Në fjalimin e lamtumirës, presidenti Barack Obama theksoi besimin e tij se ndryshimi ndodh vetëm kur “njerëzit e zakonshëm angazhohen dhe bashkohen për ta kërkuar atë”. Ai e mbajti fjalimin në Çikago, në qendrën e konventave McCormick Place.
“Ju kërkoj të besoni jo në aftësinë time për të sjellë ndryshim, por në tuajën”, tha zoti Obama.
Presidenti në largim u tha mbështetësve në Çikago, qytetin ku ai nisi karrierën politike, se ndryshimi është “zemra e idesë sonë amerikane – e eksperimentit tonë të guximshëm për vetëqeverisjen”.
Zoti Obama tha se etërit themelues u dhanë amerikanëve lirinë për “t’i përmbushur ëndrrat tona me djersë, punë dhe imagjinatë”.
Në një moment, ai u ndërpre nga njerëz që brohorisnin “Edhe katër vjet!”Obama u përgjigj, duke qeshur: “Këtë nuk mund ta bëj”.Tani që republikani Donald Trump është zgjedhur president, zoti Obama pranoi se përparimi i vendit ka qenë “jo i njëtrajtshëm”. Ai tha se për “çdo dy hapa përpara, duket sikur kemi bërë një hap prapa”.Por presidenti tha se vendi përpiqet të “lëvizë përpara; që të zgjerohet në mënyrë të vazhdueshme besimi ynë themelues për përfshirjen e të gjithëve, dhe jo vetëm të disave”. Zoti Obama tha se pas 10 ditësh bota do të jetë dëshmitare e një transferimi paqësor të pushtetit për një president të ri.
Presidenti në largim tha se shpresat se ardhja e tij në pushtet do të shënonte fillimin e një Amerike pa probleme racore “nuk ishin realiste”.Obama, i cili është 55 vjeç, tha gjatë fjalimit se ai ka jetuar mjaftueshëm për të mësuar se marrëdhëniet racore janë më mirë se sa ishin 30 vjet më parë. Por ai shtoi se e kupton gjithashtu që “nuk jemi aty ku duhej të ishim”. Ai tha se çështjet ekonomike nuk mund të karakterizohen si luftë mes të bardhëve punëtorë të shtresës së mesme dhe pakicave që nuk meritojnë përfitime.
Presidenti shoqërohej nga Zonja e parë Michelle Obama dhe vajza e tyre e madhe, Malia si dhe nga Auma Obama, motra e tij nga Kenia.Të pranishëm ishin edhe NënPresidenti Joe Biden, gruaja e tij, Jill Biden, shumë anëtarë dhe ish-anëtarë të stafit të Shtëpisë së Bardhë dhe ata që punuan për fushatat e tij.(Kortezi:Zeri i Amerikes)