Beau Biden Kishte Shërbyer edhe në Kosovë/
Nga Frank Shkreli/
Në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë thuhet se “Të Shtunën me 30 Maj, vendi ynë humbi një zyrtar publik të përkushtuar- një luftëtar për drejtësi në frontet e luftës si dhe në gjykatat e drejtësisë këtu në Shtetet e Bashkuara.Një bir, baba dhe bashkshort — për Beau Biden, familja e tij zinte vendin e parë. Jeta e tij ishte një jetë që ne të gjithë dëshirojmë të kemi. Të gjithë ata që e njihnin atë janë frymëzuar nga shembulli dhe nga pasioni i tij për tu shërbyer të tjerve çdo ditë të jetës së tij”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.
Fjala është për vdekjen e parakohshme, në moshën 46 vjeçare, të djalit të madh të Zëvendës Presidentit amerikan Joe Biden, i cili ndërroi jetë pas një beteje prej disa vjetësh me kancerin në tru. Beau Biden kishte diktuar probleme që në 2010, por ishte mjekuar me kimoterapi si dhe kishte bërë operacion për të hequr një tumor. Muajt e fundit ai po mjekohej në Qendrën Mjekësore Ushtarake, Walter Reed pranë Uashingtonit. Beau Biden kishte shërbyer si Prokuror i Përgjithshëm për shtetin Delaware nga vjen familja Biden dhe në vitin 2001 kishte punuar për një kohë edhe si jurist në Kosovë për të trajnuar gjykatësit dhe prokurorët në Kosovën e pas luftës, shërbim të cilit iu referua edhe Zëvendës Presidenti Biden në njoftimin që ai bëri mbi vdekjen e djalit të tij të dashur.
Duke njoftuar vdekjen e djalit të tij, Nënpresidenti Biden tha se “Me zemër të thyer njoftojmë ndarjen nga jeta e të njeriut tonë të dashur Beau, pas një beteje me kancerin në tru, betejë të cilën ai e zhvilloi me të njëjtin dinjitet dhe forcë që ka treguar çdo ditë gjatë jetës së tij. Pikëllimi i mbarë familjes Biden nuk mund të përshkruhet me fjalë. Ne e dimë se fryma e tij do të jetojë midis nesh — veçanërisht nepërmjet bashkshortes së saj Hallie, dhe dy vajzave të tyre të mrekullueshme, Natalie dhe Hunter. Jeta e Beau-t dallohej nga shërbimi ndaj të tjerëve.Si jurist i ri ai punoi për të vendosur rendin dhe ligjin në Kosovën e prekur rëndë nga lufta. Si major në Gardën Kombëtare të shtetit Delaware ai ka shërbyer në Iraq ku është dekorua me medaljen “Bronze Star”.Si Prokuror i Përgjithshëm i shtetit Delaware, ai luftoi dhe mbrojti të pafuqishmit dhe i kishte caktuar vetes si mision të tij, për të mbrojtur të miturit nga abuzimet.Më shumë se arritjet e tija në fushën profesionale, Beau dallohej si bashkshort, baba, dhe si bir dhe vëlla i përkushtuar ndaj familjes.një veçori kjo të cilën ai e kishte mësuar nga babai i tij, Joe Biden. Ndërshmëria e tij absolute e bënte atë shembull për të gjithë familjen tonë”, thotë ndër të tjera Nën-presidenti Joe Biden në njoftimin mbi vdekjen e djalit të tij Beau dhe përfundon se, “Thjeshtë, Beau Biden ishte njeriu më i mirë që kemi njohur ndonjëherë”.
Dashuria për familjen ështënjë veçori kjo që ai e kishte mësuar nga babai i tij, Joe Biden, i cili kur ishte senator udhëtone çdo ditë katër orë me tren nga Washingtoni në Delaware, vetëm për të qenë çdo mbrëmje me familjen e tij. Përkushtimi, flijimi dhe dashuria e Joe Biden ndaj familjes së tij konsiderohej si legjendare, për mundin që ai ndërmirrte çdo ditë për të shkuar në punë në Senatin amerikan nga shteti Delaware, të cilin ai e përfaqësonte në Kongres.Në lidhje me këtë Z. Biden është shprehur se, “E vërteta është se, arsyeja që kam shkuar në shtëpi çdo natë megjithë largësinë midis Washingtonit dhe Delaware ishte se unë kisha më shumë nevojë për fëmijtë e mi se ata për mua.”
Presidenti Barak Obama, në reagimin e tij mbi vdekjen e Beau Biden, u shpreh se bashkshortja “Michelle dhe unë jemi të pikëlluar sonte. Beau Biden ishte mik i yni.Familja e tij — Hallie, Natalie dhe Hunter — janë miqët tanë.Joe dhe Jill Biden janë ndër miqët tanë më të dashur…Joe është njëri prej njerëzve më të fortë që ne njohim.Ai është ndër më të fortit dhe për të asgjë nuk ka më shumë rëndësi se sa familja.” Presidenti Obama, në deklaratën e tij me këtë rast të hidhur, vlerësoi kontributin e dhënë nga Beau Biden për të ndihmuar dhe për të përmirësuar jetët e të tjerëve, duke thënë në deklaratën e tij se, “Ashtu si edhe babai i tij, Beau ishte njeri tepër i mirë, me një zemër të madhe, një katolik i devotshëm, besnik deri në fund — i cili gjatë jetës së tij kishte ndihmuar në përmirsim të jetës të të gjithë atyre me të cilët kishte ardhur në kontakt — dhe në zemërat e të cilëve ai vazhdon të jetojë”, tha Presidenti Barak Obama në deklaratën e tij mbi vdekjen e djalit të dashur të Zëvëndës Presidentit të tij, Joe Biden duke përfunduar se, “I lutemi të Madhit Zot që të kujdeset për Beau Biden në atë jetë dhe që Ai njëkohësisht të mbështesë dhe të ngushëllojë familjen e tij këtu në tokë”.
Kjo tragjedi bëri që të pakën përkohësisht të pezullohen konfliktet dhe debatet politike në Washington, ndërkohë që politikanët e të gjitha ngjyrave kanë shprehur ngushëllimet e tyre familjes Biden.Kishte shumë reagime dhe shprehje ngushëllimesh për vdekjen e djalit të familjes Biden nga përfaqsues të lartë politikë të dy partive kryesore të Amerikës, përfshirë edhe Kryetarin e shumicës republikane në Senatin Amerikan, Senatorin Mitch McConnell, i cili tha se, “Beau Biden njihej si një zyrtar publik i dedikuar, baba i dashur i dy vajzave dhe bashkshort i devotçëm…Unë e kam njohur Zëvëndës Presidentin Biden për shumë vjetë dhe nuk mund të merret me mend që në jetën e tij të ketë diçka më të rëndësishme se feja dhe amilja e tij. Shpresoj dhe lutem që ai të gjëjë ngushëllim dhe paqë në fenë e tij, ndërkohë që përballet me këtë humbje të tmershme”, thotë krye republikani në Senatin amerikan në ngushëllimin e tij me këtë rast.
Fatkeqsisht, vdekja e parakohshme e Beau Biden nuk është tragjedia e parë në familjen e Zëvëndës Presidentit Jo Biden.Vet Beau Biden, i cili ndërroi jetë të shtunën, ishte plagosur rëndë me vëllain e tij më të vogël në një aksident automobilistik në vitin 1972, ku patën mbetur të vdekur nëna e tyre dhe një motër e mitur.
Edhe shqiptarët e duhet të ndajnë këtë dhimbje të thellë me familjen Biden. Sepse, Joe Biden gjatë periudhës që ka shërbyer si senator dhe tani si Zëvëndës President është dalluar — ndër zyrtarët më të lartë amerikanë — si njëri prej mbështetësve më të fortë të shqiptarëve të Kosovës, të pavarësisë dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës, ndërsa djali i tij që vdiq kishte dhënë edhe ai ndihmën e tij për forcimin e ligjit dhe të rendit në Kosovë menjeherë pas luftës.Gjatë një vizite në Prishtinë në maj të vitit 2009, Zëvëndës Presidenti Biden ka deklaruar para Kuvendit të Kosovës se, “Pavarësia e Kosovës është a pakëthyeshme dhei vetmi opcion për paqën dhe stabilitetin në rajon. Ai i siguroi parlamentarët e Kosovës me atë rast se, “Suksesi i një Kosove të pavarur është një prioritet i administratës sonë”, ka thënë ndër të tjera Joe Biden gjatë vizitës së tij në Kosovë më 2009.
Reagimet dhe ngushëllimet për vdekjen e djalit të Zëvëndës Presidentit Joe Biden qënë të shpejta nga udhëheqsit e Kosovës.Kryeministri Isa Mustafa në një postim në fejsbuk shpreh dhëmbjen e tij të thellë për lajmin e vdekjes së djalit tëZëvëndës Presidentit amerikan. Kryeministri iKosovës kujton një bisedë që ai ka patur me Zëvendës Presidentin Biden gjatë Konferencës për Siguri në Munich, ku siç shkruan Mustafa, Zyrtari i lartë amerikan,“Me krenari më foli për shërbimin e djalit të tij në Kosovë. E ndjeva një lidhje të fortë prindërore por edhe një mburrje, të një burrështetasi të madh se biri i tij i shërben paqës e sigurisë në Kosovë”, u shpreh kreu i qeverisë së Republikës së Kosovës, Isa Mustafa,ndërkohë që si Kryeministër i Kosovës, përfundoi ai, “Ishpreh ngushëllimet e thella familjes Biden për humbjen e birit të tyre, por edhe falënderimin dhe kujtimin e paharruar për ushtarin e paqës e të humanizmit”.
Ndërsa Zëvëndës Kryeministri dhe Ministri i jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi ka postuar ngushëllimet dërguar familjes Biden për humbjen e djalit të tyre duke u shprehur se, “Dhimbjen për humbjen e një miku e bën më të lehtë kujtimi për ‘të dhe krenaria që e kemi pasur mik në ditët kur kemi pasur më së shumti nevojë për miq dhe përkrahje. Ngushëllimet më të sinqerta familjes Biden për humbjen e të birit, Beau”, shkruan Hashim Thaçi në faqen e tij në fejsbuk.
Beau Biden ka lënë pas bashkshorten dhe dy vajza. Pushoftë në paqë dhe familjen Biden Zoti e forcoftë në këto ditë të vështira!
HILLËRI KLINTON PËRPLASET ME SENATORËT
Nga Frank Shkreli/
Pas një mungese prej dy javësh në Uashington për arsye shëndetsore, Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillëri Klinton, u paraqit dje para dy komisioneve të Kongresit amerikan që merren me punët e jashtme, për të dhënë dëshmi dhe për t’ju përgjigjur pyetjeve në lidhje me mënyrën se si administrata e Presidentit Barak Obama kishte trajtuar sulmin më 11 shtator të vitit të kaluar kundër konsullatës amerikane në Bengazi të Libisë, ku mbetën të vrarë katër shtetas amerikanë, përfshirë edhe ambasadorin, Kristofër Stivens. Ligjvensit republikanë kishin kërkuar për disa muaj tani që Sekretarja e Shtetit të paraqitej para Kongresit për të shpjeguar mënyrën se si Departmenti Shtetit që ajo drejton, u mor me sulmin në Bengazi. Në paraqitjen e saj, Sekretarja Klinton mori përgjegjësinë dhe siguroi Kongresin dhe popullin amerikan se administrata e Presidentit Obama ka filluar një rishqyrtim të gjithanshëm për të parandaluar sulme të tilla ndaj ambasadave dhe konsullatave amerikane, sidomos në zona krize, duke deklaruar para kamerave të shumëta ’’live’’: “Siç e kam thënë edhe më përpara, unë marr përgjegjësinë. Jam e bindur se pas largimit tim po lë Departamentin e Shtetit dhe vendin tonë, më të sigurt e më të fortë.’’ Ajo shtoi duke thënë se …“Kemi ndërmarë një rishqyrtim të plotë e të gjithanshëm, mbi mënyrat se si i marrim vendimet se kur, ku dhe si, njerëzit tanë veprojnë në zonat me kërcënim të lartë në këtë rajon dhe anë e mbanë botës, dhe se si do t’u përgjigjemi krizave dhe kërcënimeve”, në të ardhmen.
Megjithëse Zonja Klinton i tha komisionit të punëve të jashtëme të Senatit amerikan se ajo mbante përgjëgjësi të plotë në lidhje me dështimet dhe mangësitë e masave të sigurimit në konsullatën amerikane në Bengazi të Libisë, ajo mohoi akuzat se administrata e Presidentit Obama ishte përpjekur, që për arsye politike, para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit që kaloi, të keq informonte popullin amerikan për tragjedinë në Bengazi, ku humbi jetën ambasadori Stivens, njëri prej specialistëve më të mirë të çështjeve arabe që kishte Departmenti i shtetit amerikan.
Duke mbrojtur politikën e administratës të cilës ajo i shërben, Zonja Klinton shpesh me një ton agresiv, u përplas me senatorët republikanë, të cilët akuzuan administratën Obama për mënyrën se si sulmi kundër konsullatës amerikane iu shpjegua fillimisht popullit amerikan: nëse ishte sulm i planifikuar terrorist apo një demonstratë spontane, që çoi në vrasjen e katër shtetasve amerikanë në Bengazi, siç pretenduan fillimisht zëdhënsit e administratës.
Senatori nga shteti Arizona dhe ish-kandidati i Partisë Republikane për president Xhon Mëkejn së bashku me senatorin republikan nga shteti Uiskonsin, Ron Xhonson, dhe Senatorin Rand Paul nga Kentaki ishin ndër kritikët më të ashpër të Zonjës Klinton dhe ndaj mënyrës se si administrata është marrë me këtë sulm. Senatori Mekejn, pasi i tha Sekretares Klinton se ishte ”krenar me te”, dhe se ”anë e mbanë botës admirohesh dhe respektohesh”, ajo duhej të ishte ”më e hapur dhe më e sinqertë për atë që në fakt ndodhi në Libi’’. Ai iu drejtua Sekretares së Shtetit duke i thënë se ”ka shumë pyetje të cilat nevojitin përgjigje, dhe me të thënë sinqerisht dhe drejtë, përgjigjet që ju keni dhënë sot në mëngjes për ne, nuk janë aspak të kënaqshme për mua”, duke shtuar se, ”populli amerikan dhe familjet e këtyre katër amerikanëve trima ende nuk kanë marrë përgjigjet që ata meritojnë”.
Duke iu përgjigjur akuzave të Senatorit Ron Xhonson nga shteti Uiskonsin, Sekretarja e shtetit tha se nuk ishin të vërteta akuzat e tija dhe me zemërim iu drejtua Senatorit Xhonson duke i thënë se nuk ka rëndësi se cila ishte origjina ose cilat ishin motivet e atyre që ndërmorën sulmin, ajo që është e rëndësishme tani, tha Zonja Klinton, ”është që të zbulojmë se çka ndodhi dhe njëkohësisht të bëjmë çdo gjë që është e mundur që të parandalojmë sulme të tilla në të ardhmen.”
Kritika të ashpëra Zonjës Klinton i drejtoi edhe Senatori Rand Paul nga shteti Kentaki, i cili i tha Sekretares së Shtetit se ”Jam i kënaqur që ju merrni përsipër përgjegjësinë….por të kisha qenë unë president në atë kohë….unë do t’u kisha shkarkuar nga detyra”. Senatori Paul sshtoi duke thënë se këjo që ndodhi në Libi ishte një dështim në udhëheqje, e cila shkaktoi vdekjen e katër amerikanëve në Bengazi, dhe se më në fund, ”është një gjë e mirë që ju merrni përgjegjësinë për këtë, pasi askush tjetër nuk po bën një gjë të tillë.”
Senatorët demokratë nga ana e tyre iu kundër përgjigjen kolegëve republikanë duke u kujtuar këmbënguljen e administratës së Presidentit Bush në lidhje me praninë e armëve kimike në Irakun e Sadam Huseinit – armë që më në fund u provua se nuk ekzistonin, por që ky shpjegim në atë kohë u përdor nga administrataa republikane si një arsye për të hyrë në luftë kundër regjimit të Sadam Huseinit.
Sekretarja e Shtetit i tha Komisionit të Punëve të Jashtëme të Senatit amerikan se anë e mbanë Afrikës veriore ekziston një lëvizje xhihadiste në rritje e sipër, duke i paralajmëruar senatorët se, ”Ne duhet të jemi të vetdijshëm se këjo lëvizje është një lëvizje globale. Ne mund të eliminojmë udhëheqsit e saj, por përderisa të mos ndihmojmë në themelimin e institucioneve demokratike, për derisa nuk komunikojmë më mirë vlerat tona dhe të vendosim lidhje dhe marrëdhënje me atë rajon, ne do të ndeshemi me një nivel të tillë mos-stabiliteti.’’ Sulmi në Bengazi, tha ajo, ishte pjesë e një plani më të gjërë terrorist në pjesën veriore të kontinentit afrikan, siç po shihet nga ngjarjet e fundit në Algjeri dhe Mali.
Muajin që kaloi, një raport i komisionit të pavarur të hetimit për sulmin në Bengazi, të emëruar nga vet Zonja Klinton, ngarkoi me faj zyrtarë të lartë të Departmentit të Shtetit, për ato që në raport u cilësuan si, ”dështime sistemike dhe mangësi në udhëheqje dhe menaxhim, si dhe për masat që nuk ishin aspak të mjaftueshme për tu përballuar me sulmin që ndodhi në Bengazi.”
Zonja Klinton i siguroi ligjvënsit se ajo ka pranuar të gjitha rekomandimet e komisionit të hetimeve dhe se së shpejti përfundon zbatimi i atyre rekomandimeve të komisionit të pavarur hetimor.
Megjithë debatin e tensionuar dje para Kongresit, disa senatorë republikanë njohën meritat e Sekretares Klinton dhe shprehën falenderimet e tyre për shërbimin e saj – pasi këjo sipas gjasës ishte dëshmia e fundit para ligjvensëve si Sekretare e Shtetit. Ajo do të zëvendësohet nga Senatori Xhon Kerri, pasi emërimi i tij të jetë miratuar nga Kongresi. Ndërkohë, media dhe analistët kanë filluar spekullimet e tyre në lidhje me të ardhmen e saj politike – dhe nëse dëshmia e djeshme para dy komisioneve të Kongresit amerikan do ta ndihmojë apo do ta dëmtojë atë, nëqoftse ajo vendosë të jetë kandidate për president në vitin 2016.
ORGANIZATA E KOMBEVE TË BASHKUARA NDERON NËNË TEREZEN
Nga Frank Shkreli/
Më 1985 Nënë Tereza ishte ftuar të fliste para Asamblesë së Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara me rastin e 40-vjetorit të themelimit të kësaj organizate botërore. Sekretari i Përgjithëshëm i Kombeve të Bashkuara në atë kohë Perez de Cuellar, e paraqiti murgeshën shqiptare Nënë Terezën me këto fjalë: ”Këtu është një sallë fjalësh. Disa ditë më parë në këtë tribunë folën burrat më të fuqishëm të botës. Mirëpo, tani kemi privilegjin të kemi mes nesh gruan më të fuqishme në botë. Nuk besoj se është e nevojshme tua paraqesë atë. Ajo nuk ka nevojë për fjalë. Por Ajo ka nevojë për veprat tona. Mendoj se gjëja më e mirë që mund të bëjë unë është ta nderoj atë dhe tu them se ajo është më e madhe se unë, ajo është më e madhe se të gjithë ne së bashku. Ajo është Kombet e Bashkuara. Ajo është paqëja në botë.”
Sipas gj asës, duke përfillur fjalët e ish-Sekretarit të Përgjithëshëm Cuellar, se Nënë Tereza kishte nevojë për veprat dhe jo fjalët e OKB-së, të hënën pasdite më 17 Dhjetor, Asambleja e Kombeve të Bashkuara shpalli 5 shtatorin, dita kur ka ndërruar jetë e lumnuara Nënë Tereza, si Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë. Shqipëria, nepërmjet ambasadorit të saj Z. Ferit Hoxha ishte një nga vendet kryesore sponsorizuese të kësaj rezolute dhe Misioni Shqiptar në Kombet e Bashkuara luajti një rol kyç në miratimin me konsensus të saj. ”Nëpërmjet një lobimi të fuqishëm, rezoluta arriti të marrë bashkë-sponsorizimin e më se 20 vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Punëve të Jashtëme të Republikës së Shqipërisë në lidhje me vendimin e organizatës botërore.
Në fjalën e tij me këtë rast, Ambasadori i Përheshëm i Republikës së Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara, Z. Ferit Hoxha, pasi falenderoi Hungarinë për për punën që bëri gjatë konsultimeve për miratimin e kësaj rezolute, ndërkohë që theksoi rolin që luan dhe duhet të luaj Bamirësia në çdo shoqëri dhe në botë në përgjithësi, me krenari foli edhe për Nënë Terezën si simbolin e Bamirësisë në botë duke thënë:
”Duke zgjedhur datën 5 shtator, dita kur bota humbi Nënë Terezën, si Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë, Asambleja e Përgjithëshme me këtë vendim ndihmon që ta bejë këtë ditë më domethënse për njerëzit anë e mbanë botës dhe në të njëjtën kohë i shërben më mirë objektivit të rëndësishëm për të njohur më mire dhe për të mbështetur veprat e Bamirësisë anë e mbanë botës…..Shqiptarët do të jenë përherë krenarë me Nënë Terezen, për veprën dhe trashëgiminë e saj, gjë që ne e konsiderojmë si dhuratën më të mirë që mund t’i kemi dhënë njerëzimit.”
Ambasadori shqiptar pranë Kombeve të Bashkuara, Z. Ferit Hoxha u tha delegatëve se ”Ne do të kujtojmë gjithmonë njërën prej thënjeve të saj, pasi këjo deklaratë nënvijon esencën ose thelbin e veprës së Nënë Terezës: ”Me gjak jam Shqiptare. Me shtetësi jam Indiane. Me besim jam murgeshë katolike. Si e tillë, i përkas të gjithë botës”.
Është ekzaktërisht këjo thirrje e Nënë Terezës, përfundoi ambasadori shqiptar pranë OKB-së, që do të festohet çdo vit me 5 shtator për të kujtuar rolin e pazëvendsueshëm të Bamirësisë në çdo shoqëri dhe në çdo vend të botës, ashtuqë të njihet edhe puna dhe kontributet, në këtë fushë, të të gjithë personave të ndryshëm dhe nga rajone të ndryshme anë e mbanë botës.
Ministria e Punëve të Jashtëme e Shqipërisë, nepërmjet një deklarate për mediat e ka përshëndetur këtë vendim, me të cilin, sipas saj, ”vendet anëtare të OKB-së, duke njohur e vlerësuar rolin e pazëvendësueshëm të akteve të bamirësisë në zbutjen e krizave humanitare dhe vuajtjeve njerëzore, i bëjnë një homazh të merituar aktivitetit e trashëgimisë së Nënë Terezës, e njohur ndërkombëtarisht dhe e vlerësuar botërisht për përkushtimin dhe punën e saj gjatë gjithë jetës në ndihmë të të sëmurëve, të varfërve e njerëzve në nevojë”, përfundon deklarata e Ministrisë Shqiptare të Punëve të Jashtëme.
Nuk ka emër më të madh as më të mirë se Nënë Tereza, siç tha edhe ambasadori shqiptar pranë OKB-së, Z. Ferit Hoxha – rreth të cilit të mobilizohen burimet botërore njerëzore dhe materiale, përfshirë edhe ato të OKB-së në përkrahje të rolit që luan Bamirësia, pasi sipas rezolutës, varfëria vazhdon të ekzistojë në të gjitha vendet e botës, pa marrë parasyshë situatat ekonomike, shoqërore dhe kulturore.