Shkruan: Kuqelim Dreshaj/
Te shkruash eshte mire sidomos kur e ndjen nevojen dhe mbi te gjitha ke arsyen per ta bere nje gje te tille.Shkrimi im kesaj rradhe do kete me shume analize te asaj se cfare po ndodh mijera kilometra larg meje- gjeografikisht, mirepo shume afer meje me zemer dhe mendje, sepse eshte vendlindja ime.Do fokusohem ne disa pika te rendesishme dhe kyce per jeten atje sic eshte varferia,korrupsioni,keqeverisja,pazaret e ndyera,emigracioni e deri tek rreziku i madh qe ka kape kohet e fundit Kosoven e qe eshte terrorizmi.Duke filluar nje e nga nje sigurisht ma e veshtira eshte varferia qe dita dites po behet rrezik per egzistence ,familjet kane numer te madh te papunesuar dhe si pasoje e kesaj lindi dhe emigracioni ilegal ne numer shume te madh pa dhene shifra te sakta nga pushtetaret mirepo bazuar ne statistikat e organizatave te huaja qe jane marre me emigrantet shkojn deri ne 100.000 persona, shumica te rinj nga mosha 20 deri ne 30,kjo ndodhi si pasoj e keqeverisjes dhe pazareve qe ata po bejne me popullin dhe te ardhurat e ketij vendi.Nje here PDK-ja e tash ju eshte bashkngjitur edhe LDKja si dy partite qe ne pune duhet te jene vetem argate te tyre, e madje dhe pa kaluar neper konkurse,pastaj keqmenaxhimi i organeve ma te larta, duke filluar nga Prokurorija, ku Prokurori zgjidhet pa kunderkandidat dhe shoqerija civile ka ngritur zera se keqperdorimet kan qene shume te medha.Pastaj edhe Eulex ka pase raporte se zgjedhja eshte bere pa kuorum e ku neper gjykatat kryesore ka lande te panumerta qe nuk perfundojn kurr mirepo vetem grumbullohen si te vjetra.Nje tjeter hallke e korrupsionit dhe pazaereve sigurisht mbetet edhe privatizimi i shume ndermarrjeve ne menyra nga me te keqijat e mundshme.Dhe gjeja ma e rendesishme qe Kosoven po e rrezikon shume eshte dhe do te mbetet keshtu ne qoftese nuk veprohet terrorizmi sipas raportit te Shtetit Amerikan, ky vit ka qene me i keqi per Kosoven,per te ardhmen dhe per rregullin dhe rendin ne vend duke qene te paret ne Ballkan, qe po i bashkohen terroristeve ne lindje kjo ndodh sepse jeta sociale dhe ligjore ne Kosove ka degraduar dhe matrapazet udheheqin vendin dhe si te tille kohe per nje jete me te mire per ne nuk kane dhe idete dhe qellimet e tyre jane se si te pasurohen e jo se si ta nxjerrim vendin nga humnera.E deri ne nje ndryshim te afert na mbetet qe vetem te kemi nje jete qe ka nje shprese diku nen hije po prap se prap eshte shume e vyshkur.
FJALËT E ISMAIL QEMALIT EDHE SOT TINGËLLOJNË SI ZILE ZGJIMI PËR ÇDO SHQIPTAR KUDO QË NDODHET…
Në kuadër të 101 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë/
Shkruan: ZYBA HYSEN HYSA/
Është bërë e traditës, që për çdo 28 nëntor, të kujtojmë me nderim dhe respekt të pakufishëm Ismail Qemalin, gjithë punën dhe përpjekjet e patriotëve shqiptarë në shërbim të kombit. Kjo është vërtet në nderin tonë, në nderin e çdo shqiptari, se të nderosh veprën e të parëve do të thotë që të vlerësojmë punën dhe qëndrimin e tyre në momente të rëndësishme për kombin shqiptar, kjo na bën të jemi më shumë vetvetja dhe mendoj se 101 vjet janë shumë pak për të harruar bëmat e patriotëve, por edhe mijëra vite të kalojnë, përsëri ato do jenë po kaq të gjalla e të prekshme, do apo nuk do bota, do apo nuk do politika pragmatiste shqiptare, jemi, apo nuk jemi formuar si komb i bashkuar, ato mbeten themeli i pa shembur i kombit, ato transmetohen nga brezi nw brez, ashtu si flamuri, si këngët, si gjuha… por kam vënë re, që kjo festë po bëhet rutinë: organizohen sesione shkencore, pa zbuluar të vërtetat shkencore, vetëm duke përsëritur vit pas viti të njëjtat gjëra, shumë fjalë, aq shumë fjalë vlerësuese, por për fat të keq aspak fjalë të reja që zbulojnë të vërtetat e vërteta të historisë sonë shqiptare, ato të vërteta të hidhura që ishin shkak i shkatërrimit të ëndrrave të shqiptarëve për liri e pavarësi kombëtare.Historia e një kombi, një kontinenti, a më gjerë… kurrë nuk mund të shkruhet me laps majëhollë, ajo vetëm mund të pikturohet me dritë – hije, në momente më të veçanta që kanë sjellë ngjarje me rëndësi të madhe për përparim, drita shkëlqen më shumë e në ato momente që kanë prerë udhën e këtij zhvillimi, hija shndërrohet në njolla, kështu në çdo përvjetor lexojmë atë pjesë të historisë që shfaqet në dritë e ndjehemi krenarë, por mbetemi atje pa pasur kurajë të depërtojmë në këto njolla të errëta për të gjetur pigmentin e zi që shkaktoi dëmet e kohës, regreset e historisë, që pengojnë dhe sot progresin e kombit shqiptar…
Meqë 28 nëntori lidhet direkt me veprën e Ismail Qemalit, si themeluesi i shtetit të parë shqiptar më 1912 – ën, të ndalemi pak tek jeta dhe vepra e tij si politikan me ngjyra të theksuara demokratike, një model perfekt për të marrë shembull sot politika jonë shqiptare, se ai përmes një rrugëtimi të gjatë e të rrezikshëm nga Stambolli, në Bukuresht, më pas në Vjenë e Budapest e përsëri në Vjenë drejt Triestes, në Durrës, Kavajë, Çermë, Divjakë, Libofshë, Fier, Novoselë, më në fund në Vlorë, ku nuk qe rastësi, apo fat i saj, por aty ishin patriotët më largpamës që përkrahën ideatorin Ismail Qemali në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.
Dihet që veprimtaria e Ismail Qemalit, para se të mblidhej kuvendi historik në Vlorë, ishte diplomatike, serioze dhe këmbëngulëse për të realizuar idenë e kahershme të popullit shqiptar, shpalljen e Pavarësisë. Këto përpjekje të vazhdueshme deri në aktin e Madh të shpalljes së Pavarësisë i ka shpalosur fort qartazi Ilir Ikonomi në librin “Pavarësia – Udhëtim i paharruar i Ismail Qemalit”, ku del, se përveç përpjekjeve diplomatike ndërkombëtare, ai diti të bashkojë shqiptarët mrekullisht pa dallim feje, krahine në mbledhjen e kuvendit. Në këtë libër në faqen 216 – 217 thuhet: “Ishte gjë e rrallë të shihje parinë shqiptare të mbledhur në një konak. E rrallë sepse shqiptarët ishin të ndarë në fise dhe klane, nderonin tri besime të ndryshme dhe nuk kishin gjuhë të njehsuar kombëtare… sepse shqiptari individualist dhe krenar, që nuk duron dot as hijen e vet, e kishte të vështirë të pranonte një shqiptar tjetër mbi krye… Megjithatë, kishte diçka të padukshme, që i bënte veriorët dhe jugorët të mblidheshim bashkë në këto rrethana të veçanta, kur po turrej e liga… Pra, sado të ndryshëm të ishin këta njerëz, si rrjedhojë e atij brumi të përbashkët ata nuk ishin shkrirë me kombe tjera, as nuk e kishin holluar gjakun. Ata ishin thjesht shqiptarë.”
Të ndalemi, se si është e si punohet në drejtim të bashkimit të shqiptarëve sot? Me dhembje konstatoj që në këto vite të “demokracisë” shqiptare, dëgjohen shpesh shprehjet “Veriu, Jugu, apo malokët, jugorët , pak dëgjohet për shqiptarët e Maqedonisë, të Malit të Zi, Çamërisë, thua se këta nuk kanë ekzistuar ndonjëherë. Në një kohë që feja për ne, është thjesht një preference personale, shpesh kthehet për ndasi territoriale, ku befasohem me pikëpamje anadollake, saqë shpesh mendoj se kemi shkuar qindra vite pas, ku herë ngrihet islamizmi, herë krishterimi, bile bëhen edhe debate publike me dite e muaj me radhë në lidhje me fenë e shqiptarëve nga koka të intelektualëve shqiptarë (këtu vlen të përmend edhe debatin Qose – Kadare), në një kohë që ka pasur dhe ka probleme jashtëzakonisht të mprehta për të diskutuar e për të marrë zgjidhje.“Pa ngrihen dhe “kokat” tona e bëjnë be/ Njëri krishterë – rreth prerë, tjetri myslimanë/ Përplaset kokë – Qosja, mbi Kadare/ Betohet për Krisht, tjetri si muhamedan…/ Betohen e flasin për fe të pafetë/ Se dhe foshnjat e dinë prejardhjen tonë/ Me broçkullat e tyre, dikujt i bëjnë fresk/ Si partitë politike, fetë vijnë e shkojnë…”Nëse do diskutohej problemi i ngritjes së kishave greke përgjatë Vorio Epirit , apo manastiret serbe në kosovë, ruajtja e monumenteve dhe vendeve historike në gjithë trojet tona shqiptare, apo figura të ndritura në fusha të ndryshme, të trokisnin në portat e atyre që na copëtuan për të rishikuar, diskutuar dhe qëndruar seriozisht për çështjen shqiptare, por bëhen leva të qëllimeve të politikës botërore antishqiptare. Kështu më vjen në mendje Rambujeja, ku shqetësimi i Kadaresë ishte firmosja e jo ngritja e zërit për të drejtat tona, apo Qosja që shprehet që ta ndërrojmë veriun e Kosovës me Luginën e Preshevës, sikur ai t’i kishte prona të babait. Mora si shembull, se këta më erdhën në mendje teksa po shkruaj, se kur personalitete kaq të mençur të kulturës shqiptare veprojnë kaq pa dinjitet, kaq pa gjak shqiptari, të mos futemi pastaj se sa gjynahe i kanë Kombit tonë qeveritë që vijnë e ikin, qeveri që përveç interesave të tyre personale as që duan të dinë dhe sa shtetas kanë e jo më të ndihmojnë në ngritjen e tyre ekonomike dhe kulturore… “Ëh”, rënkonte vendi/ Sa herë vinin mizoritë/ “Ëh”, rënkon edhe qielli/ Sa herë hipin, zbresin qeveritë!”Duke gërmuar nëpër histori për të gjetur përpjekje serioze për përparim dhe bashkim të shqiptarëve këto vite që pasuan aktin e firmosjes së Pavarësisë sonë në këtë copë Shqipëri, përveç Marrëveshjes së Mukjes në 3 gusht 1943, marrëveshje që u prish nga diktati antishqiptar ruso – jugosllav, nuk shoh asgjë që të më ngazëllejë zemrën, të më ndezë shpresën e një të ardhmeje të ndritur për shqiptarët e në këto kushte përpjekjet dhe vepra e Ismail Qemalit me shokë janë fakte të pamohueshme që na bëjnë ne të jemi krenarë për personalitete kaq të larta të kombit tonë, por si mundet vallë që për një personalitet kaq të rëndësishëm të mos jetë folur dhe të mos jetë shqetësuar njeri që të ndjekë vazhdën e ngjarjeve para vdekjes së tij për të gjetur vrasësit e vërtetë të Ismail Qemalit, se pas tij fshihet dora që na mban duart dhe sot e kësaj ditë për të mos arritur aspiratën e popullit për bashkim kombëtar, si e vetmja alternativë për zhvillim dhe përparim. Kështu lindin pikëpyetjet e historisë e pikëpyetja më e madhe, është vdekja e Ismail Qemalit me anë të së cilës mendonin se do varrosej aspirata e shqiptarëve për liri dhe pavarësi. “O Kaninë… o moj mike/ Si s’u trete, si nuk vdiqe!?/ Kur në ’19 – ën/ Shtyllën e shtëpisë ta helmuan/ Dritën e syve ta verbuan…/ Si s’u trete si nuk vdiqe/ Si s’u hodhe përmbi dete/ Si nuk plase… ç’ilaç gjete? /- Kur më erdh’ vigani shtrirë/ Të kisha vdekur qe më mirë/ I thashë vetes: “Qëndro!/ Nuk është fikur zjarr’ i zemrës,/ Nuk është shuar mjalti i këngës/ S’është tharë gjiri i nënës/ Viganë tjerë për të lindur/ Shtyllën e shtëpisë për të ngritur…/ Po… moj motër… kaluar motër/ Kur kam parë bijtë e mi/ Ngritur pushkët njëri – tjetrit/ Skish më tmerr… lebeti/ Veç atëherë kam shpëtuar/ Nga idhnia pa u shuar/ Pa u hedhur përmbi det/ Që zhdukesha për jetë/ Qumështi i gjirit, gjak për peshq…/ Por… një zë… një dritë më bindi/ Nga të gjithë bijtë më i dituri/ (bëhet fjalë për Isuf Luzajn)/ Të qëndroja… të shpresoja…
– Mos u tut, e dashur mëmë/ Do të rilindësh si një këngë/ Do të këndohet:/ Herë e fshehur, herë mbi skena/ Gjer të shfaqet ndër bedena/Si flamur i Kastriotit/ Amanet i Ismailit,/ Lajtmotiv… bir pas birit…!”
Nëse në shtetet e ndryshme të botës ka pozitë dhe opozitë, në Shqipëri ka patriotë dhe politikanë të shitur, politikanë që në qeveritë e tyre kurrë nuk mbrojtën interesat e shqiptarëve, kurrë nuk qenë vazhdues të Ismail Qemalit e pse për çdo 28 nëntor shkojnë e i vendosin kurora me lule tek varri, mbajnë dhe fjalime, puthin dhe flamurin dhe kaq. Hipokrizi! “Unë kam parë shpesh pranë monumentit/ Kalojnë nëna qëndrojnë bëjnë kryq me dorë/ Disa të tjerë, qëndrojnë, përulen, puthin vendin/ Plot njerëz vinë, në shenjë nderimi qëndrojnë… /Po, kam parë edhe shumë pushtetarë/ Venë kurorë, buzëqeshin, flasin me letër/ Radhitur veprimet bukur me skenarë/ Ikin më në fund pa e përshëndetur…Po të shohësh politikën botërore aktuale aty – këtu lulëzojnë po ato qëndrime ndaj shqiptarëve si para 101 vjetësh, mos vallë ka ardhur koha që shqiptarët të hapin sytë nga letargjia dhe të shkojnë atje ku u helmua dëshira e shqiptarëve dhe të gjejnë helmuesin dhe të kërkohet këmbëngultas për të zgjidhur një herë e mirë çështjen shqiptare, se kaluan 101 vjet dhe situata jonë mbetet po ajo; vend i pazhvilluar, varfëri, emigrim, korrupsion, diktat nga jashtë dhe ku ishim asgjëkund, ku po shkojmë… Zoti e di, e pse fjalimet fillojnë: “Për të shkuar drejt BE…” drejt një BE – je që kurrë nuk i ka respektuar shqiptarët, kurrë nuk u ka lënë vendin që meritojnë si autoktonë nga më të hershmit në Ballkan. “Qysh kur perëndia gatoi tokë/ Rrënjëzohet… këtu, lashtësia/ Zoti në këtë tokë na bëri zot/ Që nga Pellazgët, nis historia…/ Gjithë kombet janë krijuar/ Askush nuk mund të rikrijojë/ I falemi Zotit të lavdëruar/ Që krijoi dhe kombin tonë…/ Kombet tjera kudo që janë/ Me fat janë, kanë mëmëdhe/ Po kombin tonë pse duan ta hanë/ Si korbat vërsulen të na bëjnë pre!/ Na thonë se jemi një racë pa taban/ Na thonë të tjerë jemi të krishterë/ Ortodoksë, katolikë, bektashian…/ Emri shqiptarë s’përmendet një herë…”
Edhe po të kishim qenë kriminelë, do na jepej dënimi kapital me 101 vjet burg, por ne kurrë s’kemi qenë kriminelë, por i kemi trajtuar kombet tjera si veten, i kemi pritur dhe përcjellë si miq, por ne na doli si bilbilit me qyqen. Bilbili i ndërton folenë, lëshon vezët, i ngroh vetë, dalin zogjtë dhe i ushqen po vetë, ndërsa qyqja vjen lëshon vezën në folenë e bilbilit dhe bilbili duke vepruar me natyrën e tij që kurrë nuk i lë vezët në folenë e tjetrit dhe as që e mendon, kështu bashkë me vezët e tij, ngroh dhe të qyqes, por zogu i qyqes del më i madh dhe jo vetëm u ha ushqimin të vegjëlve të bilbilit, por me krahë e hedh poshtë. Kështu ka vepruar dhe vepron Serbia me ne, Greqia me ne… gjithë ndërkombëtarët; vijnë si miq, bëhen pushtues e sot janë këmbëkryq në trojet tona e ne përsëri besojmë në miqësinë e tyre dhe përsëri u ngrohim vezët, ata na hanë zogjtë… “Si një pemë, as çelë, as tharë/ Rrugë, pa rrugë, o Shqiptarë/ E pse pini nga një dorë tjetër/ S’ka kulloshtër, t’u rrisë jetën!/ Një dorë, u jep për të pirë/ Një shiringë, gjakun u thith/ Eh, shqiptar, kurrë s’ke gjetur/ Rehatinë për të fjetur/ Në gjumë të natës si një hënë/ Nga errësira, ndrin një nënë/ Është e plotë pesëmbëdhjetë/ Thotë: ” Shqiptar, mos rri tuj fjetë!”
Nëse bota do kishte dëshirën e mirë për të ndihmuar kombin tonë, nuk do merrte shpatën duke na ndarë në 6 copa, por të na bënte bashkë dhe atëherë të provonin vitalitetin e kombit tonë bujar dhe paqedashës. Asnjëherë bota nuk u interesua për të studiuar vitalitetin e kombit tonë, por ecën duke dëgjuar këngën qyqes, një këngë antishqiptare, një këngë si këngë qyqeje…
Edhe sot janë aktuale fjalët e Ismail Qemalit ku thotë: “Paqja në Ballkan nuk do të mund të rivendoset duke sakrifikuar të drejtat e kombeve të tjera në interes të synimeve ekspansioniste, pa iu shtuar Shqipërisë nga ana e veriut Kosova dhe nga ana e Jugut Çamëria, nuk mund të shtrohet qetësia në sinisinë e Ballkanit…”
Në kohën që Konferenca e Paqes në Paris do të vendoste fatet e popujve, fati i shqiptarëve mbeti pa fat, se strategu dhe ideatori i kombit tonë u helmua dhe vdiq duke lënë në zemrat e shqiptarëve të ndershëm amanetin e tij për bashkim e përparim. Ismail Qemali nga Madriti, në fillim të tetorit 1918, tërhiqte vëmendjen se “Detyra jonë imperative (urdhëronjëse) është sot t’i vihemi punës pa mëri dhe pa përtim për të vënë themelitë e të drejtave tona politike dhe për t’i vulosur me vulën e Konferencës së Paqes”Kuptimet e historisë janë për ne të rëndësishme e pse rrallë herë në histori ndeshim një teori, e cila mund të vërtetohet shkencërisht, por mendoj se mjaftojnë 101 vjet për të vërtetuar teorinë e Ismail Qemalit, se edhe sot fjalët e tij tingëllojnë si zile zgjimi për çdo shqiptar që të ngrihet e të kërkojë fijet e këputura dhe të mbledhë lëmshin e historisë në dobi të çështjes sonë kombëtare. Safo Vlora shkruan në kujtimet e saj për ditën e ardhjes së trupit të Ismail Qemalit në Vlorë: “… Nëse masim madhështinë e një personaliteti politik me dashurinë e popullit të thjeshtë, duhet të pohojmë se asnjë nuk i afrohet Ismail Qemal Vlorës se në ceremoninë e përmotshme… as fshatar as qytetar nuk qëndroi në shtëpi, tërë faqet e maleve dhe brigjeve, që qëndronin gjatë udhëtimit, ishin mbushur me njerëz, ishte një apotezë madhështore e të gjithë popullit, pa dallim, dhe një kurorë që Ai e fitoi me punën e tij të madhe në shërbim të vendit të tij, derisa dha frymën e fundit…”
Ismail Qemali ka qenë dhe mbetet babai i kombit shqiptar, deri më sot nuk ka dalë një i dytë, koha do sjellë në skenë një bir shqiptari që siç thotë historiani, filozofi, poeti dhe patrioti i madh Isuf Luzaj në poemën “Glorja e Çmendjes” se: “Ashtu si këta, yje Historie,/ Që kanë pas tyre legjione rinie,/ Në shpirtin e popullit kanë mbetur dëshmi,/ Ashtu, sigurisht, një ditë do të vijë,/ Një djalë shqiptari, prej mëme shqiptare,/ Ndoshta i panjohur as në fshatin e tij,/ Do ujdisë përpjekje me histori fatbardhë,/ Në një çast të papritur do bëjë mrekulli,/ Do ta ngrejë në këmbë racën tonë krenare,/ Do ta vërë në radhë në mes të Evropës,/ Shembull e pasqyrë, për popujt e botës,/ Të binden, të besojnë që ka Perëndi.”
Mendoj se nuk kemi vepruar ashtu si duhet për ta nderuar aq sa duhet këtë burrë shteti, përderisa asnjë shqiptar deri më sot nuk u shqetësua për rrethanat në të cilën vdiq Ismail Qemali. Pyetje të shumta na godasin si çekan çdo vit e më shumë, çdo ditë e më shumë, se ekzekutimi i Ismail Qemalit, ka qenë thika më e madhe që i është futur kombit tonë në trup (fatmirësisht nuk shkoi në zemër) dhe ashtu si një pemë që i ngulin një gozhdë që as thahet dhe as lulëzon më, ashtu ka mbetur kombi ynë, as zhduket dhe as zhvillohet si gjithë kombet tjera në botë. Më vjen në mend një rrëfim i një burri të moçëm nga Vlora: “Tregojnë se një herë e një kohë njërit i vrasin vëllanë dhe siç ishte zakoni, ai duhet të merrte gjakun e për këtë, mbushej një shishe e vogël me gjak dhe varen në mur si portret i të vdekurit e hiqej pasi ishte marrë haku, por i vëllai me ndërhyrjen e miqve e fali gjakun, por shishja mbeti në mur. Kaluan shumë vite, mbase 101, dhe tek flinte një pasdite i del vëllai në ëndërr dhe i thotë: “Si fle gjumë, kur unë jam i vdekur dhe hasmi fle poshtë lisit pranë arës sonë…” Vëllai ngrihet i trembur, merr pushkën, hipin kalit dhe rend si i çmendur tek lisi dhe vërtet e gjen hasmin duke fjetur në hije. I thërret e ai ngrihet nga gjumi i trembur. Vëllai i thotë: “Unë ta fala gjakun, por nuk ta fal gjaku i vëllait dhe e vrau.” Me këtë nuk dua të them që të shpallim luftë ndaj gjakësorit (as fuqi nuk kemi për ta bërë këtë), por ta dimë se cili është dhe ta gjykojë e drejta, se nuk jemi në kohërat e gjakmarrjes e pse gjakmarrjen na e kanë futur mes njëri – tjetrit, për të mos pasur mendjen tek gjakësori i të gjithë shqiptarëve.
Ne duhet të bëjmë të pamundurën për të njohur të kaluarën, me qëllim që të kuptojmë se ku e patën nisjen të gjitha problemet e kombit tonë e kështu duke gjetur shkakun, duke kuptuar pasojat shkatërruese që kemi pasur fatin e keq të përballemi këto 101 vjet shtet shqiptar si një pjese krahu e kombit tonë, vetëm kështu do të jemi të kthjellët për të hedhur hapa të sigurt drejt së ardhmes. Në rrjedhën e historisë ka ngjarje të rëndësishme dhe më të rëndësishme që ne duhet t’i kujtojmë në ditë festash, që për fat të keq disa nga këto ngjarje kanë qenë shkatërruese për kombin tonë, por për fat të mirë nuk qenë asgjësuese.
Nëse do të shkonim në vitet 1912 e deri 1919 me vdekjen e Ismail Qemalit e të analizojmë situatat historike ndërkombëtare, situatën nevralgjike të kombit tonë, trazirat dhe pazarllëqet e fuqive të mëdha në prag të Konferencës së Paqes, duhet të analizojmë me kthjelltësi, pa ngarkesa emocionale politike, por thjesht si studiues, do na dalë përpara puna e ndershme e Ismail Qemalit për të përfunduar projektin e nisur më 28 nëntor 1912 për bashkimin e trojeve etnike shqiptare, që më pas të ishte i sigurt zhvillimi dhe përparimi kombëtar në harmoni me gjithë kombet tjera në botë.
Duke e parë historinë nga ky këndvështrim vit pas viti festa e 28 nëntorit nuk do të organizohej me brohoritje, por me heshtje zije dhe me angazhime për të zbardhur të vërtetat e historisë së fshehur të rrjedhjes së ngjarjeve antikombëtare, ngjarje që për fat të keq, sot disave u duken normale. Nëse nuk zbardhet historia e vërtetë e cila është nxirë aq shumë nga antikombëtarët shqiptarë dhe antishqiptarët botërorë, saqë edhe deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë kanë fshehur e për fat të keq shteti hesht e kjo heshtje ka dorën brenda. Si mundet vallë shteti hesht , kur nga goja e Kristo Frashërit dalin fjalët: “Dokumenti i Pavarësisë ka qenë në Tiranë deri në verën e vitit 1962. Për një arsye që s’dua ta them na iku nga dora. I iku nga dora qeverisë. Tani as që jam në gjendja ta ndjek. Unë s’lëviz dot nga vendi. Ai që e kishte na u lut që të mos e zinim në gojë emrin e tij. Dhe unë ia kam dhënë fjalën e s’e tregoj” Ka shtet shqiptar, apo ka vetëm barbarë. Po si u lejuaka një person, që ka marrë tituj dhe dekorata deri në “Nder i Kombit” të bëjë deklarata të tilla dhe të mos merren me të?? Oh, sa fatkeq paskemi lindur! Që pas Ismail Qemalit kemi mbetur bonjakë dhe bonjaku mbështetet herë tek halla, herë tek daja, por asnjë nuk e mban si birin e vet, e kthen në shërbëtor.Ndaj, jo vetëm të kujtojmë heronjtë, por të frymëzohemi prej tyre. Nuk do kishte kuptim festa vetëm për festë, por ashtu si në ditë Krishtlindjeje, Bajrami… që shkojmë në kishë, xhami, apo teqe, ku rrimë pak çaste nderojmë Zotin, ndezim qiri, bëjmë lutje dhe në fund themi “Amin”, për të ndezur shpirtrat tanë dhe më pas futemi në të përditshmen… po do na realizohej dëshira që u lutëm para Zotit nëse çdo njeri nuk do përpiqej pa u ndalur për ta realizuar atë? Kurrsesi jo, ndaj çdo ditë e 28 nëntorit le të quhet festa e fesë sonë, e fesë së shqiptarizmit, ku pa dallim, të gjithë shqiptaret të shkojnë në Vlorë, se Vlora është Meka e Kombit tonë, ashtu siç jemi lutur para Krishtit, Muhametit, para gjithë varreve të profetëve, ne të bëjmë homazhe tek varri i Ismail Qemalit, se ai është Profeti i shqiptarëve. “Ka ardhur koha, të shpallim Profet/ Të dërguarin e zotit Ismail Bej Vlorën/ Që s’dalloi e s’pyeti aspak për fetë/ Në emër të Zotit na vuri kurorën!/ Siç jemi lutur deri tash përmbi varre/ Që s’dimë nga janë, emrin s’e kanë shqiptar/ Të bëhemi bashkë, të vihemi në radhë/ Tek varri Ismailit çdo vit, pelegrinazh…./ O Tokë e të parëve tanë, o Shqipëri/ Mbaje fort shtrënguar në gji profetin/ Kërko ndër bij, nxirr një profet të ri/ Ta çojë me guxim gjer në fund amanetin…/ Vetëm Profetët kuptojnë amanetet/ Xhepmëdhenjtë njohin vetëm paranë/ “U lamë një copë tokë, kufijtë t’i gjejnë vetë”/ Ismail Qemali, në Sheshin e Flamurit ka thënë.”