• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

50 VJETORI I “REVOLUCIONIT IDEOLOGJIK E KULTUROR” NGA TERRORISTI ENVER HOXHA

February 2, 2017 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/* 1 dorezonicelsatNisi me 6 SHKURT 1967/

 PAPA GJON PALI II ka thanë: “Ajo që ka ngja në Shqipni, të dashtun Vëllazën dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e njerëzimit…”

■HAPJA E DOSJEVE tregon sot të saktë Historinë e pashkrueme të Shqiptarëve!

Vetmija e Popullit Shqiptar në dallgët e ngjarjeve të mnershme të viteve 1944 – 1991 dhe, permbytjet, apo shkapetjet per shkambijtë e sllavëve e grekëve armiqë shekullor, lojnat tinzare të italianëve, francezëve apo turqëve lakmues nder ambasadat e tyne në Tiranë, perforcon mendimin e saktë të Don Ndre Zadejës në bisedë me kolonelin anglez Neell: ■DOSJA 677, SHKURT 1945: “Aty nga shtatori 1944, ka ardhë në Sheldi nji kolonel anglez i quejtun Neell me do ushtarë e Jup e Halit Kazazin, gjithashtu me té ishte nji oficer gjerman dhe nji ushtar italjan. Këta vijshin prej Cukalit, shkojshin në Shëngjin dhe së andejmi për Itali. Në qelën teme kanë qëndrue vetëm nji natë. Gjatë ndejtjes në qelen teme unë ju mbajta nji bisedë, ku i kam theksue nëvojën që ka populli shqiptar i varfën në mes të armiqve shekullorë, të cilët janë: Sllavi, Bullgari, Greku dhe Italia.

Shqipnia ka nëvojë për nji mbrojtje nga fuqitë e hueja”.

■Atëherë, duhet të studjojmë edhe arkivat historike, me nxjerrë perfundimin se cili asht kenë qellimi që Konferenca e Jaltës, “arrijti me fshij nga harta e Ballkanit ‘Shqiptarët”?!

Fakti historik i kësaj katastrofe asht shkrue nga z. H. Kissinger në librin “Diplomacia”…

1945 “Dy vitet e para pas luftës, vetëm Jugosllavia dhe Shqipëria vendosën diktatura komuniste.” (fq. 443) Shqipnia ju la sllavokomunistit Tito, që jo vetem vazhdoi shtypjen pamëshirë mbi Popullin Shqiptar me injorantin karrierist Enver Hoxha, por edhe e shkatrroi perfundimisht tue e shkëputë nga Europa, me pelqimin e diktatorit Stalin…

1961 Nikita S. Hrushov në kujtimet e veta shkruen: “Shqipnia asht vend i vogel, por populli jeton në një pozitë të tillë gjeografike ku nderthuren kundershtitë e Europës dhe armiqtë i ka të shumtë… Kufini nuk ishte ai që donin ata…

Ne donim të ngrinim një ekonomi në Shqipni në nivelet bashkëkohore, me ba një Shqipni perlë, e cila do të terhiqte drejt komunizmit vendet muslimane, sidomos ata të Lindjes së Aferme dhe të Afrikës. Këta ishin synimet tona dhe politika që ndiqnim ne atje… Ata mendonin se Kina asht qendra e Botës… Ashtu vepron edhe Mao Ce Duni!”     

■Shqiptarët e rraskapitun e të dhunuem nga sllavo shovenistët antieuropjan, “vetem per me ruejtë kolltukët e tyne një grup terroristësh”, i trokasin dyerve të Murit kinez dhe “gjeneralët” tanë vishen me uniformat ushtarake të Mao Ce Dunit, por “pa spaleta”! Merthehen deri në fyt, por harrojnë të zberthyeme pantollonat me shirita të kuq!..

■Kush ishte ky Enver Hoxha, që zgjodhën shovenistët sllavë per me sundue Shqiptarët?!

■At Konrrad Gjolaj në librin “Çinarët” shkruen: “I vetmi në botë që ka mujt me realizue dëshirën e Leninit asht kenë Enver Hoxha, që e ka qeverisë këte popull si shaka (bushtra – shen. FR), tue hangër klysht e vet e, tue shkye njerzit e pafajshëm për andjet e tija të ndyta, në të gjitha normat e moralit njerzor.

Tregonte i nderuemi Prof. Petro Fundo (që nuk e kuptoj si i ka shpëtue): “Ishim duke ngrënë në një trapez, kur ishim studentë në Francë, unë dhe Foto Bala nga Himara. Erdhi aty edhe Enver Hoxha, ky ishte i rregjistruar në universitet, por nuk di me se merrej. Provime nuk jepte. Ishte i pashëm. Pak mbasi u ul, e pyeti Foton, çfarë do të dëshroje të bëje kur të mbarosh shkollën? Foto iu përgjigj, do të doja të tregëtoja me Francën. Më pyeti edhe mua, po ti Petro? – Unë i përgjigja, Profesor.

Mbas pak u kujtova ta pyes edhe unë atë, po ti Enver, çfarë do të bëhesh? – Ai u përgjigj: “TERRORIST”! Edhe sot nuk e dij sësi më shpëtoi nga dora piruni që isha duke ngrenë … e, për çudi, vetëm atij ia plotësoi Zoti dëshirën!…” (“Çinarët”, fq 216).

■Ndersa, i Ndjeri Martir Muntaz Kokalari, nga Gjinokastra shkruen më 9 Nandor 1944: “Fatkeqësia e kombit tonë dhe e Shqipërisë së gjorë është se ka rënë në dorë të një njeriu përbindsh, tinzar, hakmarrës, inatçi, dinak, magalloman, egoist, që i do njerëzit nën vete, kumarxhi, gënjeshtar e kur qe jashtë për studime nuk dha asnjë provim, mbeti pas kabareve, kazinove, etj. Fëlliqi botën me borgje. Ne intelektualët e Gjirokastrës ia dimë të gjitha dhe sa i vlen lëkura, prandaj, kërkon të na asgjësojë. Po, kam besim se këtij batakçiu bashkë me djajtë e kuq, shpejt ka për t’i dalë boja.”

■Ky, ishte “Enveri ynë”, për të cilin ka shkrue dishepulli i tij Ramiz Alia, ky ishte ai që shokët e tij lindin njëherë në shekull, madje, zor se i gjindet monstra ndër njëzet shekuj; ky ishte “komandanti lëgjendar” i Luftës Nacional-Çlirimtare, që do të na sillte “Lirinë”!

1966 Kina komuniste filloi një “Revolucion ideologjik” po që e quejti dhe “kultural”, ndonse, drejtohej nga injorantët… Ja çka thonte vetë “krijuesi dhe zbatuesi i tij” Mao…

SHKURT 1967 Në fillim të shkurtit Mao Ce Duni bisedon haptas me Hysni Kapon: 
“– Kryetari Mao: Më kanë vënë edhe disa epitete, si p.sh, mësues i madh, udhëheqës i madh, strategu i madh dhe timonieri i madh, mua nuk më pëlqejnë. Por s´kam ç´bëj. Kudo po veprohet kështu. Ka njerëz që propozojnë që të mbetet vetëm epiteti “mësues”. Unë kam qenë mësues në shkollën fillore, sa mirë që të jem një mësues i thjeshtë.

Sa për profesor, nuk mund të bëhet fjalë. Unë nuk kam ndjekur universitetin.

   Ju keni bërë studime në universitet?

– Shoku Hysni: Asnjë.

– Kryetari Mao: Po ju (duke iu drejtuar shokut Beqir Balluku).

– Shoku Beqir: As unë.

– Kryetari Mao: As ju (duke iu drejtuar shokut Hyni Kapo).

– Shoku Hysni: Kam ndjekur vetëm shkollën e mesme.

   Kryetari Mao: Marksi ka qenë universitar, Lenini gjithashtu. Stalini ka mbaruar shkollën e mesme, edhe unë po ashtu. Unë dyshoj në një pjesë të mirë të universitarëve, sidomos ata që kanë studjuar shkencën shoqërore. Këta njerëz, po të mos edukohen, po të mos kryhet revolucioni kultural, janë shumë të rrezikshëm, këta njerëz do të bëhen revizionistë në të ardhmen…” (E. Bytyçi, “Shqipëri-Kinë dështimi i një bashkjetese”)

Mbas kongresit të pestë të PPSh në nandorin e 1966, goditja e parë e “Revolucionit Ideologjik dhe Kulturor” në Shqipni, u dha në Janarin e 1967 nga rinia e shkollës së mesme “Naim Frashëri”, në Durrës, ku u shpall publikisht nisma revolucionare “të luftojmë deri në fund ideologjinë fetare, bestytnitë dhe zakonet prapanike”.

6 SHKURT 1967, Tirani Enver Hoxha mbajti fjalimin famkeq “Revolucionarizimi i mëtejshëm i partisë dhe pushtetit”. Gazeta “ZP” mbas dy ditësh i bante jehonë nismës së nxanësve dhe mësuesve të shkollës nëpërmjet kryeartikullit “Me shpatën e mprehtë të ideologjisë së partisë kundër ideologjisë fetare, paragjykimeve, bestytnive dhe zakoneve prapanike”. Nga Durrësi nisën debatet dhe fletë-rrufetë: “Të djegim me zjarr zakonet e njohura prapanike duke filluar nga Kanuni i Lekë Dukagjinit..!”, shoqnue me veprime të tjera kundër Fesë. Nisma gjoja ishte e Rinisë dhe e Organizatave të Frontit në vend…

Më 26 mars organizohet kuvendi i tre brezave në Lezhë, si simbol i karakterit masiv të asaj lëvizje. Enver Hoxha, ato ditë, insistonte për punë bindëse me Rininë. Ai thonte: “Populli duhet të bindet për kotësinë dhe rrezikshmërinë e Fesë, e kishës, të xhamisë, të çdo institucioni e zakoni fetar dhe vetë të marrë vendim të prishë ose jo, ta braktisë Fenë menjëherë ose ngadalë”. Orientimi ma i sakti i dokumentacionit të asaj kohë asht vetem Vepra XIX, botimi i parë, Tiranë 1967. Ma vonë Vepra si të gjitha tjerat u “redaktue” ose ma sakt u fallsifikue, tue u ndryshue edhe kuptimi i thanjeve të diktatorit.

■Kur në 1946 duhej me “futë armët në Kishen Françeskane të Gjuhadolit në Shkoder, pat ardhë gjeneral Hulusi Hako dhe Dilaver Sadikaj me ndihmue Zoji Themelin per me realizue vepren ma të poshter kunder Kishës së ngarkueme nga Enver Hoxha. Ky Hulusi Hako, tregon prap edhe në 1967 sekrete të poshtersive kunder Klerit katolik:“Kryesia e komunitetit mysliman dhe atij bektashian ishin të parët që lëshuan shpejt poshtë qarkoren, ku porosisnin vartësit të dorëzonin çelësat e faltoreve, kur e kërkonte një gjë të tillë populli. Në këtë moment ndërhyn Enver Hoxha, duke thenë: “Po të na kishin pyetur, nuk do t´ua sugjeronim një qarkore të tillë, por meqë e bënë vet, ashtu qoftë!”. Sigurisht, kjo qarkore thjeshtësonte dhe percaktonte qellimin e Revolucionit!Revolucionit i mbetej vetem me u zbatue! “Shumë interesant!”, a besohet se Populli ynë ishte vetë ideator i shkatrrimit dhe i perdhosjes së Fesë dhe institucioneve fetare?!  

■Me dashtë një njeri me shkrue per këte “Revolucion” të ashtuquejtun jo vetem ideologjik por, edhe “kulturor”, po, që nuk e ka jetue atë kohë të mnershme ai vetë në Shqipni, nuk besoj se mërrinë me thanë të verteten historike që ka provue mbi shpatullat e veta Populli i shumvuejtun Shqiptar, në pragun e 500 vjetorit të vdekjes së të Madhit Hero Kombtar Gjergj Kastrioti – Skenderbeu, në vitin 1967 e ma vonë…deri në 1991.

Ndersa, agjentët e sigurimit që i kanë sherbye me aq perkushtim vet Enver Hoxhës, Nexhmije Hoxhës, Ramiz Alisë dhe sherbtorëve të tjerë të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh, të mbathun me tituj “akademikë, dr. Prof.” Apo, “heronjë” edhe sot të “paprekshem”…, vazhdojnë me errsue, fallsifikue dhe deformue faktet historike, deri aty, sa me thanë se “Shqipnia mbas viteve 1946… “nuk kishte fare kundershtarë politik”!

           *Pjesa e I(Vijon)

            Melbourne, Shkurt 2017.

 

Filed Under: Histori Tagged With: 50 vjet, Enver Hoxha, Fritz radovani, shkaterrimi i fese, terroristi

ROGER FEDERER, FITUES I KUPES AUSTRALIA OPEN

January 30, 2017 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI,  Melbourne, 30 Janar 2017./

632995730-2017-australian-open-day-14-850x560

Roger Federer, ngre trofeun. MELBOURNE, 29 JANAR 2017/

 Australia asht i vetmi vend i Botës që mbyllë vitin tue festue Krishtlindjet dhe fillon vitin e ri me zhvillimin e kampionateve të Tenisit, nder qytetet e ndryshme të kontinentit. Mbyllja e finales së madhe bahet në fushen e mbushun me njerëz të të gjitha moshave në Stadiumin qendror të qytetit bukur historik Melbourne. Aty zhvillohen lojnat ma të bukra të tenisit nga mesi i Janarit e deri në fund të muejt, nga yjet e të gjithë Botës… Zhvillimi i këtij kampjonati dhe organizimi i tij ban per vete të gjithë shikuesit. Dje, me datën 29 Janar 2017, në stadiumin qendror këtu në Melbourne, u zhvillue edhe Finalja Historike në mes të dy tenistëve ma të njohun dhe nder ma të adhurueshmit e Globit, zvicerrjanit 35 vjeçar Roger Federer dhe spanjolit 30 vjeçar Rafael Nadal.

Kjo ishte finalia e Australian Open në Melbourne per vitin 2017, ose e Turneut të Hapun të Australisë, që filloi edhe rreshtimin e lojtarëve legjendarë ma të mirë të Botës nga data 16 Janar e deri me 29 Janar 2017. Loja finale dje zgjati plot 3 orë e 38 minuta dhe u mbyll me rezultatin 6-4, 3-6, 6-1, 3-6, dhe set ii pestë 6-3 per Rogjer Federer. Roger Federer u kthye triumfator edhe njëherë tek Kupa Grand Slam, mbas 5 vjetësh nga suksesi i vitit 2012 në Wimbledon të Londres. Ky sukses asht i pesti per Federer në Melbourne, ku adhuruesit e Tij bashkë me mue, e pritshin prej kohesh fitoren…Roger Federer dje fitoi Kupen e Madhe të 18-të, dhe rreshtohet i dyti në Botë mbas një tjeter ylli të quejtun Ken Rosewall. Nuk duhet harrue se ramja e Federer në vendin 17 ishte nga një shkëputje e një goditjes së gjunit gjashtë muej perpara.

Po ashtu, edhe Serena Williams, amerikane dhe fituese e 21 titujve Grand Slam, rreshtue mbas gjermanes Steffi Graff, fitoi Kupen e Madhe të Australisë. Fitoria e Meteorit Zvicerrjan Rogjer Federer të Grand Slam (pra, të Titullit të Madh nder 1000 lojtarët e mirë të Botës), mbas viteve 2004, 2006, 2007, 2010, sivjet në 2017, asht një Fitore jo vetem legjendare, po edhe e meritueme nga një Tenist i Madh që me sjelljen e Tij dhe qendrimin model asht vlersue dy herë “Sportisti i dalluem i vitit”.

Nga zemra i Uroj edhe Tituj tjerë Rogjer Federer, për knaqsinë që na jep me lojen e Tij.Jetë të gjatë me shëndet dhe lumtuni familjare nga Autori.

            Melbourne, 30 Janar 2017.

Filed Under: Sport Tagged With: AUSTRALIA OPEN, FITUES I KUPES, Fritz radovani, ROGER FEDERER

PSE PO HARROHEN MARTIRËT ?!!

January 7, 2017 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/1kolec-prenushi

Don Kolec Prennushi asht le me 1 Janar 1902 dhe ka vdekë me 2 Korrik 1950. Ka vazhdue studimet në Linz të Austrisë dhe asht shugurue Meshtar me 25 Qershor 1925. Ka njoh nandë gjuhë të hueja, të cilat i perdori në perkthime dhe shkrime letrare. Në vitin 1948 asht arrestue dhe mbas 11 muejsh u lirue, tue mbyllë jeten mbas shtatë muejsh…Ata që e njohën kujtojnë qendrimin e Tij per mos me firmue “Statutin e Kishës Katolike të vitit 1950”, të paraqitun per aprovim nga qeveria komuniste e Enver Hoxhës.Ndoshta, ky qendrim “nuk pajtohej” me qendrimet e sotme proqeveritare, prandej edhe “harrohet” jo vetem Don Kolec Prennushi po, shumë e shumë tjerë si Martirë të Kishës!

***

Po ju paraqes një pjesë letrare që në fund, Don Koleci parashikon t’ ardhmen…

TË VËRSHUEMIT

Buna asht breg në breg. Bora maleve asht de prej erës së jugut e ka ajë lumin. Me madhni të njij ngallnjyesi, të cilit s’ka forcë qi i ban ball ulët rryma e gjanë pa pushue.

            Gjindja janë strukë nëpër shtëpija. Ndonji bari i rrall qi nget kah shtëpija kqyrë pa da at element të mnershëm, qi vjen tue u shtri me kërcnim. Në të tanë katundin zotnon nji qeti vorresh porsi në nji qytet të mundun qi pret tue u dridhë kur të derdhet ushtrija me ba rrufi.

            Qielli asht terratisë. Ret e zeza si male vigane njiten prej gryke. Duket se të tanë kupa e qiellit asht tue u dyndë si të njitej deti mbi horizont. Së largu ndihet gjama e ndryme e bumbullimës qi dridhë shtëpijat me themel. Deti, i tollovitun si përbindsh i egërcuem buluron për mnerë.

            Mbi horizontin e ximë kah gryka shpërthejnë prej gojve të reve të zeza porsi gjarpij rrufet vetuese e futen vrap në gjinin e zymtë.

            Nji fishkullimë e thekshme shiroku kalon nëpër shelqe e plepa porsi piskamë orësh qi ikin prej katundi. Mandej nji hingllim e ulurim i tërbuem nëpër gembat e landvet qi shpërvilen e përkulen si vigaj, qi luftojnë me elementa të shpranguem e mbrapa shtërgata me trollim të frigueshëm. Shiu me shena ka veshë shtëpijat e landët. Tushti i stuhisë e ka pështjellë katundin mbarë. Rêtë janë bashkue me uj poshtë qi ka nisë me lëshue.

            “U thye penda e madhe!” ndihet nji vigëm e tretun nëpër ushtimë të motit. Uji derdhet nëpër rruga të katundit porsi pushtues krenar mbi plaçkën e vet. Rrugat nji metër e ma nën trollin e shtëpijavet e të kopshtijevet mbushen me uj qi shkon tue u rritë pa da. Ndihet kushtrimi i ndonjij bariu qi ka mbetë me gja në fushë qi e bredh ushtima e valvet me ndërlikim të zymtë. Valët e harlisuna dirgjen si aradhet e rrebta t’ushtrisë ngallnjyese. S’të dallon syni përveç shtëpija të zhytuna n’uj.

            Errej nji mbramje e ftoftë. Qelqet e dritores n’odë të zjarmit krisshin prej pikave të shiut qi shkrepshin pa pushue. Era e fortë, hove-hove kthente tymin e tymtarit teposhtë qi na pshtielltë për rreth votre. Zjarmi strukej herë në njenën në anë, herë në tjetrën. Tjegullat kërsitshin në pullaz. Shtëpija mbarë gjimonte prej duhmë s’erës qi frynte me tërbim.

            Përjashta ushtonte zhaurima e ujnavet qi bajshin rrjedhat e trumhasuna, e rridhte zymtas krah për krah me gjamën e stuhis.

            N’errsinë e heshti të natës gjithkah prej ujnash edhe mjedis shtëpijave të njij katundi e ndien njeriu vetmin e trishtueshme si të gjindej mbi nji gumë mjedis detit e pa fuqin e vet para këtij elementi të tmershëm.

            Të nesërmen në mëngjes mendimi i parë qi m’erdh qe nji.

            Dola në dritore. Kishte dalë nji ditë prandvere. Natën kishte çue murrla e ra borë bjeshkvet. Malet e kaltërta kah veriu ngrehshin në horizont majat e mbulueme në borë, qi vetojshin në rreze të diellit. Përmbi majën e Rumis endej hija e rêve të bardha qi velizojshin në kupen e qiellit.

            Poshtë ujnat e ndyta të Drinit qi kalojshin me shurimën e trishtueshme e shkulmet qi rrihshin me sulmet e veta muret e shtëpijavet hidhshin në kreni porsi trofe plaçkën e bame: cokla, cunga, trupa e bagti të mbytuna. Nëpër dritore burrat i bajshin za shoqishojt tue pyetë si kishin gdhi. Nëpër katund shkojshin e vijshin lundrat tue u bajtë tagji bagtive. Vetë sulja e vogël me nji njeri dy gisht mbi ujë, dukej porsi shigjetë rrymës teposhtë me u dridhë tue e pa.

        Dam të pamatun ban të vërshuemit në katund.

                                         MUIS POLEMI

Shënim nga FR: Muis Polemi asht pseudonimi i Don Kolec Prennushit.

Kjo pjesë letrare asht marrë nga: Antologjia “Rreze Drite” fq. 221-223, botim i vitit 1941. ■Kam frikë se, sot asht harrue “të vërshuemit” e të gjithë Shqipnisë bashkë me Martirët!

            Melbourne, 6 Janar 2017.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Don Kolec Prenushi, Fritz radovani, martiret, Pse harrohen

1946… Në SHKODER 26 HETUESI E BURGJE…

December 18, 2016 by dgreca

NË SHQIPNI VAZHDOJNË VRASJET KULTURORE/deraNga Fritz RADOVANI/

* 70 VJET GROPOSJE E KULTURËS EUROPJANE NË BALTEN SLLAVE…/

■1946 Po mbyllej me vendosjen e diktaturës barbare komuniste nga tirani E. Hoxha./

Shqipnia perditë e ma keq po groposej në balten sllavokomuniste nga drejtuesit PKSh, një “parti vrastare e terrorizuese antikombtare” me të gjitha tiparet sllavo – anadollake.

■Vetem me rastin e hymjes në Tiranë, me 12 nandor 1944, terroristi Enver Hoxha ka vra nga Familja atdhetare Kokalari e Gjinokastres të nderuemit Muntaz, Vesim dhe Syrja, intelektual të shquem dhe Atdhetarë të perkushtuem. Musine dhe Hamid Kokalari kanë vue gurë të pakrahasueshëm në thëmelet e kulturës sonë me prioritet Europjan. 

Nuk do të persëris vrasjet e bame në Shkoder nga 29 nandori 1944, po do të tregoj disa nga krimet e kryeme ndaj disa Klerikëve Katolik në gjithë Shqipninë, muejt e fundit të vitit 1946, kur qeveria komuniste zbatonte shkatrrimin Atdhetar e kulturor të vendit.

■Mbas deshtimit të organizuem me “plasjen e parakohëshme” të Lëvizjes së Postribës, nga sigurimi i shtetit dhe drejtuesit e Ndjekjes së “popullit”, rifillojnë arrestimet me At Karlo Serreqin në Dukagjin me 11 Tetor 1946. Mbas sa vuejtjesh në hetuesi nder duertë të Xhemal Selimit me shokun e tij Nevzat Haznedari, i falet jeta dhe vdes në burg në 1954.

■Me 26 Tetor 1946 arrestohet Don Jakë Zekaj, nga Zadrima. Një perkthyes i pashoq. Nga veprat e perkthyeme prej Tij, nuk dihet sa janë botue në “gjuhën e ndysuar”…

■Fillon në Tiranë porosia e “vllezërve titistë”… Me 27 Tetor 1946 arrestohen Don Shtjefen Kurti e At Pjeter Mëshkalla, Klerikë që kanë lanë histori të shkrueme me gjak!

■Të nesermen, me 28 Tetor po në Tiranë arrestohet At Pashko Gjadri, edhe ky jezuit. Ka studjue në Kroaci dhe Itali. Në Shqipni ka punue per një kohë të gjatë në Elbasan, ku ka dhanë një ndihmesë të madhe per afrimin me Kishen Ortodokse Shqiptare. Asht dënue 6 vjetë e mbasi doli nga burgu vdiq shpejtë në 1953. Dijmë shumë pak per Te…

■Po me 28 Tetor 1946 arrestohet poligloti At Mëhill Troshani, i cili fliste e shkruente: Latinisht, greqisht, italisht, gjermanisht, sllavisht, rumanisht dhe bullgarisht… Edhe At Mëhilli arrestohet se ka Pagëzue një fëmijë, dënohet 8 vjetë kur po bante 80 vjetët. Kur u lirue vdiq mbas pak muejsh në vitin 1983. Zhduken edhe perkthimet njëherit me Te…

■Në Korçë me 31 Tetor 1946 arrestohet Papa Josif Mihajli. Dënohet 5 vjet burg dhe e nisin në kampin e Maliqit, ku me 26 Tetor 1948 e mbysin të gjallë në balten e kënetës…

■Në Mirditë me 6 Nandor 1946 arrestohet Don Preng Qafalia. Dënohet një vit burg, po nga torturat në hetuesi keqsohet me shndet dhe vdes pak muej mbasi u lirue…

■Me 10 Nandor 1946 vritet pabesisht në Reç Don Luigj Pici. Nuk ishte dakord me vendimin e gjykatës së Shkodres, per pushkatimin e Klerikëve të akuzuem me grupin e Organizatës antikomuniste “Bashkimi Shqiptar”. Këte Ai e deklaroi haptas…

■Me 12 Nandor 1946 në Elbasan arrestohet At Petraq Isaku. I njohun per shpetim të shumë ushtarëve italian e shqiptar nga burgjet e kampet gjermane.  

■Në Shkoder me 12 Nandor arrestohen At Donat Kurti, Don Mark Hasi dhe Don Anton Muzaj. Arrestimi i Tyne asht fillimi i ngjarjeve të mnershme të “futjes armëve në Kishë”.

■Me 14 Nandor 1946 pushkatohet në Tuz të Malit të Zi Imzot Nikoll Tusha, atdhetar që kishte ngritë Flamurin e Shqipnisë me Caf Beg Ulqinin, në 1940 në Kishen e Ulqinit.

■Me 15 Nandor arrestohet në Shkoder Zv. Delegati Apostolik i Vatikanit në Shqipni, dhe Abat i Mirditës, Imzot Frano Gjini. U pushkatue me 11 Mars 1948 në Zallin e Kirit.

■Me 15 Nandor 1946 u arrestue edhe Provinçiali i Françeskanve At Mati Prennushi.

■16 Nandor 1946 pushkatohet Don Zef Marksen, gjerman që ishte dënue dy vjet burg.

■16 Nandor arrestohet Fra Ndue Vila, se nuk ua dha çelsin per “futje armësh në Kishë.”

■Me 17 Nandor 1946 Kuvendi Fretenve kthehet në burg, dhe hapet në mengjes heret nga sigurimi i shtetit Kisha dhe Kuvendi, ku “ekspozohen arkat me municion e armatime”.

■Me këte rasë arrestohen: Imzot Nikoll Deda, Don Tom Laca, Don Ndoc Sahatçia, Don Nikoll Shelqeti, At Frano Kiri, Fra Zef Pllumbi, At Gjon Karma, At Konrrad Gjolaj etj.

■Me 25 Nandor pushkatohet në Prizren grupi i Shqiptarëve “Katoliçeskaja Banda”.

■Me 2 Dhjetor 1946 vdes në korrent elektrik At Bernardin Palaj, një dijetar i vertetë.

■Me 4 Dhjetor arrestohet At Leon Kabashi, i lauruem në Akademi të Firencës si piktor.

■Me 4 Dhjetor në Dukagjin arrestohet At Alfons Çuni, i akuzuem per “mbajtje arme”…

■Me 6 Dhjetor arrestohet Imzot Jul Bonati, i kthyem pak ditë perpara nga Italia…

Mbas largimit nga Shqipnia me 25 Maji 1945 nga qeveria komuniste e Tiranës, të Imz. Leone G.B. Nigris, Delegat Apostolik i Vatikanit në Shqipni, emnohet Imz. Frano Gjini.

Vdekja e Imz. Luigj Bumçit në 1945, dhe Imz. Gasper Thaçit në 1946, arrestimet e Imz. Bernardin Shllakut, Imz. Vinçenc Prennushit, pushkatimi i Imz. Nikoll Tushës në Tuz, arrestimi i Provinçialit të Françeskanve At Mati Prennushi, dhe i Imz. Bonatit, mund të themi se Kleri Katolik Shqiptar mbeti pa asnjë drejtues në asnjë Argjipeshkvi.

Kuvendet e Motrave Stigmatine dhe Servite u mbyllen dhe u kthyen në hetuesi e burgje.

■10 Dhjetor 1946, arrestohet At Sebastjan Deda, nga Shkreli. Dënohet 5 vjet burg…

■11 Dhjetor 1946 arrestohet At Aleks Baqli, i cili kalon jeten nder burgje e kampe pune.

***

■Gjithë ky terror kunder Klerit Katolik asht ba në tre muej, tetor, nandor dhjetor 1946!

Në fundin e vitit 1946 në Shkoder nuk ka ma as shkolla të ulta dhe as, të mesme, si dhe  as Seminare per pergatitje Klerikësh tek Françeskanët dhe as tek Jezuitët. U shtetizuen muzeumet dhe bibliotekat e tyne, tue u ndalue me ligj edhe botimet e revistave si dhe të librave shkollore e personale të dijetarëve e profesorëve të lauruem në 24 universitete të Europës Perëndimore. Në vitin 1993 kemi përgatitë me Prof. Simon Pepen një tregues të Klerit Katolik me shifrat e universiteteve, të hetuesive, burgjeve, dënimeve dhe kemi percaktue saktësisht edhe vitet e burgjeve të Klerikëve Katolik nder burgjet komuniste, po mjerisht, si gjithshka tjeter, jo vetem, cungohen shifrat po edhe pervetsohet autorsia.

■Me “perjashtimin nga shkollat” Shqiptare të letrarëve dhe gjuhtarëve të mëdhej tue fillue nga At Gjergj Fishta, Zadeja, Shantoja, Sirdani, Harapi, Prennushi etj… Apo, historianët Etnit Sirdani, Harapi, Rrota, Palaj etj… Dhe, tue varrosë edhe Gjuhen Letrare Shqipe nder zallishta apo këneta të “kongreseve të ndysueme” siç, i ka quejtë Prof. Arshi Pipa, ne nuk kemi ba asgja ma pak, po ma shumë se dishronin sllavokomunistët e Stalinit dhe Titos në 1946, per të cilët diplomati z. H. Kissinger në librin “Diplomacia”, fq. 443, thotë: “Stalini mundi të impononte kufijtë e Europës Lindore pa ndermarrë një risk të tepruar, sepse ushtritë sovjetike i kishin pushtuar këto zona… Dy vitet e para pas luftës, vetëm Jugosllavia dhe Shqipëria vendosën diktatura komuniste.”…

70 VJET QË QEVERITARËT E SHQIPNISË ZBATOJNË POROSITË E …

■1946 “… Kallxon nji zojë e cila, aso kohe bante punën si përkthyese në shërbim përsonal të sekretarit të Partisë Enver Hoxhës, në marrëdhanje diplomatike me ambasadën e Jugosllavisë në Tiranë, si nji ditë me nji bashkëfjalim ndërmjet ambasadorit titist e Enverit, ky i fundit shend e verë i paska pasë kumtue përfaqësuesit të Beogradit gati-gati si tue u krenue: “E mbytëm Patër Anton Harapin e, me té kemi plagosë për vdekje Klerin Katolik!..” Simbas rrëfimit të grues, ambasatori diplomat i vjetër pan-serbian i paska pasë përgjegjë: “Po, po! Po keni endè gjallë Patër Gjon Shllakun, i cili peshon shumë, duhet” – vazhdoi ai “si mbas porosisë që kam prej qeverisë sime, të zhdukni Shllakun dhe të shkatrroni kulm e temel çerdhen e Klerit Katolik në Shkodër, me në krye Françeskanët!” Shkruen At Daniel Gjeçaj O.F.M. tek libri “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare 1944 – 1990” fq. 36, 1993.

■1950 Pa kalue as kater vjet, Kleri Katolik ndodhet para një dhune tjeter të udhzueme nga qendra botnore e terrorit komunist, nga Moska stalinjane: Me “nenshkrue Statutin e Kishës”… Dhe, ja si e shpjegon At Konrrad Gjolaj, në librin “Çinarët” faqe 125 qendrimin burrnor të pathyeshem të Don Kolec Prennushit, në mbledhjen e Klerit në fillim të vitit 1950: “Këta do të na kërcnojnë se do të mbyllin Kishat tona, në kjoftë se na nuk e miratojmë këte Projekt – Statut kështu si asht këtu. Ky Projekt-Statut nuk duhët miratue prej nesh se, edhe mbas miratimit të tij këta kanë me i mbyllë Kishat prap se prap.

Jam i sigurt se do të na thonë se do t’ ju vrasim, por asht ma mirë me ba shka kanë ndër mend sot se ma vonë. Lè të na vrasin ma mirë sot me faqe të bardhë, sësa me firmue këte dhe, nesër prap kanë me na mbytë por, na do të vdesim me faqe të zezë. E na, nuk duhët me harrue se me këta na jemi hupë se hupë.

Komunistët kështu kanë ba ku e kanë marrë pushtetin, në Rusi, në Spajë e kudo.

Na nuk jemi të parët që nuk po i njofim se kush janë….Këta janë gjithkund njisoj…!”

■Dhe me të vertetë edhe sot vazhdon me u vertetue thanja e Don Kolec Prennushit se:
“Na nuk jemi të parët që nuk po i njofim se kush janë….Këta janë gjithkund njisoj…!”

■Atëherë, shka duhet të presim tjeter prej tyne?..

Po sa intelektual dhe profesora u zhduken nga terrori pse kishin studjue në Europë?!  

Detyra e tyne asht groposja e kulturës Europjano Perëndimore në llomin sllavokomunist!

“Akademia e Shkencave” në Shqipni, varrosi jo vetem personalitetet e shkencës dhe të kulturës sonë, po edhe Veprat ku bulonte, lulzonte dhe jehonte Gjuha e bukur Shqipe!

E kjo “Epokë groposje”… filloi me At Fishten, dhe vazhdon me Kishen e Vaut të Dejës… Apo me shtëpinë e Luigj Gurakuqit dhe germadhat e fshatit Fishtë…

            Melbourne, Dhjetor 2016.

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz radovani, NË SHQIPNI VAZHDOJNË, VRASJET KULTURORE

13 DHJETOR 1990- SHKODRA THIRRI: “POSHTË ENVER HOXHA !”

December 13, 2016 by dgreca

13 DHJETORI 1990 ASHT NDER DITËT MA TË SHENUEME TË NJË RILINDJES SË DEMOKRACISË SË RE, NË QYTETIN MARTIR TË SHKODRES…/

*Rinia Shkodrane shgulë njëherë e përgjithmonë para Prefekturës së qytetit, një nga figurat ma të urryeme të Historisë së Popullit Shqiptar, diktatorin tiran Enver Hoxha!/

*Populli i Shkodres Heroike thërret me zanin e zemres: “Poshtë Enver Hoxha!”/

Nga Fritz Radovani/

Mbas ditës së Ringjalljes së Fesë në Rrëmaji, pikrisht pranë Zallit të gjakosun të Kirit, ku Don Simon Jubani shpartalloi dyertë e ferrit komunist, në muret e Rozafës plakë rane edhe njëherë rrezet e një dielli që kishte perëndue që me 29 nandor 1944… E shtergata e asaj dite të kobëshme kishte ly me Gjakun e Popullit të Shkodres krejtë Veriun…

Male e fusha nuk dalloheshin fare se ishin të mbytuna në lumenjë të skuqun që vlonin per 47 vjet nga plumbat e tradhtarëve t’ Atdheut, vrastarë të pashpirtë e pa burrni…

Pabesia e “yllit kuq partizan” kishte rroposë perdhe edhe Kështjellat shekullore!

Drapen e çekani stalinist vazhdonte me korrë lulen e Rinisë Shqiptare… “Perandorët” e një mbretnije vrastare vazhdonin me mbulue me zallin e Adriatikut gjurmët e qytetnimit Europjan Perëndimor, të skalitun nga universitetet ma të njohuna të Demokracisë!

Ishte vrastari i pashpirtë Enver Hoxha, që per kolltukun e vet vriste me kusht: “Me dijtë vullnetin e fundit të viktimave që betonin bunkerin e robnueme nga sllavokomunistët!”

Edhe skilja Ramiz Alia ishte me pushkë e kazem krah’ e qafë, i ndjekun nga kobra e pashoqe e vendeve të helmatisuna e gjakprishuna Nexhmije Hoxha, vejusha…  

Të gjithë Shkodranët i mundonte vetem një mendim që i grryente trunin per 47 vite: “Deri kur ky surrat i këtij qen’ e bir qeni, perballë Prefektures së Shkodres ?!”…

Atë ditë Dhjetori gurt’ e Rozafës shkelqenin ma fort se kurrë!

Rinia Shkodrane po realizonte andrren e sa e sa viktimave të Gjenocidit të tiranit Enver Hoxha, e nder të fundit ishin Djelmët e Vajzat që pak ditë perpara kishin la me Gjakun e Tyne Rinor, piramidat kufitare të Shqipnisë cungueme nga “Europa plakë”.

I madh e i vogel nuk ngopej kur shihte një djalë të rij “mbi koken e Enverit…”

Askush nga “ata” poet… që e vajtuen me 11 Prill 1985, nuk u frymzue nga Rinia ynë!!…

Sesi mu kujtue Poeti Don Ndre Mjedja:

“Oh, zbrit nder ne, mbretnore

Shqipe, edhe ‘j herë, si zbrite

 Kur përmbi ball, madhnore

  Të Madhit Kastriot’ i shndrite,

  Të binden barbart e ri

  Per Djelm qi ke Shqipni.”

Melbourne 13 Dhjetor 2016.

Filed Under: Histori Tagged With: 13 Dhjetor 1990, Fritz radovani, poshte Enver Hoxha, shkodra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • …
  • 65
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Sounds of Albania…
  • Fuqia e vërtetë…
  • Qyteza dardane në Kodren e Pecës – Kukës
  • Realiteti i përballueshmërisë për amerikanët
  • IL PICCOLO DI TRIESTE (1913) / INTERVISTA EKSKLUZIVE ME PRENK BIB DODËN, PRINCIN E MIRDITËS, MBI DORËZIMIN E SHKODRËS DHE FATIN E ARDHSHËM TË SHQIPËRISË
  • NYC Flag Raising for Albania’s Independence Day – Recognition of our Community’s Contributions and History
  • Data 10 Dhjetor shënon Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut
  • ELITEN E RE DUHET TA MBËSHTESIM
  • Në Parlamentin e Rumanisë u promovua fjalori akademik rumanisht–shqip: një ngjarje historike për dy kulturat
  • LAHUTA NE UNESCO FITORJA SHQIPTARE PERBALLE PRETENDIMEVE SERBE
  • Një reflektim mbi “Strategjinë Kombëtare të Mbrojtjes” të ShBA-së, miratuar ditët e fundit
  • “Ukrainë, paqe e pamundur me pushtuesin (Putinin)”
  • INSTITUTI I KUJTESËS KOMBËTARE SHQIPTARE NË STUTTGART
  • Presidentja Osmani priti në takim Raportuesin e Parlamentit Evropian për Kosovën, z. Riho Terras
  • ROLI I SALI BUTKËS NË SHPALLJEN E REPUBLIKËS SHQIPTARE TË KORÇËS

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT