• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MISIONARI TRACKI DHE SHQIPNIA

July 17, 2018 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

 Alfons_Tracki

DON ALFONS TRACKI  (1896 – 1946)/

DOSJA 1885…18 KORRIK 1946/

Njoftohët Drejtoria e Sigurimit të Shtetit në Tiranë, me shkresën  nr. 902/7: “…në bazë të vëndimit të dhënë me datën 17 korrik 1946, u ekzekutuan kriminelët : Llesh Marashi, Kol Ashiku, Nikoll Preng Dedaj dhe Don Alfons Tracki. I pari në litar. Dënimi i tyre në përgjithësi është konsideruar me vend nga i gjithë opinjoni. Vetëm për priftin Don Alfons Tracki, propaganda e klerit bëri që të kishte më tepër diskutime, kështu që u fol se si Don Alfonsi nuk e meritonte dënimin me vdekje, mbasi s’ishte kriminel, por u dënua si klerikal. Në anën katolike është ndjerë dhëmshuri për këtë.

                                                  Shef i Seksionit Shkodër(Zoji Themeli) d.v.

Në dokumentin e Sigurimit të Shkodres mungon emni i të pushkatuemit Kel Abati.

  • Don Alfonsi asht le nga prindët Jozef e Marta Tracki, në vitin 1896 në Breslau. I ati ishte oficer i gardës mbretnore. Don Alfonsi kishte edhe dy vëllazën të tjerë, Hansin dhe Gjergjin, që u vranë në Luftën e Dytë Botnore, ndërsa motra e tij Kordola mbas vitit 1944 nuk dihet ku ka përfundue. Alfonsi i ri, pa mbushë 17 vjet, vjen ushtar në Shqipni me forcat Austro-Hungareze. Mbas luftës vëndos me qëndrue këtu, pikërisht, kur Breslau i kalon Polonisë. Në natyrën e tij dallohet kjartë gërshetimi i karakterit të vendosun gjerman me besimtarin katolik polak. Lè në një anë armët e hekurta dhe rrokë armën ma të fuqishme të njerzimit, tue u ba përjetësisht ushtar i Krishtit në armatën Shqiptare. Ai e admiroi këtë armatë sëpse asht pikërisht ai kler që një vit maparë, bashkë me të gjithë atdhetarët Shqiptarë kishte ngritë nalt edhe njëherë flamurin e Gjergj Kastriotit, tue i ba të ditun botës se Shqiptarët janë këtu. Në Shqipni formon lidhje të ngushta miqësore me meshtarët Shqiptarë Don Kolec Prennushi, At Pjetër Meshkalla, vëllaznit Gazulli, që simpatizojnë Lëvizjen e malësorëve të Veriut kundër Zogut. Don Gjoni u var nga Zogu, ndërsa Don Nikolli u dënue me katër vjet burg në Gjinokastër. Për këtë lidhje edhe Tracki u nxuer jashtë nga Shqipnia nëpërmjet të Musa Jukës, i cili nuk e shihte me sy të mirë grumbullimin e rinisë shkodrane rreth Trackit. Ndërhymja e Bajraktarit të Shkrelit, Vat Marashi tek Zogu, e rikëthen Trackin në Shqipni, me kusht mos me qëndrue në Shkodër. Ai shkoi në qendrën malarike të Velipojës ku banonin malësorë të ramë nga Alpet. Në një kohë të shkurtë Ai mësoi mirë gjuhën shqipe gja e cila bani me u hy në zemër fshatarëve. Në Velipojë hapi një shkollë ku pergatiti disa Meshtarë dhe fshatarë të dijtun e studjues, nder të cilët asht kenë edhe Prof. Ndue Zef Toma.

Pasioni dhe njohja e zakonëve të Malësisë e vëndoste në krye të vendit, mbasi shumë shpesh, malësorët kishin nevojë për mendimin e priftit ndër kuvendët e tyne.

Merrej me pajtim gjaqësh dhe ishte kudo ku lypej me u shmangë vëllavrasja. Kjo arësye e shtyni shpesh me ndërhy edhe pranë organëve qeveritare për me shpëtue ndonjë që binte në duert e komandave naziste gjermane. Hausdingu e ftoi me shkue me ata…

  • Tracki ju përgjegj: “Jo, nuk vij me ju, mbasi nuk kam ardhë në Shqipni për qëllime politike, as ushtarake dhe, as si pushtues. Këtu unë kam Atdheun e dytë, Shqipninë, të cilit, i kam shërbye si Meshtar dhe këtu, due të vdes si Shqiptar!”. Ata ikën, ndërsa Tracki qëndroi këtu. Tracki nga Breslau në shpella të Maleve të Veriut…

E, pse? Për ata që njohin zonën e Shllakut asht e kjartë vuejtja dhe sakrifica që ka ba Tracki. Zoji Themeli, kryetar i Seksionit Mbrendshëm të Shkodrës më 31 dhetor 1945, njofton Drejtorinë e Mbrojtjës së Popullit në Tiranë: “Ju njoftoj se përveç Dom Alfons Trackit që gjindet në këtë qark, nuk ka elementa fetarë me kombësi gjermane.”

Në mes të natës së 12-13 shkurtit 1946, kur forcat e Ndjekjës nisën për në Dushman, mbasi ishte ba një vrasje atje gabojnë rrugë. Koha e keqe me shi kishte vështirsue kalimin. Prrojet kishin shpërthye. Brigada merr drejtimin kah shtegu i shpellës, jashtë së cilës atë natë bante roje Ndoc Jakova. Në shpellë ndigjohen disa krizma armësh që u shuen shpejt. I pari i ndigjoi Gjergj Vata, i cili i zgjoi shokët nga gjumi dhe po prisnin sinjalin prej Ndocit për me veprue. Nuk ndihej asgja. Mendojnë pse Ndoci nuk po i ban me dijtë, shka ndodhi!?.. Vrojtojnë me kujdes jashtë dhe vërejnë se aty afër ndigjohen ecje këpucësh ushtarake, që ushtojnë pak prej natës e pak prej gurve të kalldramit të rrugës. Pergatitën me ça rrethimin nga një shteg që nuk njihëj nga Ndjekja. I pari prinë Gjergj Vata, mbasi dinte shtigjet, ndersa të tjerët u nisën mbas tij.

Don Alfonsi nuk pranoi me marrë atë drejtim pa shkue deri tek vendi ku ishte Ndoci. Gjergji ka kundërshtue tue parashikue pritën. Don Alfonsi ishte i vendosun me shkue kah Ndoci, parandjente dishka të keqe dhe u nis. Kur mërrinë tek vendi gjenë Ndocin e plagosun randë… ishte i zhytun në gjak. Ndoci e njeh… Don Alfonsi i jep të zgjidhun, e kungon dhe e vojon, i çon kokën nga balta e pellgu i gjakut, e mbështetë për parzëm, i ban Kryq dhe qëndron me té derisa Ndoci jep Shpirt… Si një babë i mirë që shtërngon fort djalin  e vet në fund të jetës. Afrohën forcat e Ndjekjës. Don Alfonsi nuk lëvizë nga vendi, madje, u thotë: “Afronju, mos kini frikë se nuk kam armë, tashti ejani kur të doni se unë e kreva detyrën teme!…” E lidhën  me litar dhe e sollën rrëshanë në Seksionin e Mbrendshëm të Shkodrës. Aty ra në duert e një krimineli fanatik, i pa ngopun me gjak klerikësh, tek katili Fadil Kapisyzi që për pesë muej nuk la gja pa ba në trupin e Trackit.

At Konrrad Gjolaj, nxanës i Trackit tregon në librin e Tij “Çinarët”, Klerikët që ka pasë përgatitë mësuesi Misionar Don Alfonsi në Shqipni para vitit 1945:

  1. Don Mark Xhani, masakrohet në Sigurim të Mirditës në 1945; 36 vjeç.
  2. Don Dedë Maçaj, pushkatohet ushtar në Permet, në 1947. 27 vjeç.
  3. Don Mark Bicaj, i mbytun në Sigurim, në 1948, 37 vjeç.
  4. Don Dedë Malaj, i pushkatuem buzë liqenit Shkodres në 1959, 42 vjeç.
  5. Don Ejëll Deda, vdes i torturuem në burg në vitin 1948, 31 vjeç.
  6. Don Mark Hasi, vdes mbas 21 vjetësh burg në Ballsh, në 1981, 60 vjeç.
  7. Don Nikoll Gjini, vdes mbas 24 vjetësh burg, në 1987, 76 vjeç.
  8. Don Anton Muzaj, vdes nga torturat e Sigurimit në 1948, 29 vjeç.
  9. Don Ndue Soku, mbas 10 vjetësh burg vdes në 1976, 54 vjeç.
  10. Don Lazer Sheldija, vritet nga Sigurimi shqiptar në USA, në 1988.
  11. Don Injac Gjoka, dënohet 10 vjet burg.
  12. At Konrrad Gjolaj, dënohet 20 vjet burg.
  13. At Zef Pllumbi, dënohet 25 vjet burg.

At Konrrad Gjolaj, në librin që i kushton Mësuesit vet Don Alfons Tracki, jo vetem na jep Portretin e plotë të Tij, po edhe virtytet e një Misionari gjerman që i kushton jeten e vet Popullit Shqiptar. Në fundin e Nandorit 1944, kur gjermanët po iknin nga Shqipnia, në Velipojë vritet një ushtar gjerman. Pasojat dihen…

Rreshtohen per vrasje nga forcat gjermane 100 Burra nga Velipoja… Po, askush nuk dinte cili asht vrasësi. Shkon i thirrun prej malsorëve nga Shkodra Don Alfonsi dhe bisedon me oficerat gjerman, të cilët i bindë se vrasësi “nuk ishte Shqiptar”…

Të 100 Burrat lirohen dhe shkojnë shndosh nder shtëpijat e veta…

Per me shfarosë Burrat e Velipojës, loja e vrasjes së “ushtarit gjerman” ishte pergatitë dhe zbatue nga forcat komuniste jugosllave… Fati me e zbulue Misionari Tracki…

  • Po varrin ku e ka Ky Burrë që punoi, edukoi dhe shpetoi sa jetë Shqiptarësh edhe nder kampet naziste !? – Ate nuk e dijmë, se Ky ishte gjerman po, edhe Klerik Katolik…

Me kohen po zhduken jo vetem Veprat e mira të Këtyne Figurave të Mëdha… Po, edhe Emnat e Atyne që nuk kursyen as jeten per kenjen e Popullit Shqiptar n’ Europë!

Nga një bisedë me të Ndjerin Gjenarin Topalli në vitin 1996, më ka tregue: “Se, një ditë, kur punonte në gropat e gelqeres mbas Murit Gjakut, të Vorreve të Rrëmajit, Ai kishte mujtë me futë në një thes shumë Eshtna të pushkatuemish nën çinarët e Vorrezave. Ata Eshtna i kishte ruejtë me shpresen e një dite, që mund të vertetohen të kujt janë? Kishte besim se Ata janë pikrisht të Asaj gropë ku asht hjedhë i vramë edhe Don Alfons Tracki.

Vendi i Eshtnave të nesermen asht kthye në gropë gelqerje, po Gjenarini thesin e kishte futë në një vend të sigurt në pritje të varrosjes së Tyne…”

Po, kriminelët gjaksorë që nuk lane gja pa i ba Shqipnisë, ua lane trashigim krimin dhe vrasjen.., fëmijve të tyne bashkë me “rilindjen” e pushtetit !

  • Një etje e madhe me zhdukë Figurat e Mëdha Atdhetare me pikpamje Europjane!

***

Ah Shqipni, Shqipni…

Nuk mërrijte kurr me kuptue,

Se nga Vermoshi e deri poshtë në Greqi,

Sllavët komunistë nuk ngopen tue t’ pa t’ veshun zi…

E çka asht ma e keqja, “shqiptari” Shqiptarin.., do me zhbij…

            Melbourne, Korrik 2018.

Filed Under: Opinion Tagged With: DHE SHQIPNIA ..., Fritz radovani, MISIONARI TRACKI

GJOKOVIQ, FITUES NE WIMBLEDON 2018

July 16, 2018 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI- Melbourne-Australi/

1 Gjokovic

NOVAK GJOKOVIQ  FITOI  TITULLIN  E  69/

 15 KORRIK 2018: WIMBLEDON  LONDER…/ ORA 23.10’ Tenisti Novak GJOKOVIQ ishte perballë tenistit Kevin ANDERSON.  Shkallat e mërritjes së Tyne deri tek finalja e Wimbledonit nuk ishin pa vështirsi.  Perballja me lojtarët e njohun të Botës së tenisit ishte nder ma të fortat e këtyne viteve.  Ishin afrue Kupës Wimbledonit Federer, Nadal, Gjokoviq, Anderson dhe Isner. Novak Gjokoviq u ndesh me Nadal dhe fitoi me rezultatin: 6-4; 3-6; 7-6; 3-6; 10-8.  

Ndersa, Kevin Anderson fitoi kunder Federer me rezultatin: 3-6; 6-7; 7-5; 6-4; 13-11.

Kjo do të thotë që finalja e Wimbledonit ishte meritë e ardhjes aty e dy tenistëve të cilët e mbyllen ndeshjen Finale me rezultatin 6 – 2; 6 – 2; 7 – 6 (7 – 3), të fitueme nga Gjokoviq. Gjokoviq asht edhe fitues i maparshem, ndersa Anderson ishte hera e parë si finalist.

Ndeshja ishte me të vertetë e bukur dhe me momente që terhiqte vemendjen e shikuesit deri në brohoritje dhe duertrokitje edhe per lojtarin kundershtarë me lojen e tij. Sot nder fushat e tenisit botnor shohim gjithnjë publikun e apasionuem mbas një lojtari… Po, në raste të tilla nuk mundesh me qendrue indiferent ndaj momenteve vendimtare kur me një mjeshtri sportive dhe shumë të bukur loja ndryshon edhe ekujlibrin e saj. Forca e një lojtari ndoshta, dikur ishte sasia e asis që bante njeni apo tjetri. Ndersa sot, asht edhe mjeshtria e mbajtjes së topit në fushë derisa njeni nga lojtarët fiton piken e lojës… Nuk ishte asgja e pa parashikueme mbasi lojtari Anderson, shkelqen në teknikë kalimi topit në fushen e kundershtarit, tue shfrytzue cepet ansore të fundit fushës.

Gjokoviq në këte ndeshje ka fitue titullin e 69 të kampionit në karrieren e tij si tenist. Ardhja e Tij mbas një periudhe me probleme shndetsore dhe, fitoria e kunorzueme me Kupen e Kampionit të tenisit në Wimbledon, na ngjallë dëshiren per fitore të tjera nga Novak Gjokoviq, tue i urue edhe shndet të plotë per kampionatet e ardhshme!

Suksese per Ju i nderuem Novak Gjokoviq, per arritjen e majave të fitores, që nuk janë të panjohuna per Ju! Suksese dhe shndet z. Nole Gjokoviq!

            Melbourne, 16 Korrik 2018.

 

Filed Under: Sport Tagged With: FITOI TITULLIN E 69, Fritz radovani, NOVAK GJOKOVIQ

NJË LOJË E KURDISUN NGA JUGOSLLAVËT…

June 30, 2018 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/1 DON ALFONS TRACKI

                                                                  DON  ALFONS TRACKI (1896 – 18 KORRIK 1946)/

MISIONARI  GJERMAN NGA BRESLAU QË U PUSHKATUE SE NDERHYNI ME SHPETUE JETEN E SA SHQIPTARËVE NDER KAMPET GJERMANE NAZISTE. NË DITËT E FUNDIT TË NANDORIT 1944, TRACKI KA SHPETUE EDHE 100 BURRA SHQIPTARË NË VELIPOJË, QË DO TË VRITESHIN NGA GJERMANËT …NJË LOJË E KURDISUN NGA JUGOSLLAVËT.

 KALENDAR HISTORIK-  M U E J   KORRIK    2 0 1 8:  K u j t o j m ë …

  • 1 KORRIK 1946 Enver Hoxha dekorohet nga Marshali J.B.Tito në Beograd “Hero i Popujve të Jugosllavisë”, dekoratë që e ka edhe sot në 1 Korrik 2018.
  • 2 KORRIK 1919: Memorandumi per Konferencen e Paqës në Paris i firmuem nga  Imz. Jak Serreqi Argjipeshkëv i Shkodres,  Imz. Gjergj Koleci Ipeshkev i Pultit, Don Zef Gjinali administrator i Abacisë Mirditës, At Bernardin Shllaku, Don Nikoll Kimza  në Lezhë, nga familjarë të Veriut e bajraktari i Shkrelit Vatë Marashi me 100 kryefamiljarë.
  • 19 korrik 1900 Asht le At Çiprian NIKA O.F.M., U pushkatue me 11 Mars 1948.
  • 11 Korrik 1924 Bajram CURRI vjen në Shkoder. Populli i Shkodres i ban nderimet e rastit. Ndoshta, asht një nga pritjet ma të perzemerta nga shkodranët.

■16 Korrik 1944 Vritet pabesisht në Tropojë At Lekë LULI  (36 vjeç) Fillon me këte vrasje edhe  Gjenocidi komunist kunder Klerit Katolik Shqiptar.

  • 14 Korrik 1945 dënohet me vdekje Ndue Pali e Caf Meti, në Kinema Rozafat Shkoder. Ekzekutohen në Zallin e Kirit pranë Rrëmajit në Shkoder…

Korrik 1945 Vazhdojne ndjekjet dhe pushkatimet nga brigadat komuniste ne krahinat e Veriut. Krahas vrasjeve u digjen kullat dhe u plaçkiten bagtija…

  • 3 Korrik 1946 Ekzekutohen të dënuemit me vdekje: Xhahid Koka, Qenan Dibra, Telat Drini, Shaban Balla, Sami Qeribashi, Mahmut Meniku, Mehmet Beshiri dhe Ali Kraja. Fjala e fundit e Tyne asht: “Rroftë Shqipëria e lirë me Kosoven…”.

Korrik 1946 Ridënohet në Tiranë Frano MIRAKAJ, dhe pushkatohet atje…Urdhni i vrasjes së Tij u lëshue nga Gjeneral Kolonel Enver Hoxha.

  • 17 Korrik 1946 Dënohet grupi i Llesh MARASHIT, Kol ASHIKUT, Nikoll DEDAJ, e me këte grup ekzekutohet edhe Don Alfons TRACKI dhe Kel ABATI. Dënimi ju dha me  17 Korrik e, ekzekutimi u krye me 18 Korrik 1946 ora 5 nade, në Zallin e Kirit në Shkoder. 

Dosja e të dënuemve as sot s’ ka vendimin e Gjykatës së Naltë e as të Kuvendit Popullor.

8 Korrik 1946 dënohet në Tiranë At Pashko Bardhi S.J. 6 vjet burg  si “kriminel”,…

  • 31 korrik 1948 Dijetarët Don Aleksander SIRDANI e Don Pjeter ÇUNI mbyten në gropat e zeza të hetuesisë Koplikut, nga xhelatët e sigurimit të shtetit.

5 Korrik 1949 Arrestohet Don Loro NODAJ dhe bani 15 vjet burg nder kampe pune…

2 Korrik 1950 Vdiq Don Kolec PRENNUSHI, Famullitar në Dajç të Bregut të Bunës. Ishte i arrestuem në vitin 1948 – 49  dhe u torturue mizorisht nga sigurimi i shtetit, mbasi nuk u pajtue me aprovimin e “Statutit të Kishës” nga Kleri Katolik.

30 korrik 1951 Aprovohet “Statuti i Kishës Katolike në Shqipni”…Dekreti u aprovue nga Kuvendi Popullor i RPSh, me kryetar Dr. Omer Nishani dhe sekretar Sami Baholli.  

  • 12 Korrik 1972 Vdes Nana e Nanë Terezes, Drande Bojaxhiu. Nanë Tereza nuk lejohet me ardhë per vorrimin e Nanës së vet në Tiranë…
  • 29 korrik 1982 Vdes i helmatisun pabesisht Don Lazer Jubani (1925 – 1982).

Korrik 1983 Vdes në Shkoder At David Pici, meshtar në Vermosh në vitin 1945.

17 Korrik 1985 vdes piktori shkodran Shtjefen PALUSHI (29 Qershor 1943 – 1985).

  • 28 Korrik 1988 vdes At Pjeter Meshkalla S.J., mbas 25 vjetësh burg në Shkoder.

20 Korrik 2000 vdes në Kuvendin e Fretenve At Konrrad Gjolaj O.F.M. Asht Autor i librit “Çinarët” botue në Shkoder në vitin 1997.

***

  • Shenim nga Fritz Radovani: Ju lutem familjarëve dhe të njohunve që kanë materiale per këto Fletë Kalendari, të lanë shenime nder site e kryesisht, percaktime datash të plota.

            Melbourne, 1 Korrik 2018.

 

Filed Under: Histori Tagged With: DON ALFONS TRACKI, Fritz radovani, Kalendar

28 QERSHOR 2018… SI ME 28 NANDOR 1913…

June 28, 2018 by dgreca

Përgatiti Fritz RADOVANI/2-Fritz-radovani

RINGJALLJA E TIRANËVE….

       NGA AT GJERGJ FISHTA: 28  NANDOR 1913 /

  Pervjetori i ngritjes së Flamurit të Pamvarsisë në vend që me kenë ditë gëzimi për Poetin asht ditë vaji e ankimi. Dasitë e anmiqsitë në mes të vetë jetës politike shqiptare e të krahinave të ndryshme, të shitunit e shumë e Shqiptarve propagandës së huej e deri luftat vëllaznore janë historia e atij viti. Një notë karakteristike malinkonije prandej e rrëmben Zanen e Fishtës, e cila ankon, mjerohet, brigon, nxitë e shpreson, për me mujtë me trandë e me prekë zemrën e Shqiptarve, tue i drejtue nga atdhédashunija e vertetë.            

Oj Zanë, t’ këndojm…t’ vajtojm, deshta me thanun;

Pse sod ditë kanget s’ asht per mue e ty.

Po ç’ gzim kjo ditë né mundet me na dhanun,

Kur, qé, mbas nji motmoti q’ i u pelqye

Evropës Shqyptarin zot n’ shpi t’ vet me e lanun

E kuj, posë Hyut, m ’ketë jetë mos me i sherbye,

Shqyptari i dám prap me vetvedi gjindet

E shk’ asht ma zi, prej vedit edhe s’ bindet?….

  1. E ku kjo punë kisht’ ndodhë posë se n’ Shqypni,

Qi ‘i popull, s’ parit dalun prej robnimit,

Per nji motmot të rrijë ai n’ anarki

E t’ bahet prralla e gazi i rruzullimit,

Ké i zoti s’ asht ai sod m’ u vue m’ hulli,

Edhe me u thanë anmiqve e t’ tanë njerzimit:

“Un ktu sundoj! M ’ketë shkamb mue m’ vuni Zoti

E kndej nuk luej, pa u shuemun stina e moti”!?

  1. Ah! T’ mjerët na, t’ mjerët! E sod, me ‘i pecë të kuqe

E me ‘i orrl duem qi Shqyptarija e mjera

T’dalë vedit n’ dritë, si vedit çilë n’ bubuqe

Nji drandofille e njomë, kur kthen prendvera…

Jo, jo, Shqyptarë! Por banje flamrin duqe

E zhytnje n’ Dri t’ mos t’ a zhvillojë kurr era.

Flamri Kombtar nuk ka shka ban nder né,

Po kjé se dashtuni nuk kem’ p’ r Atdhé

 

  1. E, drue dashtni p’r Atdhé nuk ka Shqyptari;

            Me gjasë, s’ çan kryet Shqyptari per komb t’ vet,

            As per njatë gjuhë t’ ambel qi i la i Pari,

As pse Shqypnija n’ vedi u ba sot shtet;

Pse e shoh se veç atje, ku xhixhillon ari

Pa frymë e tue dihatun vrap ai nget:

Si Krishtin shiti Juda Iskarjotë,

Drue Atdheu nder né po shitet p’r zallotë…

  • A thue mos fola keq?…Po lypi t’ falun;

Perse ktu vetë me fye nuk due kurrkendin.

E pse asht mirë fjalen n’ zemer t’ fryt m’e ndalun,

Por njai, qi të liruem me e pasë s’ do vendin,

A prej se s’ mundet vetë m’ shkamb t’ naltë me dalun,

A prej se tjervet s’ don m’ u a lshuemun rendin

A thue ai s’ asht Judë? Po, kambë e krye Iskarjota!,

E pra, ksi nipash ka‘dhe shum Kastriota…

  1. E po p’r ata, qi, zyre e nderë harrue,

Qi, marre e turp kaherë flakrue mbas shpinet,

M’ visar t’ Atdheut me t’ huejë shkojn tue tregtue

(Kush ndyt mbas Frankut rrejtë, kush mbas Sterlinet

Kush pse Dinari teper i asht lakmue),

E Atdhén prej s’ huejësh me e qitun duen bashtinet,

Thue edhe per ta ndokuj do t’ i hijë çuda,

Kur thom, se nuk janë tjeter, veç se Juda?…

  1. Po, Juda janë, e gjinde janë trathtarë,

Porsi njata, qi n’ mend prej s’ huejësh mahitun,

Varzat e djelmt, – e para uzdajë shqyptare –

Me ndjesi t’ hueja n’ shkollë i çojn me i rritun,

Tue lanë mbas doret t’ amblen gjuhë amtare,

Pa t’ cillen kombi s’ mundet n’ dritë me u qitun;

E me çakrrija t’ mbetna shkret mbas tregut,

E lanë me u rrejtë nipnin e Skanderbegut.

  1. O Skanderbeg Kastrjota! O rrfé mizore!

Serbjani i mnishem, po ké votra pshtetun,

Nipavet t’ vet u flet m’ lahutë zatore,

Sa forcë e anmikut pit nen shpatë t’ ka mbetun:

            Por nipat t’u n’ Shqypni sod nder msojtore,

            (Ku gjuha shqype hin si fmij i gjetun…)

            As emni, ndoshta, nuk e dijn si t’ quhet;

                                    Pse tjerë fatosa aty me zanë u duhet.

  1. Veç po, njat’ emen t’ and t’ bekuem, t’ madhnueshem, 

                        Si t’ huejë, si nipa t’u, dijm me t’ a quejtun,

                        Kur ndonji lash dobijet fort t’ ngatrrueshem

                        Me té duem me zhgatrrue, e kur me vuejtun

                        Duem ndonji kundershtim, qi n’ vend t’ naltueshem

                        S’ na lên m’u kapë mbas dshirit t’onë të pruejtun:

                        Nen emen t’and, po, t’ gjith atëherë na strukmi,

                        Kur atdhetarë n’ sy t’ kombit duem qi t’ dukmi.

  1. Ah! Jo; kangë gzimit sod, moj Zanë, nuk due!      

            Sod un due qi kah fjalët e mija t’ dalin,

            Si rrkajë Vullkanit t’ shkojn tue gurgullue:

            T’ shkojn tue  therun, si thika qi thér djalin

            E vetem ambel m’ prehen t’ nanës pushue:

T’ bumbullojn, po, si rrféja, qi trandë malin;

Pse teper keq Shqypnija e ngratë ka ngelun,

Teper pa nderë pse nami i saj asht shkelun.

  1.  Oh vaj! Oh kob! Oh marré e turp per né!

            Sot sheklli mbarë prir synin prej Shqyptarvet,

            Me pa si perkujdesmi per Atdhé;

            E si u dishmojm’ me punë na kundershtarvet

            Se jemi t’ zott me u lidhë me bésë e fé

            Edhe vetë me sundue vendin e t’ Parvet:

            E na, harû e si polipa deti,

            Veç hapim syt me shkye ndoi ‘i send per veti!…

  1. Shqyptarë! Shqyptarë! Ndigjoni, pashë Zotin!

Pa ju kurr s’ mundet n’ dritë me dalë Shqypnija:

A thue, pra, n’ terr po e lini m’e shkue motin,

Tash qi dergoi t’ bardhë fatin Perendija

Flamur me ngrehun n’ vedi? E Gjergj Kastriotin

E t’ Parët, a thue, kshtu do t’ korisë nipnija,

Ké shoq me shoq enè s’ kem’ ra na n’ fije?

Ké vémë fitimin para çdo Shqypnije?

  1.                    Ah! Jo, Shqyptarë, jo; mos e lshoni doret

                              Shqypnin e mjerë, – ketë Atmè t’uej t’ bekueme

                                    E cilla sod, pervujtë si vashë kunoret,

                                    S’ parit po hin nder fise t’ qytetnueme.

            A thue pse teper t’ ngushta i ka terthoret

            M’e lanë me dnesë prap nen kambë t’ huej t’ poshtnueme?

            Ma e vogel se Rusija pat kenë Sparta,

            Por nami i saj asht shkrue me shkrola t’ arta.

  1. Ah! Ktu, Shqyptarë, po, ktu, e m’ vorr t’ Kastrjotit

            Per rreth Flamurit t’onë t’ gjith t’ bahmi ‘i vlla,

            Edhe t’ apim shoshojt besen e Zotit

            Se per Atdhé na kem’ m’u orvatë pa da.

            Tue shkri per té të gjitha ditt e motit:

            Se para t’ gjith në vorr na kem’ me u kja,

            Se e lamë Shqypnin’ me e shkelë prap themra e huej.

            Posë Zotit n’ qiell, s’ do t’ i sherbejm mâ kuej.

 

Shenim nga F.Radovani: Rikujtojmë nga “Konferenca Islamike” e deri tek droga…

“Pse e shoh se veç atje, ku xhixhillon ari

Pa frymë e tue dihatun vrap ai nget:

Si Krishtin shiti Juda Iskarjotë,

Drue Atdheu nder né po shitet p’r zallotë…”

■Po kurr mos harroni fatkeqsinë e madhe: Kur shtetin e drejtojnë qeveritarët e shitun!

                        Melbourne, 28 Qershor 2018.

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: 28 QERSHOR 2018... SI, Fritz radovani, ME 28 NANDOR 1913...

Kujtesë- I VETMI NË BOTË

June 14, 2018 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

 1 Muzeu ateist

9 QERSHOR 1973: INAUGUROHET MUZEU ATEIST NË SHKODER – I  VETMI  NË  BOTË  NË  SHEKULLIN  XX…/

45 VJET janë ba nga dita e inaugurimit të Muzeut Ateist “I VETMI NĔ BOTĔ’ dhe, as sot nuk kemi një studim të plotë, që perveç ideatorëve të Byrosë Politike të PPSh, Populli Shqiptar nuk di as qellimin dhe as funksionin që ka krye ai muze antinjerzor dhe antikombtar, i hapun në qendren historike të Shqipnisë së Gjergj Kastriotit-Skenderbeut.

Ai Muze Ateist u ndertue mbi gropat pa shenja dhe Emna të të vramëve dhe të mbytunve nga sigurimi i shtetit komunist, që ashtu si hapi atë “Muze I VETMI NË BOTË, ashtu edhe ka krye GJENOCIDIN KOMUNIST TË VETMIN NË BOTË!”

Ky Gjenocid antinjerzorë asht krye me mjetet ma të dhunshme dhe të mnershme kunder Klerit Katolik Shqiptar, që në këte 45 vjetor duhet të na rikujtojnë Martirët e Mëdhaj që dhane jeten e vet, per një Ideal Fetar dhe Atdhetar të pavdekshem dhe të Perjetshem:

Imzot Ernesto ÇOBA (1913 – 8 Janar 1980);  Don Zef BICI (1919 – 10 Maji 1968);

Don Mark DUSHI (1920 – 10 Maji 1968);       Don Marin SHKURTI (1933 – 1 Prill 1969);

Don Shtjefen KURTI(1898– 20 Shtator 1971); Don Anton DOÇI (1915 – 1973);

Don Mikel BELTOJA(1935 –10 Shkurt 1974);Don Prekë NIKÇI (1921 – 15 Mars 1974);

Don Mark HASI (1920 – 11 Shtator 1981);        Don Lazer JUBANI(1925 – 29 Korrik 1982);

Don Lec SAHATÇIJA (1906 – 4 Prill 1986);    Don Nikoll GJINI (1911 – 1987);

Imz. Lazer SHELDIJA(1928-10 Shtator 1988)  Don Pjeter GRUDA (1922 – 13 Janar 1989);

1944 – 1989 Gjenocidi ka vra dhe zhdukë 65 Klerikë Katolik në Shqipni.

Mbas 1967 të burgosun dhe të dënuem me shumë vite punë të randë, janë 23 Klerikë të besimit Katolik. Perjashtimi i Besimeve tjera nga ky “revolucion” barbar kishte qellim kryesor metoden e vjeter anadollake “Perçaj e sundo”! Pasojat vazhdojnë edhe sot nder të gjitha Trojet Shqiptare, tue fillue me Shtëpijat Muze të vjetra deri te ato të Atdhetarëve At Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Osman Kazazi, Kulla e të Madhit Prekë Cali.

Muzeu Ateist nuk duhet shkatrrue asnjëherë! Aty duhet punue per me u ba një nga ma të mëdhajat Biblioteka të Shqipnisë, ku duhen ruejtë me kujdesin ma të madh të gjithë botimet e librave dhe revistave të “Realizmit Socialist” nga viti 1944 e deri tek botimi i Librit të fundit të kësaj epoke shkatrrimtare të Shqipnisë Europjane!

Aty duhen protokolue diskutimet e të gjithë “revolucionarëve të 1967” të cilët, nga viti 1944, nuk kanë pushue tue akuzue dhe shpifë per qytetarët, e madje, tue kerkue edhe pushkatimin e sa e sa vetve të pafajshem, që sigurimi kerkonte me i zhdukë edhe si fise.

Askush nuk asht burgosë e interrnue pa “deklarata fallco” nga dashakqijtë e paturp.

Askush nuk asht largue ose pushue nga puna pa shpifjen e një agjenti barbar!

Askujt nuk i asht kontrollue shtëpia dhe shtetizue pa aprovimin e kryesisë së lagjeve.

Askush nuk ka shkue agjent jashta shtetit pa u garantue kthimi i tij nga një komunist.

Askush nuk e tregon një vend pushkatimi pa aprovimin e degës së mbrendshme.

Askush nuk tregon vrasësit nder piramida dhe kush urdhnoi tek vendi ekzekutimit.

Askush nuk boton listat e diskutantëve në 1967 në Institutin Pedagogjik Shkoder.

Askush nuk tregon kush ua pergatiti diskutimet kunder klerikëve nder gjyqe…

Askush nuk tregon ideatorët e burgosjeve dhe interrnimeve apo nisjes nder male…

Askush nuk tregon kush vjedhi dhe po i perdorë punimet shkencore të të vramëve…

HAPNI DOSJET, MOS KINI FRIKË NGA TË VRAMIT DHE TË ZHDUKUNIT !

“Të gjallët vazhdojnë me hanger bar, por parimet nuk i shkelin…” Kjo asht porosia!

***

Revolucioni kultural dhe ideologjik i 1967 mbasi shkatrroi Gjuhen dekompozoi Njeriun!  Mbas mbylljes perfundimtare të objekteve të Kultit, drejtuesi anadollak i “Revolucionit Kulturor të vitit 1967” skilja Ramiz Alia, krijoi në Shkoder një Komision me një nga besnikët e tij të njohun Jup Kastrati “Kryetar i komisionit perzgjedhjes leteraturës fetare kishtare”, i cili i ka sherbye deri në vdekje. Mbasi grumbulluen dhe seleksionuen të gjitha veprat letrare nga bibliotekat e institucioneve dhe ata personale, dorshkrimet dhe punimet me vlerë vazhdojnë me u botue edhe sot nga hajdutët “dr. Prof…”. Tepricat e materialeve u ekspozuen në “Muzeun Ateist”, të cilin unë nuk e kam pa asnjëherë dhe, as nuk kam punue kurrë aty, as kur pergatitej hapja e tij, ndonse agjentët e sigurimit dhe bijtë e tyne (që ua kalojnë per poshtersi e shpifje edhe baballarve e nanave të veta), deri pak vite perpara vazhdonin me më akuzue se kam punue si piktor aty. Nga piktorët e angazhuem me punue aty unë kam njoh disa, po as nuk dyshoj se shpifjet kanë dalë ose dalin prej tyne, mbasi ata më kanë shpreh keqardhje per foton e vllaut të arrestuem dhe të dënuem 10 vjet, që asht vendosë dikund me grupin e klerikëve. Vertetë që në vitin 1996 unë mora Dokumentin e Pastertisë së Figures sime, po ai Dokument duhet të fillojnë nga viti 1953, kur ishe trembdhjetë vjeç, dhe nuk kam pranue asnjëherë me i sherbye asnjë organi të sigurimit të shtetit, edhe pse kerkoi me më aktivizue sekretari i rinisë së shkollës Pedagogjike Jani Çomo me Emil Mborjen. Dy figura të njohuna terroriste.

Shteti Shqiptar asht i vetmi që vazhdon me nderue dhe dekorue shpifsa e terroristë, që nder dosjet e tyne vlon gjaku i të Pafajshemve, që me mënyra të ndryshme vazhdojnë me vuejtë, nuk i kanë kthye pronat, nuk i japin punë fëmijve, se nuk i GARANTON njeri!

Edhe kjo rrugë pa asnjë “Dritë në horizont”… Asht Ri-ngjallje ose Vazhdimsi!

Vrasësve tradhtarë të Popullit Shqiptar mos ju shlyftë kurrë Gjaku nga dyertë e tyne!  

            Melbourne, 8 Qershor 2018.

Filed Under: Analiza Tagged With: Fritz radovani, i vetmi ne Bote, Muzeu Ateist, shkoder

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • …
  • 65
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT