Dr. sc. Fitim RIFATI
Instituti i Historisë – Prishtinë
Masat ndëshkimore serbe nuk u lënë përshtypje shqiptarëve
Më 22 shtator 1913, Ajet Çaushi së bashku me vullnetarët e tij arriti të shkatërronte godinën e komunës në Abri. Në këtë kohë, në malet e Çyçavicës operonin rreth 500 kryengritës. Më 23 shtator 1913, në Drenicë shkuan dy delegacione nga Prishtina dhe Vushtrria, për të biseduar me kryengritësit, për të qetësuar situatën dhe për të pajtuar ata me realitetin e ri. Mirëpo, delegacionet nuk arritën sukses në misionin e tyre. Kësisoj, më 26 shtator 1913, në fshatin Polac, në jugperëndim të Llaushës, në orët e natës u vranë dy xhandarë. Veç kësaj, në fund të shtatorit 1913, me urdhër të Mbretit Petri I Karagjorgjeviq dhe të Ministrisë së Luftës, të gjithë oficerët rezervë, detyruesit ushtarakë dhe repartet e furnizimit të të gjitha njësive të trupave të këmbësorisë, kalorësisë dhe artilerisë, u obliguan për t’u aktivizuar në lokalizimin dhe shuarjen e kryengritjes së shqiptarëve. Ato ditë një grup shqiptarësh të armatosur prej 20 vetash realizoi një operacion kundër Gjykatës së Krasmirocit gjersa në Llaushë vranë një nëpunës administrativ. Më 28 shtator 1913, katër topa malorë së bashku me 200 këmbësorë dhe 200 serbë lokalë nga Mitrovica, të pajisur me armatim morën rrugë në drejtim të Drenicës.
Shifrat e mësipërme nënkuptojnë se morali luftarak i trupave ushtarake serbe ishte i dobët dhe se ushtarët serbë nuk shprehnin gatishmëri të luftonin me shqiptarët, për shkak të lodhjes gjatë Luftërave Ballkanike, frikës dhe strategjisë së luftës së befasishme që zbatonin shqiptarët. Prandaj, inkuadrimi i formacioneve luftarake mercenare, ishte nevojë e domosdoshme për të plotësuar boshllëkun ushtarak dhe për të shuar kryengritjen e shqiptarëve në Drenicë.
Inspektori i policisë serbe me qendër në Shkup, Mihailo Ceroviq, dha urdhër që familjet e kryengritësve të internoheshin menjëherë. Thirrjet e tellallit në formë ultimatumi, për dorëzimin e kryengritësve brenda 15 ditësh, nuk u bënë përshtypje shqiptarëve. Madje as amnistia nëse ata e respektonin këtë shpallje dhe ndëshkimi si dezertorë, internimi i familjeve në viset e vjetra të Serbisë e konfiskimi i pasurive nuk frikësuan aspak kryengritësit. Sipas informacioneve të konsullatës austro-hungareze në Mitrovicë, “ky lajmërim u dëgjua duke qeshur prej shqiptarëve!”. Përkundrazi, morali luftarak i shqiptarëve po rritej e paralelisht me të edhe radhët e kryengritësve. Më 29 shtator 1913, nga Mitrovica u nisën drejt Prekazit të Drenicës rreth 30 vullnetarë shqiptarë, të cilëve gjatë rrugës deri në Prekaz iu bashkuan edhe 120 vetë. Mbështetur në informacionet e saj të besueshme, konsullata austro-hungareze në Mitrovicë vinte në përfundimin se nga rrethet e Prishtinës, Vushtrrisë dhe Mitrovicës “po vrapon me flamur, një sasi e madhe shqiptarësh për në Drenicë”.
Mirëpo, duke parë që thirrjet e organeve administrative në drejtim të shqiptarëve, për të ndërprerë kryengritjen, nuk patën sukses, atëherë Qeveria në Beograd urdhëroi ndërmarrjen e masave të ashpra ndëshkimore ndaj shqiptarëve. Arrestimet, vrasjet në masë, burgosjet, plaçkitjet, djegiet e shtëpive etj., u bënë metoda të përditshme që ushtroheshin ndaj shqiptarëve. Këto akte kryheshin në bashkëpunim dhe pjesëmarrje aktive edhe të serbëve lokalë. Historiografia serbe justifikon reprezaljet e ushtrisë dhe të policisë serbe ndaj shqiptarëve, me arsyetimin e çarmatimit të tyre, për të vendosur rendin dhe për të penguar çdo veprimtari subversive, përpjekje e bashkëpunim të shqiptarëve me Shqipërinë, e cila mund t’i sillte probleme shtetit serb në ruajtjen e rendit dhe qetësisë në Kosovë. Mbretëria e Serbisë, për të përligjur masat ndëshkimore ndaj shqiptarëve, me anë të shtypit në Beograd hiperbolizonte shifrën e kryengritësve shqiptarë në të gjitha viset, duke pretenduar se numri i tyre arrinte në 80.000 vetë, që binte në kundërshtim me mundësitë dhe kapacitetet reale të forcave kryengritëse dhe nevojave të saj. Numri më i përafërt i kryengritësve shqiptarë, sipas vlerësimeve të konsullatës austro-hungareze në Shkup, ishte midis 10.000 dhe 20.000 vetë.
Ajet Çaushi dhe Shaban Kopriva drejtojnë Drenicën në kryengritje
Megjithëkëtë, shkalla e luftimeve ndërmjet kryengritësve në njërën anë dhe forcave ushtarake e mercenare serbe në anën tjetër, u rrit në fillim të tetorit të vitit 1913. Më 1 tetor 1913, sipas njoftimit të përfaqësuesit diplomatik të Austro-Hungarisë në konsullatën e Mitrovicës, J. Umlauf, në Drenicë kishte filluar një përleshje e armatosur ndërmjet forcave ushtarake serbe dhe kryengritësve shqiptarë. Për rrjedhojë, më 1 dhe 2 tetor 1913, në Drenicë u dërguan forca shtesë për të shuar rezistencën shqiptare. Të njëjtën ditë, drejtuesi i legatës austro-hungareze në Beograd, Wilhelm Ritter von Storck, i raportonte Ministrisë së Punëve të Jashtme në Vjenë se në Drenicë gjendja ishte e turbullt, radhët e forcave kryengritëse shqiptare po shtoheshin, për shkak se e tërë kjo krahinë po zbrazej nga trupat ushtarake serbe, duke bërë që autoriteti administrativ serb në këtë zonë të jetë i pafuqishëm. Thirrjet e autoriteteve ushtarake në drejtim të serbëve lokalë, për të shërbyer si komitë në aksionet ushtarake kundër shqiptarëve, nuk gjetën mbështetje. Serbët lokalë deklaruan se “pa shpërblim nuk duan të kryejnë këtë shërbim të rrezikshëm”. Në anën tjetër, në mesin e drejtuesve të kryengritësve në Drenicë ishte edhe Ajet Çaushi, i cili rreth vetes tashmë kishte 70 vullnetarë në fshatin Abri. Ai besonte se sensibilizimi i Kryengritjes do të ndikonte që të shtoheshin radhët e vullnetarëve.
Më 9 tetor 1913, J. Umlauf i dërgoi Vjenës zyrtare edhe një raport të hollësishëm mbi ngjarjet kryesore nga 1 deri më 9 tetor. Sipas raportit të tij, më 1 tetor në Llaushë të Drenicës u zhvilluan luftime ndërmjet kryengritësve dhe ushtrisë serbe. Numri i forcave kryengritëse arrinte shifrën në 1.000 vetë, nën drejtimin e prijësit të njohur shqiptar Shaban Kopriva. Mirëpo, 500 kryengritës nuk arritën të rezistonin dhe për pasojë u sprapsën në Stërnac të Epërm të Zubin Potokut. Ky sukses i forcave ushtarake serbe në Drenicë u arrit edhe me aktivizimin e 330 pjesëtarëve të njësisë së zbulimit, të cilët ishin të ndarë në grupe me nga 11 vetë (njëri që shkruante dhe vëzhgonte terrenin me dylbi, kurse 10 të tjerë ishin të armatosur mirë dhe me bomba dore). Të nesërmen, komitët serbë tentuan që në Kotorr të Drenicës të zinin udhëheqësin e shqiptarëve, Keço Ajet Çaushin, në kullën e tij. Mirëpo, në kullë ndodheshin 60 kryengritës, të cilët nuk i lanë komitët serbë të afroheshin pranë kullës, madje u shkaktuan atyre 8 të vrarë e 7 të plagosur.
Megjithëkëtë, ekspedita ndëshkimore serbe në Drenicë ishte e ashpër, për mizoritë e të cilës flitej kudo në Kosovë. Përkundër kësaj, kryengritja e shqiptarëve në Drenicë nuk ishte shuar tërësisht. Në Llapushnik, përkatësisht në malin e Goleshit, operonin rreth 2.000 kryengritës, numri i të cilëve u shtua nga 150 shqiptarë të ardhur nga fshatrat veriperëndimore të Mitrovicës. Më 7 tetor në Lubavec një shqiptar u vra nga komitët serbë, ndërsa në mbrëmjen e 8 tetorit në Klinë u dëgjuan të shtëna armësh, por nuk bëhej e ditur për hollësi të tjera. Ndërkaq më 9 tetor 1913, pas një orë luftimesh të zhvilluara në Broboniq ndërmjet një grupi kryengritësish dhe njësive ushtarake serbe, situata e trazuar u vu nën kontroll e rrjedhimisht u arrestuan 50 shqiptarë të fshatrave Broboniq dhe Çubrel. Rrjedhimisht, mbaheshin të ndërprera edhe vizitat e popullsisë së Drenicës në pazarin e Mitrovicës.
Në burimet serbe vërehet ndjeshmëria e lëvizjes kryengritëse sidomos në Drenicë, ku ushtria serbe dhe xhandarmëria nuk kishin forca të mjaftueshme për shuarjen e saj. Ndër trajtat e zakonshme të organeve serbe, të cilat kishin për tendencë të godisnin psikologjinë e kryengritësve shqiptarë dhe prijësve të tyre, ishte arrestimi, burgosja ose internimi i familjeve të tyre, si metoda për të joshur dhe paralizuar kryengritësit. Internimi i familjeve të kryengritësve, që parashihej të bëhej sipas një vendimi të lëshuar nga inspektori i policisë serbe me qendër në Shkup, Mihailo Ceroviq, me sa duket pati efekt te një pjesë e kryengritësve shqiptarë. Në mesin e tyre, 16 vetë nga fshati Broboniq i Mitrovicës, për të parandaluar internimin e familjeve të tyre, ishin paraqitur para organeve të administratës. Rrjedhimisht, vendimi për internimin e familjeve të tyre ishte anuluar, që nënkuptonte efektin psikologjik që këto masa kishin në goditjen morale të lëvizjes kryengritëse në Drenicë dhe më gjerë.
Drenica shpallet “zonë ushtarake e mbyllur”, për të kryer krime ndaj shqiptarëve
Pavarësisht kësaj, organet ushtarake serbe nuk arritën të shuanin plotësisht qëndresën e kryengritësve në Drenicë. Megjithëqë në disa fshatra u realizuan ekspedita të fuqishme ushtarake, që shuan përkohësisht qëndresën shqiptare, në fshatra të tjera ajo rilindte me forca të reja. Kësisoj, më 11 tetor 1913, në fshatin Pemishtë (Padalishtë) u rishfaqën forca kryengritëse, të cilat i sillnin telashe organeve të administratës serbe dhe malazeze në rrugën Mitrovicë-Pejë. Mirëpo, reaksioni serb, përkatësisht i komitëve serbë që kryenin vrasje në Drenicë, nuk pengohej e as nuk ndalej ndaj shqiptarëve që nuk ishin pjesë e kryengritjes. Sipas burimeve të konsullatës austro-hungareze në Mitrovicë, të raportuara Vjenës zyrtare, më 24 tetor 1913, nënvizohet: “Një serb nga Çagllavica (rrethi i Prishtinës) mburresh hapur se vetëm ai, kohët e fundit kish vrarë 100 shqiptarë (në Drenicë, F.R)”. Veç kësaj, arrestimet, internimet e burgosjet pothuajse u bënë përditshmëri. Madje edhe masakrimi i grave, pleqve e fëmijëve të pambrojtur në Drenicë dhe gjithë zonat kryengritëse, ishte bërë një akt trimërie për serbët lokalë dhe organet ushtarake. Këto veprime i përforcoi edhe akti i shpalljes së Drenicës si “zonë ushtarake e mbyllur”, që i linte dorë të lirë organeve ushtarake dhe komitëve serbë për të kryer krime ndaj shqiptarëve. Në këtë kontekst, në bazë të një njoftimi që qarqet diplomatike austro-hungareze në Beograd i dërgojnë Ministrisë së Punëve të Jashtme në Vjenë, më 13 tetor 1913, konstatohet: “Ekspedita e ndëshkimit kundër shqiptarëve u vu në zbatim me egërsinë dhe brutalitetin më të pashembullt. Mijëra të pafajshëm janë masakruar. Qindra fshatra janë djegur. Kolonelin famëkeq konspirator Damian Popoviqin e presin për kasaphanat e tija dekoratat e gjeneralit, prej duarve të Mbretit”. Rrjedhimisht, Mbretëria e Serbisë mori shkas të rifillonte aksionin e saj shtypës në Kosovë, që kishte për qëllim shpopullimin dhe plaçkitjen sistematike e rrënjësore të saj.
Kryengritja në Drenicë gjatë gjysmës së parë të vitit 1914 dhe krimet serbe
Edhe në vitin 1914, kryengritja e shqiptarëve në Drenicë nuk u ndal. Shqetësimi dhe pakënaqësia e popullsisë mbi gjendjen e vështirë rritej më tej. Autoritetet administrative serbe rëndësi më të madhe në veprimtarinë e tyre i kushtonin vjeljes arbitrare të taksave, tatimeve e gjobave në të holla. Në mesin e funksionarëve administrativë, në masë u përhap edhe fenomeni i korrupsionit. Kësisoj, gjendja ekonomike e popullsisë sa vinte e rëndohej e rrjedhimisht ndërmerrej edhe emigrimi. Përgjegjësi provizor në konsullatën austro-hungareze në Mitrovicë, J. Umlauf, në raportin e datës 1 janar 1914, i shkruante Vjenës zyrtare: “Pezmatimi ka arritur deri në atë pikë sa shumë ushtarë flasin hapur se në rast të një lufte të re (në Drenicë, F.R) nuk do të shkojnë të përdorin armët kundër armikut, por kundër mbretit e ministrave”. Ai nënvizonte: “Nga lajmet që vijnë e shtohen duhet besuar se në pranverë do të mjaftonte një e shtënë arme, që gjithë popullata myslimane (shqiptare, F.R) të mbledh armët nën flamurin kundër Serbisë”.
Më 6 janar 1914, një shqiptar i Drenicës, i cili po kthehej nga Shqipëria, në Akrashticë të Vushtrrisë kishte vrarë një xhandar dhe kishte plagosur një tjetër, të cilët e ndiqnin pasi e kishin zbuluar gjatë patrullave të xhandarmërisë serbe. Në mars të vitit 1914, në Drenicë u përshkallëzuan aksionet e grupeve kryengritëse e rrjedhimisht numri i forcave të tyre, që për autoritetet serbe nënkuptonte një riorganizim me tipare të një kryengritje me përmasa të theksuara. Për këto arsye, autoritetet administrative-ushtarake serbe në Rrethin e Mitrovicës nuk hoqën dorë nga armatosja e popullsisë lokale serbe, për shkak të drojës së madhe nga kryengritja e pandërprerë e shqiptarëve të Drenicës. Po ashtu, edhe lëvizjet e trupave ushtarake të këmbësorisë, kalorësisë dhe artilerisë bëheshin në përputhje me shkallën e kryengritjes. Kësisoj, më 14 mars 1914, një repart i xhandarmërisë prej 40 vetash nga Pazari i Ri shkoi në Llaushë.
Paralajmërimet e drejtuesve kryesorë shqiptarë të Kosovës në Shqipëri, përmes organizatës “Besa shqiptare”, se në fund të marsit dhe në fillim të prillit 1914, planifikohej të shpërthente një kryengritje e re në Kosovë, u bënë realitet. Në referatin e datës 31 mars 1914, të J. Umlauf, konstatohej: “Sipas njoftimeve nga njerëz të besueshëm gjendja shpirtërore e shqiptarëve të Drenicës është shumë e acaruar”. Një pjesë e madhe e shqiptarëve nga shumë fshatra të Drenicës iu bashkuan kryengritësve në zonën e Hasit dhe të Lumës. Kësisoj, vetëm nga Polaci afër Llaushës, më 27 mars 1914, shkuan 30 vetë. Sipas J. Umlauf “letrat që vinë nga Shqipëria me korrierët i ftojnë shqiptarët që jetojnë në territoret serbe e malazeze të grumbullojnë mjaft miell dhe të mos shesin bagëti të trasha. Këto lajme e ngjarjet më të fundit në (…) Drenicë sigurisht s’kanë për të mbetur pa jehonë”. Kështu, reparte të xhandarmërisë, njësite të këmbësorisë e kalorësisë dhe arsenal lufte (mitraloza, topa fushorë, municion), në javën e fundit të muajit mars u dërguan nga Pazari i Ri, Mitrovica e Vushtrria për në Drenicë. Veprimtaria e kryengritësve të shpërndarë në pjesën më të madhe në Drenicë dhe pjesërisht në bajrak të Astrazupit e Rahovec, ishte e pandalshme dhe se organet e administratës ushtarake ishin të vendosura për shpartallimin e saj dhe rivendosjen e rendit. Sipas raporteve të përfaqësuesve të administratës shtetërore dhe ushtarake serbe në Kosovë, dërguar Ministrisë së Luftës në Beograd, kryengritësit ishin të armatosur me pushkë dhe municion. Përkundër mungesës së ushqimit, ata ishin të entuziazmuar për të luftuar pushtetin serb. Në mesin e tyre ekzistonte një disiplinë shembullore, sipas të cilës nuk lejohej keqtrajtimi i ushtarëve e xhandarëve serbë, por vetëm konfiskimi i armëve.
(Vijon)