Nga Agim Xhafka/
Tashmë artistin Avni Delvina e njohin shumë të huaj e shumë shqiptarë.Nga pikturat e tij dhe nga kompozimet e shumta për probleme akute të vendit. Ky pejsazisht i rrallë, që shok ka veten e që nga larg dallohet si gjeni, njëkohësisht shfaqet dhe si kronist ngjarjesh kulmore.
Ku nëpërmjet tablove impresionuese shfaq ide të mëdha, nxjerr problematikat e ditës dhe stigmatizon, si ai, politikanë e qeveritarë injorantë, hajdutë e vrasës.
Avni Delvina është Francesko Goja i Shqipërisë. U kujtohet skica gjeniale e tij me dy njerëz që mbajnë në kurriz dy gomerë. Me shënimin: “Mbaji se mirë i ke!”
Në këtë stil e me kaq përshtypje na shfaqet Francesko Delvina kur kompozon deputetet tanë në ajrim, jo në oborr të burgut, por para parlamentit. Një e vërtetë drithëruese. Që shtetin na e kanë rrëmbyer bandat. Apo salla e ligjvënësve mbushur me hashash dhe populli dele duke kullotur atje.
Piktori Delvina ka 27 vjet që është larguar nga Atdheu. Bir i një familjeje të madhe, me emër për kontribute ndaj vendit, i goditur nga komunistët egër e pa mëshirë,gjendet herë pas here në Atdhe dhe përpiqet t’i mjekojë plagët.
I dhemb ikja e brezit të ri ndaj ka realizuar me emocion kompozimin e Statujë së Lirisë që po e pushtojnë shqiptaret.
Krijimtaria e këtij kolosi flet qartë, saktë dhe godet ashpër në shenjë. Se Delvina krahas artist është qytetar që nuk përbuz misionin e opozitarit. Ai është palca e shoqërisë civile, është revolta dhe pakënaqësia e njerëzve që dhimbje kanë dashurinë.
Nuk e teproj që e krahasoj me Gojën. Ngjasin në talent dhe në shqetësim.
I bashkon dhimbja për tokën, për ajrin, për lindjen dhe vdekjen. Ka një veç një brengë, të mos u lëndohet mëmëdheu…
Nderohem si shqiptar prej teje, jam krenar me ty, sir Delvina!