• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË KUADËR TË 100-VJETORIT TË MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO-AMERIKANE 

April 13, 2022 by s p

– At Gjergj Fishta, njëri prej protagonistëve kryesorë i këtyre marrëdhënieve.

Nga Frank Shkreli 

See the source image
A picture containing sky, flag, outdoor, umbrella

Description automatically generated

Viti 2021 shënoi 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, më 15 mars, 1991 – pas një ndërprerjeje prej gjysëm shekulli nga regjimi komunist i Enver Hoxhës — dhe rihapjes së ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, zyrtarisht, më, 1 Tetor, 1991. Ndërsa ky vit shënon 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara me 28 Korrik, 1922.

Këto data më sollën në kujtesë një artikull që kam shkruar kohë më parë mbi vizitën e At Gjergj Fishtës në Shtetet e Bashkuara e që ndoshta ia vlen të përmendet dhe të ribotohet, në lidhje me këtë përvjetor të rëndësishëm në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe për të kujtuar rolin që ka luajtur At Gjergj Fishta, si njëri prej arkitektëve kryesorë në zanafillën e këtyre marrëdhënieve, në fillim të shekullit të kaluar. E shoh të arsyeshme të kujtoj vizitën e At Gjergj Fishtës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1922, si dhe veprimtarinë e tij lobuese me atë rast, në mbështetje të interesave të shqiptarëve, për të cilat pak njerëz janë të informuar dhe më pak dëshirojnë të flasin e të shkruajnë për të sot, përfshirë lobimin që At Gjergj Fishta ka zhvilluar gjatë vizitës së tij të parë në Washington, në takime me zyrtarët të lartë amerikanë — në favor të njohjes diplomatike të Shqipërisë si shtet i pavarur nga Shtetet e Bashkuara.  Këto shënime janë bazuar pothuaj, kryesisht, në disa të dhëna dhe korrespondenca nxjerrë nga libri i vjetër përkujtimor, “At Gjergj Fishta 1871-1940”, botuar nën kujdesin e At Benedikt Dema, me rastin e vdekjes së At Gjergj Fishtës, më 30-dhjetor, 1940. Nga këto të dhëna del se historia e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, e ka fillimin shumë më heret se këto tre dekada të fundit, megjithëse protagonistët aktualë të këtyre marrëdhënieve do të donin të na bindnin sot, se historia e këtyre marrëdhënieve ka filluar me ta, e ndoshta po mos të jemi të kujdesshëm, edhe mund të mbarojë me ta.

                  A picture containing text

Description automatically generatedLibri përkujtimor ku përfshihen të dhënat për vizitën e Fishtës në Amerikë

Komuniteti shqiptaro-amerikan me të drejtë njihet si mbrojtës historik i kauzave kombëtare shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke filluar nga veprimtaritë e diasporës më të vjetër shqiptare në Amerikë të kohës së Faik Konicës dhe Fan Nolit.  Veprimtaritë, në mbrojtje të drejtave të shqiptarëve në trojet e tyre në Ballkanin Perëndimor dhe kudo në botë, e që në fjalorin e sotëm politik njihen si “veprimtari lobingu”, për shqiptarët e Amerikës kanë filluar me takimin e Fan Nolit me Presidentin amerikan Woodrow Wilson, kur ish-Presidenti Wilson, sipas Nolit, i kishte premtuar se, “një zë do të ketë në Konferencën e Paqës në Paris dhe atë zë do ta përdorte në mbështetje të Shqipërisë”.  Shumë është shkruar për këtë takim si dhe për veprimtaritë lobiste të komunitetit shqiptaro-amerikan, sidomos gjatë pothuaj 50-viteve të fundit, në mbrojtje të drejtave dhe interesave kombëtare të shqiptarëve, kudo.

Por, falë urrejtjes, shpalljes së tij si armik e tradhëtar i popullit,  harresës dhe anashkalimit zyrtar të personit dhe veprës së At Gjergj Fishtës, për pothuaj një gjysëm shekulli nga regjimi komunist sllavo-aziatik, por edhe në 30-vjetët e regjimeve post-komuniste, përfshirë median dhe historiografinë shqiptare aktuale, të influencuara nga komunizmi vizita e At Gjergj Fishtës në Amerikë në fillim të shekullit të kaluar nuk përmendet fare.  Pak, ose aspak njerëz mund ta dinë se përveç kontributeve të shumta në fusha të ndryshme, si në letërsi, gjuhë, kulturë dhe politikë shqiptare, përfshirë atë ndërkombëtare, At Gjergj Fishta ka dhënë një kontribut të çmueshëm edhe në atë që sot e quajmë “lobing”, në mbrojtje të interesave kombëtare. Këtë ai e ka bërë vazhdimisht në konferenca dhe takime ndërkombëtare të nivelit të lartë. Është i njohur fjalimi i tij, “Të Drejtat e Shqiptarëve” në Konferencën e Paqës në Paris, 1919.   Veçanërisht, njihet shumë pak roli që ka luajtur Gjergj Fishta për njohjen e pavarësisë së Shqipërisë nga ana e Shteteve të Bashkuara dhe në vendosjen e lidhjeve diplomatike midis dy vendeve tona më 1922.

A person taking a selfie

Description automatically generated with medium confidence

At GJergj Fishta dhe Konferenca e Paqës: fjalimi monumental në historinë e  Kombit Shqiptar, 20 Qershor 1919.

Përpjekjet lobiste të Fishtës në Amerikë janë shënuar në disa të dhëna dhe korrespondenca, përfshirë librin përkujtimor, të lartpërmendur, “At Gjergj Fishta 1871-1940”, botuar nën kujdesin e At Benedikt Dema, me rastin e vdekjes së At Gjergj Fishtës, me 30-dhjetor, 1940. Bazuar në korrespondencën e pasqyruar në atë botim të veçantë përkujtimor – midis Fishtës, At Justin Rrota dhe At Pal Dodaj – Gjergj Fishta njoftonte Kuvendin françeskan në Shqipëri për mbërritjen e tij në Amerikë, duke shkruar se: “Me 8 të këtij muaji (Mars, 1922) në ora 2:30 mbasdite vuna kambën në Amerikë, në New York”.

Nga të dhënat që paraqiten në këtë libër, del se vizita e At Gjergj Fishtës në Amerikë kishte dy objektiva: Një, që të “kujdesej për interesat e Shqipënisë”, sipas porosisë së Imzot Luigj Bumçit, Kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqës në Paris.  Objektivi i dytë ishte që Fishta, të takohej me personalitetet më të dalluara të diasporës shqiptare në Amerikë. I rëndësishëm është fakti se nga korrespondenca e Poetit Kombëtar që ai ka shkëmbyer nga Amerika me pjesëtarë të Urdhërit Françeskan në Atdhe, pas takimeve me përfaqësues të shquar të komunitetit shqiptaro-amerikan si, Faik Konica — gjatë asaj vizite — mësojmë, ndër të tjera, edhe për veprimtarinë lobiste të At Gjergj Fishtës në Washington. (I vetëdijshëm për rëndësinë historike të këtyre letrave, At Pal Dodaj ka shkruar se përmbledhja e letrave të Fishtës që dërgonte nga Amerika më 1922 do t’u interesojë, eventualisht, studiuesve të historisë, megjithëse deri më sot nuk duket që ky dokumentacion të ketë tërhequr vëmendjen as interesimin e historiografisë zyrtare pseudo-komuniste, që gjithnjë dominon interpretimin e historisë së Kombit shqiptar. 

Sidoqoftë, le t’i kthehemi disa prej komunikimeve midis Fishtës në Amerikë dhe Kuvendit Françeskan në Shkodër, të cilat pasqyrojnë veprimtarinë lobiste të Fishtës në Washington për njohjen e pavarësisë së Shqipërisë nga Washingtoni.

Provinciali i Kuvendit Françeskan në Shqipëri në atë kohë, At Pal Dodaj shënon në librin përkujtimor, “At Gjergj Fishta, 1871-1940”, se në një letër të datës 8 Maj, 1922, dërguar atij nga At Gjergj Fishta prej Washingtonit, Fishta flet për veprimtarinë e tij lobiste në favor të njohjes diplomatike të Shqipërisë nga Shtetet e Bashkuara si dhe për takimet që ai kishte zhvilluar me senatorë katolikë amerikanë, ndërmjetësuar me ndihmën e françeskanit të njohur amerikan të asaj kohe, Godfried Shilling, i cili në atë kohë gëzonte influencë të madhe në qarqet politike dhe diplomatike të Washingtonit, sipas të dhënave në këtë libër: 

Logo, company name

Description automatically generated

        Logoja kushtuar 100-vjetorit të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane

“Këtu në Washington kam kontaktue me nji senator katolik, siç të kam shkrue (29.4. 1922), dhe i jam lutë me u interesue pranë Qeverisë së Tij, për njohjen e Shqypnisë si Shtet i Pamvarun”, thuhet në letrën e Fishtës. “Ai ka folë sot me Senatorin e Partisë Republikane, Henry Cabot Lodge…”, (politikan me autoritet i asaj periudhe dhe mbështetës i madh i rolit amerikan në punët botërore, – shënim i autorit), “…i cili më tha se njohja e Shqypnisë, asht e mundshme, prandej Qeveria e Tiranës, t’a paraqesi kërkesën e Saj me shkrim në Nënsekretariatin e Shteteve të Bashkueme t’Amerikës.”  Në faqen tjetër të letrës, sipas At Palë Dodaj, Fishta ishte shprehur se: “Ndërkaq, vizita eme në Washington ka pasë, si përfundim, njohjen e Shqypnisë prej anës së Shteteve të Bashkueme të Amerikës. Të gjitha përpjekjet e maparshme të Qeverisë sonë, si edhe ato të (Federatës Panshqiptare) “Vatra”, s’kanë pasë sukses…Kjenë Senatorët katolikë, të cilëve ua pata paraqitë çashtjen, sidomos, nga pikëpamja fetare, ata të cilët me ndërhymje të veta siguruan njohjen zyrtare të Shqypnisë nga Qeverija amerikane”, citohet letra e At Gjergj Fishtës dërguar nga Washingtoni në adresën e At Pal Dodajt në Shkodër. Data e njohjes zyrtare e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Washingtonit dhe Tiranës, përputhet plotësisht me vizitën e At Gjergj Fishtës në Washington si dhe me përmbajtjen e letrave të tija, cituar më lartë”.   Albania – Countries – Office of the Historian” (state.gov)

Sipas Zyrës së Historianit të Departamentit Amerikan të Shtetit, me anë të një telegrami, që mban datën 25 Korrik, 1922, Sekretari Amerikan i Shtetit (DASH) në atë kohë, Charles Evans Hughes, informon Komisionerin Amerikan në Shqipëri, Maxwell Blake, se në datën 28 Korrik, 1922, ai mund t’i, “Dorëzojë Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, njoftimin me shkrim për njohjen ‘de jure’ të Shqipërisë, nga ana e Shteteve të Bashkuara”, gjë që përkon me vizitën e Fishtës në Washington.   Mbështetur në Zyrën e Historianit të (DASH) njohja e shtetit shqiptar nga Washingtoni u pasua me vendosjen zyrtare të marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona më 4 Dhjetor, 1922, kur Përfaqësuesi i Jashtzakonshëm dhe Ministri Fuqiplotë i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Ulysses Grant-Smith, i paraqiti letër-kredencialet Qeverisë së Shqipërisë në Tiranë, pikërisht me 4 Dhjetor, 1922, theksohet në tekstin e Zyrës së Historianit të (DASH).

Thonë se njerëzit e mëdhenj të një Kombi, siç është Fishta, vlerësohen më shumë pas vdekjes se kur janë gjallë.  Fatkeqësisht, kjo nuk ka ndodhur ende, zyrtarisht, me At Gjergj Fishtën, ndonëse edhe sot pas 30-vjet “post-komunizëm”, Poeti i Kombit dhe Mbrojtësi më i vendosur i të drejtave, vlerave dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve, sot e kësaj dite është i stigmatizuar si “tradhëtar”, gati, gati si një person i padëshiruar në Shqipëri: person ‘non grata’, në vendin e vet, Atdheun, për të cilin punoi e veproi aq shumë. 

Unë e kam, gjithnjë, shumë të vështirë të konstatoj se ku e ka hallin Tirana zyrtare me At Gjergj Fishtën, i cili me veprat e tij përjetësoi çdo gjë të mirë, me të cilat mund të krenohet Kombi Shqiptar ndër shekuj. Qoftë veprimtaria e tij shumë dimensionale, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar në përgjithësi, qoftë kontributi i tij në njohjen dhe vendosjen e lidhjeve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara në fillim të shekullit të kaluar, në veçanti.  Unë ende nuk e kuptoj se pse sot, gjoja në demokraci, gjithnjë, “At Gjergj Fishta sakrifikohet, pikërisht, si përfaqësuesi madhor i vlerave kombëtare”, siç është shprehur me një rast, i ndjeri Profesor Arshi Pipa.

At Gjergj Fishta, ndoshta mbrojtësi më i vendosur, historikisht, i interesave dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve, i këtij populli, të drejtat e të cilit i mbrojti si askush tjetër në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, meriton që të pakën të përmendet – në mos tjetër, si në kalim, në këtë 100-vjetor të vendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, për rolin e tij, deri tani jo aq të njohur.  Megjithëse mund të jetë naivitet nga ana ime që pres që emri i Fishtës të përmendej në këtë 100-vjetor në Tiranë dhe në Washington, kur të merret parasyshë stigmatizimi i Fishtës nga ish-regjimi i Enver Hoxhës.  Pasi, zyrtarisht, kemi të bëjmë ende me një At Gjergj Fishtë, i cili për pothuaj një shekull, i shpallur “armik i popullit” dhe “reaksionar” nga ish-regjimi komunist i Enver Hoxhës, vazhdon ende të trajtohet si persona ‘non grata’ në vendin e vet edhe nga regjimet pseudo-demokratike, të të ashtuquajturit tranzicion “post-komunist”, i tre dekadave të kaluara në Shqipëri.

Kemi arritur në një moment në histori pas kaq vitesh, kur detyrohemi të themi me keqardhje të madhe, se me ketë klasë politike e kemi humbur shpresën se shqiptarët si komb, madje edhe 30 e sa vjet pas komunizmit, do të jenë të lirë, të sinqertë dhe të ndershëm me vetveten që të vlerësojnë, më në fund, ashtu siç meritojnë, njerëzit e mëdhenj të Kombit si, At Gjergj Fishta — për meritat historike që ata kanë në historinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve.  Me këtë nivel kulture bolshevike nuk mund të pretendohet se kjo klasë politike ndanë vlerat me botën perëndimore, në përgjithësi, e me Amerikën, në veçanti. Vlerat e vërteta perëndimore janë vlerat e At Gjergj Fishtës!  Fatkeqësisht për Kombin Shqiptar, po shihet tani se me anashkalimin e vlerave dhe meritave të Fishtës, kjo klasë politike po tregon edhe njëherë se i ka rrënjët thellë – jo në vlerat e botës perëndimore — por në trashëgiminë e Enver Hoxhës, trashëgimi kjo nga e cila duket se e ka, pothuaj, të pamundur distancimin prej saj.

Vlerat perëndimore janë vlerat e At Gjergj Fishtës! Ato janë të një përfaqsuesi madhor të vlerave kombëtare dhe perëndimore, të një shqiptari të madh pro-perëndimor si Fishta. Ato vlera duhet të kujtohen gjithmonë me mirënjohje për kontributin e tij, por sidomos, edhe në këtë 100-vjetor të vendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, si njërit prej arkitektëve kryesorë të këtyre marrëdhënieve.

(Ribotim i përditësuar)

*Autori ka qenë anëtar i delegacionit të parë të Departamentit Amerikan të Shtetit në Shqipëri dhe monitorues i zgjedhjeve të para pluraliste në atë vend, Mars/Prill 1991                      

A picture containing sky, flag, outdoor, umbrella

Description automatically generated

Disa nga figurat e diplomacisë amerikane në kohën kur At Gjergj Fishta ka vizituar Amerikën në vitin 1922.

A person in a suit

Description automatically generated with low confidence

            Charles Evans Hughes, Sekretari Amerikan i Shtetit (1921-1925)

A picture containing person, suit, wall, person

Description automatically generated

Senatori Republikan, Henry Cabot Lodge, Kryetar i Komisionit të Senatit për Punë të Jashtme, kur Fishta vizitoi Washingtonin.

A person with a mustache

Description automatically generated with low confidence

Ministri (Ambasadori) i parë amerikan në Tiranë: 4 Dhjetor 1922 – 8 Shkurt 1925

A group of men standing in front of a building

Description automatically generated with low confidence

 Françeskani amerikan Godfried Shilling mik i ngushtë i politikanëve amerikanë të kohës, me të cilin u takua At Gjergj Fishta në Washington, 1922

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli

FAN NOLI BASHKON SHQIPTARËT NË NJU JORK – PA DALLIM KRAHINE A FEJE

April 10, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidence

Fjala në ceremoninë e emërimit të një rruge në Nju Jork, me emrin Fan Noli –

Përshëndetje dhe mirëdita të gjithëve…

Jemi mbledhur këtu sot si individë dhe si komunitet për të kujtuar një burrë të madh të Kombit shqiptar. “Nji ndër njerëzit ma të mëdhej që ka lindur fisi arbnuer. Poet letrar, fletorar, orator, diplomat, themelues i Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare. Ai radhitet në rendin e breznisë vigane të Rilindjes së Kombit, për të cilin u përpoq sa mujti, me vepër e shkrim”.  Kështu është shprehur Ernest Koliqi, një tjetër i madh i Kombit, në një shkrim të gjatë  botuar në revistën Shëjzat, me rastin e kalimit në amshim të Nolit, në Mars të vitit 1965. 

Nuk jemi këtu që si individë të mburremi me pjesëmarrjen tonë. Jemi këtu sot të bashkuar rreth Fan Nolit për të nderuar këte burrë të Shqiptarisë.  Jemi këtu si shqiptaro-amerikanë, por me origjinë vijmë nga të gjitha anët e trojeve shqiptare. 


Noli na ka mbledhur sot këtu nga Vërmoshi e deri në Gjirokastër. Nga Kosova e lirë dhe e pavarur dhe nga Çamëria martire. Korçarë e labë, mund të ketë edhe arbëresh. Për besë ka edhe shumë malësorë të veriut e të jugut dhe shqiptarë të fushave nga e gjithë shqiptaria.  Mesazhi është i qartë! Jemi këtu nga të gjitha anët, ortodoksë, myslimanë e katolikë, nga qytetet dhe fshatrat e mbarë trojeve shqiptare, pa dallim dhe pa urrejtje për të nderuar një klerik të lartë të fesë orotodokse shqiptare, por mbi të gjitha një shqiptar të madh. 

Në të vërtetë, nismëtari, promovuesi dhe arkitekti i këtij projekti përbashkues kombëtar dhe i shumë arritjeve të tjera në komunitetin tonë gjatë viteve, është shqiptaro-amerikani katolik nga veriu, i lindur jashtë kufijve aktualë të Shqipërisë, politikani dhe aktivisti i palodhshëm i çeshtjeve shqiptare, shqiptaro-amerikani dhe bashkvendasi im, Z. Mark Gjonaj, i njohur tashti, i botës shqiptare. Thank you Mark for working so hard to make this and other projects for the Albanian-American community a reality and for getting us all together today to celebrate this moment. Thank you! 

Falënderimet gjithashtu i shkojnë edhe Federatës Pan-Shqiptare Vatra për ndihmesën e dhënë në organizimin e këtij celebrimi, në nder të themeluesit të saj, Fan Nolit. 

Jemi këtu, pra për të  kujtuar dhe për të nderuar Fan Nolin dhe veprën e tij në mbështetje të interesave të Shqipërisë dhe të komunitetit shqiptaro-amerikan, përfshir edhe rolin që ka luajtur në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane – një trashëgimi kjo që vazhdon edhe sot e kësaj dite në radhët e këtij komuniteti. “Jepni, Nënën të shpëtoni, Komb e vatra të nderoni. Mbahu, Nëno, mos kij frikë se ke djemtë n’Amerikë”. Fan Noli, 1917


Prandaj, ia vlen të përmendet fakti se kjo ceremoni po zhvillohet këtë vit — siç duket në koincidencë — me 100-vjetorin e marrëdhënieve amerikano-shqiptare, se Fan Noli ishte njëri prej mbështetësve dhe promovuesve më të fortë të këtyre lidhjeve, midis dy popujve tanë. 

Jemi këtu për të nderuar Fan Nolin, natyrisht, por jemi të gjithë së bashku, se kështu na e kërkon ndërgjegja, na e kërkon dashuria për njëri tjetrin, si shqiptarë të një gjaku, gjuhe e kulture, dhe si shtetas të lirë të Atdheut tonë të adaptuar — Amerikës.  Natyrisht, na detyron edhe dashuria për trojet tona që po zbrazen, fatkeqsisht, dita ditës, por edhe për të ndarë me njëri tjetrin shqetësimet për gjendjen në trojet tona të përbashkëta, sidomos konfliktet e fund midis faktorëve politikë. Mesazhi i Nolit sot për gjithë shqiptarët, por sidomos për ata në vendlindje, do ishte: “O Shqiptarë, Nënës mos ia bëni varrë!” (Noli).

Por, më në fund dhe më me rëndësi, jemi këtu për të celebruar Amerikën tonë të dashur dhe lirinë që gëzojmë dhe që na mundëson ky vend-planet, që në liri dhe pa paragjykime, të nderojmë heronjët dhe të dalluarit e komunitetit tonë këtu në Shtetet e Bashkuara, siç është Fan Noli, pa dallim e pa urrejtje krahinore, fetare ose politike prej askujt — përfshir autoritetet qveritare – por as ndaj njëri tjetrit, as ndaj të tjerëve.

Për 100 vjet Amerika, që nga koha e takimit historik të Nolit me Presidentin Wilson e këndej, iu gjend pranë Kombit shqiptar dhe komunitetit shqiptaro-amerikan, duke na dhënë dorën dhe ndihmën kur kishim nevojë në mbrojtje të interesave tona këtu por edhe mbështetjen e pazevëndësueshme ndaj bashk- vëllëzerve tanë matanë oqeanit.  Është një histori e gjatë kjo përpjekjesh ç’prej kohës së Nolit e Konicës, për të shpëtuar Shqipërinë nga copëtimi në fillim të shekullit të kaluar e deri tek çlirimi dhe pavarësia e Kosovës, në fillim të këtij shekulli. 

Ndihmat materiale, mbështetja diplomatike dhe ushtarake e Shteteve të Bashkuara për Shqipërinë, për Kosovën dhe për shqiptarët, në përgjithësi, nuk kanë qenë kurrë të kushtëzuara ndaj një individi ose partie politike, por bazuar në bindjen dhe besimin e fortë se — megjithë dallimet që mund të ekzistojnë midis shqiptarëve — për arsye historike dhe politike — të gjithë shqiptarët pa dallim, gjithmonë janë shprehur, historikisht, (me përjashtim të regjimit të djallëzuar komunist të Enver Hoxhës), se janë një dhe të pandarë në një miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Fan Noli ka thënë se Shqipëria i ka shumë borxhe Amerikës. Edhe komuniteti shqiptaro-amerikan — i vjetër dhe i ri — i kishte borxh Fan Nolit, një detyrim moral, në të vërtetë që, pjesërisht, shpërblehet sot.  Urimet e mia! 

Frank Shkreli

                             

Të nderuar me praninë e e udhëheqsit të shumicës në Senatin e Shteteve të Bashkuara, Senatorin nga Nju Jorku, Z. Chuck Schumer dhe me diplomatët e Shqipërisë, Ambasadorja në Washington, Zonja Floreta Faber dhe Ambasadori  pranë OKB-së në Nju Jork, Z. Ferit Hoxha

                     

                                              Kontinngjenti “Iliria”i Policisë së Nju Jorkut

A group of people standing outside

Description automatically generated with medium confidence

   Me klerikët e Kishës Orthodokse – të themeluar nga Peshkop Fan Noli

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli

PËRJETËSOHET EMRI I FAN NOLIT NË AMERIKË

April 7, 2022 by s p

Në kuadër të 100-vjetorit të marrëdhënieve ameriano-shqiptare

Nga Frank Shkreli

A person in a suit and tie

Description automatically generated with medium confidence

Aktivisti i komunitetit shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara, Mark Gjonaj, para disa ditësh, njoftoi komunitetin këtu në Nju Jork dhe anë e mbanë Amerikës se të shtunën me 9 prill në ora 12, në adresën 1201 Morris Park Ave, Bronx, NY 10461, do të zhvillohet ceremonia e emërimit të një rruge në kujtim të Fan Nolit, në adresën 1201 Morris Park Ave, Bronx, NY 10461.  Në njoftimin për këtë ngjarje që më dërgoi Z. Mark Gjonaj, thuhet se ky është, vërtetë, “një rast i jashtzakonshëm për komunitetin shqiptaro-amerikan, ndërsa festojmë trashëgiminë tonë në këtë vend si edhe kontributet tona si qytetarë, në jetën dhe veprimtarinë e Shteteve të Bashkuara”.  Njëri prej nesh, si emigrant në këtë vend, Fan Noli (1882-1965) ka qenë një udhëheqës shqiptar, kryeministër, shkrimtar, akademik, diplomat, politikan, historian, orator si dhe themelues i Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare dhe bashkthemelues i Federatës Pan-Shqiptare Vatra në Amerikë, thuhet në njoftimin që më dërgoi Z. Gjonaj. Prandaj, është me vend që të zhvillojmë këtë ceremoni për një individ i cili ka kontribuar aq shumë, jo vetëm për komunitetin tonë, por dhe për Shtetet e Bashkuara dhe për Atdheun tonë, thekson Mark Gjonaj në njoftimin e tij. 

Ceremonia e emrimit të një rruge të Bronksit në emër të Fan Nolit – e mbështetur nga disa dyzina organizatash shqiptaro-amerikano — duhej të ishte zhvilluar fillim muajin e kaluar, në përvjetorin e vdekjes së Nolit (13 Mars 1965), por për arsye të disa çeshtjeve administrative u shty për këtë javë. Ishte caktuar muaji i Marsit edhe për arsye të datës 15 Mars, 19991, data e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, por edhe për të shënuar gjithashtu edhe 100-vjetorin, këtë vit, të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona.  Është me fat kjo koincidencë, sepse siç dihet, Fan Noli ka qenë promovuesi dhe vazhdon të jetë simbol i këtyre marrëdhënieve të ngushta, e miqësore, midis dy kombeve tona.  Ai i vuri themelet këtyre marrëdhënieve mbi të cilat ndërtuan e forcuan edhe brezat e shqiptaro-amerikanëve pas tij, por sidoqoftë, ato mbeten pjesë e trashëgimisë së tij.  Këta dy përvjetorë janë një rast që të mos harrohet roli dhe kontributi që Fan Noli ka dhënë në fushën e diplomacisë midis dy kombeve tona.

Ia vlen të rikujtojmë, në kuadër të ceremonisë për emrimin e një rruge në nder të tij të shtunen në në Nju Jork, rolin dhe përpjekjet e Nolit për të bindur Presidentin amerikan Udrou Uilson, që Amerika të mbështeste pavarësinë e shtetit të ri shqiptar.  Njihet tani gjerësisht fakti se Noli ia doli të siguronte mbështetjen e Udrou Uilsonit në përkrahje të Pavarësisë së Shqipërisë, i cili sipas Nolit, i kishte thënë atij se: “Një zë do të kem në Konferencën e Paqes dhe atë zë do e përdor në mbrojtje të Shqipërisë”.  Ishte ky një angazhim i fortë i Presidentit Uilson që ndaloi copëtimin e mëtejshëm të Shqipërisë dhe një akt tepër i rëndësishëm i Fan Nolit, në fushën e diplomacisë, në mbrojtje të interesave shqiptare.  

Arritjet e Fan Nolit në fushën e historisë kombëtare dhe fetare të Kombit shqiptar, janë gjithashtu të shumta dhe të mëdha. Rolin e tij në fushën e diplomacisë, siç ishte ndërmjetësimi i tij me Presidentin amerikan Uilson në mbrojtje të së drejtës së Shqipërisë për të vendosur vetë fatin e saj, si dhe pjesëmarrjen që thuhet se e dalloi atë në Konferencën e Lidhjes së Kombeve në mbrojtje të interesave të kombit të vet — besoj se përbëjnë vepër kulminante të veprimtarisë së këtij gjiganti të kombit shqiptar. Gazeta angleze ‘London Daily Mail’ kishte venë re, në atë kohë, zotësitë e Nolit në fushën e diplomacisë dhe si rrjedhim e kishte cilësuar atë si burrështetasin më të aftë, jo vetëm ndër shqiptarët, por të mbarë Ballkanit.

See the source image
Text, letter

Description automatically generated

Suksesi i Fan Nolit në mbrojtjen e Shqipërisë dhe të Shqiptarëve në Konferencën e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë e vërtetoi dhe e ngriti atë në një diplomat të rangut botëror dhe e bëri Nolin si njërin prej udhëheqësve më të dalluar të jetës politike dhe diplomatike shqiptare ndoshta i të gjitha kohërave.  Ndërsa si anëtar i komunitetit shqiptar në  Shtetet e Bashkuara ai ka shërbyer si zëdhënës dhe përfaqësues i denjë i të drejtave të shqiptarëve kudo ndërkohë që vet emri i tij reflekton edhe sot promovuesin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, edhe në këtë 100-vjetor të vendosjes së këtyre marrëdhënieve. 

Të shtunën me 9 prill, komuniteti shqiptaro-amerikan në Bronks të Nju Jorkut, me emrimin e një rruge në nder të tij, do të kujtojë njërin prej shqiptarëve më të njohur të këtij komuniteti, por edhe një burrështetas të dalluar dhe diplomatin shqiptar, i cili me veprat e tij kombëtare në të kaluarën, në vazhdimësi nderon edhe sot Kombin shqiptar në përgjithësi dhe komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara, në veçanti.  Kjo është edhe arsyeja që Z. Mark Gjonaj ka punuar aq gjatë dhe me aq vendosmëri për të nderuar këtë burrë të madh të Kombit shqiptar me emrimin e një rruge në Nju Jork, në emër të këtij shqiptaro-amerikani të njohur të botës shqiptare. “Të një burri me të cilin do krenohej çdo vend”, do shkruante gazeta britanike, ‘Manchester Guardian në vitin 1924.  Fan Noli i përkiste një brezi viganësh të Rilindjes së vërtetë të Kombit shqiptar. Është thënë se së bashku, Fan Noli dhe Faik Konica, këta dy burra të mëdhej të Kombit shqiptar, kishin vendosur Bostonin si kryeqendrën e veprimtarisë së atëhershme patriotike dhe diplomatike shqiptare në të njëjtin nivel me qendrat e lëvizjeve patriotike shqiptare të trojeve shqiptare, Vlorën dhe Prizrenin. Ata e dinin ku ta vjerrnin pushkën e ku t’i kishin shpresat për të ardhmen e kombit të vet – në Amerikën e Washingtonit, Xhefersonit dhe Wilsonit, vendit të lirisë dhe të demokracisë. 

Rruga me emrin e Fan Nolit në Nju Jork do ua kujtojë këtë fakt brezave të tanishëm dhe të ardhëshëm të shqiptarëve në Amerikën tonë të dashur por edhe shqiptarëve kudo, e sidomos komunitetit shqiptaro-amerikan në Nju Jork.  Fan Noli citohet të ketë thënë se Shqipëria dhe shqiptarët i kanë shumë borxhe Amerikës. Në kuadër të këtij 100-vjetori të marrëdhënieve midis dy vendeve tona mike – të dyja të dashura shumë për të gjithë ne — komuniteti shqiptaro-amerikan, falë përpjekjeve të aktivistit të dalluar të komunitetit tonë Mark Gjonaj – po i këthen një borxh sado të vogël Fan Nolit për punën e tij si promovues i këtyre marrëdhënieve dhe i veprimtarisë së tij kombëtare dhe fetare, në përgjithësi gjatë shekullit të kaluar, këtu në Shtete e Bashkuara.

Frank Shkreli

When Fan S. Noli met U.S President Wilson on the 4th of July, 1918

Fan Noli me udhëheqës të tjerë botërorë, të ftuar nga Presidenti Woodrow Wilson, për të marrë pjesë në festimet e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara më 4 Korrik, 1918.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli

MONUMENTI I HEROIT KOMBËTAR NË LEZHË KTHEHET NË NEVOJTORE!

February 5, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli

See the source image

Nga i harruari i Kombit, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, i harruari i kombit në ditëlindjen e tij | Gazeta Telegraf, nga i mbuluari me çarçaf mu në qendër të Tiranës, e deri tek vizita  provokuese e Presidentit turk, Erdogan në Shqipëri kohët e fundit në ditën e vdekjes së Heroit të Kombëtar të Shqiptarëve, Gjergj Kastriotit -Skenderbe – mendonim se nuk mund të ketë ofendime më të shëmtuara se këto nga qeveria dhe shteti shqiptar ndaj Skenderbeut dhe kujtimit të tij.  Fatkeqsisht, ishim të gabuar — ka edhe më keq. 

E pabesueshme, por e vërtetë. Jo, more jo, për këtë situatë, nuk ka faj Erdogani, i cili nuk e fsheh kurrë urrejtjen e tij për Gjergj Kastriotin – Skenderbe.  Fajin e kanë vetë shqiptarët, qeveria në Tiranë, shteti shqiptar, Ministria e Kulturës, Bashkia, e ku ta di unë. Të gjithë duhet të turpërohen, nëqoftse kanë fytyrë! Lexon njeriu një lajm të tillë, se në çfarë gjëndje të shëmtuar gjëndet monumenti i Gjergj Kastriotit — Skenderbe në Lezhë dhe bën pyetjen: Kush janë këta njerëz në krye të kombit shqiptar që lejojnë një gjë të tillë në “ansamblin arkelogjik”, në vendvarrimin e Heroit kombëtar Gjergj Kastriotit – Skenderbe? Nga vinë këta njerëz,“liderë” të kombi, nga e kanë origjinën, që lejojnë çkombtarizimin dhe zhdukjen dalëngadalë të identitetit kombëtar. Interesave të kujt i shërbejnë këta njerëz që nuk çajnë kokën për dukuri të tilla, si ajo në Lezhë?  A ekziston ndonjë gjë e shenjtë për ta në historinë dhe kulturën shqiptare, që duhet mbrojtur. Fati i keq i monumenteve historike dhe kulturore, anë e mbanë Shqipërisë, dihet tanimë. Harroje Gjergj Fishtën, Nënë Terezen e monumente të tjera, shumë prej tyre të shpallura “monumente kulture”, të mbrojtura pra me ligj nga qeveria shqiptare, por që mbrojtje nuk kanë. 

Por se do i vinte radha edhe ansamblit arkeologjik tek monumenti dhe vendvarrimi i Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit – Skenderbeut në Lezhë, është vështirë të merret me mend ose të besohet. Është vështirë, që nga larg. të mësohet e vërteta se në çfarë gjëndje është dhe ç’po ndodhë rreth Memorialit të Skenderbeut në Lezhë, pasi mediat e oborrit nuk flasin as nuk shkruajnë. 

Por nga një kronikë në Syri TV VIDEO-SYRI TV/ Memoriali i Skënderbeut në Lezhë – Syri | Lajmi i fundit mësova se për vite tani, vizitorët vendas dhe të huaj si edhe vet banorët e asaj zone, përdorin Memorialin e vendvarrimit të Kryeheroit Kombëtar, Gjergj kastritoit -Skenderbeu, për nevoja personale, pasi ansambli arkeologjik për rreth vendvarrimit të Skënderbeut nuk është i rrethuar.  Sipas kronikës së Syri TV, asnjë ent qeveritar nuk ka reaguar për këtë situatë të turpëshme në Memorialin e Skënderbeut në Lezhë – përveç Avoktatit të Popullit, megjithëse kronika e Syri TV nuk thotë se çfarë tha Zyra e Avokatit të Popullit për këtë situatë të turpshme kombëtare as nuk pati ndonjë pasqyrim as reagim në media. 

Por entet qeveritare që janë përgjegjëse për mirëmbajtjen e monumenteve të kulturës, siç është Memoriali i Skenderbeut në Lezhë, sipas gazetarit të Syri TV, Martin Markut, siç janë, “Bashkia apo Ministria e Kulturës nuk kanë marrë ende masa, për të parandaluar atë që qytetarët e cilësojnë si turp për Lezhën”. Unë do të shtoja se kjo gjëndje e krijuar atje, nuk është vetëm turp për Lezhën, por eshtë turp  për Shqipërinë, për qeverinë e saj dhe për Ministrinë e ashtuquajtur të “Kulturës”, që nuk kujdeset as nuk jep fondet, ndërkohë që as nuk tregon vullnetin as interesimin për tu kujdesur për mirëmbajtjen e vednvarrimit të Shpëtimtarit të Kombit – Gjergj Kastriotit – Skenderebut.  Dihet se Monumenti i Gjergj Kastriotit në Lezhë është një prej vendeve më të vizituara nga shqiptarët anë e mbanë botës, por edhe nga evropianë dhe turistë të rajonit. Prandaj është vështirë të merret me mend se kush janë ato mendje të ndritura të “kulturës” në qeverinë shqiptare që kanë lejuar që ky monument, tërheqës i turistëve, të bjeri në këtë gjëndje të turpshme dhe të mjerueshme.  Kush janë ata njerëz përgjegjës për mirëmbajtjen e monumenteve të kulturës në Tiranë dhe në Lezhë dhe pse duan që duke lenë në harresë vendin më të shenjtë të kombit, t’i tregojnë vizitorëve të huaj këtë pasqyrë të shëmtuar të Shqipërisë dhe shqiptarëve?

TV Syri njofton në kronikën e para disa ditëve se edhe pas një kronike të transmetuar disa javë më parë nga Syri TV dhe pas vërejtjes së bërë nga Avokati i Popullit, institucionet përgjegjëse, sidomos Ministria e Kulturës, me qendrimet e saj arrogante për mos-përkujdesjen ndaj monumenteve kulturore dhe historike –një arrogancë për të cilën ajo ministri është e njohur tanimë për disa vite — nuk kanë marrë asnjë masë, për të ndërhyrë. Përgjegjësi i Trashëgimisë Kulturore në Lezhë, Paulin Zefi tregon edhe se e kujt është përgjegjësia për këtë situatë.  VIDEO-SYRI TV/ Memoriali i Skënderbeut në Lezhë – Syri | Lajmi i fundit

Sipas një kronike tjetër mbi këtë subjekt, disa javë më parë të Syri TV, thuhet se “Në mungesë të banjove (publike) qytetarët ju drejtohen mureve antikë për të kryer nevojat e tyre personale, duke degjeneruar në këtë mënyrë vlerat historike të këtij qyteti 2400-vjeçar. Ata thonë se mungesa e banjove në qytet është problem mjaft shqetësues, ndaj bashkia duhet të ndërhyje për zgjidhjen e kësaj maskarade.” Me të drejtë, sipas Syri TV, shumë turistë ngelin të tmeruar me ato çfarë shikojnë në një zonë të tillë arkeologjike.  Pavarësisht se ky problem vijon prej vitesh ende nuk është gjetur një zgjidhje përfundimtare, thuhej në kronikën e transmetuar në Syri TV, disa javë më parë. VIDEO-SYRI TV/ Varri i Skënderbeut kthehet në ba – Syri | Lajmi i fundit.

Në atë kronikë të Syri TV theksohet se, “Si në rrallë zona të tilla, ansambli arkeologjik i Lezhës është pa mure rrethues, duke i lënë mundësinë kujtdo të futet në të, lehtësisht, për të kryer nevojat personale, por edhe duke i shkaktuar dëmtime  zonës historike, ndërkohë që deri “në qartësimin se e kujt është përgjegjësia për mbrojtjen e këtij monumenti si dhe ndërtimin e një banjo publike në Lezhë, memoriali i Heroit tonë Kombëtar, duket se do të shërbejë ende si nevojtore”, ka përfunduar kronikën nga Lezha, Syri TV.

I gjithë kjo pasqyrë e shëmtuar për botën ndaj kujtesës së Heroit Kombëtar dhe kulturës shqiptare, në përgjithsi, për mungesën e një muri rrethues dhe një nevojtorjeje publike! Diçka vërtetë nuk është në rregull me atë vend.  Ndërsa në Tiranë, shemben shtëpitë e shqiptarëve duke i hedhur në rrugë të madhe në pikë të dimërit për t’i lënë vend e hapësirë ndërtimit të pallateve të larta për interesa të errëta kriminale financiare – qeveria e Shqipërisë nuk gjenë dot fondet për ndërtimin e një muri të thjesht rrethues të Memorialit të Gjergj Kastriotit- Skenderbeut dhe të ansamblit arkeologjik për rreth tij në qytetin e lashtë, Lezhë.

Turp e marre të kini, kushdo qofshi ju – duke filluar nga Kryeministri, Ministria e Kulturës, si dhe e ashtuquajtura opozita politike në parliament, shoqëria civile, por sidomos mediat që duhet të jenë sytë dhe veshët e shoqërisë, që heshtin përball një korije të tillë kombëtare. Ju të gjithë jeni përgjegjës për këtë situatë të shëmtuar, për këtë koritje kombëtare!  Është arroganca juaj, moskujdesja dhe mos respekti i juaj ndaj Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit -Skenderbeut, ndaj historisë, identitetit dhe kulturës kombëtare të shqiptarëve, në përgjithësi, por eshtë edhe heshtja juaj ndaj dukurive të tilla — që vendin më të shenjtë të Shqipërisë dhe të shqiptarëve – kompleksin arkeologjik dhe vendvarrimin e Gjergj Kastriotit-Skenderbeut në Lezhë — e keni kthyer në një nevojtore publike!

Frank Shkreli

PS- Jo se Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë nuk po punon. Njoftohet se muaji i Janarit filloi me “punë të mira”, përfshir “Planin për menazhimin e Pallatit të Brigadave”, e të tjera, si  më poshtë… 

May be an image of 5 people, people standing and text

Filed Under: Reportazh Tagged With: Frank shkreli

ZËRI I AMERIKËS NË 80-VJETORIN E THEMELIMIT: NJË FAQE E LAVDISHME NË HISTORINË E MARRËDHËNIEVE AMERIKANO-SHQIPTARE

February 2, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli
See the source image

Zëri i Amerikës (VOA) shënon 80-vjetorin e themelimit.  Transmetimet e këtij gjidanti mediatik ndërkombëtar kanë filluar në shkurt të vitit 1942, si një mjet për të luftuar propagandën naziste me lajme dhe infiormacion të saktë, objektiv dhe të pa anshëm. Për 80-vjet, Zëri i Amerikës i ka shërbyer botës – në kohë lufte dhe në kohë paqeje — duke ofruar shpresë dhe frymëzim në mbrojtje të vërtetës, me përhapjen e lajmeve dhe të informacionit gjatë dekadave, në dyzina gjuhësh të huaja, anë e mbanë botës, përfshir gjuhën shqipe.

Nga themelimi i tij e deri më sot, Zëri i Amerikës vazhdon të jetë i angazhuar për të raportuar të vërtetën me mbulimin e lajmeve, ngjarjeve dhe zhvillimeve politike, ekonomike dhe ushtarake, anë e mbanë botës, duke dhenë shembull për parimet e një shtypi të lirë. Kështu ka qenë duke filluar nga Lufta e dytë Botërore, Lufta e Ftohtë, lufta kundër terrorizmit, konfliktet dhe përpjekjet e sotëme për liri e demokraci, anë e mbanë globit.

Edhe Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe ka qenë dhe vazhdon të jetë pjesë e këtij gjigandi të lajmeve ndërkombëtare, duke filluar nga Lufta e Dytë Botërore – me një ndërprerje të shkurtër – por duke rifilluar transmetimet në vitin 1951.  VOA shqip gjatë gjithë këtyre viteve – falë dyzina gazetarëve shqiptaro-amerikanë dhe përkushtimit të tyre ndaj të vërtetës dhe dashurisë së tyre për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për Shqipërinë dhe popullin shqiptar, ka kontribuar në përhapjen e të vërtetës dhe në forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, sidomos në periudhën e errët gjysëm shekullore të komunizmit shqiptar, kur dy vendet tona nuk kishin marrëdhënie dy-palëshe dplomatike. Ishte një periudhë, kur Shtetet e Bashkuara, komunikonin me kombin shqiptar, nepëmjet Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe. 

Në atë atmosferë tensionesh ndërkombëtare, më 13 maj, 1951 rifillon radio transmetimet edhe Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe, transmetime, të cilat kishin filluar më 1943, por që ishin ndërprerë më 1945.  Ishte ky një ri-fillim i transmetimeve të shërbimit shqip të VOA-s, i cili qe inauguruar me një mesazh të posaçëm, drejtuar popullit shqiptar, nga Sekretari Amerikan i Shtetit në atë kohë, Dean Acheson.  Ishte ky një mesazh i ngrohtë, i cili ritheksonte miqësinë tradicionale dhe të hershme midis popullit amerikan dhe popullit shqiptar, mesazh, i cili përsëritej shpesh dhe në forma të ndryshme, pothuaj çdo vit, nepërmjet Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe nga zyrtarë të lartë amerikanë, megjithë vrerin anti-amerikan që vinte nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, gjatë dekadave.

Ndonëse, ishte kulmi i Luftës së Ftohtë, mesazhi i ish-Sekretarit amerikan të Shtetit, Dean Acheson, për nga theksi i miqësisë amerikano-shqiptare, nuk ndryshon as nga deklaratat e mëparshme as nga ato të mëvonshme të zyrtarëve amerikanë, gjë që lë të nënkuptohet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë pasur dhe kanë vazhduar të kenë një politikë pro-shqiptare dhe konsekuente megjithë, armiqësinë e regjimit komunist të Tiranës, për pothuaj një gjysëm shekulli, ndaj Zërit të Amerikës dhe Shteteve të Bashkuara. 

Megjithëse sot, në këtë 80-vjetor të VOA-s, si enti më i madh ndërkombëtar mediatik i Amerikës në gjuhë të huaja, gjërat kanë ndryshuar dhe ndërkohë që vitet e fundit, falë zhvillimeve politike në Shqipëri, po zhvillohet një debat i vazhdueshëm dhe deri diku i ashpër deri në ditët tona në media dhe në qarqet politike, mbi statusin aktual të këtyre marrëdhënieve dhe luhatjet që mund të vihen re sot në marrëdhëniet dy palëshe.  E kam thënë shpesh dhe vazhdoj të besoj se — megjithë aktorët e sotëm nga të dyja palët – dhe megjithë pyetjen: “Quo Vadis” marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, si rezultat i veprimtarive të këtyre aktorëve aktualë, unë besoj se ato janë aq të forta në themel, sa që askush nuk mund t’i dëmtojë ato në mënyrë përmamente.  Mund t’i ngadalsojnë dhe mund të hedhin dyshime, madje të bëhen edhe kërcënime nga persona të caktuar dhe burokratë miopë aktualë nga të dy palët – besoj se nga pikëpamja historike, deklarata e ish-Sekretarit Amerikan të Shtetit, Dean Acheson, në kulmin e periudhës më të errët të marrëdhënieve midis dy vendeve tona — pasqyron gjithnjë këtë angazhim, se “Lidhja midis nesh, po ripohohet; miqësia e jonë e hershme do të marrë fuqi dhe rëndësi të re.  Kjo miqësi është një rezultat i natyrshëm i identifikimit të Shteteve të Bashkuara me përpjekjet e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi”.  Si i tillë,  ia vlen që kjo deklaratë të sillet në vëmendjen e lexuesit, në këtë 80-vjetor të themelimit të Zërit të Amerikës, si dh rolin e rëndësishëm që ky ent amerikan i lajmeve ka luajtur në ruajtjen dhe zhvillimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane – popull me popull.  Pason mesazhi i Dean Acheson drejtuar popullit shqiptar me rastin e rifillimit të transmetimeve të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe, me 13 Maj, 1951.

“Është një kënaqësi e madhe për mua që me këtë rast t’i dërgoj një mesazh popullit shqiptar në emër të Qeverisë dhe të popullit të Shteteve të Bashkuara. Me rihapjen e programeve të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe, Qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe populli amerikan edhe njëherë shprehin interesimin e tyre tradicional për popullin shqiptar.  Lidhja midis nesh, po ripohohet; miqësia e jonë e hershme do të marrë fuqi dhe rëndësi të re.  Kjo miqësi është një rezultat i natyrshëm i identifikimit të Shteteve të Bashkuara me përpjekjet e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi.  Gjatë viteve, Shtetet e Bashkuara dhe populli amerikan i kanë konsideruar këto përpjekje me simpati dhe mbështetje, duke ditur se ato pasqyrojnë aspiratat e juaja të vërteta.

Që prej Konferencës së Versajës më 1919-n, kur Presidenti Woodrow Wilson mori përsipër duke treguar interesimin e tij personal për ri-vendosjen e një Shqipërie të pavarur, Qeveria e Shteteve e të Bashkuara ka mbështetur përpjekjet e patriotëve shqiptarë.

Gjatë periudhës midis dy luftërave botërore, Shtetet e Bashkuara kanë zhvilluar marrëdhënie të ngushta dhe miqësore me popullin shqiptar. Shtetet e Bashkuara kanë inkurajuar institucionet humanitare dhe arsimore private, siç janë Kryqi i Kuq Ndërkombëtar për të Rinjtë, Fondacioni për Lindjen e Afërt dhe Fondacioni Rockefeller, për të ndihmuar shqiptarët në përpjekjet e tyre në themelimin dhe në zhvillimin e institucioneve të veta.  Shtetet e Bashkuara ishin të parat nga fuqitë aleate të Luftës së Dytë Botërore, të cilat bënë deklaratën e parë zyrtare për rivendosjen e një Shqipërie të lirë, duke deklaruar se një gjë e tillë ishte në përputhje me parimet e Kartës së Atlantikut.

Por kjo tani është pjesë e historisë, e së kaluarës suaj.  Tani e tutje, Zëri i Amerikës do t’u flasë juve mbi të tashmen dhe mbi të ardhmen. Tani për tani, ju e dini më mirë se unë se shpresat e tuaja për një vend të lirë dhe sovran, nuk janë realizuar. Me qëllim për t’u ndihmuar që të realizoni një të ardhme për veten tuaj, si një vend i lirë dhe i pavarur dhe anëtar i komunitetit të kombeve, Shtetet e Bashkuara, nëpërmjet kësaj radioje do ju sjellë mjetet ose instrumentet për të gjykuar dhe vlerësuar gjërat- d.m.th, faktet.  Zëri i Amerikës do ju sjellë atë që u është mohuar për një kohë të gjatë – të vërtetën nga bota e lirë.  Me këtë rast, Qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe populli amerikan u dërgojnë përshëndetjet e tyre dhe Zëri i Amerikës u dëshiron mirëseardhjen në radhët e dëgjuesve të tij.” Dean Acheson, 13 Maj, 1951.

Ky mesazh nga ish-Sekretari amerikan i Shtetit, Dean Acheson pasqyron ndjenjat miqësore, simpatinë dhe mirëkuptimin që Shtetet e Bashkuara dhe populli amerikan kanë treguar gjatë dekadave për aspiratat e kombit shqiptar për një ekzistencë kombëtare, të lirë dhe të pavarur, jashtë influencave të huaja.  Janë këto aspirata të ngulitura thellë në traditën dhe psikozën amerikane, por njëkohësisht janë edhe pjesë e idealeve universale për liri e demokraci dhe njëherazi janë edhe burimi dhe prirja e shqiptarëve ndaj qytetërimit perëndimor.  Andaj, gjatë dekadave të regjimit komunist në Shqipëri, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre perëndimorë, pritshin me ankth dhe me shpresë ditën kur Shqipëria dhe kombi shqiptar do të jetonte në liri, zot në tokën e vet dhe i lirë për të vendosur vet fatin e tij.  

Vizioni i ish-Sekretarit Amerikan të Shtetit, Dean Acheson-it për “një Shqipëri të lirë e të pavarur, anëtare e komunitetit të kombeve”, sot anëtare e NATO-s – është bërë realitet. Roli që ka luajtur Zëri i Amerikës në realizimin e këtij vizioni ishte i konsiderueshëm, sepse sipas Dean Achesonit, VOA gjatë dekadave të kaluara, u solli shqiptarëve lajmet objektive, të vërtetën dhe faktet, për zhvillimet e mbrendshme dhe të jashtme — si mjete dhe instrumente të nevojshme për të vlerësuar dhe gjykuar drejtë — duke shërbyer, njëkohësisht, edhe si një lidhje e pa-ndërprer dhe pa ndërhyrje komunikimi midis Kombit amerikan dhe Kombit shqiptar – në ditë të mira dhe në ditë të vështira.

Gëzuar 80-vjetorin e themelimit, VOA!

Frank Shkreli

See the source image

Ish-Sekretari Amerikan i Shtetit, Dean Acheson, mbështetës i zjarrët i Zërit të Amerikës, 1951

See the source image
See the source image

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • NJË DORËSHKRIM I PANJOHUR I ESAD MEKULIT PËR ROMANIN E REXHEP QOSJES “VDEKJA MË VJEN PREJ SYVE TË TILLË”
  • Diogjeni, filozofi që sfidoi botën me dije dhe virtyt, duke e këshilluar njeriun të hiqte dorë nga jeta prej skllavi
  • DEDË GJO LULI NË SHËRBIM TË ATDHEUT
  • “America Inspires Freedom – The Kosovo Story”
  • Kur Gjykata rrëzon Kushtetutën, dhe vendimi që godet vetë shtetin

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT