• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FOLKLORI HIMARIOT PËR GJUHËN SHQIPE

June 22, 2016 by dgreca

NGA IDAJET JAHAJ/Poet, studiues, Vlore/

 Folklori i fshatrave të Bregdetit është nga faqet më të shkëlqyera të folklorit shqiptar. Si në një oqean epiko-lirik aty shkëlqejnë dete luftrash, këngë dasme, të punëve të përditëshme, ninulla shqip, këngë baritore e për mjeshtëri të tjera të jetesës së këtyre banorëve krenarë në këto brigje të ashpra. Po më shumë shkëlqen historia e qëndresës dhe mbijetesës në shekuj. Kjo ka qenë e veçanta e këtij populli “volfram” në histori. Pavarësia e famshme himarjote u bë e njohur dhe e lejueshme si në pak pika të Perandorisë Osmane për pesë shekuj me radhë. Kjo epikë shkëlqen me trimat, betejat, të rënët, qëndresën, shpirtin e kolektivitetit, kryelartësinë e zgjuarsinë himarjote nëpër shekuj. Ç’jehonë ka kumbimi i vargjeve:
Qysh ka qënë mëmëdheja,
Iskanderi si rrufeja,
Filipiadha nga Janina,
Që ka pjellë aqë trima…
 
Ose:
 
Shtatë fshatra si yje,
Si shtatë shenjëzat në qiell,
Thotë pashai: “Do tu bie,
Do t’i shtyp, t’i bëj llomije!…
 
Por himariotët nuk u mposhtën. Qëndresa e tyre ka qenë nga shtyllat më të forta të kombit shqiptar. Himariotët kanë qenë heroikë jo vetëm për mbrojtjen e integritetit të tyre si tokë e si popull në këtë rrip të atdheut, por edhe në luftë për tërësinë tokësore të këtij dheu. Në lidhje të ngushtë me Lumin e Vlorës e krahina të tjera, ata kanë shkuar deri edhe në Mal të Zi, nën udhëheqjen e Gjolekës për mbrojtjen e kufijve veriorë (1852). Kjo rezistencë ka gjetur shprehjen e vet edhe në ruajtjen e shenjës kryesore të kombësisë: atë të gjuhës amtare – shqipes. Edhe në këtë luftë populli i bregut ka shprehur forcën e vet, identitetin kombëtar, krenarinë për këtë, ka dënuar e demaskuar tentativat e përtejdetit jugor për diversion ideologjik e mohim të gjuhës amtare.
Që në fillim të shekullit të 20-të goja e popullit bregas gjëmon:
Shoqe, djalin dot s’ma shan,
Se me penë ai ta dan,
Dhe me pallë ai të çan,
Janë e janë djemt e Bregut,
Të penës e të dyfekut.
 
Më pas, krenaria epike e brezave:
Djemt e Bregut me dyfeqe
Me krrabë, poture, sherqe,
S’duan “oriste” as “lepe”,
Se flasin shqipen me derte.
 
Për këtë gjuhë rrojnë, digjen e hijeshojnë në këto brigje, këta bij, duke u krenuar me dinjitetin e tyre etnik shumë të lashtë.
Që më 1909 një komision i Himarës i shkruan Kongresit të Elbasanit: “Me gas të math, me vullnet të dhaskalëve z.z. Naqe Konomi, Kostë Kondo, Gaqe Kapore me shokë, e me dashje të Pleqësisë së Imarës e të Shoqërisë “Labëria” të Imarës, mbësuam mbledhjen e Kongresit të shkronjave tonë ndë Elbasan. Dhamë dëshirën me rrahjen e nxehtë të zemrës që gjithë mëmëdhetarët që janë ati të ndihën për të përhapurit e gjuhësë t’onë shqip, për mbrothësinë e shqipëtarëvet ndë dituri… Tok me ndimë po apëmë 30 lira për skolinë.
                                                                                                                 Imarë, më 3 shtator 1909”
Kështu himariotët i shkruajnë Ismail Qemalit më 1912, ku i shprehin gëzimin dhe gatishmërinë e tyre për qeverinë shqiptare:
O flamur shqipe me derte,
Të kërkuam e na erdhe;
Na erdhe i kuq me shqipe,
E vendin na e llamise.
 
Dhe si betim i pakthyeshëm:
Dhe një të mbetet i gjallë,
Shqipëri kemi vatanë,
Si e lanë të parët tanë,
Flamurin me zhgabë do mbamë!
 
Emri “Shqipëri” dhe “shqiptar” skuq si rrufe nëpër vargjet:
Kristo Vjero Gjikënuri
Nder të madh Bregut i pruri,
Nuk trembej nga rrufeja
Se kish gjak shqiptar ndër deja.
 
Dihet se në gjysmën e parë të këtij shekulli pati tentativa të fqinjëve jugorë për diversion ideologjik e kulturor ndër banorët e Bregut. Një nga fushat nevralgjike të këtyre synimeve u bë gjuha amtare. Populli i diskreditoi përpjekjet e tradhtarit Spiro Milo që mori në dorë flamurin e një kombi tjetër për të mohuar kombin e tij e, siç dëshmonte dhe vetë “fisin e tij kurveleshas”:
Polo Gjika në Himarë,
Spiro Milos i tha dy fjalë:
I tha: Këtu s’jemi Elladhë!
Pse punon për Grekomanë?
Palas, Dhërmi e Himarë,
Janë një, s’jemi të ndarë,
Jemi një fis e një farë,
Kurveleshas e krutanë!
                                         1914
Me konsolidimin e shtetit shqiptar, pas viteve 20-të, këto tentativa  u zbehën, por u ringjallën prapë në vitet ’30-të. Në vitet 1932-3, nëpërmjet mësuesve të paguar prej tyre, u synua të mbylleshin shkollat shqipe e të hapeshin ato greke. Por këto përpjekje ndeshën në murin e patriotëve dhe popullit të Bregut. Dhespoti Kotoko, që vinte nga Gjirokastra për këto qëllime, u përzu me turp e teneqé vargjesh:
 
…Mori vesh mbreti dhe krali
Se fqinji tertipemadhi
Kërkon skoli të na hapë
Himarë, Dhërmi, Palasë!
 
Na duall ca palikarë,
Që me thes morën paranë,
Të punojnë për Junanë!
 
U erdhë lirat me mijra,
Natën ua pruri gjemia,
Zotërinjtë me lezete
Bënë shumë marifete,
Të bëjnë njerëz për vete,
Të na hapin shkolla greke!
 
Atje te kisha, te rrapi,
U mbëluath gjithë fshati.
Në mexhlis këta bandilla
I pështyu Marko Billa.
Ky Gogo Gaçi me shokë
Me mësuesin Panajot,
Gjikënuras, kudhësiot,
U ngrit më këmbë e u thotë:
“S’kemi punë me Greqinë,
S’e bëjmë hasha vëllazërinë.
Niprit e Gjergj Aranitit
S’bëhen djemt e Moraitit!
Vetëm për sebep të kryqit!
Shqipja sot këtu ka zot,
Jemi gjak i Kastriot,-
Tha Kolë Gjergji patriot!
 
Ky dhespot Kotokua
ç’paska qenë i marrë!
Vjen nga Gjirokastra
Drejt për në Himarë.
 
Vjen të paqëtojë
Të kuq e të bardhë[1]
Të heqë mësuesit,
Të vërë dhaskalë.
 
Palasë Kolë Gjergji
I duall në ballë:
-Ti s’na bën dot hasëm
Me vëllezërit tanë!
U’jam nip i Gjonit
Që zbriti n’Himarë!
Pra, jam bir i shqipes
Këtu s’është Elladhë!
 
Ndaj, dhespot Kotoko
Fut bishtin në shalë!
Në do të shpëtoç,
Kthehu nga ke ardhë,
Të jesh i sigurtë,
Kapëto Straknanë!
…Milo Petromilo
Një burrë atdhetar
Nuk iu nda Kolë Gjergjit
Dot nuk i përçanë!
 
Shkëlqeu kështu atdhetaria, vendosmëria dhe burrëria e patriotëve bregas, si dhe e popullit që i përkrahu ata.
39 burra të Bregdetit u mblodhën në Palasë më 1935 dhe i kërkuan shtetit të tyre shqiptar: “e, si shqiptarë të përhershëm dhe stërnipër të himariotëve të parë, që kanë luftuar kra për kra me kastriotasit për indipedencën e këtij atdheu, gjë e provuar prej gjithë historianëve të botës, nuk mundemi kurrsesi të tolerojmë quajtjen tonë minoritet, prandaj kërkojmë vazhdimin e shkollës shtetërore dhe protestojmë kategorikisht influencat dhe propagandat e huaja që kërkojnë të nga shkombëtarizojnë… Nga Kuvendi i Palasës, 1935”
E sa e sa këngë të tjera, vargje kuptimplote, të bukura e të fuqishme, jep muza e popullit himarjot nëpër dekada. Eposet dhe ciklet e tyre janë të pambarueshme. Dhe gjithnjë përfundojnë me esenca e sentenca që ndritin si shufra ari: “U jam bir’ i Gjonit / që zbriti n’Imarë / … Niprit e Gjergj Aranitit / s’bëhen djemt e Moraitit /..”
Histori e lavdishme. Qëndresë heroike, që shkëlqen më shumë e më ndritshëm se sa pellgu madhështor i Jonit aty afër.


[1] Mësuesit shqiptarë me “dhaskalë” – botuar në gazetën “Labëria” Prill 2002shqipe ne Bregdetin e Himares. Nderime!

Filed Under: ESSE Tagged With: FOLKLORI HIMARIOT, Idajet Jahaj, per gjuhen shqipe

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT