-Ky çmim është simbol i paqes globale dhe na përkujton në obligimin tonë per të qenë më aktiv në paqe përmes fjalëve dhe veprimeve/
-Ambasadorja Ahmetaj falënderoi të gjithë të pranishmit si dhe të gjitha institucionet dhe shtetet që e kanë ndihmuar Kosovën aty ku është sot/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 5 Shkurt 2016/ Sot ne Bruksel, në një ceremoni të organizuar nga Asociacioni për Avancim të Paqes, nën udheheqjen e Arqidukes Herta Margarete Halsburg nga Austria, ambasadorja e Kosovës në Bruksel, Mimoza Ahmetaj, u dekorua me çmimin “Flaka e Paqes” (Flame of Peace).
Çmimi “Flaka e Paqes” u ipet personaliteteve për rolin aktiv në shoqeritë e tyre, e që ne rastin e Kosovës nënkupton bashkëpunimin drejt themelimit teështetit demokratik, nenshkrimin e MSA-se, hapjen e rrugës drejt integrimeve evropiane dhe të tjera.
Ky çmim është simbol i paqes globale dhe na përkujton në obligimin tonë per të qenë më aktiv në paqe përmes fjalëve dhe veprimeve.
Në ceremoni me çmimin e njejtë janë shpërblyer edhe ish kryetari i Keshillit Evropian Herman Van Rompey, njëherit edhe ish kryeministër i Belgjikes, ambasadorja e SHBA-ve prana Belgjikës Denise Bauer dhe ambasadori slloven Matjaz Shinkovec. Më parë, ndër te tjerëve, ky çmim iu është ndarë edhe personaliteteve si Presidentja e Kosovës, Atifete jahjaga, Lech Walesa (Poloni), Adolf Ogi (ish President i Federates Zvicerave), Princi Laurent i Belgjikes, etj.
Njoftimi dërguar nga Brukseli thekson se, gjatë pranimit të çmimit, në fjalen e rastit, ambasadorja kosovare Ahmetaj tha se, “në rrugëtimin tim të shkurtë, qe nga çlirimi i vendit tim, kam pasur priviligjin të shoh lindjen dhe ndërtimin e vendit tim, si dhe momentin më të rëndësishem që nga shpallja e pavarësisë, nënshkrimin e Marrëveshjes së parë kontraktuale me Bashkimin Evropian, gjë e cila e ka vulosur rrugën e Kosovës drejt BE-së”.
Kosova, vijoi ajo, ka bërë hapat e parë në rrugën e saj të gjatë drejt integrimeve evropiane, por ka ende shumë punë për të bërë.
“Institucionet e Kosovës kanë për qëllim ndërtimin e një shoqërie gjithpërfshirëse me diversitetin e saj religjioz, kulturor, me qëllimin e ndërtimit të një shoqërie që në bazë ka rendin dhe ligjin. Në kaq vite te pavarësisë kemi bërë ndryshime që kanë prekë jetët e qytetarëve, mendoni sa shumë ndryshime do të ketë deri në kohën kur Kosova do të jetë anëtare e barabartë e BE-së”, u shpreh ambasadorja kosovare në Bruksel.
Ambasadorja Ahmetaj në fund të fjalimit te saj falënderoi te gjithë të pranishmit si dhe të gjitha institucionet dhe shtetet që e kanë ndihmuar Kosovën aty ku është sot.