• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ATY KU NUK HAPEN DOSJET MUNGON DREJTËSIA !

May 26, 2016 by dgreca

SHTETI  PA  DREJTËSI  ASHT  SHTET  PA  MORAL !/

 Nga Fritz RADOVANI/

■Ja kush ishin terroristët që drejtonin Shtetin Shqiptar dje, dhe trashigimtarët e tyne prap sot!

“Jo, do t’ju ringjallim për t’ju torturuar prap, se nuk jemi ngopur me kaq sa kemi bërë!…”.

Këto fjalë i thonte krimineli hetues viktimës që po torturonte! Bishat e sigurimit të shtetit vetem torturonin! Ata nuk ngopeshin me krime… Numri i të vdekunve në tortura nuk ka me u dijtë kurrë. Të gjymtuemit fizikisht në hetuesi pothuej të gjithë janë vra e mbytë në labirintët e tyne.

■Në vitin 1967 i burgosuni im vëlla, në hetuesinë e Tiranës më ka tregue me gojën e tij se, për mue ishte e mnershme ardhja darkës të së dieles. Hetuesi katil Elham Xhika mbasi shetiste me gruen e tij në bulevardin e Tiranës, këthente në lulishtën tek Sahati, aty pinte dy tri gota raki, shpërlahej me birrë, ngopej me meze dhe përcillte gruen në shtëpi. Rreth orës 22.00 shkonte në hetuesi dhe merrte në dhomën e torturave tim vëlla, i tregonte shëtitjen, pijen dhe ngopjen me ushqime dhe tashti, “para se të shkoj për të fjetur, kam ardhur për të torturuar ty se, nuk më zë gjumi pa të masakruar për qejfë…” dhe, kjo torturë vazhdonte deri rreth orës 1 mbas mesnate kur ky mbetej pa ndjenja i shtrimë në çimento, i mbuluem në gjak e shpesh me dhambë të thyem…

Mbasi perfundonte torturat i sillte dhe një kopjo të proces – verbalit me nëshkrue “i pandehuri”:

■“Tue mos pasë se çka me thanë, as me shkrue ma tepër se këto sa thashë ma sipër, i vërtetoj me nënshkrimin tim pa as ma të voglin shtërngim. Firma.”

■Për ata që nuk e njohin këte sistem qeverisës shpesh krijohet idea e njëfarë stabiliteti dhe, ajo që mashtron opinjonin ndërkombëtar asht mbasmedia fallse që paraqet terrorin komunist si një “shpëtimtar” t’ njerzimit dhe, terroristët vrasës e torturues i ngritë në piedestalin e “heronjve të heshtun”, madje tue vazhdue edhe sot me i dekorue si njerëz të nderuem dhe të sakrificës në dobi të interesave t’ Atdheut, të ruejtjes së pavarsisë territoriale dhe të interesave të Popullit.

■Pak ditë perpara kam shkrue sesi e masakruen dhe e mbyten në tortura avokat Muzafer Pipën, kriminelët e pashpirtë Zoji Thëmeli e Vaskë Koleci, të cilët i futën në muskujt e krahve një hekur të skuqun, i cili i takon për shtyllën kurrizore…dhe, Muzaferi vdiq!

■Po në vitin 1946 në burgun e Kishës Françeskane, vajza XD, përdhunohet nga Ahmet Suji e lidhun për një tavolinë me sigjir anijesh, tue mos mujtë me lëvizë nga pesha e tyne…

■I burgosuni Dulo Kali, nga korrentet elektrike humbi ndigjimin. Kishin sjellë pranë qelisë së Tij disa vajza…dhe, i thonin të shkretit Dulo: “Në dhomen tjeter kemi arrestue vajzat Tua, po nuk pranove akuzat, do ti perdhunojmë vajzat këtu nder sytë Tuej…Duli nenshkroi dhe u pushkatue!

■Ndërsa vajza ZK, mbasi e kanë përdhunue e kanë hjellë të çveshun lakuriq në çimento të birucës ku ishte At Çiprian Nika, i cili ka çveshë mantelin dhe e ka mbulue në atë natë shumë të ftohët dimni, ndërsa Ai vetë ka vazhdue me qëndrue pa gjum në këmishë. (Dëshmi gojore 1993).

■Papa Josif Papamihajlin e zhysin për së gjalli në baltat e kënetës së Maliqit…

■Në vitin 1946, Simon Darragjati, Kolec Deda, Prof. Simon Deda, hidhën poshtë nga dritarët, dhe u thehën rrashtat në kalldramët e shtëpijave të këthyeme në hetuesi… Më ka tregue z. Loro Vata, të cilit i banin presion me nenshkrue procesin, ose “po deshe, hidhu dhe ti nga dritaria!”

■Në vitin 1951, Imzot Prof. Jul Bonati gjindët në manikomjo i shkymë dhe i coptuem nga të “çmendunit”…i dërguem aty për atë qellim, mbasi u dënue nga gjykata…

■Në vitin 1946 malësori NP u vesh me jelekun metalik, u lidh si dashi në hell dhe u vue mbi zjarrin e ndezun, për me pranue me krye vrasjën e Don Nikoll Gazullit…Nëse nuk pranon ne do të vazhdojmë me të lanë mbi zjarr, derisa të dalin Shpirti…(Dëshmi nga At K. Gjolaj, 1996).

■At Frano Kiri, lidhët fëtyrë për fëtyrë tri ditë me një të vdekun, tue i kullue langjet nga sipër At Franos. Më ka tregue me gojën e Tij në vitin 1962, sësi ka pi urinën e mbetun në rrasat e një banjos, mbas tri ditësh i etun sëpse, nuk i kishin dhanë me pi ujë…

■At Konrrad Gjolaj mbasi zhytej në ujë të ftohtë dhe të pistë, lehej i çveshun pa asnjë batani në birucë. Asht lanë ashtu për 7 javë në pikën e dimnit. (Dëshmi gojore në vitin 1996).

■Imzot Errnesto Çoba, asht arrestue me datën 29.IV.1976 e deri ditën që ka vdekë me 8.I.1980 në Sigurimin e Shkodres, asht lanë i veshun me rrobat që ka pasë veshë ditën që asht arrestue, shtrihej në çimento dhe flente pa shtroje as mbuloje gjithë ata vite. Nuk i kanë lejue asnjë batani! Kur e çonin nga një vend në tjetrin e futshin në një thes dhe i lidhnin gryken…

■Vajzës 20 vjeçare Maria Tuci i fusin gjysmën e trupit në thes ku ishin edhe dy mace mbrendë që i egërsonin tue i rrah…E shkreta vajzë gjakosej nga shkymja e thonjëve të tyne.

■Don Mark Hasit, hetuesi Nesti Kopali i ka mbërthye gjuhën për tavolinë me thikë. Hemoragjia i vazhdonte derisa ka mbetë pa ndjenja… Kerkesa e hetuesit ishte “me u shpifë per Don Tomë Lacen… (Shenjën horizontale rreth 3 cm. në gjuhë, e kam pa me sytë e mij në vitin 1956).

■Më tregonte z. Ragip Meta, sesi njëditë Shyqyri Qoku dhe Alush Bakalli, zagar të rinjë aso kohe, kishin hypë mbi dy klerikë në oborrin e burgut tek Kisha. Besoj, i kujtohet Shyqyriut kjo skenë! Në dorë kishin nga një kamxhik dhe i binin dy priftënve, tue vrritë: “Kush mërrinë i pari tek muri sot nuk rrahët, hajt, ecë, kush po del i pari?” Asnjeni nga priftnit nuk ecte, asnjeni nuk donte me lanë mbrapa shokun me u rrah. Asnjeni pothuej nuk njihej në fëtyrë. Priftënt ishin ba me mjekrra deri në bel, ndërsa hoxhallarëve ua kishin pre mjekrrat. Asnjena palë nuk dëshmonte për palën tjetër, një mirëkuptim i veçantë…Nuk dij a e ka këte pershtypje sot krimineli Qoku?!

■Janë shkrue qindra mijra episode torture, do të shkruhën edhe kushedi sa të tjera, por një studim i plotë i torturave të bame nga Sigurimi komunist shqiptar endè mungon. Asht një detyrë ndaj Atdheut dhe Viktimave të terrorit komunist me përjetsue jetën dhe martirizimin e Atyne qindra mija Shqiptarve, vëllazënve e motrave tona, që meritojnë me Ua mbulue sot tokën me gjeth dafine, kur sipër Tyne nuk kanë endè as një Shenjë tek koka!

■DOSJA 2291: Hapeni dhe aty do të gjeni një “autorizim” të Lefter Gogës, Aranit Çelës, Shuajp Panaritit etj., që hetuesit kriminelë mund të përdornin torturat ma shnjerëzore deri në vdekje të burgosunve, “pa asnjë përgjegjësi penale ndaj të pandehurve që mund të vdisnin në duart e tyre në hetuesi.”

■ATY KU MUNGON DREJTESIA MUNGON EDHE MORALI !

Melbourne, Maji 2016.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Fritz radovani, SHTET PA MORAL, SHTETI PA DREJTËSI ASHT

DOSJA NR. 2199… DON DEDË MALAJ E PUSHKATUAN ME 11 MAJ

May 10, 2016 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

KUSH E VRAU DON DEDË MALAJ ?!/

 NE FOTO: DON DEDË MALAJ (1917 – 1959)/

■24 PRILL 1959 Ditë hane. Rigonte pak shi… Altoparlantët ishin hapë në të gjitha rrugët e Shkodres, per me transmetue gjyqin e “armikut të Popullit” Don Dedë Malaj.Ishim tue pritë një grup i vogel tek streha e teneqexhijve, perballë Xhamisë së Parrucës, kur u ndigjue zani i prokurorit Rrapi Mina, që hapi seancen mbas hymjes në kinema “Republika” të kriminelit Hilmi Seiti, i shoqnuem nga ambasadori jugosllav…

■Prokurori pyeti të parin Don Deden: “Që kur jeni armik i komunizmit i pandehur?”

Don Deda me zanin e Tij burrnor, po edhe pa Ju tutë syni u pergjegjë: “Unë jam anmik i komunizmit që në moshen 9 vjeçare, kur kam shkue nxanës tek Don Alfons Tracki, aty mora vesh këte emen dhe nuk kam dashtë me ia ndigjue zanin kurrma, sepse, unë jam brumosë me ato ide!”… Në një heshtje të plotë që kishte ra n’ atë rrugë të Parrucës së vjeter, krejt pranë meje, u ndigjue zani i një Burri në moshë po, që pa pikë frike tha: “Hallallë ta baftë Zoti qumështin e Nanës, se Ajo, paska rritë djalë per Shqipni!..”, dhe iku në drejtim të rrugës Zdralej. Kurrma nuk e kam pa atë Burrë Trim e as, nuk e njoha.

■Don Dedë Malaj asht le në Selcë të Vermoshit, nga prindët Keq e Lula Malaj, me daten 16 Nandor 1917, prej ku mbas pak vitesh kanë zbritë në Velipojë, e nen kujdesin e Don Alfonsit, u brumos me kulturen Europjane, dhe në vitin 1941, në Gjenacanin e Fugures së Zojës së Shkodres, bash perballë Saj u betue dhe u Shugurue Meshtar në Itali.

U këthye në Shqipni dhe ka sherbye në Velipojë, Mal të Jushit dhe së fundi, në Dajç të Bregut të Bunës, ku edhe u arrestue në vitin 1958, ato ditë kur u pushkatue Miku i Tij Don Ejëll Kovaçi, edhe Ai pse nuk pranoi me firmue “Statutin e Kishës së vitit 1951”.

■Don Dedë Malaj ishte kundershtar i vendosun i firmosjes së “Statutit të Kishës”, aqsa në letren që i pat shkrue Vatikanit, ishte vetem një pyetje: “Ipeshkvijtë e shuguruem mbas vitit 1951, a janë të aprovuem nga Vatikani?”… Tjerat “shtesa” janë jo të verteta! Letra ka shkue deri tek Don Ivo Bozhiq, po jo ma larg… Këte e ka vertetue At Konrrad Gjolaj, kur  ishte në Vatikan mbas vitit 1992, dhe asht interesue per letren e Don Dedës.

■Interesimi i Sigurimit të shtetit komunist per zhdukjen e Don Dedë Malaj, ishte shumë i madh aqsa edhe perkushtimi i një grupi aq të madh, që interesohej per vrasjen e Tij.

I pari mërrijti në Dajç, oficeri i njohun Çesk Shoshi, i cili bashkpunoi me kriminelët ma të poshter të Degës së Mbrendshme të Shkodres, drejtue nga terroristi Hilmi Seiti.

E po ti rreshtojmë agjentët e sigurimit tue fillue nga Xheudet Miloti, Mustafa Qilimi, Ali Xhunga, Hamdi Ulqinaku, Dul Rrjolli e sa vrasës të tjerë, do të fillohej me u dyshue edhe Figura e Paster dhe Burrnore e Don Dedë Malaj, që asht pushkatue i Pafajshem!

■Don Deda njihej si mik dhe “bashkpuntor” i Don Kolec Prennushit, At Konrrad Gjolaj, Don Ejëll Kovaçit, të gjithë kundershtarë të firmosjes së “Statutit të Kishës Katolike të 1951”, pra meqë asnjeni nuk pranonte këputjen e lidhjeve me Vatikanin dhe Papen:

■Me daten 29 Prill 1959, Kryetari i gjyqit Mustafa Qilimi, dha vendimin per të gjithë të akuzuemit, dhe perfundimisht Don Dedë Malaj, u dënue me vdekje, me pushkatim.

***

■Don Dedë Malaj ishte fëmijë kur mbeti jetim pa Babë. Në ditët e para të Dhjetorit të 1944, brigadat partizane i patne pushkatue vllaun Nikollin, ndersa Frani, kur ishte i arrestuem Don Deda në vitin 1948, vdiq papritmas, dhe la një vajzë të vogel Dranden, që e mori nën kujdes Gjyshja e vet, pra Nana e Don Dedës, Lula. Kur Drandja ishte 7 vjeç,

Nana Lulë vdiq dhe Dranden e mori në qelë Don Deda, që në moshen 13 vjeç Drandja mbeti pa asnjë njeri të aferm… Edhe Don Deda, pritej me u pushkatue…

■Drandja e vogel 13 vjeçare do të interesohej me i “shpetue” jeten axhës së vet.

Në këte fatkeqësi kaq të madhe Drandes Ju gjetën dy Klerikë të njohun të Don Dedës, Don Marin Shkurti, ish nxanës i Don Dedës, që u pushkatue në vitin 1969, dhjetë vjet mbas Mësuesit të vet, dhe Don Pjeter Gruda, mik i Don Dedës, që edhe Ky vdiq në kampin e shfarosjes së Sarandës, i paralizuem në vitin 1989… Tre muej para lirimit.

Me ndihmen e këtyne dy Priftenëve, Drandja u nis në Tiranë me daten 1 Maji 1959, me mujtë me takue Enver Hoxhën. Kje e pamujtun, madje, as Haxhi Lleshin, kryetar’ i Kuvendit Popullor. Mujti me takue sekretaren e tij Nexhmije Hoxhën, që i takonte me kenë dora vetë. Drandja e vogel tue e kujtue veten para një “gjyshes”, ra në kurthen e asaj që populli e ka quejtë “pantera e zezë”, dhe vajza jetime me lot përfaqe i kerkoi faljen e jetës së axhës së vet, tue i shpjegue se ‘nuk kam asnjë njeri në këte Botë’. ■Nexhmia iu pergjegj: “Pse t’ ia falesh jetën atij, ai është armik i popullit. Ti nuk ke mundësi t’ interesohesh për té, mese do e mbash até?” Drandja iu pergjegj: “Até e mban burgu, s’ ka gja, veç të jenë i gjallë, aman të lutem ma ban këte nderë, se nuk kam as nanë as babë, veç këte axhë!”

■Me daten 9 Maji Drandes, i erdhi pergjegja e kobres: “Lutja yte refuzohet.”

Besoj e kujton mirë vrasësja e fëmijëve Nexhmije Hoxha, kur ka nenshkrue Vendimin: “Të pushkatohet Don Dedë Malaj…vjeç 42…Klerik Katolik Shqiptar”!

■11 MAJI 1959 Don Dedë MALAJ u pushkatue brinjë Liqenit të Shkodres, ku gropa e Varrimit u ruejt nga një Vlla Musliman, që e kishte në kopshtin e vet…

■Don Dedë MALAJ mbeti i perjetshëm me perkufizimin filozofik të komunizmit:
“E Premtja e Zezë në Shqipni ka fillue me 29 nandor 1944, dhe ka me vazhdue derisa të mbarojë komunizmi!” (Në gjyqin e Tij, në kinema “Republika” Shkoder, Prill 1959).

Melbourne, Maji 2016.

 

 

 

Filed Under: Featured, Histori Tagged With: DON DEDË MALAJ, Fritz radovani, kush e vrau

DOSJA NR. 3616…- PO, IMZOT PROF. JUL BONATTIN… KUSH E KA SHKYE ?!

May 4, 2016 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

Ne Foto: IMZOT JUL BONATTI(4 Maji 1874 – 5 Maji 1951)/

■Një Dosje që per mendimin tim paraqet shumë interes! Ishte një Dijetar i vertetë dhe njohës shumë i mirë i disa gjuhëve të hueja. Nderohej në Shqipninë e Jugut dhe asht konsiderue si Meshtar i paisun po me ata virtyte që u adhurue nga vlonjatët. Respekti dhe nderimi i Popullit ndaj Imz. Bonattit, mbeti përgjithmonë në Vlonen e Flamurit.

■Dosja hapet me këto fjalë: “…Në vitin 1945, jemi mbledhë në Romë, dhe aty na foli Papa Piu XII. Prej aty më kanë sjellë me aeroplan për në Shqipni, anglezët…

Në Stamboll, kam shërbye në Kishën e Sant Ospit. Atje më donin dhe më respektonin shumë… Kur ishe në Itali, jam marrë me perkthime, kryesisht, me Lahuten e Malcisë, dhe Kanunin e Lekës, të përgatitun nga At Gjeçovi, me të cilin njihesha prej kohësh…”

■Në vazhdim shenohet: “Përsonat që vajnë tek ky (Bonatti) janë Katolikë, dhe sigurisht qëllimi i vajtjës së tyre ka karakter politik.” (dt. 10 qershor 1946).

Prokurori Beqir Isufi shënon po aty: “Prifti spijun i djallzuar…

Namik Cakrani shënon: “… Është i pa korrigjuar, t’i epët dënim i rëndë.”

Trupi Gjykues i përbamë prej Kryetar Myftar Grabocka, antarë Taqo Jaho dhe Thoma Laro, prokuror kapiten Kristo Mushi, përveç deklaratave të sipërme, akuzon Imzot Prof. Jul Bonattin: “…Agjent i Vatikanit, spijun i dërguar për qëllime armiqësore, atje ka bashkëpunuar me armiqë të popullit… Ka punuar në favor të Vatikanit i porositur nga Imzot Vinçenc Prennushi… U arrestua nga Sigurimi më 25 mars 1946 dhe u burgos në Vlorë. Gjyqi politik ju ba në Elbasan, më 31 tetor 1947 dhe u dënua me 7 vjet burg.”

■Edhe pse Imzot Bonatti nuk pranon asnjë nga akuzat për një vit rresht në hetuesi, vëndimi u shqyrtue në Gjykatën e Naltë të Tiranës, e përbame nga: Kryetar Niko Çeta, antarë Veladin Zejneli dhe Nexhat Hysejni, prokuror Nevzat Hasnedari dhe vëndosi: ”Dënohet me 5 vjet heqje lirie…”. I keqtrajtuem nga Sigurimi fizikisht dhe moralisht, u dergue në Manikomjo të Durrësit…gjoja për mjekim. Kur ishte aty shkoi me u takue mbesa i Tij me Té. Njëditë Ai i kishte tregue: “Kam provue tortura të pandigjueme e të palexueme. Masakra me knaqë shpirtin e tyne pa asnjë arsye…”

■Ishte data 5 Maji 1951 kur u hap fjala se Imzot Prof. JUL BONATTI, “ndrroi jetë!”

“Ndrroi jetë…”, një fjalë goje!

■U gjet në një dhomë copa copa, i shkyem nga të sëmurët e “pavetëdijshëm”!!

 

■Kush ishin këta të “sëmurë” që shkyenin Klerikët?

A me të vërtetë mendoni se ishin të sëmurët e “pavetëdijshëm” që e mbytën Bonattin? -Jo, jo! E, prap po përsëris, jo! -Ishin të sëmurët e “vetëdijshëm” që patologjikisht ushqehëshin me mish e gjak njeriu, dhe mundësisht viktimat e tyne me kenë Atdhetarë, ishin po, kriminelët e pashoq që nuk ngopeshin me një dru mbas koke para se t’i pushkatonin Martirët, ishin Hasnedarët e Themelët, ishin Kapisyzët e Dul Rrjollët, ishin Qokët e… ishin Aranit Çelat me Kadri Hazbitë, Shehët e Hoxhët që kishin gjetë një Haxhi (Qamil) Lleshi, i mëshefun mbas fustanit Nexhmije Hoxhës, kobres së zezë të Shekullit XX, me mbytë e me vra me vulën e “popullit”, tue pi gjakun e tij… dhe tue e rjepë përsëgjalli, per me ua vue miljona dollarë trashigimtarëve nder bankat e Botës.

■Imzot Bonatti ishte një Atdhetar’ e Klerik i perkushtuem per “Një Popull të Bashkuem!

Porsa Kisha Ortodokse Autoçefale Shqiptare filloi shkëputjen e saj nga Kishat sllave e greke në vitin 1920, Kryepeshkopët e saj të nderuem u zgjodhën Shqiptarë, që në Kongresin e Beratit (1922), vendosën KOASH, dhe perdorimin e gjuhës Shqipe.

Ishte koha kur Peshkopët e KOASH, Visarion Xhuvani, Kristofor Kissi,  Irene Banushi

(burgosë në 1947), Kozma Qirio, At Dhimiter Leka (pushkatue në nandor 1944), At Gjergj Suli(pushkatue me 14 Janar 1947), At Llazar Popi (vdes në burgun e Tiranës, ma vonë, me 11 Dhjetor 1972), vetem pse vazhduen me punue per Unifikimin e Kishave Shqiptare, njëherit me fillimin e persekucionin e Tyne të vazhdueshem mbas 1944.

■Me këte “Bashkim Kishash”, nuk ishte i knaqun as Ahmet Zogu, as Musolini, dhe në gjurmët e tyne eci edhe Enver Hoxha, derisa shkatrroi këte Bashkim dhe Fenë!

■Komunistët shovenistë sllavobolshevikë, si paraardhësit e tyne anadollakë, gjithnjë dhe kudo ku kanë sundue kanë perdorë metoden “Perçajë e sundo!”, jo “pa rezultat”!!

■Në Sheshin Skenderbe Papa Gjon Pali II, me 25 Prill 1993 tha: “Drama e Juej, Shqiptarë të dashtun, zgjon interesin e mbarë Kontinentit Europjan dhe asht e domosdoshme që Europa mos t’ ju harrojë!..”

■Po, nëse Ajo “harron”, a ka kush me ua kujtue këte thanje të Papës Gjon Pali II ?!

Melbourne, Maji 2016.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Dosja Nr. 3616, Fritz radovani, Imzot Jul Bonati

DOSJA NR. 22.796- SI E SHKYEN BISHAT E SIGURIMIT DON MIKEL BELTOJEN ?!

April 27, 2016 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

 Don Mikel BELTOJA (1935 – 1974)/

■Dosja e hetimit Hilë GJERGJI, 38 vjeç, fillon me 19 Prill 1973, ora 14.30…/

*Hetimet e Hilë Gjergjit fillojnë njëheri me torturat mizore të hetuesit Shyqyri Qoku./

■“I gjykuari Hilë Gjergj GJONI me dt. 30 korrik 1973, i rikthehet hetuesisë së Degës së Punëve të Brendshme Shkoder, per perpilimin e një Aktakuze të re…Kryetari Nuri Resmja, anëtarë: Valdet Kotrri e Mejreme Gjyrezi, nd/prokuror Kostaq Shandro./

■Gjykatës së Rrethit Shkoder: Mendojmë që gjykimi i kësaj çeshtje të bëhët me dyer të mbyllura. Prokuri i Rrethit, Faik Minarolli…/

■Vendim per të pandehurin Hilë GJONI nga Gjykata e Rrethit Shkoder, me Kryetar: Rrustem Gjata, anëtarë: Gjon Asllani, Filip Rroku, prokuror: Remzi Kruja… Nga neni 48,

Me vdekje – me pushkatim… Kryetari Rrustem Gjata.

■Në relacion të Gjykatës shenohet: “…Hilë GJONI, ka thënë fjalët më të poshtra kundër udhëheqësit tonë Shokut Enver Hoxha, duke e quajtur atë servil e të shitur në shtetet e huaja… Ka bërë thirrje per heqjen e fotografisë së udhëheqësit.” Tomas Beqari.

■Aranit Çela merr një relacion per “rezikshmërinë e Dom Mikel Beltojës, nga Feqor Shehu, dhe i percjellin dokumentat Kuvendit Popullor, ku shenohet: “… Ndësa, lutjen per faljen e jetës, i lartpërmenduri ka refuzuar në mënyrë kategorike ta bënte.” Kryetari i Gjykatës së Lartë, (Aranit Çela) dv.

■Dishroni me lexue edhe një poshtersi anadollako – komuniste, botue kohët e fundit mbas dekorimit të xhelatit që ka shkye per gjymtyrësh Klerikun nga Beltoja:

■Ja dhe Deklarata e fundit e kriminelit vrasës Shyqyri Qoku:

“Të gjitha medaljet që kam marrë më janë dhënë për shërbim ndaj atdheut.

Meqë kjo medalja e fundit u bë mollë sherri mes forcave politike, jam gati ta dorëzoj, madje edhe aty në mes Parlamentit. Ndoshta kështu mund t’i shërbej atdheut përsëri”. Këto janë fjalët e 87-vjeçarit Shyqyri Qoku…” Në vitin 2016…

■Nga fjalët e siperme del kjartë se terroristi i dekoruem, asht gati me rifillue prap edhe

njëherë listen e poshtëshenueme…

SHTETI SHQIPTAR ASHT TERRORIST! AI DEKORON TERRORISTËT!!

 Botue nga Arkivi Tiranë, 2016.

■Nga Lista e Proceseve të kriminelit Shyqyri Qoku, veçojmë disa prej atyne që njohim,

Emna të Klerikëve Katolik Shqiptarë:

  1. At Zef Pllumi,
  2. At Leon Kabashi,
  3. Imzot Ernesto Çoba, Vdekë në Sigurimin e shtetit…me 8 Janar 1980.
  4. Don Lec Sahatçija, Vdekë në Burgun e Tiranës…me 4 Prill 1986.
  5. Don Zef Hardhija,
  6. Don Kolë Toni,
  7. At Aleks Baqli,
  8. Fra Gasper Jubani,
  9. Don Marin Shkurti, Pushkatue me 1 Prill 1969.
  10. Don Gjergj Hardhija,
  11. Don Pjeter Gruda, Vdekë në Kampin shfarosës Sarandë…me 13 Janar 1989.
  12. Don Hilë Gjoni, Shkye per gjymtyrësh mandej asht Pushkatue me 10 Shkurt 1974.

■”Para pushkatimit, xhelatët e terheqin prej gjymtyrësh derisa e shqyejnë dhe, për së vdekuri, e pushkatojnë me 10 Shkurt 1974…” (deklaron Dr. Pjeter Pepa në vitin 2007.)

■Në vitin 1993, në librin “Martirizimi i Kishës Katolike në Shqipni 1944 – 1990”, që Ju dhurue Papës Gjon Pali II, asht e shkrueme po e njajta frazë “per shkymjen e Tij, nga xhelatët para pushkatimit… me 10 Shkurt 1974.” (faqe 93 –  Tiranë, 1993)

■DOSJA Nr. 22796… I njajti Person me tre Emna: Si e shpjegon xhelati Qoku këte?

  1. Hilë GJERGJI (1935 – 1974)
  2. Hilë GJONI (1935 – 1974)
  3. Don Mikel BELTOJA (1935 – 1974) Emni per të cilin u Masakrue…

■Le të pergjegjet terroristi Shyqyri Qoku, se cilin ka zgjedhë, nga Këta tre Emna të Nderuem, per me shkye per gjymtyrësh me 10 Shkurt 1974…Para pushkatimit…

TURPI MA I MADH I SHEKULLIT: SHTETI DEKORON TERRORISTIN NË 2014 !

            Melbourne, Prill 2016.

Filed Under: Histori Tagged With: 22.796, Don Mikel Beltoja, Dosja Nr, Fritz radovani

1946 – DOSJA NR. 852…- “ÇILJA DEREN ATIJ QË TROKET !”

April 22, 2016 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

   Ne Foto: Don Injac GJOKA (1918 – 1979)/  (Portreti punue me laps, nga F.Radovani, 1993)

1946 – DOSJA NR. 852…/

■Mësuesi Don Alfons Tracki krenohej me nxanësit Shqiptarë, ndersa nxanësit e Tij, me veprat e veta nderonin Mësuesin, Edukatorin e Martirin e Kishës së Shqipnisë, Trackin!

Një rresht Martirësh të Trackit ishin Ata, që ngritën Permendoren e Tij në Shqipni, po edhe në Breslau, qytetin e Tij të dashtun që e sakrifikoi per Atdheun e Dytë Shqipni.

■Një nder Martirët e Shkodres së vjeter, që jetoi dhe punoi nen shembullin e Mësuesit të vet, ishte edhe Don Injac Gjoka, jetim pa prind në moshë të vogel dhe me një gjendje të pakandshme shndetsore, që nuk Ju nda gjithë jeten. U emnue në Bogë, po 1944, e gjeti në Mazrrek, ku mbas Janarit 1945 i kerkoi streh Mësuesi i vet Tracki dhe Ndoc Jakova, të dy të larguem dhe të kerkuem nga ardhja e brigadave shfarosëse partizane në Veri.

■Me 21 Mars 1946, plot 70 vjetë perpara arrestohet dhe torturohet si pak kush nga forcat e kriminale të Ndjekjes, të etëshme per Gjak Meshtarësh Katolik Shqiptarë. Ishte njëfarë togerit Bashkim Kasoruho, që kishte marrë përsiper me zbatue porosinë jugosllave:

“… Të zhdukni Shllakun, dhe të shkatrroni kulm e temel çerdhen e Klerit Katolik në Shkodër, me në krye Françeskanët!” Shkruen At Daniel Gjeçaj O.F.M.

■Nga hetimet e bame nder muejt e parë të vitit 1945, të cilat shenohen me mjaft detaje në Dosjen nr. 852, dhe që asht nder dosjet e plota (të pakta të Arkivit Min. Mbrendshme në Tiranë), që kam lexue me kujdes në vitin 1998, mbasi jo vetem kam njoh Don Injacin, po kujtimet e Figurës së Tij si model i persosun i një Kleriku që të lente mbresa vetem me paraqitjen e Tij, shikimin dhe pervujtninë Shpirtnore që e karakterizonte, po Ajo që më ka ba pershtypje ishte qendresa e pashoqe e Tij, perballë torturave e urisë së pashoqe që Don Injac Gjoken, e ka ndjekë deri në diten e vdekjes, me 12 Nandor 1979…

■Kleriku Don Injac Gjoka, jo vetem pranon strehimin e Don Alfonsit në qelen e vet, po ajo që zemron tejmase hetuesin e Tij, asht “mbrojtja që Don Injaci i ban Mësuesit të vet, tue vue në dukje punen baritore dhe kulturore që Tracki, ka ba nder fshatrat e humbuna të Velipojës, po edhe ndihmesen e Trackit nder komandat gjermane, per me evitue çdo vrasje apo shfarosje gjermane ndaj “partizanëve” që, rrezikonin fshatrat Shqiptare… me veprat e tyne shpesh të qellimta, per me vazhdue si në Jug “luftën civile partizane”.

■Don Injac Gjoka dënohet me 8 vjetë burg, në bazë të ligjit nr. 21, datë 15 Dhjetor 1944, Neni 1, per strehuesit e kriminelëve të “luftës”, gjithmonë me shpresë se vdes shpejtë.

1967…

■Viti i zi i pranverës së 1967, apo i t’ ashtuquejtunit “Revolucion Kulturor i tipit kinez”, kishte trokitë pothuej nder të gjitha dyert’ e Klerikëve Katolik Shqiptar, dhe pothuej të gjithë paperjashtim i kishin dhanë një pergjegje diktatorit ideator të “Revolucionit”, tue ua percjellë qendrimin e vet burrnorë, me skilen anadollake Ramiz Alia, një nga ata që zbatuen me perpikni vendimet e terroristit Enver Hoxha, kunder Klerit Katolik.

■Komiteti i PPSh së Shkodres, kishte ngarkue edhe ai disa mbeturina të mbetuna që nga koha e Haxhi Qamilit, po që me veprimet e veta nuk i lane asgja mangut atij, tue pasë gjithnjë busullen e tyne drejtuese “shokun” Ramiz, i cili ato ditë flinte e zgjohej sa tek drejtori i Institutit Pedagogjik Mihajl Prifti, sa tek Jup Kastrati, apo tek Xhemal Dini dhe Musa Kraja, që kishin marrë në duertë e veta edhe drejtimin e Degës së Mbrendshme në Shkoder, ku kriminelët Feqorr Shehu, Xheudet Miloti, Kasem Troshani, Ali Xhunga, Shyqyri Qoku, Dhimiter Shkodrani, dhe kuadrot Faik Minarolli, Sheuqet Muçi, etj., zbatonin me perpikmeni arrestimet, kontrollet e bibliotekave, të Kishave dhe qelave të Klerikëve Katolik, tue i shpronsue, shtetizue dhe plaçkitë deri tek qylymat e dhomave.

Nder thirrjet e para antikatolike per “Revolucionin Kultural” u arrestue At Gegë Lumaj, ashtusi, në 1945 kur Prekë Cali, u rrethue nga forcat partizane e jugosllave në Selcë…

U vazhdue me Don Mark Hasin, At Pjeter Mëshkallen, në Institutin Pedagogjik, ndersa ■Don Injac Gjoka, u thirr në Shtëpinë e Pionjerit të qytetit, në qender të Serreqit, krejt perballë Kishës Katedrale e mbulueme me “Fletë – Rrufe” dhe e dyllosun… Ishte ulë në një stol dhe po priste fillimin e mbledhjes, po si gjithmonë krenar dhe i paperkulun.

■Nuk priti shumë, dhe Don Injaci filloi Ai para drejtuesit të mbledhjes pyetjet e veta: Pse më keni kerkue në këte mbledhje? – Pergjigju, i tha drejtuesi, Pse kryeni sherbime Fetare ju Don Injac, kur e dini që nuk duhet ?

– Don Injaci, i tha: Perëndia më ka caktue me kenë Misionar i Fesë, si doktori i mirë që nuk ngurron me mjekue, ashtu edhe Misioni em më kerkon me kenë Doktor i Shpirtit per ata që m’ kerkojnë ndihmë! “Çilja deren atij që troket!” ka thanë Krishti. Edhe unë, do t’ Ua çili! Këte ua kam thanë edhe kur ishe në burg, këte po ua tham prap! Unë jam e kam me kenë i vendosun deri në vdekje!” Mbledhjen Don Injaci e mbylli me këto fjalë:

– “I vorfen kam le, i vorfen jam e, i vorfen due të vdes, due T’i perngjas Krishtit!”

(Nga proces – verbali i mbledhjes, i ruejtun dhe i publikuem nga Dr. Pjeter Pepa. 2004)

■Ashtusi vendosi, ashtu e mbylli jeten e vet!

■Në darkë, si pernatë, u drejtue nga furra ku kishte vendin e fjetjes, mbrenda furrës, aty vazhdoj lutjet e veta, po jo, si i “vorfen në Shpirtë”, po si nder ma të dijtunit dhe ma të pasunit e Kishës Katolike në Shqipni! Ky ishte Martiri Don Injac Gjoka!

■As sot, as kurrë, nuk ka nderim ma të Madh, se me u rreshtue me Martirët e Mëdhej të Kishës Katolike në Shqipni, Martirizue prej Gjenodit komunist të viteve 1944 – 1991.

Melbourne, Prill 2016.

 

Filed Under: Histori Tagged With: 1946 – DOSJA NR. 852...- “ÇILJA DEREN, ATIJ QË TROKET !”, Fritz radovani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • …
  • 65
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT