• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

M A R E N O S T R U M

January 22, 2020 by dgreca

SHPEND SOLLAKU NOE’/

                                      Katër ekstrakte x  katër sezone/

                             Poema e eshtërnajës/

                Fragment/                                                            

                                  «Vargje thellësisht njerëzore,  të ngjeshura me dhimbje, /

                                 ankth,  rebelim».  Paolo Chiozzi, Universiteti i Firences /

[…]/

Ekstrakti i dytë/

Ky det ndihet mirë në prehër të Vlorës/

– Mare Nostrum i pranverës,/

që s’është sozia e vëllait dimëror,/

që gërnjitet me binjakun e verës,/

që denoncon thjeshtrin e vjeshtës për plaçkitje/

të thesareve prej përbarkieve,/

që bën hile në Bursën e xhixhivalleve./

Është deti pranveror, lagjin që i lan këmbët/

Kepit të Gjuhëzës, të malluar pas mjegullash/

për kryeneçësinë e fortesës së Kaninës./

Është deti i natës groteske i të të parakohshmit Halloween

që shtyn të gjithë në tubim: të shkrumbëzuarit e Mobi Princit,

të rishfaqurit e Ustikës,

të mbeturit pezull të përjetshëm të Bolonjës,

të masakruarit në përçartje të Drenicës.

Është deti i Otrantos, angështi – enigmë e Katerit të Radës

– lëvozhgëz arre, arkëmort britmash shpresëprera

mbi valët lunatike që bishëzohen me hope,

të ngarkuara me shkrepje mbi kreshtat e pranverës së mardhët,

të ngarkuara me plumbin e tradhëtimit të pritjes së kotë,

det i të të nxituarit Halloween.

Është deti zemërndrydhur i dhimbjes së pakuptuar,

i të qarave të heshtura fëmijërore që prehen nën këmbët e ujit,

pa asnjë pyetje, deti i nënave tronditëse

që shtrëngojnë krijesëzat e tyre

në të rralluarën kujtesë të agonisë,

gjer në përputhjen me kumin e pasy

të gjirit gangrenë të Otrantos.

Është deti i kreshpëruar i dosjeve euforike gjyqësore

që bymejnë llogaritë rrjedhëse të të emëruarve

prej parlamenteve – zëdhënëse të mizorëve;

deti pranveror i kurorave hipokrite të heronjve

të dyshimtë, deti i të vërtetave të kredhura

nën duna të rreme të Premtesh të Shenjta, i përfaljeve

të përlyera që zënë ngushtë ikonastasët; deti i pranverës,

i ngashërimit të Zotit, të nemitur

akoma edhe një herë prej plogështisë së pandreqshme

të krijesave të tij të mangëta;

deti i të të përshpejtuarit Halloween,

i lotit pa dobi të etërve me lemzë tragjike.

Është deti i pranverës, i provokuesve avance

të admiralëve që ç’tendosen të qetë

pasi kryen detyrën ndaj shtetit vrastar, që kridhen

në kërkim dhuratash për kurtizanet, shtojcë

diamantesh, pas portave të blinduara,

të padepërtueshme nga pëshpërimat

e të vdekurve të mohuar.

Intermezo e parë

Çfarë ndien deti ventrilok në bunacë,

i dallgëve belbacake të pacipa, i varreve anonimë

të mbjella brigjeve, shënuar nga një vulë e thatë

e një date të vetme, atë të bastisjes,

të linçimit të shpresës; hunj të rëndomtë

pykëzuar rastësisht aty-këtu, sipas përtesës

së atij që, ndërsa gllabëron një hamburger,

kall nën rërë të refuzuarit prej ujërave të mugëta?

Çfarë ndien pak më poshtë ish-kërkushi

eshtërthyer prej të akulltit, të kobshmit përqafim të gropës:

Askush nuk është kthyer më të na e tregojë

nëse gjëma e të të jetuarit të boshit pas zhgjëndrrës,

i të të qenit i shformuar nën rulin e pamëshirë të Ngjarjes,

i të të lënit pas të të vetmes siguri: lotit,

është më çjerrëse se zbrazëtia që mbush trupin,

se ndjenjat që mërgojnë, se të fundmet, të zbehtat

reflekse të fanarëve që shuhen në hiç;

Askush më s’është bërë i gjallë t’i heqë velin

se çfarë ndien ai që shket ngadalë në squlljen

e nënujit, gjersa nemitet përgjithmonë zëri

i pakuptueshëm i valëve të mbetura në siprinë;

çfarë provon ai që shijon dhëmbin e peshkaqenit

ndërsa mishrat ende të ndjeshme ndaj sëmbimit

shndërrohen në kafshata të tmerrit;

Askush më nuk është paraqitur të na e përvijojë

se ajo lëngatë e fundit është më e gëlltitshme

se kafshimi i beftë i një mine nën këmbë

që ngre në fluturim bumerangë njerëzorë e ç’mbjell shpirtin

– dhe ai i gjuajtur prej plumbash lapurekë,

i përndjekur nga bomba skifterësh në fluturim të ligjëruar

prej kujt pretendon të kalërojë, të vërë në vijë, të përmirësojë

botën e tjetrit;

Askush s’është ridukur më në mbifaqje që të na e mërmërisë

nëse përmbytja e gojës prej ujnajës së njelmët

që rend e marrosur të mbushë mushkëritë;

nëse shpërthimi i gjakut prej flegrave, tensioni i lartë

që karbonizon të dendurin, të fundit mendim

është më shkatërrues nga plumbi zhuritës

që i bën vrimë kafkës në paganen colpo di grazia;

nëse çngjyrimi i shikimit në horizontin mjeran

të vorbullave grigjelbërta është më fashitës sesa doza

e të të autorizuarit, e të të ligjëruarit injektim vrastar;

nëse jastëku i rërërave të përgjumura të rriponjave

nënujëse është më mikpritës se çarçafët e ndotur

në mjegullat ndjellavdekje të dhomës me gaz;

Askush më nuk është përshenjur të na predikojë

nëse brenga e trupit nën gurët që shtazët mbi ty

ngrejnë lapidar

është më përçmuese e më dërmuese se mijërat tonelata

të ujit të shëllirtë mbi brinjët

e thërrmuara në miliona grimca prej kristali

që shqyejnë verbërinë e grronave;

nëse moria e yjeve që shpërthejnë prej syve të dalë

është më inkandeshente se sa shoku vertebral

i litarit të varjes,

askush më s’është ringjallur për të na e rrëfyer.

[…]

 VITAE

Shpend Sollaku Noé u lind më 3 prill të vitit 1957 në Lushnje nga një familje beratase, transferuar në Myzeqe për arësye politike. Është diplomuar në gjuhë e letërsi. Ka punuar si arsimtar në Çermë dhe në gjimnazet e Lushnjes dhe më pas si themelues, drejtues e gazetar i Ora e fjalës dhe Republika, organe të atëhershme të  opozitës.

Ai ka qenë ndër pionierët e lëvizjes demokratike në Shqipëri, ndër th­meleuesit e Partisë Demokratike e asaj Republikane. Që nga viti 1992 je­ton si azilant politik në Itali, ku ka punuar për gazeta e televizione të ndryshme italiane e amerikane. Ka shtetësi të dyfishtë shqiptaro-italiane.

Shpend Sollaku Noé ka qenë aktiv edhe si përkthyes, veçanërisht nga shqip­ja, italishtja dhe rusishtja. Mban gjithashtu lidhje bashkëpu­nimi me shumë revista letrare ndërkombëtare. Veprat e tij deri tani janë përkthyer në 27 gjuhë kryesore dhe janë shitur në mbi njëqind vende të botës. Për t’u shënuar veprimtaria në mbrojtje të të drejtave të njeriut, sidomos të emigrantëve dhe në veçanti të të burgosurve dhe të azilantëve politikë. Li­brat e tij: Abysses-Voragini dhe Barcodes-Codici a Barre, të dy në italisht e anglisht, si dhe Antologitë në shqip, italisht, frëng­jisht, spanjisht e anglisht, të botuar në SHBA, kanë arritur të kenë një sukses ndërkombëtar.                     
  Ka botuar në Itali (Romë) romanet e suksesshëm Il confine della nebbia (Kufiri i mjegullës) dhe Il pero fiorì a dicembre (Dardha lulëzoi në dhjetor), që është ambientuar sidomos në Beratin e viteve ’60 -’90.

Shpend Sollaku Noé ka nisur të shkruajë që në fëmijëri e të botojë në organet kombëtare që në moshën 14 vjeçare.

       Midis librave të tij kryesorë përmenden:


Mëzat e kaltër – poezi, Shtëpia botuese Naim Frashëri, Tiranë  1987;                                                                      

  Il regno del proibito – poezi, italisht e shqip,

Itali 1995;

Applaudire Caligola – poemë deherioke, italisht,

Firence, Itali 1997;

Un posto a piedi per Galilea – poemë, italisht,

Raguza, Itali 1999-2000;

   La Colombia dei Balcani – prozë hetimore, italisht,

Itali 1994;

   Il secolo breve – prozë hetimore, italisht,

Itali 1994;

   Abysses-Voragini – poemë, italisht e anglisht,

SHBA 2009;

   Barcodes-Codici a Barre – poemë, italisht e anglisht,            

SHBA 2010;

   Piramidi in frantumi – antologji, italisht,

SHBA 2011;

  Es hora de andar Sócrates – antologji, spanji­sht,

 SHBA 2011;

   Se réveiller au fond du précipice – antologji, frëgjisht,                                         

SHBA 2011;

   Atdheu i tjetrit –antologji, shqip, 

SHBA 2011;

   Pantheon in Blackout– antologji, anglisht,

SHBA 2012;

   Il confine della nebbia – roman, italisht,

Romë, Itali 2012.

   Eros murmuridhesh në gjendje të virgjër – poemë, shqip, libër i përbashkët me Skënder Rusin, shqip,

Itali, 2014.

   Il pero fiorì a dicembre – roman, italisht,

Romë, Itali 2018.

Ka bashkëpunuar ndër të tjera me këto organe shqiptare e të huaja:

“Loog”, “Das Boot”, “Journal of Contemporary Anglo-Scandinavian poetry”, “Rustic Rub”, “Parnasus of World Poets”, “Dismisura testi”, “Poeteka”, “Haemus”, “Drita”,  “Bashkimi”, “Republika”, “Ora e fjalës”, “Rilindja Demokratike”, “News Letter”, “Alto Adige”,  “Milosao”,  “Cio­ciaria Oggi”, “Il messaggero”, “La nazione”, “Gazetta di Parma”, “Il tem­po”, “RAI”, “RTTR”, “Italia Uno”, “Gazeta shqiptare”, “Tirana Obser­ver”, “Dielli – The Sun”, “Fenix”,  “Elite”, “Zëri i Amerikës”, “Standart”, “Shqiptarja.com”,  “Espresso”etj.

                     Citime rreth veprës së autorit:


Vepra e Sh.S. Noè-së mund të përfshihet e gjitha në fillin e zi të traditës europiane që shkon nga Marionettetheater i Kleistit tek Teatro della crudeltà të Artaudit e më tej.

Kjo vepër mund të radhitet, madje në më­nyrë të ndryshme, me krijimtarinë e një brezi të tërë poetësh si Brodskij, Milosz, Herbert, Kancev të cilët, ashtu si Noè, u shtërnguan të braktisin atdhetë që nuk mund të shuanin etjen e tyre për liri.

C. Cottardi, C. Diddi, Presi­dentë Kombëtarë të Amnesty International, Romë, prill 1995.


Një pëzierje eksplozive akuzash, sarkazmash e sulmesh ndaj atij që ai, Noè, e quan komunizëm i maskuar. Mund të duket subjekti i një roma­ni të Kunderas o Grossmanit; ashtu ankthi i realitetit kthehet në dramë nje­rëzore në fjalët e këtij autori…

Gazzeta di Parma, qershor 1992.

Një intelektual i huaj i trasplantuar me sukses në Itali.

Il Messaggero, janar 1996.

Një penë therëse që shkruan në një italishte të përsosur.

Alto Adige”, shkurt 1996.


I aftë të shkrijë formulat e ndërtuara nga tradita, i aftë të revizio­nojë bo­tën e domethënieve.

Firenze Libri, 1997.


Një shkrimtar që ka brenda vullkanin; një art për të cilin do të flitet gja­të.

Attilio Bertolucci, poet, 1999.


Shpend Sollaku Noé është një intelektual i madh poliedrik.

Floriana Gavazzi, gazetare RAI, Radio Due, 2002.


     Floriana Gavazzi /


Shpend Sollaku Noé është një poet i madh që ka pasur si qëllim daljen e poezisë nga akademitë, nga aristokracitë letrare, nga ambien­tet mondane. Poet nga nevoja, gazetar për domosdoshmëri historike, profesor e njeri i le­trave rritur në underground, politikan i lindur, martir i lirisë të shtypur. I mbrujtur me një përgatitje solide kultu­rale, letrare, filologjike e muzikale, po aq sa edhe shkencore në kuptimin enciklopedik, poliglot, karaktert i guxim­shëm, kurioz nga instikti, inte­ligjenzë akute, mendje shumë të kujdesshme për të ardhmen qoftë le­trare, filosofike apo politiko-sociale, Shpend Sollaku Noé është personalitet shumë kompleks dhe është i paisur me një ngarkesë të ngjeshur humane. Lirika e tij është aktuale, therëse, mallëngjyese, e vuajtur, gërvishtëse, magjepsëse.

Stelvio Mestrovich, shkrimtar e poet, nga parathënia e librit Abys­ses-Voragini, 2010;

Nuk rrodhi kurrë gjak i mirë midis meje e sovranëve… Autori i këtyre vargjeve, Shpend Sollaku Noé, shkruan një poesi civile, me retrospektiva në histori e mitologji, por për tʼu kthyer gjithmonë në bashkëkohoren dhe problemet e sotme të një bote të populluar nga ti­ranë, xhelatë, banka të kthyera në perëndi. Në qendër të veprës së tij është raporti midis fuqiplo­tëve dhe individit, midis fuqiplotëve e intelektualit.
Marco Rizza, Alto Adige, Tetor 2010.


Kurrë sʼkam lexuar një poemë kaq të bukur, por ngjethëse; kaq të ngje­shur me lirizëm, por të hidhur dhe plot helm; kaq të vërtetë, saqë të vjen të rilexosh, menjëherë pas kësaj, Shkrimet e Shenjta; kaq të përditshme, saqë të vjen të kesh nostalgji për të kaluarën; kaq shpue­se e sëmbuese saqë të vjen të veshësh dorashka para se tʼa shfletosh.                                                                                                                                                       

Stelvio Mestrovich Wotninsky, nga parathënia e librit Barkodë, 2010.


Romani i ri Kufiri i mjegullës i Shpend Sollaku Noé-së, shkrimtar, poet e përkthyes shqiptar, ndërthur momente të ashpra e ironikë. Një tension i fortë udhëheq lexuesin nëpërmjet historisë së beratasve Oresti që gërshe­tohet mjeshtërisht me ngjarjet e mëdha historike…

Franz Giordano, RAI, qershor 2012. Vepra e Shpend Sollaku Noé-së renditet për­krah le­tërsisë evropiane që në dhjetë vjetët e fundit ka përmbledhur dëshmi me vlera absolute tek autorë si Marai, Pahor, Bettizza, Brodskij e Herta Myler. Në faqet e shqetësuara e të rrjedhshme të prozës së tij Shpend Sollaku Noé prek, me një stil të magjishëm, arësyet më të thella të humanizmit e të shpirtit dhe këtu romani i tij arrin një frymëmarrje të jashtëzakonsh­me.

Giuseppe Marchetti, kritik letrar, Gazetta di Parma,2013. 

Mare Nostrum: një poemë thellësisht njerëzore, e regjur në dhimbje, ankth, rebelim.

Paolo Chiozzi, prof. në Universitetin i Firences, Fenix 2013


Romani Il pero fiorì a dicembre, i shkrimtarit dhe mikut Shpend Sollaku Noé, na dha ngazëllimin për një arritjeje dhe një suksesi tjetër shqiptar në fushën e letrave, në një vend të rëndësishëm të kultures europiane e botërore, (romani është shkruar drejtpërsëdrejti në italisht, forcë e talentit të autorit), na solli dhe emocionet e forta të dramës gjysmëshekullore shqiptare, një afresk vuajtjesh dhe qëndrese njerëzore.

Visar Zhiti, poet, Atunis Galaxy Poetry, shkurt 2018


Romani Dardha lulëzoi në dhjetor është i një bukurie superiore. Mënyra e të shkruajturit të Shpend Sollaku Noé-së është e qartë dhe e zhdërvjellët. Tema është përzhitëse. Një roman i madh. Një himn për lirinë e Atdheut të tij.

Stelvio Mestrovich, shkrimtar, Dielli, mars 2018


Dardha lulëzoi në dhjetor – Një roman me përmasa të mëdha që lë mbresa të pashlyeshme.

Kujtim Hajdari, poet, Dielli, prill 2018


Dardha lulëzoi në dhjetor është një roman i madh dramatik me ngjarje që zhvillohen në një sfond të caktuar historik. Pas një prodhimi të gjerë poetik në gjuhën shqipe dhe italiane, Shpend Sollaku Noé, figurë shumëdimensionale prej intelektuali, çimentohet tashmë edhe me romanin. Ashtu si tek poezia, ai trajton veçanërisht temën e marrëdhënieve ndërmjet individit dhe pushtetit despotik. Me romanin, sidoqoftë, Shpend Sollaku Noé ka gjetur një mjet shprehës më të pasur dhe të larmishëm që dëshmon se e zotëron me mjeshtëri. Dardha lulëzoi në dhjetor është pjesë e oktatalogjisë së romaneve Bij të Saturnit. Kjo oktalogji është frymëzuar nga faktet e ndodhura vërtetë në më shumë se pesëdhjetë vjet të të kaluarës së afërt të Evropës; duke filluar nga Ligjet Raciale, për të vazhduar me diktaturën nën regjimet e ashpra komuniste dhe më gjerë. Skena e ngjarjeve, subjekti dhe personazhet gradualisht shtrihen në botë, që nga kriza e Kubës (1962) deri në depresionin e madh botëror të filluar në vitin 2008. Titujt e tetë romanëve të heptalogjisë janë: Trenat e humbur të Atzel Brauner-it, Dardha lulëzoi në dhjetor, Filius Hostis,  Ganxha,  Scorpius, Kavie, Walscher dhe Gerda T. në krahët e tre lumenjve. Secili prej romaneve tek Bij të Saturnit ka jetën e vetë të pavarur edhe jashtë këtij kompozimi të madh letrar. 

                    Floriana Gavazzi, gazetare RAI, 2018

Filed Under: ESSE Tagged With: Floriana Gavazzi-Shpend Sollaku-Mare Nostrum

Artikujt e fundit

  • HISTORIA E KRYEVEPRES SË NDOC MARTINIT
  • SI LETRAT BRENDA SHISHEVE…
  • Zëri i gjëmimshëm i Andrea Bocellit, si një thirrje për zgjim shpirtëror
  • SI U HOQ BUTRINTI NGA DUART E PUBLIKUT
  • Të arratisurit nga Shqipëria deri më 31 tetor 1990
  • Nga lufta e Kosovës, në Distriktin 14-të në New York
  • Hieroglifet e mallit…
  • Një ftesë për shqiptarët e Amerikës
  • VATRA ORGANIZON SIMPOZIUM SHKENCOR NË 50 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT ABAS KUPI
  • Si e ka portretizuar Kosova sportin në pullat e saj postare
  • Balluku nuk është rasti, është testi!
  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT