan Prishtina dhe Nexhip Draga. Gjatë Luftës së Parë Ballkanike, në fillim të nëntorit të vitit 1912, forcat ushtarake serbe në rrethinën e Shkupit, pos mijëra shqiptarëve të tjerë, arritën të arrestonin e të burgosnin në Beograd krerët kryesorë politikë shqiptarë: Hasan Prishtina e Nexhip Draga.

Qarqet politike dhe ushtarake serbe ishin të mirinformuara për profilin intelektual, politik e diplomatik të patriotëve Hasan Prishtina dhe Nexhip Draga. Ato kishin prova të mjaftueshme për autoritetin e tyre tek shqiptarët e Fuqitë e Mëdha dhe ishin të vetëdijshme se vizioni dhe idealet kombëtare të veprimtarisë së Hasan Prishtinës dhe Nexhip Dragës në thelb kishin Pavarësinë e Shqipërisë. Mbretëria e Serbisë, përkitazi me platformën e saj shoviniste, duke ditur se ata përfaqësonin programin politik dhe kombëtar të shqiptarëve, dëshironte të eliminonte reputacionin e tyre në Shqipëri dhe tek Fuqitë e Mëdha, posaçërisht tek kampi i Aleancës Trepalëshe (Gjermania, Austro-Hungaria dhe Italia). Prandaj, duke i mbajtur të izoluar në burgje, qarqet politike dhe ushtarake serbe tentuan përmes kërcënimeve e torturave të stigmatizonin personalitetin e tyre pikërisht pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. 

Burgosja e liderëve politikë dhe kombëtarë shqiptarë bëri jehonë tek shtresa drejtuese e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe tek qarqet diplomatike të Fuqive të Mëdha. Për fatin e tyre, menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, jashtëzakonisht ishte i interesuar Ismail Qemali dhe monarkia dualiste e Austro-Hungarisë. Në dhjetor të vitit 1912, ndërsa kryeministri i Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemali, po përgatitej të formonte një Komision zyrtar për të vizituar qendrat vendimmarrëse evropiane për të ardhmen e Shqipërisë, njëkohësisht i kërkonte konsullit austro-hungarez në Vlorë, Wenzel von Lejhanec, “për ta vënë në dijeni se ku ndodhen aktualisht personalitetet shqiptarë Hasan bej Prishtina dhe Nexhip bej Draga”. Kryeministri shqiptar, Ismail Qemali, e ndjente boshllëkun intelektual, politik e diplomatik që paraqiste mungesa e personaliteteve të shquara shqiptare si Hasan Prishtina dhe Nexhip Draga. Ai kishte bashkëpunim të ngushtë me ta veçanërisht nga viti 1908 si deputetë në parlamentin osman, prandaj kultivonte përshtypjen se Shqipërisë i nevojitej jashtëzakonisht prezenca intelektuale dhe autoriteti politik e diplomatik i tyre. Ai besonte se Hasan Prishtina dhe Nexhip Draga do t’i jepnin fuqi diplomatike dhe përfaqësim të denjë interesave politike të Shqipërisë në kuadër të këtij Komisioni shqiptar në shtetet kryesore evropiane. 

Austro-Hungaria, si mbështetëse maksimale e çështjes së Pavarësisë së Shqipërisë në kancelaritë diplomatike të Fuqive të Mëdha dhe në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, aktivizoi përfaqësitë e saj diplomatike në Vlorë, Shkup e në Beograd, për të siguruar informacione të besueshme mbi vendndodhjen e Hasan Prishtinës dhe Nexhip Dragës. Në telegramin e konsullit austro-hungarez W. Lejhanec në Vlorë dërguar ministrit të Punëve të Jashtme në Vjenë, Leopold Bertold, më 20 dhjetor 1912, paraqiten dy versione që në këtë kohë qarkullonin në Vlorë mbi vendndodhjen e këtyre personaliteteve. Ai njoftonte Vjenën zyrtare se në organet drejtuese të Qeverisë së Përkohshme shqiptare në Vlorë, besohej se Hasan Prishtina dhe Nexhip Draga ishin dërguar të burgosur në Serbi ose ishin strehuar në konsullatën britanike në Shkup.

Në të njëjtën ditë, më 20 dhjetor 1912, sipas një telegrami nga agjencia konsullore austro-hungareze në Shkup dërguar ministrit të Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë, kontit Leopold Bertold, informohej nga burime të sigurta se Hasan Prishtinën dhe Nexhip Dragën “serbët me anë të kërcënimeve duan që t’i shtrëngojnë (detyrojnë, F.R)… për të dhënë nënshkrimet e tyre kundër pavarësisë së Shqipërisë (të shpallur në Vlorë, F.R)”. Duke njohur karakterin e tyre, mbi bazën e burimeve të verifikuara, në telegram nënvizohej se “ata nuk do të nënshtrohen edhe sikur të përdoren tortura”. Pavarësisht presioneve, kërcënimeve e shantazheve të vazhdueshme, Hasan Prishtina e Nexhip Draga u përmbajtën dhe nuk pranuan nënshtrimin para forcave politike dhe ushtarake serbe në burgun e Beogradit. Që të dy e njihnin platformën politike dhe ekspansioniste serbe karshi viseve shqiptare. Ata prej vitesh e ndjenin rrezikun e aspiratave serbe ndaj Shqipërisë, prandaj bënë përpjekje për realizimin e synimeve kombëtare shqiptare. Formimi i tyre si personalitete atdhetare, intelektuale, politike dhe diplomatike, nuk i lejonte denigrimin e rrëshqitjen në vargonjtë e politikës serbe. Pavarësia e Shqipërisë për ta ishte temë e padiskutueshme.

Me sa mund të analizohet dhe konstatohet sipas telegrameve të konsullit austro-hungarez në Shkup, Marian von Hessfeld Heimroth, më 22 dhe 23 dhjetor 1912, për të rritur forcën e presionit ndaj tyre u përdorën edhe tortura, përderisa nga burgu i Beogradit i transferuan në drejtim të Nishit. Këto informacione mbi gjendjen e vendndodhjen e prijësve shqiptarë, kërkohej t’i bëheshin të njohura edhe Ismail Qemalit, i cili ishte i shqetësuar thellësisht për fatin e bashkëpunëtorëve të tij.

Nga burimet informuese të ministrit fuqiplotë austro-hungarez në Beograd, Stefan von Ugron, të datës 23 dhjetor 1912, dërguar ministrisë së Punëve të Jashtme në Vjenë, njoftohej për arsyet e arrestimit të Hasan Prishtinës e Nexhip Dragës dhe konfirmohet vendndodhja e tyre. S. Ugron i telegrafonte L. Bertoldit: “Krerët e shqiptarëve Hasan Beu (Prishtina) dhe Nexhip bej Draga, ish deputet në Parlamentin Turk (Osman, F.R), u arrestuan në Shkup, sepse nuk donin të nënshkruanin një shkresë besnikërie ndaj Serbisë. Aktualisht të dy gjenden në kalanë e këtushme (në Beograd, F.R)”. Këtë njoftim të S. Ugron, ministri i Jashtëm L. Bertold, më 24 dhjetor 1912 ia dërgoi nga Vjena konsullit W. Lejhanec në Vlorë, që në mënyrë konfidenciale t’ia transmetonte Ismail Qemalit. 

Rreth gjashtë muaj sa i mbajti të burgosur në Beograd, Mbretëria e Serbisë nuk arriti të realizonte pretendimet e saj me anë të personaliteteve shqiptare. Hasan Prishtina e Nexhip Draga, edhe pse të burgosur e përballë presioneve, kërcënimeve dhe torturave, nuk pranuan t’i nënshtroheshin tentativave dhe trysnisë së qarqeve politike dhe ushtarake serbe për të firmosur një deklaratë kundër Pavarësisë së Shqipërisë, për të njohur formalisht pushtimin serb të viseve shqiptare, për të shprehur besnikëri të plotë ndaj Mbretërisë së Serbisë dhe për të aprovuar sendërtimin e doktrinës politike serbe në Kosovë dhe vise të tjera shqiptare. Ata nuk njohën as vendimin e Konferencës së Ambasadorëve në Londër, të datës 21 mars 1913, sipas të cilit Kosova, që përfshinte një territor prej 32.900 km katrorë, të përkufizuar në hapësirën historike dhe etnografike të saj, i njihej ndërkombëtarisht aneksimit serb e malazez. Si pasojë e agresionit ushtarak serb e malazez në Kosovë, gjatë muajit tetor dhe nëntor të vitit 1912, mbetën të vrarë, të masakruar e të rënë në fronte të luftës rreth 25.000 shqiptarë.

Për shkak të presionit të Fuqive të Mëdha, ndërsa Mbretëria e Serbisë kishte realizuar pjesërisht aspiratën e saj për aneksimin serb të viseve shqiptare, me urdhër të Ministrisë së Luftës, Hasan Prishtina dhe Nexhip Draga u liruan nga burgu i Beogradit në prill të vitit 1913.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Fitim Rifati

DRENICA NË KRYENGRITJET E VITEVE 1913-1914 DHE TERRORI SERB NDAJ SHQIPTARËVE (3)

September 14, 2022 by s p

Dr. sc. Fitim RIFATI

Instituti i Historisë – Prishtinë

Terrori serb ndaj shqiptarëve të Drenicës më 1914

Në luftimet e zhvilluara ndërmjet kryengritësve dhe forcave ushtarake serbe në fshatra të Drenicës, më 3 prill 1914, u plagosën tetë ushtarë serbë, gjersa gjatë luftimeve kryengritësit përdorën edhe bomba dore. Më 7 prill 1914, forca të shumta ushtarake të këmbësorisë, arsenal lufte – mitraloza dhe 4 topa fushorë nga Prishtina dhe Pazari i Ri, u nisën në drejtim të Komoranit të Drenicës, për të shuar lëvizjen kryengritëse në këtë trevë. Të njëjtën ditë, forca ushtarake, xhandarmëri dhe arsenal i tillë lufte u dërguan edhe në Deviç, Llaushë, Vitak e Runik. Me sa duket, shkalla e tensionit dhe luftimeve në Drenicë ishte e lartë, sepse me urdhër të Komandës Ushtarake nga Mitrovica në Drenicë u dërguan 300 rezervistë nga regjimente të këmbësorisë. Mirëpo, pothuajse të njëjtat forca ushtarake detyroheshin të riktheheshin sërish në kazerma për shkak të numrit të të vrarëve e të plagosurve në luftime me kryengritësit shqiptarë. Kështu, më 9 prill nga Lubaveci u dërguan me urgjencë në Mitrovicë 3 ushtarë të plagosur, kurse më 10 prill nga Komorani u dërguan 28 të plagosur, dy prej të cilëve ishin shqiptarë në shërbim të forcave ushtarake serbe. 

Kësisoj, për shkak të situatës alarmante, në Rrethin e Prishtinës dhe Vushtrrisë u shpall gjendje shtetrrethimi. Rrjedhimisht, organet e administratës ushtarake urdhëruan dërgimin e forcave shtesë në Drenicë, nga 11 deri më 16 prill 1914. Komorani, Llausha, Vitaku, Abria, Polaci, Deviçi e Gllanasella, ishin vendet kryesore ku u dërguan trupa të reja të regjimenteve të këmbësorisë. Masat e ndërmarra ndaj shqiptarëve të Drenicës, për të arrestuar ata dhe plaçkitur pasuritë e tyre, përkundër ankesave e protestave të tyre, drejtuesit administrativë i konsideronin të “justifikueshme, sepse përfaqësojnë një hakmarrje të drejtë të shtypjes që duhej të duronte elementi serb në kohën e Turqisë (Perandorisë Osmane, F.R)”. Sipas një informacioni që diplomati britanik në Beograd, Dayrell Crackanthorpe, i dërgon  ministrit të Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, Edward Grey, në gjysmën e parë të muajit prill 1914, për mizoritë serbe në Kosovë, ndër të tjerash konstatohet se: “Serbët kanë ndërmarrë masa jashtëzakonisht drastike, ndoshta edhe të panevojshme në ato rrethana, për fashitjen e revoltës, duke djegur shumë fshatra dhe në disa vende kanë ndodhur masakra të mëdha”.

Më 17 prill 1914, nga Pazari i Ri në Gllanasellë dhe Komoran, u dërguan 41 kalorës të trupave ushtarake serbe, kurse 4 topa fushorë u kthyen nga Komorani në Mitrovicë. Megjithëkëtë, Drenica mbetej qendër e kryengritjes, e cila e sfidonte pareshtur autoritetin e administratës ushtarake serbe në Kosovë. Sikurse nga Mitrovica, po ashtu nga Vushtrria, u dërguan në Drenicë njësite të rregullta ushtarake të këmbësorisë, të cilat kishin për qëllim shuarjen e rezistencës shqiptare. 

Në luftimet e datës 23 prill 1914, në afërsi të Komoranit, të zhvilluara ndërmjet kryengritësve shqiptarë dhe një patrulle ushtarake serbe, mbetën të plagosur 2 shqiptarë dhe dy ushtarë serbë. Në shenjë hakmarrje, autoritetet ushtarake serbe dhe administrative në Mitrovicë, riaktivizuan grupet komite serbe, për të realizuar krime të reja ndaj popullsisë shqiptare në Drenicë. Më 27 prill 1914, rreth 200 komitë serbë u shpërndanë nëpër fshatrat Bajë, Kotorr dhe Radishevë. Rrjedhimisht, shqiptarët, nën pretekstin se mbanin armë të fshehura, plaçkiteshin dhe vriteshin brenda shtëpive të tyre prej grupeve komite serbe. Në aksionet e komitëve serbë u vranë edhe dy shqiptarë në Makërmal dhe, më 28 prill 1914, dy të tjerë në Açarevë. Të njëjtën ditë, në Açarevë gjatë një prite të organizuar nga një grup shqiptarësh, mbetën të vrarë një oficer dhe një ushtar të një patrulle serbe. 

Më 29 prill 1914, komitët serbë bombarduan shtëpinë e hoxhës në fshatin Kuçicë. Rrjedhimisht, edhe vet Kryetari i Rrethit të Mitrovicës, Josif Studiq, ndërmori aksione për çarmatimin e shqiptarëve, por gjoja se nuk mori masa ndëshkimi. Në Sushtra (6 km në lindje të Kuçicës) u konfiskuan 8 pushkë, në Broboniq 14 pushkë, në Zhabar 4 pushkë dhe në Vaganicë 2 pushkë “mauzer”. Fshatra të Drenicës dhe viseve përreth, si: Açareva, Llausha, Klina, Vitaku, Runiku, Komorani, Suhogërlla, Kijeva etj., mbaheshin nën rrethim të hekurt nga batalionet ushtarake serbe, të cilat përforcoheshin pa ndërprerje me njësite të reja. Tërë ky terror bëhej për të nxitur edhe emigrimin e shqiptarëve dhe kolonizimin serbo-malazez të Kosovës, që ishte i domosdoshëm për shtratin e interesave të politikës shtetërore të Mbretërisë së Serbisë dhe Mbretërisë së Malit të Zi. Në këtë kontekst, nga nëntori i vitit 1912 deri në mars të vitit 1914, nëpërmjet portit të Selanikut në drejtim të Perandorisë Osmane, sipas burimeve serbe kishin emigruar 240.000 myslimanë të Gadishullit Ballkanik, shumica e të cilëve ishin shqiptarë.

Edhe gjatë muajit maj 1914 nuk u ndalën veprimet kryengritëse në Drenicë. Më 3 dhe 4 maj, në shpatet e malit të Çyçavicës, që ishte shndërruar në një çerdhe të rëndësishme për të mbajtur aktive lëvizjen kryengritëse, forca të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe kishin zhvilluar dy beteja të armatosura me kryengritësit shqiptarë në mes të fshatrave Likoshan, Gradicë dhe Gllanasellë. Bilanci i këtyre betejave ishte 10 të vrarë dhe po ashtu 10 të plagosur, një kryengritës i zënë rob, ndërsa të tjerët ishin arratisur. Kjo luftë e armatosur, që i shkaktonte vazhdimisht kokëçarje administratës serbe, e nxiti komandën e autoriteteve ushtarake të Qarkut të Kosovës, për të dërguar në Drenicë një batalion me dy topa, detyra e të cilit ishte kërkimi dhe kapja e kryengritësve dhe rrjedhimisht eliminimi i qëndresës së armatosur në këtë trevë.

Likuidimi i patrullës ushtarake serbe në Likoc

Për të shuar këtë lëvizje nga Gostivari në Drenicë u dërguan dy batalioni nga regjimente të këmbësorisë. Më 8 maj 1914, në Deviç u dërguan 15 karroca me shtretër ushtarakë. Në ditët e para të muajit maj, gjatë orëve të mbrëmjes, një grup i armatosur shqiptarësh sulmoi kampin ushtarak serb në Komoran. Gjatë luftimeve mbetën të vrarë një oficer (togeri Vukashin Mitiç) dhe shtatë ushtarë serbë. Po ashtu u plagosën katër vetë, të gjithë nga regjimente të këmbësorisë dhe xhandarmërisë. Nga radhët e grupit të shqiptarëve mbeti një i vrarë dhe një i plagosur. Më 12 maj 1914, një patrullë ushtarake serbe, e përbërë nga 6 ushtarë dhe 2 xhandarë, sulmoi në Likoc një grup të fortë e të armatosur shqiptarësh, që përbëhej nga 12 vetë. Grupi i armatosur i shqiptarëve përdori strategji të suksesshme, i cili, duke u tërhequr fillimisht dhe duke u shpërndarë në atë mënyrë, krijoi mundësi për të vrarë patrullën serbe, ushtarët dhe xhandarët e së cilës humbën në skutat e rrugët e Likocit. Kjo patrullë u likuidua tërësisht deri në pjesëtarin e saj të fundit. Megjithëkëtë, në Drenicë nuk u ndalën reprezaljet serbe ndaj shqiptarëve. 

Shqiptarë mbi qerre pranë kullës në një fshat të Drenicës

Komitët serbë, të armatosur në masë, urdhëronin popullsinë shqiptare të Drenicës për të emigruar, sepse qëndrimi i saj në Kosovë ishte i padëshirueshëm nga serbët lokalë, kolonë dhe administrata shtetërore. Mirëpo, shqiptarët nuk iu përgjigjën thirrjeve të tyre. Rrjedhimisht, shqiptarët arrestoheshin pa ndonjë arsye dhe më nuk ktheheshin në shtëpitë e tyre. Ndërmjet 11 dhe 16 majit në Gradicë u vranë 3 shqiptarë, kurse në Abri u arrestuan 10 shqiptarë, të cilët nën shoqërimin e rojeve i larguan nga fshati. Pothuajse çdo vendbanim shqiptar i Drenicës ishte i mbushur me komitë dhe xhandarë serbë, për fjetjen dhe ushqimin e të cilëve kujdeseshin komunat përkatëse, që kishin plaçkitur popullsinë shqiptare.  Rrjedhimisht, në gjysmën e parë të muajit maj, sipas informacioneve që kishte në dispozicion administrata e Qarkut të Zveçanit, në territorin administrativ të tij po vepronin 89 kryengritës shqiptarë: prej tyre 59 në Rrethin e Drenicës, 20 në Rrethin e Vushtrrisë dhe 10 në Rrethin e Mitrovicës. Sipas tyre, ky numër ishte simbolik në krahasim me numrin e kryengritësve në vjeshtën e vitit 1913. Në arsyetimin e këtij numri të vogël, organet e administratës serbe në Qarkun e Zveçanit, konsideronin se shumica e kryengritësve shqiptarë ishin dorëzuar, pasi që atyre u ishte lejuar kthimi në fshatrat dhe shtëpitë e veta. Në bazë të regjistrimeve të autoriteteve ushtarake serbe në Kosovë, për pjesëtarët e grupeve kryengritëse sipas rretheve dhe komunave të Qarkut të Zveçanit në vitin 1914, pothuajse nga çdo fshat i Drenicës (Skënderajt) kishte të regjistruar kryengritës, të cilët në përgjithësi arrinin shifrën e 424 vetash. Nga fshati Bajë (Zejnel Çitaku, Hamza), Kotorr (Jusuf Ajrizi, Islam Kotari, Shaban Rama, Bajram Haziri, Hasan Keça dhe Sinan Keça, djemtë e Ajet Çaushit), Kostërc (Miftar Tafa), Kuçicë (Sherif Mahmuti, Halim Bilalli), Marinë (Hajdin Kuçica), Klladërnicë (Azem Kllodernica, Sejdi Latifi), Pemishtë-Padalishtë (Daut Rexhepi, Jusuf Musliu), Rezallë (Shaban Dërguti), Çitak (Mehmet Selimi, Murat Çitaku), Kuçicë (Sherif Mahmuti), Ticë (Bahtir Okol), Abri (Sefer Sylejmani, Halil Obria), Klinë (Sylë Sejda, Bislim Selimi), Rakinicë (Bislim Ferizi) etj.

Në anën tjetër, më 16 maj 1914, inspektori i policisë serbe, famëkeqi Mihailo Ceroviq, autorizoi 27 kolonë malazezë të zgjedhnin shtëpitë dhe tokat e shqiptarëve të arratisur dhe të uzurponin e përvetësonin ato. Në raportin e tij, J. Umlauf i shkruante Vjenës zyrtare: “Më 17 maj u paraqitën tek inspektori i policisë tre imamë dhe u lutën që kolonët malazezë t’i vendoste në fshatrat e banuara nga serbët, sepse nga këta kolonë që kanë pushkë e municion mauzeri nuk mund të pritet ndonjë gjë e mirë. Inspektori i policisë, Ceroviq, i qetësoi ata duke i siguruar se kolonët e armatosur duhet të kujdesen edhe për sigurimin e atyre që nuk janë myslimanë. Çdo lokalitet i banuar nga myslimanët do të ketë 10 nga këta kolonë. Dhe është e dëshirueshme që këtyre t’u lëshohet pak arë e punuar”. 

Masakra serbe ndaj 48 shqiptarëve të Drenicës

Ndërkohë, lëvizje trupash nga Komorani në Abri, si dy vende ku qëndronin kampe, stacione ushtarake serbe dhe administrata komunale, pati edhe gjatë fundit të muajit maj. Më 26 maj 1914, në Lubavec marshoi një batalion i këmbësorisë, i cili vepronte në Lubavec, Llaushë dhe Vitak, ndërsa një batalion i regjimentit të këmbësorisë dhe 4 mitraloza ndodheshin në Abri. Në Komoran dhe Prishtinë, më 1 qershor 1914, ndodheshin dy batalione të regjimentit të këmbësorisë, katër topa malorë dhe një regjiment i kalorësisë. Kësisoj, më 26 maj 1914, pranë Cerovikut (20 km në jug të Llaushës), me sa duket afër Komoranit dhe Gllogocit, u zhvillua një përleshje e armatosur ndërmjet shqiptarëve dhe forcave ushtarake serbe, në të cilën u vranë tre ushtarë serbë. Ditën e nesërme, sipas referatit të J. Umlauf, më 27 maj 1914, “barinjtë e fshatrave Çikatovë, Abri, Polac dhe Llaushë zbuluan kufomat e 48 shqiptarëve të gjymtuar, të vrarë jashtë qytetit”. Ky terror dhe krimet serbe në Drenicë, janë argumente të rëndësishme që provojnë shkallën e shqetësimit të organeve administrative në këtë trevë dhe reprezaljet që ato ndërmorën ndaj shqiptarëve, për të eliminuar përpjekjet e tyre që sfidonin autoritetin e Mbretërisë së Serbisë dhe pikësynimin e saj për tjetërsimin e identitetit kombëtar dhe kulturor të Kosovës.

Dhuna serbe ndaj shqiptarëve

Organet e administratës serbe i tendosi jashtëzakonisht lëvizja e qëndresës së armatosur në Drenicë, prandaj nuk ndaleshin së zbatuari metoda dhe mjete të ndryshme për shthurjen e saj. Kryetari i Rrethit të Mitrovicës, Gjorgje Matiq, në mesin e metodave efektive për shuarjen e kësaj lëvizje, konsideronte në mënyrë të veçantë se ky problem i madh mund të zgjidhej “në mënyrë të përhershme vetëm duke zhvendosur ose internuar familjet e kryengritësve”. Ideja e tij mori formë konkrete kur në gjysmën e parë të muajit maj, Ministrisë së Punëve të Brendshme të Mbretërisë së Serbisë, i propozoi zhvendosjen e familjeve të kryengritësve nga shtëpitë e tyre dhe pas kësaj në këto shtëpi të vendoseshin familje të vogla kolone serbe nga fshatrat e Rrethit të Mitrovicës. Këto familje do të luanin rol të rëndësishëm në mbështetjen e administratës serbe në Drenicë. Në këtë kontekst, propozimi i tij përfshinte edhe mirëqenien e këtyre familjeve, të cilave duhej t’u jepej e drejta e shfrytëzimit dhe punimit të tokës shtetërore. Rrjedhimisht, kur të realizohej edhe ky hap, pastaj niste procesi i kolonizimit serb të Drenicës. Ky plan i Kryetarit serb u diskutua seriozisht në organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Në Drenicë janë vendosur familje kolone serbe, por praktikisht ky plan nuk është realizuar në masë specifike, për shkak se procesi i kolonizimit nuk mund të realizohej me hapa të shpejtë. Ndërkohë, edhe rrethanat politike në Mbretërinë e Serbisë pas Atentatit të Sarajevës (28 qershor 1914), ndikuan në relativizimin e politikave të brendshme në kurriz të viseve shqiptare.

Vrasje, çarmatim e mizori ndaj shqiptarëve

Organet ushtarake serbe u treguan të ashpra edhe ndaj shqiptarëve që ishin arrestuar me akuzën për sensibilizim dhe nxitje të kryengritjes kundër pushtetit serb. Kështu, me këtë akuzë, 6 shqiptarë që ishin arrestuar në fshatin Gradicë, u transferuan dhe më pas u ekzekutuan në Deviç, pa zbatuar një procedurë paraprake gjyqësore. Në këtë kontekst, duke qenë kategorike të luftonin dhe likuidonin çdo pjesëtarë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, organet serbe realizuan edhe një vrasje. Sipas informacioneve të J. Umlauf “një kryengritës që në vjeshtën e vitit 1913 ishte arratisur në Shqipëri, u kthye në fshatin e tij me qëllim të fuste kontrabandë (pa u hetuar nga organet ushtarake dhe policore serbe, F.R) në Shqipëri gruan e tij të re. I sulmuar nga xhandarët, ai ra i vdekur pasi edhe ai vrau një nga agresorët”. Ndërsa gruan e këtij kryengritësi fati e detyroi ta lidhte në bashkëjetesë të paligjshme me kryetarin e komunës së Deviçit.

Në dhjetëditëshin e parë të muajit qershor të vitit 1914, organet e administratës ushtarake serbe bënë zbarkimin e armëve dhe transferimin e trupave, të cilat përfshinin edhe territorin e Drenicës. Njëkohësisht, serbët lokalë dhe kolonë morën pjesë në aktivitete që kishin të bënin me stërvitjen e tyre për të qitur me armë. Ushtrimet në fjalë u realizuan në Mitrovicë me rastin e festës së Pashkëve Ortodokse. Po ashtu, zona e Drenicës u përball edhe me arrestime, siç ndodhi në fshatin Vitak, ku u arrestua një 25 vjeçar, pa asnjë dokument personal, për gjoja veprimtari spiunazhi në shërbim të konsullatës austro-hungareze në Mitrovicë. I arrestuari, i shoqëruar nga trupa ushtarake, u dërgua për masa të mëtejme në Shkup. Në fillim të qershorit 1914, autoritetet administrative serbe i njoftonin shqiptarët myslimanë që të pajiseshin me certifikata emigrimi dhe të largoheshin brenda tri ditëve nga Drenica dhe Kosova, sepse më vonë nuk lëshoheshin leje të tilla prej tyre. Edhe në fund të muajit qershor në Drenicë u dërguan kompani këmbësorie për të përforcuar forcat e tjera ushtarake, ndërsa nga fshati Bajë komisioni i çarmatimit solli në Mitrovicë 12 pushkë mauzer osman të konfiskuara tek shqiptarët. Në Klinë, më 12 dhe 13 qershor 1914, dy shqiptarë pasi u keqtrajtuan më pas u plaçkitën nga komitët serbë. Ndërsa më 14 qershor, prej një patrulle ushtarake serbe u plaçkit e tërë shtëpia e Keço Ajet Çaushit, i cili ndodhej i arratisur në Shqipëri.

Përfundimi

Në bazë të burimeve dhe materialeve të mësipërme, nënkuptohet se Drenica pothuajse përgjatë një viti (korrik 1913 – qershor 1914) ishte maksimalisht aktive në kuadër të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, për çlirimin e Kosovës nga pushtimi dhe aneksimi serb e malazez dhe bashkimin e saj me Shqipërinë. Përmes organizimit të luftës së armatosur, e cila u zhvillua me metoda e strategji të befasishme dhe në grupe numerikisht të vogla (30 vetë) e të mëdha (2.000 vetë), varësisht nga terreni gjeografik i veprimit, shqiptarët e Drenicës nuk e lanë asnjëherë të qetë administratën pushtuese, duke e goditur e sfiduar atë në të gjithë segmentet e saj të sigurisë (ushtarakë e policorë) e të administratës. Kjo forcë shqiptare, që njëkohësisht u kujdes për mbrojtjen e shqiptarëve nga shtypja serbe, u persekutua vijimisht nga organet e administratës serbe, u luftua me të gjitha metodat e mjetet, por nuk arriti të shuhej plotësisht, pavarësisht masakrave, terrorit e krimeve që ushtroheshin ndaj familjeve të kryengritësve, ndaj popullsisë së pafajshme dhe ndaj çdo vendbanimi të Drenicës. Në këtë kontekst, në vitet 1913-1914, Drenica përfaqëson një rol dhe kontribut të veçantë në kuadër të tentativave të popullit shqiptar të Kosovës për çlirim e bashkim kombëtar, i cili me qëndresën dhe luftën e armatosur ka përçuar një mesazh tek Fuqitë e Mëdha dhe monarkitë serbo-malazeze, se vendimet për cenimin territorial të Shqipërisë dhe ndarjen e shqiptarëve, ishin të padrejta dhe të papranueshme.

(Fund)

Filed Under: Politike Tagged With: Fitim Rifati

DRENICA NË KRYENGRITJET E VITEVE 1913-1914 DHE TERRORI SERB NDAJ SHQIPTARËVE (2)

September 6, 2022 by s p

Dr. sc. Fitim RIFATI

Instituti i Historisë – Prishtinë

Masat ndëshkimore serbe nuk u lënë përshtypje shqiptarëve 

Më 22 shtator 1913, Ajet Çaushi së bashku me vullnetarët e tij arriti të shkatërronte godinën e komunës në Abri. Në këtë kohë, në malet e Çyçavicës operonin rreth 500 kryengritës. Më 23 shtator 1913, në Drenicë shkuan dy delegacione nga Prishtina dhe Vushtrria, për të biseduar me kryengritësit, për të qetësuar situatën dhe për të pajtuar ata me realitetin e ri. Mirëpo, delegacionet nuk arritën sukses në misionin e tyre. Kësisoj, më 26 shtator 1913, në fshatin Polac, në jugperëndim të Llaushës, në orët e natës u vranë dy xhandarë. Veç kësaj, në fund të shtatorit 1913, me urdhër të Mbretit Petri I Karagjorgjeviq dhe të Ministrisë së Luftës, të gjithë oficerët rezervë, detyruesit ushtarakë dhe repartet e furnizimit të të gjitha njësive të trupave të këmbësorisë, kalorësisë dhe artilerisë, u obliguan për t’u aktivizuar në lokalizimin dhe shuarjen e kryengritjes së shqiptarëve. Ato ditë një grup shqiptarësh të armatosur prej 20 vetash realizoi një operacion kundër Gjykatës së Krasmirocit gjersa në Llaushë vranë një nëpunës administrativ. Më 28 shtator 1913, katër topa malorë së bashku me 200 këmbësorë dhe 200 serbë lokalë nga Mitrovica, të pajisur me armatim morën rrugë në drejtim të Drenicës. 

Shifrat e mësipërme nënkuptojnë se morali luftarak i trupave ushtarake serbe ishte i dobët dhe se ushtarët serbë nuk shprehnin gatishmëri të luftonin me shqiptarët, për shkak të lodhjes gjatë Luftërave Ballkanike, frikës dhe strategjisë së luftës së befasishme që zbatonin shqiptarët. Prandaj, inkuadrimi i formacioneve luftarake mercenare, ishte nevojë e domosdoshme për të plotësuar boshllëkun ushtarak dhe për të shuar kryengritjen e shqiptarëve në Drenicë.

Inspektori i policisë serbe me qendër në Shkup, Mihailo Ceroviq, dha urdhër që familjet e kryengritësve të internoheshin menjëherë. Thirrjet e tellallit në formë ultimatumi, për dorëzimin e kryengritësve brenda 15 ditësh, nuk u bënë përshtypje shqiptarëve. Madje as amnistia nëse ata e respektonin këtë shpallje dhe ndëshkimi si dezertorë, internimi i familjeve në viset e vjetra të Serbisë e konfiskimi i pasurive nuk frikësuan aspak kryengritësit. Sipas informacioneve të konsullatës austro-hungareze në Mitrovicë, “ky lajmërim u dëgjua duke qeshur prej shqiptarëve!”. Përkundrazi, morali luftarak i shqiptarëve po rritej e paralelisht me të edhe radhët e kryengritësve. Më 29 shtator 1913, nga Mitrovica u nisën drejt Prekazit të Drenicës rreth 30 vullnetarë shqiptarë, të cilëve gjatë rrugës deri në Prekaz iu bashkuan edhe 120 vetë. Mbështetur në informacionet e saj të besueshme, konsullata austro-hungareze në Mitrovicë vinte në përfundimin se nga rrethet e Prishtinës, Vushtrrisë dhe Mitrovicës “po vrapon me flamur, një sasi e madhe shqiptarësh për në Drenicë”. 

Mirëpo, duke parë që thirrjet e organeve administrative në drejtim të shqiptarëve, për të ndërprerë kryengritjen, nuk patën sukses, atëherë Qeveria në Beograd urdhëroi ndërmarrjen e masave të ashpra ndëshkimore ndaj shqiptarëve. Arrestimet, vrasjet në masë, burgosjet, plaçkitjet, djegiet e shtëpive etj., u bënë metoda të përditshme që ushtroheshin ndaj shqiptarëve. Këto akte kryheshin në bashkëpunim dhe pjesëmarrje aktive edhe të serbëve lokalë. Historiografia serbe justifikon reprezaljet e ushtrisë dhe të policisë serbe ndaj shqiptarëve, me arsyetimin e çarmatimit të tyre, për të vendosur rendin dhe për të penguar çdo veprimtari subversive, përpjekje e bashkëpunim të shqiptarëve me Shqipërinë, e cila mund t’i sillte probleme shtetit serb në ruajtjen e rendit dhe qetësisë në Kosovë. Mbretëria e Serbisë, për të përligjur masat ndëshkimore ndaj shqiptarëve, me anë të shtypit në Beograd hiperbolizonte shifrën e kryengritësve shqiptarë në të gjitha viset, duke pretenduar se numri i tyre arrinte në 80.000 vetë, që binte në kundërshtim me mundësitë dhe kapacitetet reale të forcave kryengritëse dhe nevojave të saj. Numri më i përafërt i kryengritësve shqiptarë, sipas vlerësimeve të konsullatës austro-hungareze në Shkup, ishte midis 10.000 dhe 20.000 vetë. 

Ajet Çaushi dhe Shaban Kopriva drejtojnë Drenicën në kryengritje

Megjithëkëtë, shkalla e luftimeve ndërmjet kryengritësve në njërën anë dhe forcave ushtarake e mercenare serbe në anën tjetër, u rrit në fillim të tetorit të vitit 1913. Më 1 tetor 1913, sipas njoftimit të përfaqësuesit diplomatik të Austro-Hungarisë në konsullatën e Mitrovicës, J. Umlauf, në Drenicë kishte filluar një përleshje e armatosur ndërmjet forcave ushtarake serbe dhe kryengritësve shqiptarë. Për rrjedhojë, më 1 dhe 2 tetor 1913, në Drenicë u dërguan forca shtesë për të shuar rezistencën shqiptare. Të njëjtën ditë, drejtuesi i legatës austro-hungareze në Beograd, Wilhelm Ritter von Storck, i raportonte Ministrisë së Punëve të Jashtme në Vjenë se në Drenicë gjendja ishte e turbullt, radhët e forcave kryengritëse shqiptare po shtoheshin, për shkak se e tërë kjo krahinë po zbrazej nga trupat ushtarake serbe, duke bërë që autoriteti administrativ serb në këtë zonë të jetë i pafuqishëm. Thirrjet e autoriteteve ushtarake në drejtim të serbëve lokalë, për të shërbyer si komitë në aksionet ushtarake kundër shqiptarëve, nuk gjetën mbështetje. Serbët lokalë deklaruan se “pa shpërblim nuk duan të kryejnë këtë shërbim të rrezikshëm”. Në anën tjetër, në mesin e drejtuesve të kryengritësve në Drenicë ishte edhe Ajet Çaushi, i cili rreth vetes tashmë kishte 70 vullnetarë në fshatin Abri. Ai besonte se sensibilizimi i Kryengritjes do të ndikonte që të shtoheshin radhët e vullnetarëve. 

Më 9 tetor 1913, J. Umlauf i dërgoi Vjenës zyrtare edhe një raport të hollësishëm mbi ngjarjet kryesore nga 1 deri më 9 tetor. Sipas raportit të tij, më 1 tetor në Llaushë të Drenicës u zhvilluan luftime ndërmjet kryengritësve dhe ushtrisë serbe. Numri i forcave kryengritëse arrinte shifrën në 1.000 vetë, nën drejtimin e prijësit të njohur shqiptar Shaban Kopriva. Mirëpo, 500 kryengritës nuk arritën të rezistonin dhe për pasojë u sprapsën në Stërnac të Epërm të Zubin Potokut. Ky sukses i forcave ushtarake serbe në Drenicë u arrit edhe me aktivizimin e 330 pjesëtarëve të njësisë së zbulimit, të cilët ishin të ndarë në grupe me nga 11 vetë (njëri që shkruante dhe vëzhgonte terrenin me dylbi, kurse 10 të tjerë ishin të armatosur mirë dhe me bomba dore). Të nesërmen, komitët serbë tentuan që në Kotorr të Drenicës të zinin udhëheqësin e shqiptarëve, Keço Ajet Çaushin, në kullën e tij. Mirëpo, në kullë ndodheshin 60 kryengritës, të cilët nuk i lanë komitët serbë të afroheshin pranë kullës, madje u shkaktuan atyre 8 të vrarë e 7 të plagosur. 

Megjithëkëtë, ekspedita ndëshkimore serbe në Drenicë ishte e ashpër, për mizoritë e të cilës flitej kudo në Kosovë. Përkundër kësaj, kryengritja e shqiptarëve në Drenicë nuk ishte shuar tërësisht. Në Llapushnik, përkatësisht në malin e Goleshit, operonin rreth 2.000 kryengritës, numri i të cilëve u shtua nga 150 shqiptarë të ardhur nga fshatrat veriperëndimore të Mitrovicës. Më 7 tetor në Lubavec një shqiptar u vra nga komitët serbë, ndërsa në mbrëmjen e 8 tetorit në Klinë u dëgjuan të shtëna armësh, por nuk bëhej e ditur për hollësi të tjera. Ndërkaq më 9 tetor 1913, pas një orë luftimesh të zhvilluara në Broboniq ndërmjet një grupi kryengritësish dhe njësive ushtarake serbe, situata e trazuar u vu nën kontroll e rrjedhimisht u arrestuan 50 shqiptarë të fshatrave Broboniq dhe Çubrel. Rrjedhimisht, mbaheshin të ndërprera edhe vizitat e popullsisë së Drenicës në pazarin e Mitrovicës.

Në burimet serbe vërehet ndjeshmëria e lëvizjes kryengritëse sidomos në Drenicë, ku ushtria serbe dhe xhandarmëria nuk kishin forca të mjaftueshme për shuarjen e saj. Ndër trajtat e zakonshme të organeve serbe, të cilat kishin për tendencë të godisnin psikologjinë e kryengritësve shqiptarë dhe prijësve të tyre, ishte arrestimi, burgosja ose internimi i familjeve të tyre, si metoda për të joshur dhe paralizuar kryengritësit. Internimi i familjeve të kryengritësve, që parashihej të bëhej sipas një vendimi të lëshuar nga inspektori i policisë serbe me qendër në Shkup, Mihailo Ceroviq, me sa duket pati efekt te një pjesë e kryengritësve shqiptarë. Në mesin e tyre, 16 vetë nga fshati Broboniq i Mitrovicës, për të parandaluar internimin e familjeve të tyre, ishin paraqitur para organeve të administratës. Rrjedhimisht, vendimi për internimin e familjeve të tyre ishte anuluar, që nënkuptonte efektin psikologjik që këto masa kishin në goditjen morale të lëvizjes kryengritëse në Drenicë dhe më gjerë.

Drenica shpallet “zonë ushtarake e mbyllur”, për të kryer krime ndaj shqiptarëve

Pavarësisht kësaj, organet ushtarake serbe nuk arritën të shuanin plotësisht qëndresën e kryengritësve në Drenicë. Megjithëqë në disa fshatra u realizuan ekspedita të fuqishme ushtarake, që shuan përkohësisht qëndresën shqiptare, në fshatra të tjera ajo rilindte me forca të reja. Kësisoj, më 11 tetor 1913, në fshatin Pemishtë (Padalishtë) u rishfaqën forca kryengritëse, të cilat i sillnin telashe organeve të administratës serbe dhe malazeze në rrugën Mitrovicë-Pejë. Mirëpo, reaksioni serb, përkatësisht i komitëve serbë që kryenin vrasje në Drenicë, nuk pengohej e as nuk ndalej ndaj shqiptarëve që nuk ishin pjesë e kryengritjes. Sipas burimeve të konsullatës austro-hungareze në Mitrovicë, të raportuara Vjenës zyrtare, më 24 tetor 1913, nënvizohet: “Një serb nga Çagllavica (rrethi i Prishtinës) mburresh hapur se vetëm ai, kohët e fundit kish vrarë 100 shqiptarë (në Drenicë, F.R)”. Veç kësaj, arrestimet, internimet e burgosjet pothuajse u bënë përditshmëri. Madje edhe masakrimi i grave, pleqve e fëmijëve të pambrojtur në Drenicë dhe gjithë zonat kryengritëse, ishte bërë një akt trimërie për serbët lokalë dhe organet ushtarake. Këto veprime i përforcoi edhe akti i shpalljes së Drenicës si “zonë ushtarake e mbyllur”, që i linte dorë të lirë organeve ushtarake dhe komitëve serbë për të kryer krime ndaj shqiptarëve. Në këtë kontekst, në bazë të një njoftimi që qarqet diplomatike austro-hungareze në Beograd i dërgojnë Ministrisë së Punëve të Jashtme në Vjenë, më 13 tetor 1913, konstatohet: “Ekspedita e ndëshkimit kundër shqiptarëve u vu në zbatim me egërsinë dhe brutalitetin më të pashembullt. Mijëra të pafajshëm janë masakruar. Qindra fshatra janë djegur. Kolonelin famëkeq konspirator Damian Popoviqin e presin për kasaphanat e tija dekoratat e gjeneralit, prej duarve të Mbretit”. Rrjedhimisht, Mbretëria e Serbisë mori shkas të rifillonte aksionin e saj shtypës në Kosovë, që kishte për qëllim shpopullimin dhe plaçkitjen sistematike e rrënjësore të saj.

Kryengritja në Drenicë gjatë gjysmës së parë të vitit 1914 dhe krimet serbe

Edhe në vitin 1914, kryengritja e shqiptarëve në Drenicë nuk u ndal. Shqetësimi dhe pakënaqësia e popullsisë mbi gjendjen e vështirë rritej më tej. Autoritetet administrative serbe rëndësi më të madhe në veprimtarinë e tyre i kushtonin vjeljes arbitrare të taksave, tatimeve e gjobave në të holla. Në mesin e funksionarëve administrativë, në masë u përhap edhe fenomeni i korrupsionit. Kësisoj, gjendja ekonomike e popullsisë sa vinte e rëndohej e rrjedhimisht ndërmerrej edhe emigrimi. Përgjegjësi provizor në konsullatën austro-hungareze në Mitrovicë, J. Umlauf, në raportin e datës 1 janar 1914, i shkruante Vjenës zyrtare: “Pezmatimi ka arritur deri në atë pikë sa shumë ushtarë flasin hapur se në rast të një lufte të re (në Drenicë, F.R) nuk do të shkojnë të përdorin armët kundër armikut, por kundër mbretit e ministrave”. Ai nënvizonte: “Nga lajmet që vijnë e shtohen duhet besuar se në pranverë do të mjaftonte një e shtënë arme, që gjithë popullata myslimane (shqiptare, F.R) të mbledh armët nën flamurin kundër Serbisë”.

 Më 6 janar 1914, një shqiptar i Drenicës, i cili po kthehej nga Shqipëria, në Akrashticë të Vushtrrisë kishte vrarë një xhandar dhe kishte plagosur një tjetër, të cilët e ndiqnin pasi e kishin zbuluar gjatë patrullave të xhandarmërisë serbe. Në mars të vitit 1914, në Drenicë u përshkallëzuan aksionet e grupeve kryengritëse e rrjedhimisht numri i forcave të tyre, që për autoritetet serbe nënkuptonte një riorganizim me tipare të një kryengritje me përmasa të theksuara. Për këto arsye, autoritetet administrative-ushtarake serbe në Rrethin e Mitrovicës nuk hoqën dorë nga armatosja e popullsisë lokale serbe, për shkak të drojës së madhe nga kryengritja e pandërprerë e shqiptarëve të Drenicës. Po ashtu, edhe lëvizjet e trupave ushtarake të këmbësorisë, kalorësisë dhe artilerisë bëheshin në përputhje me shkallën e kryengritjes. Kësisoj, më 14 mars 1914, një repart i xhandarmërisë prej 40 vetash nga Pazari i Ri shkoi në Llaushë. 

Paralajmërimet e drejtuesve kryesorë shqiptarë të Kosovës në Shqipëri, përmes organizatës “Besa shqiptare”, se në fund të marsit dhe në fillim të prillit 1914, planifikohej të shpërthente një kryengritje e re në Kosovë, u bënë realitet. Në referatin e datës 31 mars 1914, të J. Umlauf, konstatohej: “Sipas njoftimeve nga njerëz të besueshëm gjendja shpirtërore e shqiptarëve të Drenicës është shumë e acaruar”. Një pjesë e madhe e shqiptarëve nga shumë fshatra të Drenicës iu bashkuan kryengritësve në zonën e Hasit dhe të Lumës. Kësisoj, vetëm nga Polaci afër Llaushës, më 27 mars 1914, shkuan 30 vetë. Sipas J. Umlauf “letrat që vinë nga Shqipëria me korrierët i ftojnë shqiptarët që jetojnë në territoret serbe e malazeze të grumbullojnë mjaft miell dhe të mos shesin bagëti të trasha. Këto lajme e ngjarjet më të fundit në (…) Drenicë sigurisht s’kanë për të mbetur pa jehonë”. Kështu, reparte të xhandarmërisë, njësite të këmbësorisë e kalorësisë dhe arsenal lufte (mitraloza, topa fushorë, municion), në javën e fundit të muajit mars u dërguan nga Pazari i Ri, Mitrovica e Vushtrria për në Drenicë. Veprimtaria e kryengritësve të shpërndarë në pjesën më të madhe në Drenicë dhe pjesërisht në bajrak të Astrazupit e Rahovec, ishte e pandalshme dhe se organet e administratës ushtarake ishin të vendosura për shpartallimin e saj dhe rivendosjen e rendit. Sipas raporteve të përfaqësuesve të administratës shtetërore dhe ushtarake serbe në Kosovë, dërguar Ministrisë së Luftës në Beograd, kryengritësit ishin të armatosur me pushkë dhe municion. Përkundër mungesës së ushqimit, ata ishin të entuziazmuar për të luftuar pushtetin serb. Në mesin e tyre ekzistonte një disiplinë shembullore, sipas të cilës nuk lejohej keqtrajtimi i ushtarëve e xhandarëve serbë, por vetëm konfiskimi i armëve. 

(Vijon)

Filed Under: Histori Tagged With: Fitim Rifati

DRENICA NË KRYENGRITJET E VITEVE 1913-1914 DHE TERRORI SERB NDAJ SHQIPTARËVE 

September 2, 2022 by s p

Dr. sc. Fitim RIFATI

Instituti i Historisë – Prishtinë

Pushtimi serb e malazez i Kosovës në tetor-nëntor të vitit 1912 dhe aneksimi i dhunshëm i saj në kuadër të Mbretërisë së Serbisë dhe Mbretërisë së Malit të Zi më 1913, si pasojë e vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, u shoqërua me qëndresën e armatosur të shqiptarëve në mbrojtje të viseve të tyre. Drenica ishte vazhdimisht aktive në përpjekjet e armatosura për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e saj me Shqipërinë. Kjo trevë shqiptare në gjirin e saj kishte një lëvizje të organizuar dhe të armatosur, e cila pavarësisht se nuk mund të realizonte praktikisht idealet e saj, nuk e la të qetë administratën e dhunshme ushtarake e policore serbe. Kjo lëvizje, për aq sa kishte fuqi njerëzore-luftarake, luante edhe rolin e mbrojtësit të popullsisë shqiptare nga shtypja serbe. Në këtë studim, sillet një dimension i ri burimesh e informacionesh, të cilat të mbështetura në dokumente kryesisht të proveniencës austro-hungareze, paraqesin risi momentesh e personalitetesh. Ky studim nuk anashkalon as burimet dokumentare e historiografike serbe, të cilat përligjin veprimet e autoriteteve serbe ndaj shqiptarëve dhe përpiqen të shpërfillin e minimizojnë karakterin dhe rëndësinë e qëndresës shqiptare. Në këtë kuadër, duke analizuar e krahasuar dokumentet, shtypin e kohës dhe literaturën historiografike, është synuar maksimalisht që kjo çështje të trajtohet objektivisht.

Përkufizimi gjeografik i Kryengritjes dhe statusi administrativ i Drenicës

Drenica shtrihet në pjesën qendrore të Kosovës, në mes të rrafshit të Kosovës dhe të Dukagjinit. Në lindje kufizohet me malin e Goleshit dhe të Çyçavicës, në veri me malin Mokna, në perëndim me Rrafshin e Dukagjinit, Kosmaçin, malet e Berishës dhe në jug me malet e Caralevës. Ka pozitë gjeografike kryesisht kodrinore dhe malore. Konfiguracioni i terrenit gjeografik në Drenicë ishte i përshtatshëm për shqiptarët, që në këto vite të fshiheshin nga ndjekjet e vazhdueshme të organeve të administratës ushtarake dhe policore serbe. Në mungesë të arsenalit luftarak dhe numrit të forcave njerëzore-kryengritëse, terreni kodrinor dhe malor i krijonte mundësi shqiptarëve për të organizuar dhe funksionuar veprimtarinë e luftës së befasishme (guerile). Veç kësaj, kryengritësit gëzonin përkrahje në pjesën më të madhe të popullsisë, veçanërisht në familjet e tyre dhe rrethin familjar lehtë gjenin strehim dhe ushqim gjatë gjithë kohës sa vepronin dhe përndiqeshin prej pushtetit serb. Një rol të rëndësishëm në mbështetje të tyre ka dhënë edhe femra e gruaja shqiptare, e cila krahas kujdesit familjar angazhohej në furnizimin e kryengritësve me ushqime e armatim dhe në disa raste merrte pjesë drejtpërdrejtë në aksione e beteja kundër armikut.

Lëvizja e qëndresës së armatosur në Kosovë, përfshi edhe Drenicën, kundër pushtimit dhe administrimit serb, ka vijuar aktivitetin e saj edhe në fillim të vitit 1913 dhe përgjatë tërë këtij viti. Menjëherë pas pushtimit serbo-malazez të Kosovës dhe viseve të tjera, organet pushtuese serbe e malazeze morën masa për të eliminuar administratën dhe institucionet e periudhës osmane dhe nxorën ligje e mekanizma të administrimit ushtarak, policor, gjyqësor e financiar, të lidhura drejtpërdrejtë me dikasterët përkatës në Beograd dhe Cetinë. Pas ligjësimit të aneksimit serbo-malazez të Kosovës nga Fuqitë e Mëdha, Ministria e Punëve të Brendshme e Mbretërisë së Serbisë, më 18 gusht 1913, në bazë të dekretligjit që ishte hartuar enkas për viset e “çliruara”, i ndau ato në 11 qarqe, të cilat drejtoheshin nga prefektët. Qarqet u ndanë në 46 rrethe që drejtoheshin nga nënprefektët. Rrethet u ndanë në njësi më të vogla administrative (komuna), të cilat drejtoheshin nga kryetarët. Viset e Kosovës përfshiheshin në Qarkun e Kumanovës, në Qarkun e Pazarit të Ri, në Qarkun e Prizrenit, në Qarkun e Prishtinës dhe në Qarkun e Shkupit. Mikroregjioni i Drenicës hynte në kuadër të Qarkut të Kosovës dhe të Pazarit të Ri. Në nëntor të vitit 1913, organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme krijuan edhe Qarkun e Zveçanit, i cili e kishte qendrën në Mitrovicë, në kuadër të të cilit hynin: Rrethi i Mitrovicës, i Vushtrrisë dhe i Drenicës me qendër në Deviç. Nga 14 marsi i vitit 1914, qendër e Rrethit të Drenicës u bë Llausha. Rrethi administrativ-territorial i Drenicës përfshinte 7 komuna, 72 fshatra, 7 lagje e 1 manastir, që përgjithësisht numëronte 23.821 banorë. Veç një pjese të vogël serbësh në Bajë, Runik, Kostërc e Llaushë, në Rrethin e Drenicës jetonte vetëm popullsia shqiptare. Në këtë kuadër, duke qenë se kjo trevë banohej kryesisht me shqiptarë, organizimi dhe veprimtaria e lëvizjes së rezistencës së armatosur ishte pjesërisht më e lehtë krahas rretheve e krahinave të tjera ku kishte popullsi etnikisht të përzier ose fshatra të banuara me minoritet serb. Elementi serb, që prej pushtimit dhe aneksimit të Kosovës mori pjesë në aksione të armatosura kundër shqiptarëve dhe bashkëpunoi me administratën serbe. Prandaj, përderisa mungonte shtrirja e këtij elementi në të gjithë Drenicën, atëherë edhe mundësia e shpartallimit të qëndresës shqiptare ishte më e vogël.

Drenica në Kryengritjen e vitit 1913 dhe terrori serb ndaj shqiptarëve

Shkaqet kryesore që nxitën shqiptarët për të organizuar qëndresë të armatosur ishin: reprezaljet shtetërore, administrative, ushtarake e civile serbo-malazeze ndaj shqiptarëve, që u manifestuan me grabitje, plaçkitje, gjoba, taksa e tatime të papërballueshme; rekuizime, sekuestrime, punë të detyrueshme dhe angari; cenim të besimit fetar dhe nderit në familje; ekspedita ushtarake ndaj shtëpive dhe vendbanimeve, shpërfillje e ankesave të shqiptarëve nga organet e administratës dhe qeverisë; mërzitje, përpëlitje, keqtrajtime, torturë, violencë, burgosje, internime, djegie me pretekst të shtëpive dhe vendbanimeve; pushkatime, vrasje e masakra; mosgjykim e mosndëshkim të krimeve etj. Pra, shqiptarët u detyruan të zgjedhnin rrugën e kryengritjes, për t’i shpëtuar shtypjes, asimilimit dhe likuidimit.

Historiografia serbe është e prirë që lëvizjen e qëndresës së armatosur në Kosovë, madje në mënyrë të veçantë edhe në Drenicë, ta shoh të lidhur me rrjedhat politike në Ballkan. Kështu, në kohën e përfundimit të Luftës së Dytë Ballkanike, në korrik dhe në gusht të vitit 1913, krerët shqiptarë të Drenicës, gjoja duke shfrytëzuar dislokimin e trupave ushtarake serbe në frontin me Bullgarinë, organizuan lëvizjen e armatosur kundër pushtimit serb. Mirëpo, reagimi i menjëhershëm i organeve ushtarake dhe policore serbe, kishte ndikuar që kjo lëvizje të shpartallohej në fillesat e saj. Rrjedhimisht, shqiptarët e armatosur u thyen, krerët kryesorë u vranë dhe në shenjë dënimi shtëpitë e gjithë pjesëmarrësve u dogjën. Deri në fillim të muajit gusht, qarqet ushtarake serbe në Drenicë, vlerësonin se në këtë krahinë paqja ishte mbizotëruesja e vetme. Në të vërtetë prijësit shqiptarë të Kosovës, por edhe popullsia civile, refuzuan të bashkëpunonin me organet serbe, por vetëm me prijësit e tyre në Shqipëri, si: Hasan Prishtina, Isa Boletini, Bajram Curri etj. Për këtë arsye, pa zbatuar procedura gjyqësore, shqiptarët u burgosën, u izoluan, u internuan dhe u vranë. Në mesin e tyre ishin edhe krerë të shquar të Lëvizjes Kombëtare nga Drenica, si: Halil Haxhia nga Vitaku, Hetem Kozhica nga Kozhica, Fejzullah Lubaveci nga Lubaveci, Temë Dobrosheci nga Dobrosheci, Rexhep Bajraktari nga Llausha, Ramadan Bajraktari nga Klina dhe tetëmbëdhjetë prijës të tjerë, të cilët organet ushtarake serbe, përkitazi me politikën shtetërore ndaj shqiptarëve, i ekzekutuan në Kaçanik.

Historiani Islam Dobra, i cili ka shkruar gjerësisht për rolin dhe kontributin e krerëve të Drenicës në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, në bazë të shënimeve të grumbulluara prej bashkëkohësve në terren, konstaton se këta prijës të shquar u likuiduan në mes të Vushtrrisë dhe Mitrovicës, pas një kohe të pushtimit serb të Kosovës, duke mos specifikuar datën, muajin dhe vitin.

Vrasja e këtyre krerëve të Drenicës bëri përshtypje të madhe në Kosovë dhe në shtypin ndërkombëtar. Ajo ishte një mesazh për prijësit e tjerë, që t’i shpëtonin aksionit të organeve serbe për likuidimin fizik të të gjithë krerëve shqiptarë. Kësisoj, Jetullah Vojniku nga Vojniku i Drenicës, së bashku me 60 bashkëveprimtarë të tij, u arratis në Shqipëri. Për pasojë, ashpërsimi i raporteve ndëretnike mes shqiptarëve dhe serbëve u rrit për një shkallë. Kështu, serbët e fshatit Llaushë u zhvendosën në Vushtrri, ndërsa 40 familje serbe nga Peja u shpërngulën në Runik. Ndërkohë, më 8 shtator 1913, nga Koshtova dhe Selaci i Mitrovicës shkuan në Drenicë 14 përkatësisht 13 shqiptarë. Kjo situatë e tensionuar ndikoi që asnjë shqiptarë nga Drenica të mos shkonte më të vizitonte tregun në Mitrovicë. Në anën tjetër, organet administrative serbe i nuhatën lëvizjet e shqiptarëve dhe paraprakisht vendosën të armatosnin elementin serb, në mënyrë që të jetë i gatshëm për një përleshje të armatosur përkrah ushtrisë serbe kundër shqiptarëve. Këto raste tregonin më së miri se në Drenicë po fillonte riorganizimi i veprimeve të armatosura kundër shtypjes, pushtimit dhe aneksimit serb e malazez të Kosovës.

Kuvendi i Llaushës dhe vendimet e tij

Në të njëjtën kohë, krerët e Lëvizjes Kombëtare, të cilët vepronin në Vlorë në kuadër të përpjekjeve për konsolidimin shtetëror të Shqipërisë, si: Hasan Prishtina, Isa Boletini, Bajram Curri, Riza Gjakova e Mehmet Derralla, vlerësuan të rëndësishëm armatimin e popullsisë së Kosovës, përfshi edhe Drenicën. Me urdhër të tyre dhe në kanale të fshehta, në Drenicë arriti sasi armatimi, e cila iu shpërnda popullsisë dhe veçanërisht burrave e djemve të gatshëm për luftë. Organizimin e Kryengritjes e ndihmoi edhe roli i Komitetit ose Shoqërisë “Shkipnia”, në gjirin e së cilës ishin tubuar prijës të shquar të Lëvizjes Kombëtare nga të gjitha viset shqiptare. Ajo krijoi dhe mbajti lidhje me të gjitha viset e Kosovës, përfshi edhe Drenicën. Në këtë kontekst, në gusht të vitit 1913, në Llaushë u mbajt një kuvend i shqiptarëve, në të cilin u mor vendim që Drenica të bashkohet me Kryengritjen dhe të japë kontributin e saj në luftën për çlirimin e viseve shqiptare nën pushtimin dhe aneksimin serb e malazez.

Nuk vonoi aspak kur veprimet e armatosura nisën në zonën e Drenicës. Më 9 shtator 1913, në afërsi të fshatit Pemishtë (Padalishtë), përkatësisht në rrugën Mitrovicë-Pejë, kryengritësit shqiptarë vranë një oficer dhe dy ushtarë malazezë, që po shoqëronin një kolonë transporti me misër. Gjoja për t’i mbrojtur nga “sulmet e befasishme dhe qëllimet plaçkitëse të shqiptarëve”, organet e administratës ushtarake serbo-malazeze në Kosovë vëzhgonin në vazhdimësi transportet e mallrave. Mirëpo, përkundër kësaj, më 11 shtator 1913, autoritetet serbe në Rrethin e Mitrovicës, shpallën edhe zyrtarisht aneksimin e Kosovës Mbretërisë së Serbisë dhe Malit të Zi. Ato organizuan një festë, në të cilën mori pjesë minoriteti serb, kurse të shtënat me rastin e kësaj feste u bënë të pandërprera dhe valëvitja e flamurit kombëtar serb u bë në mënyrë entuziaste. Përkundrazi, aneksimin serbo-malazez të Kosovës nuk e pranuan shqiptarët, që konsideronin se vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër dhe aneksimi i trumbetuar nga organet administrative serbe, ishin akte të padrejta dhe cenonin aspiratat e qenien kombëtare të popullit shqiptar dhe trojeve të tij.

Në një raport të datës 19 shtator 1913, të konsullatës austro-hungareze në Mitrovicë, përkatësisht përgjegjësit të saj Josef Umlauf, provohet se në Drenicë ekzistonte një gatishmëri e shqiptarëve që t’i përgjigjeshin thirrjeve të Isa Boletinit, për të shkuar në Shqipëri dhe për t’iu bashkuar radhëve të kryengritësve. Ministria e Punëve të Jashtme e Mbretërisë së Serbisë në Beograd ishte e shqetësuar mbi rolin dhe ndikimin që Hasan Prishtina dhe Isa Boletini kishin në Shqipëri dhe veçanërisht në organizimin e shqiptarëve, për të ndërmarrë veprime të armatosura kundër pushtimit e pushtetit serb në Kosovë. Ajo, përmes një qarkoreje i informonte të gjitha ambasadat se në tre muajt e fundit, Hasan Prishtina e Isa Boletini kishin arritur të siguronin dhe furnizonin me armatim kryengritjen e shqiptarëve në Kosovë, përfshirë edhe Drenicën. Për këtë arsye, Qeveria serbe kishte vendosur të merrte masa për përforcimin e rojeve ushtarake në kufi me Shqipërinë. Mirëpo, numri i shqiptarëve që niseshin drejt Shqipërisë rritej pothuajse çdo ditë. Burrat e aftë për luftë dhe të guximshëm, përkundër rrethanave të vështira të kohës, lan të vetme familjet e tyre, të pambrojtura dhe me ushqime të pakta. 

“Dezertimi” i Ajet Çaushit

Në mesin e prijësve të Drenicës ishte edhe Ajet Çaushi. Ai, pas pushtimit serb të Kosovës, ishte shtrënguar të inkuadrohej në radhët e administratës ushtarake serbe, duke shërbyer në sektorin e xhandarmërisë në kuadër të Rrethit të Mitrovicës. Në verë të vitit 1913, kur autoritetet e administratës ushtarake kishin krijuar besim në personalitetin e tij, me rastin e festës së Bajramit Ajet Çaushi mori një leje pushimi për dhjetë ditë, pas të cilës nuk u kthye më të shërbente në sektorin e xhandarmërisë. Veprimi i Ajet Çaushit nënkuptonte se ai u njoh për së afërmi me qëllimet shtetërore serbe ndaj Kosovës, prandaj vendosi që këtë pushtet ta luftonte deri në frymën e fundit. Në raportin e J. Umlauf vihet në dukje se pas këtij veprimi, Ajet Çaushi në Duboc të Drenicës “mblodhi rreth vetes 30 shokë, u nis nga Drini, ku një patrullë e fortë e pengoi kalimin. Ai e sulmoi patrullën dhe pasi i kishte shkaktuar asaj një humbje prej 7 të vdekur e 6 të plagosur, u kthye në Drenicë”. Në dokumentet serbe personaliteti i Ajet Çaushit identifikohet me emrin Keço Ajriz Çaushi nga Kotorri i Drenicës. I biri i tij, Hasani, ishte ndër prijësit kryesor dhe protagonist në Kryengritjen e vitit 1914. Me rastin e “dezertimit” të Ajetit nga administrata e Rrethit të Mitrovicës, dokumentet serbe japin si arsyetim se ai, pasi iu lut djemve të tij, Hasanit, Sinanit dhe Nuriut, të ktheheshin nga Shqipëria në Drenicë, gjë që u refuzua prej tyre, vendosi të heq dorë nga shërbimi i mëtejshëm dhe me 30 shokë të tij të niset në drejtim të Shqipërisë.

Veprimi i Ajet Çaushit la përshtypje të thellë në Drenicë e viset përreth. Për arrestimin dhe vrasjen e tij u angazhuan madje edhe vet drejtuesit administrativë të rretheve. Kësisoj, Kryetari i Rrethit të Vushtrrisë, iu bashku aksionit për kapjen e Ajet Çaushit, për të cilin siguroi informacione se ndodhej në fshatin Abri. Me urdhrin e Kryetarit u shkatërrua shtëpia ku ndodhej Ajet Çaushi. Sipas J. Umlauf “Ajet Çaushi, i lajmëruar për praninë e naçellnikut (Kryetarit, F.R), e priti në rrugë dhe shtriu për tokë një xhandar. Naçellniku iku në Vuçitërn (Vushtrri, F.R)”. Megjithëkëtë, vala e largimit të shqiptarëve të aftë për luftë nga Drenica, për t’iu bashkuar qendrës së Kryengritjes dhe drejtuesve të saj në Shqipëri, nuk u ndal. Natën e 12 dhe mëngjesin e 13 shtatorit 1913, “rreth 200 shqiptarë të armatosur qenkan arratisur nga rrethi i Mitrovicës dhe nga Drenica”. Rrjedhimisht, edhe udhëtimet nga një fshat në tjetrin bëheshin të vështira dhe të pasigurta, për shkak të gjendjes kritike, të tensionuar dhe me tipare të paraluftës. Sipas shtypit serb, një strategji e furnizimit me armë, e cila u përdor para dhe gjatë Kryengritjes së shtatorit 1913, ishte aktivizimi i gruas, e cila “i mbushte bukët me fishekë” dhe ia dërgonte kryengritësve. Jo vetëm kaq, qarqet gazetareske serbe kishin informacione të hollësishme mbi pjesëmarrjen e gruas shqiptare në radhët e kryengritësve. Sipas tyre, shqiptarët “që bëjnë luftë shoqërohen prej grave të tyre, të cilat kanë me vete ushqimin për burrat”. Në këtë kontekst, qëllimi i shtetit serb ishte “dëbimi i atyre që kanë depërtuar në territorin e Kosovës dhe rivendosja e rregullit”. Ky qëndrim nënkuptonte se shteti serb nuk do të përzgjidhte forma të lehta për realizimin e qëllimit të tij, duke mos kursyer të gjitha shtresat shoqërore shqiptare, pa dallim gjinie dhe moshe.

Vijon…

Filed Under: Politike Tagged With: Fitim Rifati

Artikujt e fundit

  • Një reflektim mbi “Strategjinë Kombëtare të Mbrojtjes” të ShBA-së, miratuar ditët e fundit
  • “Ukrainë, paqe e pamundur me pushtuesin (Putinin)”
  • INSTITUTI I KUJTESËS KOMBËTARE SHQIPTARE NË STUTTGART
  • Presidentja Osmani priti në takim Raportuesin e Parlamentit Evropian për Kosovën, z. Riho Terras
  • ROLI I SALI BUTKËS NË SHPALLJEN E REPUBLIKËS SHQIPTARE TË KORÇËS
  • Klubi “Flas Shqip” dhe “Vatra Miami” organizuan festë madhështore në nder të Flamurit Kombëtar në Miami Florida!
  • Nxënësit e Alba Life valëvisin Flamurin Shqiptar gjer në kupë të qiellit në Bronx
  • Robert Lulgjuraj Meets with the Extraordinary History and Legacy of VATRA in New York
  • NYC Flag-Raising Ceremony at the Charging Bull on Wall Street with Mayor Eric Adams!
  • Dr. Rexhep Krasniqi, një jetë e përkushtuar për arsimin, kulturën dhe çështjen shqiptare
  • LASGUSH PORADECI, NJERIU TOKËSOR
  • ROMANI “I ARRATISURI”- VLERA TË SPIKATURA TË RRËFIMIT BASHKËKOHOR
  • E ardhmja e kombit, e përkrahur nga LAPSH-i, prindërit dhe dashamirësit e gjuhës shqipe, kremtoi 28 Nëntorin në zemër të Zvicrës
  • Libri “Fortesat e Drinit në shekujt IV–VI” 
  • NJË REFLEKTIM PERSONAL NË 10-VJETORIN E KALIMIT NË AMSHIM  TË SH. T. Imzot RROK MIRDITËS KRYEIPESHKVIT TIRANË-DURRËS

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT