• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MBRONI LIRINË E MEDIAS, TË NDERUAR AMBASADORË!

January 27, 2020 by dgreca

“Liria e shtypit është një prej mbrojtjeve më të mëdha të lirisë dhe nuk mund të kufizohet kurrë veç se nga qeveritë despotike” (Xhorxh Mejson)/
 
Nga Frank Shkreli/
 
Si një shqiptaro-amerikan dhe besoj se edhe komuniteti shqiptar këtu në Shtetet e Bashkuara, në përgjithësi, jemi të kënaqur që ambasada e jonë në Tiranë ka tashti një ambasadore fuqi-plote, pas një mungese të gjatë.  Sipas një njoftimi në faqen elektronike të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Ambasadorja e re, Yuri Kim dje në mëngjes paraqiti letrat kredenciale Presidentit Ilir Meta, si Ambasadorja e re e Shteteve të Bashkuara në Republikën e Shqipërisë.  Ambasadorja Kim u shpreh se, “Patëm një bisedë të mirë me Presidentin lidhur me miqësinë e gjatë midis dy vendeve tona dhe ritheksuam përkushtimin që bashkëndajmë për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona”.
 
Ambasadores së re i urojmë sukesese dhe këmbë të mbarë në detyrën e re në Atdheun e të parëve tonë.  (Më poshtë po sjell fjalimin e parë dhe të plotë të përfaqsueses së re të Shteteve të Bashkuara në Tiranë), por, fillimisht deshta që përveç urimit më të sinqert për sukses, për ambasadoren personalisht, por mbi të gjitha, nepërmjet punës së saj, për të mirën e Shqipërisë dhe njëkohësisht edhe për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis Kombit Shqiptar dhe Kombit Amerikan.
Nuk dëshiroj të jap ndonjë këshillë sepse kjo nuk është detyra ime as nuk jam në gjëndje të jap këshilla, por dua që me këtë rast të përcjell një porosi për Ambasadoren e re amerikane, por edhe për përfaqsuesin e Bashkimit Evropian dhe për të gjithë ambasadorët e vendeve demokratike perëndimore në kryeqytetin shqiptar.  Jam i sigurt, Zonja Ambasadore se deri tani keni marrë informacione të hollësishme mbi gjëndjen e përgjithëshme në Shqipërinë tonë, me shumë probleme e halle.  Nuk dua të futem në diskutimin e shumë problemeve me të cilat përballet sot Shqipëria, pasi gjatë viteve jamë munduar, në atë mundësinë teme dhe në mënyrën më modeste t’i vejë në dukje telashet e mëdha të shoqërisë shqiptare, të pakën nga një përspektivë e një shqiptaro-amerikani, i cili e do Shqipërinë dhe shqiptarët me gjithë zemër, por që adhuron njëkohësisht edhe vendin ku kemi gjetur strehimin tonë – në ditët tona më të vështira – Shtetet e Bashkuara të Amerikës– dhe ku gëzojmë të gjitha të drejtat bazë të njeriut, pa përjashtim, përfshir lirinë e plotë të fjalës.
 
E nderuara ambasadorja jonë, unë kam pas fatin që gjatë viteve të kem qenë here pjesëmarrës e herë vërejtës i zhvillimit të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, ç’prej vitit 1991 e këtej, por edhe më përpara.  Kam pasur privilegjin e veçantë të një shqiptaro-amerikani që në vitin 1991 të isha pjesë e delegacionit të parë të Departamentit Amerikan të Shtetit në Shqipëri mars/prill të atij viti.  Delegacionit, i cili nënë rrethana shumë të vështira të asaj kohe – pas pothuaj 50-vjetësh — hodhi themelet e marrëdhënieve të reja midis Kombit shqiptar dhe Kombit amerikan –kur siç u shprehet edhe ju dje në fjalimin e parë në detyrën e re, atëherë kur, “Shkëndija e shpresës ndezi shpejt të gjithë Shqipërinë dhe ne qëndruam me ju në vitin 1991, teksa u çliruat nga vargonjët e komunizmit dhe të diktaturës.  Është një moment për të cilin duhet të ndiheni krenarë dhe me të drejtë.”
 
E vërteta është se shumë gjëra kanë ndryshuar në Shqipëri, ç’prej diktaturës dhe komunizmit.  Pa dashur të flas për sukseset por sidomos për problemet e mëdha me të cilat përballen sot shqiptarët, dua që të theksoj një subjekt, për të cilin jam munduar shpesh, gjatë viteve, ta sjell në vëmëndjen e atyre që mund të bëjnë diçka për ta përmirësuar, në përputhje me ligjet dhe konventat ndërkombëtare, përfshir Konventën e të drejtave universale të Kombeve të Bashkuara.  Kauza ime është liria e shtypit dhe fjala e lirë, në përgjithësi e në Shqpëri dhe në Kosovë, në veçanti.  Shpresoj që të jetë një ndër çështjet më me rëndësi në listën e problemeve me të cilat do merresh në muajt dhe vitet e ardhëshme në punën tuaj fisnike në Shqipëri.  Si rrjedhim, uroj që lirinë e medies dhe të fjalës së lirë në Shqipëri, ta merrni si një prej çështjeve më kryesore që do të promovoni në atë vend, jo vetëm prapa dyzerve të mbyllura, por edhe publikisht dhe pa hesitim.
 
Jam i sigurt se jeni në dijeni se liria e shtypit në Shqipëri nuk ka qenë kurrë në nivelin që do e dëshironim ne shqiptaro-amerikanët dhe Shtetet e Bashkuara, gjatë këtyre 30-viteve post komunizëm. Por viti i kaluar kishte shënuar, veçanërisht, një pikë të zezë për lirinë e medias dhe të shprehurit në Shqipëri.  Më 18 Dhjetor, 2019, shumica socialiste në parlamentin e Shqipërisë miratoi me 82 vota pro, “paketën antishpifje”, por që do të ishte më korrekt të quhej paketa anti-shprehje, pasi e tillë është.  Kjo paketë kundër lirisë së fjalës në Shqipëri, e propozuar nga Kryeministri Rama dhe e miratuar nga shumica e tij socialiste në Kuvend, me të drejtë, është kundërshtuar dhe po kundërshtohet nga një mori organizatash kombëtare dhe ndërkombëtare, si një ligj që nëqoftse vërtetë hyn në fuqi, është në kundërshtim të plotë me Komisionin Europian dhe Zyrën e Komisioneres së Lartë për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Europës, si dhe në mos përputhje absolute edhe me konventat dhe marrëveshjet e tjera ndërkombëtare mbi lirinë e medias dhe mbi të drejtat bazë të njeriut.
E nderuara Zonja ambasadore. 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit, liria e vërtetë e fjalës në Shqipëri është, fatkeqsisht, e mbërthyer në një luftë të ashpër për mbijetesë me disa përfaqsues të kastës së vjetër komuniste, të cilët fatkeqsisht, ende edhe sot 30-vjet gjoja post-komunizëm, ushtrojnë influencë të dukshme në politikën shqiptare dhe në zhvillimin e punëve në Shqipëri, në përgjithësi. Kërcënimet nga kjo klasë politike ndaj lirisë së shtypit dhe lirisë së fjalës, gjatë tre dekadave të fundit, kanë hasur kryesisht, në heshtje nga ambasadat e vendeve demokratike dhe nga përfaqsuesit e tyre përendimorë.  Liria e shtypit dhe e fjalës së lirë në Shqipëri — një vend që aktualisht kryeson Organizatës për Siguri dhe Bashkpunim në Evropë — ka nevojë për ndihmën tuaj dhe të kolegëve tuaj ambasadorë të Evropës Përëndimore në Tiranë.  Në takimet e para në Tiranë, Ambasadorja Yuri Kim është takuar është takuar edhe me Ambasadorin e Bashkimit Evropian në kryeqytetin shqiptar, Luigi Soreca, i cili i urojë diplomates amerikane mirëseardhjen dhe shprehu gatishmërinë e tij për bashkpunim, “Për të vazhduar partneritetin themelor BE-Sh.B.A në Shqipëri, në veçanti në kontekstin e procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. 2020 është një vit vendimtar për perspektivën evropiane të Shqipërisë”.
                    

Të gjithë e dimë se përspektiva e Shqipërisë për integrimet evropiane është një mundësi shumë e zbehtë, me ligje si ai “anti-shpifje” kundër lirisë së vërtetë të medies, ligj ky i propozuar nga qeveria e Kryeminsitrit Rama dhe miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë.  Të na kishte thënë dikush në mars/prill të vitit 1991 – 30-vjetë pas hapjes së Shqipërisë ndaj botës perëndimore — se në vitin 2020 Shqipëria do i shpallte luftë, me ligj, lirisë së medias dhe se do të detyroheshim të mbronim lirinë e fjalës në atë vend, nuk do e kishim besuar kurrë, kur merr parasysh të kaluarën e egër komuniste në Shqipëri.
 
Liria e fjalës, të nderuar ambasadorë, nuk është një çështje që duhet të bisedohet vetëm prapa skenave me pushtetarët shqiptarë, por u duhet thënë troç dhe pa dorëza, se “paketa anti-shpifje” e qeverisë shqiptare është në kundërshtim të plot me të gjitha konventat dhe marrëveshjet ndërkombëtare mbi lirinë e medias dhe mbi të drejtat bazë të njeriut.  Si e tillë ajo është e papranueshme për një vend demokratik dhe duhet të anullohet menjëherë!  Të nderuar ambasadorë, duhet të bindni Kryeministrin Rama të tërheq “paketën anti-shpifje”, nëqoftse dëshironi të bindni shqiptarët – të cilët të zhgënjyer me këtë klasë politike po largohen masivisht nga vendi — se ju me të vërtetë qëndroni me ta, “Jo vetëm në mbështetje të lirisë dhe të sovranitetit të Shqipërisë por edhe në mbështetje të së ardhmes të Shqipërisë”, siç u shpreh ambasadorja e re e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Yuri Kim.   Kjo është thirrja dhe porosia e këtij shqiptaro-amerikani, duke i uruar asaj punë të mbarë dhe gjithë të mirat në detyrën e saj të re në Tiranë.


Filed Under: Analiza Tagged With: ambasadore, Frank shkreli, Mbroni lirinë

“GYPAT” QË NDALOJNË VENDOSJEN E SHTATORES SË ANTON ÇETËS NË PRISHTINË

January 5, 2020 by dgreca

O Zot, mos na korit më shumë se tri herë në ditë!/

                                           Nga Frank Shkreli/

Me 3 Janar, 1920 ka lindur në Gjakovë, Anton Çeta, profesori, shkrimtari dhe patrioti i shquar i Kombit shqiptar, si njeriu, i cili përveç kontributeve të shumta në fushën e albanologjisë, letërsisë dhe kulturës shqiptare në përgjithësi — ai duke shtrirë dorën e pajtimit, ka pajtuar me mijëra familje në hasmëri, jo vetëm në Kosovë por edhe në diasporë.  Njerëz të penës që e kanë njohur dhe kanë bashkpunuar me Profesor Anton Çetën, si dhe media të ndryshme në Kosovë, kanë kujtuar me këtë rast, kontributin e madh të tij, në shënim të 100-vjetorit të lindjes së “plakut të urtë”, siç e njihte populli.

                                            As udhëheqsit e Kosovës nuk munguan të kujtonin Profesor Anton Çetën me rastin e 100-vjetorit të lindjes. Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi tha me këtë rast se,“Para një shekulli u lind Anton Çetta, njeriu që do mbetet në historinë e kombit tonë për kontributin e jashtëzakonshëm në mbledhjen e folklorit shqiptar në Kosovë, duke e bërë të pavdekshëm këtë thesar të kulturës sonë shpirtërore.  Ai do mbahet mend përjetë si njeri i urtë, i mençur, humanist dhe kontribues i shërimit të plagëve të gjakmarrjes në fillim të viteve të dekadës së fundit të shekullit njëzet.  Kombi ynë do të mburret për jetë dhe mot me figurën e albanologut Anton Çeta. HTH”, ështëshprehur presidenti Thaçi.  Ndërsa në 100 vjetorin e lindjes së njeriut të paqës, siç e quan ai, Anton Çetën, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa bëri këtë koment për media: “Në 100 vjetorin e lindjes, kujtojmë sot shkrimtarin, folkloristin dhe patriotin shqiptar, i cili, mision jetësor e kishte paqën.  Anton Çeta punoi pareshtur për pajtimin e gjaqeve mes shqiptarëve si kryetar i Këshillit Qendror të Lëvizjes Kombëtare për Pajtimin e Gjaqeve…Anton Çeta dhe shumë veprimtarë të tjerë janë udhërrëfyes për gjithë historinë tonë, se si punohet për atdheun”, përfundon Z. Mustafa shënimin e tij, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Anton Çetës.

Ndërkohë, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në kujtimin e tij, thekosi se Anton Çeta ishte diçka më tepër se pajtues gjaqesh, ai ishte “Unifikuesi në lëvizjen për liri e pavarësi” të vendit, duke shtuar se, “Iluministi atdhetar, Anton Çeta, përmes bashkimit e pajtimit të popullit shqiptar, ia doli që me lëvizjen e tij ta shkëpusë shoqërinë tonë nga epoka e gjakmarrjes për ta unifikuar në lëvizjen për liri e pavarësi.  Kujtimi për unifikuesin shqiptar, pajtimtarin e mijëra gjaqeve dhe humanistin e madh, nuk është zbehur as pas 24 vjetësh nga vdekja e tij. Angazhimi i tij me peshë historike do të jetë frymëzues për brezat”, është shprehur Haradinaj.

Përball këtyre vlerësimeve për kontributet e çmuara kombëtare të Anton Çetës nga udhëheqsit më të lartë të Kosovës, si është e mundur, atëherë, që njëkohësisht zhvillohet një debat i ashpër, sipas disa mediave në Kosovë, për vendosjen ose jo të shtatores së Anton Çetës në oborrin e Institutit Albanologjik në këtë përvjetor të lindjes së tij, aty ku ishte paraparë fillimisht të vendosej.  Është ky një debat i ashpër mospajtimi për vendosjen e shtatores kushtuar Pajtuesit më të madh në historinë e shqiptarëve!  Sipas medias vendore, kundër vendosjes së shtatores së Anton Çetës në oborrin e Institutit Albanologjik, na qenka vet ky institut – anëtar i të cilit ishte dikur Anton Çeta — nepërmjet kryetarit të tij, Hysen Matoshi, i cili është shprehur se oborri i këtij instituti nuk është i përshtatëshëm për shtatoren e Anton Çetës, sepse “Aty kalojnë gypa të sistemit të ngrohjes dhe kanalizimit”. Në oborrin e këtij institucioni nuk ka hapësirë për një shtatore”, ka deklaruar, vendosmërisht, kryetari i Institutit Albanologjik të Kosovës, Hysen Matoshi, në emisionin “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjin.  Mediat vendore lënë të kuptohet gjithashtu se kjo nuk është çështje “gypash”, por diçka tjetër.  Ky qendrim i Hysen Matoshit nuk duket i sinqert përball faktit se, sipas disa mediave, jo vetëm Instituti Albanologjik i Kosovës që kryeson Z. Matoshi, por as institucionet e tjera shtetërore nuk kanë organizuar asnjë aktivitet përkujtimor në 100-vjetorin jubilar të lindjes së Anton Çetës.  Duket se çështja e vendosjes ose jo e shtatores së Anton Çetës në Prishtinë, të jetë më shumë një çështje rrypash se sa gypash!

Për mosmarrëveshjet se ku dhe nëse do të gjëndet një vend për shtatoren e Anton Çetës foli edhe Kryetari i Bashkisë së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili pasi përmendi 100-vjetorin e lindjes së, “njeriut i cili arriti që me veprat e tij të përqafojë një popull të tërë, veprimtarin e njohur, Anton Çetta”, aludoi tek mospajtimet në lidhje me (mos)vendosjen e shtatores, duke thënë se,“Të gjithë sigurisht se keni dëgjuar për mospajtimet rreth lokacionit potencial të shtatores se Anton Çettës, por kjo nuk është temë sot”, është shprehur Shpend Ahmeti.

Ndonëse Kyretari i Bashkisë së Prishtinës premtoi se do të gjëndet një zgjidhje për vendosjen diku të shtatores së Anton Çetës, (e cila është përfunduar më shumë se një vit më parë dhe pret e mbyllur në atelienë e skulptorit që e realizoi, Z. Agon Qosa) kjo situatë të sjellë në mend edhe dramën e shtëpisë-muze të At Gjergj Fishtës në Shqipëri, ku janë dhënë herë premtime e herë justifikime se pse nuk mund të rinovohet shtëpia-muze e Fishtës, për pothuaj 30-vjet tashti.  Në atë rast, ishte i qartë mos vullneti i autoriteteve më të larta të shtetit shqiptar që kanë qenë kundër rinovimit të shtëpisë muze të Fishtës (megjithse, kohët e fundit, edhe atje është premtua se do të rinovohet shtëpia-muze ku ka jetuar Poeti Kombëtar).  Shohim!  Por, në rastin e Anton Çetës nuk më duket të jetë i njëjti paragjykim nga autoritetet më të larta të Kosovës ndaj pajtuesit të Kombit, Anton Çetës, siç dëshmojnë edhe deklaratat e tyre më lartë, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Pajtuersit të Kombit.  Pasi ishte Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale që e ka financuar shtatoren e përfunduar të Anton Çetës, me paratë e taksa-paguesve të Republikës së Kosovës.

Prandaj është vështirë që në këtë 100-vjetor të lindjes, të merret me mend se pse shtatorja e Anton Çetës –shqiptarit të madh, i cili, sipas bashkpuntorit të tij të ngushtë, Prof. Zekeria Canës, punoi aq shumë që gishtin e krimit ta zevendësojë me dorën e pajtimit ndër shqiptarët– vazhdon të jetë e mbyllur në atelienë e skulptorit Agon Qosa, në pritje të një vendimi se kur dhe ku do të vendoset.

Pa ditur saktësisht se cilat janë arsyet për mos vendosjen e shtatores së Anton Çetës në oborrin e Institutit Albanologjik ose diku tjetër, në 100-vjetorin e lindjes, unë jam dakort se një zvarritje e tillë, sidomos, pa një deklaratë transparente nga autoritetet se pse nuk ka ndodhur një gjë e tillë, pajtohem me çfarë tha Riza Krasniqi nga Këshilli Organizativ për Vendosjen e Shtatores së Anton Çetës para Institutit Albanologjik.  Z. Krasniqi e cilësoi Profesor Anton Çetën, një, “Ndër njerëzit më të shenjtë që ka kombi ynë”, dhe shtoi se është, “Turp për ne që në 100-vjetorin e lindjes së Anton Çetës të mos kemi një komplet të veprave të tij e as shtatore”.

Sipas medias në Kosovë, duket se edhe reagimet e publikut kanë qenë gjithashtu mjaft të ashpra dhe kritike ndaj mos vendosjes së shtatores së Anton Çetës, në këtë përvjetor.  Jam në pajtim gjithashtu edhe me Kryetarin e Bashkisë së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Anton Çetës u angazhua që, “të zotohemi, të punojmë e të shpresojmë për sa më pak hasmëri në mes të shqiptarëve e sa më pak hasmëri në mes të qytetarëve të Republikës së Kosovës”.  Në këtë 100-vjetor të lindjes së tij, Anton Çeta nuk do të dëshironte asgjë më pak, as më shumë se kaq.  Z. Kryebashkiak, nëqoftse je i sinqert për këtë angazhim, atëherë gjëje vendin e denjë ku të vendoset shtatorja e Anton Çetës.  Këtë mospajtim, rreth vendit për vendosjen e shtatores së tij në 100-vjetorin e lindjes së tij, Anton Çeta do ta konsideronte si një pajtim të munguar!

O Zot, mos na korit më shumë se tri herë në ditë!

                                      Shtatorja e Anton Çetës e përfunduar, pret për tu vendosur diku.  Ashtu dinjitoze, siç ai ishte edhe në jetë, pret — me durim, duke bërë thirrje pa zemërim, për pajtim — në atelienë e skulptorit që e realizoi, Z. Agon Qosa nga qyteti Ferizaj

     Tubimi tek Verrrat e Llukës në Maj të vitit 1990 ku morën pjesë rreth një gjysëm milion shqiptarë, përfshirë Heroin e Kombit, Adem Jashari, siç mund të shihet në këtë fotografi

Anton Çeta me Prof. Zekeria Canën dhe Lush Gjergjin: “Synimi ishte i qartë: mposhtja dhe çrrënjosja e gjakmarrjes një herë e përgjithmonë, si parakusht qenësor për paqe dhe pajtim, për liri dhe demokraci, për një të tashme dhe ardhmëri më fatbardhë” (Lush Gjergji).

                       Konsiderohet si tubimi më i madh në historinë e popullit shqiptar, me rreth gjysëm milioni pjesëmarrës. “Pranvera e madhe e vitit 1990, me Pajtimin e Gjaqeve, me Shoqatën Humanitare Bamirëse të Kosovës “Nëna Terezë”, me Luftën kundër Analfabetizmit, që shprehej me krijimin e sistemit paralel shkollor dhe shëndetësor, kishte vetëm një Protagonist: Popullin Shqiptar.  Një Prijës dhe Frymëzues: Prof. Anton Çetën.  Një qëllim dhe përcaktim: takimin, afrimin dhe bashkimin e mbarë popullit rreth një ideali: LIRISË DHE PAVARËSISË”. (Lush Gjergji, bashkpuntor i ngushtë i Anton Çetës)

                             Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova me Prof. Anton Çetën dhe Prof Zekeria Canën në kryeqendrën e LDK-së, circa 1992

Filed Under: Featured Tagged With: AntonCetta, Frank shkreli, Shtatorja-Anton Ceta

KRYEMINISTRI I SHQIPËRISË FAJËSONTE DIASPORËN SHQIPTARE NË AMERIKË

December 27, 2019 by dgreca

KUR KRYEMINISTRI I SHQIPËRISË FAJËSONTE DIASPORËN SHQIPTARE NË AMERIKË PËR MUNGESË PLATFORME STRATEGJIKE KOMBËTARE/

                                         Nga Frank Shkreli/

Duket se “minishengeni ballkanik” që po promovohet me entuziazëm nga Kryeministri i Shqipërisë dhe nga Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, e ka ngritur kaosin e rëndë të politikës kombëtare në një nivel tepër të rrezikshëm për interesat e Shqipërisë, të Kosovës dhe të shqiptarëve, në përgjithësi.  Kjo politikë e ndjekur nga Kryeministri Edi Rama, me të drejtë po kritikohet ashpër nga udhëheqsit dhe nga populli i Kosovës, por jo vetëm – si një politikë që, me mbështetjen e Tiranës zyrtare, po vendosë përsëri Beogradin në qëndër të politikës ballkanike, si një “mini-jugosllavi e re” e cila i hapë dyertë edhe influencës ekonomike, politike dhe ushtarake të Moskës. 

Si përfundim i kësaj politike, të cilën Kryeministri Rama e rivërtetoi dhe e mbrojti me këmbëngulje edhe njëherë në mbledhjen e fundit të udhëheqsëve të vendeve anëtare të “minishengenit” të ardhëshëm ballkanik që u mbajt në Durrës – ngriti mospajtimin kombëtar midis shqiptarëve, në një nivel tepër të rrezikshëshm, sa nuk është parë ndonjëherë më parë.  Nuk jam i sigurt nëse vet Kryeministri Rama, qeveria e tij ose mbështetsit e Kryeministrit shqiptar kudo qofshin ata, janë të vetdijshëm për rreziqet që paraqet një politikë e tillë për interesat politike, ekonomike dhe ushtarake afat shkurta dhe afat gjata, jo vetëm për Shqipërinë por për Kombin shqiptar në përgjithësi.  Kjo politikë, nëqoftse vërtetë vazhdohet të mbrohet kështu deri në marrëveshje përfundimtare me Beogradin, është një politike e rrezikëshme, seriozisht e dëmshme, një kërcënim aktualisht i pranishëm, një politikë që urgjentisht duhet të bërtasë me të madhe për kufizmin e menjëhershëm të kompetencave të Kryeministrit për tu marrë me këtë subjekt, në krye të vet, i vetëm, si një individ, pa u këshilluar me asnjë prej institucioneve të shtetit shqiptar, përfshirë parlamentin – ose e me udhëheqsit legjitim shqiptarë të Repiublikës së Kosovës për të gjetur një gjuhë dhe qëndrim të përbashkët, për një çështje kaq madhore për interesta kombëtare.

Mungesa e këshillimeve në radhët e udhëheqësve shqiptar për një politikë aq me rëndësi për interesat kombëtare, jo vetëm është skandaloze por mund të jetë edhe kriminale ndaj interesave kombëtare. Në shtator të vitit 2018, Kryeministri i Shqipërisë, (SHIKO ARTIKULLIN TIM MË POSHTË, BOTUAR më 24 Shtator, 2018), gjatë një interviste në programin televiziv të Blendi Fevziut, Z. Rama ngarkoi me faj diasporën shqiptare në Amerikë për mungesën e këshillimeve.  “Ku është diaspora shqiptare në Amerikë”, bëri ai një pyetje retorike duke folur për lajmet e atëhershme për “ndryshim kufijsh” midis Serbisë e Kosovës, gjë për të ciën pretendoi se ai nuk ishte këshilluar as informuar nga Prishtina zyrtare.  Një vit më parë, Kryeministri shqiptar bënte thrirrje “për një proces”.  Ku është sot “procesi” për “minishengenin”, Z. Kryeministër?  Cili është Rama i vërtetë?   Ai i vitit të kaluar, a po ky i sodit?  Cila është strategjia kombëtare e platformës tuaj për “minishengenin” ballkanik, Z. Kryeministër” dhe ku janë këshillimet me institucionet përkatëse të dy shteteve shqiptare?  Z. Kryeminsitër, nuk është roli i diasporës shqiptare në Amerikë të përpilojë platforma strategjike kombëtare por e udhëheqësve politikë shqiptarë në të dy anët e kufirit, në konsultim me institucionet përkatëse qeveritare dhe shtetërore të bëjnë një gjë të tillë – sidomos për ëçshtje me rëndësi siç është “minishengeni” ballkanik.  Fatkeqsisht, ju me këshilltarët tuaj po silleni “si një tufë amatorësh që nuk kanë sensin e historisë”, një akuzë kjo që ju ia drejtuat të tjerëve, një vit e ca më parë.

————————————————————————————————-

ÇKA PO NDODHË KËSHTU? KAOS I RËNDË NË POLITIKËN KOMBËTARE

24 Shtator, 2018

Ka disa javë që flitet seriozisht tani për shkëmbime territoresh, ndreqje kufijsh, korrigjim ose për diçka krejtësisht tjetër, midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë, varësisht reagimeve se kush e thotë dhe kur e thotë.  Sot e kësaj dite askush nuk e di dhe askush nuk thotë se si dhe pse, ky subjekt filloi të diskutohej për herë të parë publikisht, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.  Sot, jemi për shkëmbim territoresh, nesër për ndreqje kufijsh, ose diçka tjetër.  Kriza e parë e pas luftës në Kosovë, në nivel kombëtar, i gjen udhëheqësit shqiptarë në Tiranë dhe në Prishtinë, krejtësisht të papërgatitur, të zbuluar, krejt lakuriq para popullit të vet dhe para opinionit botëror, se si të merren me këtë situatë përballë të cilës gjenden, pa asnjë ide dhe pa asnjë strategji politike-kombëtare se si duhet shkuar përpara.  Gjithkush në mendje të vet jep idetë e veta, ose kundërshton idetë e atij tjetrit, pa asnjë marrëveshje ose vizion të përbashkët se si duhet vazhduar.  Presidenti i Kosovës kundër Kryeministrit të Kosovës, opozita kundër pozitës, ndërkohë që Tirana kryesisht hesht.  E njëjta ndodh edhe në Tiranë, pa asnjë politikë bashkërenduese midis forcave politike në Shqipëri dhe as midis Tiranës dhe Prishtinës zyrtare për këtë çështje tejet me rendësi kombëtare. Ekziston pra-një kaos i rëndë mendimesh dhe një mungesë bashkërendimi në politikën kombëtare, për sa u përket interesave afatgjata të Kombit shqiptar, siç mund të vihet re nga debati mbi çështjet e kufirit midis Kosovës dhe Serbisë. Ndërsa dëgjojmë komentet e zyrtarëve të lartë shqiptarë në Prishtinë dhe në Kosovë, është e qartë se në radhët e tyre – në lidhje me këtë çështje – ekziston një hendek i madh, një pështjellim i madh idesh, pa rregull e pa organizim, një gjendje kaotike, të cilës nuk mund i gjendet filli. Kjo gjendje kaotike vihet re nga komunikimet dhe komentet e udhëheqësve të Kosovës, drejtuar prej së largu ndaj njëri tjetrit, mbi shkëmbimin e territoreve ose ndreqjen e kufijve midis Serbisë dhe Kosovës – në një kohë, që ju siguroj, se Serbia është e bashkuar për ato që kërkon dhe çfarë pret si përfundim i këtij procesi, siç duket, i planifikuar mirë dhe i promovuar prej saj prej kohësh, pikërisht, në këtë moment – për qëllimet strategjike afatgjata të Beogradit dhe padronëve të tij rusë, në Kosovë dhe në Ballkan. Në këtë kaos politik kombëtar dhe konfuzioni, fatkeqësisht, bën pjesë edhe Tirana zyrtare, të pakën ky është mendimi im pasi dëgjova pjesë të komenteve të Kryeministrit Edi Rama në emisionin televiziv shqiptar, “Opinion”, para disa ditësh, ku kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se nuk di “asgjë” për këtë çështje, kur u pyet nga gazetari, nëse kishte dijeni se ç’po ndodhte. Pyetjes, nëse “Presidenti Thaçi ju ka informuar për këtë çështje, Kryeministri Rama u përgjigj: “Jo. Kur them jo, them që nuk kam asnjë informacion të detajuar që të më vërë mua në pozicionin, që të kem një pamje të asaj që po zhvillohet dhe të bëj komente.”  Çështja e kufijve të Kosovës, tërësia e saj territoriale, pavarësia dhe sovraniteti i saj si shtet, janë të rëndësishme për të gjithë shqiptarët, e sidomos për Tiranën zyrtare.

Është pak e çuditshme që udhëheqësi shqiptar shprehet, se nuk di gjë për këtë çështje, ndërkohë që përdor një mjet publik të informimit të komunikojë prej së largu në lidhje me këtë temë – ndonëse e vështirë dhe e ndërlikuar – me udhëheqësit e Kosovës, Presidentin Thaçi dhe Kryeministrin Haradinaj, në vend që të takohet me ta, me qëllim që të arrijnë në një qëndrim të përbashkët kombëtar midis tyre, në bashkërendim me aleatët perëndimorë të shqiptarëve, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara dhe Gjermaninë. Ndërkaq, nëpërmjet programit “Opinion”, Z. Rama u bëri thirrje udhëheqësve të Kosovës që për këtë çështje të “krijojnë një proces”, përfshirë edhe një “konsultim me diasporën shqiptare në Amerikë”. “Tani pse nuk shkojnë ta pyesin diasporën shqiptare të Amerikës sot? Ku është diaspora shqiptare e Amerikës? Të gjithë ata kontributorë të pavarësisë së Kosovës, që lanë pasurinë për të blerë armë për Kosovën, sot janë viktima njësoj si ju, s’po fus veten time, që bëjnë diskutime dhe nuk kemi një proces. Ku janë njerëzit që merren me historinë? Që do të thotë, ne na duhet një proces”, është shprehur kryeministri Edi Rama në emisionin “Opinion” në TV Klan. Më herët, Kryeministri Rama kishte pranuar me të drejtë në programin “Open” të televizionit Top Channel se,”Për dialogun Kosovë – Serbi mungon një platformë strategjike kombëtare”. Absolutisht e vërtetë, por kush duhet ta përpilojë këtë strategji, Z. Kryeministër? Kjo duhej të ishte bërë shumë më herët nga Prishtina dhe Tirana zyrtare dhe jo nga “Diaspora në Amerikë”. Ky nuk është roli i diasporës shqiptare, pasi falë nderës Zotit sot i kemi dy shtete shqiptare legjitime, të njohura ndërkombëtarisht, të cilat duhej të kishin përpiluar një strategji kombëtare me kohë, jo vetëm për marrëdhëniet Kosovë-Serbi, por për shumë çështje të interesit kombëtar. Udhëheqësit shqiptarë, në Tiranë dhe në Prishtinë– sipas orekseve të momentit – kanë deklaruar gjysmën e botës si vende strategjike të Shqipërisë dhe të Kosovës, por nuk kanë përpiluar një strategji kombëtare dhe ky nuk është faji i Diasporës shqiptaro-amerikane.

     E vërtetë se Diaspora shqiptare e Amerikës, është këtu, Z. Kryeministër. Sot më pak e organizuar dhe më shumë e përçarë se kurrë, fatkeqësisht, falë edhe politikave zyrtare të Tiranës dhe Prishtinës dhe influencës së tyre në radhët e Diasporës këtu në Shtetet e Bashkuara. Ky proces për një strategji kombëtare për dialogun Kosovë-Serbi, për të cilin me të drejtë ju bëni thirrje dhe që është tepër i nevojshëm, nuk i takon Diasporës shqiptare në Amerikë që ta fillojë, por udhëheqësve legjitimë shqiptarë në Tiranë dhe në Prishtinë, të cilët, falë votës së shqiptarëve, ua kanë besuar atyre fatin e Kombit. Ky moment historik, siç e cilësuat edhe ju Z. Kryeministër, kërkon një bashkim idesh dhe një qëndrim mbarë-shqiptar për bisedimet me Serbinë dhe jo vetëm, ashtu që të mos dukemi para botës, siç u shprehët edhe ju në programin Opinion”, “si një tufë amatorësh që nuk kanë sensin e historisë”. Është një fakt i njohur tanimë, se komuniteti shqiptaro-amerikan, historikisht, ka luajtur dhe duhet të luajë edhe sot rolin që i takon, në mbrojtje të interesave të shqiptarëve në trojet e veta, pranë enteve më të larta qeveritare dhe jo qeveritare, si dhe publikut dhe medias amerikane këtu në Shtetet e Bashkuara. Në të vërtetë, gjatë dekadave – atëherë kur shqiptaro-amerikanët konsideroheshin si “armiq” të Shqipërisë nga regjimi komunist enverist dhe kur Kosova pësoi të këqija e mundime nën fashizmin serb – ky komunitet ka luajtur rolin e ambasadorit më të mirë që mund të kishte kombi shqiptar, duke filluar nga Fan Noli e Faik Konica fillim shekullin e kaluar e deri në kohët moderne. Komuniteti shqiptaro-amerikan, e kishte të qartë misionin e vet gjatë shekullit të kaluar dhe në fillimin e këtij shekulli. Shembjen e komunizmit në Shqipëri, çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës nga zgjedha shekullore serbe, duke siguruar mbështetjen amerikane për të drejtat e shqiptarëve anë e mbanë trojeve të veta në Ballkanin Perëndimor. Me vullnet të mirë dhe pa përzierje dhe ndërhyrje politike, komuniteti shqiptaro-amerikan, sidomos brezi i ri, mund dhe duhet të riangazhohet përsëri në mbrojtje të interesave të kombit shqiptar, ashtu si në të kaluarën jo të largët. Edhe organizimi më efikas i Diasporës shqiptare në Amerikë dhe gjetiu duhet të jetë pjesë e një platforme strategjike kombëtare, që ka përmendur Z. Rama, por diaspora nuk i ka as mjetet, as njerëzit dhe as organizmin për të qenë një nismëtare e një procesi të tillë. Ish-Sekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kerry duke iu drejtuar përfaqësuesve të diasporës në Amerikë, tre vjet më parë, është shprehur se, “Shekulli 21 kërkon një politikë të jashtme më gjithëpërfshirëse. Komunitetet e diasporës janë të parat që mësojnë për një çështje me rëndësi ose krizë në vendet e tyre të lindjes dhe përfaqësuesit e diasporës janë të parët që njoftojnë zyrtarët e lartë të shtetit dhe të qeverisë amerikane”. Këtë fakt e kishte kuptuar më mirë se kushdo tjetër – para tij ose pas tij – Presidenti i parë i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.

Në qoftë se Tirana dhe Prishtina zyrtare dëshirojnë të konsultohen për angazhimin e Diasporës për marrëdhënie më të mira me to, atëherë ndiqni shembullin e marrëdhënieve që gëzonte dikur Ibrahim Rugova me diasporën shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me diasporën në Evropë. Dekadat e viteve ’80 dhe ’90, të shekullit të kaluar konsiderohen si periudha e artë e unitetit të komunitetit shqiptaro-amerikan rreth një kauze të shenjtë dhe një udhëheqësi që kishte besimin dhe respektin, jo vetëm të shqiptaro-amerikanëve pa dallim –por si rrjedhim – Presidenti Rugova siguroi shpejt edhe respektin e zyrtarëve më të lartë amerikanë – si simbol i bashkimit të komunitetit shqiptaro-amerikan rreth kauzës së Kosovës, pa dallime politike, fetare a krahinore. Gjatë krizës në Kosovë, influenca e komunitetit shqiptaro-amerikan në Uashington konsiderohej si më e fuqishmja pas Izraelit. Kjo, fatkeqësisht, nuk është më! Lobimi i fuqishëm i shqiptarëve të Amerikës në Uashington gjatë viteve ’80 dhe ’90, si dhe në fillim-shekullin e ri në të cilin jemi, është zëvendësuar tashti me pagesa jo transparente ose gjysmë transparente, prej qindra mijëra dollarësh, dhënë kompanive lobiste amerikane nga udhëheqësit qeveritarë e partiakë të Tiranës dhe Prishtinës zyrtare, vetëm për të siguruar ndonjë fotografi individuale me ndonjërin prej presidentëve amerikanë, për t’u përdorur për qëllime elektorale në vend.

Nevojitet pra një angazhim më i madh e më serioz se kaq, për një partneritet të vërtetë alla-Rugovian me Diasporën shqiptare, pasi përpjekjet e deritanishme për të organizuar më mirë Diasporën shqiptare në përgjithësi, kanë dështuar, me gjithë krijimin e Ministrive të Diasporës në Tiranë dhe në Prishtinë. Roli dhe angazhimi i Diasporës shqiptare, në Amerikë dhe në Evropë është jetik, sidomos në fushën e politikës së jashtme, jo vetëm për përforcimin e marrëdhënieve me shtetet mike siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Aleancës Euro-Atlantike, por edhe për fatin dhe mirëvajtjen afatshkurtër dhe afatgjatë të Shqipërisë, të Kosovës dhe të mbarë kombit shqiptar. Konsultimet e Tiranës dhe të Prishtinës zyrtare me Diasporën shqiptare në Shtetet e Bashkuara do të ishin në rregull, por Diaspora shqiptare në Amerikë nuk e ka shkaktuar kaosin aktual në politikën kombëtare shqiptare dhe nuk është e drejtë që tani t’i kërkohet asaj ndihmë që t’ia gjejë fillin. Dikur kjo Diasporë ishte shumë efektive në ekspozimin – para Washingtonit zyrtar dhe popullit amerikan – të krimeve dhe shkeljeve të drejtave të bashkëkombësve tanë, anë e mbanë trojeve shqiptare, nga fqinjët djallëzorë, por është tepër e vështirë për diasporën, që para miqve tanë amerikanë të drejtojmë gishtin e akuzës ndaj Tiranës dhe Prishtinës zyrtare dhe t’i identifikojmë ata si fajtorë të gjendjes aktuale kaotike kombëtare e politike në trojet tona, përfshirë mungesën e një strategjie kombëtare në bisedimet me Serbinë dhe më gjerë.

Filed Under: Politike Tagged With: Diaspora ne SHBA, Frank shkreli

“UNË KAM TË DREJTË E TI JE IDIOT” -VDEKJA E DISKURSIT PUBLIK NË BOTËN SHQIPTARE

April 15, 2019 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Thuhet se politika është fusha ku fillon e ku diskursi publik helmohet dhe vdes një herë e mirë.  Mënyra se si zhvillohet debati politik dhe jo vetëm politik, por debati publik në përgjithësi në botën shqiptare, lë të kuptosh se jo vetëm që atmosfera e diskursit publik është helmuar, por në të vërtetë, debati publik — në kuptimin e vërtetë të fjalës — ka vdekur.  Kjo vdekje e debatit publik që ka filluar me përfaqsuesit e politikës, nuk mbaron tek politika, por ka përfshirë tani mbarë shoqërinë shqiptare, ndërkohë që atmosfera e debatit publik është e helmuar – kur me qëllim për të shtypur kundërshtarin – jo vetëm politikani ngrihet kundër politikanit, por edhe shkrimtari kundër shkrimtarit, gazetari kundër gazetarit, opinionisti kundër opinionistit, avokati kundër avokatit, mjeku kundër mjekut, e ashtu me radhë.  Duket sikur shoqëria shqiptare po përjeton një konflikt të përherëshëm mbijetese.  Madje edhe emërat më të njohur të kulturës dhe letrave të Kombit, janë çuar peshë kundër njëri tjetërit, në vend që të jenë shembull i një debati normal politik e publik në pëgjithësi. Një shembull që do ti shërbente zgidhjes së problemeve më të mëdha dhe të shumta me të cilat përballet Kombi shqiptar.  Fatkeqësisht, në të gjithë këtë atmosferë të një debati publik të helmuar, viktima e parë e këtij diskursi të dështuar politik është gjithmonë e VËRTETA.  

Shkas për këtë shënim u bë një lajm që lexova të hënën në mengjes në shtypin shqiptar, sipas të cilit, numri dy i qeverisë së Tiranës, Zëvendës Kryeministri i Shqipërisë, Erion Braçe në një status të postuar në internet, e cilësoi kundërshtarin e tij politik dhe kryetarin e opozitës, Lulzim Bashën si, “idiotin e Tiranës”.   Pa dashur të futem në polemikë me njërën ose tjetrën palë, ky karakterizim i Erion Braçes drejtuar Lulzim Bashës, më kujtoi titullin e një libri nga autori amerikan James Hoggan: “I’m Right and You’re an Idiot”, (“Unë kam të drejtë e ti je idiot”).

Më kujtoi gjithashtu protestat në Francë të disa muajve të fundit dhe mënyrën me të cilën qeveria dhe shoqëria franceze, në përgjithësi, kanë reaguar ndaj kërkesave të protestuesve.  Si përfundim i protestave dhe pakënaqësive të shprehura rrugëve të Parisit, Presidenti Macron kishte ndërmarrë më heret një fushatë për të dëgjuar ankesat e francezëve anë e mbanë vendit, duke u takuar me kryetarët e bashkive dhe përfaqsues të tjerë të shoqërisë, për tu informuar më mire, për hallet e tyre.  Si pjesë e kësaj fushate, Presidenti francez kishte në plan të mbante mbrëmë një fjalim drejtuar kombit për të njoftuar një sërë ndryshimesh politike që ka në plan të ndërmarrë qeveria e tij, bazuar në reagimet që kishte dëgjuar gjatë konsultimeve me publikun dhe në kërkesat e protestsuesve.  Me fjalë të tjera, gjatë një periudhe dy mujore diskursi normal me publikun, janë realizuar rreth 10.000 debate anë e mbanë vendit dhe janë numëruar pothuaj dy milionë reagime në internet, sipas agjencisë franceze të lajmeve, AFP, të gjitha këto në lidhje me kërkesat dhe në përpjekje për të pasur një ide më të mirë për shqetësimet dhe për problemet me të cilat përballet Franca.

Nuk është e qartë nëse masat që do njoftoi Presidenti francez, Macron, si përgjigje ndaj kërkesave të protestuesve, do të shuajnë protestat e francezëve, por përpjekjet e tija për të dëgjuar edhe zërat kundërshtarë, tregon mënyrën se si, në një shoqëri normale, duhen trajtuar kërkesat dhe pakënaqsitë e popullit, pas protestave të gjata dhe të vazhdueshme.  Agjencia e lajmeve, AFP, njofton se të pakën nga këndveshtrimi i pjesëmarrjes, debati politik i nxitur nga qeveria duket se, kryesisht, doli me sukses, ndonëse përfundimi mbetet për tu parë, pasi të Presidenti Macron të ketë njoftuar masat e qeverisë për daljen e vendit nga ky qorrsokak.

Edhe në Shqipëri kanë vazhduar protestat ndaj qeverisë, por në vend që të pakën të ketë një diskurs normal politik, për të dëgjuar shqetësimet e të gjitha palëve,  përfshirë edhe opozitën politike, ashtu siç ndodhi në Francë dhe në vende të tjera që përballen me situata të tilla – në Shqipërinë tonë ndodhë e kundërta.  Të dy palët, kundërshtojnë dialogun pasi në krye me udhëheqsit e tyre partiakë, janë ngujuar në llogoret e veta politike dhe sulmojnë njëra tjetrën me fjalët më të fëlliqta të fjalorit të gjuhës shqipe.  Ndonëse të dy palët janë shqiptare, janë përfaqsues dhe si të tillë edhe përgjegjës për fatin e të gjithë shqiptarëve dhe jo vetëm të atyre që përfaqëson partia e tyre — prap se prap — sjelljet e tyre lënë të kuptosh se kjo klasë politike, as si shqiptarë dhe as si politikanë, sikur nuk kanë gjë të përbashkët me njëri tjetrin, sidomos kur është fjala për interesat madhore të Kombit dhe të mirëqenjes së  përditshme të qytetarëve.  Në vend që të përpiqen të zgjidhin ose të pakën të minimizojnë konfliktet, politikanët shqiptarë, me veprat dhe sidomos me fjalët e tyre, duket se po e keqësojnë edhe më shumë situatën, në vend që ta përmirësojnë dhe më në fund ta zgjidhin dhe që qytetarët të vazhdojnë jetën normale.

Por le t’i kethehemi librit, “Unë kam të drejtë e ti je idiot”, të autorit James Hoggan: autori përpiqet të kuptoj se si dhe pse njerëz normal që konsiderohen krejtsisht të arsyeshëm, mbrojnë me këmbëngulje qëndrime krejtësisht të pa arsyeshme, duke e këthyer diskursin politik në një debat absolutisht të urrejtshëm ndaj kundërshtarëve politikë.  Libri në të vërtetë është një forum mendimtarësh të njohur botërorë, të cilët eksplorojnë historinë dhe psikologjinë e diskursit politik dhe të metodave për tejkalimin e pengesave për një debat dhe komunkimin të vërtetë midis palëve me qëndrime të ndryshme.  Si i tillë, ky libër është një vepër që, detyrimisht, duehj të lexohej nga politikanët si dhe nga mbështetsit dhe praktikuesit e një debati të mirëfiltë politikë, kudo.

Autori Hoggan shkruan se, “Objektivi diskursit të mirëfilltë politik e publik është që të inkurajohet pjesëmarrja dhe të zbardhet e vërteta dhe jo çkurajimi i opozitës ose që qellimisht t’u jepet një goditje shkatërrimtare kundërshtarëve”.   Debati i sotëm publik, sipas tij, është një ndotje që në të vërtetë saboton dhe diskrediton diskursin e vërtetë politik, polarizon njerëzit dhe i pengon ata që të mendojnë qartë.

Sulmet kundër karakterit të kundërshtarëve, në vend që të përqëndrohen tek çështjet të një interesi dhe rëndësie të përgjithëshme, në të vërtetë, largojnë vëmendjen e publikut nga problemet aktuale të vendit, shkruan autori James Hoggan.  “Kur qendrimet ekstreme të palëve përcaktojnë çështjet me rëndësi të debatit publik, atëherë problemet duken të pazgjidhëshme dhe qytetarët humbasin interesimin e tyre në proceset politike” të vendit, duke mos marrë pjesë aktive në politikë, shkruan Debra Tannen, njëra prej kontribueseve të librit të autorit James Hoggan, “Unë kam të Drejtë e ti je idiot”. 

Autori merr frymëzim nga murgu dhe aktivisti i paqës, budisti vjetnamez Thich Nhat Hanh, i cili ka thënë: “Thuaj të vërtetën, por jo me qëllim për të ndëshkruar”, kundërshtarin.  Prandaj, nuk do të thotë se njerëzit që nuk janë dakort me ne, kanë qëllime të këqia ndaj nesh.  Si të tillë, ata nuk janë as idiotë as njerëz të këqi, është shprehur autori i librit “Unë kam të drejtë e ti je idiot”, James Hoggan.

Në fund, unë do i pyesja këta protagonistët shqiptarë, të cilët ndaj njëri tjetrit përdorin fjalët më të ndyra në fjalorin e gjuhës shqipe, përfshirë idiot – se në mungesë të një diskursi të mirëfilltë politik dhe publik dhe në përgjithësi objektiv, që respekton dhe toleron pikëpamjet e kundërshtarit – si mendojnë të zgjidhin problemet e mëdha dhe gjëndjen e vështirë në të cilën e kanë hedhur vendin?  Ashtu si edhe në Francë, shpresoj që zërat e arsyes të bëjnë thirrje dhe të angazhohen për një Debat të Madh Kombëtar, për një përpjekje për të dalë nga ky qorrsokak.

Shpresoj që për të dalur nga kjo gjëndje e krijuar, të ketë një reflektim të thellë, jo vetëm personal dhe politik por edhe kombëtar nga ana e tyre — dhe të bëjnë një gjë të tillë duke mënjanuar armiqësitë dhe antagonizmat politike dhe partiake ndaj njëri tjetrit, me modesti dhe me respekt ndaj nevojës së madhe për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta me të cilat përballen bashkatdhetarët vet, të cilët mund të kenë mendime të ndryshme për situatën në vend — ndoshta edhe prej një kundërshtari politik — por armiq nuk janë! 

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Frank shkreli

ZGJEDHJET E PARA PLURALISTE NË SHQIPËRI 28 VJETË MË PARË DHE REALITETI I SOTËM POLITIK

April 10, 2019 by dgreca

Nga Frank SHKRELI/

Dje dhe pardje në Tiranë qëndroi Zëvendës Ndihmësi i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, ku zhvilloi takime me udhëheqësit më të lartë zyrtarë të vendit si dhe me kryetarët e opozitës politike shqiptare. Sipas lajmeve, në këto takime thuhet, se u bisedua mbi një numër çështjesh që kanë të bëjnë me krizën serioze aktuale politike në Shqipëri. Njoftohet gjithashtu se zyrtari i lartë amerikan të ketë biseduar me elitën politike shqiptare edhe për një dialog të mundshëm midis qeverisë dhe opozitës shqiptare edhe mbi subjektin aq të përfolur gjatë këtyre 28-viteve të bisedimeve shqiptaro-amerikane, reforma zgjedhore.

Ishte mars/prilli i vitit 1991. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kishin rivendosur marrëdhëniet diplomatike, më 15 mars të atij viti, kur u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit midis Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Z. Muhamet Kapllanit dhe Ndihmës/Sekretarit Amerikan të Shtetit, Z. Raymond Seitz. Ashtu si edhe në vitin 1945, kur Enver Hoxha dëboi delegacionin amerikan nga Shqipëria për këtë arsye, Shtetet e Bashkuara kishin kushtëzuar rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë, ndër të tjera, edhe me mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme në Shqipëri.

Menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Uashingtonit dhe Tiranës, më 15 mars, Departamenti Amerikan i Shtetit vendosi që të dërgonte sa më shpejt një delegacion diplomatik në Shqipëri për të hapur ambasadën e re dhe njëkohësisht për të shërbyer si monitorues në zgjedhjet e para pluraliste, që ishin në plan të mbaheshin në Shqipëri, më 31 mars, 1991. Një delegacion i përbërë nga katër veta dhe i kryesuar nga ambasadori David Swartz, arriti në Tiranë, një javë pas nënshkrimit të Memorandumit dhe një javë para mbajtjes së zgjedhjeve, duke u bërë kështu misioni i parë diplomatik amerikan që vizitonte Shqipërinë, që prej vitit 1946. Zgjedhjet e 31 marsit, 1991 u konsideruan si hapi i parë drejt liberalizimit politik dhe ekonomik të Shqipërisë, si dhe drejt hapjes së vendit ndaj botës, por edhe si mundësia për vendosjen e një procesi të demokratizimit të jetës në vend, pas izolimit komunist të vet-imponuar, prej pothuaj 50-vjetësh të vendit.

E kujtoj këtë histori, ndoshta në një përpjekje të pasuksesshme, për të venë në dukje se problemet aktuale politike në përgjithësi dhe reforma e procesit të zgjedhjeve në veçanti, i kanë rrënjët pikërisht tek zgjedhjet e para pluraliste post-komuniste në Shqipëri dhe se nuk ndryshojnë shumë nga ajo kohë. Ashtu si edhe gjatë 28-viteve të fundit post-komunizëm, procesi i zgjedhjeve të para “pluraliste” në Shqipëri në mars të vitit 1991, nuk ishte as i lirë dhe as i ndershëm. Në atë kohë, Partia e Punës gëzonte një monopol absolut mbi mjetet e komunikimit dhe median, ndërkohë që partitë e opozitës ankoheshin se nuk kishin pasur kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur për zgjedhjet, pasi nuk kishin as mjetet dhe as përvojën e nevojshme për t’u përballur me Partinë e Punës që i kishte rrënjët thellë në shoqërinë shqiptare. Në të vërtetë, nga vizitat që bënim tek qendra e Partisë Demokratike dhe tek ajo e Partisë Republikane – që ishin dy partitë kryesore të opozitës – në Tiranë si edhe në zyrat e tyre në rrethe, shihej konfuzioni i tyre, për të mos thënë se mbizotëronte një kaos i vërtetë, falë mungesës së përvojës për të organizuar një fushatë, sidomos kundër një partie që kishte kontrolluar dhe penetruar çdo aspekt të jetës së shqiptarëve, për pothuaj një gjysmë shekulli.

Ndryshe nga monitoruesit evropianë, 3 delegacionet monitoruese amerikane – përfshirë atë të Departamentit Amerikan të Shtetit – refuzuan t’i cilësonin zgjedhjet e para “pluraliste” në Shqipëri, si të drejta e të lira. Një prej tyre, Instituti Kombëtar Republikan ka thënë në raportin e tij se, “Fushata e zgjedhjeve në Shqipëri nuk mund të karakterizohej as si e drejtë dhe as e lirë”. Delegacioni tjetër amerikan monitorues, ishte Komisioni Amerikan i Helsinkit. Departamenti Amerikan i Shtetit, nëpërmjet zëdhënëses Margareth Tutwiler në atë kohë, me një deklaratë më 3 prill, 1991, informonte median amerikane se, “Duke u bazuar në raportet e monitoruesve amerikanë dhe ndërkombëtarë, duket se procesi elektoral kishte mangësi serioze në disa fusha me rëndësi të standardeve të OSBE-së, për zgjedhje të drejta dhe të lira”. Ish-Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, duke iu referuar Shqipërisë si një vend pa përvojë demokratike, kishte theksuar me atë rast se, “Tani është në dorë të të gjithë elementëve të shoqërisë shqiptare për të mbështetur që sistemi i ri pluralist të funksionojë në mënyrë efektive”, duke thënë se: “Partia e shumicës duhet të respektojë plotësisht të drejtat e partive më të vogla”. Ajo kishte përfunduar deklaratën e saj duke ofruar angazhimin e Shteteve të Bashkuara se Washingtoni, “Do të mbështeste vendosmërisht parimet e demokracisë në Shqipëri, si edhe ata që veprojnë për të ndërtuar demokracinë dhe për të mbrojtur të drejtat e njeriut”, ishte deklarata e para 28 vjetëve e zëdhënëses së Departamentit Amerikan të Shtetit, pas zgjedhjeve të para pluraliste në Shqipëri, më 31 mars 1991.

Reforma zgjedhore vazhdon të jetë një problem kyç i politikës shqiptare. Tiranë.

15 prill, 2019, Zëvendës Ndihmësi i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Matthew Palmer në një intervistë me një grup gazetarësh të rinj, sipas portalit të ambasadës amerikane në Tiranë, tha këto mbi procesin dhe mundësinë e reformave zgjedhore në Shqipëri:

“Nëse ka një mundësi për dialog me qeverinë mbi reformat zgjedhore, mendoj se ata duhet ta ndjekin këtë mundësi. Reformat zgjedhore janë të rëndësishme në Shqipëri, jo si një mjet për të tejkaluar “krizën” aktuale apo ngërçin aktual, por sepse janë të rëndësishme për demokracinë shqiptare. OSBE-ja ka përcaktuar një sërë synimesh dhe objektivash për atë proces reformash, do të jetë e rëndësishme për aspiratat evropiane të Shqipërisë që reformat zgjedhore të përfundohen”, ka deklaruar zyrtari i lartë amerikan, gjatë vizitës së tij në Tiranë dy ditë më parë.

Është pra i njëjti mesazh sot nga Washingtoni, si ai 28-vjet më parë, për një proces të drejtë e të lirë zgjedhjesh në Shqipëri ashtu siç ishte edhe thirrja e Shteteve të Bashkuara me rastin e zgjedhjeve të para “pluraliste” të vitit 1991, “Për zgjedhje të drejta e të lira” dhe që “Partia e shumicës duhet të respektojë plotësisht të drejtat e partive më të vogla”. Shtetet e Bashkuara, si atëherë ashtu edhe sot, kanë shprehur vazhdimisht mbështetjen e fuqishme për parimet e vërteta të demokracisë në Shqipëri dhe ata të cilët me të vërtetë punojnë seriozisht për të vendosur lirinë dhe demokracinë e vërtetë dhe respektimin e të drejtave të njeriut për të gjithë. Ashtu si edhe atëherë edhe sot është në dorë të të gjithë sektorëve të shoqërisë shqiptare – por mbi të gjitha të klasës politike shqiptare – që të japin ndihmesën e tyre për krijimin e një sistemi efektiv dhe me të vërtetë funksional dhe pluralist, i cili do të garantojë njëherë e mirë mbajtjen e zgjedhjeve të drejta e të lira, bazuar në standardet ndërkombëtare.

Në vitin 1991, Partia e Punës doli në zgjedhje me grupe dhe organizata që ishin të krijuara prej saj, si Fronti Demokratik, Lidhja e Grave, Lidhja e Sindikatave, Komiteti Kombëtar i Veteranëve, Bashkimi i Rinisë dhe Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve. Së bashku me këto grupe, Partia e Punës në ato zgjedhje siguroi 162 vende në Kuvendin prej 250 vendesh, ndërkohë që Partia Demokratike fitoi vetëm 65 vende në parlamentin e asaj kohe. Sot, përflitet se Kryeministri Rama ka në mend të shkojë në zgjedhje me “parti të reja të opozitës”, pas djegies së mandateve të Partisë Demokratike. Shpresojmë që “partitë e reja të opozitës”, të mos jenë si Fronti Demokratik i zgjedhjeve të para “pluraliste”, të vitit 1991.

Thonë se sa më shumë të ndryshojnë gjërat, aq më shumë mbeten të njëjta, në themel. Por në të vërtetë ka një ndryshim: Shqiptarët e vitit 1991 kishin shpresë për një jetë më të mirë pas shembjes së Murit të Berlinit. Nuk jam i sigurt, nëse kjo shpresë, për një të ardhme më të mire, vazhdon të jetë e tillë sot. Shpresat e mia për ndryshime themelore në trojet shqiptare, fatkeqësisht, sa vijnë e veniten me kalimin e viteve, jo vetëm për reformën zgjedhore por në përgjithësi. Por ajo shpresë që mbetet ende për një FILLIM TË RI, “se pas dimrit vjen një verë…” vazhdon të jetë me shqiptarët e një brezi tjetër të lodhur, e të cilët presin për 28 vjet për një jetë më të mirë për veten dhe familjet e tyre, pra, me ata, “Të arratisur, syrgjynosur, rraskapitur dhe katosur”, të cilët, “Po vajtonj pa funt, pa shpresë”, duke kënduar së bashku me Nolin:

…Se mileti po gatitet,
Se tirani lebetitet,
Se pëlcet, kërcet furtuna,
Fryhet Vjosa, derdhet Buna,
Skuqet Semani dhe Drini,
Dridhet beu dhe zengjini,
Se pas vdekjes ndriti jeta
Dhe kudo gjëmon trumbeta.
Ngrehuni dhe bjeruni,
Korrini dhe shtypini,
Katundar’ e punëtorë,
Që nga Shkodra gjer në Vlorë!


Ky ilaç e ky kushtrim
më bën djal’ e më bën trim,
më jep forc’ e më jep shpresë,
anës Elbë-s, anës Spree-së.


Se pas dimrit vjen një verë,
që do kthehemi njëherë,
pranë vatrës, pranë punës,
Anës Vjosës, anës Bunës
. (“Anës Lumenjve”, nga Fan Noli)

*Autori ka qenë anëtar i delegacionit të parë të Departamentit Amerikan të Shtetit në Shqipëri dhe monitorues i zgjedhjeve të para “pluraliste” në atë vend, në Mars/Prill 1991.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 58
  • 59
  • 60
  • 61
  • 62
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT