SHPEND SOLLAKU NOE’/
Katër ekstrakte x katër sezone/
Poema e eshtërnajës/
Fragment/
«Vargje thellësisht njerëzore, të ngjeshura me dhimbje, /
ankth, rebelim». Paolo Chiozzi, Universiteti i Firences /
[…]/
Ekstrakti i dytë/
Ky det ndihet mirë në prehër të Vlorës/
– Mare Nostrum i pranverës,/
që s’është sozia e vëllait dimëror,/
që gërnjitet me binjakun e verës,/
që denoncon thjeshtrin e vjeshtës për plaçkitje/
të thesareve prej përbarkieve,/
që bën hile në Bursën e xhixhivalleve./
Është deti pranveror, lagjin që i lan këmbët/
Kepit të Gjuhëzës, të malluar pas mjegullash/
për kryeneçësinë e fortesës së Kaninës./
Është deti i natës groteske i të të parakohshmit Halloween
që shtyn të gjithë në tubim: të shkrumbëzuarit e Mobi Princit,
të rishfaqurit e Ustikës,
të mbeturit pezull të përjetshëm të Bolonjës,
të masakruarit në përçartje të Drenicës.
Është deti i Otrantos, angështi – enigmë e Katerit të Radës
– lëvozhgëz arre, arkëmort britmash shpresëprera
mbi valët lunatike që bishëzohen me hope,
të ngarkuara me shkrepje mbi kreshtat e pranverës së mardhët,
të ngarkuara me plumbin e tradhëtimit të pritjes së kotë,
det i të të nxituarit Halloween.
Është deti zemërndrydhur i dhimbjes së pakuptuar,
i të qarave të heshtura fëmijërore që prehen nën këmbët e ujit,
pa asnjë pyetje, deti i nënave tronditëse
që shtrëngojnë krijesëzat e tyre
në të rralluarën kujtesë të agonisë,
gjer në përputhjen me kumin e pasy
të gjirit gangrenë të Otrantos.
Është deti i kreshpëruar i dosjeve euforike gjyqësore
që bymejnë llogaritë rrjedhëse të të emëruarve
prej parlamenteve – zëdhënëse të mizorëve;
deti pranveror i kurorave hipokrite të heronjve
të dyshimtë, deti i të vërtetave të kredhura
nën duna të rreme të Premtesh të Shenjta, i përfaljeve
të përlyera që zënë ngushtë ikonastasët; deti i pranverës,
i ngashërimit të Zotit, të nemitur
akoma edhe një herë prej plogështisë së pandreqshme
të krijesave të tij të mangëta;
deti i të të përshpejtuarit Halloween,
i lotit pa dobi të etërve me lemzë tragjike.
Është deti i pranverës, i provokuesve avance
të admiralëve që ç’tendosen të qetë
pasi kryen detyrën ndaj shtetit vrastar, që kridhen
në kërkim dhuratash për kurtizanet, shtojcë
diamantesh, pas portave të blinduara,
të padepërtueshme nga pëshpërimat
e të vdekurve të
mohuar.
Intermezo e parë
Çfarë ndien deti ventrilok në bunacë,
i dallgëve belbacake të pacipa, i varreve anonimë
të mbjella brigjeve, shënuar nga një vulë e thatë
e një date të vetme, atë të bastisjes,
të linçimit të shpresës; hunj të rëndomtë
pykëzuar rastësisht aty-këtu, sipas përtesës
së atij që, ndërsa gllabëron një hamburger,
kall nën rërë të refuzuarit prej ujërave të mugëta?
Çfarë ndien pak më poshtë ish-kërkushi
eshtërthyer prej të akulltit, të kobshmit përqafim të gropës:
Askush nuk është kthyer më të na e tregojë
nëse gjëma e të të jetuarit të boshit pas zhgjëndrrës,
i të të qenit i shformuar nën rulin e pamëshirë të Ngjarjes,
i të të lënit pas të të vetmes siguri: lotit,
është më çjerrëse se zbrazëtia që mbush trupin,
se ndjenjat që mërgojnë, se të fundmet, të zbehtat
reflekse të fanarëve që shuhen në hiç;
Askush më s’është bërë i gjallë t’i heqë velin
se çfarë ndien ai që shket ngadalë në squlljen
e nënujit, gjersa nemitet përgjithmonë zëri
i pakuptueshëm i valëve të mbetura në siprinë;
çfarë provon ai që shijon dhëmbin e peshkaqenit
ndërsa mishrat ende të ndjeshme ndaj sëmbimit
shndërrohen në kafshata të tmerrit;
Askush më nuk është paraqitur të na e përvijojë
se ajo lëngatë e fundit është më e gëlltitshme
se kafshimi i beftë i një mine nën këmbë
që ngre në fluturim bumerangë njerëzorë e ç’mbjell shpirtin
– dhe ai i gjuajtur prej plumbash lapurekë,
i përndjekur nga bomba skifterësh në fluturim të ligjëruar
prej kujt pretendon të kalërojë, të vërë në vijë, të përmirësojë
botën e tjetrit;
Askush s’është ridukur më në mbifaqje që të na e mërmërisë
nëse përmbytja e gojës prej ujnajës së njelmët
që rend e marrosur të mbushë mushkëritë;
nëse shpërthimi i gjakut prej flegrave, tensioni i lartë
që karbonizon të dendurin, të fundit mendim
është më shkatërrues nga plumbi zhuritës
që i bën vrimë kafkës në paganen colpo di grazia;
nëse çngjyrimi i shikimit në horizontin mjeran
të vorbullave grigjelbërta është më fashitës sesa doza
e të të autorizuarit, e të të ligjëruarit injektim vrastar;
nëse jastëku i rërërave të përgjumura të rriponjave
nënujëse është më mikpritës se çarçafët e ndotur
në mjegullat ndjellavdekje të dhomës me gaz;
Askush më nuk është përshenjur të na predikojë
nëse brenga e trupit nën gurët që shtazët mbi ty
ngrejnë lapidar
është më përçmuese e më dërmuese se mijërat tonelata
të ujit të shëllirtë mbi brinjët
e thërrmuara në miliona grimca prej kristali
që shqyejnë verbërinë e grronave;
nëse moria e yjeve që shpërthejnë prej syve të dalë
është më inkandeshente se sa shoku vertebral
i litarit të varjes,
askush më s’është ringjallur për të na e rrëfyer.
[…]
VITAE
Shpend Sollaku Noé u lind më 3 prill të vitit 1957 në Lushnje nga një familje beratase, transferuar në Myzeqe për arësye politike. Është diplomuar në gjuhë e letërsi. Ka punuar si arsimtar në Çermë dhe në gjimnazet e Lushnjes dhe më pas si themelues, drejtues e gazetar i Ora e fjalës dhe Republika, organe të atëhershme të opozitës.
Ai ka qenë ndër pionierët e lëvizjes demokratike në Shqipëri, ndër thmeleuesit e Partisë Demokratike e asaj Republikane. Që nga viti 1992 jeton si azilant politik në Itali, ku ka punuar për gazeta e televizione të ndryshme italiane e amerikane. Ka shtetësi të dyfishtë shqiptaro-italiane.
Shpend Sollaku Noé ka qenë
aktiv edhe si përkthyes, veçanërisht nga shqipja, italishtja dhe rusishtja.
Mban gjithashtu lidhje bashkëpunimi me shumë revista letrare ndërkombëtare.
Veprat e tij deri tani janë përkthyer në 27 gjuhë kryesore dhe janë shitur në
mbi njëqind vende të botës. Për t’u shënuar veprimtaria në mbrojtje të të
drejtave të njeriut, sidomos të emigrantëve dhe në veçanti të të burgosurve dhe
të azilantëve politikë. Librat e tij: Abysses-Voragini dhe Barcodes-Codici
a Barre, të dy në italisht e anglisht, si dhe Antologitë në shqip,
italisht, frëngjisht, spanjisht e anglisht, të botuar në SHBA, kanë arritur të
kenë një sukses ndërkombëtar.
Ka botuar në Itali (Romë) romanet e
suksesshëm Il confine della nebbia (Kufiri i mjegullës) dhe Il pero
fiorì a dicembre (Dardha lulëzoi në dhjetor), që është ambientuar sidomos
në Beratin e viteve ’60 -’90.
Shpend Sollaku Noé ka nisur të shkruajë që në fëmijëri e të botojë në organet kombëtare që në moshën 14 vjeçare.
Midis librave të tij kryesorë përmenden:
Mëzat e kaltër – poezi, Shtëpia botuese Naim Frashëri, Tiranë 1987;
Il regno del proibito – poezi, italisht e shqip,
Itali 1995;
Applaudire Caligola – poemë deherioke, italisht,
Firence, Itali 1997;
Un posto a piedi per Galilea – poemë, italisht,
Raguza, Itali 1999-2000;
La Colombia dei Balcani – prozë hetimore, italisht,
Itali 1994;
Il secolo breve – prozë hetimore, italisht,
Itali 1994;
Abysses-Voragini – poemë, italisht e anglisht,
SHBA 2009;
Barcodes-Codici a Barre – poemë, italisht e anglisht,
SHBA 2010;
Piramidi in frantumi – antologji, italisht,
SHBA 2011;
Es hora de andar Sócrates – antologji, spanjisht,
SHBA 2011;
Se réveiller au fond du précipice – antologji, frëgjisht,
SHBA 2011;
Atdheu i tjetrit –antologji, shqip,
SHBA 2011;
Pantheon in Blackout– antologji, anglisht,
SHBA 2012;
Il confine della nebbia – roman, italisht,
Romë, Itali 2012.
Eros murmuridhesh në gjendje të virgjër – poemë, shqip, libër i përbashkët me Skënder Rusin, shqip,
Itali, 2014.
Il pero fiorì a dicembre – roman, italisht,
Romë, Itali 2018.
Ka bashkëpunuar ndër të tjera me këto organe shqiptare e të huaja:
“Loog”, “Das Boot”, “Journal of Contemporary Anglo-Scandinavian poetry”, “Rustic Rub”, “Parnasus of World Poets”, “Dismisura testi”, “Poeteka”, “Haemus”, “Drita”, “Bashkimi”, “Republika”, “Ora e fjalës”, “Rilindja Demokratike”, “News Letter”, “Alto Adige”, “Milosao”, “Ciociaria Oggi”, “Il messaggero”, “La nazione”, “Gazetta di Parma”, “Il tempo”, “RAI”, “RTTR”, “Italia Uno”, “Gazeta shqiptare”, “Tirana Observer”, “Dielli – The Sun”, “Fenix”, “Elite”, “Zëri i Amerikës”, “Standart”, “Shqiptarja.com”, “Espresso”etj.
Citime rreth veprës së autorit:
Vepra e Sh.S. Noè-së mund të përfshihet e gjitha në fillin e zi të traditës
europiane që shkon nga Marionettetheater i Kleistit tek Teatro della crudeltà
të Artaudit e më tej.
Kjo vepër mund të radhitet, madje në mënyrë të ndryshme, me krijimtarinë e një brezi të tërë poetësh si Brodskij, Milosz, Herbert, Kancev të cilët, ashtu si Noè, u shtërnguan të braktisin atdhetë që nuk mund të shuanin etjen e tyre për liri.
C. Cottardi, C. Diddi, Presidentë Kombëtarë të Amnesty International, Romë, prill 1995.
Një pëzierje eksplozive akuzash, sarkazmash e sulmesh ndaj atij që ai, Noè, e
quan komunizëm i maskuar. Mund të duket subjekti i një romani të Kunderas o
Grossmanit; ashtu ankthi i realitetit kthehet në dramë njerëzore në fjalët e
këtij autori…
Gazzeta di Parma, qershor 1992.
Një intelektual i huaj i trasplantuar me sukses në Itali.
Il Messaggero, janar 1996.
Një penë therëse që shkruan në një italishte të përsosur.
Alto Adige”, shkurt 1996.
I aftë të shkrijë formulat e ndërtuara nga tradita, i aftë të revizionojë botën
e domethënieve.
Firenze Libri, 1997.
Një shkrimtar që ka brenda vullkanin; një art për të cilin do të flitet gjatë.
Attilio Bertolucci, poet, 1999.
Shpend Sollaku Noé është një intelektual i madh poliedrik.
Floriana Gavazzi, gazetare RAI, Radio Due, 2002.
Shpend Sollaku Noé është një poet i madh që ka pasur si qëllim daljen e poezisë
nga akademitë, nga aristokracitë letrare, nga ambientet mondane. Poet nga
nevoja, gazetar për domosdoshmëri historike, profesor e njeri i letrave rritur
në underground, politikan i lindur, martir i lirisë të shtypur. I mbrujtur me
një përgatitje solide kulturale, letrare, filologjike e muzikale, po aq sa
edhe shkencore në kuptimin enciklopedik, poliglot, karaktert i guximshëm,
kurioz nga instikti, inteligjenzë akute, mendje shumë të kujdesshme për të
ardhmen qoftë letrare, filosofike apo politiko-sociale, Shpend Sollaku Noé
është personalitet shumë kompleks dhe është i paisur me një ngarkesë të
ngjeshur humane. Lirika e tij është aktuale, therëse, mallëngjyese, e vuajtur,
gërvishtëse, magjepsëse.
Stelvio Mestrovich, shkrimtar e poet, nga parathënia e librit Abysses-Voragini, 2010;
Nuk rrodhi kurrë gjak i mirë midis meje e
sovranëve… Autori i këtyre vargjeve, Shpend Sollaku Noé, shkruan një poesi
civile, me retrospektiva në histori e mitologji, por për tʼu kthyer gjithmonë
në bashkëkohoren dhe problemet e sotme të një bote të populluar nga tiranë,
xhelatë, banka të kthyera në perëndi. Në qendër të veprës së tij është raporti
midis fuqiplotëve dhe individit, midis fuqiplotëve e intelektualit.
Marco Rizza, Alto Adige, Tetor 2010.
Kurrë sʼkam lexuar një poemë kaq të bukur, por ngjethëse; kaq të ngjeshur me
lirizëm, por të hidhur dhe plot helm; kaq të vërtetë, saqë të vjen të rilexosh,
menjëherë pas kësaj, Shkrimet e Shenjta; kaq të përditshme, saqë të vjen të
kesh nostalgji për të kaluarën; kaq shpuese e sëmbuese saqë të vjen të veshësh
dorashka para se tʼa shfletosh.
Stelvio Mestrovich Wotninsky, nga parathënia e librit Barkodë, 2010.
Romani i ri Kufiri i mjegullës i Shpend Sollaku Noé-së, shkrimtar, poet
e përkthyes shqiptar, ndërthur momente të ashpra e ironikë. Një tension i fortë
udhëheq lexuesin nëpërmjet historisë së beratasve Oresti që gërshetohet
mjeshtërisht me ngjarjet e mëdha historike…
Franz Giordano, RAI, qershor 2012. Vepra e Shpend Sollaku Noé-së renditet përkrah letërsisë evropiane që në dhjetë vjetët e fundit ka përmbledhur dëshmi me vlera absolute tek autorë si Marai, Pahor, Bettizza, Brodskij e Herta Myler. Në faqet e shqetësuara e të rrjedhshme të prozës së tij Shpend Sollaku Noé prek, me një stil të magjishëm, arësyet më të thella të humanizmit e të shpirtit dhe këtu romani i tij arrin një frymëmarrje të jashtëzakonshme.
Giuseppe Marchetti, kritik letrar, Gazetta di Parma,2013.
Mare Nostrum: një poemë thellësisht njerëzore, e regjur në dhimbje, ankth, rebelim.
Paolo Chiozzi, prof. në Universitetin i Firences, Fenix 2013
Romani Il pero fiorì a dicembre, i shkrimtarit dhe mikut Shpend Sollaku
Noé, na dha ngazëllimin për një arritjeje dhe një suksesi tjetër shqiptar në
fushën e letrave, në një vend të rëndësishëm të kultures europiane e botërore,
(romani është shkruar drejtpërsëdrejti në italisht, forcë e talentit të
autorit), na solli dhe emocionet e forta të dramës gjysmëshekullore shqiptare,
një afresk vuajtjesh dhe qëndrese njerëzore.
Visar Zhiti, poet, Atunis Galaxy Poetry, shkurt 2018
Romani Dardha lulëzoi në dhjetor është i një bukurie superiore. Mënyra e
të shkruajturit të Shpend Sollaku Noé-së është e qartë dhe e zhdërvjellët. Tema
është përzhitëse. Një roman i madh. Një himn për lirinë e Atdheut të tij.
Stelvio Mestrovich, shkrimtar, Dielli, mars 2018
Dardha lulëzoi në dhjetor – Një roman me përmasa të mëdha që lë mbresa
të pashlyeshme.
Kujtim Hajdari, poet, Dielli, prill 2018
Dardha lulëzoi në dhjetor është një roman i madh dramatik me ngjarje që
zhvillohen në një sfond të caktuar historik. Pas një prodhimi të gjerë poetik
në gjuhën shqipe dhe italiane, Shpend Sollaku Noé, figurë shumëdimensionale
prej intelektuali, çimentohet tashmë edhe me romanin. Ashtu si tek poezia, ai
trajton veçanërisht temën e marrëdhënieve ndërmjet individit dhe pushtetit
despotik. Me romanin, sidoqoftë, Shpend Sollaku Noé ka gjetur një mjet shprehës
më të pasur dhe të larmishëm që dëshmon se e zotëron me mjeshtëri. Dardha
lulëzoi në dhjetor është pjesë e oktatalogjisë së romaneve Bij të
Saturnit. Kjo oktalogji është frymëzuar nga faktet e ndodhura vërtetë në më
shumë se pesëdhjetë vjet të të kaluarës së afërt të Evropës; duke filluar nga
Ligjet Raciale, për të vazhduar me diktaturën nën regjimet e ashpra komuniste
dhe më gjerë. Skena e ngjarjeve, subjekti dhe personazhet gradualisht shtrihen
në botë, që nga kriza e Kubës (1962) deri në depresionin e madh botëror të
filluar në vitin 2008. Titujt e tetë romanëve të heptalogjisë janë: Trenat e
humbur të Atzel Brauner-it, Dardha lulëzoi në dhjetor, Filius Hostis, Ganxha,
Scorpius, Kavie, Walscher dhe Gerda T. në krahët e tre
lumenjve. Secili prej romaneve tek Bij të Saturnit ka jetën e vetë
të pavarur edhe jashtë këtij kompozimi të madh letrar.
Floriana Gavazzi, gazetare RAI, 2018