• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FITORJA E PIRROS

November 18, 2013 by dgreca

Nga Eugjen MERLIKA/
“Ne vetë, kur marrim vendime, shqyrtojmë me kujdes ngjarjet : jemi të bindur se nuk janë rrahjet e mendimeve që dëmtojnë veprimet, por mos grumbullimi i njohurive të nevojshme, nëpërmjet diskutimit, para se të kalohet në veprim.”
Perikliu : Bisedë me Athinasit në vitin 430 para Krishtit.
Java e shkuar qe ndër më të trazuarat e kohëve të fundit për Shqipërinë. Ajo u mbyll me një lajm që bëri punën e një bari qetësues mbi plagën e hapur : “Shqipëria e ka të pamundur të përfshihet në këtë operacion”. Këto ishin fjalët që mbyllën daljen e Kryeministrit Edi Rama në televizion, para bashkatdhetarëve të tij, e që qetësuan qindra mijra prej tyre që, prej disa ditësh shprehnin kundërshtinë e vendosur ndaj mundësisë së shkatërrimit të armëve kimike siriane në territorin e Vëndit të tyre. Lajmi kishte filtruar nga një deklaratë e Ministrit të Jashtëm, Bushati, në Paris.
Përhapja e tij krijoi natyrshëm një gjëndje shqetësimi që përshkoi gjithë shoqërinë shqiptare, që nga institucionet më të larta shtetërore e deri tek qytetarët e thjeshtë. Kundërveprimi qe i menjëhershëm, i prirë nga elementë të shoqërië civile, të jetës intelektuale, të botës studentore e të Opozitës kuvendore. Dalja e qytetarëve në rrugët e kryeqytetit me parullat “Jo armëve kimike” dhe mijra mesazhet në rrjetin elektronik, shprehnin një ankth që buronte nga frika e një dukurie tmerrndjellëse, ndotjes së ajrit me helme kimike, që do të kishte pasoja shkatërruese në jetën e shqiptarëve për sot e për t’ardhmen. Në këtë drejtim ata tubime shënuan një hap para në zhvillimin e koncepteve shtet – shoqëri, treguan ndërgjegjësimin e kësaj të fundit në mbrojtjen e interesave madhore të saj, në rastet kur i pari nuk është në lartësinë e detyrës, në pohimin e një të vërtete të madhe, se në një Vend demokratik, duhet të marrë pjesë populli drejt për së drejti, në vendime që i përkasin jetës e shëndetit të tij. Ky ishte morali dhe mesazhi i atyre ditëve.
Por ka diçka në historinë e tyre që le shteg për t’u thelluar n’arsyetimin, mbasi lind një mëdyshje, që na ve para pikpyetjesh, të cilave duhet të mundohemi t’u gjejmë përgjigjet me urtësi e gjakftohtësi sot e për t’ardhmen : A ishte real kërcënimi që ushqente shqetësimin, deri në dëshpërim, të qytetarëve shqiptarë ? Cili ishte motivi që përcaktonte propozimin amerikan, për të shkatërruar në Shqipëri armët kimike të Sirisë, ideja se Vendi ynë është “kazan plehrash” i Evropës, siç u shkruajt e u tha nga shumë anë n’ato ditë, apo një “partneritet ndërmjet SHBA dhe Shqipërisë”, siç u shpreh ish ambasadori Arvizu në televizion ? Çfarë dobie do të kishte Shqipëria në këtë operacion të një rëndësie të veçantë ? Cili qe roli i politikës, në tërësi, dhe i Opozitës, në veçanti, në këtë kuadër ngjarjesh ? A përputhet ai me parimet bazë të një demokracie të arrirë në përballimin e problematikave të tilla ?
Mungesa e informacionit të plotë e të tejdukshëm, lidhur me problemin, e vështirëson mjaft përgjigjen e këtyre pyetjeve, por do të mundohem të gjej “fillin e Arianës”, për të dalë nga ky labirint, duke u bazuar në ata elementë që na japin fjala e Kryeministrit më 15 nëndor dhe intervista e z. Arvizu më 14 nëndor. Thelbi i gjithë problemit, kyçi i tij, përmblidhet në përgjigjen e pyetjes së parë, që mund të coptohet në mjaft të tilla e që, së mbrami, përfundon në pohimin e një koncepti themelor : siguria e mbrojtjes së mjedisit nga ndotja kimike e, për pasojë, e shëndetit të banorëve të tokës shqiptare sot e në t’ardhmen. Kryeministri, në fjalën e tij, bën një pohim tejet të rëndësishëm, edhe se pak të vonuar :
“Ky ishte njëri nga mesazhet që u lexova partnerëve tanë gjatë diskutimeve dhe në fund, të gjithë ranë dakord se Shqipëria e meritonte me patjetër që ekspertët më të mirë të botës, bashkë me teknologjinë më të shkëlqyer për mbetjet kimike, të mos shkuleshin nga Shqipëria me të mbaruar punë me mbetjet e Asadit-po të vazhdonin punën në Patos-Marinzë, Ballsh, Fier, Elbasan, Rubik, Laç, Berat, Lushnjë, Bajzë, Rrëshen, Prrenjas, Burrel e me rradhë të tjera, për të mbaruar punë njëherë e mirë, edhe me mbetjet e rrezikshme të pesëdhjetë vjetëve komunizëm, plus njëzet vjet barbarizëm mjedisor….. “
“Shtetet e Bashkuara e shohin Shqipërinë si një aleat shumë besnik ; e në fund të fundit s’po kërkojnë asgjë nga Shqipëria përveç një pike mbështetjeje në tokë – një bazë ushtarake tërësisht të izoluar në dispozicion të tyre, ku lëndët vijnë, asgjësohen dhe ikin për t’u djegur e varrosur gjetkë. Jashtë Shqipërisë.”
Nëse kjo është e vërteta e mirëfilltë, paragjykimi e shqetësimi skajor për rrezikun e proçesit, zvogëlohet shumë, madje zhduket fare. Pra motivi i kundërshtimeve kthehet në një faktor tjetër : besueshmëria. A duhet t’i besojmë sigurisë që na japin SHBA dhe partnerët ndërkombëtarë,në lidhje me mjedisin tonë e mbrojtjen e tij ? Lënda është tepër teknike e opinionet mbi të nga njerëz profanë, që mund të bëjnë levë vetëm mbi panikun që mund të shkaktojë edhe vetëm mendimi i shlirimit të gazit sarin apo të tjerë produkte helmuese në mjedisin tonë, nuk janë të besueshme. Kryeministri, në fjalën e tij, është i qartë dhe vendimi përfundimtar i tij i kuptueshëm, edhe se jo plotësisht i justifikueshëm, më shumë rrjedhojë e emocioneve të çastit se sa e logjikës së ftohtë. Nëse ai ishte i bindur në sigurinë që merrte nga autoritetet amerikane, në nivelet më të larta, nëse shihte n’atë propozim një dobi për Vendin e tij, duhet të kishte qenë më këmbëngulës në sqarimin e situatës, edhe se mbeti mjaft i veçuar në qëndrimin e tij. Jo rrallë vendimet e rëndësishme, sidomos të kësaj fushe, nuk merren me miratime të shumicave dërmuese por, nëse janë dobiprurëse, marrin vlera historike.
Në kuadrin e këtij vendimi ka vend për të folur edhe për rolin e politikës, në përgjithësi, e të Opozitës, në veçanti. Në situata të këtilla, kur Vendi përballohet me një kërkesë lidhur me një gjëndje të ndërlikuar ndërkombëtare, për më tepër kur kjo kërkesë vjen nga “aleati strategjik” më i fuqishëm, por është mjaft e diskutueshme për brishtësinë e saj në opinionin publik, përgjigja e politikës, Shumicë e Opozitë, duhet të jetë e njëzëshme. Nuk u tregua pjekuri politike nga Opozita, në qëndrimin e saj, as në sytë e shqiptarëve, aq më tepër në ata të aleatëve e të botës së huaj. Ambasadori amerikan foli shkoqur për bisedën që kishte zhvilluar me Kryetarin e PD-së, prandaj prania e e tij në mes të tubuesve, i shërbente jo imazhit të Shqipërisë, as perspektivës së saj, por vetëm lojrave të ngushta politike të interesave të pushtetit. Nuk është e justifikuar kërkesa e ish Kryeministrit për dorëheqjen e Z. Rama, vetëm sepse ai kishte marrë në shqyrtim një propozim të aleatit kryesor. Ishte detyrë e Kryeministrit të ndante me udhëheqësit e Opozitës trajtimin e problemit dhe vendimin përkatës. Nuk e di nëse e ka bërë por, në një demokraci të vërtetë, kjo duhet të jetë etika e jetës politike, jo instrumentalizim vënd e pa vënd i problemeve, e paraqitje e tyre në mënyrë të shtrembër, vetëm në funksion të fitimit të votave.
Politika e jashtëme e një Vendi është e bazuar mbi një trategji të përpunuar mbi parimet kryesore të pranuara, por dhe mbi interesat e tij afatgjata. Kjo strategji, në Vende serioze, bëhet urdhëruese për të gjithë segmentet e politikës, pavarësisht se kush drejton pushtetin. Çështjet me rëndësi të politikës së Shtetit tonë të vogël në fushën ndërkombëtare nuk duhet të bëhen objekte të luftës provinciale të partive për pushtet, por duhet të kenë një trajtim të përbashkët, në përputhje me interesat kombëtare. Diskutimet në Kuvend, që i ngjante më shumë “Këshillit të ndrikullave”, se sa institucionit madhor të vendimarrjes, dëshmuan krejt të kundërtën e parimeve të mësipërme, duke shtuar tymnajën që zotëronte mjedisin politik.
Problemet e ndotjes së ambientit nuk kanë shqetësuar kurrë qeveritarët tanë. Përndryshe nuk do të kishim “31 zona të rrezikshme mbetjesh kimike të trashëguara nga e kaluara”, që përkojnë me të gjitha zonat industriale të regjimit komunist dhe qytete të reja të pajetueshme, ku është ndërtuar pa mbajtur parasysh asnjë kriter të detyrueshëm të raporteve njerëz – hapësira. Në atë drejtim, në këta 23 vjet, nuk është bërë asgjë, me përjashtim të vendimit të Qeverisë aktuale për të bërë të pavlefshëm një tjetër vendim absurd për importimin e plehrave nga Italia. Shpresojmë që vala e kundërshtimeve ndaj armëve kimike të shtrihet edhe në këta fronte të përherëshme të mbrojtjes së mjedisit.
Ngjarjet e këtyre ditëve kanë bërë të flitet për fitues e humbës. Secili, simbas këndvështrimit, i ka përcaktuar ata, përkatësisht në shoqërinë civile e në institucionet. Nëse premtimet ,për mbarështimin e proçesit të shkatërrimit të armëve kimike, janë të vërteta, pra nëse ai do të bëhej nën mbikqyrjen e ekspertëve më të mirë të botës (personalisht besoj se do të ishte kështu), nuk më duket se ka ndonjë fitues, sepse frikën tonë, që mund të jetë e ligjëshme, në kushtet e mungesës së informacionit dhe të besimit, do t’a paguajmë shtrenjtë. Jo vetëm me humbjen e besueshmërisë së aleatëve në nivel politik, pavarësisht deklaratave “qetësuese” të ndonjë zëdhënësi të huaj, me humbjen e rastit për t’u bërë pjesë në proçeset e rëndësishme të politikës botërore, por edhe me shkelmimin e mundësisë për të bonifikuar zonat e ndotjes kimike të mjediseve tona.
Nga ana tjetër, kemi fituar “qetësinë” që sjell shmangia e rrezikut, qoftë dhe hipotetik, e njëkohësisht, kënaqësinë që vjen nga ideja e “të qenit Zot në Vendin e vet”, së bashku me detyrimin e Shtetit, si rrallë herë në historinë tonë, për të mos marrë një vendim në kundërshtim me opinionin e shoqërisë civile. Madje ministri Tahiri sheh edhe një tjetër dobi se “me urdhër të Kryeministrit nuk do të ketë asnjë ndjekje penale për organizatorët e tubimevet”, a thua se është një gjë e zakonshme ndjekja e tyre. Ministri duket se nuk është i vetëdijshëm për funksionin që ka. Harron se në një demokraci normale, nuk mund të ketë ndjekje penale për manifestues paqësorë, cilido qoftë objekti i tubimit. Ngatërron dhe kompetencat e institucioneve kur i vesh Kryeministrit të drejtën të japë urdhëra në një fushë që është e Prokurorisë.
Në përfundim të bilancit të këtyre ditëve, nuk më duket se ka vend për entuziazëm. Nëse dikush sheh flamuj fitoreje, ajo më duket si fitorja e Pirros. Koha shpejt do të na thotë nëse sot ne e ndihmuam t’ardhmen tonë, apo e dëmtuam atë. Të tjerë, bëhet fjalë për Francën, Belgjikën apo Danimarkën, do të kryejnë në territoret e tyre shkatërrimin e armëve siriane. Ajo përvojë e të tjerëve do të na japë saktësisht përmasat e mënçurisë apo të mungesës së saj, në këtë ditë vendimi.
Nëndor 2013

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, Fitorja e Pirros

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT