• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Rekordet Guinnes të Saimir Stratit

July 26, 2014 by dgreca

Nga Flora NIKOLLA/
Tiranë, 26 Korrik-ATSH/.- Këtë herë Saimir Strati, pjesë e Albanian Excellence, ka zgjedhur të realizojë në mozaik , “Mollën e Adamit”, me material të riciklueshem, pipa plastike. “Imazhi është një simbol mëkatar siç është molla e kafshuar dhe brenda saj do të jetë i vizatuar i gjithë globi, me bukuritë dhe veçantitë e tij. Qëllimi im nuk është thjesht marrja e çmimit Guinness, por përcjellja e një mesazhi të qartë për rëndësinë dhe mbrojtjen e mjedisit ku jetojmë”, është shprehur Strati së fundmi.
Për veprën e këtij viti, Strati, ka punuar rreth 16 orë në ditë në lulishten kryesore të qytetit të Fierit. Mozaiku ka sipërfaqen më të madhe në botë, rreth 30 m2, per te cilin, artisti i shtate çmimeve, Guinness, ka përdorur rreth 150 mijë pipa plastike, ngjitës etj.
Strati tregon se kjo është një teknikë e pa realizuar më parë në botë dhe është një kategori e re brenda rekordeve Guinness. Ceremonia e çertifikimit të rekordit më të ri në botë “GUINNESS” (mozaiku më i madh me pipa, realizuar nga artisti me famë botërore Saimir Strati do të organizohet sot pasdite nën kujdesin e veçantë të kryetarit të Bashkisë Fier Z. Baftjar Zeqaj.
Për Saimir Stratin, mozaikët e antikitetit janë një mrekulli e vërtetë dhe ai e quan veten me fat që ka marrë pjesë në restaurimin e tyre. Dashuria për mozaikun si art elitar ka nisur pikërisht në Apolloni. Atje i befasuar nga mozaikët antikë të realizuar 3500 vjet më parë, vendosi që krijimtarinë e tij ta prezantonte nëpërmjet mozaikëve. Kësisoj Apollonia mbetet origjina e tij artistike. Pasioni per mozaikët dhe dëshira për ti ngritur në nivele bashkekohorë kanë qënë bashkëudhëtarët e Saimir Stratit. Ka ekspozuar vazhdimisht krijimet e tij brënda dhe jashtë Shqipërisë, në muze dhe galeri anembanë globit, duke u bërë anëtar gjithashtu i Organizatës Britanike të Mozaikut Modern (BAMM), si dhe pjestar i Kongresit Ndërkombëtar të Mozaikut Modern. Por ai do të lidhte jetën artistike me Librin e Rekordeve Ginness shumë i famshëm në botë, sepse brënda tij janë të regjistruar njerëzit dhe fenomenet më të cuditshme te globit. E kanë ëndërr miliona e miliona njerëz të jenë pjesë e këtyre rekordeve. Kjo ëndërr e shtyu artistin fierak të tentonte dhe t’ia dilte me sukses. Por, fillimi ishte shumë i vështirë, jo përsa i përket teknikave , por nga atmosfera tejet skeptike që e rrethonte. Askush nuk besonte se Shqipëria mund të ishte pjesë e Rekordeve Guinness, tregon Strati në këtë intervistë , duke thënë se , kur vendosi një Rekord Guinness për Shqipërinë theu një tabu për skeptikët. Ai thotë se , të krijosh kategori të reja brënda Rekordeve Guinness është një kënaqësi dhe përgjegjësi e madhe. Të sjellësh për herë të parë në historinë e njerëzimit një teknikë artistike të pa realizuar ndonjëherë, kërkon shumë guxim, përqendrim dhe jashtëzakonisht shunë e madhe. Ndoshta kjo është arsyeja që ai thotë se tashmë veprat e tij janë historia Saimir Stratit.
Jeni artisti i mozaikëve ,ndërsa karrierën e nisët duke bërë restaurime të mozaikëve në vënde arkeologjike si Bylis,Amantia dhe Apoloni. Si vjen në kujtimet tuaja ajo kohë?
Kanë kaluar shumë kohë, por kujtimet janë ende të gjalla.Mozaikët e antikitetit janë një mrekulli e vërtetë dhe unë e quaj veten me fat që kam marrë pjesë në restaurimin e tyre. Dashuria ime për mozaikun si art elitar ka nisur pikërisht në Apoloni. I befasuar nga mozaikët antikë të realizuar 3500 vjet më parë, vendosa qe krijimtarinë time ta prezantoja nëpërmjet mozaikëve. Kësisoj Apolonia ngelet origjina ime artistike.
Viti 1985 lidhet me ekspozitën e parë tuajën në Fier ,ekspozitë në Galerinë e arteve të këtij qyteti.
Në atë kohë isha shumë i ri dhe një artist pa përvojë. Në ekspozitën e përbashkët që hapej në fundvit do të prezantohesha me një mozaik me dimensione të vogla. Ishte nga të parët mozaikë artistik që unë kisha realizuar. Ishte kënaqësi e madhe për mua , kur organizatorët pranuan ta ekspozonin. Gjithmonë i kujtoj me emocion ato momente dhe me respekt organizatorët. Ky do të ishte fillimi im artistik.
Cilat ishin aktivitetet tuaja të këtij lloji më pas?
Pasioni per mozaikët dhe dëshira për ti ngritur ata në nivele bashkekohorë kanë qënë bashkëudhëtarët e mi. Kam ekspozuar vazhdimisht krijimet e mia brënda dhe jashtë Shqipërisë, në muze dhe galeri anembanë globit, duke u bërë anëtar gjithashtu i Organizatës Britanike të Mozaikut Modern (BAMM), si dhe pjestar i Kongresit Ndërkombëtar të Mozaikut Modern.
Por fama e Saimir Stratit prej kohësh nuk janë më ekspozitat,por rekordet Guinness
Libri i Rekordeve Ginness është shumë i famshëm në botë, sepse brënda tij janë të regjistruar njerëzit dhe fenomenet më të çuditshme te globit. E kanë ëndërr miliona e miliona njerëz të jenë pjesë e këtyre rekordeve. Kjo ëndërr më shtyu mua të tentoja dhe t’ja dilja me sukses. Por, fillimi ishte shumë i vështirë, jo përsa i përket teknikave , por nga atmosfera tejet skeptike që më rrethonte. Askush nuk besonte se Shqipëria mund të ishte pjesë e Rekordeve Guinness. Kështu në fund unë vendosa një Rekord Guinness për Shqipërinë dhe theva një tabu për skeptikët.
Zgjodhët një emër të madh, Leonardo Da Vinci dhe punuat duke përdorur pikërisht gozhdë,rreth 400 kg të tilla
Rekordet Guinness konsistojnë në dimensionet gjigande, kështu që unë për rekordin tim të parë , Mozaikun më gjigand në botë realizuar me gozhdë, do të zgjidhja një njeri gjigand , si Leonardo Da Vinci.
Dhe vetëm një vit më vonë, në vitin 2007 , një tjetër përpjekje juaja rezultoi përsëri e suksesshme. Por këtë radhë në rol ishin kruarëset e dhëmbëve.
Një nga kushtet e Rekordeve Guinness është se materialet e përdorura duhet të jenë industriale dhe kjo është arsyeja pse unë përdor materiale lehtësisht te gjendshme në treg, për të krijuar rekordet Guinness.
E nëse do të numërojmë nuk janë pak , por 7 rekorde Guinness .Çdo të thotë kjo per ju dhe si do ta përcaktonit këtë art të veçantë ?
Të krijosh kategori të reja brënda Rekordeve Guinness është një kënaqësi dhe përgjegjësi e madhe. Të sjellësh për herë të parë në historinë e njerëzimit një teknikë artistike të pa realizuar ndonjëherë, kërkon shumë guxim, përqendrim dhe jashtëzakonisht shumë punë.

Keni krijuar tashmë një emër artistik dhe duke të qëndruar tek këto vepra, kë do të veçonit?
Tashmë veprat e mia, janë historia ime. Nuk më pëlqen të bëj diferencime.
Pra keni arritur të krijoni një histori suksesi dhe dinjiteti.Sipas jush cili është çelësi per të pasur një emër dinjiteti dhe suksesi edhe matanë kufijve të vendit tënd ?
Do ta përkufizoja me dy fjalë : “Të gjithë duan, por, duhet të dish të duash”
Materialet dhe teknikat që ju përdorni ju dallojnë jo pak, jeni edhe tradicional edhe bashkëkohor në qasjet tuaja…
Në fakt këtë e dëgjoj shpesh, por duhet t’ju kujtoj se materialet me të cilat unë realizoj veprat e artit janë shumë të thjeshta, ndërsa idetë të veçanta.
Sot gjithmonë e më shumë shikojmë se si arti po industrializohet, por une bëj të kundërtën : me materiale industriale krijoj art.
Thuhet për Stratin që është dhe një piktor artist i frymëzuar nga muzika në krijimin e shumë mozaikëve . Cila është kjo lidhje dhe në çfarë ka rezultuar ajo ?
Muzika për mua është oksigjen që hyn nga veshët, ndërsa mozaikët janë muzika e syve.
Është një vepër e titulluar “Vajza e detit”, cila është lidhja me legjendën nga Vlora?
Mozaiku është realizuar me gurë të mbledhura në bregdetin e Vlorës dhe si motiv është bazuar në vargjet e një kenge, ku gruaja një burri në kurbet ëndërron të kalojë detin , për të qënë pranë tij.
Me detin unë kam marrëdhenie shumë të mira, sepse i hedh dëshirat dhe ai më sjell idetë.
Emri i Stratit është po kaq i njohur edhe në Kosovë e Maqedoni,cilat janë aktivitetet atje ?
Kam shumë miq artistë në Kosovë dhe Maqedoni. Kemi krijuar prej vitesh miqësi dhe marrëdhenie të shkëlqyera.Asnjëherë nuk refuzoj të shkoj sa herë më bëhen ftesa për mgjarje artistike.

Pse realizimi i një molle së fundmi ?
Imazhi është një simbol mëkatar siç është molla e kafshuar dhe brenda saj do të jetë i vizatuar i gjithë globi, me bukuritë dhe veçantitë e tij. Kam patur vazhdimisht dhe vazhdoj ta kem mbështetjen e kryetarit të Bashkisë së Fierit. Së bashku zgjodhëm modelin e veprës. Qëllimi im nuk është thjesht marrja e çmimit Guinness, por përcjellja e një mesazhi të qartë për rëndësinë dhe mbrojtjen e mjedisit ku jetojmë”
Planet dhe idetë e Saimir Stratit ?
Brënda meje ka shumë ide të reja dhe unë mundem ti realizoj ato. Nëse ka sfida, unë do të jem aty.
Si e konsideroni iniciativen e Albanian Excellence në prezantimin e historive të suksesit shqiptar në botë ?
Do ta falenderoja Albanian Exellence për përzgjedhjen dhe gjithashtu per këtë prezantim të intelektualëve dhe artistëve të qytetit të Fierit, të cilët janë të shumtë dhe do të dëshiroja t’i përshëndesja me respekt.(Kortezi ATSH)

Filed Under: Interviste, Kulture Tagged With: Flora Nikolla, Rekordet Guinnes, të Saimir Stratit

Kënga, simbioza e Kleopatra Skarcos

June 7, 2014 by dgreca

Nga Flora NIKOLLA/Tirane,7 Qershor/Kleopatra Skarco e nisi aktivitetin muzikor me Ansamblin Popullor të Nartës, në vitin 1966, nën udhëheqjen artistike të Themistokli Mones dhe koreografit Jani Gjergji. Në ato vite, lëvizja artistike amatore kishte marrë ë hov dhe nuk mungonin edhe organizimet kombëtare ku spikasnin talentet e rinj. Në një event të tillë u përcaktua dhe e ardhmja e saj. Sukseset dhe konfirmimi brenda dhe jashtë Shqipërisë, bënë që në vitet ‘70 të emërohej këngëtare profesioniste në Estradën e Vlorës. Në intervistë, Kleopatra Skarco tregon se dashuria për këngën i është rrënjosur e kultivuar nga prindërit, të cilët këndonin shumë bukur, një trashëgimni që sot mbahet gjallë edhe nga motrat e vëllezërit e saj. E quan këngën pjesë të pandarë, me të cilën do të jetë “Një” deri në fund të jetës. Kthehet herë pas here në Shqipëri dhe ka marrë pjesë në spektakle të ndryshme televizive si “Maratona e Këngës Popullore”, “Festivali i Këngës Popullore”, etj. Thotë se do të ishte kënaqësi të rikthehej në atdhe me një koncert recital, pse jo në Vlorën e saj të dashur, mjafton të gjenden rrugët e përshtatshme. Në Sofie, ku jeton së bashku me familjen, është ftuar si artiste e mirënjohur në raste festash apo evenimente të ndryshme, ndërsa ka përfaqësuar Shqipërinë në Festivalin Ballkanik në Bullgari dhe në Festivalin e Ansambleve në Jaltë, si pjesë e grupit “Skënderbeu” të Korçës.
Ju jeni e njohur në Vlorë dhe në Shqipëri si një emër që ka sinonim këngën dhe muzikën. Cili është sekreti i dashurisë për muzikën?
Aktivitetin muzikor e kam filluar me Ansamblin Popullor të Nartës, në vitin 1966, nën udhëheqjen artistike të Themistokli Mones dhe koreografit Jani Gjergji. Në ato vite lëvizja artistike amatore kishte marrë një hov të madh. Në Festivalin Kombëtar të Ansambleve Amatore të atij viti, ansambli ynë fitoi flamurin e festivalit. Ky sukses më dha mundësinë që të përfaqësohesha në një turne në Republikën Popullore të Kinës, me Ansamblin Shtetëror të Valleve dhe Këngëve Popullore. Qëndruam dy muaj e gjysmë në Kinë dhe ovacionet e një publiku gjigand në numër, siç duket, rikonfirmuan karrierën time si këngëtare. Pas Kinës, isha pjesë e një turneu në Rumani, krahas artistëve të shquar si Vaçe Zela, Bik Ndoja, Luçije Miloti e Hysen Koçia. Në të njëjtën kohë, kam qënë konkurrente në Festivalet Kombëtare të Radio-Televizionit Shqiptar me këngët e njohura për kohën si “Festë në Malësi”, “Nënë dhe shoqe”, “Interesant”, etj, ku gjithmonë jam vlerësuar me çmime të dyta dhe të treta. Sukseset dhe konfirmimi im si këngëtare vazhduan me turneun në Kosovë, në vitin 1969, si pjesë e Ansamblit të Vlorës, i cili u nderua në atë event me çmimin e parë. Kjo bëri që atë vit të emërohesha si këngëtare profesioniste në Estradën e Vlorës. Dashuria për këngën më është kultivuar nga prindërit e mi, të cilët këndonin shumë bukur. Dashuria për këngën është trashëguar dhe mbajtur gjallë jo vetëm nga unë, por edhe nga motrat e vellezërit e mi.
Çfarë është kënga për ju?
Kënga është pjesë e pandarë e imja, me të cilën do të jem “Një”deri në fund të jetës.
Jetoni prej vitesh në Sofje… Cilat ishin arsyet e emigrimit dhe pse zgjodhët pikërisht Bullgarinë?
U largova nga Shqipëria në Bullgari jo si emigrante, por nga një rastësi e jetës. Dy vajzat e mia studionin në Sofje. Vajza e madhe, Olta, studionte për drejtësi dhe Borjana në Liceun e Muzikës, për violinë. Një verë, vendosëm të vizitonim vajzat, së bashku me djalin e vogël. Ndodhi që ai theu këmbën në një vend shumë delikat dhe kirurgët që realizuan ndërhyrjen ortopedike na këshilluan për një regjim rigoroz. Minimumi 9 muaj im bir nuk duhej të lëvizte. Kësisoj u vendosëm në Sofje familjarisht, fillimisht përkohësisht, derisa të kalonte çdo gjë sipas këshillave të mjekëve, dhe më pas përfundimisht.
skarco2Sa e vështirë ishte përshtatja juaj me këtë vend. A mund t’i riktheheni për pak momente kujtimeve të vitit të parë të jetës në Sofje?
Përshtatja në Sofje ishte e lehtë, sepse populli bullgar është mikpritës dhe i çliruar nga komplekset nacionaliste. Mungesën e jetës artistike ma plotësonte vajza e dytë, Borjana, e cila si violiniste dha disa koncerte recitale në Sofje. Në atë periudhë Borjana mori edhe një ftesë nga Presidenti i Bullgarisë ku interpretoi një pjesë nga Paganini me Kuartetin e Harqeve të Filarmonisë së Sofjes, në Rezidencën Presidenciale. Më pas, ajo nisi të angazhohej me këngën dhe formoi grupin Dokle & Greesh, me të cilin ka realizuar videoklipe, është prezantuar në koncerte të ndryshme televizive si dhe është nderuar me çmimin special në festivalin e 42-të të Këngës në Bullgari. Mungesën e jetës artistike ma plotësoi në vijim edhe im bir, i cili përfundoi studimet për aktrim në Akademinë e Arteve të Bullgarisë, me rezultate të shkëlqyera. Tashmë aktivizohet në shfaqje të ndryshme teatrale dhe filma televiziv.
Kthehemi tek vitet shqiptare të këngës. Sa pranë janë ato vite tek Kleopatra Skarco dhe a keni menduar ndonjëherë të jepni koncert recital në atdhe?
Më mungojnë shumë ato vite dhe herëpashere kthehem në Shqipëri, duke marrë pjesë ne spektakle të ndryshme televizive si “Maratona e Këngës Popullore”, “Festivali i Këngës Popullore”, etj. Natyrisht, do të ishte një kënaqësi të rikthehem me një koncert recital në Shqipëri, pse jo në Vlorën time të dashur, mjafton të gjenden rrugët e përshtatshme.
Po në Sofje cila është marrëdhënia juaj me këngën dhe muzikën?
Në Sofje jam marrë pak me këngën, kur më kanë ftuar me raste festash apo evenimente të ndryshme. Por, ndërkohe kam marrë pjesë ne Festivalin Ballkanik të zhvilluar në Bullgari, ku përfaqësova Shqipërinë, si dhe në Festivalin e Ansambleve në Jaltë, në përbërje të Ansamblit “Skëndërbeu” të Korçës. Gjithashtu gjatë kësaj kohe kam marrë pjesë edhe në disa koncerte të tjera që janë zhvilluar në qytete të ndryshme të botës, si në Rimini, Selanik, etj.
Repertori i muzikës suaj ka një gjeografi mbarëkombëtare. A ju ka ndihmuar kjo për të arritur perfeksionin, apo ju ka dëmtuar? Ku qëndron më bukur zëri juaj?
Në repertorin tim, krahas muzikës së lehtë në festivalet kombëtare apo në Estradën e Vlorës, kam interpretuar këngë qytetare të Vlorës sime, por edhe Gjirokastrës, Fierit, Shkodrës, Korçës dhe për 10 vite edhe këngët e bukura lirike kuksiane. E gjithë kjo gamë e gjerë, në asnjë mënyrë, nuk më ka penguar, por përkundrazi e ka perfeksionuar procesin tim krijues. Falë bashkëpunimit me shumë muzikantë, nga Themistokli Mone, Reshat Osmani, Mishel Lako, Haxhi Dalipi, Aleksandër Lalo, Alfred Kaçinari, Ardian Hila, Shpëtim Saraçi, i ndjeri Luan Borova e shumë të tjerë, kam pasur mundësinë të përfitojë më të mirën nga eksperiencat e tyre dhe t’ia transmetojë ato publikut.
Si e konsideroni këngën qytetare vlonjate?
Natyrisht bashin e vendit e zë kënga vlonjate dhe gjithmonë jam ndier e përkëdhelur nga vlerësime të ndryshme në shtyp si “Mbretëresha e Këngës Vlonjate”.
skarco3Prej vitesh keni ndërtuar jetën në kryeqytetin bullgar. Mendoni se shqiptaret kanë arritur te integrohen dhe të njehsohen me vendasit?
Në Bullgari nuk ka emigrantë shqiptarë. Jemi gjithsej rreth 10 familje shqiptare, të integruara me dinjitet, të stabilizuara shumë mirë ekonomikisht dhe me fëmijë të shkolluar në universitetet më prestigjoze të Bullgarisë.
Mendoni se ka ardhur koha që çdo vlonjat, kudo ku ndodhet, të bëjë diçka për vendlindjen? Keni menduar ndonjëherë për një angazhim tuajin konkret?
Gjithmonë ka qënë i domosdoshëm dhe i mirëpritur kontributi i çdo vlonjati, kudo ku ndodhet në botë, për Vlorën tonë. Kontributi im ka qënë dhe do të jetë gjithnjë në sferën e këngës vlonjate, për ta përcjellë kudo atë.
Si e shihni sot Vlorën, ndryshimet që ky qytet ka pësuar në dy dekadat e fundit?
Padyshim, Vlora ka pësuar ndryshime të mëdha pozitive, por ato duhet të na frymëzojnë më tej për një hop cilësor për ta kthyer gjirin e Vlorës në perlën e Adriatikut dhe të Jonit.
Vendlindja juaj është Narta e Vlorës. Çfarë nismash mendoni se mund t’i shërbejnë këtij komuniteti dhe vetë bashkëqytetarëve tuaj?
Si e lindur në Nartë dhe e rritur në Vlorë, e ndiej si angazhim të vazhdueshëm t’i përfaqësojë denjësisht kudo si artiste, por edhe të jem gjithnjë e pranishme në evenimente të rëndësishme, siç ishte edhe koncerti i madh i 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, sidomos për faktin se Vlora ime e dashur më ka vlerësuar me titullin e lartë “Qytetare Nderi”.
Si e konsideroni iniciativën e Albanian Excellence për prezantimin e historive të suksesit të vlonjatëve që jetojnë jashtë atdheut?
E konsideroj si një mbështetje për potencialet intelektuale, artistike, kulturore të qytetit tonë, zemra dhe mendja e të cilëve duhet të rrahë gjithnjë për vendlindjen dhe të kontribuojnë për të pa asnjë çmim!

Filed Under: Interviste Tagged With: Flora Nikolla, Kënga, simbioza e Kleopatra, Skarcos

Violina ”botërore” e Engjëllushe Baçes

May 16, 2014 by dgreca

Nga Flora NIKOLLA/
Fillimin e jetës në Itali , Ëngjëllushe Baçi, një artiste me një sukses të garantuar, shkak i talentit të saj i spikatur që në vegjëli, nuk e pati të lehtë. Bëri edhe punë të tjera fillimisht , derisa gjeti rastin të marrë pjesë ne disa konkurse, ndërsa fitoi vëndin e punës në Orkestrën” Verdi di Milano” e Orkestrën e harqeve “G. Cantelli”. Kështu nisi hap pas hapi të realizojë rrugën e saj artisike. Lushi si e thërrasin të afërmit e saj , nisi të punojë e studiojë njëkohësisht, për të përmirësuar nivelin e saj të interpretimit, duke bërë kurse perfeksionimi me violinistë të mëdhenj , si Pjer Amojal e Leon Spierer , A.Flint, etj. Ka patur rastin të interpretojë me artistë të mëdhenj si me dirigjentët , R.Muti, C.M.Giulini , R.Chailly, V.Gergiev, G.Prètre, C.P.FLor, V. Juroëski, O. Caetani, etj .Ka interpretuar në krah të artistëve me famë botërore si L.Kavakos, M.Argheric, S.Accardo , M.Rostropovich, M.Maisky, V.Mullova, Y.Bashmet.D.Garret, M.Quarta, Domingo, Carreras, Pavarotti, por njëkohësisht dhe me artistë të muzikës së lehtë e shumë të famshëm si Adriano Çelentano, E.Ramazzotti, Jovanotti, Sting, C.Segundo, madje edhe në koncertet e J. Kocker etj. Në të gjitha këto koncerte, kërkonte të jepte maksimumin e saj , por njëherazi kjo përvojë e ka ndihmuar të marrë sa më shumë nga ata . Mendon se kur punon me pasion, rezultatet vijnë vetë. Ka ndjerë kënaqësinë e punës dhe kjo i ka dhënë energji dhe kurajo për të avancuar e kërkuar gjithmonë e me tepër e për ta ndarë kënaqësinë e tingujve me të tjerët. Ne fund të fundit, muzika shëron shpirtrat e njerezve , i bashkon ata . Ky mision fisnik, duket se e rrëmbente atëhere dhe thotë se ky mision vijon të mbetët e pandryshuar tek ajo dhe tani .Violina për Engjëllushe Baçe, është pjesë e rëndësishme e jetës së saj dhe ajo nuk mund ta kuptoj veten pa të. I pëlqen harmonia e tingujve të jetës dhe violina i duket mbretëresha që ja mundëson harmoninë kudo.
Ju ishit shumë e vogël kur u lidhët me instrumentin e violines?
Kam filluar violinen në moshen 5 vjeçare, menjëhere pasi debutova në festivalin e këngës për pionerë në qytetin e Fierit. Në këtë festival fitova çmimin e parë me këngën “Lepurushi i vogël”. Ishte komisioni i këtij festivali, që më vlerësoi si fëmijë i talentuar në fushën e muzikës. Kështu fillova studimet per violinë me prof.Virgjil Gega dhe vazhdova për 13 vite me prof.Valentina Gega. Ka qënë një fat i madh, që i kam pasur mësues, pasi ishin ata, që më trasmetuan pasionin e përkushtimin për këtë instrument të jashëzakonshëm e njeherazi magjik.
Kur keni qënë fëmijë që e vogël, arritët të kishit sukses si në këngë edhe në violinë, duke fituar edhe shumë çmime …, si e kujtoni këte periudhë të jetës tuaj?
Vazhdova te këndoj e të marr pjesë në festivale për 8 vite radhazi dhe fitova disa herë çmime. Më kujtohet që fitova 2 herë çmime të para, dhe 3 herë çmime të dyta e të treta..në këtë festival. Ajo që më ka lënë mbresë të jashtëzakonshme ka qënë kënga :“Kur i shoh të gjithë të qeshur”, me të cilën fitova ,çmim të dytë në festivalin e qytetit tim në FIER, këngë e cila më çoi në festivalin kombëtar të Shkodrës ku fitova çmimin e pare në rang kombëtar. Aty këndoja dhe i bija njeherazi edhe violinës. Ishte një këngë me tekst të Thoma Gogës dhe muzikë të Valentina Gegës, mësueses sime të violinës. Ajo këngë ka mbetur në memorien time , por për shumë kohë edhe në memorien e gjithë brezit tim të asaj kohe. E kujtoj me shumë mall e nostalgji fëmijërinë time, pasi ka qenë plot sodisfaksione , emocione dhe impenjime. Një fëmijërie tillë më bëri të kisha ëndrra të bukura për jetën . Edhe sot e kësaj dite kujtoj me kënaqësi që të gjithë moshatarët e mi, imitonin e këndonin këngët e mia kur kaloja në rrugë.
Në vitin 1993, gjatë një turneu të Itali me Orkestrën e Teatrit të Operas dhe Baletit, ju vendosët të qëndroni në Itali?
Mbasi mbarova studimet në Akademinë e Arteve në Tiranë, nisa të punojë në Orkestren e T.O.B dhe ne vitin 1993 ne Tetor u transferova ne Itali me një turne koncertesh . Atë kohë Shqipëria po kalonte një fazë të vështirë tranzicioni dhe muzika ,apo njerëzit që merreshin me të nuk vlerësoheshin si duhet. Kështu vendosa të qëndroj për të provuar fatin tim si muzikante në një vënd si Milano ku arti kishte nje tjetër terren mikpritjeje dhe vlerësimi . Dua te kujtoj se aso kohe, në 1993 Shqipëria përjetonte eksode masive njerëzish që kërkonin të realizonin ëndrrat e tyre diku.
Si ishin vitet tuaja të para në Itali?
Vitet e para ishin të vështira.Kërkon shumë sakrifica. Kam bërë edhe punë të tjera , derisa gjeta rastin të marr pjesë ne disa konkurse për tu njohur. Pas konkurseve fitova vëndin e punës në Orkestrën” Verdi di Milano” e Orkestrën e harqeve “G. Cantelli”. Fillova kështu hap pas hapi të realizoj e ndjek rrugën time artisike.
Pse dhe si arritët që ju të njihnit vetëm sukses në Itali me violinën tuaj?
Fillova te punoj e studioj njëkohësisht, për të përmirësuar nivelin tim të interpretimit, duke bërë kurse perfeksionimi me violinistë të mëdhenj , si Pjer Amojal e Leon Spierer , A.Flint, etj.
Kam patur rastin të interpretoj dhe me shumë artistë të mëdhenj si psh me dirigjentët R.Muti, C.M.Giulini , R.Chailly, V.Gergiev, G.Prètre, C.P.FLor, V. Juroëski, O. Caetani, etj .Kam interpretuar në krahë të artistëve me famë botërore si L.Kavakos, M.Argheric, S.Accardo , M.Rostropovich, M.Maisky, V.Mullova, Y.Bashmet.D.Garret, M.Quarta, Domingo, Carreras, Pavarotti, por njëkohësisht edhe me muzikantë të muzikës së lehtë e shumë të famshëm si Adriano Çelentano, E.Ramazzotti, Jovanotti, Sting, C.Segundo, madje edhe në koncertet e J. Kocker.etj. Në të gjitha këto koncerte , kërkoja të jepja maksimumin tim , por njeherazi kjo përvojë më ka ndihmuar të marr sa më shumë nga ata . Mendoj se kur punon mirë e me pasion, rezultatet vijnë vetë. Kam ndjerë kënaqësinë e punës ,kjo më ka dhënë energji dhe kurajo për të avancuar e kërkuar gjithmonë e me tepër e për ta ndarë kënaqësinë e tingujve me të tjerët. Ne fund të fundit, muzika shëron shpirtrat e njerezve , i bashkon ata . Ky mision fisnik më duket se me rrëmbente atëhere dhe më duket, që vijon të mbetët konstante e pandryshuar tek une, edhe tani pas kaq vitesh .
Në fakt çfarë është violina për ju?
Violina për mua është një pjesë shumë e rëndësishme e jetës sime. Unë nuk mund ta kuptoj veten pa të. Më pëlqen harmonia e tingujve të jëtës dhe violina më dukët mbretëresha që ma mundëson harmoninë kudo.
Në përgjithësi keni shkuar ju te repertori që interpretoni apo ka ardhur ai tek ju?
Përsa i përket repertorit është shumë i larmishëm, e varet nga kërkesat e koncerteve e sipas formacionit te pjeseve që kërkojnë, ne shume raste kam zgjedhur edhe unë kur më është dhënë rasti të luaj si soliste e sidomos me fomacion “Quartetto”që është shumë i preferuar për mua pasi kam ktë formacion prej shumë vitesh e i dedikoj shumë kohë.
Cila është gjeografia e koncerteve tuaja?
Duke luajtur me shume formacione te ndryshme si : Soliste , Duet , Trio, Kuarteti, e duke bashkëpunuar me shumë orkestra, kam pasur fatin të vizitoj shumë shtete të botës dhe kam interpretuar në shumë salla prestigjiose, që nga Teatro alla Scala di Milano, Arena di Verona, e shumë e shumë te tjera, që nuk mundem ti numëroj. Kam interpretuar në Gjermani, Austri, Svicr, Francë, Spanjë, Portugali, Brazilë, Argjentinë, në Kili, në Japoni ,madje kam dhënë koncerte edhe në Malejzi , Dubai, në Angli psh ne (Royal Albert Hall di Londra).
Cila ka qënë violina juaj e parë dhe ajo e fundit..?
Violinën e parë ma ka blerë babai im, kur mbarova studimet ne Akademi, sepse ne fëmijëri kemi pasur fatin që na i jepte shkolla, Këtë violinë e kam ruajtur akoma si kujtim.Tani luaj me një violinë di Liuteria “Cremonese “Collìni,”të cilën e kam blere me lindjen e vajzes time, që tashmë është 11 vjeç dhe quhet Valentina si mesuesja ime e violinës që është e do jete gjithmonë në zemrën time , e paharruar, E falenderoj gjithmonë…!!!
Violinën e fundit ,nuk e kam blerë akoma shpresoj …!!!
Disa nga kujtimet që ju kanë lënë mbresa nga karriera juaj koncertore..?
Eh…këtu e kam pak të veshtirë ta përmbledhë me pak fjale, pasi siç thashë edhe më lart, kam pasur fatin të punoj me shumë artistë të mëdhenj…Kujtoj me shumë emocion bashkëpunimin me të madhin Placido Domingo, me të cilin kemi regjistruar nje cd për bravurën dhe humanitetin e tij. Shumë emocionuese ka qënë për mua, të luaj në teatrin Scala të Milanos, që për shume artistë të muzikës mbetet ëndërr. Ne veçanti, kujtoj faktin që një gazetare më pyeti se si ndihesha e mos rrezikoja ne muajin e shtatë të shtatëzanisë sime asokohe, nga e gjithë masa e tingullit të fortë sepse orkestra e Milanos ishte shumë e madhe. Luanim “Romeo e Giulietta di Prokofjev” dhe unë me shaka i thashë, që n.q.se do ta lindja djalin aty, maksimumi do ta quaja djalin tim, Romeo…! Bëra shaka, por te nesërmen gazetat shkruanin se , Primo violino e orkestres Verdi di Milano rrezikon ta quajë Romeo, djalin që mund të lindë, duke luajtur violinë.!!!
Një eksperiencë e paharruar ka qëne dhe në Abu Dhabi, ku kam qënë e ftuar me kuartetin tim, për të marrë pjesë në inagurimin e parkut me te madh ne bote, Ferrari World Abu Dhabi. Më vjen në mënd koncerti im i parë si soliste ne 1994, me stinët e Vivaldit, ku merte pjese kryebashkiaku i Milanos Albertini…, po kështu emocionuese ka qënë ne vitin 2000 në Arenën e Veronës, ku kam bashkëpunuar me artisten tonë të madhe Inva Mula. Arena e Veronës, me madhësine e saj është impresionuese, ajo mban 17 mijë spektatore, të cilët vijnë nga e gjithë bota dhe unë aty kam qënë për dy vite e prenotuar .Po kështu nuk mund ta harroj kurrsesi vitin 2001 dhe spektaklin e Adriano Çelentanos ,”Francamente me ne infischio”. Ai më përzgjodhi dhe mund te them, që ishte një eksperiencë ndryshe me muszukë te lehtë, canzoni italiane. Këtu mu dha rasti te njohë shumë artistë të tjerë si :Sting, J.kocker..C.Segundo, Noa. Jovanoti.etj.. Kujtoj gjithashtu edhe koncertin në sallën e Royal Albert Hall në Londër, ku merrnin pjesë rreth 6800 spektatorë .
Sa e lidhur jeni me Shqipërinë, me traditat e saj… kulturën..?
Me Shqipërinë, me vëndin tim padyshim që jam më shumë e lidhur emocionalisht , pasi kam kujtimet e mia të fëmijërisë, por kam edhe njerëzit e mi familjen, miqte dhe mbi të gjitha është vendi nga vij e nga ku kam identitetin tim .
Jam krenare për Shqipërinë dhe kudo e kam artikualuar faktin që jam shqiptare me krenarinë që më jep atdheu im . Vij shpesh e ndjek me mall zhvillimin e lajmet për çdo gjë nga Shqipëria .I kam mësuar madje edhe bashkëshortit tim italian gjuhen time .Në Nëntor të 2012-ës, mora pjesë në koncertin e madh me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë e ftuar nga artistja jonë e nderuar Inva Mula me të cilën kam bashkëpunuar edhe jashtë Shqipërisë. Ka qënë shumë emocionuar për mua për faktin që pata rastin të interpretoj në këtë festë të madhe të 100 vjetorit të Pavarësisë por edhe te takoj shumë nga artistët tanë si .Eno Koço Ermir Krantja ,Saimir Pirgu ,Bujar Llapi, Genc Tukiqi etj Takova Avni Mulën ,këngët e të cilit i kam kënduar në fëmijëri.. Gjeta Shqipërinë në festë , me plot aktivitete kulturore e tradicionale në Tiranë , por edhe në Vlore dhe mu duk se kishte lëvizje e energji pozitive kudo.
Vini shpesh në Shqipëri..? Po në Fier?..Si do ta përcaktonit sot vendin tuaj, duke e krahasuar me të shkuarën?
Në Fier vij pothuajse çdo vit, pasi kam familjen .Me bëhet qejfi, kur shoh shumë ndryshime dhe gjëra që kanë avancuar e janë përmirësuar. Gjithsesi ka ende shumë punë e rrugë për tu bërë me qëllim që të realizohet ëndrra europiane e saj .
Keni ndonjë propozim konkret që mund të ndihmojë në zhvillimin e qytetit te Fierit?
Kam dëgjuar se janë bërë disa aktivite të bukura në Apolloni, të cilat kanë ndihmuar kulturën, traditën por edhe kanë stimuluar njohjen e arkeologjise, e qyteterimit të lashte që mbart Apollonia. Më duket se është udha e duhur për të ecur përpara. Duke mbajtur gjallë traditën e duke investuar pak më shumë në kulturë e civilizim, më duket se një popull garanton egzistencën, por njeherazi edhe vëndin e tij në një shoqëri multikulurore .Sa më shumë evente kulturore, sa më shumë dije e kulure te shpërndahet e përthithet nga individët aq më afër dimensionit euroipian mund te jemi Kemi shumë për të bërë. Ndaj them sa më shumë evente ,koncerte , dhe teatro, ku të rinjtë, të kenë sa më shumë mundësira, për të njohur e shkëmbyer kulturen, e të kenë mundësi, që të shprehin talentin e tyre..,individualitetin e tyre .Për shembull në Milano, marr pjesë në një organizim,që quhet Song, ku kemi hapur disa laboratore me qëllim që fëmijët nëpërmjet argëtimit ti afrohen sa më shumë artit e kulturës, pasi mendoj që sjell harmoni, paqe, zhvillon inteligjencën e zgjeron hapësirën e komunikimit me zemrën…
Fieri, qyteti ku une kam lindur e ka nisur ketë , uroj vetem që tradita të vijojë , madje të ndiqet edhe nga qytete te tjera . Arti dhe muzika na bashkon, na jep paqen që duam dhe na shëron shpirtrat e lënduar nga perditshmëria rraskapitëse ,në këtë sens mendoj se, sa më shumë art, aq më shumë liri e harmoni ka ne jetet e në zemrat e njerëzve .
Si e shihni iniciativën e Albanian Excellence ? Mendoni se kjo iniciativë ndihmon në afrimin e shqiptarëve të këtëj dhe andej kufirit ?
Kjo iniciativë është shumë interesante, na mban të lidhur më shumë me atdheun, na detyron të bëjmë më shumë për të . Për mua është shumë emocionante që të rikthehem hera- herës e mbi të gjitha të ndiej se jam pjesë e rëndësishme e një atdheu që nuk i harron fëmijët e tij. Kjo është iniciativa juaj dhe unë ju jam shumë mirnjohëse që një individ si ju apo njerëz që ju mbështesin kanë kuptuar se keni një mision fisnik e me shumë vizion për të ardhmen e Shqipërisë e shqiptarëve . Përfitoj nga rasti te falenderoj Albanian Excellence e në veçanti edhe Bashkinë e Fierit për mbështetjen që ju ka dhënë në këtë projekt shumë të bukur e të rëndësishëm, ku më keni dhënë mundësinë të marr pjesë..Me shumë respekt e mall…!!!(ATSH)

Filed Under: Kulture Tagged With: e Engjëllushe Baçes, Flora Nikolla, Violina ”botërore”

Në Europa Plaza në Fier, kremtohet , “San Patrick’s Day”

March 17, 2014 by dgreca

Nga Flora NIKOLLA/

Fier, 17 Mars/ATSH/- Në  Europa Plaza, në qytetin e Fierit u kremtua sot,  Festa Kombëtare e Irlandës ose siç njihet nga Irlandezët,  ”San Patrick’s Day”, në kuadër  të një iniciative të Bashkisë së qytetit të Fierit dhe  ideatorit dhe realizuesit të Europa Plaza, artistit, Fate Velaj.

Në ceremoninë e  organizuar në Europa Plaz , ishte   i pranishëm Kryetari i Bashkisë së Fierit, z. Baftjar  Zeqo, nën kujdesin e të cilit do të organizohet kjo iniciativë e cila ka marrë përsipër të kremtojë festat kombëtare të vendeve pjesmarrëse të Bashkimit Europian, në qytetin e Fierit, i njohur si qyteti  i bashkëjetesës  dhe harmonisë.

Ekzekutimi i Himneve kombëtare të dy shteteve,(Shqipëri dhe Irlandë) shënoi nisjen zyrtare të  kësaj  ceremonie dhe ngritjen e flamurit të Irlandës , ku  ishin të pranishëm personalitete të Fierit  dhe qytetarë  Fierakë.
Europa Plaza, ideuar e projektuar nga Fate Velaj, një  artist i njohur me një karrierë brilante në Austri dhe jo vetëm , aktualisht , këshilltar pranë kryeministrit  Edi Rama për diplomacinë kulturore, u inaugurua më  24 Nentor 2012 me rastin e  100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Europa Plaza, është  konceptuar  si simbol  i faktit që Shqipëria është  pjesë e Europës dhe e së ardhmes së përbashket Europiane. Duke u mbështetur në këtë  koncept, në çdo  festë kombetare të shteteve anëtare te BE, në Europa Plaza, në qëndër të qytetit të Fierit,  do të organizohet një ceremoni e veçantë e cila do të  shoqërohet me ngritjen e flamurit të shtetit  kur ai kremton  ditën e tij  kombëtare.

Pak ditë më parë në ceremoni të veçantë , në këtë shesh u organizua festa Kombëtare e Bullgarisë.Europa Plaza është një koncept që ka fituar zemrat e te gjithë diplomatëve të huaj në Tiranë dhe ka bërë jehonë  ndërkombëtare .

 

Filed Under: Kulture Tagged With: “San Patrick’s Day”, Flora Nikolla, kremtohet, Në Europa, Plaza në Fier

Diplomacia e “bukur” e Alma Ajazit

February 19, 2014 by dgreca

Nga Flora Nikolla/- Dashuria për televizionin lindi tek Alma Ajazi kur ishte  8 vjeç, por karrierën si modele e nisi në moshën 15 vjeçare. Fotografi i njohur në Amerikë, Emin Kadi, me origjinë shqiptare ishte i pari që fiksoi imazhin e saj. Çmimi Miss Albania ‘99 USA dhe çmimi “shoqëruesja e parë në Miss Shqipëria 2000”, organizuar nga Petri Bozo, shërbyen si dritare për t’u angazhuar më shumë në botën e modës, por në të njëjtën kohë edhe për të formuar imazhin e saj tek publiku. Pjesëmarrëse në sfilatën Paris Fashion Week në vitin 2011, në sfilatën në Champs Elysée për stilisten Tiffany McCall Couture, Alma Ajazi ka qënë edhe imazhi i markës së flokëve Aveda në Miçigan, modele për markën Tiffany McCall apo për markën e bizhuterisë Siidilabor në Francë… Ka pasur fatin të bashkëpunojë me njerëz të talentuar si me piktoren Adriana Puleshi në Tiranë, me stilisten Ana Gross në Paris, me stilisten Anila Zajmi, fotografët e njohur në Francë si Jean Marc Benzaquen, Flavia Raddavero, Jean Paul Lubliner, Gauthier Joseph, etj.

Kanë kaluar 15 vite kur ajo hyri në botën e modës dhe të gjithë këtë angazhim synon të promovojë në një formë tjetër këtë vit kur ajo mbush 30 vjeç. Tregon se së bashku me kompaninë “Rezart Jasa event” në Paris, do të organizojë në kryeqytetin e Francës, në fund të muajit maj, një ekspozitë me rreth 30 fotografi nga disa prej momenteve më të spikatura të angazhimit të saj si modele dhe të gjitha të ardhurat nga ky aktivitet do të dhurohen për bamirësi në ndonjë shoqatë në Shqipëri.

Përveçse një modele e njohur,  Alma Ajazi ka përfunduar studimet për Shkenca Politike, Marrëdhënie Ndërkombëtare në Amerikë dhe është e para studente shqiptare e diplomuar në shkollën American Graduate School of International Relations and Diplomacy në Paris, me rezultate të shkëlqyera. Shpreson që këtë vit të realizojë ëndrrën për të kontribuar në dilplomacinë shqiptare në Paris, ku jeton prej vitesh, pasi sikurse shprehet sakrificat dhe shkollimin ia ka dedikuar pikërisht kësaj fushe. “Diplomacia shqiptare ka nevojë për një rilindje”, shprehet Alma Ajazi për ATSH-në.

Jeni larguar nga Shqipëria në Amerikë kur ishit fëmijë. Si e kujtoni ditën kur u ndatë me të afërmit, shokët dhe shoqet e fëmijërisë?

Sado që jam larguar e vogël nga Shqipëria, 14 shkurti i vitit 1995 është një ditë që nuk mund të harrohet lehtë. Kam derdhur shumë lotë…! Ishte emocionuese kur u rrethuam nga të afërm dhe komshinj, të cilët u mblodhën në shtëpinë tonë për të na përcjellë, duke na dhuruar plot dashuri. Pjesëmarrja e madhe e njerëzve të krijonte përshtypjen se ishte një dasmë…!

Po nga fëmijëria cilat janë ato kujtime që nuk mund t’i harroni?

Kjo pyetje më sjell ndërmend librin “Më kujtohet”, i autorit Ylli Demneri. Kur lexova këtë libër ndjeva një ngrohtësi shpirtërore pasi munda të gjeja veten në faqet e tij. Kam shumë kujtime…! Më kujtohet qiriri i ndezur dhe duart e mamasë sime që punonte grep, një punë e dytë për të siguruar disa para për mua dhe motrën time, Sonila. Unë e kuptoja shumë mirë lodhjen e saj, por ajo nuk e shprehte. Më kujtohen kodrat e Kombinatit, ku shkoja me shoqet e pallatit me kova uji në duar, pasi ai mungonte në shtëpitë tona. Më kujtohet kur të njohur më pyesnin se ku ishte im atë dhe unë u përgjigjesha me shërbim, pasi familja ime nuk tregonte se ai kishte hyrë në ambasadë. Më kujtohet apartamenti im në katin e tretë, përballë shkollës “Myslim Keta”, ku lozja litar dhe peta me shoqet. Më kujtohet dita e parë e shkollës, xhamat e thyer të dritareve në klasë dhe plasmasi qe vendosnim për t’u mbrojtur nga era e ftohtë që pushtonte klasën, por që nuk e mposhte kuriozitetin tim për të mësuar. Më kujtohet kur së bashku me shokët dhe shoqet e klasës mblidhnim lekë për t’i blerë mësueses kujdestare, Ernës, dhuratë për 7 Marsin. Më kujtohet kur drejtoresha e shkollës më gjuajti me një shpullë të fortë, sepse përdora tualetin e mësueseve, dhe jo atë të nxënësve! Më kujtohet kur babai u kthye në Shqipëri me dhurata dhe sa e lumtur isha. Më kujtohet një kukull barbi me një fustan blu që e mbaja në kuti nga frika se e prishja. Me kujtohen pushimet në Sarandë, dallgët që më mësuan notin, shtëpia e gjyshes sime e rrethuar me vreshtë, fiq dhe frangofiq. Më kujtohet kur mbërrija në lagjen amerikane në Sarandë dhe sa zbrisja nga autobuzi vrapoja duke bërtitur nga gëzimi:  Nënaaaa erdhaaaa… Si përfundim kam pasur një fëmijëri e prekur nga forca e vështirësisë, por edhe nga aroma e dashurisë. Mendoj se vështirësitë ndikojnë pozitivisht në formimin e karakterit. Ato vite i kujtoj me plot nostalgji dhe mall.

Pas mbrëmjes Gala që Albanian Excellence organizoi në TKOB me shqiptarët e suksesshëm në botë, në 100 vjetorin e Pavarësisë

Jeni një modele e njohur, gjë për të cilën flet dhe pjesëmarrja juaj në një sërë sfilatash. Si nisi karriera juaj si modele?

Dashuria për televizionin lindi tek unë kur isha 8 vjeç, por karriera si modele filloi në moshën 15 vjeçare. Fotografi i njohur në Amerikë, Emin Kadi, me origjinë shqiptare, ishte i pari që fiksoi imazhin tim. Çmimi Miss Albania ‘99 USA dhe shoqëruesja e parë në Miss Shqipëria 2000, organizuar nga Petri Bozo, shërbyen si dritare për t’u angazhuar edhe më shumë në botën e artit, por në të njëjtën kohë edhe për të formuar imazhin tim për publikun. Kam pasur fatin të bashkëpunoj me njerëz të talentuar dhe dinjitoz në këtë fushë. Mund të përmend këtu prezantimin si modele për piktoren Adriana Puleshi në Tiranë, në sfilatën për markën e flokëve Aveda në Miçigan, Paris Fashion Week në vitin 2011, në sfilatën në Champs Elysée për stilisten Tiffany McCall Couture, modele për markën Tiffany McCall, kam qënë modelja e parë për stilisten Ana Gross në Paris, modele për markën e rrobave Babelle në Paris, për markën e bizhuterisë Siidilabor në Francë, për stlisten shqiptare Anila Zajmi Katanolli në Paris viti 2012, për reklamën e Chicbook Paris, etj. Kam bashkëpunuar me fotografë të njohur në Paris si Jean Marc Benzaquen, Flavia Raddavero, Jean Paul Lubliner, Gauthier Joseph si dhe fotografin Emin Kadi në Amerikë. Mund të përmend dhe pjesëmarrjen në jurinë Miss Albania në Kanada në vitin 2003, rolin e prezantueses në koncertet e shqiptarëve në Amerikë, ndër të cilët veçoj koncertin e këngëtares Irma Libohova në Miçigan.

Përveçse një modele e njohur ju keni përfunduar studimet për Shkenca Politike, Marrëdhënie Ndërkombëtare në Amerikë dhe jeni e para studente shqiptare që jeni diplomuar në shkollën American Graduate School of International Relations and Diplomacy në Paris, me rezultate të shkëlqyera. Pse zgjodhët këto degë?

Vendimi për të zgjedhur këtë degë ka disa arsye. Gjithmonë më ka tërhequr historia dhe drejtësia, por momenti kur vendosa të studioja shkenca politike lidhet me ngjarjet në Kosovë. Isha 15 vjeç dhe ndiqja lajmet në CNN për luftën në Kosovë. Imazhet që përcilleshin, shtëpi të djegura dhe vuajtjet e shqiptarëve të Kosovës, më emocionuan dhe kuptova se duhej t’i dedikohesha të drejtave të njeriut. Ishte ky moment kur i shkruajta një letër Presidentit amerikan, Bill Clinton, dhe ku i lutesha qeverisë amerikane që të ndërhynte në mënyrë diplomatike për të zgjidhur çështjen e Kosovës. Megjithëse nuk mora përgjigje u ndjeva mirë sepse si një qytetare e thjeshtë mora një iniciativë. Një arsye që ka ndikuar në vendimin për të studiuar shkenca politike është edhe origjina nga Çamëria e nënës sime. Historia e Çamërisë është e deformuar dhe mendoj një nga padrejtësitë më të mëdha që i është bërë kombit tonë. Më kujtohen historitë e dhimbshme që më tregonte gjyshja ime, plot vuajtje dhe plagë, që patën ndikim tim tek mua. Së fundi nuk mund të lë pa përmendur dhe sakrificat e babait tim i cili, në qershor të vitit 1990, braktisi Shqipërinë dhe hyri në ambasadën egjiptiane për t’u vendosur më pas me vështirësi në Miçigan. Duke u rritur në Miçigan dhe duke u arsimuar në shkollat amerikane, kuptova qartë esencën e demokracisë, lirisë, drejtësisë, rregullit, ligjit, që të gjitha së bashku më shtynë që t’i përkushtohesha shkencave politike dhe diplomacisë.

Aktualisht jetoni në Paris… A keni arritur të angazhoheni me diplomacinë në kryeqytetin francez dhe si ndihet Alma në jetën pariziene?

Pas diplomimit në fakultetin Oakland University, në degën shkenca politike, dhe një viti punë në zyrën e imigracionit Pastor and Associates në Miçigan vendosa të kthehesha sërish në universitet për një diplomë të dytë. Ishte këshilla e profesorit tim të politikës që të zgjidhja shkollën American Graduate School of International Relations and Diplomacy në Paris, pasi kryeqytetit francez konsiderohet si zemra e diplomacisë. Kur përfundova studimet në Paris vendosa të qëndroj këtu. Përsa i përket angazhimit mund të përmend praktikën 3 mujore në ambasadën shqiptare në Paris, pranë ambasadorit Ylljet Aliçka. Ishte një praktikë intensive, ku kuptova sesa e rëndësishme dhe delikate është puna në një seli diplomatike. E konsideroj veten me fat pasi mora pjesë në shumë konferenca  politike. Do të veçoja edhe rolin tim si përkthyese në konferencën e parë për raportin e Dick Marty që u mbajt në Paris, në dhjetor të vitit 2010. Isha përkthyese për grupin përfaqësues diplomatik nga Kosova. Përfundimi i studimeve ishte hapi i parë, tani jam duke ecur në dallgët e realitetit. Aktualisht punoj në kompaninë franceze Lenovo dhe gjithashtu jap mësim privatisht në gjuhën angleze. Përherë më ka tërhequr Franca, gjithsesi mendoj se çdo shtet ka kulturën dhe traditat e tij. Gjithmonë jam ambientuar dhe jam angazhuar si një qytetare në këto tradita, pa harruar rrënjët e mia. Emigrimi ka qënë një rrugë mësimi, e ndërthurrur me gëzime, mërzitje dhe sfida. Zemra më e lënduar në këtë botë është zemra e një emigranti!

Ju gjithashtu jeni fituese e çmimeve Who is Who Americas Top Highschool Students National Deans List, Optimist International Award, çmimit “Arshi Pipa” për literaturë në Miçigan, për të drejtat e njeriut të Morris Dees, Southern Poverty Law Center në Amerikë. Çdo të thonë këto çmime për ju dhe cilin prej tyre do të veçonit?

Mes këtyre çmimeve do të veçoja Who is Who Americas Top Highschool Students, një çmim që e fitojnë 15 përqind e studentëve më të mirë të Amerikës. Sigurisht që jam prekur nga këto çmime që në një farë mënyrë janë edhe vlerësim për dedikimin tim ndaj shkollës. Kur shokët dhe shoqet e mia dilnin në fundjavë, unë mbyllesha në shtëpi dhe mësoja për të arritur rezultatet më të mira. Gjithsesi, mendoj se njeriu nuk gjykohet nga sa çmime ka fituar, sa diploma ka marrë, por sa i ka shërbyer njerëzimit dhe si është sjell me të tjerët. Kultura, komunikimi, edukata, dashuria, humanizmi e zbukuron njeriun.

Jeni autore e disa shkrimeve dhe poezive për çështjen çame, të publikuara në mediume të ndryshme dhe në faqen www.lajmishqip.com, ndër të cilat “Përdhunimi i Filatit”, “Puthja vallëzim”, “Lulja e thyer e një kombi”. Cili ka qënë motivi që ju ka frymëzuar për të prekur një temë delikate siç është çështja çame?

Gjyshja ime që jeton në Sarandë ka lindur në Filat. Kur isha e vogël më tregonte shumë histori për genocidin në Çamëri ndaj dhe ndiej se kam një detyrim për të gjitha gjyshet çame. Përmes këtyre shkrimeve kërkoj të bëj të njohur genocidin, përdhunimet, krimet brutale, padrejtësitë që u orkestruan ndaj popullsisë çame në Filat, Gumenicë, Paramethi, Parga, Margellicë. Asnjë komb dhe asnjë shoqëri nuk meriton këto akte brutale.

Çfarë e lidh bukurinë me diplomacinë?

Nëse diplomacia do të udhëhiqej nga njerëz kompetentë, të drejtë, dinjitozë, të ndërgjegjshëm, humanë, punëtorë që zotërojnë vizion për të ardhmen, atëherë do të lulëzonte bukuria në diplomaci. Për mua këtu qëndron bukuria në diplomaci!

Si e kaloni kohën e lirë në Paris?

Parisi është një qytet i mrekullueshëm që të jep frymëzim, ngrohtësi shpirtërore dhe mundësitë për të kaluar kohën e lirë janë të shumta. Atë pak kohë të lirë që më mbetet pas punës në firmën ku punoj, angazhimit tim si mësuese anglishte, apo ndonjë projekti artistik që mund të më ofrohet, personalisht preferoj ta kaloj me një shëtitje në mbrëmje anës Lumit Seine, me ndonjë piknik me shoqërinë poshtë një statuje në Jardin dhe Luksemburg, apo me vizita në muzeumet pafund. Sigurisht, një pjesë të kohës së lirë ia kushtoj dhe komunikimit përmes skype me familjen në Amerikë dhe Shqipëri. Kam mall!

Çfarë do të donit të ndryshonit nga jeta sociale, ekonomike e politike në Shqipëri?

Shqipëria është përballur me shumë fenomene që kanë njollosur historinë e saj si gjatë periudhës së komunizmit dhe pas tij. Ka ardhur koha që Shqipëria të ecë në rrugën e drejtë, sado që vendi ka hedhur hapa përpara drejt demokracisë. Duhet të jemi realistë dhe të kuptojmë se Shqipëria duhet të punojë shumë për një të ardhme të shëndoshë dhe një demokraci të fortë. Shqipëria i ka të gjitha potencialet për t’u zhvilluar, por që kërkon shumë punë, dëshirë, kompromis dhe humanizëm nga partitë politike.

Ç’mendoni për iniciativën e Albanian Excellence?

Një iniciativë dinjitoze që merr përsipër të rrëfejë sakrificat dhe sukseset e shqiptarëve në emigrim. Në këtë rrugë, ku mbizotërojnë stuhitë dhe sfidat, shqiptarët kanë luftuar me dinjitet dhe ambicie. Në media dhe filmat e huaj nuk mungojnë rastet ku shqiptarët diskutohen për një imazh negativ. Është pikërisht  iniciativa e Albanian Excellence që merr përsipër të paqyrojë  imazhin e shqiptarëve dinjitozë dhe plot suksese në vendet ku jetojnë, historitë e të cilëve jam e sigurt se do të admirohen nga cilido që do të lexoj faqet e këtij libri, madje edhe do të frymëzohet.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: diplomacia e Alma Ajazit, Flora Nikolla

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT