Rreth 6 mijë tituj librash, nga të cilët 1 mijë të rinj, u prezantuan për qytetarët e Fierit në 3 ditët e Panairit Kombëtar të Librit, i cili çeli siparin mëngjesin e së premtes për t’u mbyllur të dielën në mbrëmje. Rreth 100 shtëpi botuese sollën për publikun e gjerë autorë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, dhe trevat e tjera shqipfolëse. Akademiku i njohur Ali Aliu i cili e ndoqi nga afër këtë aktivitet pohon se shkrimtarët po bëjnë atë që nuk ka mundur ta bëj dot politika në gjithë këto vite, bashkimin e shqiptarëve, ndërsa e cilëosn si më të mirin panair përsa I përket misionit e tematikës që përmbledh.
“Ky panair është kthyer tanimë në një ngjarje shumë të rëndësishme kulturore me përfshirje më të gjerë se gjithë panairet e tjera shqiptare të këtij lloji. Të mbledhësh bashkë edhe librin, edhe botuesin, edhe autorin, edhe studiuesin e kritikun, edhe të rinjtë e të flasësh e diskutosh për emra nga më klasikët e deri tek më të rinjtë e letërsisë bashkëkohore, është një punë tepër voluminoze, sfilitëse, do të thoja, që e bën vetëm Panairi i Fierit. Prandaj them se e shoh si më të mirin panair në vend. Pretendimi është një unifikim që letërsia e ka filluar dhe ka ecur më përpara se fushat e tjera me një seri botimesh të një formati evropian, -tregon Aliu.
Organizatorët e panairit të librit, thonë se për tre ditë u mbajtën konferenca të rëndësishme shkencore në respekt të personaliteteve të njohura të letërsisë, që kanë këtë vit përvjetore lindjesh dhe vdekjesh si: Pjetër Budi, Naim Frashëri, Ndre Mjeda, Çajupi, Ali Asllani, Migjeni, Esad Mekuli, Kasëm Trebeshina, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Rexhep Qose, për të cilët kumtuan Klara Kodra, Ymer Çiraku, Ali Aliu, Sadik Bejko, Nasho Jorgaqi, Bashkim Kuçuku, Ilinden Spasse, Bardhosh Gaçe, Behar Gjoka, Dorian Koçi etj.
“Nuk ka një ndasi kufijsh gjeografik. Letërsia shqiptare është një. Ne kemi një mission; jo vetëm të sjellim librin te lexuesit e Fierit që është I shumtë, por në fokusin tonë ishin edhe disa konferenca shkencore me qëllim që të promovonim autorë që i kanë dhënë emër letërsisë shqipe e botërore” -pohon Majlinda Rama, presidente e fondacionit Harpa, njëkohësisht drejtore e Panairit të Librit.
Në ditën e fundit të panairit u ndan cmimet kombëtare të letërsisë për katër fitues. Juria përbëhej nga: Ali Aliu, kryetar, Resul Shabani, anëtar dhe Dorian Koçi, anëtar. Cmimi i poezisë më të mire shkoi në Kosovë, ndërsa Bashkim Hoxha do të triumfonte me romanin me të mirë në këtë kompeticion.
Më poshtë po japim cmimet:
Bashkim Hoxha: Për romanin më të mirë, me motivacion: “Për romanin ‘Gruaja e shiut’, i cili sjell një galeri të gjerë personazhesh e ngjarjesh të ndërthurura mjeshtërisht në një narracion të rrjedhshëm”.
Shaip Beqiri: Për poezinë më të mirë, me motivacion: “Për librin ‘Muranat e muzgut’ -simbiozë e imagjinatës poetike dhe perceptimit filozofik, duke sjellë një kostelacion të gjerë në kozmosin e letrave shqipe”.
Bujar Kule: Për krijimtari të veçantë, me motivacion: “Për librin ‘Ylli i bijve të pellazgut’, nëpërmjet të cilit autori spikat mjeshtëri krijuese, duke sjellë bukur një histori të romanizuar, ku nuk mungojnë imazhet dhe argumentet”.
Mihal Krimçe: Për letërsi artistike në zhanrin fabul, me motivacion: “Për librin ‘Dëgjoni fjalën time’, ku bien në sy fabulat e gjetura, harmonizimi bukur i ritmit, mendimit, fjalës artistike e mesazhit, si dhe për larminë e tematikës që përcjell”.