• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

EDHE NJËHERË PËR RREZIKUN RUSO-TURK NË SHQIPËRI DHE NË KOSOVË

March 13, 2019 by dgreca

Nga Frank Shkreli

Për disa vite me radhë jam përpjekur të ngre zërin tim modest për rrezikun e përhapjes së influencës ruso-turke në Balllkanin Perëndimor në përgjithësi dhe në Shqipëri e në Kosovë, në veçanti.  Jam munduar gjithashtu që të paralajmëroj, sidomos rrezikun që do të vinte nga flirtimi që kemi venë re, vitet e fundit, në marrëdhëniet e udhëheqësve shqiptarë në Tiranë dhe në Prishtinë me protagonistët kryesorë të kësaj përhapjeje të influencës turko-ruse, të frmyëzuar dhe të mbështetur nga Putin-Erdogan dhe emisarët e tyre, anë e mbanë trojeve shqiptare. Ky angazhim dhe kjo politikë e udhëheqësve autoritarë të këtyre dy vendeve ndaj trojeve shqiptare, është aq dashakeqëse sot, ashtu siç ka qenë gjatë gjithë historisë së shqiptarëve.  Është pjesë e përpjekjeve të tyre për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor dhe për të bërë ç’mos që të pengojnë realizimin e ëndrrës së shqiptarëve për integrimin e tyre të plotë në organizmat euro-atlantike.  Si Rusia ashtu edhe Turqia pretendojnë marrëdhënie “të veçanta historike” me rajonin e Ballkanit Perëndimor, përfshirë, sidomos, shqiptarët.  Me këtë deklaratë, jo vetëm që Moska dhe Ankaraja kanë bindur vetveten për këtë falsitet historik, por duket se për këtë falsitet i kanë mbushur mendjen edhe klasën aktuale politike shqiptare dhe udhëheqësve të saj — disa prej të cilëve kanë kërcënuar vendet perëndimore, në të kaluarën, se Shqipëria dhe Kosova kanë alternativa të tjera,  siç janë, jo vetëm Rusia dhe Turqia, por edhe Kina e Irani, nëqoftse dështon anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian.  

Fatkeqësisht, tani duket e qartë se ndikimi i Turqisë dhe i Rusisë në trojet shqiptare, edhe nëqoftse duam të besojmë se nuk po mbështetet aktivisht nga Tirana dhe nga Prishtina zyrtare, atëherë kjo influencë po pranohet në heshtje nga autoritetet shqiptare. Disa analistë janë shprehur se politikat autoritare erdogano-putiniste përputhen më shumë me natyrën e qeverisjes në Tiranë dhe në Prishtinë se sa me rregullat e demokracisë së vërtetë dhe me sundimin e ligjit.  

Dy zhvillime të ditëve të fundit në lidhje me influencën ruso-turke në Shqipëri dhe në Kosovë dhe të cilat pasqyrojnë më së miri shqetësimet serioze për këtë fenomen të rrezikshëm në trojet shqiptare, u njoftuan të hënën në disa media shqiptare:

Njoftohet se të hënën në Tiranë, Kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror të Shqipërisë, (SHISH), Z. Helidon Bendo ka raportuar me dyer të mbyllura në Komisionin e Sigurisë të Kuvendit të Shqipërisë, duke ngre alarmin se Rusia ka shtuar ndërhyrjet në Shqipëri.   Sipas të dhënave në media, burime brenda komisionit bëjnë me dije se një pjesë e raportimit të kreut të SHISH është fokusuar në shtimin e ndikimit rus në Shqipëri, por nuk kanë dhënë detaje. 

Është vështirë të thuhet se cilat janë hollësitë e raportit të SHISH, por duhet të insistohet që raporti i Z. Bendo në Komisionin e Sigurisë të Kuvendit, të bëhet publik, ashtu që populli ta dijë nga një burim zyrtar, rrezikun që po i kanoset Shqipërisë dhe shqiptarëve në këtë moment të historisë, nga ndërhyrjet e huaja dashakeqëse.   Por kam frikë se ashtu si me çdo gjë tjetër të kësaj natyre, edhe ky raport i klasifikuar do të kamuflohet duke u përdorur më shumë për akuza dhe kundërakuza politike dhe jo si një çështje tepër e rëndësishme për sigurinë kombëtare, një rrezik që duhej të alarmonte të gjithë.  Përveç përmbajtjes së raportit, lind pyetja se në cilat fusha dhe cilat nivele të shoqërisë shqiptare, përfshirë politikën, ka penetruar influenca ruse dhe nëse nga ky ndikim i Moskës në Shqipëri është cënuar rëndë siguria kombëtare dhe interesat e Kombit Shqiptar në Ballkan.  

Zhvillimi tjetër ka të bëjë me gjysmën tjetër të Kombit Shqiptar — me deklaratën e fortë të lëshuar të hënën nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, në lidhje me arrestimin dhe deportimin, pothuaj një vit më parë në Turqi, të 6 shtetasve turq nga Kosova, një rast ky që është konsideruar si pasojë e drejt për drejt e zgjërimit të influencës turke, në nivelet më të larta politike në një vend të Ballkanit siç është Kosova, duke u dhënë përparësi interesave turke, në dëm të rendit të brendshëm dhe ligjeve ndërkombëtare, por edhe në dëm të interesave të vetë shtetit të Kosovës, në përgjithësi.

Sipas Ambasadës Amerikane në Prishtinë, “Ka kaluar afro një vit që kur Kosova, pa një proces të rregullt, dëboi gjashtë shtetas turq nga Kosova, nën dyshimin se ata paraqesin kërcënim për sigurinë kombëtare të Kosovës.  Ne ishim të kënaqur të shihnim themelimin e një komisioni hetimor parlamentar i cili zbuloi shkelje ligjore lidhur me incidentin, pavarësisht përpjekjeve për të penguar punën e tij.   Gjetjet e komisionit, të cilat sugjerojnë se kanë ndodhur 31 shkelje ligjore ose procedurale nga ana e Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe institucioneve të tjera, ngrenë shqetësime rreth mashtrimit nga ana e agjencive kryesore të sigurisë së Kosovës, si dhe ndjeshmërinë e sektorit të sigurisë ndaj manipulimit politik”, thuhet në deklaratën e Ambasadës Amerikane.  “Ne u bëjmë thirrje institucioneve të Kosovës që të sigurojnë përgjegjësi të plotë për këdo që shkel ligjin dhe u rikujtojmë liderëve të Kosovës se institucionet e sigurisë duhet të veprojnë vetëm brenda autoritetit kushtetues, në varësi të sundimit të ligjit”.  “Nuk kemi të bëjmë me fajsinë apo pafajësinë e individëve, por me një shmangie të qartë të proceseve ligjore të Kosovës nga ana e politikanëve të Republikës së Kosovës. 

“Presioni politik në sektorin e sigurisë për të thyer ligjin e Kosovës është një shkelje skandaloze e vlerave demokratike.  Ne bëjmë thirrje për transparencë të plotë në sektorin e sigurisë dhe në drejtimin e punëve të jashtme, për të parandaluar ndërhyrjet e pavend nga politikanët kosovarë, në të ardhmen”, përfundon deklarata e Ambasadës Amerikane në Republikën e Kosovës.

Edhe Britania e Madhe, nepërmjet Ambasadës së saj në Prishtinë, mbështeti deklaratën e Ambasadës Amerikane, duke u shprehur se mbështet deklaratën e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara lidhur me mungesën e përgjegjësisë institucionale për dëbimin nga Kosova të 6 shtetasve turq — duke e botuar të plotë deklaratën e ambasadës amerikane në rrjetin e saj social fejsbuk. Pas Londrës edhe Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë mbështeti gjithashtu deklaratën amerikane, duke kërkuar transparencë për këtë rast si dhe sundimin e ligjit dhe botimin e zbulimeve të Komisionit të parlamentit të Republikës së Kosovës që ka bërë hetimet në lidhje me këtë çeshtje. 

Mungesa e transparencës zyrtare nga autoritetet qeveritare dhe shtetërore të Tiranës dhe Prishtinës mbi shtimin në rritje të ndërhyrjeve ruso-turke dhe të përhapjes së influencës së tyre në trojet shqiptare – të bindë se diçkaje po i vjen era këtu e deri në Stambollë dhe në Moskë. Alarmi i SHISH në Tiranë dhe mënyra se si gjashtë shtetasit turq u dëbuan nga Kosova, që sipas ambasadave perëpndimore në Prishtinë, bie ndesh me ligjet ndërkombëtare, por ka shkelur rëndë njëkohësisht edhe traditat tona të mikpritjes dhe strehimit të mikut. “Shpija e Shqiptarit ashtë e Zotit dhe e mikut”. Miqtë turq që Kosova i dorëzoi autoriteteve turke, u prenë në besë! Thuhej dikur se për atë që pret në besë mikun e shtëpisë, atij nuk i mbetet tjetër veç “a të fiket a të koritet”. Kjo është një nder vlerat themelore shqiptare, me të cilat jemi krenarë dhe që na kanë dalluar nga të tjerët. 

Lind pyetja: A janë autoritetet shqiptare në Tiranë dhe në Prishtinë më të interesuara të mbrojnë këto vlera ashtuqë shqiptarët të ankorohen fuqishëm dhe pa asnjë dyshim me Perëndimin dhe të kundërshtojnë faktorët destabilizues rusë dhe turqë në punët e shqiptarëve, a po të pranojnë në heshtje ndikimet e tyre, historikisht, të dëmshme për interesat afat- shkurtëra dhe afat-gjata të Kombit Shqiptar.  Fatkeqsisht, kjo e fundit më duket më e besueshme, sepse klasa aktuale politike shqiptare, qëllimisht, sot po mundëson vakume politike, ekonomike dhe kulturore, duke krijuar kështu mos stabilitet të frymëzuar nga autokratët modernë të tipit putino-erdogan, ndërsa venë, njëkohësisht, në pikëpyetje jo vetëm respektin që ata kanë për vlerat historike shqiptare por edhe për meritat e modelit demokratik të qeverisjes, të orientuar nga vlerat perëndimore, vlera për të cilat at flasin shumë por bëjnë pak për zbatimin e tyre.  Ndryshe nga udhëheqsit e tyre, Shqiptarët e kanë vendosur se cilin model dëshirojnë të ndjekin dhe në cilin model qeverisjeje duan të jetojnë dhe të rrisin fëmijtë e tyre, duke “votuar me këmbë”, ndërkohë që janë larguar nga trojet shqiptare me qindëra mijëra drejtë vendeve perëndimore. Shqiptarët e kanë bërë të qartë se duan të jetojnë në një shtet me autoritet kushtetues dhe në varësi të sundimit të ligjit për të gjithë.  Janë autoritetet qeveritare, anë e mbanë trojeve shqiptare, ata të cilët siç duket e kanë humbur rrugën kushtetuese në oborrin e tyre!

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli

Nuk ka demokraci Shqiperia pa demokratizimin e partive

March 7, 2019 by dgreca

2-Frank-shkreli-2-300x183-1-1

-Z. Basha- Neqoftse deshiron qe te jesh ndryshimi, si mase te pare, mos i perjashto deputetet qe nuk kane djegur mandatet e tyre, perfshire vajzen e Azem Hajdarit, duke u treguar tolerant ndaj mendimeve ndryshe, brenda partise./

Nga Frank Shkreli/

Media shqiptare njofton se gjate nje shkembimi pyetje-pergjigje me gazetaret te merkuren para kryeqendres se Partise Demokratike ne Tirane, kryetari i kesaj partie, Lulzim Basha pranoi deshtimin e marrveshjes se fshehte te 17 Majit me kryeministrin Rama. Jo vetem deshtimin, por ai me ne fund pranoi edhe demin qe ajo marrveshje i shkaktoi Shqiperise dhe zhvillimeve demokratike ne vend, ne pergjithesi.
Nuk dua te flas per kete marrveshje midis dy te pareve te Shqiperise pothuaj nje vit me pare, pasi kam reaguar duke shprehur qe atehere demet qe mund te sjellte ajo marrveshje per Partine Demokratike si opozite dhe si rrjedhim edhe demet qe ajo marrveshje e fshehte — permbajtja e te ciles ende nuk dihet mos qofsha gabim — shkaktoi per politiken shqiptare ne pergjithsi. Marrveshja Rama-Basha ishte ne thelb anti-demokratike per nga natyra, rezultati i te ciles shihet sot.
Por nuk dua te komentoj ate marrveshje, te cilen edhe dy protagonistet e saj e shohin tani si te deshtuar, por dua te mirepres deklaraten e Z. Lulzim Bashes dje ne lidhje me, sic tha ai, “dy dite jashtzakonisht te suksesshme bashkpunimi me Institutin Republikan Amerikan, perfaqsuesit e te cilit jane ketu per te ndihmuar Partine Demokratike ne nje hap shume te rendesishem, jo vetem per ne, por per Shqiperine” tha Basha.
“Kam vendosur”, shtoi ai, “te sjell standardet e demokracise perendimore ne Partine Demokratike dhe per kete kam mbeshtetjen e te gjithe botes” duke permendur disa ente dhe organizata perendimore te cilat sipas tij, e mbeshtesin kete ide.” Ai premtoi nje model, sipas te cilit, kandidatet per deputete te Partise Demokratike do te zgjidhen me parimin nje anetar nje vote, nga antaresia e plote e Partise Demokratike, duke organizuar, me ndihmen e partnerve te PD-se, zgjedhje praprake qe ai i cileson si “primaret”.
Dua te theksoj se kjo nuk eshte nje ide e re, pasi gjate ketyre 30 viteve te post-komunizmit, sidomos grupe dhe individe nga Shtetet e Bashkuara te Amerikes e kane propozuar dhe mbeshtetur kete ide, si te domosdoshem per demokratizimin e partive dhe si rrjedhim, te demokratizimit te Shqiperise. Ne disa prej takimeve ku eshte ngitur shpesh ky subjekt kam qene edhe une prezent, ne takimet me zyrtaret qeveritare dhe partiake shqiptare, c’prej shembjes se komunizmit, duke filluar nga prilli/marsi, 1991.
Si atehere ashtu edhe sot, une kete model ose propozim te Bashes e shikoj si pozitiv, dhe nuk dua ta shikoj me sy kritike. Por nese Z.Basha eshte serioz ne lidhje me kete propozim, kjo mbetet per tu pa. Por, duke pasur prasyshe pervojen e zhvillimeve politike te ketyre 30 viteve post- komunizem, eshte e qarte se mungesa e demokracise se vertete dhe autoritarizmi aktual brenda partive politike dhe sidomos roli  i 1-shit te plotfuqishem ne oarti dhe si rrjedhim edhe ne qeveri ,  qe udheheq me dore te hekurt, e kane sjellur Shqiperine dhe shoqerine shqiptare ne pergjithesi, ne gjendjen katastrofale te udhekryqit politik, ne te cilin gjendet sot.
Keshilloj, neqoftese me lejohet, se neqoftse Lulzim Basha deshiron qe shqiptaret te mbeshtesin Partine Demokratike sepse ajo ofron dicka ndryshe, ky model qe ai propozoi dje duhet te zbatohet nje minute e me pare. Jo neser, jo pasneser ose muaj me vone, neqoftse deshiron qe shqiptaret ta konsiderojne Partine Demokratike, si nje parti ndryshe. Neqoftse deshiron qe te jesh ndryshimi, si mase te pare, mos i perjashto deputetet qe nuk kane djegur mandatet e tyre, perfshire vajzen e Azem Hajdarit, duke u treguar tolerant ndaj mendimeve ndryshe, brenda partise. Modeli qe propozon Z. Basha, ne thelb toleron mendimet ndryshe, brenda partise. Ky eshte edhe shembulli politik i partive politike amerikane, neqoftse je serioz per kete qe propozon, dhe neqoftse deshiron qe shqiptaret te besojne se PD eshte ndryshe dhe jo si ajo partia qe nenshkroi marrveshje te dyshimte ne dhoma gjysem te erreta pas mesnates,me krye kundershtarin pllitik.

Kot e kini, te humbni kohe te gjithe, se pa demokratizim te partive, Shqiperia nuk do te kete as demokraci, as liri te vertete, por do vazhdoje te cilesohet si gjysem e lire, ashtu si deri tani.

Zoti Basha thote se per kete model ka mbeshtejen e partnereve nderkombetare. Ne rregull!  Por kjo mbeshtetje ka qene gjithmone aty per ju. Mund te kini nevoje per keshillat bazuar ne pervojen e tyre politike, por jo doemosdoshmerisht per mbeshtetjen e tyre per zbatimin e ketij modeli partiak.  Nderkombtaret mund te ofrojne ndihmen teknike dhe njohurite politike, por zbatimi eshte ne duar tuaja dhe te Partise Demokratike, neqoftse deshironi nje kuvend me te vertete demokratik e te lire nga autoritarizmi i udheheqsve te partise, nje parlament me antaret e te cilit do te jene krenare te gjithe shqiptaret kudo. Jo si ky qe po na turperon para botes!

Zbatimi i ketij modeli qe propozoni, kerkon vullnet te mire, guxim politik dhe atdhedashuri. Koha per veprim eshte tani, Z. Basha!

Filed Under: Politike Tagged With: Demokratizimi i Partive, Frank shkreli

Paralajmërimi i At Gjergj Fishtës: Kujdes nga rreziku i brendshëm!

February 22, 2019 by dgreca

Paralajmërimin për rrezikun e brendshëm, At Gjergj Fishta e ka bërë me shkrimin e titulluar, “Rreziku i Përbrendshëm” në revistën e famshme françeskane të fillim shekullit të kaluar, “Hylli i Dritës”, numër 1 e vitit 1921. Megjithëse artikulli është shkruar para 98 vjetëve, aktualiteti i fjalëve dhe paralajmërimi i At Gjergj Fishtës drejtuar klasës së atëhershme politike, mbi rrezikun e brendshëm që i kanosej Shqipërisë dhe shqiptarëve, aktualisht dhe fatkeqësisht tingëllon aktual si një kambanë kushtrimi që bie edhe sot për shqiptarët dhe autoritetet politike të dy shteteve – Shqipëri e Kosovë, pothuaj një shekull më vonë. At Gjergj Fishta e njihte mirë fizionominë e shqiptarit. Ai nuk i kursente fjalët dhe nuk shkruante për të siguruar mbështetje politike nga autoritetet qeveritare dhe shtetërore të rastit ose të kohës, as për interesa personale ose politike dhe as nuk kishte për qëllim që me shkrimet e tija të argëtonte, “Damat e kalorësit e oborreve princore”, siç është shprehur dikur në një shënim, At Viktor Volaj, një mësim ky edhe për medien e sotme shqiptare.

Fishta konsideronte se “rreziku i brendshëm” i vinte kombit jo nga “armiqtë e brendshëm” siç i cilësonte regjimi komunist kundërshtarët e vet politikë. Jo, për At Gjergj Fishtën, rreziku i brendshëm për Shqipërinë dhe për shqiptarët ishin, “vagabondat, sallahanat, rrugaçat…këta njerëz, këta mikrobe të kombit”, siç i cilësonte ai, të cilët “po munden sot me shpresue se hynë ndër zyra të shtetit shqyptar e me marrë, madje, rrogat ar”. Mbi të gjitha, me këtë paralajmërim si edhe me të gjitha shkrimet e tija – pa marrë parasysh se ç’mendojnë për të dhe për veprën e tij pseudo-historianët shqiptarë dhe nostalgjikët e sotëm të Enverit – At Gjergj Fishta synonte gjithmonë mbrojtjen e interesave të kombit shqiptar dhe të avancimit të imazhit dhe të shpirtit të tij heroik e fisnik, në botë.  Frati i maleve paralajmëronte shqiptarët për ato që ai i konsideronte si rreziqe që i kanoseshin kombit shqiptar nga armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm. Megjithëse për shqiptarët “modernë” dhe për klasën e sotme politike, si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë, At Gjergj Fishta mund të konsiderohet shumë i largët dhe i pa konsekuenca për historinë dhe aktualitetin e sotëm shqiptar, unë u them, se e kini gabim.  Në sytë e vrojtuesve të paanshëm, mendimet dhe paralajmërimi i Fishtës janë aq aktuale sot, sa ishin pothuaj edhe një shekull më parë, pasi duket sikur, fatkeqësisht, një shekull më vonë, asgjë nuk ka ndryshuar në këtë pikëpamje. Sidomos kur të merret parasysh gjendja aktuale në Shqipëri dhe Kosovë, përfshirë grindjet politike dhe luftën për pushtet, korrupsionin, drogën, trafiqet e lloj-llojshme, mbrojtjen e interesave personale dhe familjare në punët e shtetit dhe të bizneseve nga ana e pushtetarëve, e të tjera që historikisht, nuk e paraqet klasën e sotme politike shqiptare në dritën më të mirë që mund të jetë, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë.  Fatkeqësisht, shqiptarët nuk kanë mësuar aspak nga gabimet e së kaluarës, përfshirë periudhën historike dhe hallet për të cilat ka shkruar Gjergj Fishta, pothuaj një shekull më parë.

Interesat personale dhe partiake sot po shkatërrojnë harmoninë e brendshme shoqërore të botës shqiptare dhe po nxisin armiqtë e kombit që të peshkojnë në ujërat e turbullta shqiptare kurdo që shohin një rast të volitshëm dhe derën e hapur për realizimin e qëllimeve të tyre djallëzore kundër interesave shqiptare. Gjendja politike aktuale në Shqipëri, sidomos në prag të zgjedhjeve të qershorit dhe situata e brishtë e brendshme dhe e jashtme e Kosovës, kërkon prej atyre që ia duan të mirën kombit shqiptar e, sidomos nga ta që sot kanë në dorë fatin e kombit, që t’i vihet vesh paralajmërimit shekullor të At Gjergj Fishtës: Kujdes nga rreziku i brendshëm! Dallimet e theksuara shoqërore në fushën politike dhe ekonomike, ku një segment i vogël i shoqërisë që kontrollon politikën dhe ekonominë, favorizohet mbi të tjerët – sidomos në një shoqëri të varfër siç është bota shqiptare – përbëjnë një rrezik për të ardhmen e shqiptarëve, jo vetëm brenda trojeve shqiptare, por edhe në marrëdhënie me të tjerët. Por, me një harmoni të brendshme politike dhe ekonomike, kërcënimet e brendshme dhe të jashtme ndaj interesave kombëtare të shqiptarëve, sado serioze qofshin ato, do të mund të përballen më lehtë me bashkimin e shqiptarëve rreth një platforme të përbashkët interesash kombëtare që duhet të qëndrojnë mbi të gjitha interesat e tjera politike dhe ekonomike. Në paralajmërimin për rrezikun e brendshëm nga At Gjergj Fishta në revistën e famshme françeskane, “Hylli i Dritës”, të vitit 1921, Poeti i Kombit, me një perspektivë historike të tijën, shkruan, nëse para fitimit të pavarësisë, shqiptarët ishin, “Të ndrydhun nën nji zgjedhë robnie pesëqindvjeçe, të rrejtun prej të huajve, të tradhtuem prej të mëdhenjve, deri shpresën e kishin bjerrë shqyptarët, se shofin kurrë atdheun e vet të lirë e të pamverme; e prandej shumica e madhe e tyne s’pat as të nxetë as të ftoftë, kur u thamë se kishte Shqypni.  Por, qe, sot koha na dha arsye. Sot Shqypnia ka nji qeveri të vetën, ka nji parlament të vetin, ka nji ushtri, nji financë, a ma tepër ka nji vijë kufijsh të njoftme ligjsisht prej Fuqive të qytetnueme: të tana sende këto qi na dëshmojnë se Shqypnia ashtë, e se ashtë e lirë dhe e pamvarun”.

Fishta shkruante se, “Ideali ynë përsa i përket pamvarsisë dhe lirisë së kombit shqyptar u realizue”, duke shtuar se “Shteti shqyptar leu”, por njëkohsisht shtron pyetjen: “Po mirë: por a jeton? A rritet? kombi shqiptar.  Ai shprehet se, aty për aty, nuk dukej të kishte ndonjë kërcnim të menjëhershëm nga jashtë ndaj Shqipërisë së re të pavarur, por paralajmëron se për të shuar jetën e re të pavarësisë së shtetit të ri shqiptar, nuk ishte e nevojshme që rreziku të vijë, patjetër, nga jashtë. “Shumë herë ai rrezik vjen tue u pjekë e tue u nugë shi përbrenda tejzave mbi të cilat bulon jeta. Njato mikrobe të helmatosuna, qi vërvisin përbrenda gjakut të nji limfatiku, janë nji për nji të rrezikshëm për jetë të njeriut sa nji zhigjetë a nji plumb që të përshkohet nëpër trup të tij…” Prandaj, Fishta bën thirrje se, “Duhet pra që na, si edhe të gjithë njata që kanë për zemër Shqypninë edhe dijnë çka asht liria e vërtetë, çka asht atdheu, t’i mbledhin mendtë tok mbi nji çashtje kaq me randësi e mos të përkundena në nji optimizëm të pa arsyeshëm, tue mahitë vendin e popullin me fjalë entuziazmi. Kombi s’do rrejtë; asht mëkat me e rrejtë kombin! Kombit i duhen çilë sytë e i duhen çilë sytë me kohë, kur të shifet se jeta e tij ashtë në rrezik, kështu që me kohë të mund të marrë ato masa që vendi e mendoret t’ia këshillojnë me i përdorue për të shpëtue jetën e vet.”  Fishta paralajmëron, siç shprehet, me fjalën e të moçmit se, “lëngatës i do ba ballë që në fillim, pse vonë e vonë mandej ka për t’iu gjetë bari”.

“Nuk ashtë mjaftë që të jetë ba Shqypnia; duhet ta mbajmë”, ka paralajmëruar Fishta dhe vazhdon se nëse duam të shohim se “Çfarë rreziku mund ti kërcënohet atdheut nga s’përmbrendi…simbas parimeve të etikës së popujve të qytetnuem” duhet të shohim, “natyrën e pëmbrendshme të autoritetit dhe rregullat simbas të cilave duhe përdorue financat e shtetit, e mandej të ndajmë elementin ma të rrezikshëm për autoritetin dhe financat…”

Fishta i shikon ata që i quan “sundimtarë” të shtetit, qofshin ata “princë, bajraktarë, pashë a beg”, jo si të preferuarit e shoqërisë me privilegje, të drejta e pasuri, në krahasim me njerëzit e thjeshtë, por si të barabartë me të gjithë të tjerët, sepse “gjaku i gjithë njerëzve ashtë një.”   Si rrjedhim, ai paralajmëron në artikullin e Hyllit të Dritës se, “Ditën, pra, që nji sundimtar i shtetit zen ta përdorojë autoritetin shtetnuer jo për dobi të shtetit mbarë, por për qëllime vetjake ase për interes të ndonji kastës në shtet, qëllimi i të cilës mos të ketë kurrnjë të përpjekun me lehtësimin e gjallnimit të njeriut mbi tokë e me të përmirësuemit e tij individual e kolektiv, atë ditë fillon shkatërrimi i atij shteti, e sundimtari bahet mikrobi-gjaks i kombit të vet, pa qenë nevoja që armiku prej së jashtmi të harxhojë fishekë në të…”

“Shqyptarë! Atdheu nuk mbahet me dokrra e me pallavra, por me fli e me punë”, paralajmëron Gjergj Fishta dhe pohon se, “ Elementi ma i rrezikshëm a, ma mirë me thanë, rreziku ma i madh i Shqypnisë janë vagabondat: njata shqyptarë që, pa mujtë me përfitue kurrë nji mendim të shëndoshë në mendje të vet, s’janë të zotët me i rreshtue dy shkrola bashkë pa gabim; që për atdhe filluen me u kapë së parit, a m’atëherë kur banë rrush e kumlla gjanë e të parëve të vet e ma s’u mbet asnji dysh…Njerëz rrugaça, njerëz shakllabana e të pa kurrfarë njerëzie e mirërritjeje, të pa kurrfarë mësimi të vlefshëm, që gjithë jetën e vet s’qenë të zotët me shtrue kund ndoj plang, me ngulë kund ndoj truell, me ngrefë kund ndoj shtëpi, me kapë kund ndoj punë, me zanë kund ndoj mik, por gjithmonë me valixhe nën dorë, të harlisun nga mendja, të përdhosun kah fjala, të çoroditun kah vepra; ku mbillen, s’korren; ku bijnë nuk çohen; veç nga, si mizat pakrye, skele në skele, fshat në fshat, qytet në qytet, gjithkund tue zanë ndoj ves të ri, gjithkund tue lanë ndonji marre të re për Shqypni…”

 “…Qe, pra, se kush janë rreziku ma i madh i Shqypnisë: vagabondat, sallahanat, rrugaçat. Por, megjithkëte, këta njerëz, këta mikrobe të kombit, jo veç se po kanë sy e faqe me lypë, por edhe po munden sot me shpresue të hynë ndër zyra të shtetit shqyptar e me marrë, madje, rrogat ar. Po a përnjimend se, për me ushqye e me majtë këta njerëz të poshtër, tregtari ynë do të thithë miazmat e dugajave e të sokaqeve, bulku ynë do ta mbajë kryet në gërshanë gjatë shtigjeve të vështira? E po ku jemi na, o Zot? A përnjimend se edhe kuptimi i burrënisë asht harrue në këte dhe, që njerëzve kaq të poshtër po u delka me u ushqye me djersë – me gjak – të kombit shqyptar…?

“Shqyptarë! A vagabondat jashta pune e jashta Shqypnie, ase ndryshe kemi sharrue me t’egër e me të butë”, përfundon porosinë dhe paralajmërimin At Gjergj Fishta në vitin 1921. Fatkeqësisht, paralajmërimi i Fishtës nuk u mor parasysh në kohën e tij, as më vonë. Por ia vlen që sot, pothuaj 100-vjet më vonë, kjo kambanë kushtrimi të dëgjohet nga “sundimtarët” e sotëm anë e mbanë trojeve shqiptare që është një thirrje për bashkim me qëllim për të mënjanuar përsëritjen e historisë së 100-viteve të kaluara të shqiptarëve, ashtu që siç ka thënë At Gjergj Fishta, “lëngatës” të rrezikut të brendshëm, t’i bëhet ballë që në fillim, para se të jetë tepër vonë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, porosia e At Gjergj Fishtes

PROF. DR. REXHEP KRASNIQI: BIR SHPIRTI I BAJRAM CURRIT

February 18, 2019 by dgreca

Me rastin e 20-vjetorit të largimit nga kjo jetë/

1-Frank-shkreli-

Nga Frank SHKRELI/

Në bisedë e sipër me mikun dhe kolegun tim Idriz Lamaj, ai më kujtoi se ky muaj shënon 20-vjetorin e kalimit në amshim të njërit prej udhëheqsëve më të dalluar, më të nderuar dhe për shumë dekada ndër më të respektuarit e diaporës shqiptaro-amerikane, Prof. Dr. Rexhep Krasniqi. Për më tepër, Idrizi më njoftoi se me këtë rast, në Kosovë është botuar një libër për jetën dhe veprimtarinë e këtij burri të madh të Kombit shqiptar. Nuk e kam lexuar ende librin, por mund të them se një vepër e tillë na mungonte ne këtu në diasporë, megjithse kemi pasur nderin dhe fatin ta njihnim Dr. Krasniqin, por më shumë besoj se kjo vepër u nevojitet lexuesve anë e mbanë trojeve shqiptare – e sidomos brezit të ri, të cilët, për arsye që dihen, mund të mos kenë dëgjuar fare për Dr. Rexhep Krasniqin.

Libri i autorit Dr. Besim Muhadri: “Prof Dr. Rexhep Krasniqi Një Jetë në Shërbim të Shqipërisë Etnike”, botuar kohët e fundit në Kosovë

Por kush ishte Prof Dr. Rexhep Krasniqi? Ai lindi në Gjakovë në vitin 1906 ku edhe mbaroi shkollën fillore, ndërsa shkollën e mesme e kreu në akademinë e njohur “Theresanium” të Vjenës, një ndër entet më të njohura dhe aristokrate të para Luftës së Dytë Botërore në Evropë. Siç shkruan – në vend të parathënies — edhe autori i librit, “Prof. Dr. Rexhep Krasniqi -Një jetë në shërbim të Shqipërisë Etnike” – në artikullin e botuar ditët e fundit në gazetën Dielli, organ i Federatës Pan-Shqiptare Vatra, “Rexhep Krasniqi kaloi një jetë tepër të rëndë dhe shumë të dhimbëshme, sepse që në moshën 8 vjeçë mbeti jetim, pa të dy prindërit. Duke parë një fëmijë tepër të zgjuar, por edhe në një gjendje tepër të vështirë, atdhetari dhe arsimdashësi, Bajram Curri, ose siç do ta quajë Noli ynë i madh, Tribuni i vegjëlisë, personalisht atë do ta adoptojë si “Bir shpirti”. Në mungesë të prindërve Bajram Curri do ta shoqëronte atë për herë të parë me rastin e regjistrimit në shkollë në Vjenë”, shkruan autori.

Në vitin 1934 Rexhep Krasniqi ka marrë titullin akademik “Doktor Fillozofie” nga Universiteti i Vjenës, teza e të cilës ka qenë, “Kongresi i Berlinit dhe Shqipnia Verilindore”, nën mbikqyrjen e Profesorit austriak Karl Patsch, Kryetar i Institutit për studime ballkanike pranë Universitetit të Vjenës dhe njëri prej albanologëve dhe historianëve më të njohur të asaj kohe në Evropë. Pasi përfundon studimet universitare në Vjenë, Rexhepi i ri këthehet në Atdhe dhe emërohet menjëherë profesor i historisë dhe gjeografisë pranë gjimnazit në Gjirokastër, ku edhe shërbeu si zëvendës drejtor deri në vitin 1938. Po këtë vit, Rexhep Krasniqi emërohet Drejtor i Arsimit të Mesëm në Ministrinë e Arsimit në Tiranë dhe më vonë Inspektor Epruer pranë kësaj ministrie. Më 1941, ai caktohet Komisar i Lartë i Shkollave të Mesme në Kosovë dhe Drejtor i Gjimnazit të parë në gjuhën shqipe në Prishtinë. Dr. Rexhep Krasniqi në një numër të revistës “Shëjzat” të vitit 1974 e përshkruan kështu emërimin e tij në Gjimnazin e Prishtinës nga Ministri i atëhershëm i Arsimit shqiptar, Prof. Ernest Koliqi: “Për organizimin e Internatit ku do të banojshin 200-studentë – shumica e të cilëve do të studjonin me bursa të qeverisë shqiptare – Ministri i Arsimit, Prof. Ernest Koliqi, emëroi Prof. Vasil Andonin me titull rektor dhe si ndihmës mësues, Lirak Dodbibën, të cilët qenë dërguar në krye të detyrës (në Kosovë) në Tetor, 1941. Për drejtimin e gjimanzit të Prishtinës ishte caktuar një arsimtar i merituar Kosovar që ishte në Tiranë. Por ky për arsye personale në çastin e fundit u tërhoq. Ministri Koliqi, që i kishte dhënë një rëndësi të jashtëzakonshme, zhvillimit të arsmit kombëtar në krahinat kosovare, u gjënd në njl pozitë të vështirë për zevëndsimin e tij. Më në fund, me pëlqimin e plotë të tij, ai i ofroi Prof Krasniqit drejtimin e shkollës në fjalë si Komiser i Ministrisë, i cili njëkohsisht do ruante pozitën që kishte në atë kohë edhe si Inspektor Epruer në Ministrinë e Arsimit, bashkë me arsimtarët e njohur si Karl Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani, Anton Deda, Kolë Kamsi e Kostaq Cipa.”

Për t’i ra shkurt, fati i këtyre burrave gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore dihet. Megjithëse, me këto koka, jo vetëm atëherë, por edhe sot, Kombi shqiptar mund të krenohej para botës së qytetëruar dhe me të cilët – atëherë dhe sot – për nga përgatitja e tyre akademike, politike dhe njerëzore, e sidomos për nga atdhedashuria e tyre, do të krenohej çdo popull. Pas luftës, Dr. Rexhep Krasniqi pësoi të njëjtin fat me të tjerët — ndër më të mirët e Kombit – duke u detyruar të largoheshin nga Atdheu i tyre. Edhe ai merr rrugën e mërgimit, duke u vendosur së pari në Siri pastaj prej aty shkon në Australi, ku për mungesë të gjuhës anglisht detyrohet të bëjë lloj punësh, përfshirë fabrikën e automjeteve, për të siguruar bukën e gojës.

Për fat të tij, por më shumë për fatin e komunitetit shqiptaro-amerikan, Dr. Rexhep Krasniqi ftohet në vitin 1957 nga Departamenti Amerikan i Shtetit që të vinte në Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në formimin e Komitetit “Shqipëria e Lirë”, me qëndër në New York. Dr. Krasniqi e drejtoi këtë ent shqiptaro-amerikan, të financuar nga Amerika, deri në shëmbjen e komunizmit. Ishte në këtë rol që Prof. Dr. Rexhep Krasniqi siguroi admirimin e komunitetit shqiptaro-amerikan, pothuaj pa dallim. Komiteti Shqipëria e Lirë shërbente në atë kohë, si ambasadë dhe si konsullatë, por edhe si zyrë ndihmash për shërbime të ndryshme për të gjithë shqiptarët në nevojë, pasi nuk ekzistonin marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, ndërsa për Kosovën dihej pak ose aspak. Për çfardo nevoje qoftë, shqiptarët e arratisur nga regjimi komunist i drejtoheshin Komitetit “Shqipëria e Lirë” për ndihmë.


Dr Hamdi Oruçi duke i dorëzuar pllakën e artë Dr. Prof. Rexhep Krasniqit, në emër të komunitetit shqiptaro-amerikan, New York, 28 Nëntor, 1975

Ishte pikërisht për aktivitetin e tij në shërbim të komunitetit shqiptaro-amerikan, që Dr. Hamdi Oruçi, një tjetër kolos i diasporës shqiptare të pas luftës në Amerikë, i dorëzoi Dr. Rexhep Krasniqit, në emër të komunitetit shqiptaro-amerikan, pllakën e artë – simbol falënderimi jo vetëm për punën e tij të palodhur për të ndihmuar shqiptarët e shpërndarë, por edhe për veprimtarinë e tij politike dhe atdhetare, në fushën e ruajtjes së gjuhës dhe të kulturës shqiptare në këtë vend, të drejtave bazë të njeriut dhe për përpjekjet e tija për liri e demokraci të vërtetë për Kombin shqiptar.

Unë e kisha takuar disa herë Rexhep Krasniqin dhe me çdo rast, ashtu si edhe disa të tjerë të kalibrit dhe të brezit të tij, gjithmonë na jepte zemër e kurajo ne të rinjve në atë kohë, që të vazhdonim punën e tyre në komunitet, që të mos harronim gjuhë e kulturë, e prejardhje. Në vitin 1972 kisha filluar një broshurë tepër modeste për të rinjët, “Rinia Shqiptare në Mërgim”, e cila i kishte rënë në dorë Doktorit të nderuar. Dhe në karakteristikën e tij që e dallonte, për një nismë megjithse tepër modeste, Prof Krasniqi kishte gjetur kohë të më shkruante një letër duke më dhënë kurajo për të vazhduar ndërsa me porosiste: “I kam lexue rishtas edhe të dy numrat e së përkohëshmes “Rinia Shqiptare në Mërgim”. Secili fillim ashtë i vështirë, por nga përmbajtja e artikujve që keni botue deri tashti më duket se jeni në rrugë të mbarë e që përputhet me moton e juej, “Lux et Veritas” (Drita dhe e Vërteta”. Të shpresojmë se me kohë, broshura juej ka me u ba një përmbledhje e fuqive të reja të kulturës dhe virtyteve të Kombësisë Shqiptare në këtë vend të lirisë dhe të përparimit.” Në të njëjtën letër, Doktor Krasniqi më jepte kurajo gjithashtu për vazhdimin e shkollës, dhe të mësoja anglishten, ashtuqë, sipas tij të, hyja “në radhën e shqiptarëve të paktë të kësaj kategorie, në këtë vend.”

Fjalët dashamirëse, porositë, këshillat, guximi, por edhe ndihmat që nuk i kursente për të gjithë, e dallonin atë nga shumë të tjerë. Në këtë përvjetor, kujtimet e mia më të sinqerta, jo vetëm nga unë, por nga të gjithë ata që e kanë njohur dhe të cilët në një mënyrë ose një tjetër kanë përfituar nga ndihmat dhe nga këshillat e tija në nivel personal — janë të shumëta dhe të përzemërta dhe vazhdojnë të jenë të gjalla edhe në ditët e sotëme. Për kontributet e tija të panumërta dhe për arritjet jetësore në diasporë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare në Atdhe, komuniteti shqiptaro-amerikan i kishte shprehur falënderimet e veta Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, me 28 Nëntor, 1975 duke e dekoruar Dr. Rexhep Krasniqin me pllakën e artë me këtë motivacion: “Për punën e tij të vazhdueshme në Shqipëri dhe jasht Atdheut, me vendosmëri dhe ndershmëri kombëtare, me dedikim të papërkulur, në lamën e përparimit kulturor dhe politik të popullit shqiptar dhe Shqipërisë, ku një ditë jo të largët do të vendosen liria e fjalës dhe ajo e mendimit, liria e besimit dhe liria e mbledhjes, si dhe të gjitha liritë e tjera demokratike, si kujtim i paraqitet kjo pllakë Rexhep Krasniqit për shenjë nderimi dhe falënderimi, sot me 28 Nëntor, 1975 në qytetin e Nju Jorkut të Shteteve të Bashkuara, Bashkësia e Nju Jorkut.”

Rexhep Krasniqi ka lënë pas një trashëgimi të madhe kulturore dhe historike me shkrimet e tija në median e mërgimit, përfshirë Shëjzat dhe sidomos me shkrimet e tija në organin e entit që ai drejtonte, gazetën Shqiptari i lirë. Për më tepër, si Kryetar i “Komitetit Shqipëria e Lirë”, Dr. Rexhep Krasniqi ishte i pranishëm në shumë seminare dhe konferenca akademike dhe ndërkombëtare në universitetet amerikane dhe më gjërë, për të folur për historinë e Kombit shqiptar dhe për gjëndjen e mjerë politike të tij, nën regjimin komunist të asja kohe. Si përfaqsues i lartë i komunitetit shqptaro-amerikan për dekada, Dr Krasniqi gjëndej shpesh edhe pranë komuniteteve shqiptare të përhapura në Amerikë dhe në Evropë, përfshirë Arbëreshët e Italisë dhe ishte ndër ata të pakët nga i cili — përsonalitetet më të shquara politike të Evropës dhe të Amerikës — kërkonin këshilla dhe të dhëna mbi gjëndjen e botës së mbyllur shqiptare nën komunizëm.

I zgjedhur nga vet Heroi i Dragobisë, si “Bir shpirti” i tij – ai kishte mbetur jetim pasi kishte humbur prindërit që në vegjëli – Bajram Curri e kishte shoqëruar Rexhepin e vogël në udhëtimin e tij të parë për në Vjenë të Austrisë, ku Dr. Rexhep Krasniqi mbaroi studimet e larta dhe prej ku është doktoruar nga Universiteti i Vjenës.

Në këtë 20-vjetor të vdekjes së të “Birit në shpirt”, caktuar si i tillë nga vet heroi i Dragobisë — me mall e respekt e kujtojmë këtë muaj Prof. Dr. Rexhep Krasniqin, njërin prej protagonistëve kryesorë të nacionalizmit të shëndoshë shqiptar, i cili me bashk-kohasit e tij, të të njëjtit mendim e qëllim — po tu ishte dhënë mundësia — do ta kishin “bërë Shqipërinë”, ashtu siç e donin ata atëherë dhe siç ende e dëshirojmë edhe ne sot për mbarë Kombin — të bashkuar, të lirë dhe vërtetë demokratike, të integruar një herë e mirë në organizmat politike, ekonomike dhe ushtarake verio-atlantike të botës perëndimore. Kjo ishte ëndërra e Dr. Rexhep Krasniqit dhe e shokëve të brezit të tij – një ëndërrë për realizimin e të cilës ata jetuan e vepruan gjithë jetën e tyre në mërgim, por që fatkeqësisht mbetet ende endërra jonë e pa realizuar krejtësisht edhe sot, në çerekun e parë të shekullit 21.

Filed Under: Politike Tagged With: Bir shpirti, Frank shkreli, i Bajram Currit, Prof. Rexhep Krasniqi

DITA NDËRKOMBËTARE E RADIOS, 2019…

February 13, 2019 by dgreca

–   Dialog, Tolerancë dhe Paqë/

1-Franku

NGA FRANK SHKRELI/

“Në këtë Ditë Ndërkombëtare të Radios, le të kujtojmë dhe të njohim rolin e këtij mjeti të fuqishëm mediatik për të promovuar dialogun, tolerancën dhe paqën”. Kështu është shprehur Sekretari i Përgjithëshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, në mesazhin e tij për të shënuar 13 Shkurtin, Ditën Ndërkombëtare të Radios.

Radio-ja, sidomos në të kaluarën, para shpërthimit të teknologjisë informative dhe transmetimeve satelitore, por edhe sot njihet gjithnjë si një medium që mund të ketë numrin më të madh të njerzëve që e ndjekin anë e mbanë botës. Natyrisht, se në botën e zhvillimeve moderne të teknologjisë informative, edhe shërbimet që ofron radioja po ndryshojnë gjithashtu në hap me ndryshimet e tjera në fushën e shpërndarjes së lajmeve dhe të informacionit, ndërsa ente të ndryshëm mediatike kanë adaptuar ndryshimet teknologjike që ofron në këtë fushë shekulli i ri dhe media shoqërore moderne. Si gjithmonë, ashtu edhe sot, radioja është unike në rolin e vet për të bashkuar komunitetet dhe për të promovuar një dialog pozitiv për bërjen e ndryshimeve, qoftë në nivel vendor ashtu edhe atë ndërkombëtar.

Duke u përballur me nevojat dhe me sfidat e dëgjuesve të saj, radioja si një mjet mediatik shumë i përhapur botërisht, mundëson transmetimin e pikëpamjeve të ndryshme dhe u jep hapësirë zërave që për ndryshe nuk do të dëgjoheshin për zgjidhjen e problemeve dhe të sfidave me të cilat përballet cilado qoftë shoqëri ose komunitet në botë. Radioja, sidomos transmetimet ndërkombëtare radiofonike — nepërmjet valëve të shkurtëra dhe të mesme gjatë Luftës së Ftohtë dhe deri më në ditët tona – kanë shërbyer si një platformë për dialog dhe për debate demokratike mbi çeshtjet me rëndësi vendore, rajonale dhe ndërkombëtare. Njihet tanimë roli historik që kanë luajtur gjatë Luftës së Ftohtë — radiot ndërkombëtare perëndimore, siç janë Zëri i Amerikës, Radio Evropa e Lirë dhe BBC-ja – në shembjen e komunizmit ndërkombëtar dhe në arritjen e objektivave të strategjisë së perëndimit kundër komunizmit, duke shërbyer vazhdimisht, sipas Kartës së Zërit të Amerikës, si një “Burim i besueshëm dhe autoritar lajmesh. të sakta, objektive, dhe gjithëpërfshirëse.”

Transmetimet ndërkombëtare perëndimore dhe sidomos Zëri i Amerikës, të cilin e njoh mirë, pasi kam punuar për këtë ent për 30-vjet në detyra të ndryshme përgjegjësie – ç’prej themelimit të tij gjatë Luftës së dytë Botërore dhe më vonë gjatë Luftës së Ftoftë e deri në ditët e sotëme, është angazhuar, jo vetëm si detyrim gazetaresk –por madje edhe si detyrim ligjor, si asnjë ent tjetër mediatik –që të thotë të vërtetën. “Është i famëshëm transmetimi i parë i Zërit të Amerikës, kur folësi ka deklaruar se: “Lajmet mund të jenë të mira ose të këqia. Ne do t’ju themi të vërtetën”. Zëri i Amerikës për më shumë se 75-vjetë — përfshirë Zërin e Amerikës në gjuhën shqipe – ka qëndruar vazhdimisht dhe gjithmonë, pa asnjë dyshim, në mbështetje të përpjekjeve për liri e demokraci jo vetëm në trojet shqiptare, por edhe kudo në botë. Ç’prej fillimit, VOA, sidomos ka shërbyer si shembull i zbatimit dhe ruajtjes së parimeve të lirisë së fjalës dhe të shtypit të lirë.

Në Ditën Ndërkombëtare të Radios – sipas fjalëve të Drejtoreshës së Përgjithëshme të UNESCO-s, Zonjës Audrey Azoulay në mesazhin me këtë rast — “Le të bashkohemi përball shqetësimeve të përbashkëta për të promovuar dialogun dhe pjesëmarrjen”, për të zgjidhur problemet me të cilat përballen shoqëritë vendase dhe bota në përgjithësi. Le të festojmë në këtë ditë, sipas saj, “Rolin e madh të radios duke përdorur këtë mjet mediatik për të zgjëruar horizontet tona, me qëllim që të ndërtojmë shoqëri më të harmonishme.”

Duke filluar nga radiot e mëdha ndërkombëtare e deri tek radiot vendore, në mesazhin e saj me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Radios, zyrtarja e lartë e UNESCO-s, shtoi duke thënë: “Le të kujtojmë rolin e rëndësishëm që luan radioja në nxitjen e debatit publik rreth çeshtjeve të ndryshme, në angazhimin e shoqërisë civile në këtë debat dhe kontributin e saj në frymëzimin e mirëkuptimit të përbashkët, bazuar në temen e këtij viti kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Radios: “Dialog, Tolerancë dhe Paqë”.

Sepse sfidat me të cilat përballemi, përfundon mesazhin e saj Drejtoresha e UNESCO-s, “Varen gjithnjë e më shumë nga aftësia jonë për të komunikuar dhe për të folur me njëri tjetrin me qëllimin për të gjetur zgjidhje të përbashkëta”, për problemet me të cilat përballet shoqëria e të cilat kërkojnë zgjidhje urgjente.

Gëzuar Dita Ndërkombëtare e Radios!

1.Radio 1.JPG

Kryeqendra e Zërit të Amerikës në Washington.

1 radd

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 60
  • 61
  • 62
  • 63
  • 64
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT