• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GJENERALI WESLEY CLARK – SIMBOL I TRIUMFIT USHTARAK

June 4, 2018 by dgreca

Një Dekorim i Merituar/

clarkkk

Nga Frank Shkreli/

Dy javë më parë Presidenti i Republikës së Kosovës, Z. Hashim Thaçi  ka dekoruar ish-gjeneralin amerikan Wesley Clark me Medaljen Presidenciale Jubilare të dhjetëvjetorit të pavarësisë.  Presidenti Thaçi shkruan në rrjetin social Facebook se kjo dekoratë për gjeneralin Clark është gjithashtu simbol mirënjohjeje edhe për mijëra qytetarë e ushtarë amerikanë, që kanë dhanë dhe japin një kontribut të jashtëzakonshëm për Kosovën.

Në njoftimin e plotë, Presidenti i Kosovës thekson, “Gjeneralin amerikan, Wesley Clark, i cili ishte shumë këmbëngulës për të siguruar lirinë dhe paqën në Kosovë, sot (16 Maj) e dekorova me Medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë.  Kjo dekoratë për gjeneralin Clark vjen si mirënjohje edhe për mijëra qytetarë e ushtarë amerikanë, që dhanë kontribut të jashtëzakonshëm për Kosovën. Populli i Kosovës i është përjetësisht mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Gjeneralit Clark”, ka shkruar Presidenti Thaçi në postimin e tij në facebook.

clarkGjenerali amerikan Clark, ish-komandanti suprem i Aleancës së NATO-s, në vitin 1999 ka udhëhequr fushatën e Aleancës së Atlantikut verior kundër forcave serbe të regjimit të Millosheviqit, në përgjigje të një fushate të egër ushtarake serbe – ku makineria e forcave ushtarake të ish-Jugosllavisë sulmoi shqiptarët e pafajshëm dhe të pa armatsour, me qëllim të një spastrimi etnik të shqiptarëve nga trojet e tyre në Kosovë.  Si i tillë, Gjenerali Wesley Clark, pak më shumë se një gjysëm shekulli më vonë, pasoi një gjeneral tjetër të njohur amerikan, si Komandant Suprem i forcave aleate të Amerikës në Evropë gjatë Luftës së Dytë Botërore — Gjeneralin dhe ish-Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Dwight Eisenhower.clarkkSulmi kundër Serbisë, ishte i pari sulm në historinë e Aleancës së NATO-s, një angazhim luftarak ky që është drejtuar nga Gjenerali Clark.   Shumë ekspertë ndërkombëtarë e kanë konsideruar fushatën ushtarake të NATO-s për çlirimin e Kosovës, si një ngjarje që mund të kishte shkaktuar një luftë midis NATO-s dhe Rusisë, përfshirë ish-Këshilltarin për Sigurinë Kombëtare të Amerikës, Z. Zbigniew Brzezinski, i cili ka shkruar se kishte bindjen se në fund të luftës në Kosovë, organizata NATO dhe Rusia, ishin në prak të një konflikti serioz, pikërisht për arsye të planeve dhe përpjekjeve ruso-serbe, për të ndarë Kosovën.

Siç ka shkruar edhe vet Gjenerali Clark në librin e kujtimeve të tija, “Waging Modern War”, lufta në Kosovë ishte më tepër se një ndërmarrje luftarake.  Ai shkruan se përveç strategjisë ushtarake të Aleancës NATO, si Komandanti Suprem i Nato-s, i cili drejtoi fushatën ushtarake kundër Serbisë – atij i duhej që njëkohësisht të bashkrendonte edhe përpjekjet dhe strategjitë diplomatike, marrëdhëniet ndërkombëtare, politikat e vendeve anëtare të NATO-s dhe politikën e mbrendshme amerikane, përfshirë konfliktet dhe mosmarrveshjet amerikano-evropiane dhe konfliktet midis zyrtarëve të lartë ushtarakë dhe diplomatikë të shumë vendeve anëtare të aleancës.  Ishte pra, Gjenerali Wesley Clark ai i cili duhej t’i bashkrendonte të gjitha këto politika, konflikte pothuaj të gjitha niveleve — kombëtare dhe ndërkombëtare — për një ndërhyrje të suksesshme dhe efektive ushtarake të Aleancës së NATO-s në Kosovë, që më në fund çoi në suksesin përfundimtar dhe në triumfin e fushatës ushtarake perëndimore kundër forcave serbe, që më në fund çoi në çlirimin dhe në pavarësinë eventuale të Republikës së Kosovës.

Ndonëse kanë kaluar aq vite kur Gjenerali Clark, si Komandanti Suprem i NATO-s drejtonte sulmet kundër Serbisë për Çlirimin e Kosovës, ai mbetet gjithnjë i interesuar për Kosovën dhe për fatin e saj, si shtet i pavarur dhe demokratik.Në një intervistë me Zërin e Amerikës, gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë, Gjenerali Clark tha se ndonëse në paqë, Kosova përballet me sfida dhe kërcënime të mbrendëshme dhe të jashtme, përfshirë ndërhyrjen dhe influencën ruse në rajon.

Në lidhje me sfidat dhe me rreziqet e mbrendshme të Kosovës, miku i saj Gjenerali Clark u shpreh kështu, duke i dërguar një mesazh kuptimplotë klasës politike aktuale mbarëshqiptare, jo vetëm në Kosovë, që të punojë për të mirën e përbashkët:

“Mendoj se njerëzit këtu duhet të luftojnë për ta vendosur demokracinë, votimi është thjeshtë pjesë e demokracisë. Pjesë më e thellë e demokracisë është etika e shërbimit publik, ideja që kur merr një vend pune është me misionin e vetëm për të rritur të mirën e përbashkët, pothuajse sikur të jesh në një rend fetar ku merr para të mjaftueshme për të jetuar por kurrë nuk do të jesh i pasur, dhe e bën këtë gjë për një kohë të caktuar e pastaj kthehesh në sektorin privat dhe pastaj mund të provosh veten në biznes dhe të bëhesh i pasur.  Është një trashëgimi e komunizmit që njerëzit në pushtet të kenë privilegje ekonomike, ky ishte sistemi i nomenklaturës së vjetër dhe ishte ironike sepse komunizmi thoshte se qeveria i takon çdokujt por nën komunizëm njerëzit në pushtet mbanin qeverinë dhe ekonominë dhe të gjitha privilegjet. Ndërsa demokracia është të kujdesesh për të gjithë. Në administratë, si shërbyes i thjeshtë në një demokraci duhet ta kesh vullnetin të jetosh në mënyrë modeste. Nëse doni një shtëpi në Monacco, një anije të shpejtë, një shtëpi të dytë në mal, pushime një mujore të skijimit, mos hyni në qeveri, por filloni një biznes, bëjini paratë tuaja, bëjeni në mënyrën e duhur. Mendoj se kjo është gjëja më e rëndësishme të arrihet sot në Kosovë, krenaria në sektorin publik, krenaria në sakrificën e të qenit në shërbimin publik”, ka thënë Gjenerala Wesley Clark për Zërin e Amerikës, pas dekorimit të tij nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Z. Hashim Thaçi.

Gjenerali amerikan Wesley Clark i bashkohet listës së gjatë të politikanëve, diplomatëve dhe ushtarakëve amerikanë të cilët gjatë disa dekadave kanë kontribuar aq shumë për drejtat e shqiptarëve dhe për mbijetesën e kombit shqiptar, në përgjithësi.  Gjithashtu, gjenerali Clark ishte dhe vazhdon të jetë mik i diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sidomos shqiptaret e Kosovës, por i gjithë kombi shqiptar ka një mik të madh në personin e Gjeneralit Clark, prandaj nuk duhet të harrojmë kurrë veprimtarinë dhe kontributin e tij ushtarak, diplomatik e politik të tij, sidomos, përpara dhe gjatë luftës në Kosovë, por edhe për angazhimin e tij edhe sot në interes të mirëqenjës së shqiptarëve.  Prandaj, të gjithë shqiptarët kudo që janë, duhet t’i jenë mirënjohës Gjeneralit Wesley Clark, për rolin e gjithanshëm që ka luajtur për paqën e sigurinë në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit.  Kontributi i tij për mbijetesën e shqiptarëve të Kosovës dhe për lirinë e tyre si edhe për një të ardhme më të mirë në një shtet të lirë e të pavarur për ta dhe për një të ardhme më të mirë për kombin shqiptar në përgjithësi, Gjenerali Clark meriton dekorimin e fundit me Medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë, nga Presidenti i Kosovës.  Për kontributet e tija në historinë moderne të Kombit Shqiptar, Gjenerali Clark do të kujtohet dhe do të nderohet brez pas brezi nga shqiptarët kudo, për triumfin dhe fitoren e tij në Kosovë, si Komandanti Suprem i NATO-s.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, GJENERALI WESLEY CLARK - SIMBOL, I TRIUMFIT USHTARAK

GAZETARIA, NJË PROFESION I RREZIKSHËM

May 30, 2018 by dgreca

Dhunohet gazetari shqiptar/

Nga Frank Shkreli/

Gazetarët nuk janë ushtarë as policë.  Ushtrimi i gazetarisë mbetet një profesion i rrezikshëm në shumë vende të botës.  Por, mbrojtja e fjalës së lirë dhe e gazetarëve në krye të ushtrimit të detyrës së tyre është thelbi i lirisë së shtypit dhe i lirisë së fjalës. Fatkeqsisht, vrasjet dhe sulmet kundër gazetarëve, sa vinë e shtohen kohët e fundit, anë e mbanë botës.

Sipas të dhënave nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, ç’prej vitit 1992, më shumë se 1304 gazetarë janë vrarë anë e mbanë botës. Për më tepër, një statistikë e hidhtë është se 86 për qind e këtyre vrasjeve regjistrohen si të pa ndëshkuara, dmth. askush nuk është dënuar dhe askush nuk është identifikua si përgjegjës për vrasjen e këtyre gazetarëve.  Me keqardhje duhet shënuar se vrasjet, sulmet dhe kërcënimet kundër gazetarëve s’kanë të ndalur, përkundrazi, janë në rritje e sipër, anë e mbanë botës. Vetëm deri tani këtë vit, janë vrarë gjithsejt 27 gazetarë, sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve.

Fatkeqsisht, një ndër sulmet e fundit sivjet kundër një gazetari është shënuar, javën që kaloi, edhe në Shqipëri gjatë protestës të opozitës në bulevardin kryesor të Tiranës të shtunën më 26 Maj.  Fjala është për sulmin kundër Kryeredaktorit të gazetës “Rilindja Demokratike”, Bledi Kasmin, i cili – sipas medias – mbeti i përgjakur nga dhuna e përdorur nga policia kundër tij.  Sulmi policor kundër gazetarit shqiptar tërhoqi dënimin, ndër të tjera, të organizatës për mbrojtjen e gazetarëve, “Reporterët pa kufi”, si dhe të organizatës vendase, të Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë, e cila u shpreh se dhuna ndaj një gazetari është e papranueshme dhe duhet dënuar nga të gjithë.  Ndërkaq, protesta e opozitës, gjatë të cilës u regjistrua sulmi kundër gazetarit të Rilindjes Demokratike, natyrisht tërhoqi vëmendjen e mediave ndërkombëtare, megjithse Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama, në një intervistë për televizionin francez, France 24, e ka quajtur protestën e opozitës si “një çështje e brendshme e vendit, që nuk duhet të zërë faqet e para të mediave ndërkombëtare”.

Një protestë e opozitës, në cilin do vend qoftë, mund ose nuk mund të tërheq vëmendjen e të zëjë faqet e para të gazetave ndërkombëtare, por kur një gazetar përgjaket si përfundim i një sulmi të policisë kundër tij, gjatë një proteste të tillë siç ishte ajo në Tiranë, javën e shkuar– atëherë, do e s’do Kryeministri, ngjarja bëhet lajm ndërkombëtar.  Për më tepër, në çerekun e parë të shekullit 21 — falë botës digjitale në të cilën jetojmë — asgjë nuk mund të mbrohet më nga as të fshihet nga mbulimi i medias ndërkombëtare, ose të konsiderohet vetëm si një çështje e mbrendshme e një vendi.  Këto janë sot standardet e pranuara ndërkombëtarisht. Ka kaluar koha e ankesave për “mospërzierje në punët e mbrendshme” të një vendi ose një tjetri.  Ishte kjo një frazë e preferuar që përdorej dikur nga ish-udhëheqsit komunistë dhe diktatorë të gjitha ngjyrave, për të justifikuar krimet dhe shkeljet e të drejtave të njeriut ndaj popujve të vet, e që përdoret edhe sot nga udhëheqës autoritarë të tipit Putin, Erdogan e të tjerë, kur kritikohen nga orgnaizata ndërkombëtare, ose qeveri të ndryshme, për sjelljet e tyre autoritare, sidomos në lidhje me shkeljet që i bëjnë lirisë së fjalës dhe mënyrës se si trajtojnë gazetarët në veçanti.

Ndërkaq, Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë i bashkohet   organizatës ndërkombëtare,“Reporterët pa kufij”, që mbron gazetarët kudo në botë, duke kërkuar nga Kryeministri Edi Rama, që të dënojë publikisht përdorimin e dhunës kundë gazetarit Kasmi, javën e kaluar, nga policia e shtetit, duke shtuar se, “Ne vlerësojmë se dhuna ndaj një gazetari, që kishte me vete vetëm një celular, është e papranueshme dhe duhet dënuar”, thekson deklarata e Shoqatës së Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë, ndërsa i urojnë atij shërim të shpejtë.

Ndërkaq, në raportin e fundit të organizatës Freedom House thuhet se liria e medies po përballet me kërcënime të reja në demokracitë e mëdha si dhe në shtetet tradicionalisht shtypëse ndaj lirisë së fjalës. “Udhëheqësit populistë sot paraqesin një sfidë të re dhe në rritje për lirinë e shprehjes në shoqëritë e hapura dhe ndërhyrja nga Rusia dhe Kina e ka shtuar kërcënimin”, citohet nga VOA Shqip, Michael J. Abramowitz, president i Freedom House. “Sulmi ndaj lirisë së shtypit është një sulm kundër një institucioni thelbësor të demokracisë. Udhëheqësit e zgjedhur që përpiqen të diskreditojnë raportimin faktik dhe kritik, po dëmtojnë llogaridhënien demokratike dhe debatin e arsyetuar politik”, citohet të ketë thënë Z. Abramowitz, në raportin e botuar muajin që kaloi nga organizata Freedom House.

Liria e medies po përballet me trysni anë e mbanë botës, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën, ndërkohë që gazetarët veprojnë dhe ushtrojnë detyrën e tyre në një mjedis gjithnjë e më armiqësor.  Është detyrë e të gjithë atyre që çmojnë dhe vlerësojnë liritë bazë të njeriut – përfshirë lirinë e shtypit — duke filluar nga autoritetet qeveritare e deri tek organizatat që mbrojnë gazetarët dhe të drejtat e njeriut, si dhe shoqëria civile dhe shoqëria në përgjithësi, që të mbrojnë dhe të sigurojnë lirinë e fjalës me qëllim për të bërë të mundur një debat publik të hapur, si dhe shpërndarjen e lirë të informacionit, pa kërcënime dhe pa sulme ndaj gazetarëve.  Gazetarët nuk janë ushtarë as policë.  Megjithëse është thënë se pena është më e fuqishme se shpata, celulari, kamera dhe pena e gazetarit nuk janë armë zjarri për tu sulmuar.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli, GAZETARIA, PROFESION I RREZIKSHËM

KONTRIBUTI I PRESIDENTIT HISTORIK DR. IBRAHIM RUGOVA NË SHTETFORMIMIN E KOSOVËS

May 27, 2018 by dgreca

1 ashimNga Frank Shkreli/Të ënjten, me rastin e Ditës së Presidentit të Republikës së Kosovës, në Muzeun e Republikës së Kosovës u hap ekspozita “Kontributi i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova në Shtetformimin e Kosovës”.  Ftesës, për të marrë pjesë në këtë ekspozitë të organizuar nga bashkautorët Dr. Sadik Krasniqi dhe Magjistër Besnik Rraci, i ishin përgjigjur familja e ngushtë ish-presidentit të ndjerë, Presidenti aktual i Republikës së Kosovës, Z. Hashim Thaçi, ish-bashkpuntorë të Presidentit Rugova dhe personalitete të tjera të Kosovës.

Para se të fliste në Muzeun e Kosovës për veprën historike të Presidentit Ibrahim Rugova, Presidenti Thaçi ka dekoruar Presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën me “Çmimin për Liri dhe Pavarësi” duke ia   dorëzuar dekoratën bashkshortes së të ndjerit Dr. Rugova, me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, një vendim që Z. Thaçi e kishte njoftuar disa ditë më parë.

Duke folur me rastin e ekspozitës, “Kontributi i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova në Shtetformimin e Kosovës”, në Muzeun e Kosovës në Prishtinë, Presidenti Thaçi u shpreh për para-ardhësin e tij dhe Presidentin e parë të Kosovës me fjalë mjaft fisnike, që ishte një freski në diskurisin politik shqiptar, gjë që ndodhë pak e më pak në radhët e politikanëve shqiptarë në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar. Z. Thaçi vuri në dukje – që për disa prej nesh që e kemi njohur   Dr. Ibrahim Rugovën – ato ishin disa prej cilësive më të mira njerëzore dhe politike që posedonte Presidenti Ibrahim Rugova.  Presidenti Thaçi u tha të pranishëmve se Dr. Ibrahim Rugova, “Ishte njeri i durimit dhe pajtimit, ishte njeri i vizionit”, thkesoi ai.  “Sot çdo parti dhe çdo lider politik duhet të shikojë të ardhmen stabile dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës, para interesave dhe adresave të caktuara të partive politike, ashtu siç vepronim bashkërisht në të kaluarën. Sot, çdo qytetar i Kosovës kudo që jeton në Kosovë, apo diasporë është liridashës, është çlirimtar”.   Zoti Thaçi foli me një gjuhë rugoviane për bashkim të politikës rreth interesave të Kosovës dhe të kombit, mbi interesat personale dhe partiake.  “Sot, Kosova është shtet, ka simbolet e veta, Kosova ka identitetin e vet kombëtar dhe shtetëror, Kosova ka identitet evropian. Prandaj, secili duhet të ndjehet krenar me të arriturat. Shteti i Kosovës është mbi të gjitha dhe para çdo adrese politike. Të gjithë ne duhet të jemi në shërbim të vendit tonë”, ka nënvijuar Presidenti Thaçi.

Me Presidentin Ibrahim Rugova, shtoi Z. Thaçi, e bindëm botën për të drejtën tonë për liri dhe për shtet të pavarur, duke iu referuar viteve të vështira të Kosovës në fund shekullin që kaloi, ndërsa theksoi se ekspozita për kontributin e Presidentit Rugova në shtetformimin e Kosovës e hapur në Muzeun e Kosovës, e çon vizitorin në një “Udhtim në kohë të viteve të rënda dhe tragjike të vendit, të cilat, pashmangshëm lidhen edhe me emrin e Presidenti Rugova”, ka thënë Presidenti Hashim Thaçi.

Lëvizja për pavarësinë e Kosovës, sipas presidentit Thaçi, si në dimensionin politik, ashtu dhe atë ushtarak, bëri bashkë politikanë, intelektualë, ushtarakë, gra dhe burra, pleq dhe të rinj, me një qëllim të vetëm, për pavarësinë e Kosovës.   Presidenti Thaçi ka thënë se pavarësia e Kosovës nuk erdhi si incident apo aksident politik, por u fitua me vetëmohim dhe sakrificë të pashoqe.   Ai ka thënë se “Mosbindja civile në ato vite kundër Serbisë ishte monumentale në lëvizjen politike botërore, derisa UÇK-ja ishte lëvizja çlirimtare me e suksesshme politike dhe ushtarake në historinë botërore”.

“Kombinimi e këtyre dy komponentëve të lëvizjes kombëtare, nuk kishte si të mos rezultonte në unitetin qytetar, në përkrahjen masive ndërkombëtare, për të kulmuar më në fund me lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi në fjalën e tij me rastin e hapjes së ekspozitës në Prishtinë, për kontributet e Presidentit Ibrahim Rugova në pavarësinë dhe shtetformimin e Kosovës.Fjalimi i Presidentit Thaçi në ekspozitën e Muzeut të Kosovës për kontributet e Presidentit historik të Kosovës, Dr Ibrahim Rugovës, në të vërtetë, u mbajtë jo vetëm në një atmosferë por edhe në një frymë rugoviane.  Thirrjet për bashkim, njohja e kontributeve politike dhe ushtarake, e vetmohimeve dhe e sakrificave sublime, ishin veti të asaj periudhe plot vështirsi për Kosovën dhe e sakrificave për të gjithë – të një periudhe në historinë e kombit shqiptar, ku siç theksoi edhe Presidenti Thaçi, Presidenti Ibrahim Rugova luajti rolin dhe dha kontributin e tij të pazëvendësueshëm.Për ata që e kanë njohur, një ndër parimet kryesore të Presidentit Rugova ishte bashkimi, bashkimi i të gjithëve për arritjen e qëllimeve të larta, pa dallim feje, krahine ose ideologjie, sidomos në mbështetje të interesave të përbashkëta kombëtare.  Dr. Ibrahim Rugova ishte shprehur në vitin 1989 në Lubljanë të Sllovenisë se, “Qyshë në kohën e Rilindjes Kombëtare në shekullin e 19-të, gjuha, kultura dhe tradita ishin elemente lidhëse kombëtare, kurse feja nuk ishte forca absolute e bashkimit.”  Në bazë të kësaj vlere ai jetoi dhe veproi me të gjithë dhe për të gjithë.

Ishin këto parimet dhe kultura e tij njerëzore plotë urtësi e modesti, të gërshetuara me vlerat më të mira të kombit shqiptar, ato që e ndihmuan atë që përveçse të siguronte mbështetjen e shumicës së shqiptarëve në ato kohë të vështira, ai njokhsisht me personalitetin e tij, mundi të bënte miq për kombin shqiptar dhe të sensibilizonte botën në mbështetje të të drejtave të shqiptarëve në trojet autoktone, ku kanë jetuar me shekuj.

Ndonëse nuk e kam parë ekspozitën për kontributetet e tija në shtetformimin e Kosovës, jam i bindur se aty pasqyrohet dhe kujtohet roli i Dr. Ibrahim Rugovës, në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, së bashku me kontributin e tij në fusha të tjera, për një Kosovë të lirë, demokratike dhe të pavarur, por edhe për rolin e tij në përforcimin e marrëdhënieve miqësore midis kombit amerikan dhe kombit shqiptar, i cili si askush tjetër, bëri miqë të shumtë për Kosovën dhe për Kombin Shqiptar. Ekspozita, jam i sigurt, pasqyron gjithashtu Dr. Ibrahim Rugovën edhe për shembullin dhe për rolin e tij si njeri dhe si udhëheqës – i cili besonte, mbi të gjitha, në dashurinë për kombin dhe në të drejtën e mbrojtjes së lirisë dhe të drejtave kombëtare dhe njerëzore të popullit të vet — dëshmohet në marrëdhëniet me botën, përveç tjerash, edhe duke ruajtur nderin e emrit shqiptar dhe nderin personal, si në jetën private ashtu dhe në jetën politike të vendit, si qytetar I thjesht dhe si udhëheqës. Njohja e kontributeve të Presidentit të parë të Kosovës për shtetformimin e Republikës së Kosovës në ekspozitën e Muzeut të Kosovës — siç është ka theksuar me të drejtë edhe Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi – “Shpreh vlerësimin institucional të të gjithë neve, për rolin historik të Presidentit Rugova”. Shpresojmë që ekspozita të shënojë gjithashtu një hap përpara në diskursin politik, në nivel personal dhe institucional të Republikës së Kosovës dhe të Shqipërisë mbi historinë jo të largët dhe mbi gjëndjen aktuale politike në Kosovë dhe në Shqipëri dhe njëkohësisht t’i bashkojë shqiptarët e të gjitha trojeve dhe kudo, ashtu siç ishin të bashkuar në kohën e Ibrahim Rugovës, për lirinë, çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, në miqësi të përhershme të shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, siç shprehej shpesh, Dr. Ibrahim Rugova.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

+2

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: DR. IBRAHIM RUGOVA, Frank shkreli, Kontributi historik, shtetformues

NDERI DHE NDERSHMËRIA

May 19, 2018 by dgreca

1 Frank shkreli (2)

Nga Frank Shkreli/

Këtu në Shtetet e Bashkuara është traditë që në këtë stinë të vitit, universitetet amerikane të organizojnë ceremoni për të diplomuarit, ndërkohë që zakonisht ftojnë personalitete të njohura nga jeta publike, përfshirë politikanë, biznismenë, por edhe individë të dalluar në fusha të ndryshme të veprimtarisë shoqërore, për të këshilluar studentët e sapo diplomuar nga kolegjet dhe universitetet, për jetën që i pret në botën reale.

Universiteti Rajs në qytetin Hjuston të shtetit Texas organizoi një ceremoni të tillë të shtunën që kaloi ku i ftuar si folësi kryesor ishte biznesmeni, filantropisti dhe ish-kryetari i Bashkisë së qytetit të Nju Jorkut, Michael Blumberg.  Z. Blumberg, i cili njihet, përveçse si biznismen dhe politikan edhe si njëri prej filantropistëve më të njohur të kohës tonë, jo vetëm në Amerikë por edhe në botë, u foli studentëve të universitetit Rajs në Teksas mbi nderin dhe ndershmërinë, si cilësi tepër të rëndësishme njerëzore për çdo person dhe shoqëri.  Natyrisht, se ish kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, i cili vite më parë flirtoi me idenë për të kandiduar për president si kandidat i Partisë Republikane, u foli studentëve amerikanë, por që këshillat e tija për rëndësinë e nderit dhe të ndershmërisë, për të jetuar dhe për të vepruar me nder, me drejtësi dhe me ndërgjegje, janë të rëndësishme për çdo person dhe për cilindo shoqëri kudo në botë. Po të kishte nder dhe po të veprohej ndershmërisht, shoqëria ku jetojmë dhe kjo botë në përgjithsi do të ishte një vend më i mirë për të jetuar, për të gjithë ne.

“Nuk e di se ç’do të sjellë e ardhmja e juaj”, e filloi fjalën e tij Z. Blumberg duke iu drejtuar të diplomuarve, por dua tu flas, theksoi, ai për domethënjen e fjalëve: “nderi dhe nderëshmëria”.  Ai tha se fjalët “nderi” dhe “ndershmëria” kanë pothuaj të njëjtin kuptim. “Të jesh i ndershëm duhet të kesh nder, e kjo do të thotë të thuash të vërtetën me nder dhe të veprosh nderëshmërisht – madje edhe kur të kërkohet që të pranosh gabimet dhe të pësosh edhe pasojat.”  Zoti Blumberg shtoi se angazhimi ndaj ndershmërisë është një përgjegjësi personale dhe njëherazi edhe një “përgjegjësi patriotike”, siç e quajti ai.  Nderi dhe ndershmëria, janë cilësi të cilat i kërkojmë në udhëheqsit tanë – pra duam udhëheqës të pastër, të moralshëm dhe të panjollosur, vlera këto që janë tepër të rëndësishme dhe që vlerësohen kur një udhëheqës i posedon ato, ishte mesazhi i tij.

Ai përmendi si shembuj të udhëheqsve të ndershëm ish-presidentët amerikanë, Xhorxh Uashingtonin dhe Abraham Linkolnin, të cilëve nënvijoi ai, jo vetëm që me të drejtë u thuren lavde për arritjet e tyre në përgjithësi, por që historia i njeh tanimë edhe për nderin e tyre personal dhe për qëndrimet e tyre të ndershme dhe të moralshme, në zhvillimet politike të vendit në kohën që ata kanë udhëhequr Amerikën. “Ne shikojmë integritetin dhe moralin e tyre si një pasqyrim i nderit dhe ndershmërisë tonë, si komb”, u tha Z. Blumberg të diplomuarve në unversitetin Rice të Hjustonit.  Duke iu referuar atmosferës aktuale politike në kryeqytein amerikan, Z. Blumberg u shpreh duke thënë se “Ç’ka dreqin ka ndodhur?  Ai citoi ish-senatorin amerikan të ndjerin Patrik Mojnihan, se “Njerzit kanë të drejtë të kenë opinionet e tyre, por jo faktet e veta”, faktet duhet të jenë fakte, për të gjithë.   “Për brezin tim, e vërteta rreth Amerikës – liria, mundësitë për të shkuar përpara dhe begatia që gëzonim – ishin avantazhet tona më të forta në periudhën e luftës së ftohtë. Sa më shumë që komunistët kishin lajme të vërteta, aq më shumë liri kërkonin. Ne e besonim këtë dhe për këtë kishim pasë të drejtë”, duke shtuar se sot fatkeqsisht, shumë prej udhëheqësve në nivele të larta të pushtetit e “shikojnë të vërtetën si një kërcënim” dhe refuzojnë të përballen me të.   Zoti Blumberg tha se, këta udhëheqës, “E kanë frikë të vërtetën. Ata e përgnjeshtrojnë dhe e sulmojnë atë, pikërisht, ashtu siç bënin dikur komunistët.”

“Shoqëritë e lira varen nga qytetarët të cilët janë të vetëdijshëm se gënjeshtrat në radhët e përfaqsuesve të qeverisë, nuk duhet të injorohen.  Kur zyrtarët e zgjedhur me votën e popullit flasin sikur ata janë mbi të vërtetën, ata do të veprojnë edhe sikur janë mbi ligjin. Dhe kur ne si qytetarë tolerojmë mos-ndershmërinë në radhët e pushtetarëve, atëherë pasoja është kriminalizimi i shoqërisë.  Herë të tjera paraqitet si abuzim i pushtetit, e shpeshë herë si kombinim i të dyja këtyre fenomeneve.  Nëqoftse këto dukuri nuk kontrollohen, ato abuzime mund të çojnë në përkeqësimin e institucioneve të cilat mbrojnë dhe mbështesin të drejtat dhe liritë tona dhe njëherazi mund t’u hapin derën tiranisë dhe fashizmit”, këshilloi Majkël Blumberg të diplomuarit e rinjë amerikanë në Teksas.

Por Z. Blumberg tha se “ekziston diçka shumë më e rrezikshme se politikanët e pa ndershëm të cilët nuk respektojnë ligjin – e ata janë grupe të tëra njerzish në një shoqëri, përkrahës të tyre, të cilët mbrojnë dhe justifikojnë çdo gënjeshtër të politikanëve”.

Ish-kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, biznismeni dhe filantropisti i njohur botërisht , Z. Majkël Blumberg përfundoi fjalimin e tij duke i paralajmëruar studentët  kundër shfaqjeve të besnikërisë qorre ndaj partive politike, pasi tha, “Kur njerzit e shikojnë botën si një betejë midis të majtës dhe të djathtës, ata nga natyra bëhen më besnikë ndaj fisit ose partisë se sa ndaj atdheut, ndërkohë që ruajtja e pushtetit dhe jo përparimi, bëhet objekti kryesor i luftës, ndërkohë që e vërteta dhe ndershmëria janë viktimat e para të kësaj lufte”, nenvijoi ai.  Ai u kujtoi studentëve fjalët e Presidentit të parë të Shteteve të Bashkuara, Xhorxh Uashingtonit, i cili qyshë atëherë kishte paralajmëruar mbi rrezikun, duke e cilësuar pasionin që njerëzit kanë për partitë politike, “si armikun më të rrezikshëm të demokracisë” dhe si para-ardhës të tiranisë.

Nderi dhe ndershmëria janë me rëndësi për çdo shoqëri, sidomos në radhët e politikanëve.  Majkël Blumberg i foli një brezi të ri amerikanësh dhe i porositi për rëndësinë që bartin për një shoqëri moderne si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nderi dhe nderëshmëria, sidomos në radhët e politikanëve dhe të pushtetarëve të këtij vendi.Por edhe për botën shqiptare kishte shumë rëndësi dikur cilësia e njeriut të ndershëm. Urimi, “qofsh me nder” ishte pjesë e përshëndetjes në vatrat tona, aty ku stërgjyshërit tanë na mësuan me ruajtë nderin, burrëninë, besën dhe dashurinë për atdhe, si cilësi dalluese të racës sonë. I takon kësaj breznie politikanësh që të angazhohet ndaj nderit dhe ndaj nderëshmërisë, si virtyte të vjetra të kombit, pikëspari në marrëdhëniet me njëri tjetrin, por mbi të gjitha në marrëdhëniet e tyre me popullin shqiptar. Betohuni se, nepërmjet të vërtetës — me nder dhe nderëshmëri—mbi të gjitha do ti shërbeni interesave të Kombit Shqiptar dhe jo interesave personale dhe të partive politike.  E përsa u përket votuesve shqiptarë, këtë betim dhe përgjegjësi ndaj nderit personal dhe kombëtar të pushtetarëve që keni zgjedhur për tu udhëhequr, duhet tua kërkoni çdo ditë dhe pa kompromis! Këtë e kërkon nderi i shqiptarit!

 

Filed Under: Opinion Tagged With: DHE NDERSHMËRIA, Frank shkreli, nderi

NA ISHTE DIKUR LIDHJA SHQIPTARE E PRIZRENIT

May 17, 2018 by dgreca

1 Frank shkreli (2)

Nga Frank Shkreli/

Viti 2018 është shpallur zyrtarisht, si nga Shqipëria ashtu edhe nga Kosova, si “Viti i Gjergj Kastriotit-Skendërbeu”, me rastin e 550-vjetorit të vdekjes. Por ky vit shënon gjithashtu edhe 140-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.  Po kalon pothuaj gjysma e vitit dedikuar Heroit Kombëtar dhe vihet re se shumë pak ose pothuaj aspak aktivitete të jenë shënuar deri tani për këtë përvjetor, në trojet shqiptare.  Mund të jem gabim, por më duket se për 140-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, hiç e hiç, të pakën deri tani as nuk është përmendur fare.

lidhja-e-prizrenitLidhja e Prizrenit 2Në vend të kujtimit të këtyre dy përvjetorëve, me shumë rëndësi për historinë, për identitetin, për bashkimin dhe terësinë gjeografike të Kombit Shqiptar – diskursin në politikë dhe në median shqiptare, në të dy anët e kufirit, pikërisht këtë vit – po e dominon sot debati mbi influencën ruse dhe turke dhe mbi ndarjen e influencave të tyre në trojet shqiptare kryesisht,  ashtu siç kishte ndodhur pas marrveshjes së Shen Stefanit midis Rusisë dhe Turqisë së atëhershme, për ndarjen e trojeve shqiptare midis tyre dhe fqinjëve të shqiptarëve.  Si nuk mësojmë kurrë nga historia.  Historia po përsëritet dhe autoritetet shqiptare, ndryshe nga koha e Lidhjes së Prizrenit, po rrinë indifirent, duarkryq, ose më keq, siç thonë disa, po bëhen pjesëmarrrës të kësaj loje të flliqtë të këtyre fuqive të huaja.  O tempora o mores, do të thonte Ciceroni.

Por, duan e nuk duan sllavët e turqit, na ishte dikurë (140-vjetë më parë) Lidhja historike Shqiptare e Prizrenit e cila meriton të kujtohet, sidomos në këtë kohë të turbulltë nepër të cilën po kalojnë shqiptarët.  Ngjashëm deri diku me situatën e sotëme ndërkohë që jemi dëshmitarë të lojrave të të huajve me fatin e shqiptarëve,  autoritetet shqiptare të Lidhjes së Prizrenit 140-vjet më parë, pas vendimeve të padrejta në kurriz të shqiptarëve të Kongresit të Berlinit, u mblodhën të vendosur dhe të bashkuar, për të luftuar në mbrojtje të interesave tokësore dhe të interesave të kombit në përgjithësi. Për tu përballur me sfidat e asaj periudhe, aty morën pjesë përfaqsues nga të gjitha trojet shqiptare pa dallim — për herë të parë ç’prej kohës së Gjergj Kastriotit -Skenderbe — për të biseduar mbi fatet e Kombit.  Po e kujtojmë këtë ngjarje të madhe historike për Kombin Shqiptar – me përvujtëri, modesti dhe me respektin më të madh për burrat e Kombit të Lidhjes së Prizrenit — me ndihmën e Poetit të Kombit, At Gjergj Fishtës, i cili i ka dedikuar Lidhjes së Prizrenit, “Kangën e Nandët” të veprës së tij madhështore, Lahuta e Malcisë.

Në këtë poemë, Fishta fton Zanën që së bashku me ‘të, të këndojë në “Lahutë” ngjarjen historike të shqiptarëve, që është Lidhja e Prizrenit.  Ai e fillon vjershën me thirrjen e Ali Pashë Gucisë.  Mbas vendimeve të Kongresit të Berlinit, Ali Pashë Gucia qet kushtrimin anë e mbanë  trojeve shqiptare për të mbledhur në Prizren, burrat më në shenjë, “Krenët e Shqyptarisë”, të Gegërisë dhe Toskërisë.  Duke iu përgjigjur kushtrimit të Ali Pashë Gucisë, turren kreshnikët e Kombit në qytetin zëmadh.

M’ato maje të Prizrenit

Ku kanë ndejun rend pas rendit

Me Ali Pashën në krye të vendit…

 

…Ai nuk asht, more lum vasha

Tjetërkush veç se Ali Pasha

Që për të drejta të Shqyptarisë

Vet ia jep zjarmin shtëpisë,

E s’i dhimben nanë as djal:

Për to jetën vet e falë.

Nëqoftse më lejohet të jem pak krahinor e të përmend që Fishta, ndër të tjerë pjesëmarrës në Lidhjen e Prizrenit, në poemën kushtuar Lidhjes së Prizrenit, i dedikon disa rreshta Vat Marashit, Bajraktarit të fisit të Shkrelit:

E njaj tjetri ma përtej

Me ata dy mustakë të mëdhej

Me i prekë m’shoq që ka për bri vedi,

Ai nuk ashtë jo Diomedi

Por ashtë Bajraktari i Shkrelit,

Si njaj pyrgu m’ball të kështjellit,

Që s’ tremb as topi as shpata,

E i thonë emnit Marash Vata…

Natyrisht, se në poemën e tij Fishta përmend disa ndër pjesmarrësit dhe u këndon atyre si grup i dalluar dhe i zgjedhur ndër shqiptarët e asaj kohe e hapësire:

Jo që ka aty burra të tjerë,

Bajraktarë, Krenë e Beglerë

Që për fjalë e për urti

Për trimni, për bujari

Nuk ia lëshojnë vendin kurrkuej

As në Shqipni as ndër të huej…

Në Epopenë Kombëtare të Fishtës, “Ora e bardhë e Shqipënisë”,  i shef krerët e Shqiptarisë, “Trima në za, burra me nderë”, të mbledhur aty në Prizren — nga mrizet e lartësive të malit më të lartë, Lubotenit, ku e Mira ka ndejën e vet dhe gëzohet, thërret Zanën e Sharit –“Në gjuhë të ambël të Shqyptarit, “Thirrë i paska Zanës së Sharit” — dhe e pyet nëse i njihte ata burra të rreshtuar në Kuvendin e Prizrenit.  Zana, disi e habitur para asaj pamjeje madhështore të homeridave të rinjë, kujton se Shqiptarët e mbledhur aty, mund të jenë Akejt e vjetër që dikur kishin “kallur” Trojën e vjetër, ose  ndoshta mund të ishin Dardanët.  Ban buzën në gazë Ora e maleve dhe i shpjegon Zanës motër se ata nuk ishin, “As Akejë, as s’janë dardanë, as vigaj as katallaj”,  por ishin pjesëmarrësit heronjë shqiptarë: Ali Pasha, Marash Vata, Abdyl Frashëri, Prenk Bib Doda, Toptani, Zogolli, Gjetë Gegë Shllaku, Çun Mula, Mar’ Lula, Dod Preçi, Vrioni, Deralla, Shan Deda, Abdullah Dreni…

Ndërsa Abdyl Frashërin, At Gjergj Fishta e portretizon kështu në poemën e tij kushtuar Lidhjes së Prizrenit:

A e she” ‘i herë njat burrë zeshkan,
Me kollçikë e me fistan,
Që m’ a ka sýnin si zhgjeta,
Që m’ i bâjn t’ gjith t’u ngjatjeta,
E që folka ashtû pa u zé,
Herë tue mâtë, mandej tue pré:
Që prandej njat fjalë që e flet,
Mbreti as Krajli nuk i a shklet:
Pse edhè e tij bujare
Larg permendë âsht n’ tokë Shqyptare
Për kah pupla e për kah dija,
Pá të cilat s’ rron Shqypnija?
Ai âsht trimi Frashër Begu,
Që gjithkund, ku e qiti shtegu,
I la naâm aj Toskënís,
Faqe t’ bardhë i la Shqypnís.

Fishta përcjellë në poemën e tij mbi Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit se ndërsa Ora dhe Zana bisedojnë me njëra tjetrën, Abdyl Frashëri hap Kuvendin dhe flet me një gojtari të shquar, si i përket derës së tij letrare, mbi vjetërsinë e fisit Shqiptar, kulturën e lashtë të tij, trimërinë e qëndresën gjatë shekujve, dashurinë për Atdhe dhe për luftërat e racës shqiptare për të ruajtur pavarësinë. Abdyl Frashëri vazhdon fjalën e tij duke bërë thirrje për daljen zot trojeve shqiptare të sakatuara, për shpëtimin e tokave shqiptare, Hotit, Grudës e Plavë e Gucisë nga Mali i Zi.  Ndërsa Bajraktari i Shalës Mar’ Lula i thotë Kuvendit se për ‘të dhe për Shqiptarët mbarë, si Shkjau, si Turku  janë armiqë të njëjtë.  Në fund, sipas vjershës kushtuar Lidhjes së Prizrenit në Lahutën e Malcis,  Ali Pashë Gucia propozon që nga Kuvendi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit t’i dërgohej një letër fuqive të mëdha të asaj kohe dhe mbretit – “Të shtatë krajlave dhe Mbretit të Stambollës”, duke venë qartë në dukje se trojet shqiptare nuk janë as të italianëve, as të hinglizvet, as e franzezëvet, as të gjermanëvet e as e sllavëve dhe as otomanëve, këndon Fishta.  Ai ka përfunduar vjershën e tij kushtuar Lidhjes së Prizrenit, se Mbretit të Stambollit — i cili “do t’i falë Shkodër e Malci”, Knjazit të Malit të Zi — t’i thuhet se Shqipëria nuk “ashtë një shportë me fiq”, për t’ua shpëndarë miqve peshqesh.

“Por ashtë toka e t’Parvet tonë,

Asht Atdheu, po, i Skanderbegut…

Prandej s’ka as Krajl as Mbret

Që ket tokë e falë a e shet…

A ka sot burra Shqiptaria, porsi dikur motit, që të mbrojnë interesat kombëtare dhe të mos shesin, as mos të falin tokën dhe interesat kombëtare të shqiptarëve, përfshirë edhe ato ekonomike për interesa afat shkurtëra personale e partiake.  Në këtë udhëkryq të historisë së Shqiptarëve dhe në këta dy përvjetorë të mëdhej për Kombin Shqiptar – 550-Vjetori i Gjergj Kastriotit-Skenderbe dhe 140-Vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit — kah do t’ia mbajnë udhëheqsit e sotëm shqiptarë, kah do e drejtojnë timonin?  Këndej, a po andej?  Drejtë një rruge pa krye që çon në greminë, a po drejtë horizonteve të reja, duke ndjekur, sidomos në këto dy përvjetore kombëtare, shembullin e heroizmave dhe të bashkimit kombëtar të Gjergj Kastriotit-Skenderbe dhe të burrave të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit?

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, Lidhja e Prizrenit, Na ishte nje here

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 78
  • 79
  • 80
  • 81
  • 82
  • …
  • 175
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT