• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUJTESA- President George W BUSH: (Enough is enough!)… Kosova është e pavarur!”

March 20, 2021 by dgreca

Shprehja e Bushit për Kosovën/ Instalacioni i veçantë në Tiranë për 30-vjetorin e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri/

Nga Juli PRIFTI*/

TIRANË- Në 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, deklarata e presidentit Bush për pavarësinë e Kosovës është përkujtuar përmes një instalacioni në kryeqytet.

“Enough is Enough” është një vepër arti publik e artistit Alban Muja, e cila lind prej deklaratës së bërë prej presidentit George W. Bush gjatë vizitës së tij në Tiranë në vitin 2007: “Ka ardhur koha, madje sa më shpejt, që të themi “Mjaft më!” (Enough is enough!), Kosova është e pavarur!”, duke i dhënë një mesazh të qartë të gjithë politikës ndërkombëtare, por edhe duke rikujtuar edhe një herë fatet e lidhur të Kosovës e Shqipërisë.

E para e këtij lloji për artistin bashkëkohor Alban Muja, kjo vepër është një skulpturë në hekur e cila, si një urë, lidh dy brigjet e lumit të Lanës, në një prej zonave më urbane të kryeqytetit. Vepra, që më shumë se një instalacion është mirëfilli një skulpturë, e përbërë prej gërmave formuese të togfjalëshit “Enough is Enough”, është rreth 17.5 metra e gjatë dhe secila gërmë 1,8 metra e lartë. Pavarësisht kësaj, ajo mbart një monumentalitet diskret, pasi nuk është e dukshme prej rrugëve në të dy anët e lumit që lidh, por mund të shihet veçse prej kalimtarëve në urat që ka pranë, ose prej atyre që kërkojnë ta shohin mes bimësisë që e rrethon. Kjo vendosje është sigurisht e qëllimtë: bashkimi i dy brigjeve është një gjest retorik, por një paralelizëm që i përgjigjet të vërtetës së dy vendeve të lidhur prej gjithnjë e përgjithmonë; nga ana tjetër, vendosja thuajse e fshehur e një monumenti me përmasa kaq të mëdha, thërret sërish një tjetër të vërtetë të madhe: atë të mikpritjes shqiptare të eksodit të Kosovës gjatë luftës, e madhe por pa zhurmë.

Temat e kujtesës, luftës së Kosovës dhe përfaqësimit material të dhimbjes janë tema të vazhdueshme të hulumtimit artistik të Alban Mujës. “Enough is Enough” është një vazhdimësi e diskursit që ngre Muja në punën e tij, duke e vendosur publikun përballë çështjeve të mëdha të luftës, emigrimit e ndarjes, por edhe rëndësisë së vlerave humaniste, si ndihmesa kolektive, gjendja e njeriut për njeriun.

Vendlindja është pikënisja e sigurtë e punës së Mujës, sikurse është dhe lufta, si një e vërtetë e jetuar e tij, por “Enough is Enough” nuk është vetëm një monument i lidhjes së Kosovës me Shqipërinë, por edhe një eko e situatës së çdo refugjati sot në botë. Në këtë kondvështrim, “Enough is Enough” është edhe një akt politik universal që tejkalon territorin ku lind, një kundërvënie ndaj modeleve të sotme socio-politike që vendosin kufirin (territorial) përpara jetës së njeriut dhe të drejtës së tij për siguri dhe stabilitet. Synimi i veprës nuk është rikujtesa e luftës, por përqasja me pasojat e saj tek popujt e prekur dhe problematizimi i pushtetit si qëllim.

“Enough is Enough” vjen si kujtesë historike pas dy dekadash, e si e tillë mund të duket e vonuar, por ajo është pikërisht dëshmi e një bote që ndryshon pak, një thuajse artefakt i krizës së madhe refugjate që përjetoi Ballkani e që me sa duket pati pak impakt mbi sjelljen politike ndërkombëtare, duke qenë se bota sheh vazhdimisht lindjen dhe zgjerimin e zonave akute të krizave humanitare. Në këtë kontekst, “Enough is Enough” nuk vjen vetëm si përgjigjja që presidenti amerikan i dha statusit të pavarësisë së Kosovës, por edhe si vënie në pyetje e marrëdhënies afatgjatë mes pushtetit dhe lirisë së njeriut.

Më 15 Mars 1991 Shqipëria rivendosi marrëdhëniet diplomatike me SHBA. 100 ditë më pas Sekretari Amerikan i Shtetit James Baker vizitoi Tiranën ku ju rezervua një pritje e shprehjes kuptimplotë të respektit dhe aleancës me SHBA, të cilën Sekretari Baker e përkufizoi: “Ne jemi me ju, ju jeni me ne”. (ATSH)

Filed Under: Politike Tagged With: Enough is enough!) Kosova është e pavarur!”, Kosova e Pavarur, President Bush

PRESIDENTI GEORGE BUSH SI NËNË TEREZA – NË SHËRBIM TË TJERËVE

December 6, 2018 by dgreca

2-Frank-shkreli-2-300x183-1-1-1

Nga Frank Shkreli/

Presidenti Trump ka shpallur Ditën e Mërkurë ditë zije kombëtare për ish-Presidentin George H. W. Bush, i cili u nda nga kjo jetë në moshën 94-vjeçare.  Presidenti George Bush i vjetër kujtohet këto ditë si një person me karakterin më të lartë njerëzor dhe si një President, shembulli i të cilit do të frymëzojë gjithmonë amerikanët dhe të tjerët.  Shërbimi i tij jetësor publik dhe privat, ndaj atyre që janë në nevojë, të varfër dhe të harruar, qoftë në Amerikë qoftë edhe jashtë saj, do të ruhet dhe do të kujtohet përgjithmonë në zemrat e Amerikanëve dhe popujve të tjerë.  Më shumë se 25 vjet më parë, Presidenti George Bush i vjetër i dha jetë dhe drejtim një lëvizjeje të re për të ndihmuar njerëzit më në nevojë – një lëvizje kjo, e cila që prej atëherë e deri më sot ka ndryshuar, për më mirë, jetën e shumë njerëzve, duke përmirësuar jetën në shumë komunitete të ndryshme, anë e mbanë këtij vendi dhe në mbarë botën. Në fjalimin e tij me rastin e inaugurimit si president i 41-të i Shteteve të Bashkuara, në vitin 1989, Presidenti Bush i vjetër u bëri thirrje amerikanëve që të ndërmerrnin veprime vullnetare në komunitetet ku jetonin si, “pika ndriçimi duke bërë mirë anë e mbanë vendit.”  Në fjalimin e tij të inaugurimit president, kjo ishte tema kryesore, ndërsa ai pat premtuar, “në një moment plot shprese”, për të përdorur fuqinë e Amerikës, si një “forcë për të bërë mirë” në botë. Duke njoftuar programin e lëvizjes “Points of Lights”, Presidenti Bush është shprehur me atë rast se, “Amerika nuk është kurrë e plotë, në qoftë se nuk angazhohet për një parim të lartë moral.  “Ne si popull, e kemi këtë sot si një qëllim për t’u realizuar.  

Duam që fytyrën e këtij Kombi ta bëjmë më të përzemërt dhe fytyrën e botës ta bëjmë më të butë e më fisnike.  Ka shumë punë për të bërë. Kemi të pastrehët, të humburit dhe të harruarit, për të cilët nuk kujdeset kush. Kemi fëmijë për të cilët nuk kujdeset askush, e që nuk njohin dashuri as nuk gëzojnë jetë normale…të gjithë kanë nevojë për kujdesin tonë, për këshillat dhe ndihmën tonë”.  Pasuria, pat thënë me atë rast Presidenti Bush i vjetër, nuk është vlera për të cilën duhet të jetojmë.  Jeta jonë nuk duhet të matet dhe të vlerësohet bazuar në pasurinë që kemi akumuluar, duke shtuar se, “Nuk mund të shpresojmë që fëmijëve tanë t’u lëmë pas një veturë sa më të madhe e më të mirë, ose një librezë llogarie bankare me një shumë sa më të madhe.  Por ne duhet të shpresojmë që t’u lemë pas një mirëkuptim dhe trashëgimi, se çdo të thotë të jesh një mik besnik, një prind i dashur për fëmijët, një qytetar i cili lë pas shtëpinë e familjen, mëhallën dhe qytetin ku ka jetuar, pak më mirë se ç’i kishte gjetur…, nëse do të mbahemi mend si dikush që interesohet dhe pyet, nëse një fëmije të sëmur i ka bërë më mirë dhe nëse ndalohemi për ta përshëndetur atë duke shkëmbyer fjalë miqësore me të!”

Presidenti Bush i vjetri i kushtoi një vëmendje të posaçme shërbimeve vullnetare nga qytetarët, si një mjet për të zgjidhur disa prej problemeve më serioze të shoqërisë amerikane – duke theksuar gjithmonë fuqinë dhe vullnetin e qytetarëve për të zgjidhur vet problemet e komuniteteve ku jetojnë.  Ai vet i ka cilësuar  anëtarët e lëvizjes së themeluar prej tij, “Points of Light” si shpirti dhe zemra e Amerikës.  “Ata janë njerëz të thjeshtë, të cilët në mënyrën më altruiste prekin jetët e atyre që janë nevojtarë e të varfër duke u dhënë atyre shpresë e mundësi, kujdes dhe duke u shtrirë dorën e miqësisë.  Duke dhënë aq shumë nga vetja e tyre, këta individë të dalluar na tregojnë të gjithë neve, jo vetëm më të mirat e trashëgimisë tonë, por janë gjithashtu edhe dëshmitarë se çfarë mund të bëhemi edhe ne”, në shërbim të tjerëve”, ka theksuar Presidenti Bush i vjetër.

Me këto fjalë, që duket sikur do t’i kishte predikuar Nënë Tereza, e jo një president i Shteteve të Bashkuara, Presidenti George Bush ka vazhduar misionin e tij në këtë fushë, madje edhe pasi ishte larguar nga detyra e presidentit:  të promovonte dhe të drejtonte lëvizjen vullnetare me një vizion strategjik, duke frymëzuar individët, kapitalin dhe publikun në përgjithësi dhe njëherazi duke ndryshuar për më mirë sektorin e shpërndarjes së ndihmave shoqërore, në përgjithësi.

“Çdo përcaktim i një jete të suksesshme, duhet të përfshijë shërbimin ndaj të tjerëve”, ka thënë Presidenti George Bush.  Ndërsa, Nënë Tereza – një murgeshë me origjinë shqiptare, e cila jetën e saj ia kishte kushtuar të varfërve dhe të harruarve të shoqërisë, anë e mbanë botës, gjatë jetës së saj ka takuar udhëheqësit më të njohur të botës, përfshirë edhe Presidentin George Bush të vjetër, siç mund të shihet në fotografinë më poshtë.  Një citim i saj në lidhje me shërbimin ndaj të varfërve është mjaft identike me thënien më lartë të Presidentit Bush.  Ajo citohet të ketë thënë se, “Një jetë që nuk i kushtohet shërbimit ndaj të tjerëve, nuk është jetë.”

Në të vërtetë, lidhjet e Nënës Terezë me Shtëpinë e Bardhë kishin filluar gjatë administratës së Presidentit Regan, Zëvendës-President i të cilit ishte George Bush i vjetër, siç mund të shihet në artikullin e bashkangjitur më poshtë në anglisht.  Aty përshkruhet kontakti i Nënë Terezës me ish-Presidentin Ronald Regan në vitin 1986, të cilit ajo i kërkonte ndihmën për t’u dërguar ushqim banorëve të uritur të qytetit Juba në Sudanin e Jugut, të cilët ishin të rrethuar dhe që po vdisnin nga uria, ndërkohë që bota nuk çante kokë për ta.*

Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara George H. W. Bush me bashkëshorten e tij Barbarën takohen me Nënë Terezën në Zyrën Ovale të Presidentit në Shtëpinë e Bardhë – Washington, D.C. 9 Dhjetor, 1991 Është meritë e Presidentit Bush i vjetër që sot edhe pas më shumë se 25 vjet nga inaugurimi i ish-Presidentit, lëvizja “Points of Light”, është organizata më e madhe në botë kushtuar shërbimit vullnetar – e cila frymëzon, furnizon dhe mobilizon miliona njerëz për tu angazhuar në veprimtari vullnetarizmi që po ndryshojnë botën, duke ndihmuar të varfrit e më të varfërve, siç u është referuar atyre, Nënë Tereza.  Organizata “Points of Light”, e frymëzuar dhe themeluar nga i ndjeri President Bush i vjetër, ka më shumë se 200 degë në 35-vende të botës, në partneritet me mijëra firma dhe organizata jo fitimprurëse, sipas organizatës së fjalë. Nuk ka dyshim se fjalimi i njohur tani si fjalimi i “njëmijë pikave ndriçimi”, (A thousand Points of Life”) George H. W. Bush, si Presidenti i 41 (1989-1993), kishte sjellë në Shtëpinë e Bardhë — një dedikim ndaj vlerave amerikane, si dhe një vendosmëri për të bërë sipas tij,  Shtetet e Bashkuara një, “Vend më të mirë dhe më bujar”, përball ndryshimeve dramatike të fund shekullit të kaluar, jo vetëm në Amerikë por dhe në botë, gjatë mandatit të tij presidencial, kur ai udhëhoqi Shtetet e Bashkuara.

Vdekja dhe ceremonia e varrimit të Presidentit George Bush të vjetër u ofron amerikanëve, por jo vetëm atyre, një mundësi për të reflektuar mbi natyrën e fisnikërisë dhe bujarisë njerëzore që mundëson shërbimi publik si dhe nevojën e madhe për të ndihmuar të tjerë më në nevojë – secili prej nesh si individ dhe si shoqëri — më të varfrit në mesin tonë këtu në Amerikë dhe kudo në botë.  Siç ka thënë edhe Nënë Tereza, “Në qoftë se nuk ke mundësi të ushqesh 100-të uritur, atëherë ushqeje një të uritur, më të afërmit pranë teje”, ose, “Mos prit që udhëheqësit të ndihmojnë, bëje vet këtë punë, nga një person tek tjetri”.  Ky ishte dhe është edhe mesazhi i Lëvizjes vullnetare, “A Thousand Points of Life”, themelimin e të cilës Presidenti George Bush i vjetër kishte njoftuar si temë kryesore në fjalimin e tij të inaugurimit president, në vitin 1989.

Me gjithë dështimet dhe sukseset e Presidentit George Bush në fushën e politikës së brendshme dhe në fushën e politikës së jashtme përfshirë marrëdhëniet ndërkombëtare, duke i dhënë fund Luftës së Ftoftë me shembjen e komunizmit dhe shpartallimin e perandorisë komuniste sovjetike në mënyrë paqësore – porosia e Presidentit Bush për të ndihmuar nevojtarët dhe të varfrit – nëpërmjet vullnetarizmit – është gjithashtu një shembull dhe një pasuri e trashëguar prej tij sot dhe do të vazhdojë të frymëzojë edhe brezat e ardhshëm në këtë drejtim, jo vetëm këtu në Amerikë por edhe anë e mbanë botës.

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, President Bush, si Nene Tereza

Artikujt e fundit

  • Marjan Cubi, për kombin, fenë dhe vendlindjen
  • Akademik Shaban Sinani: Dy popuj me fat të ngjashëm në histori
  • THE CHICAGO TRIBUNE (1922) / WOODROW WILSON : “NËSE MË JEPET MUNDËSIA NË TË ARDHMEN, DO T’I NDIHMOJ SËRISH SHQIPTARËT…”
  • SHQIPËRIA EUROPIANE MBRON HEBRENJTË NË FUNKSION TË LIRISË
  • KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES (21-31 JANAR 1920) 
  • Një zbulim historik ballkanik
  • VATRA DHE SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË PROMOVOJNË NESËR 4 VEPRA TË PROF. BESIM MUHADRIT
  • Që ATDHEU të mos jetë veç vend i dëshirës për të vdekur…
  • KAFE ME ISMAIL KADARENË
  • Kosova paraqet mundësi të shkëlqyeshme për investime
  • PARTIA NUK ËSHTË ATDHEU, O KOKËSHQOPE
  • 50 VJET VEPRA POETIKE KADARE
  • IT’S NOVEMBER 28TH
  • Një arritje për shqiptarët në Michigan
  • MË 4 SHKURT 2023 DO THEMELOHET DEGA E VATRËS NË CHICAGO

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT