Fjalimi i plotë i presidentit Italian Giorgio Napolitano ne Kuvendin e Shqiperise/
TIRANË/ Presidenti italian, Giorgio Napolitano, ka deklaruar në fjalën e tij në Kuvendin e Shqipërisë se Italia do të vazhdojë të jetë një mbështetëse e fortë e Shqipërisë dhe se Europa është destinacioni natyral i Shqipërisë. Më poshtë po botojmë të plotë fjalën e Presidentit Napolitano.
Zoti President i Republikës,
Zoti Kryetar i Asamblesë Parlamentare,
Të nderuar Deputetë,
Zoti Kryeministër,
Zotërinj Ministra,
Zotërinj Ambasadorë,
Mundësia për të vizituar Shqipërinë dhe për të marrë fjalën sot në këtë kuvend – falë ftesës së Presidentit Nishani dhe Kryetarit Meta – përbëjnë për mua dhe për Italinë një arsye për t’u ndier veçanërisht të nderuar si dhe rastin më të mirë për të riafirmuar përgjegjësitë e përbashkëta që rrjedhin nga një marrëdhënie kaq e ngushtë dhe e gjerë si ajo që bashkon Popujt tanë dhe Kombet tona.
Kënaqësia që ndiej sot teksa jam mes jush, të zgjedhur si përfaqësues të Popullit tuaj, lind nga vetëdija e asaj çka përfaqëson sot Shqipëria, një vend fqinj dhe mik që në vitin 2012 ka kremtuar njëqindvjetorin e pavarësisë së vet dhe se, veçanërisht në 20 vjetët e fundit, ka përmbushur një rrugëtim të jashtëzakonshëm edhe në rrafshin evropian, për të cilin Italia ka qenë një dëshmitare e vëmendshme dhe mbështetëse aktive. Për këtë arsye, krenaria e popullit shqiptar për fitoret historike të stabilitetit, prosperitetit dhe rritjes është një ndjenjë që i përket si Italisë ashtu edhe mua personalisht.
Lidhjet e thella dhe afërsia – që nuk është vetëm gjeografike – mes vendeve tona i veshin Italisë një përgjegjësi për të cilën jemi plotësisht të vetëdijshëm. Një përgjegjësi që deri më sot është përkthyer në një mbështetje të vazhduar dhe të kujdesshme për nevojat që vijnë nga populli dhe nga kombi shqiptar; një angazhim që – pa asnjë dyshim – mund të përkufizohet si element vazhdimësie i politikës së jashtme italiane, i përbashkët për të gjitha Qeveritë e Republikës që kanë ndjekur njëra tjetrën prej vitit 1989 deri më sot. Jam i sigurt që ky angazhim do shënojë marrëdhëniet tona dypalëshe edhe në të ardhmen dhe veçanërisht gjatë Presidencës jo të largët të Italisë në Bashkimin Evropian.
Ndjenja e miqësisë së thellë e cila u shpalos me ngrohtësi të veçantë gjatë takimeve të ditës së sotme, pasqyron jo vetëm shpirtin e popullit italian, por dhe atë të shumë bashkëkombësve tuaj që e kanë bërë Italinë atdheun e tyre të zgjedhur, duke dhënë një kontribut thelbësor në rritjen e Vendit tonë si dhe në zhvillimin e bashkëpunimit mes ekonomive dhe shoqërive tona. Komuniteti shqiptar përfaqëson sot komunitetin e dytë të huaj rezident në Itali për nga numri, dhe ka dëshmuar të ketë aftësi të jashtëzakonshme integrimi në sistemin shoqëror, dinamizmi të zgjuar në punë e sipërmarrjeje në vendin tonë, gjithnjë duke ruajtur pasurinë e kulturës së vet, të historisë dhe traditës, që kanë rrënjë të lashta në vendin tonë dhe në komunitetet historike shqiptare në disa prej krahinave italiane.
Lidhur me këtë e kam për zemër të kujtoj këtu një prej njerëzve më të mëdhenj të politikës së Rilindjes italiane dhe të dekadave të para të Shtetit të Bashkuar, Francesco Crispi, i cili vinte nga Komuniteti Arbëresh i Sicilisë, ku të parët e tij mbanin detyra të rëndësishme. Ja një shembull i integrimit të madh dhe i ngjashmërive intelektuale mes dy popujve tanë! Qytetarët shqiptarë që banojnë në Itali kanë ditur nga ana tjetër të japin një kontribut të rëndësishëm edhe për zhvillimin e Shqipërisë. Në krye përmes një fluksi jo të pakët dërgesash financiare dhe, më së fundi, duke shfrytëzuar – në mënyrën më të mirë të mundshme – përvojat dhe njohuritë e fituara në Itali, duke pasuruar kapitalin njerëzor të Vendit tuaj me profesionalizëm të fituar në fushën shkencore, mjekësore, juridike, kulturore.
Në rritjen e sistemit shoqëror e prodhues shqiptar merr sot pjesë edhe një element i rëndësishëm sipërmarrës italian, që operon në realitetin shqiptar në mënyrë të përhershme dhe me gjithnjë e më shumë kënaqësi. Një shembull pozitiv në këtë kuptim gjendet tek sfida e përbashkët, kurorëzuar së fundi me sukses, për fitimin e tenderit për transportin e gazit nga Azerbajxhani në Evropë nga ana e konsorciumit TAP – Trans Adriatic Pipeline. Jam i sigurt që, edhe përmes lidhjes me gazsjellësin IAP – Ionic Adriatic Pipeline, bashkëpunimi në fushën e energjetikës mes Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë do të ndihmojë ndjeshëm në një integrim më të madh ekonomik e prodhues të Vendeve tona.
Roma dhe Tirana luajnë përgjithësisht një rol përcaktues brenda Nismës Adriatiko-Joniane që – edhe falë Presidencës aktuale shqiptare – ka përfaqësuar një lidhje të fortë mes dy qeverive për “Strategjinë e BE-së për krijimin e Makro-rajonit Adriatiko-Jonian”. Kam besim se mirëkuptimi mes dy qeverive përkatëse do të japë një shtysë thelbësore në hartimin e kësaj Strategjie e cila është në prag të miratimit përfundimtar brenda fundit të këtij viti, periudhë e cila përkon me Kryesinë italiane në Bashkimin Evropian.
Sukseset e sapo përmendura përbëjnë dëshmi konkrete të potencialit tuaj që natyrshëm gjen shprehje në bashkëpunimin mes Italisë dhe Shqipërisë, një partneritet që mund të marrë forma edhe më të gjera dhe dinamike, me objektivin për të ndihur rimëkëmbjen ekonomike, rritjen sociale dhe krijimin e vendeve të punës: tema këto që sot janë në qendër të vëmendjes për të ardhmen e Shqipërisë, të Italisë dhe të mbarë Evropës.
Zoti Kryetar, Të nderuar Deputetë,
Italia ka dhënë gjithmonë – e do të vazhdojë të japë – një mbështetje të vendosur në udhën e përafrimit të Shqipërisë në Evropë. Anëtarësimi i Tiranës në NATO pesë vjet më parë dhe liberalizimi i vizave Shengen në vitin 2010 përbëjnë suksese për të cilat mund të jeni – të jemi – krenarë, në pritje të arritjes së objektivit vendimtar, njohjes së statusit të vendit kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Është e qartë për të gjithë se vendi i Shqipërisë është në Evropë, për historinë e saj, për kulturën, për vlerat.
Nëse Evropa ka përfaqësuar shumë për Shqipërinë, dhe mund të jetë më shumë në të ardhmen, Shqipëria, nga ana e saj, ka treguar haptazi se ka bërë dhe mund të bëjë shumë për familjen evropiane. “Vendi i Shqiponjave” dhe qytetarët e tij kanë treguar vendosmërinë e tyre duke kapërcyer periudha të vështira dhe momente ndryshimesh të mëdha, duke rivlerësuar më së miri burimet e veta, njerëzore dhe materiale. Në rajonin e Ballkanit, në vitet ’90 i tronditur nga trazira të brendshme dhe konflikte të ashpra, Shqipëria është shfaqur si një element stabiliteti, mbështetëse e bindur e dialogut dhe zëdhënëse e kërkesave për demokraci, tolerancë, epërsi të Shtetit të së drejtës. Një qëndrim, një identitet që përbën shenjën më të qartë të bashkëndarjes së atyre vlerave që janë zemra që lidh, unifikon Bashkimin dhe thelbi i identitetit tonë të përbashkët. Ky angazhim ka shkuar përtej kufijve të rajonit të Ballkanit për të ndihmuar paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, me mbështetjen e misioneve si ai në Afganistan, ku kontingjenti shqiptar, i rreshtuar në krah të ushtarakëve italianë në rajonin perëndimor të Vendit, ka ndërmarrë veprime që meritojnë vlerësimin maksimal dhe që janë dëshmi e gjallë e mirëkuptimit të thellë që lidh popujt tanë.
Vlerat që përmenda pak më parë nuk u përkasin vetëm viteve më të fundit të historisë suaj. Ato ju kanë bërë që gjatë luftës së dytë botërore t’u jepnit strehim mijëra qytetarëve me fe hebraike në arrati nga persekutimet dhe nga tragjedia e holokaustit, të asistonit ushtarakët italiane që, në vitet e fundit të asaj lufte të tmerrshme gjetën tek populli shqiptar solidaritet dhe miqësi, pavarësisht nëse kishin mbërritur këtu si agresorë dhe pushtues. E nuk do të harrojmë kurrë ndjenjën e vëllazërisë së shprehur në pjesëmarrjen e përbashkët në brigadat partizane, në një prej të cilave luftoi dhe ra heroikisht një mik i rinisë sime, Galdo Galderisi.
Gjatë historisë së saj më të fundit dhe veçanërisht pas vitit 1992, Shqipëria ka përballuar një rrugëtim rritjeje që solli rindërtimin e vetë themeleve të shtetit dhe krijimin e Institucioneve të përgjegjshme dhe të angazhuara në mbrojtjen e vlerave demokratike në bazë të qytetërimit evropian. Kemi qenë të pranishëm dhe kemi ndihmuar fort, me frymën e vëllazërisë së sinqertë, në përmirësimin gjithnjë e më të madh të kushteve të jetës së popullsisë shqiptare, në lindjen e një sipërmarrjeje moderne dhe dinamike – e simbolizuar nga puna e mijëra ndërmarrjeve të vogla e të mesme – në fuqizimin në rritje të aktorëve të ndryshëm socialë që përbëjnë sot strukturën mbështetëse të një shoqërie e të një vendi që lulëzon dhe rritet, pavarësisht përballjes me sfidat e tregut botëror dhe me vështirësitë e krijuara nga kriza ekonomike ndërkombëtare.
Këto përparime të jashtëzakonshme janë njohur nga Bashkimi Evropian, dhe nuk na habit pra zhgënjimi dhe hidhërimi i sinqertë me të cilin Roma, ashtu si dhe Tirana, pritën zgjedhjen për të shtyrë në qershorin e ardhshëm vendimin në lidhje me njohjen e statusit të vendit kandidat Shqipërisë. Për këtë qëllim, dëshiroj të bëhem sot, në vendin-simbol të demokracisë suaj, përcjellës i një mesazhi optimizmi dhe besimi tek aftësitë dhe potencialet e Shqipërisë. E inkurajoj popullin mik shqiptar të ndjekë me këmbëngulje dhe bindje të përtëritur objektivin evropian, duke fuqizuar më tej reformat e ndërmarra në legjislacion, në mënyrë që në pritje të afatit angazhues të qershorit të afirmojë sërish ndarjen konkrete të pushteteve dhe epërsinë e plotë të shtetit të së drejtës. Në këtë kuptim, do të jenë tejet të rëndësishme përpjekjet për të fuqizuar më tej luftën kundër kriminalitetit, që priret të ngrejë sërish krye dhe të jetë më agresive, reforma e sistemit gjyqësor dhe lufta kundër fenomeneve të korrupsionit, në përputhje me një kuadër ligjor të fortë dhe që sot konsiderohet në përputhje edhe me atë të Bashkimit Evropian dhe me standardet ndërkombëtare.
Respektimi i plotë i të drejtave themelore të njeriut dhe funksionimi i mirë i institucioneve të shtetit në shërbim të qytetarëve qëndrojnë në bërthamën jetësore të vlerave demokratike mbi të cilat bazohet Evropa e bashkuar, dhe përparimet e bëra deri më tani përfaqësojnë një shtysë konkrete për vijuar në të njëjtin drejtim, pa ngurrim e pa u tërhequr. Jam i bindur se për këto përparime, merita kryesore i takon këtij institucioni parlamentar, për punën metodike dhe aspak të lehtë që ka kryer gjatë kësaj legjislature dhe në ato të mëparshme.
Pra nëse detyra serioze dhe angazhuese e presin këtë Asamble Parlamentare dhe gjithë Shqipërinë në muajt e ardhshëm, edhe Italisë do i kërkohet njëkohësisht të bëjë një përpjekje të jashtëzakonshme, përmes ushtrimit të Kryesisë së Bashkimit Evropian. Angazhimi i Kryesisë italiane do të synojë para së gjithash përcaktimin e një përgjigjeje të përbashkët – në kuptimin e rritjes së nivelit të punësimit, kryesisht ndër të rinjtë – , ndaj krizës ekonomike që shtrëngon ekonominë evropiane prej vitit 2008 dhe që përbën, sikurse kam pasur mundësi të kujtoj disa javë më parë në Parlamentin Evropian, arsyen, më lehtë të dallueshme, se përse Evropa po përjeton këtë periudhë të vështirë.
Një stinë e re rritjeje ekonomike të qëndrueshme dhe të pajtueshme me ekuilibrin e llogarive tona publike është e domosdoshme për të sjellë sërish besim, por duhet të shoqërohet nga zhvillime të reja institucionale dhe politike në kuptimin e një integrimi më të madh dhe të një legjitimimi demokratik të Bashkimit. Në të vërtetë, nuk ka dyshim se dalja nga kriza kalon përmes një tjetër hapi përpara në udhën e integrimit evropian: që në vitin 1954 Jean Monnet kish paralajmëruar qytetarët evropianë duke u shprehur se “vendet tona janë bërë tepër të vogla….kundrejt përmasës së Amerikës dhe Rusisë sot, të Kinës dhe të Indisë nesër”. E pra, ajo “e nesërme” e paralajmëruar nga Monnet është bërë “e sotmja” jonë.
Por besoj se kriza e pëlqimit popullor që sot po e vuan Bashkimi Evropian ka rrënjë më të thella, dhe se ndryshimi duhet të shkojë përtej disa politikave ekonomike dhe sociale. Pika kyç e çështjes evropiane sot është nxitja e vlerave dhe e vizionit të përbashkët që përbëjnë identitetin dhe misionin e vërtetë të Evropës: vetëm kështu mund të rifitohet ndjenja europeiste që ka frymëzuar brezat e etërve themelues dhe që rrezikon të humbasë ndër vështirësitë e të sotmes. Por kjo ndjenjë nuk mund të bazohet, siç ndodhi në fazën e themelimit të Bashkimit, vetëm tek refuzimi i një nacionalizmi egoist dhe konfliktual, por duhet të zërë rrënjë në vetëdijen e kthjellët të nevojës së ngutshme për t’u dhënë jetë zhvillimeve të reja të Bashkimit në kuptimin politik, si për sa u takon zgjedhjeve të mëdha e kryesore në gjithë hapësirën tonë të përbashkët, ashtu dhe në aspektet e marrëdhënieve të jashtme dhe të projektimit të vlerave tona dhe të veprimit tonë në anë të tjera të botës dhe në zonën e Mesdheut në radhë të parë.
Pavarësisht dallimeve të ndryshme të çdo vendi, ekziston në të vërtetë një hapësirë kulturore evropiane e përbashkët: një tërësi përvojash krijuese, traditash dhe aspiratash që na bashkojnë dhe na bëjnë të jemi qytetarë evropianë. Askush nuk mund të ketë iluzionin se ky identitet, që përmbledh në vetvete identitetet e çdonjërit prej kombeve, pa qenë vetëm shumatorja e tyre, mund të mbrohet veç e veç, duke u mbyllur brenda një dimensioni kombëtar. Në mungesë të një dimensioni vërtet evropian, trysnitë e ushtruara nga globalizimi i shanseve dhe i krizave do të rrezikonin të zhysnin Bashkimin Evropian.
Në këtë reflektim – që ka të ngjarë nuk do të shterohet brenda një kohe të shkurtër – jam i bindur se duhet të marrë pjesë edhe Shqipëria, për të cilën udha evropiane është shndërruar në një objektiv të bashkëndarë nga gjithë forcat politike, në interesin më të lartë të vendit.
Besoj se është detyrë dhe detyrim i qytetarëve, i institucioneve kombëtare dhe atyre evropiane, të kultivojnë dhe rrisin këtë bashkësi vlerash dhe të drejtash dhe të japin kontributin e tyre me qëllim që ajo trashëgimi e ndërtuar me kaq mund të ruhet dhe të pasurohet me përgjigje ndaj sfidave të këtyre kohëve të vështira. Procesi i zgjerimit është sigurisht një prej synimeve më ambicioze, por edhe ai që më mirë se të tjerë mund t’i japë një vrull të ri hapjeje dhe energjie pozitive për ndërtimin evropian. Aspirata e Shqipërisë dhe e vendeve të tjera për t’u bërë pjesë e Bashkimit me të drejta të plota përfaqëson për gjithë popujt evropianë një sinjal të fortë besimi në një kohë të vështirë: na kujton të gjithëve ne sesi vlera e Evropës nuk vjen vetëm nga dimensioni i saj ekonomik, por në radhë të parë nga të qenët një bashkësi e popujve të lirë dhe e Shteteve demokratike.
Evropa ka bërë shumë për Vendet tona. Për Italinë ajo ka përfaqësuar besimin tek ardhmja në vitet e pasluftës së dytë botërore dhe të rindërtimit. Për Shqipërinë, veçanërisht në periudhën e izolimit dhe të diktaturës, Bashkimi ka përbërë shpresën. Udha e përshkuar deri më tani ka treguar sesi mbështetja dhe besimi ndaj Shqipërisë qenë të drejta: kjo udhë duhet të vijojë më tej, me krenarinë dhe besimin që rrjedhin nga shumë hapa të bërë përpara dhe vendosmërinë për të arritur këtë synim historik, për të mirën e vendit.
Italia, si në të shkuarën, do të bëjë të mos mungojnë kurrë besimi dhe mbështetja. Ajo shpreson të mund të çelë gjashtëmujorin e kryesimit te Presidencës së Bashkimit, me Republikën e Shqipërisë të pranuar zyrtarisht për statusin e vendit kandidat nga ana e Këshillit Evropian.
Me këtë ndjenjë optimizmi në aftësitë tona dhe në vizionin tonë, ju falenderoj edhe një herë të gjithëve ju për vëmendjen dhe mikpritjen e ngrohtë që më është bërë, si dhe përfitoj nga rasti për t’i shprehur popullit mik shqiptar falenderimin tim më të sinqertë për vlerësimin tejet të lartë që i ka shprehur Italisë duke më dhënë mua, përmes Presidentit Nishani, Medaljen e Flamurit, dëshmi e lidhjes së thellë të miqësisë mes Popujve tanë.