• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

OFENSIVA MEDIATIKE NDËRKOMBËTARE E KINËS KUNDËR LIRISË SË SHTYPIT NË BOTË

April 3, 2019 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Derdhja e miliarda dollarëve në investime të ndryshme, përfshirë infrastrukturën nga Kina në kontinentin evropian dhe anë e mbanë botës gjatë viteve të fundit, nuk është asgjë e re.  Qeveri dhe media të ndryshme anë e mbanë Evropës dhe këtu në Amerikë kanë folur dhe kanë raportuar për këtë fenomen gjatë viteve të fundit. Por, deri tani është ditur pak në lidhje me një ofensivë tjetër ndërkombëtare kineze – që paralelisht me të parën, me investimet ekonomike pra, anë e mbanë botës, që nepërmjet kontrollimit të medias, ka për qëllim të influencojë Evropën dhe botën, në përfitim të interesave të Kinës. 

Reporterët pa Kufijë ose “Reporters Sans Frontiers” (RSF), është një organizatë ndërkombëtare jo-qeveritare dhe jo fitim-prurëse, me qendër në Paris, mbështetëse e lirisë së fjalës dhe të lirisë së shtypit në përgjithësi, anë e mbanë botës.  Kohët e fundit, kjo organizatë ka botuar një raport me titull: “Përpjekjet e Kinës për një rend të ri mediatik në botë”, në të cilin pasqyrohet politika kineze dhe shpenzimet marramendëse që ka ndërmarrë Pekini në ofensivën e tij, për të influencuar botën me pikpamjet e tij.  

Në raportin prej 50-faqesh të organizatës “Reporters Sans Frontiers” thuhet se gjatë 10-viteve të fundit, Kina ka ndërmarrë përpjekje të mëdha për të vën nën kontrollin e Pekinit atë që cilësohet si një “Rend i ri mediatik botëror”, me qëllim për të parandaluar kritikat e medias botërore ndaj regjimit kinez.  Organizata për mbrojtjen e shtypit dhe të fjalës së lirë me qëndër në Paris e cilëson projektin e Kinës si një, “kërcënim ndaj lirisë së shtypit anë e mbanë botës.”

Kina, sipas indeksit të “Reporters Sans Frontiers” mbi lirinë e shtypit në botë, zë vendin e 176 nga 180 vende që pasqyrohen në atë indeks.  Shqetësimi lind nga fakti se Kina, ndërkohë që ka ndërmarrë këtë ofensivë, konsiderohet njëkohësisht nga organizatat për mbrojtjen e lirisë së shtypit në botë, si vendi që ka burgosur numrin më të madh të gazetarëve.  Sipas RSF, Pekini ka burgosur me dyzina gazetarë dhe “bllogera”, vetëm e vetëm, se kanë botuar lajme dhe informacione të censuruara zyrtarisht nga Partia Komuniste Kineze.  Për më tepër, thuhet në raport, nepërmjet një sistemi shumë të sofistikuar censure dhe propagande, Kina kufizon përhapjen e lajmeve dhe të informaconit për 800-milionë kinezët që aktualisht përdorin internetin, ndërsa një sistem shumë i sofistikuar përgjimi e kontrolli, kufizon edhe më shumë mundësinë e kinezëve për tu informuar lirisht.

Në parathënien e raportit thuhet se “Presidenti i Kinës, Xi Jingping nuk e fsheh faktin se është armik i demokracisë, i vlerave universale, i të drejtave të njeriut dhe i lirisë së shtypit.”  Sipas mendimit të udhëheqsit kinez, thuhet në raport, detyra e gazetarëve është që të përhapin propagandën e Partisë dhe “të lidhen ngusht me udhëheqsinë e Partisë, në mendime, në politikë dhe në veprim.”

                                   

Gjatë fushatës së tij të egër kundër gazetarëve dhe “bllogerëve” kinezë pesë vitet e fundit, Presidenti i Kinës, Xi, sipas organizatës “Reporters Sans Frontiers”, “Ja ka arrijtur të imponojë vizionin e tij totalitar brenda vendit të tij dhe tani po përpiqet që këtë vizion totalitar ta eskportojë përtej kufijve të Kinës.”

Organizata franceze RSF thekson se gjatë dekadës së fundit, Kina ka bërë përpjekje aktive për të vendosur një “rend të ri mediatik botëror”, nën kontrollin e saj, një rend nën të cilin gazetarët nuk janë asgjë tjetër veçse ndihmës të propagandës shtetërore.  Thuhet se pjesë e këtyre përpjekjeve propagandistike janë modernizimi i transmetimeve të saj televizive ndërkombëtare, investimet në media të huaja, blerja masive e reklamave në faqet e mediave ndërkombëtare dhe ftesa që Pekini zyrtar u bën gazetarëve nga mbarë bota për të vizituar Kinën, duke marrë përsipër të gjitha shpenzimet e tyre.  Sipas këtij raporti Kina aktualisht shpenzon 1.3 miliardë euro në vit me qëllim të përhapjes së propagandës së saj anë e mbanë botës.  

Regjimi kinez madje organizon edhe takime ndërkombëtare si një mënyrë tjetër për të promovuar vizionin e tij shtypës ndaj lirisë së fjalës dhe modelit të tij se si duhet të funksionojë media, nënvijohet më tej.   Raporti “Reporters Sans Frontiers” thekson gjithashtu se Kina edhe nepërmjet ambasadave të veta dhe instituteve Konfucius nuk hesiton më që të sulmojë dhe të frikësojë gazetarët me qëllim që të imponojë një “fjalor ideologjikisht korrekt” për të fshehur “kapitujt e errët” të historisë së saj.  Në raport thuhet se ambasadorët kinezë shpesh ankohen se një artikull ose një tjetër në median vendase, “ka lënduar ndjenjat e 1.4 miliard kinezëve”, një ekzagjerim i tepëruar ky, sipas raportit të RSF, pasi 97 % e 800-milionë kinezve që përdorin internetin, nuk mund të lexojnë shtypin e huaj, pikërisht për shkak të censurës së imponuar të regjimit kinez mbi popullin e vet.

Kjo ofensivë kineze kundër lirisë së shtypit dhe të fjalës – e cila sipas raportit të organizatës franceze për mbrojtjen e gazetarëve, RSF – është ende vështirë t’i dihen përmasat e saja – përbën jo vetëm një kërcënim ndaj lirisë së medias, por edhe ndaj demokracive në përgjithësi.  Në raportin në fjalë,  paralajmërohet se nëqoftse vendet demokratike nuk rezistojnë këto masa të Pekinit, atëherë qytetarët kinezë do të humbasin të gjitha shpresat se vendi i tyre do të ketë ndonjëherë liri të shtypit, ndërkohë që stili propagandistik kinez do të konkurojë me gazetarinë e mirëfilltë që njohim ne, që nuk jetojmë në Kinë — duke kërcënuar dhe rrezikuar kështu mundësitë e qytetarëve kudo që të zgjedhin vet fatin e tyre. 

Tani, mund të ketë njerëz që thonë seçfarë të keqe kanë investimet kineze madje edhe fushata e Pekinit kundër lirisë së fjalës dhe në favor të një “rendi të ri botëror të medias” të stilit propagandistik kinez.  Për ata, të cilët nuk vlerësojnë lirinë e medias dhe fjalën e lirë në shoqërinë ku jetojnë, s’ka kurrfarë rëndësie.  Por, për ata që besojnë në lirinë e shtypit dhe të fjalës së lirë unë u them: mos mendoni se këto investime të Kinës kryesisht me qëllim propagandistik, si në fushën ekonomike ashtu edhe në atë mediatike — Pekini po i bën për interesat e Evropës ose të botës, përfshirë Ballkanin Perëndimor.  Jo, e bën për interesat e veta, në dëm të tjerëve dhe aspak me qëllime të mira.  Rreziku nga flirtime të tilla nga udhëheqsit aktualë është se siç kemi venë re gjatë këtyre viteve, modeli i korruptuar autokratik i llojit putinist, erdoganist ose ai i tipit kinez, po bëhen gjithnjë më të pranueshëm, sidomos në radhët e disa udhëheqësve aktualë autokratikë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën. Kjo lojë që po luhet atje, nuk është vetëm çështje parash, investimesh e financash;  madje as influencash, por ka të bëjë me çështje më me rëndësi, siç janë me vlerat njerëzore. Ka të bëjë me vlerat dhe me të drejtat bazë të njeriut, përfshirë lirinë e shtypit dhe lirinë e fjalës — ashtu siç pasqyrohen në Deklaratën Universale mbi të Drejtat e Njeriut.  30-vjet pas shëmbjes së komunizmit zyrtar – lind pyetja se cili është interesi parësor i udhëheqësve të këtyre vendeve: a kanë në mend të ndërtojnë shoqëri me modele ekonomike dhe politike të tipit demokratik perëndimor që funksionojnë në bazë të sundimit të ligjit, apo të përqafojnë modelet korruptive politiko-ekonomike të autokratëve si Putini, Xi ose Erdogan? 

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli

70-VJET MË PARË NDËRROI JETË NËN TORTURA; BARIU I KATOLIKËVE DHE ENGJËLLI I MYSLIMANËVE

March 21, 2019 by dgreca

Nga Frank Shkreli

 “Simboli i të së kaluemës së Shqipënisë me të cilin ne mburremi”!  Kështu e kishte cilësuar Profesor Arshi Pipa Imzot Vinçenc Prenushin, në një ese të gjatë me titull, “Kujtime mbi Vinçenc Prenushin”, prelatin e Kishës Katolike Shqiptare, të cilin e kujtojmë këtë muaj me rastin e 70-vjetorit të vdekjes nën tortura, si “armik i popullit” në burgun e Durrësit, në Mars të vitit 1949.  Arshi Pipa kujtonte ditët në burgun e regjimit komunist në Durrës me mikun dhe bashkvuajtësin e tij, me atdhetarin dhe njeriun e kulturës shqiptare dhe me martirin e Kishës Katolike, duke rrëfyer se si me duart e tija ia kishte “mbyllur sytë, sytë e lodhur e të shterrur”, kur dha shpirt, klerikut të lartë katolik shqiptar, por njëkohsisht edhe të shkrimtarit, poetit, përkthyesit, publicistit dhe një studiuesi të rëndësishëm.  Albanologu Robert Elsie e rendit Vinçenc Prenushin, pas At Gjergj Fishtës dhe Dom Ndre Mjedës, si njërin prej shkrimtarëve më të vjetër dhe më të respektuar të Shkodrës dhe të letërsisë shqiptare.  I njohur dhe shumë i respektuar në kohën e tij, si nga të krishterët ashtu edhe nga myslimanët, të cilët e quanin Imzot Prenushin “melek” që do të thotë “engjëll”, për respektin që ai gëzonte në mbarë shoqërinë shqiptare në kohën kur jetoi.    

Gjatë viteve në burg pas ardhjes së komunizimit në pushtet, si kundërshtar i regjimit komunist të Enver Hoxhës, Prof. Arshi Pipa ishte njoftuar dhe kishte lidhje dhe miqësi të ngushta me përfaqësues të lartë të klerit katolik, bashkvuajtës me ‘ta, në birucat  e tmershme të burgjeve komuniste – aty ku të gjithë ata që kundërshtonin regjimin komunist vuajtën ”mundimet e territ” — përfshirë ndër ta edhe Ipeshkvin Vinçenc Prenushin, për të cilin Arshiu shkruan se përveç se pasqyronte shumë vlera dhe virtyte, “Ishte i butë në shpirt, e i paqë, thellë i devotçëm, i kushtuem kryekëput misjonit të vet kishtar, në kuadrin e të cilit dinte me pajtue – me një urtësi të bindshme – dashuninë e vet për Atdheun dhe shijen e tij për letërsinë.”  Pipa përshkruan Vinçenc Prenushin si një njeri të cilin nuk e interesonte aspak politika, por që ishte gjithmonë i buzqeshur në të folur, zemërgjërë në gjykime, i qetë e i sigurt në qëndrimet e tija të patundura.

Në esenë klasike, “Kujtime mbi Vinçenc Prendushin”, Arshi Pipa vë në dukje vuajtjet dhe mundimet, por edhe vlerat kombëtare, njerëzore dhe letrare të Vinçenc Prenushit, duke thekësuar se, “Dinjiteti kishtar i Vinçenc Prenushit, i kombinuem me vlerën e tij letrare dhe i kqyrun nën prizmën e patriotizmës shqiptare, i jep fëtyrës së tij nji randësi madhore në radhët e përfaqësuesve të Kombit.”   Pipa shkruan se si udhëheqës i lartë i Kishës Katolike dhe si njëri nga përfaqsuesit e letërsisë kombëtare, “Imzot Prenushi nuk do t’a kishte të gjatë me komunizmin, i cili ashtë, në të njajtën kohë, jo vetëm kundër fesë, por edhe kombësisë.”

Ndryshe nga persekutorët e tij komunistë, Pipa shkruan se jeta e Imzot Prenushit ishte “një jetë e panjollë”, në shërbim të disa prej idealeve më të shënjta njerëzore, siç janë Atdheu, arti dhe feja.   Si i tillë, ai nuk mund të ndiqte diktatorin dhe idelogjinë e tij komuniste antifetare dhe anti-kombëtare.   Profesor Pipa rrëfen një bisedë që ka pasur me Prenushin gjatë të cilës prelati i lartë kishtar i kishte folur për një takim të tij me Enver Hoxhën, i ftuar nga diktatori me qëllim për t’i imponuar pikëpamjet komuniste të tija ndaj fesë.  Ndonëse Enveri nuk kishte mundur ta bindëte, shkruan Prof Arshi Pipa, Vinçenc Prenushi përfundon në burg, ndërkohë që Enver Hoxha kishte mbajtur një fjalim të ashpër kundër ipeshkvit katolik.   

I bugosur, i rrahur e i torturuar, “Lidhur kambësh e duarsh”, i “varun e i munduem” në burgun e Durrësit, shkruan Profesor Arshi Pipa, për mikun dhe bashkvuajtsin e tij, Ipeshkvin Vinçenc Prenushin, duke iu drejtuar lexuesve: “Përfytyroni tash këtë njeri, nji burr gjashtdhetë e pesëvjeçar, nji prelat të naltë të Kishës, nji nga fort të rrallët shkrimtarë të Rilindjes ende të mbetun gjallë, përfytyronje të varun asisoj në nji nevojtore të Degës së Sigurimit”.

Është ky përfytyrim të cilin Profesor Arshi Pipa kishte gjithë jetën e tij para vetes së tij.  Ishte ky përfytyrim e të tjerë si ky, që e bënte atë të papajtueshëm me komunizmin të cilin e luftoi me të gjitha energjitë e tija.  Ai përfytyronte mikun e tij të rrahur e të munduar, të varur në një nevojtore të Degës së Sigurimit, Ipeshkvin Vinçenc Prenushin, të cilit i referohet: “Këtij simboli të së kaluemes së Shqipnisë me të cilën na mburremi, këtij njeriu i cili rrëmbehet me dhunë nga shtëpia e përvunjtë e nji katundi, ku kalonte ditët e mbrame të jetës së vet, bashkë me Zotin dhe me librat dhe ndryhet në burgje dhe torturohet”, megjithëse Imzot Prenushi vuante nga zemra dhe azma.

Si njëri prej shkrimtarëve dhe përkthyesve të dalluar të kohës së tij, Arshi Pipa, rrëfen se si e pyeti me një rast në burg Imzot Prenushin nëse kishte lënë në shtëpi ndonjë dorëshkrim.  Ai i ishte përgjigjur se kishte përkthyer veprën “Dreizehnlinden”, të shkrimtarit Weber pas përfundimit të studimeve në Austri, sepse i kishte thënë Prenushi, kjo vepër përshkruan zakonet e malësorve austriakë, por që sipas tij, kanë shumë gjëra të përbashkëta me malësorët tanë dhe se kjo ishte arsyeja që e kishte përkëthyer në shqip.

Profesor Arshi Pipa përfundon rrëfimin e tij prej poeti, për vuajtjet dhe mundimet dhe për kohën e kaluar me Imzot Vinçenc Prenushin në burgun e Enver Hoxhës në Durrës, duke përshkruar ditët e fundit me të, ndarjen nga kjo jetë të prelatit katolik shqiptar, 70-vjetë më parë:   

 “Atë natë kishte zjarr në vatër. Kur ia mbylla sytë, sytë e lodhur e të shterrur, që aq shumë kishin vuajtur për dritë, m’u duk se pashë në fëtyrën e tij të hajthët, të shkrirë, të paqët, mbas aq shumë mundimesh, nji ndriçim jo të zakonshëm.  Ndofta mua më bajshin sytë e përlotur, ndofta nuk ishte veçse një reflex i flakërimeve të kuqrremta të zjarmit të votrës, ngujue ndër rrudhat e thella të ballit të gjanë, ndër zgavrrat e faqeve dhe ndër gropzat e syve.   Por ndofta ishte diçka tjetër.  Shpirti që në grahmat e dhimbjes fizike topitet, tkurret, terratiset, ai kullohet prej saj kur dhimbja të prajë, të pushojë si ujt prej lymit që e pat trazuar.   Njeriu mund të mos besojë në pavdeksinë e shpirtit.   Por ashtë vështirë me pranue se gjithçka mbaron me trupin, kur vërejmë se si njerzit vdesin për ideale”, ka shkruar Profesor Arshi Pipa në dëshminë e tij për natën që u nda nga kjo jetë Vinçenc Prenushi. 

Fatkeqsisht, njerëz me ideale si Imzot Vinçenc Prenushi i mungojnë sot Kombit shqiptar.  Por, më mirë vonë se kurrë dhe me kohë, e vërteta po del në dritë dhe personalitetet kombëtare si Vinçenc Prenushi dhe idealet e tyre të Atdhedashurisë  dhe të dashurisë për të afërmin, pa dallime — do të zenë vendin që meritojnë në historinë dhe në kulturën e këtij kombi shumë të vuajtur.   Nëqoftse tregojmë respekt për simbolet e së kaluarës së Shqipërisë, siç është Vincent Prenushi, me të cilët duhet të mburremi të gjithë pa dallim, atëherë kemi arsye të besojmë se megjithë problemet aktuale politike, ekonomike dhe shoqërore, e ardhmja e Kombit shqiptar do të jetë më e mirë.

                                            Imzot Vinçenc Prenushi

                    Profesor Arshi Pipa, një figurë e njohur anti-komuniste

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, Vicenc Prendushi

MOS E KEQKUPTO DEMOKRACIONË, Z. MILLOSEVIQ

March 19, 2019 by dgreca

Me rastin e 20-vjetorit të sulmit të Nato-s kundër Serbisë

Nga Frank Shkreli

              24 Marsi i këtij viti shënon 20-vjetorin e fillimit të sulmit ajror të Aleancës së Atlantikut Verior, NATO-s kundër objektivave ushtarake të Serbisë. Ishte angazhimi i parë ç’prej themelimit të Aleancës më të fortë ushtarake që ka njohur ndonjëherë historia, me qëllim për të ndaluar krimet e Serbisë, dhunën dhe spastrimin etnik të shqiptarëve nga trojet e veta autoktone mijëra vjeçare, në Kosovë.

 “Ka ardhur koha për veprim”, kishte deklaruar Sekretari i Përgjithëshëm i NATO-s Javier Solana, duke njoftuara fillimi e sulmeve ajrore të NATO-s kundër Serbisë. Ndërkohë që disa minuta pasi kishin filluar bombardimet kundër objektivave ushtarake serbe, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Bill Klinton u shpreh para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se, “Ne dhe aleatët tanë në NATO ndërmorëm këtë sulm pas përpjekjeve intensive dhe të vazhdueshme për të arritur një zgjidhje paqësore të krizës në Kosovë.” Presidenti Bill Klinton tha me atë rast se sulmet ushtarake të cilat sa po kishin filluar, kishin për qëllim realizimin e tri objektivave: për të demonstruar vendosmërinë e NATO-s, për të ndaluar Beogradin që të ndërmerrte ofensiva të tjera ushtarake kundër Kosovë dhe për të degraduar aftësitë ushtarake të ushtrisë jugosllave për të ndërmarrë ofensiva të tjera në të ardhmen.

Përveç pozicioneve ushtarake serbe, sulmet ajrore të forcave të NATO-s kishin si objektiva bombardimin e  ndërtesave qeveritare të Serbisë si dhe infrastrukturën e vendit, në përpjekje për të destabilizuar regjimin e Millosheviqit.

Në përpjekje për të siguruar mbështetjen e Kongresit dhe të popullit amerikan për sulmet kundër Serbisë, Presidenti Klinton e mpronte politikën e tij ndaj Kosovës nga pikëpamja humanitare për shpëtimin e një kombi të vuajtur po se po, por edhe nga pikëpamja gjeostrategjike e Shteteve të Bashkuara. “Ju duhet të vendosni, bashkatdhetarë  të mi amerikanë, nëse jeni ose jo dakord me mua, se në shekullin 21, Amerika si superfuqia e  botës duhet të jetë kundër spastrimit etnik, nëse i kemi mjetet për të bërë një gjë të tillë dhe nëse kemi aleatë që do na ndihmojmë për të bërë një gjë të  tillë në rajonin e tyre. Unë u kërkoj që të bisedoni me fqinjët dhe me miqtë tuaj në lidhje me ketë çështje”. 

Duke iu drejtuar atyre amerikanëve të cilët ndoshta nuk dinin as se ku gjëndej Kosova, Presienti Klinton u bënte thirrje që të shikonin hartën e Evropës dhe të dëgjonin lajmet se ç’po ndodhte në Kosovë. “Mendoni për argumentet e mia dhe merrni në konsideratë nëse jeni dakord me mua ose jo dhe njëkohësisht thoni një uratë për të rinjtë dhe të rejat tona në uniformë, të cilët  do të shkojnë atje për të bërë atë unë që unë i urdhëroj ata të bëjnë si Krye- komandanti i tyre”.

Presidenti Klinton dhe administrata e tij ishin   të vendosur për të ndaluar makinerinë e luftës së Milloseviqit. Klintoni ishte shprehur se, “Nëqoftse Presdienti Millosheviq nuk është i gatëshëm të bëjë paqe, atëherë ne do ia kufizojmë mundësitë që të bëjë luftë.”  Ndërsa zëdhënsi i Pentagonit në atë kohë, Keneth Bacon kishte deklaruar se, “Ne kemi një objektiv ushtarak dhe i cili është që të bëjmë më të mirën që mundemi për të ndaluar sulmet e Serbisë kundër Shqiptarëve të Kosovës, duke shkatërruar infrastrukturën ushtrake serbe. “Planet tona”, shtoi ai, “janë për një fushatë sulmesh ajrore të shpejta dhe të shkatërruese”.

Presidenti Klinton kishte ndërmarrë një fushatë pothuaj demokratike për të bindur popullin dhe Kongresin amerikan se sulmet kundër Serbisë ishin mënyra e vetme për të shpëtuar një popull, e vetmja rrugë për të sjellë paqë në Ballkan dhe në Evropë.  Megjithse kishte edhe kundërshtime ndaj një mase të tillë në qarqe të ndryshme edhe vetë Partia Republikane që ishte në opozitë kishte paralajmëruar Millosheviqin që të mos inkurajohej nga debatet demokratike në Amerikë — në Kongres dhe në media — pro dhe kundër sulmeve amerikane ndaj Serbisë, se debatet nuk ishin shenjë e ligështisë së politikës amerikane, por e arritjes së një vendimi me consensus.

Kryetari i Dhomës së Përfaqsuesve në atë kohë,  republikani Dick Armey nga shteti Texas pat deklaruar, pas një takimi mbi gjendjen në Kosovë me Presidentin Klinton në Shtëpinë e Bardhë, se, “Një prej çështjeve për të cilat të gjithë, pa dallim, jemi dakord, është se ne mund të debatojmë me njëri tjetrin se cila është politika më e mirë dhe rruga që duhet ndjekur në interesin kombëtar, por u pajtuam se do të mbështesim vendosmërisht forcat tona ushtarake që do të marrin pjesë në fushë-betejën e atjeshme”, duke paralajmëruar udhëheqsin serb: “Mos e keqkupto demokracinë, Z. Millosheviq!” dhe vendosmërinë amerikane për të vepruar kundër së keqës, pa marrë parasyshë dallimet ose interesat politike të palëve, sidomos për çështjet madhore, përfshirë ato morale, në fushën e politikës së jashtme dhe atë ushtarake.

Sulmet e NATO-s kundër Serbisë vazhduan për 79 ditë rresht. Me 10 qershor, 1999, operacionet ushtarake ajrore të NATO-s morën fund, kur Serbia nënshkroi një marrëveshje paqeje, në bazë të cilës forcat serbe u tërhoqën   nga Kosova dhe u zevendësuan nga forcat paqëruajtëse të NATO-s.

Me marrjen fund të sulmeve të NATO-s kundër Serbisë dhe kapitullimit të saj, Preasidenti Bill Klinton mbajti një fjalim drejtuar Kombit Amerikan: Sonte mund të njotoj popullin Amerikan se, “Kemi realizuar fitoren për një botë më të sigurt, një fitore për vlerat demokratike dhe një fitore për një Amerikë më të fortë… agresioni kundër një populli të pafajshëm është ndaluar.”  Duke iu drejtuar drejt për drejt popullit serb, Z. Klinton, u shpreh se, “Ju kini pësuar 79 ditë bombardime, jo për të mbajtur Kosovën si pjesë të Serbisë, por thjesht sepse Z. Millosheviq kishte vendosur që të zhdukte nga faqja e dheut shqiptarët e Kosovës — të vdekur a po të gjallë.”

 “Kjo fitore”, vazhdoi Presidenti Klinton, “sjellë një shpresë të re se kur një popull veçohet për shkatërrim, për arsye të trashëgimisë së tij kombëtare, ose besimit fetar dhe kur ne kemi mundësi të bëjmë diçka për të ndaluar një gjë të tillë, bota nuk do të lejojë një gjë të tillë.”  Pasi falënderoi popullin amerikan  dhe forcat e armatosura amerikane për mbështetjen për këtë ndërmarrje ushtarake, Presidenti Klinton 20-vjet më parë u shpreh se pas fitores ushtarake në Kosovë kundër Serbisë, na pret beteja për fitoren e paqës për shqiptarët dhe për popujt e tjerë të Ballkanit, për të ndërtuar një të ardhme në liri, përparim dhe harmoni për të gjithë.

Presidenti Klinton përfundoi fjalimin e tij drejtuar popullit amerikan duke thënë se, “Amerika përballet me sfida të mëdha të kësaj bote, por njëkohsisht jemi të gatëshëm të përballemi me to. Kështuqë sonte u kërkoj të jeni krenarë për vendin tuaj dhe shumë krenarë për forcat tona të armatosura, sepse në Kosovë ne bëmë atë që duhej të bënim dhe ne e bëmë këtë ashtu siç duhej.”

Në luftën kundër Serbisë, për çlirimin e Kosovës, Shtetet e Bashkuara, pas debateve të shumta demokratike së bashku me Aleancën e NATO-s, kishin përcaktuar qartë qëllimet dhe objektivat që duhej të realizoheshin me sulmet ajrore kundër Beogradit, me qëllim çlirimin e një populli nga zgjedha e një shteti kriminal.  Por në këtë 20-vjetor të fillimit të sulmeve të NATO-s, lind pyetja nëse klasa aktuale politike shqiptare — si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri — ka vendosur ende se si të veprojë në paqe dhe në demokraci, për realizimin e objektivave dhe interesave kombëtare afatgjata dhe afatshkurtëra  të shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor.  Le të shërbejë 20-vjetori i fillimit të sulmeve të NATO-s kundër Serbisë si një rast për një reflektim serioz nga mbarë Kombi Shqiptar dhe sidomos nga klasa aktuale politike: nëse 20-vjet më vonë shqiptarët në përgjithësi dhe Kosova në veçanti, janë gati të përballen me sfidat e mëdha, anë e mbanë trojeve të veta, në rrugën historike drejtë një shoqërie me të vërtetë të liri, në paqë e demokraci në vendin e vet. Sot, pas aq shumë vuajtjesh, gjatë shekullit të kaluar, shqiptarët nuk presin asgjë më shumë as më pak se kaq, nga udhëheqsit e tyre. Fati i shqiptarëve sot është në duar të vet shqiptarëve!   Nëse shqiptarët janë të aftë të menaxhojnë fatin e vet, kjo është një pyetje tjetër.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli

MBËSHTETJA E FORTË AMERIKANO-GJERMANE PËR NATO-n PËRBALLË KËRCËNIMIT RUS

March 15, 2019 by dgreca

Nga Frank Shkreli

Sipas një studimi të kohëve të fundit nga firma amerikane e sondazheve, Gallup, Inc., 52% e amerikanëve e konsiderojnë fuqinë ushtarake të Rusisë si një “kërcënim serioz” ndaj interesave jetike të Shteteve të Bashkuara, ndërkohë që Rusia zë vendin e parë në listën e vendeve që amerikanët i konsiderojnë si “armiq kryesorë” të Shteteve të Bashkuara.  I njëjti studim thekson, njëkohësisht, se 73% e amerikanëve kanë mendime jo të favorshme për Rusinë.  Si përfundim, thuhet në raportin e entit Gallup, Rusia është tani vendi që shumica dërmuese e amerikanëve e konsiderojnë si vendin armik numër një të interesave amerikane.  Sondazhi nenvijon se këto prirje në qëndrimin e amerikanëve ndaj Rusisë dhe politikave të saj, sidomos në fushën ndërkombëtare, janë venë re edhe para se televizioni shtetëror rus identifikoi, kohët e fundit, instalimet ushtarake amerikane të cilat do të ishin objekt agresioni në rast të një sulmi të mundëshëm bërthamor kundër tyre, nga ana e Rusisë.

Nuk është për tu habitur atëherë që në një atmosferë të tillë mosbesimi nga ana e amerikanëve ndaj Rusisë dhe qëllimeve të saja armiqësore kundër Shteteve të Bashkuara, që mbështetja për Aleancën e Atlantikut Verior, NATO është shumë e lartë në radhët e amerikanëve.  Bazuar në një sondazh tjetër të firmës Gallup mbi mbështetjen që gëzon NATO-ja në Amerikë, 77% e amerikanëve mendojnë se NATO-ja duhet të vazhdojë të ekzistojë, ndërkohë që 66% e amerikanëve shprehin mbështetje edhe për Organizatën e Kombeve të Bashkuara, si një ent i nevojshëm ndërkombëtar për zgjidhjen e problemeve botërore, sipas të njëjtit sondazh.

Dihet se Presidenti Trump kishte shprehur skepticizmin e tij për ndihmat amerikane për organizatat ndërkombëtare, përfshirë NATO-n, gjatë fushatës për president dhe më vonë.  Ai kishte venë në dyshim edhe nevojën për ekzistencën e NATO-s, një qëndrim ky që në atë kohë u kritikua ashpër nga evropianët dhe nga Senati Amerikan.  Por, ky sondazh i kohëve të fundit, tregon qartë gjithashtu se edhe shumica e amerikanëve mendojnë ndryshe nga presidenti i tyre në lidhje me nevojën për ekzistencën e Aleancës më të fortë politiko-ushtarake që ka njohur ndonjëherë bota dhe e cila ka ruajtur paqn në Evropë për 70-vjet, pas Luftës së Dytë Botërore.  Ndërkohë që pikëpamjet e Presidentit Trump ndaj NATO-s dhe Kombeve të Bashkuara duket se kanë ndryshuar me kohë.  Ai nuk ve në pyetje më nevojën për ekzistencën e NATO-s dhe të OKB-së, por ngulë këmbë që të gjitha vendet anëtare të kontribojnë 2%, për mbrojtjen e përbashkët siç është rasti i vendeve anëtare të NATO-s dhe që vendet anëtare të OKB-së të japin kontributin e tyre për të mbajtur gjallë këtë organizatë. Realiteti në detyrën e presdientit të përballimit me zhvillimet e papritura në arenën ndërkombëtare, shpeshëherë shkaktojnë që të hidhen poshtë perceptimet e vjetra dhe të ndryshojnë pikëpamjet edeh të një preisdenti.  Në një vend demokratik si Shtetet e Bashkuara është e pamundur që një president të ndjekë dhe të mbështesë qendrime dhe politika — qofshin të mbrendëshme apo të jashtme – në kundërshtim me vullnetin e një shumicë aq dërmuese të popullit amerikan, siç është sot mbështetja e shprehur prej 77% e amerikanëve për Aleancën e NATO-s.   Sondazhi i firmës Gallup ve në dukje gjithashtu se mbështetja e amerikanëve për NATO-n është e fortë si në radhët e republikanëve ashtu edhe demokratëve, por edhe në radhët e atyre që nuk bëjnë pjesë në këto dy parti.

Studimi në fjalë thekson edhe mbështetjen e fortë të amerikanëve për Organizatën e Kombeve të Bashkuara, e cila sipas amerikanëve ajo luan gjithnjë një rol të dobishëm dhe të nevojshëm në botë. 86% e demokratëve amerikanë mbështesin OKB-në duke shprehur mendimin se roli i organizatës ndërkombëtare është edhe sot i nevojshëm, ndërsa 66% e atyre që nuk i përkasin asnjë partie dhe 49% e republikanëve amerikanë mendojnë se OKB-ja luan ende një rol të rëndësishëm.  Gallup ve në dukje se mbështetja e fortë dhe e vazhdueshme për NATO-n dhe OKB-në, madje edhe në periudhën e platformës politike, “Amerika e para” e presidentit Trump, amerikanët e të gjitha prirjeve politike vlerësojnë rolin që luajnë organizatat dhe institucionet ndërkombëtare për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballet bota. 

Ndërkaq, eshte matur mbështetja për NATO-n edhe në Gjermani.  Megjithë ndryshimet që ekzistojnë midis amerikanëve dhe gjermanëve mbi çështje të ndryshme ndërkombëtare dhe në marrëdhëniet dypalëshe, ata ndajnë mendime pothuaj të njëjta përsa i përket Aleancës NATO, si dhe Rusisë e Kinës, njoftojnë Qendra Amerikane Pju e sondazheve dhe enti gjerman Korber-Stiftung. Sipas këtij sondazhi, gjermanët ashtu si amerikanët mbështesin fuqishëm Aleancën e NATO-s.  Si në Gjermani ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara, sipas këtij sondazhi, mbështetja mbetet e lartë për NATO-n, madje edhe pas përplasjes midis Presidentit Trump dhe Kancelares gjermane Merkel, në lidhje me shpenzimet ushtarake dhe për influencën ruse, në takimin e Aleancës Perëndimore në Bruksel, korrikun që kaloi.  

Raporti i këtyre dy firmave të sondazheve — njëra gjermane e tjetra amerikane – rithekson faktin se mendimet e amerikanëve dhe të gjermanëve ndaj Rusisë vazhdojnë të jenë jo të favorshme dhe se pikëpamjet pozitive ndaj Rusisë, janë në nivelin më të ulët në Gjermani dhe në SHBA ç’prej vitit 2011, kur anë e mbanë Rusisë u mbajtën protestat popullore dhe pas akuzave për vjedhje të votave në zgjedhjet parlamentare të atij vendi, duke arritur një nivel edhe më të ulët, në vitin 2014, pas aneksimit të Krimesë nga Moska.

Thirrjeve të Presidentit Trump për rritjen e shpenzimeve ushtarake, Gjermania u është përgjigjur pozitivisht.  Mediat gjermane kanë njoftuar muajin që kaloi se qeveria gjermane ka siguruar Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior se ka vendosur të rrisë gradualisht shpenzimet për mbrojtje, megjithë ngadalësimin e pritshëm të veprimtarisë ekonomike në Gjermani.  Ashtu si edhe vendeve të tjera anëtare të NATO-s, Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Gjermanisë që të shtojë shpenzimet ushtarake me 2% të ardhurave kombëtare (GDP), në përputhje me objektivin e caktuar nga vendet anëtare të NATO-s, në vitin 2014.  Pritet që të gjitha vendet anëtare të NATO-s të realizojnë angazhimin e marrë përsipër që të rrisin, gradualisht, shpenzimet ushtarake me 2% deri në vitin 2024. 

Dje (të enjtën), Sekretari i Përgjithëshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg botoi Raportin Vjetor të Aleancës politiko-ushtarake që ai drejton, një “Aleance moderne që u përgjigjet kërcënimeve të sotëme ndaj sigurisë, që u adaptohet sfidave të reja dhe e cila investon për të ardhmen”, thuhet ndër të tjera në parathënien e raportit vjetor. Raporti shënon edhe 70-vjetorin e themelimit të NATO-s me një përspektivë historike të arritjeve dhe sukseseve të Aleancës ç’prej themelimit të saj në vitin 1949 e deri më sot, përfshirë antarësimin në NATO të ish-vendeve komuniste, dikur kundërshtare të saj.

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli

EDHE NJËHERË PËR RREZIKUN RUSO-TURK NË SHQIPËRI DHE NË KOSOVË

March 13, 2019 by dgreca

Nga Frank Shkreli

Për disa vite me radhë jam përpjekur të ngre zërin tim modest për rrezikun e përhapjes së influencës ruso-turke në Balllkanin Perëndimor në përgjithësi dhe në Shqipëri e në Kosovë, në veçanti.  Jam munduar gjithashtu që të paralajmëroj, sidomos rrezikun që do të vinte nga flirtimi që kemi venë re, vitet e fundit, në marrëdhëniet e udhëheqësve shqiptarë në Tiranë dhe në Prishtinë me protagonistët kryesorë të kësaj përhapjeje të influencës turko-ruse, të frmyëzuar dhe të mbështetur nga Putin-Erdogan dhe emisarët e tyre, anë e mbanë trojeve shqiptare. Ky angazhim dhe kjo politikë e udhëheqësve autoritarë të këtyre dy vendeve ndaj trojeve shqiptare, është aq dashakeqëse sot, ashtu siç ka qenë gjatë gjithë historisë së shqiptarëve.  Është pjesë e përpjekjeve të tyre për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor dhe për të bërë ç’mos që të pengojnë realizimin e ëndrrës së shqiptarëve për integrimin e tyre të plotë në organizmat euro-atlantike.  Si Rusia ashtu edhe Turqia pretendojnë marrëdhënie “të veçanta historike” me rajonin e Ballkanit Perëndimor, përfshirë, sidomos, shqiptarët.  Me këtë deklaratë, jo vetëm që Moska dhe Ankaraja kanë bindur vetveten për këtë falsitet historik, por duket se për këtë falsitet i kanë mbushur mendjen edhe klasën aktuale politike shqiptare dhe udhëheqësve të saj — disa prej të cilëve kanë kërcënuar vendet perëndimore, në të kaluarën, se Shqipëria dhe Kosova kanë alternativa të tjera,  siç janë, jo vetëm Rusia dhe Turqia, por edhe Kina e Irani, nëqoftse dështon anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian.  

Fatkeqësisht, tani duket e qartë se ndikimi i Turqisë dhe i Rusisë në trojet shqiptare, edhe nëqoftse duam të besojmë se nuk po mbështetet aktivisht nga Tirana dhe nga Prishtina zyrtare, atëherë kjo influencë po pranohet në heshtje nga autoritetet shqiptare. Disa analistë janë shprehur se politikat autoritare erdogano-putiniste përputhen më shumë me natyrën e qeverisjes në Tiranë dhe në Prishtinë se sa me rregullat e demokracisë së vërtetë dhe me sundimin e ligjit.  

Dy zhvillime të ditëve të fundit në lidhje me influencën ruso-turke në Shqipëri dhe në Kosovë dhe të cilat pasqyrojnë më së miri shqetësimet serioze për këtë fenomen të rrezikshëm në trojet shqiptare, u njoftuan të hënën në disa media shqiptare:

Njoftohet se të hënën në Tiranë, Kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror të Shqipërisë, (SHISH), Z. Helidon Bendo ka raportuar me dyer të mbyllura në Komisionin e Sigurisë të Kuvendit të Shqipërisë, duke ngre alarmin se Rusia ka shtuar ndërhyrjet në Shqipëri.   Sipas të dhënave në media, burime brenda komisionit bëjnë me dije se një pjesë e raportimit të kreut të SHISH është fokusuar në shtimin e ndikimit rus në Shqipëri, por nuk kanë dhënë detaje. 

Është vështirë të thuhet se cilat janë hollësitë e raportit të SHISH, por duhet të insistohet që raporti i Z. Bendo në Komisionin e Sigurisë të Kuvendit, të bëhet publik, ashtu që populli ta dijë nga një burim zyrtar, rrezikun që po i kanoset Shqipërisë dhe shqiptarëve në këtë moment të historisë, nga ndërhyrjet e huaja dashakeqëse.   Por kam frikë se ashtu si me çdo gjë tjetër të kësaj natyre, edhe ky raport i klasifikuar do të kamuflohet duke u përdorur më shumë për akuza dhe kundërakuza politike dhe jo si një çështje tepër e rëndësishme për sigurinë kombëtare, një rrezik që duhej të alarmonte të gjithë.  Përveç përmbajtjes së raportit, lind pyetja se në cilat fusha dhe cilat nivele të shoqërisë shqiptare, përfshirë politikën, ka penetruar influenca ruse dhe nëse nga ky ndikim i Moskës në Shqipëri është cënuar rëndë siguria kombëtare dhe interesat e Kombit Shqiptar në Ballkan.  

Zhvillimi tjetër ka të bëjë me gjysmën tjetër të Kombit Shqiptar — me deklaratën e fortë të lëshuar të hënën nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, në lidhje me arrestimin dhe deportimin, pothuaj një vit më parë në Turqi, të 6 shtetasve turq nga Kosova, një rast ky që është konsideruar si pasojë e drejt për drejt e zgjërimit të influencës turke, në nivelet më të larta politike në një vend të Ballkanit siç është Kosova, duke u dhënë përparësi interesave turke, në dëm të rendit të brendshëm dhe ligjeve ndërkombëtare, por edhe në dëm të interesave të vetë shtetit të Kosovës, në përgjithësi.

Sipas Ambasadës Amerikane në Prishtinë, “Ka kaluar afro një vit që kur Kosova, pa një proces të rregullt, dëboi gjashtë shtetas turq nga Kosova, nën dyshimin se ata paraqesin kërcënim për sigurinë kombëtare të Kosovës.  Ne ishim të kënaqur të shihnim themelimin e një komisioni hetimor parlamentar i cili zbuloi shkelje ligjore lidhur me incidentin, pavarësisht përpjekjeve për të penguar punën e tij.   Gjetjet e komisionit, të cilat sugjerojnë se kanë ndodhur 31 shkelje ligjore ose procedurale nga ana e Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe institucioneve të tjera, ngrenë shqetësime rreth mashtrimit nga ana e agjencive kryesore të sigurisë së Kosovës, si dhe ndjeshmërinë e sektorit të sigurisë ndaj manipulimit politik”, thuhet në deklaratën e Ambasadës Amerikane.  “Ne u bëjmë thirrje institucioneve të Kosovës që të sigurojnë përgjegjësi të plotë për këdo që shkel ligjin dhe u rikujtojmë liderëve të Kosovës se institucionet e sigurisë duhet të veprojnë vetëm brenda autoritetit kushtetues, në varësi të sundimit të ligjit”.  “Nuk kemi të bëjmë me fajsinë apo pafajësinë e individëve, por me një shmangie të qartë të proceseve ligjore të Kosovës nga ana e politikanëve të Republikës së Kosovës. 

“Presioni politik në sektorin e sigurisë për të thyer ligjin e Kosovës është një shkelje skandaloze e vlerave demokratike.  Ne bëjmë thirrje për transparencë të plotë në sektorin e sigurisë dhe në drejtimin e punëve të jashtme, për të parandaluar ndërhyrjet e pavend nga politikanët kosovarë, në të ardhmen”, përfundon deklarata e Ambasadës Amerikane në Republikën e Kosovës.

Edhe Britania e Madhe, nepërmjet Ambasadës së saj në Prishtinë, mbështeti deklaratën e Ambasadës Amerikane, duke u shprehur se mbështet deklaratën e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara lidhur me mungesën e përgjegjësisë institucionale për dëbimin nga Kosova të 6 shtetasve turq — duke e botuar të plotë deklaratën e ambasadës amerikane në rrjetin e saj social fejsbuk. Pas Londrës edhe Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë mbështeti gjithashtu deklaratën amerikane, duke kërkuar transparencë për këtë rast si dhe sundimin e ligjit dhe botimin e zbulimeve të Komisionit të parlamentit të Republikës së Kosovës që ka bërë hetimet në lidhje me këtë çeshtje. 

Mungesa e transparencës zyrtare nga autoritetet qeveritare dhe shtetërore të Tiranës dhe Prishtinës mbi shtimin në rritje të ndërhyrjeve ruso-turke dhe të përhapjes së influencës së tyre në trojet shqiptare – të bindë se diçkaje po i vjen era këtu e deri në Stambollë dhe në Moskë. Alarmi i SHISH në Tiranë dhe mënyra se si gjashtë shtetasit turq u dëbuan nga Kosova, që sipas ambasadave perëpndimore në Prishtinë, bie ndesh me ligjet ndërkombëtare, por ka shkelur rëndë njëkohësisht edhe traditat tona të mikpritjes dhe strehimit të mikut. “Shpija e Shqiptarit ashtë e Zotit dhe e mikut”. Miqtë turq që Kosova i dorëzoi autoriteteve turke, u prenë në besë! Thuhej dikur se për atë që pret në besë mikun e shtëpisë, atij nuk i mbetet tjetër veç “a të fiket a të koritet”. Kjo është një nder vlerat themelore shqiptare, me të cilat jemi krenarë dhe që na kanë dalluar nga të tjerët. 

Lind pyetja: A janë autoritetet shqiptare në Tiranë dhe në Prishtinë më të interesuara të mbrojnë këto vlera ashtuqë shqiptarët të ankorohen fuqishëm dhe pa asnjë dyshim me Perëndimin dhe të kundërshtojnë faktorët destabilizues rusë dhe turqë në punët e shqiptarëve, a po të pranojnë në heshtje ndikimet e tyre, historikisht, të dëmshme për interesat afat- shkurtëra dhe afat-gjata të Kombit Shqiptar.  Fatkeqsisht, kjo e fundit më duket më e besueshme, sepse klasa aktuale politike shqiptare, qëllimisht, sot po mundëson vakume politike, ekonomike dhe kulturore, duke krijuar kështu mos stabilitet të frymëzuar nga autokratët modernë të tipit putino-erdogan, ndërsa venë, njëkohësisht, në pikëpyetje jo vetëm respektin që ata kanë për vlerat historike shqiptare por edhe për meritat e modelit demokratik të qeverisjes, të orientuar nga vlerat perëndimore, vlera për të cilat at flasin shumë por bëjnë pak për zbatimin e tyre.  Ndryshe nga udhëheqsit e tyre, Shqiptarët e kanë vendosur se cilin model dëshirojnë të ndjekin dhe në cilin model qeverisjeje duan të jetojnë dhe të rrisin fëmijtë e tyre, duke “votuar me këmbë”, ndërkohë që janë larguar nga trojet shqiptare me qindëra mijëra drejtë vendeve perëndimore. Shqiptarët e kanë bërë të qartë se duan të jetojnë në një shtet me autoritet kushtetues dhe në varësi të sundimit të ligjit për të gjithë.  Janë autoritetet qeveritare, anë e mbanë trojeve shqiptare, ata të cilët siç duket e kanë humbur rrugën kushtetuese në oborrin e tyre!

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 59
  • 60
  • 61
  • 62
  • 63
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave
  • Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”
  • “Ëndrra Amerikane” në Washington DC
  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT