Shkruan: Flora Nikolla/.- “Zylo” me ‘shkëlqimin dhe rënien e tij’, një libër më se popullor në Shqipëri, por dhe në shumë vende ku ai është botuar mbush këtë vit 43 vite që kur për herë të parë u formua si personazh nga një prej njerëzve të rrallë të letrave shqipe, Dritëro Agolli.
Ai (Zylo) u shfaq së pari, si figurë në Revistën e vetme humoristike të kohës së komunizmit “Hosteni”.
Një guxim rebel, hokatar dhe intiutiv , i kryeredaktorit të kësaj reviste, Niko Nikolla, i cili firmosi njëherëzi profesionalisht, pa një pa dy, fillimin e botimit të këtij libri, i cili ka arritur një numër rekord shitjeje të përgjithshëm me të paktën 75.000 mijë kopje.
I botuar në revistën “Hosteni”, në vitin 1971, Zylo, vijoi historitë e tij deri në vitin 1972, kur revista botohej në 30 mijë kopje. Do të ishte ky fluks i etur lexuesish për të shijuar të ndaluarën të veshur me nota të thella satirike sa edhe origjinale, që do të detyronte qeverinë e asaj kohe t’i jepte lejen në vitin 1972 të vetmes Shtëpi Botuese shtetërore në ate kohë “Naim Frashëri” të botonte Zylon me një tirazh sot për t’u patur zili: 21 mijë kopje.
Këtë vit , Zylo vjen në ditëlindjen e tij nën këndvështrimin mbresëlënës të disa qindra mijëra lexuesve të shumë nacionaliteteve. Një ditëlindje që do ta kishin zili shumë personazhe të krijuara në kohë të ndryshme, por që koha o i ka fshirë pa dashjen e saj, o i ka lënë të mbuluara nga pluhuri i kohës që ikën.
Në fakt shumë gazeta të rëndësishme të Europës kanë bërë habi pas përkthimit dhe botimit në vendet e tyre , se si romani “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” i Dritëro Agollit të botohej në fillim të viteve ’70 edhe në Shqipëri …!!!
Fakti është se ai u botua, pavarësisht kritikave ideologjike, sikundër edhe u ble menjëherë duke detyruar Shtëpinë botuese që shumë shpejt të hedhë në treg botimin e tij të dytë me 5 mijë kopje.
Kronikë e karrierës së palavdishme të një zyrtari “në vijë”, romani është në të njëjtën kohë pasqyrë e pozitës së mjerë të vartësit të tij, Demkës, një kalemxhi i stërvitur, që pak nga pak është ndarë me talentin. Zyloja dhe Demka, shkurtime të emrave tradicionalë “Zylyftar” dhe “Demir”, ku nuk merret vesh ku fillon “modernizimi” dhe ku mbaron “përkëdhelja/ përqeshja”, e meritojnë plotësisht njëri-tjetrin. Të dy janë shkaktarë situatash që e bëjnë lexuesin të shkulet gazit, por edhe të pezmatohet disi. Produkt i njëri-tjetrit, ata janë njëherësh bashkëfajtorë për lëngatën që e vetëvuajnë.
Komizmi i figurës së Zylos buron nga kontradikta themelore e karakterit të tij: ai i jep vetes të tjera vlera nga ato që i takojnë, duke menduar se hierarkia shtetërore është edhe hierarki meritash. Shoku Zylo është një nga qindra e qindra nëpunësit e mesëm të një aparati shtetëror me shumë instrumente. Ai nuk është pa merita pune, diçka ka bërë për të mirën e saj, por këto merita në peshoren e shoqërisë kanë rëndesë shumë më të vogël se në mendjen e Zylos.
Në të vërtetë Zylo Kamberi është një figurë tragjikomike. Veprimet e tij të bëjnë të qeshësh, po aq sa edhe të ndiesh keqardhje. Zyloja nuk është një burokrat poterexhi, bujëmadh, i zhurmshëm. Arroganca e tij është e heshtur. Prepotenca e tij është me zë të ulët. Veprimet e tij përherë priren nga qëllime të mbara, por çojnë në gabime trashanike.
Sekreti i suksesit : analiza e hollë dhe djallëzore e hipokrizisë së pushteteve burokratike nëpërmjet figurës së jashtëzakonshme të drejtorit Zylo.
Sekreti i vazhdimit të suksesit : historia e Zylos vlen për të gjithë vendet dhe për të gjitha kohërat, sukses ky universal për të gjithë veprat që i kanë rezistuar kohërave, apo jo ?
I pari që ka përkthyer këtë libër ka qenë Kristian Gyt, ish-Drejtori i Arkivave dhe Kalorës Nderi i Francës. Më pas, libri është përkthyer në Gjermani, Itali, Greqi, Bullgari, Rusi, Maqedoni, fragmente të tij edhe në Danimarkë. Por, sikundër është logjike të jetë “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, është një libër që prej vitesh vazhdon të bëjë pjesë edhe në programin letrar shkollor në të gjithë Shqipërinë .
Shkrimtari 83 vjeçar me një seri librash si në prozë ashtu edhe në poezi, pohon sot se “pavarësisht se e ka të vështirë të veçojë librat e tij, për të ndër më të prefuruarit vazhdon të mbetet “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, libri i cili ‘vuajti’ nga kritika ideologjike në atë kohë, por që fatmirësisht nuk u ndalua.
“Është një libër nga më të mirët, që kam shkruar” thotë Agolli i cilësuar si “Kafka , me pak më shumë diell”, apo nga Alen Boske se, “Shqiperia na zbulon një autor me përmasa të mëdha …”
“Dhe dinamiti mbulohet me petale. Një autor që meriton famë europiane”, shkruan Boske për shkrimtarin e madh i përkthyer në shumë gjuhë të botës.
Po ku mund të jenë sot, pas tre dekadave e gjysëm jetë Zyloja dhe Demka i Dritëro Agollit ?
Një gjë mund të thuhet : përsëri ata duhet të jenë bashkë. Ndoshta mund të kenë ndërruar rolet… (!).
Lulet kanë ulur kokën në ballkonin e Vaçe Zelës
Nga Flora NIKOLLA/
Vaçe Zela, artistja e madhe e popullit, nuk e kishte menduar asnjëherë se të kënduarit e këngës shqipe do ta përfshinin në librin e 500 personaliteteve me më shumë influencë në botë, e vetmja shqiptare që mori këtë çmim nga Instituti i Biografive në Amerikë.
Në Paris, e krahasonin me këngëtaren e madhe franceze, Edit Piaf, ndërsa në Itali me të madhen Mina, ndërsa poeti, Visar Zhiti, do e quante zërin e Vaçes një pjesë të lirisë së munguar.
E lindur në Lushnje, më 7 prill 1939, ajo do të këndonte që e vogël në aktivitetet e ndryshme që organizoheshin në qytetin e saj, ku u zbulua si talent për të qenë pas kësaj pjesë integrale e të gjitha festivaleve të muzikës në Radio dhe më vonë në Radio- Televizion, prej organizimit të parë të tyre në vitin 1962 deri në vitin 1981 kur u largua nga skena si fituese e çmimit të parë. Por ajo pati një kontribut të rëndësishëm dhe në muzikën e filmit, në të cilin ka interpretuar shumë këngë, pjesë e muzikës së filmave.
Për yllin e muzikës shqiptare do të vinin njëri pas tjetrit çmime të shumta. Këngët “Çelu si mimoza”, “Djaloshi dhe shiu”, “E dua vendin tim”, “Ëndrra ime”, “Lemza”, “Nënave shqiptare”, “O diell i ri”, “Sot mbusha 20 vjet”, “Të lumtur të dua” e shumë të tjera do të mbeteshin në fondin e artë.
Ndërsa çmimet që do të shkonin për këngëtaren janë të panumërta. “Artiste e Merituar” në ’73-in, “Artiste e Popullit” në ’77-ën, “Mjeshtre e madhe e punës”, “Qytetare nderi e Lushnjes”, po në qytetin e lindjes.
Kinoteatrit iu vu emri i saj dhe u ngrit një bust, presidenti Alfred Moisiu i akordoi “Nderi i Kombit”, ndërsa u shpall edhe “Qytetare Nderi e Qarkut të Fierit.
Çmime të tjera ka marrë edhe jashtë territorit të Shqipërisë. Ajo ka marrë Diskun e Artë nga Amerika, për kontribut në shoqëri në vitin ’97, është zgjedhur gruaja e vitit ’97-98 në Kembrixh të Anglisë, “Mikrofoni i Artë”, nga Ministria e Kulturës e Kosovës, “Çmimi i karrierës” e shumë të tjera. Ndërsa Instituti Biografik Amerikan e rreshton në botimin e tij ndër 500 njerëzit më me influencë.
Viti 1991 do të shënonte ngjitjen e fundit në skenë për të, pikërisht në Zvicër, në një koncert për shqiptarët që jetonin atje.
Prej kohësh Vaçe Zela, për shkak të sëmundjes së saj mungoi fizikisht në aktivitetin muzikor, teksa mbetet “Zëri” i jashtëzakonshëm që mbushte me energji skenat shqiptare. Ajo gjithnje do te kujtohet me adhurim nga publiku që ruan ende sot për këngëtaren e madhe.
Ndonëse e larguar prej 13 vitesh në Zvicër, e lumturonte fakti që njerëzit e kujtonin , që ata nuk e kishin harruar këngët e bukura që ajo i përcillte nga skena e festivaleve. E ndërsa të gjithë shqiptarët do t’i shprehnin në këtë ditë, urimin për një jetë të gjatë.
Vaçe Zela jetonte me bashkëshortin e saj, Pjetër Rodiqi dhe vajzën, Irma, studenteja e shkëlqyer të ekonomikut dhe më pas pedagoge në këtë fakultet dhe që tashmë punon në Institutin e Statistikave në Zvicër. Por rikthimi në Shqipëri, mbeti dëshira më e madhe për Vaçen. E kujt si kishte rënë në sy ballkoni me lule në qendër të Tiranës, pranë Sheshit “Avni Rustemi” në Tiranë. Sepse ajo nuk ishte vetëm këngëtare, por edhe “gruaja e luleve”. Për to kujdesej motra e saj, sigurisht me shpresën se një ditë ajo do t’i prekte sërish .
Ajo ndërroi jetë në Zvicër në moshën 75 vjeçare me 6 janar 2014 rreth orës 01:20 duke u gdhirë nje e enjte e cila ngjalli shume trishtim tek te gjkithe shqiptaret. Karafila të bardhë mori Vaçja diten e nderimit të saj për në banesën e fundit. Me duartrokitje dhe me lot në sy, u përcoll trupi pajetë i këngëtares së madhe shqiptare në banesën e fundit e shoqëruar nga tingujt e këngës së Whitney Houston, “I always love you”.
Musine Kokalari, disidentja që nuk u dorëzua kurrë
Nga Flora NIKOLLA/
Tirane, 2 Shkurt/ATSH/.- Musine Kokalari lindi më 10 shkurt të vitit 1917, në Adale, të Turqisëm nderkohe qe në vitin 1921, familja e saj u kthye në Shqipëri dhe u vendos në Gjirokastër, ku Musineja kreu shkollën fillore.
Nëntë vjet më vonë, familja Kokalari do te vendosej në Tiranë .
Në vitin 1937, ajo mbaroi shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë” dhe më pas shkoi për studime në Universitetin e Romës, në Itali, të cilin e mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1941. Librin e parë “Seç më thotë nëna plakë”, Musine Kokalari e botoi në vitin 1939.
Ishte viti 1943, kur Musine Kokalari së bashku dhe me disa shokë të tjerë formuan Partinë Socialdemokrate. Një vit më vonë, me përpjekjen e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”. Në vitin 1944, ajo botoi librin e dytë “Rreth vatrës”, ndërsa më 12 nëntor të po këtij viti u pushkatuan vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari. Katër ditë më vonë e arrestuan dhe Musinenë, të cilën e mbajtën 17 ditë në burg.
Në janar të vitit 1945, u botua libri i tretë i Musine Kokalarit “Sa u tund jeta”.
Më 23 janar të vitit 1946, ajo u arrestua për së dyti nga forcat e Mbrojtjes së Popullit, e gjyqi e dënoi me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1961, e nxjerrin nga burgu dhe e internuan në Rrëshen, ku dhe doli në pension me gjysmë page. Në vitin 1981, sëmuret nga sëmundja e kancerit, që dy vjet më pas do ta largonte përgjithmonë nga jeta. Në vitin 1993, Presidenti i Republikës i asaj kohe, Sali Berisha i dha pas vdekjes medaljen “Martir i Demokracisë”.
Historia e dhimbshme e jetës së disidentes së burgosur e internuar nga diktatura
Thëniet e saj ishin akuzat e një shpirti të pamposhtur rilindës që sfidonte vdekjen. “Unë s´jam fajtore. S´jam komuniste dhe ky s’mund të quhet faj. Ju fituat në zgjedhje, por në burg nuk duhet të jem…. Unë jam nxënëse e Sami Frashërit. Me mua ju doni të dënoni Rilindjen”.
Pas këtyre fjalëve, ajo nuk mund t’i shpëtonte dënimit të sistemit të Enver Hoxhës, edhe pse ky i fundit e njihte mirë familjen intelektuale dhe patriotike të Kokalarëve nga Gjirokastra. Madje, Hoxha kishte lidhje gjaku me Musinenë, por ai nuk e kurseu as atë, pasi kishte pushkatuar pa gjyq dy vëllezërit e saj, në nëntor të vitit 1944. Sistemi i kaluar kishte dhe një inat tjetër me Musinenë. Fakti që ajo kishte krijuar së bashku me Skënder Muçon, Partinë Socialdemokrate, në vitin 1943, nuk mund të anashkalohej nga sistemi një partiak i Hoxhes.
Pas Luftës së Dytë Botërore, kur Shqipëria po vihej nën diktaturë, si kundërveprim i kësaj të fundit u themelua më 6 nëntor të vitit 1946, në Tiranë, grupimi i parë opozitar antikomunist “Bashkimi Demokratik Shqiptar”, një aleancë e Partisë Socialdemokrate, kryesuar nga Musine Kokalari, me Frontin e Rezistencës, drejtuar nga Sami Qeribashi dhe me Grupin Monarkist, të drejtuar nga Qenam Dibra. Pra, Musineja u bashkua me disidentët e tjerë të opozitës, e cila sipas ideve të saj, do të ishte ilegale dhe do të luftonte me mjete demokratike për një Shqipëri ndryshe. Ajo nuk mund të pranonte diktaturë, ndaj dhe i shfaqi hapur bindjet politike, por në të njëjtën kohë dhe diktatura nuk mund ta pranonte Musinenë, ndaj e goditi për vdekje.
Në hetuesi dhe në gjyq, Musine Kokalari do të depononte: “Mbas Mbledhjes së Mukjes, kam marrë pjesë në Ballin Kombëtar si socialdemokrate dhe kam qenë përgjegjëse e gazetës ‘Zëri i Lirisë’, ku kam botuar artikuj ku flitet për çështjen e Kosovës në bazë të Kartës së Atlantikut. Kriteri për të luftuar ishte jo për qëllimin e përfitimit të disa klikave, por për demokratizimin e vendit”.
Çastet e fundit të jetës
Në dorëshkrimin “Mbi jetën time”, Musineja shkruan: “Komunistët më varrosën për së gjalli, se nuk iu kërkova falje në gjyq për aktivitetin tim. Dhe pse do të kërkoja falje?…. Unë s´jam fajtore…”. Në një seancë gjyqi, ndërsa dikush thirri se ajo duhet të dënohej me vdekje në litar, dhe kryetari Frederik Nosi, e pyeti se a e dëgjonte atë që kërkonte populli, Musineja me qetësi iu përgjigj: “Nesër këtë do të thonë edhe për ju”. Musineja nuk pranoi avokat. Ajo bëri një apologji të shkëlqyer që jep qartë edhe në qëndrimin e saj prej politikaneje, demokrate, konseguente dhe e papërlyer. Gjyqi komunist e dënoi me 20 vjet heqje lirie, me humbjen e të gjitha të drejtave civile dhe konfiskim të pasurisë.
Pasi kreu 16 vjet nga dënimi i saj, Musinenë e internuan në Rrëshen, ku për 22 vjet punoi në bujqësi dhe ndërtim, si punëtore llaçi, e përgjuar ditë e natë nga Sigurimi i Shtetit.
Pas punës, ajo shëtiste vetëm, por dhe shkonte në vendin e saj të preferuar, bibliotekën e qytetit, ku gjente miqtë e saj të vërtetë, librat. E dërmuar nga vuajtjet dhe e rraskapitur nga punët e rënda, Musineja u sëmur nga kanceri. “Ç´fat tragjik, shkruan ajo. Më doli edhe sëmundja kundër. Të paktën të kisha pak qetësi në vitet e fundit të jetës sime”.
E shtruar në spitalin onkologjik, ajo shkruan: “Këtu kuptova një gjë. Për mua jo vetëm që nuk interesohen, por kanë qejf të më zvarritin. Dhe vetë kontrollet e këtyre muajve s´kanë gjë tjetër veçse fjalë të kota. Sipas rregullave, unë duhet të isha operuar këtu e gjashtë muaj më parë. Ç´do të ngjasë?”. “ Ketu njoha kulturën demokratike, njoha tragjedinë e përmbysjeve të mëdha revolucionare. Njoha një gjyq special. Njoha 16 vjet burg dhe 22 vjet internim me përplasje andej-këndej. Njoha punën e punëtorit me normë individe, njoha punën e krahut me normë kolektive në bujqësi e ndërtim. Njoha vetminë e vetëkërkuar, shoqërinë e rastit në burg dhe gjithë ndryshimet që pasojnë nga ky tërmet i pandërprerë për të konsoliduar diktaturën e proletariatit. Nganjëherë them me vete se nuk fitova gjë që mbeta gjallë. Kam 38 vjet që nuk e di ç´domethënë familje. Ndoshta do të ishte mirë të kisha mbyllur sytë njëherë e përgjithmonë. Kështu merrnin fund edhe vuajtjet, me gjithë gjendjen tragjike. Kjo do të ishte një gjë shumë e mirë. Nëse vdes, në valixhen e vogël kam disa sende me vlerë etnografike për Muzeun e Gjirokastrës. Ato pak kursime dhe gjithçka tjetër le të hyjnë në fondin e shtypit që duhet të krijohet për punëtorin e krahut, i cili është i domosdoshëm, që të demokratizohet puna e krahut dhe të kultivohet punëtori i thjeshtë”.
Falë ditëve që erdhën u mundësua të thuhet e vërteta për personalitete të tillë si Musine Kokalari. Diktatura e burgosi, e internoi, e vdiq, por nuk e varrosi dot. Ajo i mbeti gjallë popullit dhe atdheut, një dritë e pashuar e kulturës shqiptare. Nga piedestali ku e vendosi koha, ajo vazhdon të thotë : “Besa, shpresa, dashuria, ato pra na lartësojnë. Përçarja dhe marrëzia na poshtërojnë dhe na mjerojnë”
Monsinjor Mikel Koliqi – Kardinali të cilit iu gjunjëzua Papa
Nga Flora NIKOLLA/
Monsinjor Mikel Koliqi, Kardinali i parë shqiptar, qytetar i nderuar dhe meshtar me vlerë, figura e të cilit u rrit në heshtje pa asnjë krenari të vetëdijshme u nda nga jeta në 28 janar të vitit 1997, në moshën 94 vjeçare. Ai ishte njeriu që megjithë peshën e rëndë të vuajtjeve fizike dhe shpirtërore bëri për vete botën me buzëqeshjen e tij të ëmbël si të një fisniku mbi ndërgjegjen e të cilit nuk rëndoi pesha e mëkatit. Ai lindi në Shkodër, në shtator të vitit 1902 ku pasi kreu mesimet e para shkoi për studime të mesme dhe të larta në Itali. Ai studioi për teologji në Milano dhe u kthye në Shqipëri ku u shugurua meshtar kur ishte 29 vjeç.
Qëndrimi në Itali për disa vjet nuk do bënte që të harronte vendin e tij, përkundrazi ai do të ishte më i lidhur me tokën e të parëve. Në vitin 1936 Dom. Mikel Koliqi emërohet famulltar i Shkodrës dhe më pas Vikar i Përgjithshëm: bir i sigurtë i Selisë së Shenjtë.
Duke patur talentin me vlerë të muzikësm, Dom Mikeli formoi një kor të vogël në Katedralen e Shkodrës. Me notat e tij të përmallshme dhe të fuqishme në skenat e salloneve të atëhershme do të përtëriheshin zemrat e kombit për “fe dhe për atdhe” siç shprehej vetë Koliqi. Po në katedralen e Shkodrës ai themeloi, “Veprimin Katolik për rininë” , ndersa u bë drejtor i parë i revistës “Kumbona e së dielës”, një reviste fetare dhe kulturore ku shkruan pena të zgjedhura, deri në mbylljen e saj në dhjetor të vitit 1944.
Regjimi komunist e arrestoi Dom Mikel Koliqin dhe e dënoi me 4 vjet burg. Në vitin 1953 ai u internua dhe më pas u dënua përsëri me 15 vjet burg. Kaloi kështu 38 vjet të jetes së tij në burg dhe në internime, në kampe, në pune me lodhje te rënda, por megjithate diti ta kaloje jeten përmes vuajtjes , duke duruar dhe duke falur. Me ardhjen e demokracisë në Shqiperi Mikel Koliqi mori titullin “Monsinjor”, dhe u dekorua me titullin “Pishtar i demokracisë”, ndërsa mbajti detyrën e famulltarit te Shkodrës deri në vitin 1992.
Të shtunën e 26 nëntorit të vitit 1994, në sallën “Paolo IV”, kryesuar nga Papa Gjon Pali I Dytë , u mblodh Konçistori, për emërimin e kardinalëve të rinj, ndërsa të nesërmen, në Bazilikën e Shën Pjetrit u zhvillua ceremonia e dytë, gjatë së cilës, të emëruarit merrnin unazën e kardinalit.
Gjatë ceremonisë, kardinalët e rinj iu gunjëzuan Papës. Dom Mikelin nuk e linte mosha e shëndeti, kështu që qëndroi i ulur në karrige dhe Papa do ta bekonte.
Por në atë moment do të ndodhte diçka e papritur; për herë të parë në historinë 2000 vjeçare të Kishës, një Papë u gjunjëzua para një Kardinali!!!
Të hënën, me 28 nëntor, Papa e priti në audiencë Kardinalin dhe njerëzit e tij. Mediat botërore i kushtuan vëmendje të veçantë emërtimit kardinal të Dom Mikelit, jo vetëm si kardinal i parë nga Shqipëria, por edhe si 92 vjeçar. Por Dom Mikeli qëndroi gjithnjë i njëjti person, me thjeshtësinë e njeriut të madh, që e karakterizoi gjithë jetën. Ai tha: “Papa më ka zgjedhur mua për kardinal se isha më i moshuari” dhe “titullin e kardinalit e ka marrë gjithë Shqipëria.”
Në Shqipëri u bënë festimet e rastit, për kardinalin, ai mori pjesë me thjeshtësinë e tij të zakonshme. Populli e duartrokiti me zjarr dhe dëgjoheshin thirje nga turma, Dom Mikel, Dom Mikel…!!!
Shëndeti i tij u keqësua, dhe me gjithë kujdesjet e mëdha, nuk pati përmirësime. Me 25 dhjetor të vitit 1996 Presidenti i asaj kohe, Sali Berisha shkoi në shtëpine e tij dhe i dorëzoi dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”. I rrethuar me kujdesje të vazhdueshme dhe dashuri nga motra Margarita, nipi Berti, nusja Xhine, me 28 janar të vitit 1997 mbylli sytë përgjithmonë në shtëpine ku kishte lindur.
Në ceremoninë e varrimit të tij mori pjesë gjithë populli i Shkodrës. Morën pjesë edhe autoritetet më të larta të bashkisë katolike, të Shtetit Shqiptar dhe të qytetit të Shkodrës, përfaqësues të bashkive fetare dhe të shoqatave fetare humanitare. Papa dërgoi telegram ngushëllimi, kreut të konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë dhe Arqipeshkvit të Tiranës dhe të Durrësit, Imzot Rrok Mirditës.
Rrëfimtari
-Në kujtim të përvjetorit të lindjes së Mitrush Kutelit/
Nga Flora NIKOLLA/
Një herë në një vend x, një ministër të brendshëm e pyetën se kush kishte qenë ministër i brendshëm në kohën e Shekspirit.
-Nuk e di , i ishte përgjigjur ministri.
-Por kur nuk e di ti që je ministër , kush mund ta dijë tjetër, i ishte përgjigjur njeriu që etapat e historisë njerëzore i kishte të lidhura me emra të mëdhenj të letërsisë.
Se në fakt, kujtimi për njerëzit e mëdhenj, që shkruajnë letërsi, vetëm duket se pushon mbi kohën, e cila edhe pse ikën apo duket sikur kinse fle, zgjohet e madhërishme dhe e pandjeshme nën emrat e mëdhenj.
Emrat e tjerë janë vetëm emra , që flenë me emrin e ujit të vdekur.
Flas këtu për vlerën që mbjell farë në tokat djerrë në të verdhë të mardhur, por që nxisin jetën për të mos e jetuar me vetminë vetmitare.
Sepse sado mundohen të fshehin prodhimin e tyre, ajo rritet ‘e harbuar’ mes kohës, duke vrarë vitin kur është shkruar dhe pastaj vetiu i detyron njerëzit të pyesin si ai njeriu, cili ka qenë ministër i brendshëm në kohën e Shekspirit…!!!
Dhe unë them se jehonat e njerëzve që ditën të shkruajnë letërsi në Shqipëri nuk do të mund të dëgjohen ndonjëherë me erë vjetërsie.
Dhe nuk janë pak. Flas këtu për Mitrush Kutelin .
Një stilist i rrallë, sa edhe psikolog i thellë , tek i cili rrëfimi rrëshqet nga gjuha e blatuar me ngjyrimet popullore. Edhe ai shkroi në fillimet e një shekulli të kaluar.
Mitrush-Kuteli“Duhet thënë se ne na duhen shqipërime, jo përkthime fjalë për fjalë. Në përkthime kemi penda varfanjake e sidomos kalemë anonimë, që nuk njohin ligjet e shqipes dhe ca më shumë gjuhën nga e cila buron vepra. Shumë përkthime ku shqipja ka dalë e therrur në gisht…”
Vallë sa kohë kanë kaluar që kur Mitrush Kuteli, mjeshtri i rrëfimit të shqipes ka renditur këto fjalë ?
Me një frymë, pyetjes mund t’i përgjigjesh se i ka thënë dje, ose në një simpozium shkencor organizuar pak kohë më parë.
Koha vetëm mbas këtij fragmenti duket e fshirë, se në mes tyre të jepet e vërteta absolute: e tashmja e ngërthyer njështaz me të tashmen…
Mitrush Kuteli, ka shumë vjet që ka ikur fizikisht.
Atëhere ishte viti 1967.
Në fakt ai iku se të tjerë, ia afruan me dhunë e forcë psikologjike ikjen.
Shqipëria atëherë kuadratonte në çdo cep të jetës ideologjinë komuniste që tentuan t’ia jepnin edhe Mitrush Kutelit nën titullin anemik Armik i Popullit.
“Profesionalizmi në letërsi, në vendin tonë është hë për hë një rrugë vuajtjesh, buka e tij është e hidhur. E hidhur them për atë që s’di marifete e hipokrizira. Terreni i letërsisë është një tokë tek gëlojnë gjarpërinjtë . Të vrasin shokët se ju bën hije. Dhe kur u bën hije do të thotë që nuk je i zoti për letërsi…”, kështu shkruante Mitrushi në Testamentin e tij.
Por mbas fjalëve të tij do të guxoja të thoja se titulli anemik ishte një tentativë e dështuar, vrimë në natën e zezë e pushtuar e tëra nga një ëngjëll.
Pastaj menduan se duke e çuar në kampin e Vioçishtit në Maliq, do t’i merrnin arsyen e dashurisë dhe të jetës, apo do t’i humbisnin emrin.
Kërkonin ta vrisnin emrin e tij, brenda pasqyrës që bënte dritë.
Dhe ai donte të fliste dhe t’i këndonte jetës , kur në një ditë të ftohtë prilli për orë të tëra e mbuluan me baltë të ftohtë kënete.
Një mik i tij i burgut, guxoi t’i flasë purgatorëve “Shpëtojeni atë njeri. Po vdes…”
Është si t’i mbyllësh sytë dhe të betohesh se nuk do t’i hapësh më kurrë nga e gjitha kjo. Dhe me sytë mbyllur brenda dhimbjes t’u biesh këmbanave të alarmit deri sa fjalët e shkruara nga ky njeri vetiu të tingëllojnë magjishëm.
Dhe kur ai vdiq , sërish dikush kërkoi të vendosë në hije emrin e tij, mbi vdekjen , fjalë e rëndë e pabesueshme , fjalë që godet.
Por hija e imponuar mbi emrin e tij nuk mund të ishte kurrsesi hije.
Dhe këtu bëj pyetje…
A mundet të ekzistojë në letërsi koncepti i vdekjes artistike ?
Poeti kombëtar i Rumanisë , Mihail Eminescu, flet shqip nga viti 1939 nga shqipërimi i Mitrush Kutelit , poeti i madh i Ukrainës , Taras Shevcenko flet shqipen e kulluar të Mitrush Kutelit , Gogol , shkrimtari i madh rus në librin e tij “Frymë të vdekura”, mban nënshkrimin Mitrush Kuteli…
Po sa libra të tjerë të përkthyer nga rusishtja, rumanishtja, italishtja, frëngjishtja të llogaritura në rreth shtatë mijë faqe librash shtypur më germa të vogla , mbajnë përsëri një emër…, Mitrush Kuteli.
Për të vazhduar…, “Netë shqiptare “, libri me rrëfime, “Ago Jakupi e të tjera rrëfime “, libri me poema “Sulm e lotë”, tregimet e “Kapllan Aga i Shaban Shpatës”, “Shënime letrare” dhe pamfletet satiriko-politike “Havadan në havadan”, rrëfimet e papërsëritshme “Pylli i gështenjave “, “Xinxifilua”, “Tregime të moçme shqiptare”, “Baltë nga kjo tokë”, “Në një cep të Ilirisë së poshtme”, apo jeta e tij paskësaj në dy testet autobiografike: “Kujtesa” dhe “Testamenti”…
Më mirë të mos flasësh , për të mos thënë fjalë,… sa shumë fjalë që thonë njerëzit.
Pastaj ato bien vetëm si uji që ikën .
Dhe pastaj fjalët përpara veprave bëhen të shurdhëta e memece.
Por kësaj here, fjalët duket sikur duan të bëhen zjarr nga privilegji që ju jep emri i Mitrush Kutelit, pogradecari që lindi 100 vjet të shkuara, ekonomisti i shquar, prozatori që diti ta tingëllojë vetëm me tingull kutelian prozën e tij.
Sepse proza e Kutelit nuk gëlthet, shqipja në të vetëm rrjedh.
E paskësaj , lulja delikate që i jep formë mendimit dhe konceptit të veprës së tij është përgjithnjë gjuha e rrallë e rrëfimit e dhënë shkrythët dhe pa spazma cerebrale.
Ia imponuan vdekjen , apo iku për të mbetur një gur i çmuar brenda rrëfimit artistik ?
Pyetja mbetet përgjithnjë shurdhe –memece përpara veprës së tij.