• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MARTIN LUTHER KING-U PËR PROTESTAT PAQËSORE

December 17, 2018 by dgreca

ME RASTIN E 50-VJETORIT TË VDEKJES/

2-Frank-shkreli-2-300x183-1-1

Nga Frank Shkreli/

    “Kjo është koha për të realizuar premtimin e demokracisë”.   /

1 a Luther King

Foto nga fjalimi historik i Martin Luther King-ut me 28 gusht, 1963 para një turme prej më shumë se 250,000 vetash në Washington./

Ky vit shënon 50-vjetorin e vdekjes së Martin Luther Kingut, i vrarë në një hotel në qytetin Memfis të shtetit Tenesi në vitin 1968.  Martin Luther King-u ishte një prift protestan i sektit Baptist dhe njëkohësisht edhe aktivist i të drejtave civile, i njohur në Amerikë dhe në botë si zëdhënsi dhe udhëheqësi më i njohur i lëvizjes për promovimin e të drejtave bazë të njeriut, nepërmjet protestës paqësore dhe mosbindjes civile.  Ai i bazonte taktikat e tija të rezistencës paqësore në besimin e tij të krishtër, ndërkohë që gjente frymëzim edhe nga aktivizmi paqësor i Mahatma Gandhi-t.

Ishte kjo një lëvizje — protestash paqësore, anë e mbanë Shteteve të Bashkuara – e që kishin për qëllim zhdukjen e diskriminimeve ndaj afrikano-amerikanëve, në pothuaj të gjitha nivelet e qeverisjes federale dhe shtetërore dhe jo vetëm.  Ishte një përpjekje e Martin Luther Kingut, si udhëheqsi kryesor i kësaj lëvizjeje, që nepërmjet protestave paqësore të lloj-llojshme, t’i jepte shpresë dhe më në fund të siguronte pasuesit dhe mbështetsit e Lëvizjes së tij – si të bardhë ashtu edhe afrikano-amerikanë — për mundësinë e një trajtimi të barabartë për të gjithë, me qëllim për të marrë pjesë në të ashtuquajturën, “ëndërrë amerikane”, pa dallime racore, fetare ose origjine etnike.

Ajo periudhë cilësohet si një periudhë shprese biblike e Martin Luter Kingut, shpresë që pothuaj askush nuk mund t’a parashikonte – ndoshta as vet Martin Luter King-u — se një ditë ajo do të bëhej realitet.  I gjithë aktivizmi i Doktor Martin Luther King-ut në mbrojtje të drejtësisë, të lirisë dhe të drejtave të barabarta për të gjithë, vazhdon edhe sot të jetë një thirrje tepër aktuale këtu në Shtetet e Bashkuara dhe anë e mbanë botës.  Është kjo një kujtesë në këtë 50-vjetor të vdekjes së tij që mban të gjallë shpresën, se e mira do ta mundë të keqen – fjalë të shqiptuara këto nga goja e këtij predikatori baptist protestan, por edhe e një udhëheqsi moral kombëtar, i cili tani me të drejtë e ka monumentin e tij ball për ball me monumentet e themeluesve dhe baballarëve më të rëndësishëm të kombit amerikan, në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Uashington.  Ky është një testament historik që kombi amerikan kujton Martin Luther Kingun, jo vetëm në këtë 50-vjetor të vdekjes së tij, por edhe çdo vit tjetër në ditën e festës federale kushtuar këtij udhëheqsi të madh amerikan të të drejtave civile.

Kujtimi i tij në këtë përvjetor, na sjell në mend gjithë neve që jetojmë në Shtetet e Bashkuara, se si shoqëri dhe si shtet, Amerika nuk ka qenë dhe nuk është një shoqëri e përsosur, pa probleme ekonomike, politike, etnike, raciale e tjera.

Përkundrazi, edhe këtu vazhdojmë të përballemi me probleme. Por jemi të vet-dijshëm se ajo që e dallon Amerikën nga shumica e vendeve të tjera, ashtu siç ka thënë në një fjalim edhe ish-Presidenti i parë afrikano-amerikan, Z. Barak Obama, “Është angazhimi dhe mbështeja e këtij vendi ndaj disa vlerave universale që na e bëjnë të mundur të korrektojmë të metat dhe mangësitë tona, duke u përmirësuar gjithnjë si shoqëri dhe si rrjedhim, duke u bërë më të fortë.  Liria e fjalës dhe e drejta për të protestuar ka bërë të mundur që femërat dhe pakicat, të demonstrojnë në favor të të drejtave të plota dhe të barabarta për të gjithë, në një kohë kur atyre u janë mohohuar këto të drejta.”  Presidenti Obama ka thekësuar me atë rast se protestat paqësore për, “Zbatimin e ligjit dhe administrimin e drejtësisë, kanë rrëzuar monopolet dhe forcat politike të korruptuara dhe i kanë dhënë fund abuzimit të pushtetit.  Ndërkohë që media e lirë zbulon korrupsionin në të gjitha nivelet, përfshirë edhe entet qeveritare.”

Citimet dhe fjalimet e Martin Luther Kingu-t – si një trashëgimi e tij — megjithëse janë të një periudhe para më shumë se 50-vitesh, ato tingëllojnë edhe sot gjithnjë aktuale, profetike, për të mos thënë biblike, jo vetëm për aktualitetin politik dhe shoqëror në Amerikë sot, por janë reflektuese dhe shembull edhe për situata dhe protesta paqësore të popujve kudo në botë, pasi ai fliste për vlera dhe  për të drejta universale të përbashkëta për çdo individ dhe për të gjithë popujt kudo, pa marrë parasyshë, racën, fenë ose origjinën etnike.   Por koha, as demokracia nuk presin pafund për zgjidhjen e problemeve të cilës do shoqërie, është shprehur Dr. Martin Luther King-u në fjalimin e famëshëm që ka mbajtur në Katedralën Kombëtare të Uashingtonit, në mars të vitit 1968.

Ai ka folur për argumentat e disa personave të asaj kohe, të cilët ankoheshin se problemet nuk mund të zgjidheshin menjëherë, se duhej kohë, se koha në të vëtetë, do të shëronte të gjitha plagët, sipas tyre.   “Koha”, ka thënë Martin Luther King,   “Është një mit, e ky mit është se koha është neutrale, se ajo mund të përdoret për qëllime konstruktive, por edhe për qëllime shkatërruese.”  Justifikimin, se koha do i sherojë të gjitha problemet, forcat e errëta, ka theksuar ai, e kanë përdorur më efektivisht, se forcat e vullnetit të mirë.  Koha do ta tregojë, ka thënë ai se, “Do të duhet që ky brez, eventualisht, të pendohet për të bëmat e forcave të errëta — dhe jo vetëm për fjalët dhe veprat e dhunës së tyre — por edhe për heshtjen e tmershme dhe për qëndrimet indiferente të njerëzve vullnet mirë, të cilët rrijnë duarkryq”, përballë problemeve me të cilat ballafaqohet një shoqëri.   “Pa një punë të rëndë dhe pa përpjekje të vazhdueshme nga njerzit e vullnetit të mirë, koha në vet-vete, bëhet aleate e ngushtë e forcave primitive të stagnimit shoqëror, politik dhe ekonomik, është shprehur King-uduke shtuar se koha për të vepruar është tani.  “Kështuqë duhet të jemi bashkpuntorë të kohës duke qenë të vetdijshëm se koha është, gjithmonë, e përshtatëshme për të bërë mirë, për të bërë atë që duhet bërë”, për të mirën e përbashkët, është shprehur Martin Luther King.

“Nëqoftse njeriu nuk ka punë as të ardhura, ai nga ana tjetër nuk ka as jetë, as liri, as perspektivë dhe as mundësinë për të qenë i kënaqur”.   Duke njoftuar protesta paqësore kundër diskriminimit në atë kohë në Amerikë,  “Kemi ardhur në Uashington” — është shprehur Martin Luther King, në fjalimin e tij në Katedralën Kombëtare të kryeqytetit amerikan në vitin 1968 — “Për t’u angazhuar në një veprim dramatik paqësor, për t’u kujtuar të gjithëve hendekun e madh që ekziston midis premtimeve të bëra dhe mos-realizimit të premtimeve të dhëna.   Për ta bërë të padukshmen, të dukshme”, ka theksuar ai, duke paralajmëruar se, “Asgjë nuk do të realizohet drejtë zgjidhjes së problemeve me të cilat përballet shoqëria, nëqoftse njerëzit vullnet mirë, rrijnë duarkryq, me shpresen se koha, eventualisht, do t’i zgjidhë problemet”. 

Citimet dhe fjalimet e tija, megjithëse i përkasin një periudhe tjetër historike, tingëllojnë edhe sot gjithnjë aktuale, profetike, për të mos thënë biblike, jo vetëm për aktualitetin politik dhe shoqëror në Amerikë sot, por janë reflektuese edhe për situata protestuese të popujve kudo në botë.  Martin Luther King-u fliste për vlera dhe të drejta universale të përbashkëta për çdo individ dhe për të gjithë popujt kudo, pa marrë parasysh racën, fenë ose origjinën etnike.  E kujtojmë Doktor Martin Luther King-un në këtë 50-vjetor të vdekjes me disa nga thënjet e tija të famëshme – sidomos në lidhje me protestat paqësore kundër padrejtësive – e që janë aktuale edhe sot:

“Nëqoftse do të protestoni guximshëm, pa u trembur por me dinjitet, kur të shkruhet historia për brezat e ardhëshëm, historianët do të shënojnë në librat e historisë, se njëherë na jetonte një popull i madhërishëm, i cili futi një kuptim të ri të dinjitetit njërëzor, në rrjedhat e qytetërimit.”

 “Ju lutem të jeni paqësorë. Ne besojmë në ligjshmëri. Ne nuk promovojmë as nuk mbështesim dhunën.”

 “Është përgjegjësi morale që të mos përfillen ligjet e pa drejta”

 “Në fund të fundit, ne nuk do të mbajmë mend fjalët e armiqëve tanë, por do mbajmë mend heshtjen e miqëve tanë.”

 “Ne duhet të pranojmë një zhgënjim të kufizuar, por nuk guxojmë kurrë të humbasim shpresën për gjithmonë.”

 “Terri nuk zhduk dot terrin; vetëm drita mund të bëjë një gjë të tillë. Urrejtja nuk zhduk dot urrejtjen; vetëm dashuria mund t’a bëjë këtë.”

 “Jeta jonë fillon të marrë fund ditën që heshtim për gjërat e rëndësishme në jetë.”

 “Padrejtësia kudo qoftë, është kërcënim për drejtësinë gjithkund tjetër.”  Martin Luther King

 

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, MARTIN LUTHER KING-U, PËR PROTESTAT PAQËSORE

EDHE UNË JAM ME STUDENTËT!

December 13, 2018 by dgreca

“Shpresa kryesore e një vendi është edukimi i mirë i rinisë së tij.”/

Shkruan:FRANK SHKRELI/ Ishte rinia dhe studentët shqiptarë që ndihmuan në bërjen e ndryshimit të madh, me shembjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, pothuaj 30-vjet më parë.  Por thirrja dhe ëndërra e tyre, pas pothuaj gjysëm shekulli diktaturë komuniste, që t’a bënin Shqipërinë si e gjithë Evropa dhe një Shqipëri ndryshe, ashtu siç e donim shumë prej nesh, nuk është realizuar ende.

Pasi studentët e sotëm janë dëshmitarë se Shqipëria nuk po bëhet si Evropa, ashtu siç e donin paraardhësit e tyre në fillim të 90-ave, këta filiza të rinj po përpiqen sot t’a ringjallin atë shpresë dhe ëndërrë që mbeti e pa realizuar.  Prandaj mos u shqetësoni nga angazhimi qytetar plot përgjegjësi i studentëve — as qeveria as shteti, as shoqëria, në përgjithësi.  Mos kini frikë!  Është absolutisht një shfaqje pozitive për shoqërinë shqiptare.  Kërkesat e studentëve mund të jenë të kufizuara në numër, por reagimi dhe zemërimi i tyre është një pasqyrim i gjëndjes së vështirë të përgjithëshme politike dhe ekonomike, për të mos thënë, kaotike në Shqipëri dhe në botën shqiptare në përgjithësi, përfshirë edhe Kosovën.  Aktivizimi i rinisë, pa dyshim se sjellë shpresë.  Studentët shqiptarë janë plot ëndërra dhe idealizëm për të ardhmen e tyre dhe të Kombit të vet.  Si rrjedhim, shteti, qeveria, universitetet, edukatorët dhe shoqëria në përgjithësi duhet të bëjnë çdo gjë të mundur që të krijojnë për ta kushtet e përshtatëshme dhe një mjedis sa më të mirë edukues, që do të bëjë të mundur realizimin e ëndërrave të tyre dhe t’i bëjë ata pjesëmarrës dhe kontribues të dobishëm në ndërtimin e institucioneve të mirëfillta demokratike: të aftë që të përballen me përgjegjësitë dhe me sfidat që paraqet bota moderne, për ata si individë dhe për shoqërinë shqiptare në përgjithësi, por edhe konkurentë me të tjerët, në rajon dhe në botë.

Pa rini nuk ka përparim as shtet-ndërtim.  Prandaj asaj duhet t’i njihen dhe t’i plotësohen kërkesat, roli dhe pjesëmarrja e tyre në vendimet që kanë të bëjnë me edukimin e studentëve, me të ardhmen e tyre afat shkurtër, por edhe afat gjatë të tyre dhe të vendit ku jetojnë.  Rinia është shtylla e një vendi.  Është ky një rol që ata e meritojnë!   Për ata që mund të dyshojnë se nuk ia vlen të investohet në studentët dhe sstudentet e Kombit në këtë moment, ju lutem shikoni fëtyrat e asaj rinie të bukur, të qeshur, të përmbajtur, të mençur të shëndosh, plot shpresë dhe entuziazëm, por edhe patriotike, të pranishëm në sheshet dhe në universitetet, anë e mbanë vendit.  Autoritetet duhet të përfitojnë nga ky rast dhe të marrin masa serioze për plotësimin e kërkesave të tyre dhe të angazhojnë, seriozisht, rininë dhe studentët në jetën e vendit, para se të jenë vonë, pasi e ardhmja e vendit është edhe e ardhëmja e tyre.  Është një e ardhëme që përmban plot agime të reja. Është një periudhë e shpresave të guximshme.  Ndoshta studentët do t’ia dalin që të shkundin shpirtin e përgjumshëm në radhët e shqiptarëve, për një të ardhme më bujare dhe fatbardhë.  Mos kini frikë!

Kombi ka nevojë për filiza të ri në trungun e vjetër. Kërkesat e studentëve janë edhe politike, përveç kushteve, plotësimin e të cilave    ata kërkojnë. A do të këmbngulin votuesit shqiptarë duek kërkuar një rend të ri politik me njerëz që do të pasqyrojnë vullnetin dhe interesat e zgjedhësve shqiptarë dhe jo ato të padronëve partiakë dhe të klaneve të tyre politike?  Partitë politike dhe votuesit shqiptarë duhet të reflektojnë seriozisht që të vijnë në përfundimin se punët deri tashti nuk kanë shkuar aspak mirë, siç dëshmojnë edhe protestat e studentëve prej pothuaj prej 10-ditësh tani në Tiranë dhe anë e mbanë vendit.  Ky, fatkeqsisht, mund të jetë vetëm fillimi.

Sot, kombi shqiptar ka nevojë për filiza të ri në trungun e vjetër të politikës dhe të atdhedashurisë, për të vazhduar zhvillimin natyral politiko-historik të shqiptarëve, të ndërprerë nga regjimi komunist 50-vjeçar dhe nga trashëgimia e tij, fatkeqësisht, gjithnjë aktuale në politikën dhe shoqërinë shqiptare.  Ishte përmalluese dhe fatlume skena kur studentët protestues në midis të Tiranës, shpërthyen në këngë patriotike.  Ka një uri dhe etje për tu këthyer në vlerat shpirtërore të trashëgimisë kombëtare iliro-arbërore.

Le të shpresojmë se një brez i ri politikanësh shqiptarë, i dalur nesër nga përfaqësues të këtyre studentëve që protestojnë sot për të drejtat e tyre anë e mbanë Shqipërisë – mundësisht filiza të ri në trungun e vjetër të Kombit – do të shprehin vullnetin dhe interesat e shqiptarëve tashmë të lodhur nga politika e sponsorizuar nga oligarkët dhe nga interesat e ngushta të partive aktuale politike.  Shpresojmë që ky brez i ri politikanësh, të marrë në duartë e veta fatin e vendit dhe të Kombit, me patriotizëm dhe atdhedashuri, të hapë udhë të reja në historinë moderne të shqiptarëve, si trashëgues dhe ndjekës të traditës dhe të vlerave shekullore kombëtare.  Pas një periudhe prej 30-vjetësh post-komunizëm, nuk na ka mbetur tjetër veç të shpresojmë, të shpresojmë në këtë brez të rinisë shqiptare dhe në studentët që e përfaqësojnë atë sot në sheshet dhe universitetet, anë e mbanë Shqipërisë.

Rinia është gjymtyra kryesore e shoqërisë shqiptare sot nëqoftse dëshironi të ndërtoni një të ardhëme më të mirë për Shqipërinë e nesërme.  Si e tillë edhe duhet të trajtohet.  Nga ana tjetër, i takon këtij brezi shqiptarësh që të ndërtojë, më në fund, jo vetëm një Shqipëri si e gjithë Evropa, por edhe një Shqipëri e cila pasqyron (siç kam lexuar diku) edhe fëtyrën dhe zemrën e nënave tona, një Shqipëri që, njëkohsisht, adhuron, dashuron e ngushëllon të gjithë bijtë e bijat e saj pa dallim, por mbi të gjitha duam një Shqipëri që është e drejtë për të gjithë dhe pa dallim.  Nëqoftse kjo është Shqipëria që duan dhe që kërkojnë studentët protestues për pothuaj 10-ditë tani anë e mbanë Atdheut, edhe unë jam me ta.

Filed Under: Opinion Tagged With: EDHE UNË JAM, Frank shkreli, ME STUDENTËT!

LUDMILA ALEXEEVA: NJË ZË I FUQISHËM NË MBROJTJE TË DREJTAVE TË NJERIUT

December 12, 2018 by dgreca

Mandatory Credit: Photo by Maxim Shipenkov/EPA/REX/Shutterstock (7956701n)
Lyudmila Alexeyeva Head of the Moscow Helsinki Group Speaks During All-russia Civil Forum in Moscow Russia 23 November 2013 More Than One Thousand People Participated in a Forum Russian Federation Moscow
Russia All-russia Civil Forum - Nov 2013

Ludmila Alexeeva, historiane, aktiviste e të drejtave të njeriut dhe ish-disidente në Bashkimin Sovjetik, ishte gjithashtu edhe antarja themeluese e Grupit të Helsinki në Moskë më 1976. /

2-Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli

”Ku fillojnë më në fund të drejtat universale të njeriut?  Në vende të vogëla, afër shtëpisë ku jetojmë – aq afër dhe aq të vogëla janë ato hapësira, sa që nuk mund të shihen në asnjë hartë të botës.  Prandaj, nëqoftse këto të drejta nuk kanë ndonjë vlerë aty ku jetojmë dhe veprojmë, atëherë ato nuk kanë asnjë vlerë, askund tjetër.  Pa veprim të përbashkët të qytetarëve për t’i zbatuar ato në hapësirën dhe në vendin ku banojmë e punojmë, është e kotë të kërkojmë zbatimin e tyre në një botë më të gjërë”, ka thënë Eleanor Roosevelt, promovuesja kryesore e asaj që tani njihet si Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut.

Më 8 Dhjetor, dy ditë para Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, në Moskë ka ndërruar jetë në moshën 91-vjeçare, Ludmilla Milkhailovna Alexeeva, gruaja më e njohur e lëvizjes së të drejtave të njeriut në Rusi, promovuese e këtyre të drejtave jo vetëm në vendin ku jetonte dhe vepronte, por anë e mbanë botës, për më shumë se 50-vjetë.   Në vitin 1968, ajo është përjashtuar nga Partia Komuniste sovjetike dhe është pushuar nga puna, në një shtëpi botimi, si përfundim i veprimtarisë së saj në mbështetje të zbatimit të drejtave të njeriut.  Në këtë ndërkohë, ajo bashkpunonte me buletinin klandestin të lajmeve, “Kronika e Ngjarjeve Aktuale”, një botim ky që i dedikohej shkeljeve të të drejtave të njeriut anë e mbanë ish-Bashkimit Sovjetik.

Ludmila Alexeeva, historiane, aktiviste e të drejtave të njeriut dhe ish-disidente në Bashkimin Sovjetik, ishte gjithashtu edhe antarja themeluese e Grupit të Helsinki në Moskë më 1976.   Një vit më vonë ajo u detyrua nga autoritetet komuniste të largohej nga Bashkimi Sovjetik për në Shtetet e Bashkuara ku vazhdoi veprimtarinë e saj, në fushën e të drejtave të njeriut.  Gjatë viteve 1960-ta, Ludmila bënte pjesë në lëvizjen disidente sovjetike dhe luftonte për lirimin e disidentëve të burgosur nga regjimi komunist sovjetik.  Autoritetet komuniste nuk mund të toleronin punën e saj dhe të bashkpuntorëve të saj disidentë rusë në mbështetje të të drejtave të njeriut, kështuqë shumë prej tyre u arrestuan ose u detyruan me forcë të emigronin.  Në vitin 1977, Alexeeva detyrohet nga qeveria sovjetike që të emogronte në Shtetet e Bashkuara, ku ajo vazhdoi të promovonte të drejtat e njeriut, ndërsa punonte për shërbimin rus të Zërit të Amerikës dhe Radios Evropa e Lirë.  Pas shembjes së komunizmit, ajo është këthyer në atdhe ku ka shërbyer si kryetare e Grupit të Helsinkit, dega e Moskës, ç’prej vitit 1996 dhe konsiderohej si kritike e fortë dhe e pa frikë e politikës së Kremlinit.

Unë e kujtoj me respekt Ludmila Alexeevën, të cilën e kam njohur, falë punës së saj si kontribuese me komentet e saja, për disa vjetë pranë shërbimit rus të Zërit të Amerikës, kur shërbeja si Zëvendës- Drejtor në Drejtorinë e VOA-s për ish-Bashkimin Sovjetik, në fillim të 1990-ave.  Ishte një grua me një trup të brishtë por e vendosur në pikëpamjet e saja anti-komuniste dhe mbrojtëse e flakët e të të drejtave të njeriut, jo vetëm për bashkatdhetarët e saj në Rusi dhe në vendet e tjera të okupuara nga ish-perandoria komuniste sovjetike, përfshirë popujt e Evropës Lindore, por edhe anë e mbanë botës.  Organizata e të drejtave të njeriut, Human Rights Watch, anëtare e të cilës ishte, në njoftimin e saj për vdekjen e të ndjerës Ludmila Alexeeva, e cilësoi atë si, “Një figurë të dalluar dhe shembullore për aktivistët e të drejtave të njeriut kudo dhe përgjithmonë: si një zë moral i qartë në mbështetje të lirisë dhe të dinjitetit njerëzor.”

Human Rights Watch e njihte mirë punën e saj, pasi ishte anëtare aktive e kësaj organizate.  Ludmila Alexeeva i kushtoi gjithë energjinë dhe zemrën, shumë kauzave dhe çështjeve që kishin të bënin me të drejtat e njeriut, duke filluar nga persekutimi i pa drejtë i njerëzve të thjeshtë gjatë regjimit komunist e deri tek masakrat ruse të civilëve në luftën e Çeçenisë, përfshirë sulmet kundër shoqërisë civile nën pushtetin e Vladimir Putinit.  Për ata që e njihnin mirë, ajo fliste thjeshtë, por me një mesazh të fuqishëm, ishte gjithmonë fisnike dhe e dhimbshme, por edhe e ashpër ndaj kundërshtarëve, po të ishte nevoja.  Ajo refuzoi të sakrifikonte dinjitetin e saj para pushtetit komunist sovjetik dhe më vonë Alexeeva nuk lejoi gjithashtu as politikën aktuale autokratike të Kremlinit që t’i diktonte asaj kushtet e punës ose të veprimtarisë së saj, si aktiviste në mbështetje të të drejtave të njeriut, thuhet ndër të tjera, në njoftimin e Human Rights Watch për vdekjen e disidentes dhe mbrojtëses së të drejtave të njeriut, Ludmila Alexeeva.

Në një intervistë me Human Rights Watch disa vite më parë,   Alexeeva, e ka cilësuar punën e saj si një, “Trysni  ndaj qeverisë për të zgjidhur problemet aktuale të njerëzve.  Nëqoftse për këtë detyrohem të paguaj një çmim të lartë, atëherë unë do të paguaj një çmim të tillë.  Kjo është më e rëndësishme se sa të strukem dhe nga frika të zbatoj urdhërat e autoriteteve.”

Aktive deri në ditët e fundit të jetës së saj, Ludmila Alexeeva qëndroi kritike ndaj ritmit të zhvillimit të demokracisë në Rusi, këto vitet e fundit.  Në një intervistë dhënë radios gjermane Deutsche Welle, ajo shprehet se vitet e fundit në Rusi ka patur një, “Këthim prapa sepse vendi im, pothuaj nuk ka njohur kurrë në historinë e tij periudha lirie, megjithse periudha nga viti 1987 e deri nga mesi i viteve 2000, deri diku, mund të konsiderohet si e tillë.  Bashkimi Sovjetik u shpërbë nga brenda, ne nuk luftuam që të çliroheshim nga komunizmi. Tani jemi të detyruar që të fillojmë ato përpjekje të mundimshme drejtë sigurimit të lirisë së vërtetë, megjithse nuk pres që të shikoj Rusinë si një shtet demokratik.  Por do të ndodhë, sepse ne jemi komb evropian, gjeografikisht, historikisht, fetarisht dhe për nga kultura”, ka thënë Alexeeva për radion gjermane.

Ndërkaq, Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) shprehu keqardhjen për vdekjen e Ludmila Alexeeva, duke e cilësuar atë si “Një prej mbrojtësve më të mëdhej të të drejtave të njeriut në botë.” Në deklaratën e DASH theksohet se, “Deri në ditët e fundit, ajo ishte një forcë në mbështetje të dinjitetit njerëzor, duke frymëzuar breza të tërë qytetarësh aktivistë në atdheun e saj.  Vdekja e saj është një humbje e madhe për të gjithë ata që punojnë për kauzën e lirisë në Rusi dhe anë e mbanë botës, në një kohë kur të drejtave të njeriut dhe burrave e grave — të cilët me vendosmëri i mbrojnë ato të drejta — po u bëhet trysni, jo vetëm në Rusi, por dhe në shumë vende të tjera.  Puna dhe veprimtaria e gjatë e Ludmila Alexeeva-s, në mbështetje të të drejtave të njeriut, janë kontribute të përhershme për një botë më të lirë dhe më në paqë”, përfundon deklarata e DASH, me rastin e vdekjes së disidentes dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Rusi dhe anë e mbanë botës.

  • Ludmila Alexeeva u varros më 11 Dhjetor në Moskë, një ditë pasi bota shënoi Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.

 

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, Ludmila Alexeeva, te d rejtat e Njeriut, vdiq, ze i fuqishem

LAHUTA NUK KËNDON MË PËR SHQIPËRI DHE PËR SHQIPTARË!

December 11, 2018 by dgreca

1 franikursll

Nga Frank Shkreli/

Unë nuk e di se ku qendron e vërteta mbi këtë çështje, por i vjen një erë shumë e keqe: nëse është pranuar ose jo propozimi i Serbisë për të regjistruar Lahutën si instrument të saj në UNESCO, si pasuri e saj kulturore.  Qeveritë dhe Ministritë e Kulturës gjatë viteve kanë një reputacion me të cilin nuk mund të krenohen, përsa i përket ruajtjes, mbrojtjes dhe kultivimit të kulturës së lashtë dhe të re shqiptare – si në nivel kombëtar dhe ashtu edhe në atë ndërkombëtar – siç pasqyrohet edhe nga ky rast. More, ja merrte kujt mendja se serbët do të përvetësonin lahutën si pjesë e trashëgimisë së tyre?  Po, kështu kanë vepruar gjithmonë këta, në kurriz të tjerëve.  Hajdutë kanë qenë gjithëherë.  Por, se serbët do t’a merrnin lahutën prej nesh pa “zbrazur asnjë fishek” në mbrojtje të pasurisë sonë kulturore, kjo nuk mund të merret me mend.  At Gjergj Fishta do të rrotullohej në varr, por fatkeqsisht, varrin nuk ia dimë dhe eshtrat ia hodhi Enver Hoxha në lum.  Edhe ai i kishte kënduar Lahutës – Lahutës së Malësisë.

Për hir të së vërtetës duhet shënuar se Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë ka përgënjeshtruar lajmin e përhapur në media një ditë më parë, se lahuta është njohur nga UNESCO si trashëgimi kulturore e Serbisë.  Në deklaratën e saj thuhet se, “Asnjë vendim nuk është marrë dhe në asnjë rast Komiteti Ndërqeveritar për Ruajtjen e Pasurisë Jomateriale të UNESCO-s nuk është shprehur, siç cilësohet gabimisht në disa media, se ‘lahuta nuk është shqiptare, por serbe’”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Kulturës.  Ministria e Kulturës shpjegon se “Praktika kulturore e “Të kënduarit me lahutë” është historikisht e pranishme dhe është një praktikë kulturore e gjallë në një zonë shumë të gjerë të Evropës Juglindore, jo vetëm në Shqipëri, Kosovë, por edhe në Mal të Zi, në Bosnje-Hercegovinë, Kroaci, etj. Të kënduarit me lahutë është nga ato raste kur mund të zbatohet propozimi shumëkombësh bazuar në faktin se ato vende ndajnë praktikën kulturore në fjalë si një traditë historike dhe dukuri kulturore të gjallë dhe asnjë vend nuk përjashton tjetrin”, sqaron më tej ministria.

A është kjo mbrojtja më e fortë që Ministria e Kulturës mund t’i bëjë lahutës si një instrument i lashtë i Shqiptarëve.  Ndoshta, sipas deklaratës së Ministrisë shqiptare, ende nuk është marrë vendimi nga Komiteti Ndërqeveritar për Ruajtjen e Pasurisë Jomateriale të UNESCO-s, por Ministria shqiptare nuk e mohon se UNESCO do e njohë lahutën si trashëgimi kulturore e Serbisë, me justifikimin se të, “kënduarit me lahutë është historikisht e pranishme dhe është një praktikë kulturore e gjallë në një zonë shumë të gjerë të Evropës Juglindore, jo vetëm në Shqipëri, Kosovë, por edhe në Mal të Zi, në Bosnje-Hercegovinë, Kroaci, etj.  Të na rrojë internacionalizmi proletary i Enver Hoxhës.

Ky konfuzion është rezultat i papërgjegjësisë zyrtare dhe një arrogance që është bërë traditë tanimë për të zbardhur të vërtetën, e që zmadhohet edhe më shumë nga shkrimet hamendëse në medien publike, pikërisht për arsye të mungesës së informacionit të sakt.  Ja disa nga titujt në median shqiptare, në Shqipëri dhe në Kosovë, në lidhje me propozimin e Serbisë për të regjistruar Lahutën si instrument të Serbisë: “Lahuta serbe në UNSECO”; “Lahuta shqiptare është gati npër në UNESCO”; “Ministria e Kulturës -UNESCO-s: Lahuta është e jona”;  “Lahuta njihet si trashëgimi e Serbisë”; “Lahuta Trashëgimi e Serbisë?  “Vendimi sklandaloz i UNSECO-s”; “Lahuta gati për UNESCO, mungon lobimi”;  “Lahuta është shqiptare apo serbe?”;  “Ministria e Kulturës: S’ka asnjë vendim nga UNESCO”; “Lahuta Shqiptare e penalizuar nga Kosova”; “Lahuta s’është shqiptare, por serbe”, e të tjera.

Në të vërtetë, ky ka qenë gjithmonë dhe është objektivi përfundimtar i sllavëve, i grekëve dhe i turqëve, që më së pari të mbjellin dyshime dhe konfuzion në radhët e vet shqiptarëve mbi identitetin e tyre kombëtar dhe kulturor, si dhe mbi historinë dhe prejardhjen e tyre.   Kështu kanë bërë ata dhe vazhdojnë të mbjellin dyshime — madje edhe me ndihmën e vet shqiptarëve — edhe mbi figurën e Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, Gjergj Kastriotit – Skenderbeu dhe për identitetin kombëtar të Nënë Terezës.

Edhe kjo na ka munguar! Armiqtë e Kombit shqiptar, tashti duan edhe Lahutën – simbolin e lashtësisë së Kombit shqiptar — pasi na morën ose më mirë të themi pasi ua dhamë dhe po u japim tokat tona, detin dhe tashti po u dorëzojnë edhe një pjesë të identitetit të kulturës kombëtare.  Edhe ajrin për të marrë frymë, do të ua mohonin shqiptarëve këta, gjithmonë sipas orekseve dhe interesave të tyre politike, fetare, ideologjike dhe historike, të momentit.

Çdo gjë e shenjtë shqiptare duket se është në shitje, në ankandë.  Serbia do tokën shqiptare, se nuk ka marrë mjaft gjatë 100- vjerëve të kaluar. Tashti do të përvetësojë edhe Lahutën, simbolin më të njohur të lashtësisë së Arbërit.  Prisni edhe pak se shpejt Akademia e Shkencave e Serbisë do të pretendojë se edhe xhubleta, veshja e grave malësore ç’prej epokës ilire, do të kërkojë ta regjitrojë në UNESCO si trashëgimi kulturore serbe dhe askush nuk do të shqetësohet për këtë punë.  Turqia pretendon se “Kosova është Turqi” dhe kërkon me ngulm ndryshim të historisë shqiptare, ndërsa Greqia ka marrë Çamërinë, do të marrë detin dhe nuk heq dorë nga i ashtuquajturi Epir. Çdo ditë, popat e Kishës ortodokse serbe përpiqen të përvetësojnë gërmadhat e kishave shqiptare në trojet shqiptare nën Mal të Zi, sikur të kenë qenë të tyre, historikisht, aty ku asnjëherë nuk ka ka shkelur këmbë e serbit.  Nëqoftse shqiptarët nuk i dalin zot historisë së tyre, të tjerët do e përvetësojnë, siç është rasti i trashëgimisë kulturore me lahutën.  Më e keqja e kësaj situate të mjerueshme është se të gjitha këto po ndodhin në heshtje  ose me marrveshjen e kësaj klase politike shqiptare sot, ose si trysni ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.  Keni venë re ndonjë reagim nga zyrtarë të lartë ndaj këtyre hajdutlleqeve e pretendimeve antishqiptare nga Tirana dhe nga Prishtina?  Hiç, përkundrazi! Tirana dhe Prishtina zyrtare sillen me këto tre shtete, si shtete “strategjike”, ose si “popuj miq”, siç i quante Enver Hoxha — gjithmonë sikur fajin për gjithçka e kanë shqiptarët.  Shqiptarët vazhdojnë të japin e të japin ndërsa këto tre shtete nuk ngopen duke vjedhur nga shqiptarët, madje edhe trashëgiminë kulturore, siç është instrumenti muzikor, Lahuta.  Është për të ardhur keq, “për ca zuzarë, që u lindën shqipëtarë”, siç ka shkruar dikur Faik Konica e të cilët,

“S’na lënë dhe ne të tjerët,

T’dalim nga gjum’i errët,

Po ç’dëgjojnë ven’ e thonë,
E ç’shohin e tradhëtojnë

Eshtë turp prej kësi krimbash
Të mundohet një komb trimash”

Për çdo shtet normal, mbrojtja e historisë, e heronjve kombëtar si Gjergj Kastrioti-Skenderbeu dhe mbështetja e identitetit historik kombëtar nga sulmet dhe nga pretendimet e të huajve, janë çështje të shënjta të mbijetesës dhe të sigurimit kombëtar, të vet ekzistencës së kombit dhe vazhdimësisë së tij.  Përgjegjësia numër një e një qeverie dhe e përfaqësuesve të saj është që të mbrohet historia, trashëgimia kulturore dhe identiteti kombëtar, ashtu siç do të mbrohej kufiri tokësor e detar, në rast të një sulmi ushtarak.  Pse heshtin këta njerëz!  Pse heshtin historianët shqiptarë? Ku është zemërimi?

Në Malësitë tona dikur, shtëpia pa pushkë e pa lahutë nuk konsiderohej shtëpi.  Në shtëpinë ku kam lindur e jam rritur unë, kishim tre lahutarë.  Gjyshin tim Lukë Tomën e Shkrelit dhe axhën Gjergjin dhe më vonë djalin e axhës Vasel Shkrelin, i cili e vazhdon këte traditë të familjes tonë edhe këtu në Amerikë, si më poshtë, i cili i ka kushtuar këtë këngë lahutës, si instrument i traditës e i trimërisë, si një instrument që ka mbajtur gjallë historinë dhe trashëgiminë e shqiptarit në vatrat stërgjyshore të kullave shkëmbore tona, si një instrument i bekuar e i lashtë arbëror, i cili u ka zgjatur jetën heronjve, sipas fjalëve të lahutarit:

https://www.youtube.com/watch?v=iEay5gMwtUI

https://www.youtube.com/watch?v=NmJODhiKkT4

Sulmet kundër identitetit të shqiptarëve dhe trashëgimisë së tyre historike dhe kulturore po bëhen gjithnjë e më kërcënues, për ata që kanë sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar.  Ku janë mbrojtësit e visarit dhe të trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore të Kombit Shqiptar, kësaj race iliro-trake, bartës të ligjëshëm dhe historikë të traditave shekullore të saj.  Pse nuk ngrejnë zërin në mbrojtje të vlerave të trashëgimisë kulturore të Kombit, para se të bëhet vonë?  Sot, Lahuta vajton fatin e saj.  Lahuta duhet të shpëtohet ashtuqë të këndojë përsëri për Shqipëri dhe për Shqiptarë!

Filed Under: Opinion Tagged With: DHE PËR SHQIPTARË!, Frank shkreli, LAHUTA NUK KËNDON MË PËR SHQIPËRI

PRESIDENTI GEORGE BUSH SI NËNË TEREZA – NË SHËRBIM TË TJERËVE

December 6, 2018 by dgreca

2-Frank-shkreli-2-300x183-1-1-1

Nga Frank Shkreli/

Presidenti Trump ka shpallur Ditën e Mërkurë ditë zije kombëtare për ish-Presidentin George H. W. Bush, i cili u nda nga kjo jetë në moshën 94-vjeçare.  Presidenti George Bush i vjetër kujtohet këto ditë si një person me karakterin më të lartë njerëzor dhe si një President, shembulli i të cilit do të frymëzojë gjithmonë amerikanët dhe të tjerët.  Shërbimi i tij jetësor publik dhe privat, ndaj atyre që janë në nevojë, të varfër dhe të harruar, qoftë në Amerikë qoftë edhe jashtë saj, do të ruhet dhe do të kujtohet përgjithmonë në zemrat e Amerikanëve dhe popujve të tjerë.  Më shumë se 25 vjet më parë, Presidenti George Bush i vjetër i dha jetë dhe drejtim një lëvizjeje të re për të ndihmuar njerëzit më në nevojë – një lëvizje kjo, e cila që prej atëherë e deri më sot ka ndryshuar, për më mirë, jetën e shumë njerëzve, duke përmirësuar jetën në shumë komunitete të ndryshme, anë e mbanë këtij vendi dhe në mbarë botën. Në fjalimin e tij me rastin e inaugurimit si president i 41-të i Shteteve të Bashkuara, në vitin 1989, Presidenti Bush i vjetër u bëri thirrje amerikanëve që të ndërmerrnin veprime vullnetare në komunitetet ku jetonin si, “pika ndriçimi duke bërë mirë anë e mbanë vendit.”  Në fjalimin e tij të inaugurimit president, kjo ishte tema kryesore, ndërsa ai pat premtuar, “në një moment plot shprese”, për të përdorur fuqinë e Amerikës, si një “forcë për të bërë mirë” në botë. Duke njoftuar programin e lëvizjes “Points of Lights”, Presidenti Bush është shprehur me atë rast se, “Amerika nuk është kurrë e plotë, në qoftë se nuk angazhohet për një parim të lartë moral.  “Ne si popull, e kemi këtë sot si një qëllim për t’u realizuar.  

Duam që fytyrën e këtij Kombi ta bëjmë më të përzemërt dhe fytyrën e botës ta bëjmë më të butë e më fisnike.  Ka shumë punë për të bërë. Kemi të pastrehët, të humburit dhe të harruarit, për të cilët nuk kujdeset kush. Kemi fëmijë për të cilët nuk kujdeset askush, e që nuk njohin dashuri as nuk gëzojnë jetë normale…të gjithë kanë nevojë për kujdesin tonë, për këshillat dhe ndihmën tonë”.  Pasuria, pat thënë me atë rast Presidenti Bush i vjetër, nuk është vlera për të cilën duhet të jetojmë.  Jeta jonë nuk duhet të matet dhe të vlerësohet bazuar në pasurinë që kemi akumuluar, duke shtuar se, “Nuk mund të shpresojmë që fëmijëve tanë t’u lëmë pas një veturë sa më të madhe e më të mirë, ose një librezë llogarie bankare me një shumë sa më të madhe.  Por ne duhet të shpresojmë që t’u lemë pas një mirëkuptim dhe trashëgimi, se çdo të thotë të jesh një mik besnik, një prind i dashur për fëmijët, një qytetar i cili lë pas shtëpinë e familjen, mëhallën dhe qytetin ku ka jetuar, pak më mirë se ç’i kishte gjetur…, nëse do të mbahemi mend si dikush që interesohet dhe pyet, nëse një fëmije të sëmur i ka bërë më mirë dhe nëse ndalohemi për ta përshëndetur atë duke shkëmbyer fjalë miqësore me të!”

Presidenti Bush i vjetri i kushtoi një vëmendje të posaçme shërbimeve vullnetare nga qytetarët, si një mjet për të zgjidhur disa prej problemeve më serioze të shoqërisë amerikane – duke theksuar gjithmonë fuqinë dhe vullnetin e qytetarëve për të zgjidhur vet problemet e komuniteteve ku jetojnë.  Ai vet i ka cilësuar  anëtarët e lëvizjes së themeluar prej tij, “Points of Light” si shpirti dhe zemra e Amerikës.  “Ata janë njerëz të thjeshtë, të cilët në mënyrën më altruiste prekin jetët e atyre që janë nevojtarë e të varfër duke u dhënë atyre shpresë e mundësi, kujdes dhe duke u shtrirë dorën e miqësisë.  Duke dhënë aq shumë nga vetja e tyre, këta individë të dalluar na tregojnë të gjithë neve, jo vetëm më të mirat e trashëgimisë tonë, por janë gjithashtu edhe dëshmitarë se çfarë mund të bëhemi edhe ne”, në shërbim të tjerëve”, ka theksuar Presidenti Bush i vjetër.

Me këto fjalë, që duket sikur do t’i kishte predikuar Nënë Tereza, e jo një president i Shteteve të Bashkuara, Presidenti George Bush ka vazhduar misionin e tij në këtë fushë, madje edhe pasi ishte larguar nga detyra e presidentit:  të promovonte dhe të drejtonte lëvizjen vullnetare me një vizion strategjik, duke frymëzuar individët, kapitalin dhe publikun në përgjithësi dhe njëherazi duke ndryshuar për më mirë sektorin e shpërndarjes së ndihmave shoqërore, në përgjithësi.

“Çdo përcaktim i një jete të suksesshme, duhet të përfshijë shërbimin ndaj të tjerëve”, ka thënë Presidenti George Bush.  Ndërsa, Nënë Tereza – një murgeshë me origjinë shqiptare, e cila jetën e saj ia kishte kushtuar të varfërve dhe të harruarve të shoqërisë, anë e mbanë botës, gjatë jetës së saj ka takuar udhëheqësit më të njohur të botës, përfshirë edhe Presidentin George Bush të vjetër, siç mund të shihet në fotografinë më poshtë.  Një citim i saj në lidhje me shërbimin ndaj të varfërve është mjaft identike me thënien më lartë të Presidentit Bush.  Ajo citohet të ketë thënë se, “Një jetë që nuk i kushtohet shërbimit ndaj të tjerëve, nuk është jetë.”

Në të vërtetë, lidhjet e Nënës Terezë me Shtëpinë e Bardhë kishin filluar gjatë administratës së Presidentit Regan, Zëvendës-President i të cilit ishte George Bush i vjetër, siç mund të shihet në artikullin e bashkangjitur më poshtë në anglisht.  Aty përshkruhet kontakti i Nënë Terezës me ish-Presidentin Ronald Regan në vitin 1986, të cilit ajo i kërkonte ndihmën për t’u dërguar ushqim banorëve të uritur të qytetit Juba në Sudanin e Jugut, të cilët ishin të rrethuar dhe që po vdisnin nga uria, ndërkohë që bota nuk çante kokë për ta.*

Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara George H. W. Bush me bashkëshorten e tij Barbarën takohen me Nënë Terezën në Zyrën Ovale të Presidentit në Shtëpinë e Bardhë – Washington, D.C. 9 Dhjetor, 1991 Është meritë e Presidentit Bush i vjetër që sot edhe pas më shumë se 25 vjet nga inaugurimi i ish-Presidentit, lëvizja “Points of Light”, është organizata më e madhe në botë kushtuar shërbimit vullnetar – e cila frymëzon, furnizon dhe mobilizon miliona njerëz për tu angazhuar në veprimtari vullnetarizmi që po ndryshojnë botën, duke ndihmuar të varfrit e më të varfërve, siç u është referuar atyre, Nënë Tereza.  Organizata “Points of Light”, e frymëzuar dhe themeluar nga i ndjeri President Bush i vjetër, ka më shumë se 200 degë në 35-vende të botës, në partneritet me mijëra firma dhe organizata jo fitimprurëse, sipas organizatës së fjalë. Nuk ka dyshim se fjalimi i njohur tani si fjalimi i “njëmijë pikave ndriçimi”, (A thousand Points of Life”) George H. W. Bush, si Presidenti i 41 (1989-1993), kishte sjellë në Shtëpinë e Bardhë — një dedikim ndaj vlerave amerikane, si dhe një vendosmëri për të bërë sipas tij,  Shtetet e Bashkuara një, “Vend më të mirë dhe më bujar”, përball ndryshimeve dramatike të fund shekullit të kaluar, jo vetëm në Amerikë por dhe në botë, gjatë mandatit të tij presidencial, kur ai udhëhoqi Shtetet e Bashkuara.

Vdekja dhe ceremonia e varrimit të Presidentit George Bush të vjetër u ofron amerikanëve, por jo vetëm atyre, një mundësi për të reflektuar mbi natyrën e fisnikërisë dhe bujarisë njerëzore që mundëson shërbimi publik si dhe nevojën e madhe për të ndihmuar të tjerë më në nevojë – secili prej nesh si individ dhe si shoqëri — më të varfrit në mesin tonë këtu në Amerikë dhe kudo në botë.  Siç ka thënë edhe Nënë Tereza, “Në qoftë se nuk ke mundësi të ushqesh 100-të uritur, atëherë ushqeje një të uritur, më të afërmit pranë teje”, ose, “Mos prit që udhëheqësit të ndihmojnë, bëje vet këtë punë, nga një person tek tjetri”.  Ky ishte dhe është edhe mesazhi i Lëvizjes vullnetare, “A Thousand Points of Life”, themelimin e të cilës Presidenti George Bush i vjetër kishte njoftuar si temë kryesore në fjalimin e tij të inaugurimit president, në vitin 1989.

Me gjithë dështimet dhe sukseset e Presidentit George Bush në fushën e politikës së brendshme dhe në fushën e politikës së jashtme përfshirë marrëdhëniet ndërkombëtare, duke i dhënë fund Luftës së Ftoftë me shembjen e komunizmit dhe shpartallimin e perandorisë komuniste sovjetike në mënyrë paqësore – porosia e Presidentit Bush për të ndihmuar nevojtarët dhe të varfrit – nëpërmjet vullnetarizmit – është gjithashtu një shembull dhe një pasuri e trashëguar prej tij sot dhe do të vazhdojë të frymëzojë edhe brezat e ardhshëm në këtë drejtim, jo vetëm këtu në Amerikë por edhe anë e mbanë botës.

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, President Bush, si Nene Tereza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 65
  • 66
  • 67
  • 68
  • 69
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT