• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DEKOROHEN HEROINAT E ANTI-KORRUPSIONIT

October 27, 2018 by dgreca

Nga Frank Shkreli/ OrganizataTransparency International njoftoi të hënën, nëpërmjet një deklarate për medien, se kishte dekoruar me Çmimin Anti-Korrupsion për vitin 2018, të ndjerën gazetare Daphne Caruana Galizianga Malta dhe aktivisten anti-korrupsion Ana Garrido Ramos, nga Spanja. Dekoratat u dorëzuan të hënën e kësaj jave, në një ceremoni gjatë Konferencës së 28-të të kësaj Organizate Ndërkombëtare, që u mbajt në Kopenhagën të Danimarkës.

Siç dihet, organizata Transparency International është një ent ndërkombëtar joqeveritar, kryeqendra e të cilës është në Berlin të Gjermanisë, e themeluar në vitin 1993. Si një organizatë jo-fitimprurëse, Transparency International, për mision të vetin ka: Luftën kundër korrupsionit global dhe marrjen e masave për parandalimin e aktiviteteve kriminale që vijnë si pasojë e korrupsionit. Ajo ka degët e saj në më shumë se 100-vende anë e mbanë botës, të angazhuara në luftën kundër korrupsionit në vendet e tyre. Sipas Transparency International, “Dekorata Anti-Korrupsion” u jepet organizatave dhe individëve, përfshirë gazetarët, prokurorët, zyrtarët qeveritarë dhe udhëheqësit e shoqërisë civile, të cilët ekspozojnë dhe luftojnë korrupsionin. Një komision i përbërë prej shtatë vetësh nga bordi i kësaj organizate dhe nga lëvizja më e gjerë anti-korrupsion, shërben si juri për të zgjedhur fituesit. Emërimet për dekorimin e këtyre dy grave të guximshme për këtë vit, janë propozuar nga publiku dhe nga degët e ndryshme të Transparency International.

Daphne Caruana Galizia, e cila është vrarë vitin që kaloi nga plasja e një bombe, e vendosur në makinën e saj, ishte një gazetare malteze, shkrimtare, dhe aktiviste kundër korrupsionit në vendin e saj. Në shkrimet e saja, ajo përqendrohej,veçanërisht, mbi korrupsionin në radhët e qeverisë, nepotizmin, spastrimin e parave, e të tjera afera korruptive, sidomos në radhët e politikanëve dhe të figurave të njohura malteze. Nëpërmjet punës së saj në gazetari, Daphne Caruana Galizia ekspozoi skandale korrupsioni që kishin të bënin me politikanë me influencë dhe persona të tjerë të njohur në Maltë apo dhe jashtë atij vendi. Që prej vrasjes së saj, më 16 tetor, të vitit të kaluar, thuhet se autoritetet malteze kanë filluar procedurat ligjore kundër atyre që besohet se mund të kenë qenë vrasësit e saj dhe po bëhen hetime për të vendosur, nëse ishin të përzier edhe persona të tjerë në vrasjen e gazetares malteze, Daphne Galizia. Ndërkaq, familja e saj i ka kërkuar qeverisë së Maltës që të themelojë një ent publik hetimi për të vendosur, nëse shteti maltez mban ndonjë përgjegjësi për vrasjen e saj, qoftë edhe për dështimin e shtetit në detyrën për ta mbrojtur atë ose për të zbuluar, nëse vetë shteti kishte gisht në vrasjen e gazetares.

Daphne Caruana Galizia

Ishte pikërisht për aktivitetin e saj si gazetare në luftën kundër korrupsionit, që Daphne Galizias iu dha dekorata e Organizatës më të njohur Ndërkombëtare Transparency International në konferencën e saj kundër korrupsionit në Kopenhagë, të hënën që kaloi. Dekoratën e pranoi djali i saj Mathew Caruana Galizia, i cili tha këto fjalë me atë rast:

“Bomba që na e mori përgjithmonë prej nesh Daphne-n, shoii zërin më të fortë që kemi pasur ndonjëherë në luftën për integritet në vendin tonë. Bomba që e vrau atë, kishte gjithashtu për qëllim për të zhdukur, njëkohësisht, edhe shpresën që për ne përfaqësonte zëri i saj i pamposhtur. Asgjë nuk mund të zëvendësojë gazetaren, e lëre më personin tonë, që ne humbëm në luftën e saj kundër korrupsionit. Por, kjo dekoratë na kujton se shpresa, jo vetëm është e jona për ta ruajtur dhe kujtuar atë në mendjet dhe zemrat tona, ndërkohë që edhe një pjesë e madhe e botës shpreson e kujton me ne…një zë kujtese për të gjithë ata që po luftojnë për të siguruar drejtësinë për të dhe për të ruajtur trashëgiminë e saj”, u shpreh djali i saj, Mathew Caruana Galizia, duke pranuar dekoratën në emër të nënës së tij të vrarë.

Ndërkaq, Transparency International njoftoi se gruaja tjetër, së cilës iu dorëzua dekorata në konferencën e kësaj organizate këtë javë në Kopenhagë për veprimtari kundër korrupsionit është spanjollja, Ana Garrido Ramos. Ajo është gruaja që i dorëzoi një sindikate spanjolle, dosjen prej 300-faqesh me prova që dokumenton praktikat korruptive brenda Bashkisë Boadilla, vendi ku ajo punonte para se të largohej nga ajo detyrë. Ajo që filloi si një hetim mbi korrupsionin në një bashki të vogël, u zgjerua në një hetim më të përgjithshëm korrupsioni që, eventualisht, përfshiu edhe Partinë Popullore që qeveriste, në atë kohë, Spanjën. Roli i saj si denoncuese dhe dëshmitare e korrupsionit, me atë rast, çoi më në fund në rënien e qeverisë së Kryeministrit Mariano Rajoy, në qershor të këtij viti, pas shtatë vitesh në krye të qeverisë spanjolle dhe njëkohësisht edhe si udhëheqës i Partisë Popullore të Spanjës. Në rolin e saj si denoncuese e korrupsionit në Spanjë, Zonja Garrido Ramos është përballur me një fushatë frikësimesh dhe trysnish agresive kundër saj. Me gjithë këtë, ajo vazhdon të luftojë për miratimin e një ligji që do të mbronte denoncuesit e korrupsionit nga reprezaljet. Zonja Garrido Ramos citohet të ketë thënë se, “Fatkeqësisht, në Spanjë, sistemi në fuqi shkatërron jetën e denoncuesit të korrupsionit, ndërkohë që të korruptuarit zakonisht marrin detyra më të mira dhe përfitime të ndryshme, si përfundim i aktivitetit të tyre korruptiv.” Ajo u shpreh se vendi i saj, Spanja, ka shumë nevojë për një ligj që do të mbronte denoncuesit e korrupsionit, si një mjet i domosdoshëm për të zhdukur korrupsionin, ka thënë ajo. Por, ajo shtoi se, përballë korrupsionit duhet të reagojnë edhe qytetarët. “Qytetarët nuk mund të qëndrojnë asnjanës në luftën kundër korrupsionit, duke pritur që bota në të cilën jetojnë të ndryshojë vetvetiu. Secili prej nesh duhet të jetë pjesë e transformimit. Gjëja për të cilën nuk luftohet, nuk realizohet kurrë”, ka theksuar ajo.

Ana Garrido Ramos

Konferenca e 18-të Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit me temën: “Së bashku për Zhvillim, paqe dhe sigurim: Tani është koha për veprim”, përfundoi punimet e saja treditëshe më 24 Tetor, 2018 në Kopenhagë të Danimarkës, me një thirrje drejtuar mbarë botës, në emër të lëvizjeve anti-korrupsion: “Ne jemi një fuqi globale dhe ne nuk do të heshtim. Në një kohë që autoritarizmi në rritje e sipër, i maskuar si regjime populiste, kërcënon të gjithë ata të cilët mbrojnë drejtësinë shoqërore, pa marrë parasysh se për cilin vend, rajon ose kontinent është fjala. Konferenca e Kopenhagës u bën thirrje të gjitha qeverive që të mbrojnë shoqërinë civile dhe rolin e saj për të ekspozuar korrupsionin dhe për t’u përballur me ‘të, ndërkohë që të angazhohen, njëkohësisht, edhe qytetarët në luftën kundër korrupsionit, me qëllim për t’i dhënë fund mos ndëshkueshmërisë ndaj zyrtarëve dhe personave të përzier në veprimtari kriminale korrupsioni”. Transparency International njofton se në Konferencën e Kopenhagës këtë javë, ku morën pjesë më shumë se 1800 veta, përfaqësues nga 144-vende të botës, lartë nga 45 qeveri, firma biznesi dhe organizata të ndryshme nënshkruan një marrëveshje angazhimi të përbashkët, për të ndërmarrë projekte të reja në luftën kundër korrupsionit, kësaj sëmundjeje shoqërore, e cila në vendin ku rrënjoset, ajo minon demokracinë, të drejtat e njeriut dhe rrezikon sigurinë shoqërore.

Filed Under: Analiza Tagged With: DEKOROHEN HEROINAT, E ANTI-KORRUPSIONIT, Frank shkreli

AMERIKA JEP ALARMIN PËR SHTRIRJEN E INFLUENCËS RUSE DHE KINEZE NË EVROPËN LINDORE DHE QENDRORE

October 24, 2018 by dgreca

Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Z. Wes Mitchell kritikoi  “Shumë prej aleatëve të ngushtë të Amerikës në Evropën Qëndrore dhe Lindore”, të cilët, sipas tij brenda vendeve të tyre, “Kanë venë në veprim rrjete korrupsioni që bashkpunojnë me ndërmarrje shtetërore, brenda një sistemi që favorizon Kinën dhe Rusinë”. /

1-frank-300x212

Nga Frank Shkreli/

Wess Mitchell është Ndihmës Sekretar i Shtetit Amerikan për Evropën dhe Euro-Azinë.  Diplomati Mitchell, konsiderohet si një prej ekspertëve më të njohur amerikanë mbi punët e Evropës Qendrore dhe Lindore.   Në një fjalim që ka mbajtur në Fondacionin Heritage në Washington qershorin që kaloi, diplomati i lartë amerikan kishte njoftuar strategjinë e politikës së jashtme të Administratës së Presidentit Trump ndaj Evropës.  Thelbi i atij fjalimi, mbi strategjinë e politikës amerikane në Evropë ishte se Shtetet e Bashkuara e shikojnë Evropën me syzat e një konkurence politike strategjike midis qytetërimit Perëndimor dhe alternativës së një autokracie absolute cariste dhe komuniste që sjellin Rusia dhe Kina.

Por të ënjtën e javës që kaloi, Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, foli në Këshillin e Atlantikut në Washington, në mënyrë më të theksuar dhe më urgjente, për shtrirjen aktuale të influencës ruse dhe kineze në Evropën Lindore dhe Qendrore, duke thënë se, “Këthimi i konkurencës midis shteteve të mëdha është një fakt përcaktues gjeopolitik i kohës në të cilën jetojmë”.   Ai u tha të pranishëmve se rivalët e Shteteve të Bashkuara janë duke shtrirë influencën e tyre në Evropën Lindore dhe Qëndrore në dëm të Aleancës Perëndimore. “Konkurrenca e sotëme politike ndihet në mënyrë të mprehtë në Evropën Qendrore dhe Lindore.  Nga Baltiku e deri në Adriatik, anë e mban gadishullit Ballkanik e deri në Kaukaz, rivalët e Amerikës po shtrijnë influencën e tyre politike, ushtarake dhe tregëtare”, ka thekësuar diplomati amerikan, i cili është përgjegjës për politikën e Shteteve të Bashkuara  ndaj Evropës dhe Euro-Azisë.  Ai nënvijoi se “Për një kohë tepër të gjatë tani, Perëndimi nuk e ka marrë seriozisht këtë konkurrencë” ruse dhe kineze në Evropën Lindore dhe Qëndrore.  Në fjalimin e tij në Këshillin e Atlantikut në Washington, Z. Mitchell tha se, “Rusia përdor taktika manipulative përsa i përket shitjes së energjisë, korrupsionit dhe propagandës, me qëllim për të dobësuar vendet perëndimore nga brenda dhe për të minuar lidhjet e tyre me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Kina, nga ana tjetër, thekësoi ai, përdor diplomacinë e borxheve, për të siguruar koncesione në infrastrukturën e shteteve më të vogëla të rajonit euro-aziatik.

Për shtrirjen e influencës së hapët ruse në këtë rajon është folur dhe është shkruar shumë në vitet e fundit, por të përmendurit e shtrirjes së influencës kineze në Evropë dhe Euroazi, në fjalimin e Z. Wes Mitchell javën që kaloi, pasqyron një fokusim më të madh të Administratës së Presidentit Trump mbi shtrirjen ndërkombëtare të influencës kineze në përgjithësi, përfshirë edhe fjalimin e Zëvëndës Presidentit amerikan, Z. Mike Pence, më heret këtë muaj, në të cilin ai numëroi një seri veprimesh aggressive në botë, nga ana e Pekinit.  Si pasqyrim të shtrirjes së influencës kineze në Evropë, Z. Mitchell theksoi faktin se investimet kineze në kontinentin evropian vitin që kaloi, “Ishin gjithsejt 318-miliardë dollarë”, duke shtuar se, “Pekini kontrollon ose ka pronë të tijën pothuaj një të 10-tën e kapacitetit të porteve evropiane.”

Përball këtyre fakteve – nënvijoi Z. Mitchell, “Shtetet e Bashkuara nuk mund të rrinë duar-kryq ndaj këtij kërcënimi në rritje e sipër ndaj Evropës Qendrore dhe Lindore.  “Ne nuk mund të konsiderojmë si një punë të kryer faktin se vendet e ndryshme do të mbeten automatikisht miqësore me Amerikën, por duhet të bëjmë çfarë është e mundur që të ndalojmë dominimin e këtyre vendeve nga rivalët e Amerikës”, është shprehur diplomati i lartë amerikan.  “Washingtoni duhet të bëjë më shumë” për të kundërshtuar influencën ruse e kineze në Evropë, tha ai, por Washingtoni pret gjithashtu nga vendet të cilat i ndihmon Amerika, të mos mbështesin rivalët tonë”.  Duke u folur drejt për së drejti evropianëve, Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, tha se, “Evropiano-perendimorët nuk mund të vazhdojnë të thellojnë varësinë e tyre energjetike me të njëjtën Rusi, nga e cila Amerika, njëkohsisht edhe i mbron.  Ose që të pasurohen nga i njëjti Iran”, theksoi ai, “I cili prodhon raketa balistike që kërcënojnë Evropën.”  Ndërkaq, Z. Mitchell tha se shpreson se do të bindet Turqia që të heq dorë nga blerja e njoftuar e raketave ruse nga Ankaraja me një vlerë prej 400-milion dollarësh, me shpresën, tha ai, për të mbajtur Turqinë, jo vetëm në një trajektore politike perëndimore, por edhe në një trajektore strategjike të Perëndimit.”

Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Z. Wes Mitchell kritikoi gjithashtu edhe “Shumë prej aleatëve të ngushtë të Amerikës në Evropën Qëndrore dhe Lindore”, të cilët, sipas tij brenda vendeve të tyre, “Kanë venë në veprim rrjete korrupsioni që bashkpunojnë me ndërmarrje shtetërore, brenda një sistemi që favorizon Kinën dhe Rusinë”.  Kjo, situatë e krijuar, theksoi ai, nuk u jep të njëjtën mundësi veprimi dhe nuk është e volitshme për firmat amerikane, ka thënë ai.  Zyrtari i lartë amerikan tha në fjalimin e tij në Këshillin e Atlantikut të ënjten që kaloi, se Shtetet e Bashkuara do t’u japin gjithmonë prioritet me ndihma dhe mbështetje, atyre vendeve që janë miqtë tanë, por njëkohësisht, shtoi ai, Washingtoni, “U bën thirrje këtyre vendeve që të ndjekin shembullin tonë dhe të përmirësojnë e të forcojnë ligjet me qëllim që të kontrollohen më mirë investimet e huaja nga kërcënimet që mund t’i vijnë sigurisë kombëtare nga këto investime”, në vendet e rajonit euro-aziatik.Mitchell tha, në fjalimin e tij javën që shkoi se grindjet midis disa qeverive të Evropës Lindore e Qendrore me Bashkimin Evropian, kanë bërë të mundur që Rusia dhe Kina ta paraqesin veten para këtyre vendeve si, “Kampionë të sinqertë të pavarësisë së vërtetë kombëtare”, një zhvillim ky, që sipas diplomatit të lartë amerikan, nuk mund të merret as me mend. “Aleatët tonë në Evropën Qendrore dhje Lindore nuk duhet të kenë asnjë iluzion se këto fuqi (Rusia dhe Kina) janë miqtë e tyre”, duke shtuar se, “Ideja se Vladimir Putini është me të vërtetë mbështetës i pavarësisë kombëtare të një shteti të vogël, është çmenduri… Mbështetja jonë ndaj pavarësisë dhe integritetit kombëtar, është pikërisht ajo që dallon Perëndimin nga regjimet autoritare”, dhe udhëheqsit e tyre, siç janë Rusia e Kina.  Ndryshe nga rivalët tonë, u shpreh Z. Mitchell, “Amerika nuk kërkon   shtete të varura tek ne, por kërkon aleatë dhe partnerë të fortë të cilët janë të lirë, të pavarur dhe shtete të cilat janë të gatëshme dhe që kanë mundësi të kontribojnë për mbrojtjen e përbashkët perëndimore… Janë aleatët e fortë dhe të pavarur, dhe jo shtetet e dobëta varëse, ata që do të bëjnë të mundur që Perëndimi të triumfojë përsëri”, ka thënë diplomati i lartë amerikan.
Megjithë paralajmërimin e Sekretarit Amerikan të Shtetit për rrezikun që paraqet shtrirja në rritje e sipër e influencës ruse dhe kineze në Evropën Lindore dhe Qëndrore, diplomati lartë amerikan, Z. Wes Mitchell përfundoi fjalimin e tij në Këshillin e Atlantikut në Washington me një notë optimiste se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj do t’i mundin kundërshtarët e tyre në Evropë. “Një prej përparësive më të mëdha në garën e Amerikës me rivalët e saj autokratë, është vetë historia e Shteteve të Bashkuara, pra, trashëgimia jonë si një popull demokratik, bujar e shpirtmadh, energjetik e plot incitiativë”, përfundoi ai fjalimin e tij javën që kaloi — duke i siguruar të pranishmit se kjo trashëgimi dhe përvojë e përbashkët edhe në “luftën kundër tiranisë” gjatë shekullit të kaluar, së bashku me popujt e Evropës Qendrore dhe Lindore, do të mund të garantojë përsëri që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre perëndimorë t’i ruajnë dhe t’i mbrojnë frontet e lirisë, edhe në të ardhmen.

Zoti Mitchell tha se “Me aleatë të fortë, të mbështetur nga dashuria e tyre për liri, e që është trashëgimia më e madhe e Perëndimit, ne do të triumfojmë përsëri”, përballë shtrirjes aktuale të influencës, në rritje e sipër, të Rusisë dhe Kinës në Evropën Qendrore dhe Lindore.

Filed Under: Politike Tagged With: Europe Lindore e Qendrore, Frank shkreli, influenca rus-kineze, jep alarmin, SHBA

HETIME NGA OKB PËR VRASJEN E GAZETARIT SAUDIT JAMAL KHASHOGGI

October 22, 2018 by dgreca

4 frank-shkreli-1

Nga Frank Shkreli/

Ndërkohë që gjatë ditëve të fundit, një numër udhëheqësish botërorë janë shprehur se hetimet e njoftuara nga Arabia Saudite rreth vrasjes së gazetarit saudit, Jamal Khashoggi në konsullatën saudite në Stamboll, nuk janë të mjaftueshme — disa organizata jo-qeveritare ndërkombëtare kanë bërë thirrje për hetime të pavarura.  Kjo është thirrja që i kanë bërë Turqisë javën e kaluar katër organizata të njohura ndërkombëtare të drejtave të njeriut.  Reporterët Pa Kufij, Amnesty International, Human Rights Watch dhe Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, në një letër të përbashkët i kërkojnë Turqisë t’i bëjë thirrje Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Z. Antonio Guterres, që të bëjë hetime mbi ekzekutimin e gazetarit të njohur saudit, Jamal Khashoggi.  Hetimet, thonë këto ente të të drejtave të njeriut, duhet të vendosin rrethanat mbi rolin e Arabisë Saudite në zhdukjen dhe më në fund në vrasjen e gazetarit Khashoggi.  Qëllimi i hetimeve nga OKB-ja, sipas tyre, duhet të jetë identifikimi i të gjithë personave përgjegjës, të cilët kanë dhënë urdhërin dhe të cilët kanë planifikuar vrasjen e Jamal Khashoggit.  “Turqia duhet të angazhojë Kombet e Bashkuara për të filluar hetimet në kohën e duhur, ashtu që të jenë të besueshme dhe transparente”, citohet të ketë thënë Robert Mahoney, zëvëndës-drejtor i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve.  Ndërsa ka shtuar se, “Pjesëmarrja e OKB-ës në këtë çështje, është garancia më e mirë që ato të dalintë sukseshme, megjithë hetimet që po bëhen sa për sy e faqe nga vet sauditët dhe përball përpjekjeve të qeverive të tjera, të cilat mund të kenë interesa për të ruajtur marrëdhëniet e levërdishme tregtare me Riadin.”

Në njoftimin për mediet ndërkombëtare, organizatat e mësipërme kërkojnë që provat që do të mbludhen gjatë hetimeve nga OKB-ja, të ruhen me qëllim që të përdoren në çdo proces gjyqësor në të ardhmen, kundër dorë-rasëve ose dhe pjesëmarrësve në vrasjen e gazetarit Khashoggi.  Ato insistojnë gjithashtu që grupi hetues i OKB-ës të jetë i lirë për të udhëtuar kudo që jetë e nevojshme, për të intervistuar dëshmitarët ose njerzit që mund të konsiderohen si fajtorë në këtë mes, pa ndërhyrje nga autoritetet e cilitdo vend qoftë.

Jamal Khashoggi është parë duke hyrë në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll me 2 Tetor, 2018, por fati i të cilit ç’prej asaj dite, nuk dihej deri tani.  Por gjatë fundjavës që kaloi, Arabia Saudite konfirmoi vdekjen e gazetarit saudit dhe komentatorit të gazetës Washington Post, e të ndjerit Khashoggi, duke thënë se vdekja e tij erdhi gjoja pas një grindjeje fizike brenda konsullatës saudite në Stamboll.  Kjo është hera e parë që Arabia Saudite pranon se ai është vrarë brenda konsullatës së saj në Stamboll.  Megjithkëtë, pranimi zyrtar saudit se gazetari Jamal Khashoggi është vrarë brenda konsullatës së saj atje, nuk ka të ngjarë të pakësojë thirrjet ndërkombëtare për të mbajtur përgjegjëse autoritetet saudite për vrasjen e tij.  Deri të shtunën që kaloi, zyrtarët sauditë kishin thënë vazhdimisht se Khashoggi ishte larguar i gjallë nga konsullata saudite në Stamboll, ku kishte vajtur për të marrë një dokument martese dhe se ata nuk kishin ndonjë informacion për fatin e tij.

Sipas organizatave ndërkombëtare të lartëpërmendura e që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut anë e mbanë botës, autoritetet saudite i kanë shtuar masat shtypëse ndaj kundërshtarëve në vend ç’prej emërimit princ të Mohammad bin Salman, Qershorin e vitit të kaluar, përfshirë masat e ashpra edhe ndaj personavet për shprehjet e tyre paqësore në favor të promovimit dhe të mbrojtjes së të drejtave të njeriut në përgjithësi.   Këto organizata thekësojnë se pothuaj të gjithë mbrojtsit e të drejtave të njeriut dhe zërat kritikë, përfshirë ndër ta edhe klerikë, gazetarë dhe akademikë, kanë qenë dhe janë objekt masash të ashpëra kundër tyre nga autoritetet e Arabisë Saudite.   Sipas të dhënave nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, vrasja e gazetarit Khashoggi ndodhi pas më shumë se një vit masash të ashpëra nd[rmarrë kundër gazetarëve sauditë, të cilët kanë raportuar mbi aferat korruptive, mbi të drejtat e grave dhe për çështje të tjera në vendine tyre e që në Arabinë Saudite konsiderohen si çështje “sensitive”, ndërkohë që ato akuzojnë Arabinë Saudite se disa prej këtyre personave mbahen në vende të panjohura.

Prandaj nuk janë vetëm gazetarët, mbrojtës të lirisë së fjalës, ata që e pësojnë keq në Arabinë Saudite.  Organizatat e të drejtave të njeriut, kanë venë në dukje se shumë individë, përfshirë edhe disa femëra të njohura saudite, mbështetëse të drejtave të grave, si Loujain al-Hathloul, Iman al-Nafjan dhe Aziz al-Yousef, mbahen arbitrarisht në burg për disa muaj tani, pa kurrfarë akuzash ndaj tyre, por mabhen të arrestuara vetëm e vetëm pse kanë ushtruar të drejtën e tyre të fjalës së lirë.

Christophe Deloire, Sekretari i Përgjithëshëm i organizatës Reporterët Pa Kufij, tha se të gjitha këto zhvillime rreth vrasjes së gazetarit saudit, Khashoggit, “E bëjnë të qartë se sa e rëndësishme është që për këtë rast të ndërmerren hetime të pavarura dhe asnjanëse me qëllim që të zbulohet e vërteta për atë që ka ndodhur dhe të vendoset drejtësia për vrasjen e Jamal Khashoggi-n”. Ai e cilësoi vrasjen e tij si një prej rasteve më shokuese dhe ekstreme të viteve të fundit dhe si e tillë duhet, patjetër, të hetohet nga Kombet e Bashkuara.

Organizatat e lartëpërmendura i kanë bërë thirrje Sekretarit të Përgjithsëëm të Kombeve të Bashkuara, Z. Guterres që të emërojë një hetues të lartë krimesh me përvojë të gjërë në fushën e hetimeve ndërkombëtare, si personin për të kryesuar grupin hetues të OKB-ës për këtë rast.  Në përfundim të hetimeve, ata rekomandojnë botimin e një raporti publik mbi vrasjen e gazetarit saudit Khashoggi dhe që grupi hetues të propozojë masat që duhen marrë kundër atyre që shkaktuan vdekjen e tij.

“Familja e Jamal Khashoggi-t dhe mbarë bota meritojnë të dinë të vërtetën e plotë se çfarë i ndodhi atij”, është shprehur Drejtori i Human Rights Watch, Z. Louis Charbonneau duke shtua se, “Shpjegimet e pjesëshme dhe hetimet e njëanëshme nga Arabia Saudite, e cila dyshohet se kishte gisht në vrasjen e tij, nuk mjaftojnë.  Vetëm Kombet e Bashkuara kanë kredibilitetin dhe pavarësinë e nevojshme për të ekspozuar vrasësit e gazetarit Khashoggi dhe për t’i mbajtur ata përgjegjës për aktin …” ka thekësuar Z. Charbonneau.  Ndërsa Sherine Tadros, Kryetare e zyrës së Amnesty International në Nju Jork është shprehur se, “Pa një hetim të besueshëm nga ana e OKB-ës, dyshimet do të vazhdojnë mbi Arabinë Saudite pa marrë parasyshë shpjegimet zyrtare që mund të ofrojë udhëheqja e atij vendi në lidhje me vrasjen e Jamal Khashoggit.”

Më në fund, organizatat e të drejtave të njeriut i bëjnë thirrje Turqisë, Arabisë Saudite dhe të gjitha vendeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara që të bashkpunojnë me hetimet e OKB-ës, për të siguruar ndihmën e nevojshme për zhvillimin e hetimeve ndërkombëtare, ashtuqë që të zbulohet e vërteta mbi vrasjen e Jamal Khashoggi-t.  Posaçërisht, organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, i bëjnë thirrje Turqisë, që të dorëzojë të gjitha provat audio-vizive që thotë se posedon në lidhje me vrasjen e gazetarit saudit — e që zyrtarët turq u kanë thënë vazhdimisht përfaqësuesve të medies — se ato provojnë vrasjen e Jamal Khashoggi-t, brenda konsullatës saudite në Stamboll. Fund javën që kaloi, Sekretari i Përgjithëshëm i Kombeve të Bashkuara, Guterres, nepërmjet një zëdhënsjeje, shprehu “shteqësimin e tij të thellë” për vrasjen e gazetarit saudit, por nuk mori përsipër ndonjë angazhim për hetim nga ana e OKB-ës, megjithëse sipas zëdhënses, “Sekretari i Përgjithshëm theksoi nevojën për hetime të menjëhershme dhe transparente mbi rrethanat e vdekjes se të ndjerit Khashoggi dhe për të zbuluar përgjegjësit për vrasjen e gazetarit saudit.”  Mbetet për tu pa në ditët dhe javët e ardhëshme, nëse OKB-ja do t’i përgjigjet pozitivisht thirrjes së organizatave kryesore ndërkombëtare të drejtave të njeriut për një grup hetues i sanksionuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.  OKB-ja si organizatë botërore, mbi të gjithë të tjerët, duhet të tregojë shqetësimin e saj të thellë për këtë ngjarje.   Sepse “ngjarjet e tmershme” — siç u shpreh në reagimin e saj në lidhje me vrasjen e gazetarit saudit, Kancelarja gjermane Angel Merkel — “Janë një paralajmërim se reformat demokratike, anë e mbanë botës, janë nën kërcënim”.   Ky shqetësim duhet të shprehet nga të gjithë ata që besojnë në lirinë e fjalës dhe në lirinë e shtypit në veçanti dhe në vlerat demokratike, në përgjithësi.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, Hetime nga OKB, Jamal Khashoggi

FJALËT E FUNDIT TË GAZETARIT TË VRARË SAUDIT JAMAL KHASHOGGI

October 20, 2018 by dgreca

FJALËT E FUNDIT TË GAZETARIT TË VRARË SAUDIT JAMAL KHASHOGGI: Mbi të gjitha, bota arabe ka nevojë për lirinë e fjalës /

2-Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank SHKRELI/Siç është informuar tanimë mbarë opinioni botëror, gazetari i njohur saudit Jamal Khashoggi mendohet të jetë vrarë, pasi është zhdukur nga qarkullimi, më 2 Tetor, brenda konsullatës së Arabisë Saudite në Stamboll. Sipas disa lajmeve që citojnë zyrtarët turq, Jamal Khasshoggi është vrarë brenda Konsullatës saudite, në një vrasje që ata e cilësojnë si “me paramendim”, e kryer nga një grup prej 15 burrash nga Arabia Saudite. Ndërsa autoritetet saudite kanë thënë se Khashoggi është larguar nga konsullata, i pa dëmtuar fizikisht, pak kohë pasi kishte arritur në ndërtesën e përfaqësisë diplomatike saudite në Stamboll.

Ndërkaq, Sekretari Amerikan i Shtetit Mike Pompeo, pas takimit me udhëheqësit sauditë dhe turq këtë javë, për të biseduar mbi këtë çështje, informoi të enjten Presidentin Donald Trump duke i kërkuar atij t’i japë Arabisë Saudite edhe disa ditë të tjera, për të përfunduar hetimin rreth zhdukjes së gazetarit Jamal Khashoggi, para se të njoftohet ndonjë reagim zyrtar ose marrje masash nga ana e Washingtonit kundër Riadit, si përfundim i vrasjes së gazetarit Khashoggi. Ndërkohë, po shtohen trysnitë ndërkombëtare ndaj Washingtonit që të reagojë me masa të ashpra ndaj atyre që kanë ndërmarrë këtë anti-njerëzor.

Para se të zhdukej nga qarkullimi, gazetari Jamal Khashoggi – duke folur për masat shtypëse ndaj medies në Egjipt dhe në Arabinë Saudite – kishte paralajmëruar se fatkeqësisht, “Masa të tilla të shtypëse kundër medies në ato vende nuk tërheqin më kritika nga komuniteti ndërkombëtar dhe se autoritetet në ato vende nuk pësojnë asnjë pasojë për shtypjen e lirisë së medies në vendet e tyre”.

 Jamal Khashoggi

Jamal Khashoggi ishte njëri prej gazetarëve dhe komentuesve politikë më të njohur sauditë dhe të botës arabe në përgjithësi, me një karrierë gazetareske prej pothuaj 30-vitesh. Megjithëse për një kohë të gjatë ishte i afërt me familjen mbretërore saudite, Jamal Khashoggi me shkrimet e tij, më vonë siguroi një reputacion si reformist dhe mbrojtës i Lirisë së Fjalës, duke kritikuar, ndër të tjera edhe, politikën rajonale dhe të brendshme të Arabisë Saudite. Gjatë karrierës së tij, ai ka shkruar për një numër gazetash arabe dhe për gazeta ndërkombëtare, përfshirë gazetën amerikane “Washington Post”. Të enjten “Washington Post” botoi atë që thotë se është shkrimi i fundit i Khashoggit, në të cilin ai kritikon mungesën e lirisë së shtypit në botën arabe. Redaktorja e gazetës së kryeqytetit amerikan, Karen Attiah, duke paraqitur për lexuesit komentin e fundit të shkruar nga gazetari Khashoggi për “Washington Post”, shprehet se artikulli pasqyron vërtetë angazhimin dhe pasionin e tij personal për liri në botën arabe – një liri, për të cilën siç duket, ai dha jetën e tij. Khashoggi e fillon komentin duke shprehur shqetësimin e tij të thellë për mungesën e lirisë së shtypit në botën arabe, ndërsa citon raportin e Organizatës Amerikane të Drejtave të Njeriut, “Freedom House” për vitin 2018, sipas të cilit, vetëm një vend i mbarë botës arabe klasifikohej si i “lirë”, e ai vend është Tunizia. Ndërsa Jordania, Maroku dhe Kuvajti karakterizohen, sipas tij, si vende “pjesërisht të lira”, ndërsa pjesa tjetër e vendeve të botës arabe cilësohen, si “jo të lira”. “Si përfundim”, shkruan ai, “Arabët që jetojnë në këto vende “jo të lira”, nuk janë të informuar ose janë të keq-informuar”, për ngjarjet ndërkombëtare, përfshirë vendet e tyre dhe botën arabe. Si rrjedhim, ka shkruar Khashoggi në artikullin e fundit, “Ata nuk e kanë të mundur të merren me çështjet rajonale dhe të ditës së përditshme që u interesojnë atyre, aq më pak t’i diskutojnë ato publikisht. Një pjesë e madhe e publikut arab bie viktimë e shpjegimeve zyrtare të këtyre shteteve – shpjegime që dominojnë psikozën publike – megjithëse shumë prej tyre nuk i besojnë versionet zyrtare. Fatkeqësisht, kjo situatë nuk ka të ngjarë që të ndryshojë”, potencon Jamal Khashoggi, në shkrimin e tij të fundit në gazetën amerikane “Washington Post”. Madje edhe Libani, që dikur konsiderohej si shembull për sa i përket lirisë së shtypit në botën arabe, tani ka rënë viktimë e polarizimit dhe influencës së Hezbollahut pro-iranian, ka shkruar Khashoggi në artikullin e botuar në gazetën amerikane “Washington Post”.

Prandaj, thekson ai, “Bota arabe po përballet me versionin e saj të një Perdeje të Hekurt, të imponuar, jo nga aktorë të jashtëm, por përmes forcave të brendshme që konkurrojnë për pushtet”, shkruan ai. “Gjatë Luftës së Ftohtë, Radio “Evropa e Lirë”, e cila gjatë viteve u bë një institucion mediatik kritik, luajti një rol të rëndësishëm, (për vendet ish-komuniste) duke mbajtur gjallë shpresën për liri. Arabët kanë nevojë për diçka të njëjtë”, ka sugjeruar Khashoggi në artikullin e fundit të botuar në gazetën amerikane. Bota arabe kishte shpresë të madhe për liri gjatë të ashtuquajturës “Pranverë arabe” të vitit 2011, ndërkohë që, sipas tij, gazetarët, akademikët dhe popullsia arabe në përgjithësi, shpresonin për një të ardhme më të ndritur dhe për një shoqëri arabe të lirë në vendet e tyre, respektive. “Ata prisnin të emancipoheshin nga hegjemonia e qeverive të tyre dhe nga ndërhyrjet e pandërprera dhe nga censura e ashpër mbi shpërndarjen e lirë të informacionit. Këto pritshmëri e shpresa u shuan shpejt, ndërkohë që këto vende ose iu kthyen statu-kuosë së mëparshme ose u përballen me kushte dhe më të ashpra se përpara”, theksohet në artikullin e fundit të Khashoggit, në gazetën “Washington Post”. “Ishte një kohë”, shkruan ai, “kur gazetarët mendonin se Interneti do ta çlironte njëherë e mirë përhapjen e lirë të informacionit nga censura zyrtare dhe nga kontrolli mbi medien. Por këto qeveri, ekzistenca e të cilave varet nga kontrolli i fjalës së lirë dhe informacionit e kanë bllokuar në mënyrë agresive Internetin. Gjithashtu, ato kanë arrestuar gazetarët vendas dhe u kanë bërë trysni kompanive të ndryshme që të mos reklamojnë produktet e tyre në gazetat specifike, duke i dëmtuar ato edhe ekonomikisht”. Në shkrimin e tij për gazetën “Washington Post”, gazetari saudit Jamal Khashoggi, shprehet se me gjithë gjendjen kritike të lirisë së medies në pjesën më të madhe të botës arabe, aty-këtu, ekziston ndonjë vend ku ende mishërohet fryma e “Pranverës Arabe”. Ai ka përmendur Katarin si një vend i cili vazhdon të mbështetë mbulimin e lajmeve ndërkombëtare, në krahasim me përpjekjet e fqinjëve të tij, për të kontrolluar përhapjen e lirë të informacionit, në mbështetje të “rendit të vjetër arab”. “Bota arabe”, sipas Jamal Khashoggit, ka nevojë për një media trans-nacionale ashtu që qytetarët të kenë mundësi të informohen rreth ngjarjeve botërore. Për më tepër”, ka shkruar ai, “Kemi nevojë për një platformë për t’u përdorur nga zërat e ndryshëm arabë”. Duke iu referuar botës arabe, ai përfundon duke thënë se, “Ne vuajmë nga varfëria, keq-menaxhimi dhe arsimi i dobët. Nëpërmjet një forumi të pavarur ndërkombëtar, larg influencës së qeverive nacionaliste (arabe) që përhapin urrejtje nëpërmjet propagandës – qytetarët e thjeshtë të botës arabe do të kishin mundësi të merreshin me zgjidhjen e problemeve me të cilat përballen shoqëritë, në të cilat ata jetojnë”, ka përfunduar ai artikullin e fundit të jetës së tij për gazetën “Washington Post”.

Dikush mund të pyesë se ç’na duhet ne shqiptarëve të dimë për mungesën e lirisë së shtypit në botën arabe e kudo tjetër. Për më tepër pse të informohemi për vrasjen e një gazetari arab, të cilin as nuk e njohim dhe shkrimet e të cilit nuk i kemi lexuar. Në mendimin tim, ka rëndësi që lexuesit shqiptarë të informohen për ngjarje të tilla, sepse mënyra – dhe ky nuk është i vetmi rast – siç duket aq brutale e vrasjes së një gazetari, vetëm e vetëm se në shkrimet e tija mbështet Fjalën e Lirë për veten dhe për bashkatdhetarët e tij – duhet të jetë një shqetësim serioz për të gjithë ne kudo, në Shqipëri, në Kosovë në Evropë, por edhe në Amerikë. Përpjekje të tilla për kufizimin e fjalës së lirë me ligj, duhet të konsiderohet si një kërcënim edhe për liritë e tjera bazë të njeriut. Vrasja brutale e gazetarit saudit, Jamal Khashogg-it duhet të jetë një paralajmërim ogurzi — për ata udhëheqës kudoqofshin, të cilët flirtojnë me ide për “paketa ligjore anti-shpifje”, si një mjet për të kufizuar lirinë e medies — se ku mund të çojnë masa të tilla kundër lirisë së të shprehurit dhe rreziqet që mund t’i kanosen një shoqërie që pranon propozime të tilla me duar kryq, të imponuara nga lartë. Vaj medet për atë shoqëri! Fatkeqësisht, një zë i fuqishëm arab në mbrojtje të lirisë së fjalës, siç ishte ai i Jamal Khashoggi-t, nuk është më! Zëri i tij mund të jetë heshtur përgjithmonë nga armiqtë e lirisë së fjalës dhe të shtypit të lirë, por fjalët e tij në mbrojtje të fjalës së lirë në vendet arabe në veçanti dhe në botë në përgjithësi, nuk do të shuhen kurrë!

Filed Under: Analiza Tagged With: fjala e lire, Frank shkreli, Jamal Khashoggi, Vrasja

GJERGJ KASTRIOTI – SKENDERBEU SI UDHËRRËFYES I SHQIPTARËVE DHE SHËMBULL I SHKËLQYER I DIASPORËS

October 18, 2018 by dgreca

1-Frank-300x212

Nga Frank SHKRELI/

Në kuadër të aktiviteteve të Vitit Mbarëkombëtar 2018, kushtuar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, në Prishtinë po mbahet një konferencë me pjesëmarrje nga studiues shqiptarë dhe të huaj. Konferenca është organizuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Institutin e Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, Institutin e Historisë në Tiranë dhe Institutin e Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve të Maqedonisë në Shkup.

Disa medie të Kosovës kanë njoftuar se, ndonëse Presidenti i Republikës së Kosovës, Z. Hashim Thaçi dhe Kryeministri, Z. Ramush Haradinaj, kishin premtuar se do të merrnin pjesë në këtë konferencë kushtuar Gjergj Kastriotit-Skënderbe, asnjëri prej tyre siç duket nuk ishte i pranishëm në këtë tubim, megjithëse ishin pjesë e programit të konferencës, të njoftuar më herët. Përfaqësuesi më i lartë i shtetit dhe i qeverisë së Republikës së Kosovës që mori pjesë në këtë konferencë akademike, ishte Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi. Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve në këtë konferencë, Ministri Bytyqi, tha se Gjergj Kastrioti – Skënderbeu është njëra nga figurat më të respektuara në historinë tonë kombëtare. Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve në këtë konferencë, Ministri Bytyqi, tha se Gjergj Kastrioti – Skënderbeu është njëra nga figurat më të respektuara në historinë tonë kombëtare. “Si figurë unifikuese” shtoi ai Gjergj Kastrioti -Skënderbeu, “Çdo herë ka qenë dhe mbetet adresa kryesore e identifikimit të popullit shqiptar. Skënderbeu, si njëri nga strategët më të njohur të artit luftarak, për 25 vite rresht, arriti që të vë themelet e shtetit mesjetar shqiptar. Edhe përkundër që ai u ndesh me ushtrinë më të fortë të kohës — pra me atë osmane — ai ishte i pathyeshëm dhe pengesë kryesore për depërtimin e ushtrive osmane në Evropën Perëndimore”, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës, Z. Shyqiri Bytyqi.

Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve në këtë konferencë, Ministri Bytyqi tha se Gjergj Kastrioti – Skënderbeu është njëra prej figurave më të respektuara në historinë tonë kombëtare. “Si figurë unifikuese” shtoi ai Gjergj Kastrioti -Skënderbeu, “Çdo herë ka qenë dhe mbetet adresa kryesore e identifikimit të popullit shqiptar. Skënderbeu, si njëri nga strategët më të njohur të artit luftarak, për 25 vite rresht, arriti që të vë themelet e shtetit mesjetar shqiptar. Edhe përkundër që ai u ndesh me ushtrinë më të fortë të kohës — pra me atë osmane — ai ishte i pathyeshëm dhe pengesë kryesore për depërtimin e ushtrive osmane në Evropën Perëndimore”, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës, Z. Shyqiri Bytyqi. Ministri Bytyqi theksoi se Skënderbeu, për vite të tëra shërbeu si figurë pikë nisëse e shumë proceseve të mëdha të popullit tonë dhe si i tillë, për shqiptarët e Kosovës, ai ishte shembulli me i mirë për vetëdijesimin e ndërgjegjes kombëtare. “Ai, ishte udhërrëfyesi i jonë në momentet më të rëndësishme të ndërtimit të shtetit tonë, që nga vlimet e mëdha politike në fillim vitet e ’90-ta të shekullit të kaluar, më pas gjatë luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e deri në ditët tona”, tha në fund të fjalës së tij, Ministri Bytyqi. Një prej të folësve në këtë tubim akademik në Prishtinë ishte edhe Përfaqësues i Kishës Katolike të Kosovës, Dioqezës së re Prizren-Prishtinë, Don Lush Gjergji i cili iu drejtua pjesëmarrësve me këto fjalë: “Historia flet dhe thërret në këtë përvjetor të madh, 550 vjetorin e vdekjes së të pavdekshmit Gjergj Kastrioti – Skënderbeut, i cili si dikur i mblodhi dhe i afroi Arbërit, ashtu edhe sot na afron dhe na bashkon ne Shqiptarët me shumë porosi, qortime, vërejtje, synime dhe frymëzime për të tashmen dhe të ardhmen tonë më të mirë”. Në fjalën e tij, Don Lush Gjergji bëri pyetjen se çfarë na mëson sot figura, jeta dhe veprimtaria e Gjergj Kastriotit – Skënderbe, për kohën dhe hapësirat tona ndërsa theksoi strategjinë largpamëse dhe vendimtare të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, duke nënvizuar se, “Takimi, afrimi, bashkimi, bashkëpunimi dhe bashkëjetesa e bëjnë Gjergj Kastriotin – Skënderbeun figurë historike dhe aktuale unike për ne dhe për botën. Njeri që diti, deshi dhe mundi të krijonte këtë rrugëtim shkallor, si art të suksesit, vëllazërisë, afërsisë, vlerësimit pozitiv, të jetës dhe të suksesit të përbashkët me të gjithë dhe për të gjithë.”

Don Lush Gjergji tha se nga Heroi Kombëtar i tyre, shqiptarët në këtë vit mbarëkombëtar kushtuar Gjergj Kastriotit-Skënderbe, mund të mësojnë shumë edhe sot, sidomos për bashkim, për bashkëpunim dhe për bashkëjetesë me njëri tjetrin. Për një bashkim, theksoi ai, “Si shprehje fuqie të bashkimit në dallime, për çdo ngadhënjim dhe sukses, që mbështetet në të vërtetën dhe në dashurinë për njëri-tjetrin, për idetë dhe idealet e përbashkëta, i bazuar në të vërtetën historike ilire dhe arbërore për përballimin vëllazëror të baticave dhe zbaticave historike dhe aktuale” dhe në bashkëpunim nënvizoi ai, “Si domosdoshmëri për çdo kohë dhe vend, shprehje e fuqisë dhe jetës, veprimtarisë dhe synimeve të përbashkëta, ku ne shpesh çalojmë dhe mungojmë, si një lloj dobësie pothuaj karakteristike e “thembrës së Akilit” për Popullin tonë”. Nga Prijësi i Madh, sipas Don Lush Gjergjit, duhet të mësojmë edhe bashkëjetesën, “Si shprehje atdhedashurie dhe flijimi, kërkimi të vazhdueshëm i të mirës së përbashkët, pa të cilën s’ka as të mira personale, individuale, familjare, grupore, që lehtëson fuqinë shpirtërore, morale, jetësore, që edhe ne, si Gjergji ynë dikur, t’i kthehemi vetvetes dhe të vërtetës”, ka thënë ai. Këtë temë siç duket trajton edhe libri më i ri i autorit Z. Jakup Krasniqi, “Skënderbeu dhe Porositë për Shekullin XXI”, që u përurua të mërkurën në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë. Duke folur për Gjergj Kastriotin – Skënderbe, të cilin ai e cilësoi si ndër figurat historike më të larta jo vetëm evropiane por edhe botërore, historiani Jakup Krasniqi ka veçuar faktin duke theksuar se ne e kemi njohur Heroin Kombëtar Skënderbeun si komandant dhe ushtar i fuqishëm, por duhet ta shohim edhe në këndin e mendimtarit të fortë, të një qeveritari që di çka do dhe jo vetëm për kohën e tij, duke i shërbyer edhe kohëve të tjera. Gjatë promovimit të librit, Z. Krasniqi ka porositur qeveritaret shqiptarë ta shfrytëzojnë pasurinë e begatë që vjen nga Skënderbeu në të tashmen dhe për të ardhmen tonë, njoftojnë disa burime mediatike të Kosovës.

Ministri Shyqiri Bytyqi e cilësoi Skënderbeun si udhërrëfyesin e shqiptarëve të Kosovës gjatë gjithë historisë e deri në luftën e fundit për çlirimin e vendit, ndërsa Don Lush Gjergji u tha pjesëmarrësve në konferencë se Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, “Nuk e kishte humbur kujtesën historike personale, familjare, fetare dhe kombëtare. Edhe pse babai i tij Gjon Kastrioti qe i detyruar t’ua dorëzonte Gjergjin në moshën e brishtë 9 vjeçare, diku në fillim të vitit 1415”, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, sipas Don Lush Gjergjit, “Është shembull i shkëlqyer i përfaqësuesit të “diasporës”, i cili nuk mendonte me “bark”, por me krye, vlerësonte me mendje dhe me zemër dhe thënë me gjuhën e Shën Nënës Terezë, e “Jep pjesën më të mirë të vetvetes”, por për të tjerët, për të mirën e përbashkët për të gjithë, si model flijimi dhe dhurimi, altruizmi dhe atdhedashurie shembullore”. Skënderbeu shtoi ai — “Shtyllë jete dhe veprimi pati BESËN dhe me Besëlidhjen Shqiptare më 2 mars 1444, vuri themelet e reja dhe të vjetra tona komb-formuese dhe shtet-formuese, duke nderuar traditat e përbashkëta, simbolet — mbi të gjitha synimet, idetë dhe idealet tona — nën flamurin e përbashkët drejt historisë dhe ardhmërisë”, përfundoi Don Lush Gjergji, fjalën e tij përshëndetëse me rastin e hapjes së konferencës shkencore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu në 550-vjetorin e vdekjes”, mbajtur në Prishtinë më 16 Tetor, 2018.

Filed Under: Opinion Tagged With: “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, diaspora, Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 68
  • 69
  • 70
  • 71
  • 72
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR
  • 15 janari është Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë!
  • Editori Diellit Dr. Athanas Gegaj përkujtohet në New York më 25 Janar 2026
  • Arsyet e vërteta pse ngriu procesi i vizave emigruese për në Amerikë për shqiptarët!
  • ERNEST KOLIQI ( 20 MAJ 1903 – 15 JANAR 1975)
  • SHQIPTARËT NË SANREMO!
  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT