• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova, të ardhme sigurt në kuadër të BE-së, NATO-s dhe OKB-së

December 5, 2017 by dgreca

 6 Thaci Forc Armat-Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, mbajti fjalimin e fundvitit para pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës/

PRISHTINË, 5 Dhjetor 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, the sot se, Kosova dhe qytetarët e saj janë popull autokton evropian, prandaj e ardhmja e jonë, duke përfshirë edhe vlerat që përfaqësojmë, është e natyrshme dhe e sigurt në kuadër të Bashkimit Evropian, NATO-s dhe OKB-së.

 “Kosova do të arrijë të përmbyllë me sukses periudhën e vuajtjeve dhe konfliktit me Serbinë, duke nënshkruar Traktatin e Paqes dhe Pajtimit”, u shpreh ai.

Thaçi theksoi se, qytetarët e Republikës së Kosovës duan të shohin liderët e tyre të zgjedhur politikë të bashkuar në të gjitha çështjet e interesit nacional dhe shtetëror.

“Prandaj, është detyra e imja, detyra e juaja, detyrë e të gjithë neve, që të punojmë pa u ndalur për të mirën tonë të përgjithshme. Uroj që të na prijë e mbara në realizimin e qëllimeve tona të mira në shërbim të qytetarëve dhe shtetit tonë”, u shpreh ai.2 Thaci 2Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi,  foli në një adresim publik për qytetarë të bërë nga kazerma “Adem Jashari” e Forcës së Sigurisë së Kosovës,  në Prishtinë, ku tha se Forcat e Armatosura të Kosovës po bëhen në koordinim të plotë me NATO-n dhe partnerët tanë. “Ashtu siç krenohemi sot me Forcën e Sigurisë së Kosovës, ashtu do të krenohemi me të edhe si forcë shumetnike, profesionale dhe mbrojtëse”, theksoi  ai.Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, mbajti fjalimin e fundvitit para pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

***

FJALIMI I PLOTE I PRESIDENTIT HASHIM THAÇI

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Të nderuar ushtarë dhe oficerë,

Jam krenar dhe shumë i privilegjuar që sot jam para jush. Ju me punën tuaj keni arritur t’i bëni krenarë prindërit tuaj, fëmijët tuaj, por mbi gjithçka, ju jeni krenaria e Republikës së Kosovës.Më lejoni t’iu falënderoj për këtë mundësi të adresimit sot.Ne duhet reflektojmë së bashku për të arriturat deri më tani.Të flasim për zhvillimet në vendin tonë dhe së bashku të gjejmë përgjigje të përbashkëta për sfidat dhe mundësitë që i kemi para vetes.Cilësia e demokracisë sonë nuk duhet të varet vetëm nga një sprovë e përfaqësuesve politikë me qytetarin vetëm përmes zgjedhjeve.Unë besoj se demokracia ndërtohet dhe forcohet nga shkëmbimi i vazhdueshëm dhe i drejtpërdrejtë i ideve dhe përvojave tona.

 Të nderuar ushtarë dhe oficerë,

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

 Më lejoni që në fillim të shpreh mirënjohjen për faktin që sivjet kemi kaluar dy teste të rëndësishme të pjekurisë demokratike përmes organizimit të suksesshëm të zgjedhjeve.  Aq më tepër kur kujtojmë faktin që këto zgjedhje janë mbajtur në një atmosferë jo të lehtë politike, ku debatet e brendshme ishin më të gjalla dhe dinamike se kurdoherë më parë.

Të nderuar të pranishëm,

 Të kthejmë kokën prapa dhe kujtojmë të kaluarën tonë. Shpejtësia me të cilën Kosova ka arritur ta kthejë fatin e vet në rrugë të mbarë në tri dekadat e fundit është e pashembullt.Ne e kemi pasur fatin dhe nderin të jemi pjesë e gjeneratës historike që e nxorëm këtë vend nga shkelja, përbuzja, keqtrajtimi dhe nënshtrimi.Kemi bërë shumë për vendin tonë dhe për këtë jemi përgjithmonë ballëhapur. Por, a ka përfunduar puna jonë me kaq? Sigurisht që jo.Mendoj se ne mund të bëjmë shumë më tepër.Jemi afër nga data kur do të shënojmë dhjetëvjetorin e pavarësisë. Këto data na mundësojnë të shkëputemi nga përditshmëria dhe të bëjmë një reflektim të përbashkët. Të flasim për të arriturat dhe sfidat që i kemi tejkaluar, e po ashtu të mendojmë qetë edhe për ngecjet,  edhe dështimet, sado e pakëndshme të thuhet e mendohet kështu.Duhet të jemi plotësisht të sinqertë, Kosova sot është duke kaluar sfida jo të lehta.Ne kemi arritur të konsolidojmë shtetin tonë, duke shtrirë institucionet në secilin cep të vendit, mirëpo në shumë fusha të funksionimit dhe qeverisjes, ende mbesin punë për t’u bërë. Edhe pse sot ne funksionojmë si shtet, ende shumë fusha mbesin jashtë autoritetit tonë shtetëror.Një numër i pa justifikuar i misioneve ndërkombëtare ende funksionon në Kosovë, duke krijuar përshtypjen se jemi në një stad shumë të hershëm të tranzicionit. Në rrafshin ndërkombëtar ne kemi arritur një numër të madh të njohjeve dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, por nuk jemi ende aty ku dëshirojmë dhe meritojmë të jemi. Projektet që ne kemi përpara nuk janë lehta.Sfida të mëdha kemi përpara, por nëse fokusohemi dhe punojmë së bashku, ne mund t’i përballojmë e tejkalojmë.

Të nderuar ushtarë dhe oficerë,

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Kohërat e vështira mund të na hutojnë, mirëpo ne nuk guxojmë të lejojmë që pengesat ta turbullojnë vizionin tonë. E kaluara e jonë është e dhimbshme, e dominuar nga shtypja dhe pushtimi.Gjithmonë do t’i kujtojmë me dhimbje të gjitha viktimat e pafajshme të luftës së përgjakshme. I kujtojmë me përulje, por edhe krenari të gjithë martirët dhe heronjtë që dhanë jetën e tyre për lirinë që ne sot e gëzojmë. Nuk harrohen dhe nuk duhet të harrohet kurrë deportimi i gjysmës së popullsisë sonë, në një përpjekje për spastrim etnik. Kjo dikujt mund t’i duket se po flasim për një histori të vjetër e të harruar, por jo.Po flasim për historinë tonë, për vëllezërit dhe motrat, të afërmit dhe miqtë tanë, për vuajtjen tonë. Vuajtja ende nuk ka përfunduar, sepse edhe sot shumë familje në Kosovë vazhdojnë të jetojnë duke mos e ditur se ku i kanë të afërmit e tyre.Me gjithë këtë barrë historike, ne nuk do të lejojmë që dhimbja dhe tmerri që kemi përjetuar, të na mbajnë peng.Nuk do të mendojmë dhe as nuk do të sillemi si viktima, sepse ne e kemi fituar luftën dhe kemi një histori me të cilën mburremi.Por, detyra historike që kemi para vetes është që ta fitojmë edhe paqen.Qëllimi ynë mbetet i qartë, të ndërtojmë një ardhmëri të Kosovës si një vend i lirë, demokratik dhe paqedashës, i cili do të jetë atdhe i të gjithë qytetarëve të saj.Republika e Kosovës si një vend i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm, me përcaktim evropian dhe euroatlantik, duhet të jetë e pakontestuar dhe e integruar në familjen e kombeve botërore.

 Këto qëllime duhet t’i arrijmë me ngulm e vetëbesim, duke përmbushur standardet demokratike, por jo duke u bërë servil të projekteve shterpe, të cilat shpesh janë të importuara dhe të imponuara.Tashmë çdo ditë po shtohen zërat që po kërkojnë identitet më të qartë në mënyrën se si qeverisim.Për një kohë shumë të gjatë u jemi përshtatur nevojave të kohës. Kemi bërë lëshime të shumta në çështje që do të duhej të kishin një reflektim të brendshëm më të madh dhe përfillje më të madhe të asaj se kush jemi.I ftoj të gjithë që të mendojnë më shumë për atë se si mund ta bëjmë një Kosovë që reflekton kërkesat, nevojat, ëndrrat dhe dëshirat e qytetarëve të saj, para së gjithash.Deri sa besoj në nevojën për reformim të vazhdueshëm e modernizim, unë mendoj se këtë duhet të bëjmë në mënyrën që më së miri i përshtatet vendit tonë. Koha e misioneve të huaja ndërkombëtare në Kosovë ka kaluar.Ne i mbetemi mirënjohës bashkësisë ndërkombëtare për çdo të mirë që i ka sjell Kosovës, ashtu siç i mbajmë përgjegjës për të gjitha lëshimet dhe dështimet e tyre. Partneriteti i mirëfilltë funksionon në mënyrë reciproke.Bashkësia ndërkombëtare gjithmonë do të mund të llogaris në partneritetin e fortë dhe bashkëpunimin me ne, si parim bazë.Por tani, përgjegjësia për rrugëtimin tonë, për të sotmen dhe të ardhmen tonë, është në duart tona.Prandaj, të gjithë kemi përgjegjësi që të sillemi si zot shtëpie në vendin tonë.Para se të fajësojmë rrethanat dhe këdo për çfarëdo që na duket se nuk po shkon mirë, ne duhet të bëjmë një vetëreflektim. Sot shoqëria jonë është më e polarizuar, e fragmentuar politikisht dhe çdo gjë ka filluar të politizohet skajshëm.Unë e kuptoj se sa sfiduese është për të gjithë ata që kanë kontribuuar për këtë gjendje.Ata duhet të gjejnë forcën dhe ta tejkalojnë këtë model të ndarjes dhe përçarjes.Spektri politik në Kosovë mund të mos të pajtohet për çështje të caktuara, por ne nuk guxojmë që të humbim qoftë edhe një minutë duke lejuar degradimin e mëtutjeshëm të debatit.

Dhuna nuk ka vend në Kosovë.

Aq më tepër, dhuna në institucione dhe nga përfaqësues institucionalë është turp dhe nuk mund të justifikohet me asgjë .Fatkeqësisht, kjo qasje shkatërrimtare e brendshme e ka dobësuar dhe po e dobëson vendin tonë.Sulmet ndaj institucioneve, dëmtimi i pronës publike e private, duelet fizike të deputetëve, janë ndër fatkeqësitë më të dhimbshme sot.Pasojat janë shumë më të mëdha se titujt sensacionalë që këto situata prodhuan si brenda edhe jashtë vendit.Prandaj, lutja ime për të gjithë është që të distancohen nga ky lloj i sjelljes dhe të punojnë për ndërtimin e urave të komunikimit dhe bashkëpunimit. Në Kosovë sot me lehtësi të madhe vihen në pikëpyetje dhe përdoren për politikë ditore çështje të interesit të përbashkët shtetëror.Ne urgjentisht duhet ta rindërtojmë konsensusin nacional për çështjet e interesit të përbashkët.Unë, si president do të vazhdojë të bëjë përpjekje të vazhdueshme që këtë element të përgjegjësisë sime ta respektoj dhe kultivoj në çdo aspekt të ushtrimit të funksionit tim. Janë disa gjëra që nuk do të duhej të varen nga ajo se kush është duke qeverisur e kush është në opozitë.Në tema të caktuara, qytetarët tanë janë të vendosur dhe unik.Uniteti i qytetarëve duhet të rezultojë në unitet të përfaqësuesve të tyre.

Të nderuar ushtarë dhe oficerë,

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Zhvillimi dhe rritja ekonomike, punësimi, edukimi dhe shëndetësia janë disa nga çështjet që duhet adresuar në mënyrë urgjente.Zhvillimi i prodhimtarisë bujqësore, rritja e kapacitetit të prodhimit të energjisë elektrike, investimet e huaja strategjike, janë çelësat e rritjes ekonomike. Po ashtu, është bërë punë e madhe në përmirësimin e infrastrukturës arsimore, në sigurimin e kushteve më adekuate të mësimdhënësve, duke përfshirë rritjen e pagave. Përkundër kësaj, ne duhet të rifokusojmë përpjekjet tona në përmirësimin e mëtutjeshëm të cilësisë së arsimit, në mënyrë që të përmbushim nevojat e tregut të punës.Në të njëjtën kohë, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit duhet të vazhdojë të mbetet prioritet ynë.Imazhi i keq për Kosovën, në masë të madhe është rezultat i perceptimit për shkallën e lartë të korrupsionit.Prandaj, kjo situatë duhet të ndryshojë njëherë e përgjithmonë.Se sa do të jemi të suksesshëm në çdo fushë, varet nga cilësia e sundimit të ligjit.Nuk ka fushë që është përfolur, analizuar, diskutuar dhe investuar më shumë se sa fusha e sundimit të ligjit.Prandaj nuk ka dyshim për rëndësinë e këtij sektori.Qasjet dhe modelet speciale, shpeshherë eksperimentale, e rrallë të përdorura gjetiu, gati janë bërë normë në Kosovë.Me qindra milionë euro të taksapaguesve evropianë janë shpenzuar dhe vazhdojnë të shpenzohen për mbarëvajtjen e misionit EULEX.Si është e mundur që me gjithë këtë përfshirje, të pashembullt, përgjegjësia të jetë vetëm në anën kosovare.E theksoj qartë se qëllimi ynë shtetëror është anëtarësimi në BE dhe jo që në Kosovë të ketë misione të përjetshme të saj.Besoj ka ardhur koha që disa nga institucionet tona duhet të tregojnë më shumë përgjegjësi dhe vetëbesim.Mungesa e dijes dhe guximit për të kryer detyrën me nder, nuk mund të justifikohet.Prandaj mesazhi im i qartë për të gjithë zyrtarët që e duan punën e tyre dhe shtetin tonë është: zbatojeni ligjin plotësisht dhe pa dallim, sepse kështu nuk do t’i japim askujt pretekst për të pretenduar vazhdimin e misioneve në pafundësi.Në verën e vitit të ardhshëm, ne do të shohim përfundimin e plotë të mandatit aktual të misionit EULEX.Nëse deri tani kemi folur për tranzicion, për tkurrje, ne tani duhet të flasim menjëherë për fazën përmbyllëse.Ne jemi krenarë që jemi pjesë e qytetërimit të civilizuar evropian dhe jemi të përkushtuar t’i mbrojmë vlerat perëndimore, që i kemi trashëguar nga të parët tanë.Nuk ka gjë më të shenjtë, se sa ta ruajmë tolerancën fetare dhe ndëretnike.Prandaj, jemi dhe do të mbesim kampion në luftën kundër ekstremizmit, fundamentalizmit dhe çfarëdo forme të terrorizimit.Kosova njësoj sikur pjesa dërmuese e shteteve perëndimore, është prekur nga elementet fundamentalistë dhe terroristë.Mirëpo institucionet tona të sigurisë, me sukses janë ballafaquar me këtë kërcënim të rrezikshëm.Kështu do të jetë edhe në të ardhmen.Do të jemi të pa kompromis kundër atyre që synojnë që me dhunë të na e ndryshojnë kulturën, traditën dhe mënyrën tonë të jetesës.Ata shtetas të Kosovës të cilët kanë rënë në rrjetën e ideologjisë ekstremiste, fundamentaliste dhe terroriste, do të përballën pamëshirshëm me forcën e ligjit.Do t’u japim goditje të vazhdueshme atyre që rrezikojnë vlerat tona kombëtare dhe shtetërore.

 Të nderuar ushtarë dhe oficerë,

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Këto janë tema jo të lehta për ne.Por, ne jemi këtu pikërisht për t’u marrë me tema të vështira.Padyshim, e tillë është edhe tema që mori vëmendje të madhe së fundmi që ka të bëjë me “Gjykatën Speciale”.Bashkësia ndërkombëtare e ka imponuar themelimin e saj.Institucionet tona e kanë pranuar një gjë të tillë, sepse në të kundërtën, ne do të ishim të pafuqishëm të parandalonim themelimin e një gjykate tjetër ndërkombëtare, nën ombrellën e OKB-së.E votuam në atë kohë për të ruajtur partneritetin me SHBA-në, BE-në dhe NATO-n.Unë mendoj se Gjykata Speciale nuk do të mund të arrijë të bëjë atë që e proklamon, të forcojë ndjenjën e drejtësisë për viktimat e luftës.Sikur të kishte drejtësi të tillë çfarë trumbetohet nga faktori ndërkombëtar, 100 gjykata speciale të këtilla do të duhej të bëheshin vetëm për krimet që Serbia e Millosheviqit i ka bërë në shtetet e Ballkanit dhe këtu në Kosovë.Ndërsa, paradoksi me të cilin ne ballafaqohemi është dëshpërues.E njëjta Serbi sot e ka derën e hapur për në BE, ndërsa Kosova mbahet e izoluar.Kosova dhe të gjithë ne e duam drejtësinë, por nuk pranojmë të diskriminohemi e poshtërohemi në emër të saj, vetëm e vetëm për të kënaqur ata që nuk e durojnë dot ekzistencën dhe suksesin e shtetit tonë.

Të nderuar ushtarë dhe oficerë,

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Kosova duhet të përfundojë tranzicionin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të themelojë ushtrinë shumetnike, pra Forcat e Armatosura të Kosovës.Këtë jemi duke e bërë në koordinim të plotë me NATO-n dhe partnerët tanë.Ashtu siç jeni sot, ju do të jeni forcë shumetnike, profesionale, mbrojtëse, që do të përfaqësoni me krenari shtetin tonë.Kosova duhet të ketë kapacitet të plotë mbrojtës dhe një ushtri moderne, që do t’i kontribuojë paqes dhe stabilitetit në rajon dhe kudo në botë. Ashtu siç po e dëshmoni çdo herë, ju pjesëtarë të FSK-së po shkëlqeni në secilin ushtrim apo garë ku merrni pjesë.Ju po shkëlqeni në akademi ushtarake të njohura në botë.Uniforma që ju bartni është ëndrra e stërgjyshërve tuaj, e kthyer në realitet.Ju jeni profesionistë dhe keni shumë për t’u dhënë misioneve të ndryshme paqeruajtëse.Por, para së gjithash, ju e meritoni shansin e realizimit të potencialit të tuaj, duke u bërë së shpejti pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Kosovës.Ne jemi duke shikuar drejt ardhmërisë, por asnjëherë nuk do të harrojmë të gjithë ata që dhanë shumë për vendin tonë.Në themelet e lirisë sonë qëndron kontributi dhe sakrifica e shumë veteranëve të UÇK-së, që kurrë nuk hoqën dorë nga ëndrra e lirisë.Ne nuk do të heqim dorë nga përpjekjet tona që të sigurojmë mirëqenie dhe jetë të dinjitetshme për veteranët, invalidët e luftës dhe familjet e dëshmorëve.Këtë do ta bëjmë jo në dëm të funksionimit të shtetit, sepse për këtë jam i sigurt se askush nga ata nuk dëshiron të dëmtojë qëndrueshmërinë fiskale të shtetit tonë.

Të nderuar ushtarë dhe oficerë,

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Jemi në një kohë kritike edhe në marrëdhëniet tona me botën e jashtme.Ne besojmë në vlerat thelbësore të BE-së.Vullneti i qytetarëve të Kosovës është në favor të anëtarësimit në BE.Nëse na jepet një mundësi e drejtë dhe një perspektivë e qartë, ne do të bëjmë gjithçka në fuqinë tonë për të reformuar, përmirësuar dhe përmbushur të gjitha kriteret e BE-së.Por, që kjo të ndodhë, BE-ja duhet t’i japë fund izolimit të qytetarëve tanë.Ne e dimë fare mirë që sot, perspektivën evropiane e kemi shpresë, dëshirë, synim, por jo edhe realitet të mirëfilltë. Kosova, si vendi më proevropian në Ballkan, është shteti më i izoluar në Evropë.E, në anën tjetër “Evropianët e rinj” sot janë evropianë të izoluar.Është kjo ndjenjë e pafuqisë, e dëshpërimit, e mërzisë që na bashkon të gjithë neve në Kosovë: qofshim politikanë, ekonomistë, biznesmenë, artistë ose edhe qytetarë të zakonshëm. Me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes për Stabilizim-Asocimin, malli i një afaristi kosovar nuk ka më kurrfarë pengesash për t’u ofruar në tregun evropian,Por, vetë ky afarist, nuk mund të lëvizë dot në Evropë pa vizë.

 Kështu është edhe me artistët tanë.Filmat dhe veprat nuk njohin kufij, por këta kufij vlejnë për vetë autorët e tyre.Izolimi,  të lënit anash, të qenit i harruar, çdo ditë po shfrytëzohet prej ekstremizmave politikë dhe fetarë në Kosovë.Ky izolim po shfrytëzohet me qëllim të dobësimit të lidhjeve të kamotshme qytetëruese dhe kulturore të Kosovës me Evropën.Pse Kosova trajtohet kështu, kur dihet se Bashkimi Evropian, ka qenë pjesë e ndërtimit të demokracisë në Kosovë, në vitet 1999-2008, dhe më pas, kur BE ka qenë pjesë në procesin e shtetndërtimit të Kosovës? Politikanë dhe diplomatë, policë, prokurorë dhe gjykatës, ekspertë të të gjitha fushave të BE-së dhe të shteteve anëtare të BE-së, janë pjesë e pandashme e sukseseve tona. Gjithsesi, ata janë edhe pjesë e gabimeve dhe dështimeve tona.Nuk ka integrim evropian pa tejkalimin e izolimit diskriminues të imponuar e të stërzgjatur.Më lejoni të jem i qartë, ne e dimë se Kosova nuk do të jetë e gatshme për t’iu bashkuar BE-së vitin e ardhshëm.Sidoqoftë, besoj të gjithë jemi të vetëdijshëm dhe të shqetësuar nga fakti se procesi është i padrejtë.Liberalizimi i vizave është një shembull i qartë.Përveç që është lënë e fundit, Kosovës i janë dhënë 95 kritere, kur fqinjët e saj kanë pasur vetëm rreth 50 të tilla.Për më tepër, Kosova ka përmbushur plotësisht të 95-at nëse interpretohen sipas udhërrëfyesit formal.Kriteri i fundit i mbetur sipas BE-së për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, duhet të plotësohet pa humbur kohë.Qeveria e Republikës së Kosovës e ka miratuar dje këtë marrëveshje të cilën unë me përgjegjësinë më të lartë shtetërore e kam nënshkruar më 26 gusht 2015.Çdo dështim i institucioneve tona shtetërore për t’i kryer me përgjegjësi obligimet ndërkombëtare, po i shërben BE-së si justifikim për të mbajtur Kosovën të izoluar.

Zvarritjet e panevojshme, qofshin ato për qëllim të blerjes së kohës, apo për shkak të tekave personale, apo të një grupi të caktuar, janë të papranueshme.Këto zvarritje janë të dëmshme jo vetëm për procesin e liberalizimit të vizave, por edhe për raportet ndërshtetërore me Malin e Zi.Prandaj, institucionet shtetërore duhet të marrin vendim tani, sepse vonesat sjellin vazhdim të izolimit dhe zbehin besueshmërinë tonë në sytë e shteteve mike.Ne nuk duhet t’i lejojmë vetes që të dështojmë në përmbushjen e obligimeve shtetërore dhe në të njëjtën kohë të bëjmë fajtor vetëm BE-në, apo bashkësinë ndërkombëtare.Institucionet tona kanë dështuar për gati tri vjet me radhë që të ratifikojnë marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi.Kështu, jo vetëm që e kemi humbur betejën e argumentit me BE-në, por e kemi luhatur besimin tek partnerët tanë strategjikë ndërkombëtarë.E njëjta gjë mund të thuhet edhe për zbatimin e marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.Po bëhen më shumë se katër vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Brukselit dhe ratifikimit të saj në Parlamentin e Kosovës.Për fat të keq, qeveria ende nuk e ka përmbushur obligimin e vet për themelimin e Asociacionit, përkundër faktit se gjithçka është e qartë dhe plotësisht ligjore e kushtetuese.Prandaj, opinioni publik duhet t’i ketë gjërat të qarta.Për aq sa është fajtore BE-ja për izolimin e Kosovës, po aq janë fajtore institucionet shtetërore për mos përmbushjen e obligimeve të veta, duke i dhënë pretekst BE-së të na mbajë të izoluar. Nuk kam dyshim që qytetarët tanë do ta gjejnë mënyrën për ta tejkaluar izolimin.Kemi gjetur mënyra për të tejkaluar situata shumë më të vështira.

Të nderuar ushtarë dhe oficerë,

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Po bëhet çdo ditë me e qartë që nuk ka integrim evropian të njëanshëm.Kosova nuk njihet nga pesë shtete anëtare të BE-së.BE-ja duket e bindur se disa nga anëtarët e saj mund të vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e Kosovës.Si rrjedhojë kjo e bën të pamundur që Kosova një ditë t’i bashkohet BE-së.Ky është ai lloji i të menduarit të dyfishtë, që nuk pritet nga një institucion demokratik dhe transparent.A e gëzon Kosova një perspektivë evropiane apo jo?A munden disa vende, për shkak të problemeve të tyre të brendshme, të shuajnë shpresën e 2 milionë njerëzve që një ditë t’i bashkohen BE-së.Deri kur duhet ne të shtiremi sikur po integrohemi edhe deri kur do të vazhdojmë të sillen kinse problemi jemi ne.Procesi i integrimit mund të jetë i gjatë dhe i ngadalshëm, por së paku neve na duhet një perspektivë konkrete. Qasja e tanishme është e paqëndrueshme.Nëse nuk ka vizion dhe guxim e vullnet politik, frikësohem se jo vetëm që nuk do të kemi hapa përpara, por edhe më keq, do të shohim regres, sepse durimi po humbet me zbehjen e kredibilitetit të BE-së. Nganjëherë krijojmë përshtypjen se sa më shumë mundohemi ne, prodhohet më shumë skepticizëm tek disa vende të BE-së. Kosova është rast unik dhe përvoja jonë nuk ka asnjë paralele me rastet tjera në BE e gjetiu.Frika që njohja apo avancimi i Kosovës do të ketë efekt negativ te këto vende, është joracionale dhe një qasje e gabuar. Bashkimi Evropian e ka kuptuar që nuk ka mënyrë tjetër më të mirë për të siguruar paqen afatgjate në rajonin tonë, përveç anëtarësimit të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE.Unë dua ta them qartazi se Bashkimi Evropian vetëm forcohet duke hapur derën për popujt e mbetur ende jashtë tij.Ky duhet të jetë një vendim i shpejtë strategjik i BE-së dhe assesi një proces i pafund teknik dhe procedural.Veprimi dhe vendimi me adekuat i BE-së do të ishte anëtarësimi i pesë shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE në bllok, pra në të njëjtën kohë.Konsideroj dhe shpresoj se Komisioni Evropian dhe shtetet anëtare të BE-së, duhet të marrin në konsideratë realitetin tonë.Këtë realitet ta përfshijnë në udhërrëfyes gjatë hartimit të strategjisë për zgjerim, që do të bëhet publik në fillim të vitit të ardhshëm.Edhe në raport me fqinjët tanë, Kosova është faktor i stabilitetit dhe nuk mund të anashkalohet.Askush nuk do të na shkelë më kurrë, kjo është e sigurt.Të gjithë ata që janë të interesuar që të kenë një bashkëpunim me ne, duhet të na trajtojnë si të barabartë.

 Ne jemi për një stabilitet dhe bashkëpunimi rajonal, por kostoja dhe përfitimet duhet të jenë evidente për të gjithë.Kosova ka më shumë se pesë vite që ka hyrë në dialogun me Serbinë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.Besoj se, po pati vullnet politik në BE dhe te miqtë tanë ndërkombëtarë, ne do të mund të kalojmë në një fazë të re, më ambicioze dhe me domethënëse se deri më tani.Ne jemi të përkushtuar ndaj dialogut, sepse përmes tij kemi arritur të avancojmë konsolidimin dhe integritetin shtetëror të Kosovës. Sot, si rezultat i kësaj përpjekjeje, kemi shtrirje të institucioneve në të gjithë territorin e Kosovës.Sot kemi një sistem të drejtësisë unik dhe gjithëpërfshirës, kemi një polici në të gjithë territorin e vendit.

Këtë proces tani duhet ta përfundojmë me një marrëveshje historike përfundimtare për normalizim dhe pajtim.Ky proces duhet të përfundojë me marrëveshje ndërshtetërore, traktat ndërkombëtar që siguron një paqe afatgjate, njohje të ndërsjella dhe që mundëson integrimin në strukturat euroatlantike.Siç kam thënë, kjo duhet të jetë një përpjekje jona e përbashkët, prandaj edhe së shpejti do të propozojë një model të krijimit të një ekipi gjithëpërfshirës politik.Në këtë ekip do të krijohet hapësirë e mjaftueshme për të gjithë përfaqësuesit e partive politike dhe të shoqërisë civile.Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë të përfshira edhe më drejtpërdrejtë në këtë dialog.Ne duhet të mendojmë më shumë edhe rreth bashkëpunimit rajonal me të gjitha vendet e rajonit.Jemi të gjithë dëshmitarë të shumë nismave në kuadër të procesit të integrimit evropian për të avancuar bashkëpunimin me të gjithë në rajon. Një e nismë e tillë ambicioze është edhe zona ekonomike rajonale, që do të mundësojë lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve dhe profesionistëve. Unë mbështes ide të tilla, por ne si Kosovë do t’i respektojmë obligimet që i marrim.Por, kjo mund të bëhet vetëm pasi të hiqen barrierat dhe vetëm atëherë kur Kosova të trajtohet si e barabartë.Ne kemi përkushtim të plotë për paqen, për stabilitetin, por dëshirojmë të ecim para se të vrapojmë.

Duhet bërë e qartë që ky lloj bashkëpunim mes fqinjësh duhet të rezultojë në shërbim të të gjithëve, e jo të agjendave dhe lehtësimit të ecjes përpara të vetëm disa vendeve të caktuara të rajonit.Edhe një gjë, bashkëpunimi ndodh vetëm duke u trajtuar të barabartë dhe askush tjetër përveç nesh, nuk mund të flasë në emër të Kosovës.Për më tepër, përpjekjet e ndonjë shteti të caktuar për të dominuar ose udhëhequr rajonin tonë në çfarëdo forme, janë përpjekje të kota.Ëndrrat e së kaluarës duhet të harrohen, sepse ato na përçajnë.Vetëm e ardhmja e bazuar në vlera civilizuese dhe reciproke, mund të na bëjë bashkë.

Të nderuar ushtarë dhe oficerë,

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Me lejoni të përmbyll këtë adresim publik për ju dhe për qytetarët e Republikës së Kosovës kudo që janë, duke ritheksuar se: Kosova dhe qytetarët e saj janë popull autokton evropian, prandaj e ardhmja e jonë, duke përfshirë edhe vlerat që përfaqësojmë, është e natyrshme dhe e sigurt në kuadër të Bashkimit Evropian, NATO-s dhe OKB-së.Kosova do të arrijë të përmbyllë me sukses periudhën e vuajtjeve dhe konfliktit me Serbinë, duke nënshkruar Traktatin e Paqes dhe Pajtimit.Qytetarët e Republikës së Kosovës duan të shohin liderët e tyre të zgjedhur politikë të bashkuar në të gjitha çështjet e interesit nacional dhe shtetëror.Prandaj është detyra e imja, detyra e juaja, detyrë e të gjithë neve, që të punojmë pa u ndalur për të mirën tonë të përgjithshme.Uroj që të na prijë e mbara në realizimin e qëllimeve tona të mira në shërbim të qytetarëve dhe shtetit tonë.

Faleminderit për durimin dhe vëmendjen tuaj!

Filed Under: Komente Tagged With: fjalimi i presidentit, Hashim Thaci, kosova, NATO, OKB

Presidenti Thaci: Jam rritur me sfidat që ka kaluar populli i Kosovës

April 8, 2016 by dgreca

-Unë do të bëj gjithçka që t’i ndihmojë Kuvendit dhe Qeverisë që sa më shpejt t’i afrohemi ëndrrës sonë për anëtarësim në NATO, BE dhe OKB./

-Fjalimi i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në ceremoninë e inaugurimit/

 E dashura Lume, Endrit, nënë dhe baba,
Për mua kjo ditë është e veçantë, sepse shënon një moment të ri angazhimi politik në karrierën time prej tri dekadash.
Si e gjithë gjenerata ime, unë jam rritur me sfidat që ka kaluar populli i Kosovës.
Ndaj, kam emocione dhe kam nder që në këtë shesh të ju drejtohem si President i Republikës së Kosovës.
 Si student edhe në këtë shesh kam demonstruar për liri dhe të drejta demokratike. Për lirinë dhe çlirimin e Kosovës janë sakrifikuar shumë gjenerata. Ju ftoj si qytetarë të Republikës të lutemi dhe t’i falënderojmë të gjithë ata që dhanë jetën, që ne sot të jemi të lirë, sovran dhe të pavarur. Ju ftoj të mendojmë për një çast për sakrificat që çdo njëri nga ju keni dhënë, që sot të jemi bashkë në këtë ceremoni të tranzicionit të rregullt demokratik.  Sot jemi të bashkuar si vend dhe popull.
 Jemi këtu. Pjesëtarët e komuniteti shumicë, pjesëtarët e bashkësive etnike dhe fetare, por edhe pjesëtarët e LGBTI. Kemi qenë të bashkuar në kohë të mira dhe në situata të rënda. Në kohë hidhërimesh dhe gëzimesh. Bashkimi na ka ngritur si komb dhe si shtet.  Uniteti ynë ka qenë dëshmia më e madhe dhe më e fuqishme për botën se ne jemi një shoqëri e dedikuar për një sistem politik që garanton të drejtat më bazike individuale dhe kolektive. Një rend që buron nga proceset transparente të demokracisë me rrënjë që nuk çrrënjosen më nga askush.
Prandaj ju falënderoj të gjithëve.
 Me kontributin dhe sakrificën tuaj, me kohezionin qytetar, sot i tregojmë botës se kemi arritur pjekurinë e një demokracie evropiane në tetë vite të funksionimit si shtet demokratik.
 Sot, të nderuar mysafirë dhe të dashur qytetarë, po fillojmë një traditë të re.
Është vetëm edhe një gur në krijimin e një historie të përbashkët si shtet multietnik, sekular dhe përqafues të vlerave të familjes Euro-Atlantike.  Kjo ceremoni është një kapitull i ri në librin tonë të suksesit të përbashkët, ku zgjedhjet, ceremonitë, festat nacionale, dalëngadalë po e pasurojnë rrëfimin delikat për shtetin tonë. Janë ornamente të shtetësisë që po i qëndisim bashkë.
 Kjo ceremoni përfundon pas pak, por shteti ynë do të shkojë përpara. Edhe më shpejt, edhe më mirë. Ju siguroj se shteti ynë nuk do të ndalet. Nuk do të pauzojë.
Nuk kemi kohë për të humbur. Kemi humbur shekuj. Kemi humbur epoka. Kishim kaluar nga mesjeta në komunizëm. Nga komunizmi në luftë. Pa tranzicion demokratik. Tash e 17 vite jemi të lirë.
 Nuk kemi më asnjë vit, muaj e ditë për t’ia falur hidhërimit, urrejtjes dhe historisë së gjakut.
 Të nderuar qytetarë
Si President i Republikës së Kosovës, më lejoni t’ju them se nuk dua që të marrë mantelin e një heroi. Sot dua t’ju them se jam shumë i nderuar se jam vetëm President i Heronjve.  Që të pamundurën e bënë të mundur. Ëndrrën, realitet.
 Hero është punëtori që ndan nga kafshata e gojës për ta shkolluar fëmijën.
Hero është ndërmarrësi që punëson familje të tëra dhe paguan tatime.
Hero është veterani që dha gjithçka për atdheun, pa pyetur për shpërblim, pa menduar për rrezik.
Invalidi që dha gjymtyrët e trupit për liri.
Familjet e dëshmorëve që dhanë më të dashurit për atdheun,
I burgosuri që kaloi shumë vite në burg për rend demokratik.
Hero është qytetari i diasporës, që nuk kurseu për të sotmen kosovare.
Heronj ishin edhe ata një milion refugjatë gjatë kohës së luftës.
Sot, hero është minoritari që ka vendosur të jetojë këtu në Kosovë, ku ka pasur rrënjët dhe ku është i gatshëm të përballet me sfidat e jetës.
Kosova nuk është e një bashkësie etnike më shumë e një tjetre më pak.
Kosova është atdhe i të gjithë qytetarëve të saj.
Hero është mësuesi që edukon brezat e rinj.
Hero është bujku që prodhon bukën tonë.
Hero është mjeku që shëron.
Hero është minatori.
Hero është ambientalisti që kujdeset për natyrën.
Hero është studenti, që ec me trendet e dijes botërore.
Heronj janë edhe fëmijët që shkojnë në shkolla të cilat i ndërtuam me mundin tonë.
Sot, hero është prokurori i mirë, e gjyqtari i drejtë.
Hero është polici që ruan rendin ditë e natë, hero është ushtari që garanton lirinë dhe paqen.
Qytetari i Kosovës është hero.
Ai kujton, por fal.
Ai nuk harron, por nuk hakmerret.
Ai është krenar, ngrihet mbi të kaluarën e pajtohet.
Heronj janë qytetarët e Republikës sonë.
Unë jam vetëm një President i thjeshtë i një populli heronjsh.
Ju premtoj se nuk ka fuqi, që mund t’i ndalë ëndrrat e heronjve.
Ëndrrat tuaja.
Pritjet tuaja.
E ju garantoj që shpresat, ëndrrat dhe pritjet tuaja do të jenë shpresat, pritjet dhe vendimet e mia..
 Të nderuar mysafirë,
Të dashur qytetarë,
Më lejoni që sot para jush t’i shpalos disa vija të përgjithshme të objektivave të mia si President i Republikës.
Janë katër çështje që do të doja t’i ofroja si një program fillestar, edhe pse që tash e di se do të dalin edhe shumë çështje tjera.
Do të dalin edhe shumë nevoja të tjera, sfida afatshkurtra dhe plane afatgjata, që duhet të futen në listën e gjatë të obligimeve.
 E para, ka të bëjë me Kushtetutën.
Në sistemin tonë demokratik, Presidenti është gardian i kushtetutshmërisë. Nga momenti kur e dhashë betimin dje në Kuvend, unë jam një roje, një mbrojtës i dokumentit tonë themeltar. Këto nuk janë vetëm fjalë dhe vetëm gjeste. Simbolet janë fuqi, sepse kanë domethënie dhe interpretim.
Do të punoj fortë për forcimin e identitetit shtetëror. Jam i vetëdijshëm se muajt e fundit kemi kaluar në debate të hapura dhe me tone divergjente politike.
 Si roje e Kushtetutës, unë do të jem i paanshëm politikisht. Do të ofroj agjendë dialogu aktiv në mes përfaqësuesve të popullit, pa dallime partiake.
Do të përdor instrumentet këshillëdhënëse që të kemi dialog aktiv edhe me komunitetet joshumicë. Tranzicioni presidencial nuk përbën ndryshim të sistemit, por është vetëm ndryshim personash të dedikuar që ta ruajnë sistemin. Këtë sistem e kemi krijuar ne vetë, gjeneratat e tëra të kosovarëve që luftuan fillimisht për liri, pastaj për pavarësi dhe që do të qëndrojnë së bashku në betejën epike që na pret për t’ju bashkuar komunitetit të kombeve euro-atlantike.
 Së dyti, do të luaj rol kushtetues në afirmimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, në rrafshin politik, diplomatik dhe atë social.
 Duhet të jemi të vetëdijshëm se tundime të mëdha, ndryshime tektonike po përshkojnë kontinentin e Evropës dhe mbarë botën. Kosova duhet të luajë rol aktiv në çështje që kapërcejnë madhësinë tonë si shtet apo mundësitë tona si popull. Valët e refugjatëve nga zonat e luftës, radikalizmi dhe terrorizmi i bazuar në urrejtje dhe shkatërrim, si dhe erërat e ftohta që na vijnë nga Lindja, janë sfida që po e testojnë çdo shtet, që po e testojnë çdo aleancë. Aleatëve tanë të nderuar dhe miqve nga mbarë bota, Ju premtoj se Kosova do të jetë hallkë e fortë e zinxhirit antiterrorist.
Kosova do të jetë iniciues i nismave për paqe dhe dialog. Kosova po ndërton raporte të mira me fqinj. Kosova po kultivon frymën e dialogut. Kosova e njeh kulturën e negocimit. Për të gjitha çështjet që mund të merremi vesh i kemi dyert dhe zemrat e hapura.
 Por, le të jetë e qartë se me ata që kërcënojnë lirinë në botë, me ata që rrezikojnë dhe sulmojnë miqtë tanë, me ata që synojnë shkatërrimin e mënyrës tonë të jetës, liritë dhe të drejtat tona, nuk do të ketë asnjëherë kompromis.
 Jemi krenar që Kosova është pjesë e përpjekjeve globale në luftë kundër ekstremizmit të dhunshëm.
 Qytetarët e Kosovës masovisht, pa dallim etnie e besimi kanë orientim euroatlantik.
Unë jam i obliguar nga qytetarët tanë që ta ruajë si sytë e ballit miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian.
 Unë do të bëj gjithçka që t’i ndihmojë Kuvendit dhe Qeverisë që sa më shpejt t’i afrohemi ëndrrës sonë për anëtarësim në NATO, BE dhe OKB.
 Qytetarë të nderuar,
Jemi këtu, para monumentit të Skënderbeut. Shumëkush e sheh si luftëtar në mes qytetërimeve, por unë sot e shoh si një njeri që preku dy botëra. Vendi ynë është i vëmendshëm për traditat fetare tradicionale islame dhe krenar për gjurmët e shenjtorëve të krishterë që nga koha e Shën Pjetrit dhe Shën Palit. Dhe çmojmë margaritarët e Kishës Ortodokse Serbe. Vetëm pak metra nga këtu e ngrita monumentin e hebrenjve të Kosovës, edhe një dëshmi tjetër e diversitetit tonë.
 Vendi ynë është krenar që sivjet po bëhet e shenjtë një grua e bekuar, që para 90 viteve, si 17-vjeçare në Kishën e vogël të Letnicës, ndjeu urdhrin e Zotit dhe nga Gonxhe Bojaxhiu u bë Nënë Terezë, humaniste me përmasa globale. A nuk jemi më të pasurit në Evropë që kemi kaq pasuri, kaq diversitet, kaq tolerancë shekullore? Por, të jemi të qartë – ky vend është sekular. Republika jonë bën dallimin midis rolit të shtetit dhe fesë.  Si gardian i Kushtetutës do të jem edhe gardian i kësaj ndarje të qartë.
 Të nderuar qytetarë,
 Pika e tretë ka të bëjë me dy të parat, por meriton kujdes dhe vëmendje të veçantë.
Fjala është për dialogun e dyfishtë në Kosovë me komunitetet jo-shumicë dhe me Serbinë.
 Ne duhet të vazhdojmë rrugëtimin tonë evropian dhe dialogun me Serbinë, sepse qytetarët na kanë obliguar ta anëtarësojmë Kosovën sa më shpejtë në BE dhe NATO.
Ky është një obligim dhe detyrim nacional që edhe në momentet më të vështira, edhe në bisedat më të rënda dhe në çastet më provokuese, mos t’i dorëzohemi dëshpërimit, mos të dorëzohemi para urrejtjes.
 Ne do të ndërtojmë fqinjësinë e mirë.  Dialogu nuk ka alternativë. Kosova dhe Serbia duhet të kalojnë nga faza e normalizimit të marrëdhënieve në procesin e pajtimit në mes të dy shteteve dhe dy popujve. Jam i bindur se pajtimi do të ndodh.
 Do ta përdori fanarin më të ndritshëm që edhe në errësirën më të thellë të gjejmë njerëz me të cilët mund të dialogojmë, me të cilët mund të ndërtojmë ura.  Marrëveshja e Brukselit nuk është një ishull. Ajo solli relaksim raportesh politike në gjithë rajonin tonë. Sot Ballkani dhe gjithë rajoni është ndryshe. Secili komunikon me secilin. Së bashku me Planin e Ahtisarit dhe Marrëveshjen e Rambujesë – ajo është edhe një pikë referuese e historisë sonë moderne, e arkitekturës së paqes në Ballkan.
 Të nderuar mysafirë,
Pika e katërt është e fundit, por jo më pak e rëndësishme.
 Duhet të jemi të qartë, për disa qytetarë politika është bërë një fushëbetejë monotone mes liderëve. Për ta ajo ende nuk sjell shpresën për vende të reja të punës, për progres ekonomik dhe mirëqenie sociale.  Qytetarët me të drejtë kanë kërkesa. Të rinjtë kanë nevojë për shpresë. Të diplomuarit kanë nevojë që dija e tyre të shpërblehet.  Pensionistët kanë nevojë jetike të sigurohen që kontributi i tyre nuk do të injorohet.
 Prandaj do të punojmë që tranzicioni ekonomik të shkojë me hapa po aq të shpejtë si tranzicioni politik, që e kemi përjetuar.  Ne – një popull që u ringritëm si feniksi, që rindërtuam shtëpitë tona, që zumë hapin me kohën dhe me botën, duhet të jemi në gjendje të krijojmë zhvillim dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët tanë.
 Të dashur qytetarë,
Kam qenë dëshmitar kur shokët e mi më kanë vdekur para syve. Kam përjetuar edhe momente dëshpërimi në rrugëtimet e gjata për lirinë e vendit tonë. Por, kam qenë gjithmonë i bindur se një ditë ky popull do të dalë në dritë. Do ta fitojë lirinë. Beteja e sotme nuk është e tillë që kërkon sakrificën më sublime.  Nuk është e tillë që ngrit dyshime ekzistenciale.  Ato tashmë i kemi kapërcyer.
 Beteja e sotme është që t’i bëjmë krenar fëmijët tonë dhe fëmijët e fëmijëve tonë me shtetin e tyre, me kualitetin e tyre të jetës. Të sigurojmë që së shpejti të mund të lëvizin në Evropë. T’i bëjmë pjesë thelbësore të projektit demokratik, të shtetit të së drejtës. Edhe sot ndër betejat tona kryesore është fryma e dashurisë ndaj njëri – tjetrit. Prandaj, në këto përpjekje dhe synime unë do të jem pranë jush dhe nuk kam dyshim që së bashku se do të dalim faqebardhë.
 Si President i Republikës, si President i një populli heronjsh, unë besoj në shtetin tonë dhe në ardhmërinë e tij të sigurt.
 Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj.
Zoti i bekoftë miqtë e Kosovës.
Ju faleminderit.
 
*****
Datë: 8 prill 2016
 

Filed Under: Editorial Tagged With: fjalimi i presidentit, Hashim Thaci

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT