• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

70 vjet:HAPNI DOSJEN NR. 7842

November 22, 2015 by dgreca

PROF. FILIP NDOC FISHTA-(1904 – 1973)/
■“Kriminel lufte dhe armik i popullit shqiptar”/
Nga Fritz RADOVANI/
■Prof. Filip Fishta ishte i biri i Ndocit dhe i Çiles. Nana ishte bijë nga familia Shiroka. Filipi ka lé në Shkodër në vitin 1904. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa të naltat i përfundoi në Beograd për gjuhësi. Ka kenë doktor i shkencave filologjike dhe profesor në Universitetin e Sorbonne-s në Francë. Qysh i ri bashkëpunon me Ndue Palucën, edhe ky figurë e “harrueme”. Ishte mik i Prof. Gaspër Ugashit, Karl Gurakuqit, Ernest Koliqit e në veçansi mik i etënve Justin Rrota, Donat Kurti dhe Bernardin Palaj.
■“E thrret Atdheu”, si shumë atdhetarë të tjerë që mbasi mbarojnë studimet jashtë vijnë me dhanë ndihmesën e tyne modeste në Shqipninë e porsa rilindun. Në vitin 1933 emnohet në Elbasan, ndërsa në vitin 1934-35 vjen në Shkodër dhe në 1938 asht në Tiranë, në Institutin “Nana Mbretneshë”, ku vazhdon me punue deri në mars të vitit 1944.
■Në mars, emnohët në bibliotekën e Institutit të Studimeve Shqiptare, deri në fillim të vitit 1945, ku la disa punime shkencore.
■Me datën 19 janar 1945 arrestohët nga komunistët, i akuzuem si “kriminel lufte dhe armik i popullit shqiptar.” Deri këtu asgja e jashtëzakonshme. Fillon hetimet para një komisioni hetimor të përbamë nga Frederik Nosi, Mynir Tirana dhe Andrea Jakobini. Cilësohet prej tyne si njeri që ka kontribue për ardhjen e fashizmit italian dhe se, me artikujt e tij ka shpërnda idetë fashiste anë e kand vendit. Relacioni asht i shkurtë por me përmbajtje që i rrezikon kokën e profesorit.
■Prof. Filipi deklaron: “…Nuk mund të cilësohem si gazetar, përveç disa artikujve teknik-shkencorë, p.sh. ”Historia e lindjes së shtypit”, etj. si letrar-artistik po, por jo politik.
Nga gazeta “Mesagero”, kam përkthye artikuj nga jeta e familjës italiane dhe pushimet verore. Nuk kam pasë të baj me BRUFSH-in (Rinia Universitare Fashiste Shqiptare). De Angelis-in e kam njoftë se i kam dhanë mësim fëmijve të tij…”(Dosja 7842).
■Rreshti i fundit i deklaratës ishte i mjaftueshëm me provue lidhjet e ngushta të Filipit me fashizmin. Dëshira e italianëve me botue një revistë “Jeta Shqiptare” në Firencë, nën kujdesin e Prof. Filip Fishtës, që nuk u hap atje por në Tiranë, ku ka shkrue prof. Kol Prela, Rebi Alikaj, Injac Ndoja etj. e rreshton Prof. Filip Fishtën në bankën e të akuzuemve, para Trupit Gjykues me datën 11 qershor 1945, për dënim si “kriminel lufte dhe armik i popullit shqiptar”.
■Trupi Gjykues i përbamë nga: Kryetar, nën/kol. Bilbil Klosi, antarë Argjir Lipivani dhe Gjylhani Shehu (oficera), prokuror Ismail Çaushi dhe sekretar Mustafa Zaja, i japin dënimin e “merituar”, 30 vjet burg me heqje lirie dhe konfiskim “pasurie”.
■Cila ishte “pasuria” e Profesorit?
“Një raft me libra, një shtrat, një dyshek dhe dy batania. Një lagen, një tavolinë me dy karriga. Një sahat xhepi dhe një stilograf.” (simbas proçes-verbalit të ruejtun ne arkiv). Komisioni i shtetizimit të “pasurisë” shkoi tek shtëpia ku banonte me qera profesori me një kamion të madh, por nuk pat me shka me u mbushë, përveç policve që solli me vedi dhe i këthej prap në Sigurim.
■Ku bazohej akuza?
Prof. Filip Fishta ka shkrue tek: “Tomori i vogël”, “Hylli i Dritës”, “Shkëndija”, “Shkolla Kombëtare”, “Balli i Rinisë”, “Drini” dhe “Fashizmi”.
■Prokurori thekson: “Vetë juve z. Kryetar, i patë artikujt e tij sa të ndyrë ishin!…”
“Faji” i profesorit ishte se ai qysh i ri rreshtohej me At Justin Rrotën, Eqrem Çabejn, Aleksandër Xhuvanin etj. ndonse, vepra e Prof. Filip Fishtës u zhduk menjëherë mbasi ai vdiq.
***
■Prof. Androkli Kostallari e “ndihmoi” profesorin kur doli nga burgu, i “premtoi” se do të riabilitohej dhe se do të i jepej e drejta e botimit të shkrimeve, por deri sot punimet e tija
“prehën në paqë të pafund”, mbasi nuk i dihët ende “vorri”.
■Arsyeja që më ka shty me kujtue prof. Filip Fishtën nuk asht njohja përsonale, as vlera e tij si dijetar apo shkenctar, mbasi kjo asht detyrë e atyne që do të nxjerrin në dritë veprën e tij, ose që e kanë atë (në kjoftë se ndodhë ndonjëherë me tregue), po më ka shtangue guximi i avokatit të tij, z. Kol Dhimitri, i ruejtun në dosje. Një çudi e vërtetë!
Kundërshtimi i akuzave, mënyra sesi ai nxjerr në pah vlerat letrare dhe shkencore dhe ndoshta, tue u vetsakrifikue për një atdhetar që si të gjithë të tjerët kërcnohej nga vdekja prej tradhëtarëve të padijtun dhe barbar, që mendonin dhe vepronin për gjithshka që shkatrron kulturën dhe shkencën ose ma keq, kërkonin labirintët e shmangëjes nga rruga e qytetnimit europian.
■Avokati i nderuem në mbrojtjen e tij me datën 13 qershor 1945, thotë: “Filip Fishta ka kryer studimet e veta në Beograd, duke u diplomuar në fakultetin e Letërsisë, dhe ka vazhduar mësimet edhe në Sorbonné të Francës për disa vite. Është një person me kulturë të lartë, gjë që e bën të besueshme se nuk mund të bëhet vegël e okupatorit në vendin e tij…
Edukoi rininë shqiptare dhe këtë qëllim të tij, me krenari duhet të pohojmë se e ka arritur, sëpse, sa e sa breza që i drejtoi, e kujtojnë me mirënjohje e dashuri të sinqertë.
■… Por, nuk mund të akuzohen nëpunësit e asaj kohe, si vegla të okupatorit, sëpse ata nuk kanë pasë një qëllim të tillë, dhe nuk kanë bërë ndonjë veprim kundër popullit shqiptar, ashtu si edhe Filip Fishta, ka kryer vepra kundër shqiptarëve, duke pranuar një revistë kulturore dhe për më tepër shqiptare….
■Po të ishte me të vërtetë një vegël, sigurisht, do të ngarkohej me ofice politike ose të paktën administrative të larta, mbasi ishte me kulturë dhe me zotësi të rrallë, pra, mospërfitimi nga italianët në kohën e pushtimit të tyre është prova më e gjallë se ky nuk ka qenë vegël e tyre.
■… Profesori nuk ka propaganduar për fashizmin, por ka vënë në dispozicion të idealeve të Kombit tonë të gjitha fuqitë e veta, kur rraca e jonë shqiptare shuhësh nga shkrimtarë të paskrupull, si artikulli në “Rivista d’Albania”, kundër Cordignanos me 1941.
Artikulli titullohet “Shqipnia jonë”…
■Ka mbrojtë në programe mositalianizimin e shkollës sonë kombëtare.
Filip Fishta ka pasuruar kulturën shqiptare me shkrimet e tija të cilat janë aq të vlefëshme dhe të çmueshme, sa është e madhe vobegsia e jonë letrare.
■Nga ana tjetër, si mund të bëhët vegël informator një shkenctar, që gjithë jetën e tij e ka dedikuar në librat e kulturës, në mbrojtje të idealeve kombëtare.
Kërkoj që të merrën si shkaqe lehtësuese veprimet kombëtare.”
■Avokat Kol Dhimitri d.v.
***
■Duhet me thanë “shyqyr” që nuk e mori vesht kush këtë mbrojtje, mbasi mund të këthehej vendimi edhe “me pushkatim”…
Prof. Filip Fishtën e pata njohtë mbasi pat dalë prej burgut, mbasi atë kohë erdhi në Shkodër. Punonte në podrumet e Muzeut Popullor të qytetit. Ishte i thjeshtë dhe i veshun keq.
Kur fliste e bante disi të veçantë shqiptimi i një “thëje” në maje të gjuhës. Ne atëherë nuk mujshim me kuptue se kush mund të ishte ky burrë që me një leckë në dorë, fshinte pluhunin e kopertinave të librave që ishin të hullun përtokë.
Ai i fshinte me kujdes dhe i sistemonte mbi një tavolinë.
■Ata ishin librat e sekuestruem në bibliotekat e Françeskanëve dhe të Jezuitve.
■Prof. Filipi dhe Prof. Izet Bebeziqi ishin ngarkue me atë punë aq të rëndomtë vetëm, me hangër një kafshatë bukë të thatë me emnin “pastrues”, pikërisht Ata, që ndër këta libra kishin edhe artikujt e tyne. Librat e ndamë prej tyne, mandej zënin vend në “bibliotekat” përsonale të “Prof. Doktorave” Jup Kastrati e Kostallari me shokë, libra e materiale që i kanë edhe sot ndër shtëpitë e bibliotekat e mëdha të tyne.
■… Duhet plotsue fraza, mbasi volumet e mangta i plotsuen me “Revolucionin Kultural” në vitin 1967, me bibliotekën e Argjipeshkvisë dhe të njerëzve që u arrestuen dhe u zhdukën me atë rasë.
***
●Prof. Kol Alimhilli, thonte: “Në sistemin komunist, profesorët e vërtetë përfundojnë në burg, kur dalin nga burgu, po dolën, shkojnë hamaj e fshesaxhijë, ndërsa hamajtë e fshesaxhijtë e vërtetë drejtojnë shtetin.” (Shkoder, 1958).

Melbourne, Nandor 2015.

Filed Under: Featured Tagged With: dosja 7842, Fritz radovani, PROF. FILIP NDOC FISHTA

25 VJET MA PARE, ME 11 NANDOR 1990, DON SIMON JUBANI , NA TREGOI SI SHEMBET KOMUNIZMI

November 10, 2015 by dgreca

Ne Foto:Don Simon JUBANI(1928 – 2011)/
Shkruan:Fritz RADOVANI: Pjesa e II./
RRËMAJI… SHKODER… 11 Nandor 1990, ora 11.00 p. dr…
Ishim mbi 50.000 vetë mbrenda murit rrethues të Vorrezave, kur nder tarraca dhe skuta, në vagona e magazina, sampistët e sigurimit shtetit prisnin urdhën me shkrepë shnajpert mbi kokat tona… Pa asnjë mbrojtje përveç rreth 300 vllazenve Musliman t’ armatosun…
Dhe, “Dorës së Zotit”, që gjithmonë ishte pranë Atyne Çinarëve…
Fjala e Don Simon JUBANIT në MESHEN E PARË…
VLLAZEN DHE MOTRA !
Le t’ i kujtojmë per nji minut në heshtje të gjithë Këta të vdekun që kemi nder këto vorreza dhe të gjithë Ata Vllazen e Motrat tona, që kanë ra per nji Shqipni Europjane gjatë këtyne 46 vjetëve të shkueme!..
Në vjetin 1443 kur Heroi i ynë Kombtar, Gjergj Kastrioti, u arratis prej Stambollit dhe u kthye në Atdhe e pershndeti Popullin Shqiptar me këto fjalë:
“Lirinë nuk ua pruna unë, por e gjeta midis jush!”
Unë i padenjë per ketë mision po Ju tham se Fenë nuk ua pruna unë, por e gjeta të ndezun nder zemrat Tueja!
Se kjo Fe ka kenë gjithmonë e flakët nder zemrat tona e deshmon ardhja e Juej sot në ket Vend të Shejtë prej të kater anëve të Shqipnisë, per me adhurue, per me falnderue, per me lavdue të Madhin Zot per ketë Mrekulli të madhe që po shohim sot me sy.
Se ky Besim ka kenë perherë i ndezun në Shpirtnat tonë e verteton restaurimi i kësaj Kishëze vorrezash ku kanë dhanë kontributin e vet me punë e me të holla, edhe vllaznit tonë myslimanë dhe ortodoksë.
Se kjo Fe ka kenë gjithmonë inkandeshente në mendjet e zemrat tona e deshmon edhe ma mirë Shejtnoria e Shna Ndout në Laç, kur midis terrorit mbi ato germadha kanë rrâ mija Shqiptarë per çdo vjetë, sejcili në Fenë e vet, sejcili në gjuhen e vet, vazhdimisht tue Ju lutun Zotit dhe Shejtit Shna Ndue, per të gjitha nevojat shpirtnore dhe trupore, dhe këto lutje u kunorzuen sot me ketë panair plebishitar.
Per të Madhin Zot e per Fenë e Tij, ma bukur se unë flitni Ju, me ato ngushllimet e panumerta që gjeni nga kjo Fe që i ngushllon, i forcon, i zhdrivillon, i zbutë, i qytetnon mendjet e zemrat e të gjithë njerzimit.
Per të Madhin Zot e per Shejtnit e Tij, ma bukur se unë flasin shurdhët që ndijnë, pagojcët që flasin, sakatat që ecin, psikopatët dhe epileptikët që sherohen…
Sikurse ajri që thithim asht i domosdoshem per ekzistencën tonë fizike, njashtu per ekzistencën tonë shpirtnore asht e domosdoshme Nji Kenje e Mbinatyrshme që na ndihmon me perballue vishtirsitë e kësaj jetë me optimizem, entuzjazem, kurajo, dhe Kjo Kenje e Mbinatyrshme, na ban me e pa me sytë e Shpirtit Lumninë e Parrizit, që na pret mbas kësaj jetë të shkurtë, njashtu sikurse shohim me sytë e trupit bukuritë e rruzullit toksor.
Kudo nëper Botë si nëper qytetet e modernizueme ashtu edhe në katundet ma të harruemet naltohen kah qiella kupola, minare xhamijash, kumonare të cilat janë simboli i kontakteve, i lidhjeve që njerzimi mban perherë me qiellin, me Perëndinë. Majat e Tyne të mprehta u perngjasin heshtave të nji ushtrije në heshtje, që u bajnë roje vlerave morale e kulturore, që rraca njerzore ka krijue nder shekuj.
Çfarë interesash botnore perfaqson Feja?
Kush i zbuti barbarët e Kohës së Mesme, gotët, vizigotët, hunët, vandalët, përveçse Jezu Krishtit, përveçse murgjëve dhe murgeshave që i zbutën hordhitë e egersinave me Kryq në dorë e me lutje në gojë?
Kush ja dha Europës unitetin shpirtnor, kulturor dhe politik përveçse Kristjanizmi?
Krejtë zhvillimi moral dhe intelektual i Europës e ka burimin te filozofia dhe te teologjia kristjane.
Kush i shliroi Vendet Arabe në shekullin e shtatë nga paganizmi, politeizmi dhe i fali monoteizmin, dhe nga fiset primitive u ngritën në shtet të organizuem dhe ma vonë në perandori arabe, përveçse Islamizmit dhe profetit të Tij, Muhametit?
Po në shkallë kombtare çfarë rolit qytetnues ka luejtë Feja?
Në aspektin moral Feja asht nji digë. Diga nuk i lejon ujnat me vershue dhe me shpartallue tokat pjellore e shtëpijat e banimit. Njashtu Feja asht nji digë morale që nuk i lejon veset, perversionet, degjenerimin, korrupsionin, me depertue nëper mendjet e zemrat e njerzimit, dhe në këte drejtim Feja jep kontributin ma të madh per rendin publik. Në aspektin kulturor: Të gjitha shkollat fillore e gjimnazet, të gjitha institucionet kulturore e shoqnore në vendin tonë janë krijue dhe drejtue nga Baziljanët, Benediktinët, Jezuitët, Françeskanët etj. Deri shtypshkronja e parë, deri ferma e parë moderne në Bardhaj asht themelue prej murgjëve të Shën Injac Lojolës.
Por Feja asht determinante edhe në mbrojtjen e Atdheut.
Në pamundësi idetë e shekullit me ua dhanë Shqiptarëve Bashkimin Politik, vetem Feja dijti me i bashkue Princat Shqiptarë të Shekullit Pesmbdhjetë kunder anmikut tonë të përbashkët të Perandorisë Osmane. Të gjitha mbledhjet janë zhvillue në Kishen e Shenkollit të qytetit Lezhë, dhe në ketë Kishë janë marrë të gjitha Vendimet për të gjitha operacionet politike dhe ushtarake që ka zbatue Beslidhja. Por Bota e qytetnueme na njeh edhe famëmadhen Lidhja e Prizrendit. Kryetari i Lidhjes, Haxhi Ymer Efendi Prizrendi, s’ bashkut me krenët e tjerë muhamedanë, ortodoksë e katolikë si, Eljaz Pashë Dibra, Vaso Pasha e Abdyl Frashëri, të gjitha mbledhjet i kanë zhvillue në Xhaminë e Prizrendit e prej kësaj Xhami, kanë dalë të gjitha direktivat.
I Madhi Zot per t’ i ushqye Shqiptarët me bollek e ka paisë Shqipninë tonë me dy mushkni, me tokë e me det. Per ketë frymëmarrje të shndoshtë me token e me detin jetuen, luftuen dhe vdiqën Princat Shqiptarë të Shekullit XV, si edhe Fatosat e Kreshnikët e Lidhjes së Prizrendit.
Vjeti 1989 ka kenë Vjeti i Paqës dhe i Lirisë per të gjithë Boten, sepse në ketë Vit u shemben të gjitha muret dhe perdet e hekurta që ndanin vende dhe popuj, por ma teper ndanin zemrat e njerzve. Në ketë vit pushoi së rrjedhunit gjaku, po fshihen lotët, mbaroi djersa e pashperblyeme e mori fund lufta e të gjithëve, dhe njerzimi ka hy në nji Epokë të Re paqëje, lirije, mirësije, armonije, begatije. Begatia dhe armonija e nji Populli mvaren nga Liritë që u akordohen qytetarëve.
Lirija në kuptimin filozofik të fjalës asht progresi gradual i ndergjegjes dhe i kulturës njerzore.
Këto Liri e këto të drejta po na epen gradualisht dhe me rrugë paqësore.
Rruga paqësore asht tipar i nji Populli të qytetnuem. Dhuna e brutaliteti s’ kanë zgjidhë kurrë probleme kombtare as familjare.
Duhet t’ i qendrojmë tundimit e s’duhet të perdorim dhunen, as brutalitetin kunder njeni – tjetrit per me kerkue të Drejtat e Liritë që na tokojnë, sepse të gjitha këto Liri e të Drejta, po na epen gradualisht e me rrugë paqsore.
Vetem kështu do t’ ua mbyllim gojen atyne që na quejnë shprehje gjeografike, tokë e pazbulueme, tokë e askujt, vetem kështu, do t’ ua mbyllim gojen anmiqëve tonë, që na konsiderojnë nji popull kopil i gjetun midis katër rrugëve nga Nana Histori.
Shkodra qytet me nji Histori ma të lashtë se dymijvjeçare, Shkodra dikur Kryeqyteti i Ilirisë, Shkodra e Gentit e Teutës dhe Agronit, Shkodra që deri para 50 vjetësh i ka dhanë Shqipnisë tonin moral, kulturor, politik, fetar e ekonomik, Kjo Shkoder, asht gati edhe sot me bashkpunue me Tiranën e me të gjitha qytetet e Shqipnisë, sepse, trashigimtarët e Gjergj Balshës së Madh dhe të Marin Barletit, mbasardhësat e Bushatlive, të Fishtës, të Oso Kukës, të Don Ndoc Nikës, të Don Ndre Mjedës, të Gurakuqit, trashigimtarët e Frashërlive, të Konicës, të Fan Nolit gjinden këtu, në këta Troje Shqiptare, të gatshem me e ripertrij edhe njiherë traditen dhe autoritetin që ka gëzue Shqipnia mbrendë e jashtë Atdheut! Amen.
***
Shenim nga FR: Ky material historik asht marrë nga origjinali, pa asnjë ndryshim.
Botohet me rasen e 25 vjetorit të Meshës së Parë, mbas “Revolucionit Kulturor të 1967”.
Një Pllakë përkujtimore tek Kapela e Vorrezave të Rrëmajit, asht shumë pak per me Perjetsue Vepren e një Atdhetari të Madh si Don Simon Jubani, me 4 e 11 Nandor 1990.
Melbourne, Nandor 2015.

Filed Under: Histori Tagged With: 11 nandot, Dom Simon Jubani, Fritz radovani, shembja e komunizmit

TRI VJETË DREJTË PAFUNDSISË !

November 10, 2015 by dgreca

DANIEL GAZULLI (1942 – 2012)/
Nga Fritz RADOVANI/
Kështu të njoha!/
Nuk dij se ke ndryshue!/
Gjithnjë kur të kujtoj…/
Më duket se më thue: /
“Jam në udhëtim!..”/
Poezia Yte më ban me t’ “Besue”…/
O Miku im…/

NGA DANIEL GAZULLI:/
NË UDHËTIM/
Në udhëtimin tim,/
sovran i një shpirti të çliruem nga prangat,/
që shpesh të venë urrejtja dhe smira,/
u përpoqa t’i jepja kuptim jetës,/
ndërsa lodhesha në shkronja të pjerrta librash të vjetër,
apo përpiqesha të deshifroja vështrimin shpërfillës të yjeve
në shoqninë e një heshtjes që gdhente dhimbjen mbrenda meje;
mendimet treteshin deri atje përtej ku nuk arrijti kurrë
syni i njeriut; rrezatimi i tyne depërtonte
tej çdo rontegeni në galaktika mjegullore
dhe gjithë bota që më rrethonte tashma ishte mbrenda meje:
drita përshkonte çdo skutë të errtë
e më davariste trishtimin.

Udhëtoja në detin e jetës mes dallgëve të Fatit,
që përditë më ngushtonte horizontet
e më burgoste andërrat e shkronjat m’i ndryshkte,
përkrah udhëtarësh të tjerë me frikën e së nesërmes në bebëze,
me andërrën e Lirisë në qerpik, kthye tashma në një mirazh,
që zhdukej porsa binte mbramja
dhe mbylleshim në një dhimbje memece.

Po kurrë nuk e humba Zotin e Shpresës e të Qetësisë
dhe vazhdova udhëtimin drejt Tij pa lutje të më dhuronte
ma shumë se orët, ditët, vitet e jetës, që bujarisht më kishte dhanë,
ndërsa i gëzohesha edhe një luleje të egër
çelë në mes rrenojave të faltores së shembun nga dora e padijes;
nuk prita si ata që çdo mëngjes
presin vejushat të dalin nga shtëpia
e pastaj përhumben në ekstazë para një gote rakie pa meze
në ajrin e ndotun nga tymi i duhanit;
udhëtimin vazhdova shtegut në mes pyllit të zhytun në mjegull,
sepse e largët nuk do të ishte drita jetëdhanëse e diellit,
që ban të drejtohet e të gjelbrojë edhe atë bimëzën që nën gur
ka kalue e mardhun dhe e zbehtë dimnin.

Udhëtova bashkë me shpirtin e dhimbjes e të mundimeve
në kërkim të Zotit të Shpresës e të Dritës,
që ndriçon në thellësi të qenies së secilit.
***
Shenim nga FR: Me 12 Nandor 2012, na la një nga Figurat e Nderueme të Gazullorëve, që vetem koha, do të sjellin Vlerat e Përjetëshme të Danielit Gazullit tek brezat e rij.
Melbourne, Nandor 2015.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Daniel Gazulli, drejt pafundesise, Fritz radovani, Tri vjet

TREGOJNË “ÇINARËT”…

October 24, 2015 by dgreca

Në 15 vjetorin e vdekjes së At Konrrad Gjolaj O.F.M./
AT KONRRAD GJOLAJ O.F.M. (1918 – 2000)
Nga Fritz RADOVANI/
■Dy Çinarët e Varrezave të Rrëmajit me emnin e tyne të vjeter Çinarët e Zef Zorbës, nuk janë ma të vjeter se qyteti i Shkodres, po dijnë ma shumë se Shkodra per Historinë e vet!
Një në tre elementët e qytetnimit ishin Varrezat e ndertueme fillimisht nga Ingj. Ludovik Zojzi (1910- 1943), ma fatkeq se viktimat e mbështetuna per Murin e Pendës së Kirit!
Mendja e Tij i dhuroi qytetarëve shkodranë një Kryeveper arti, po komunistët e Tiranës e vrane se nuk pranoi bashkpunimin me ta, se Ai “nuk i sherbej sllavëve komunista!”…
■At Konrrad Gjolaj O.F.M. (2 Janar 1918 – 20 Korrik 2000) Në Dhjetorin e vitit 1996 na la një veper të vertetë Atdhetare dhe historike me titullin “Çinarët”, botue në shtypshkrojen “Volaj” në Shkoder. Vepra i kushtohet: “Misionarit prej Breslaut, Mësuesit tonë në Velipojë, Don Alfons Trackit; dhe Shokut e Mikut të përjetshëm, Don Dedë Malaj. Ia kushton Autori”. Mbas dy faqeve me fotot e Tyne asht një Parathanje nga F. Radovani:
■“Dy fjalë…Lexoni çka shkruen ky Frat! …Ky malësor i ashpër si coha e zhgunit, me një jetë ma të zymtë se boja e veshjes së Tij. Asht i vrazhdë si krepat e atyne majeve…
gjithmonë të rrethueme në litarë, tela, ferra e vargoj. Asht i thjeshtë, i kjartë, i paster, i dashtun e i gjetun si sandalet e Françeskanit t’ Asizit, me strajcën e “Bukës së Shna Ndout” në dorë, ndër burgje e kampe, për ma shumë se 17 vjet. Fisnik e besnik, por gjithmonë me thikë mbas shpine prej dorës së pabesë së Sigurimit Shtetit komunist, që s’ Ju nda një çast. Libri nuk shkruhej ndryshej, se fjalët e At Konrradit janë të daluna dhe të mbledhuna prej Stigmave të Martirëve, shokëve e miqve të Tij. Ato plagë nuk mbyllen ashtu si kujtojmë na! Ai jeton vetem me një shpresë… se beson tek Kryqi… e, FITON !
Ju të rinj kur t’a lexoni, mos u frigoni..! Kujdes..!
…KY SHEKULL TË MOS PERSËRITET KURRMA ! Fritz Radovani 11 Mars 1996.”
■Mbas pak ditësh i punova dhe kopertinen. Edhe pse nuk e njihshe makinen e shkrimit, njashtu me një gisht ia pata shkrue, ma shumë Ai tue më diktue. Kur iu desht e drejta e botimit nga një institucion apo shoqatë, filluene “vështirsitë” per botimin e Vepres.
Më pat tregue se “Shoqata At Gjergj Fishta” i kishte kerkue At Konrradit me fshi disa emna në liber, po Ky, nuk ishte kenë dakord… Ma në fund me 2 Janar 1997 u botue.
■Kopjen e parë ia kishte dhurue atë ditë At Daniel Gjeçaj, që kishte ardhë perherë të parë per vizitë në Shqipni qyshë se ishte arratisë. At Danieli porsa e kishte marrë kishte fillue me e lexue (me daten 2 Janar), e me daten 3 Janar, aty nga ora 11.00 p.dr., i kishte kerkue me u njoh me mue. Më dergoi fjalë At Konrradi me shkue kah dreka e asaj ditë dhe unë shkova. Porsa hyna mbrendë At Danieli me shumë perzemersi më toku koken simbas zakonit të Maleve, dhe më ftoi në tavolinë ku ishte edhe At Konrradi.
At Danieli më tregoi se e kishte lexue krejt Librin gjithë naten, dhe se kishte mbetë shumë i knaqun…Menjëherë kishte kerkue nga At Konrradi me më pergzue per Parathanjen e librit dhe kopertinen, dishka që per mue ishte e papritun dhe një vlersim i madh nga një Frat dijetar e shkenctar i vertetë! U impresionova aq shumë sa vetem në fund i kam thanë: “Ende nuk më besohet se kush asht tue folë…Ju falemnderës!”… Kalueme disa orë vetem ne të tre bashkë në sofren e At Konrradit!
■3 Janari 1997 ishte… Një ditë e paharrueshme per mue!
■Libri “Çinarët” asht një veper shumë e veçantë, por jo shumë e njohun! Asht punue që në ditët e para me u izolue per dy arsye: 1. Sasia e madhe e emnave të agjentave që janë të shkruem aty shoqnue edhe me veprat e tyne në sherbim të sigurimit të shtetit, si dhe
2. Shkrimi i At Konrradit në dialektin Gegënisht, tue Ju permbajtë vertetësisë fakteve dhe ngjarjeve me një rreptësi pandryeshushmenie, na japin në dorë disa DOSJE të hapuna!
Ata “Dosje” fillojnë tek e At Konrradit, dhe vazhdojnë deri ku ka mbajtë nder mend!
■Kam parasyshë një moment: Kur takon në hetuesi në një rasë mikun e vet Don Dedë Malaj dhe i thotë “po na vrasin edhe ne Don Dedë?… Ai i pergjegjë: Jo, Konrrad… Kam krijue tek ata të sigurimit bindjen se ti nuk di asgja per veprimet e mija! I kam thanë se ka ma shumë se dhjetë vjetë që nuk flasim, mbasi per me ua mbushë mendjen u kam thanë se, At Konrradi asht idhnue me mue se i jam shpifë per dishka morale… Më kanë besue! Asht mirë me shpetue Ti, mbasi një ditë dikush duhet me tregue të verteten!…”
E kujtoj si tashti portretin e At Konrradit, me sy plot lot…Kur i kujtoheshin ata momente!
Kur asht ba rivorrimi i Eshtnave të Don Dedës, më tregonte se ma shumë e ka vajtue, se ka mujtë me folë kah ju kujtonin fjalët e Tia: “Dikush duhet me tregue të verteten!” dhe, këte të vertetë Don Deda, e shpresonte se një ditë do ta thonte At Konrradi.
■At Konrrad Gjolaj personifikonte Fratin e Asizit ashtu si edhe Malsorin e Veriut!
Si njenit ashtu edhe tjetrit ma mirë, dhe madje, edhe ta dijnë ma per nder “me i ra një plumb në lule të ballit, se me i thanë: Kjo që ke shkrue këtu, nuk asht e vertete!”
■Sot, kur flitet per “Letrarët e mbas viteve 1990” At Konrradi harrohet! Harrohet edhe At Anton Luli që pershkruen birucat e sigurimit… Harrohen disa si Imz. Frano Illija a Prof. Simon Pepa, që ka tregue episode me vuejtjet e Klerikëve Katolik…Harrohet At Gjakomo Gardin italjan, Gjovalin Zezaj… Harrohet i Madhi Don Simon Jubani, dhe paturpësisht vepra e Tij me 4 e 11 Nandor 1990, as nuk zehet me gojë ashtusi Rin Monajka i 14 Janarit 1990, apo Pllum Pllumbaj i vramë në kufi…Harrohen Sindikatat…Harrohet “vaditja” e kokës “heroit” Hoxha para komitetit ekzekutiv në Shkoder me 13 Dhjetor 1990…
■Veprat e Tyne që sollen Demokracinë, i “dhurohen” sherbëtorëve të terroristit R. Alia!
E fatkeqsisht, ata që po i sherbejnë mashtruesve të rinisë dhe metamorfozës së autorëve të “realizmit socialit”, janë edhe “disa” nga të persekutuemit politik! Ky asht Turp!
■Duhet cilsue se fjala “Turp” fillon tek “titujt e paprekshem” të terroristëve E. Hoxha e Ramiz Alia, dhe vazhdon deri me “dekoratat” e agjentëve të mësheftë e të haptë në të gjitha përpjekjet e “dr. prof e akademikëve” per “ringjalljen” e komunizmit në Shqipni!
■Se ku fillon “Turpi” lexoni librin “Çinarët” të At Konrrad Gjolaj!
Ai që dishron me dijtë se ku vazhdon “Turpi” të lexojnë “Shifrat e të pushkatuemëve dhe të zhdukunve në kampet e shfarosjes komuniste nga viti 1944 e deri 1990…”!
■Asht mirë me numrue plumbat që ruhen në trupat e Çinarëve…
■Atëherë, do të kujtoheni se një ditë… do të “tregojnë Çinarët”!..

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz radovani, TREGOJNË “ÇINARËT”...

100 TIRANËT PA ENVER HOXHEN, A QUHEN TIRANË ?!

October 15, 2015 by dgreca

Foto:”TIRANET- Autor: NIGEL CAWTHORNE/
Në librin “TIRANËT”, Historitë e 100 Despotëve dhe Diktatorëve, me titull: “TYRANTS”, botue në vitin 2004, for Lifetime Distributors Pty Ltd Building G, 2 Hudson Avenue Castle Hill, 2154 Australia, kam gjetë të vërtetën historike t’ pashkrueme deri tashti për né Shqiptarët:
BOTA MODERNE
ENVER HOXHA-1908 – 1985- Udhëheqës i Shqipnisë- Jeta dhe Krimet/
1908 – Lindi me 16 Tetor 1908 në Gjinokastër, nga një familje me fé myslimane në jug të
Shqipnisë…
1930 – Shkoi në Francë për studime.
1934 – Ka shërbye si sekretar i konsullatës shqiptare në Bruksel.
1936 – Ktheu në Shqipni, ku u ba mësues.
1939 – U largue nga arësimi për refuzimin e bamë për pjesmarrje në Partinë Fashiste
Shqiptare; hapi dyqan cigareshitës.
1941 – U formue Partia Komuniste Shqiptare; U zgjodh Sekretar i Përgjithshëm.
1944 – U formue Qeveria Provizore; Filluan gjyqet e ekzekutimet.
1948 – Zhduku grupin pro-Tito; mbylli Kishat dhe konfiskoi pronat private.
1961 – Ndërpreu marrëdhanjet me Bashkimin Sovjetik.
1978 – Ndërpreu marrëdhanjet me Kinën.
1981 – Seleksionoi partinë dhe drejtuesit e shtetit.
1985 – Vdiq me 11 prill 1985 në Tiranë.

Shenimi F.R.: Libri fillon nga viti 1353 para Krishtit, e vazhdon deri në vitin 2004.
■Nder 100 DIKTATORËT ma të njohun në histori Botnore, asht edhe Enver Hoxha…
***
■Enver Hoxha vazhdon me kenë udhërrëfyesi i Partive fantazma, që polli Partia e Punës!
Ai asht mendja, mishi dhe zemra e kalbun e Presidentëve tanë, që nga viti 1944…
Ai asht edhe sot udhëheqës i PPSh, Kuvendit Popullor, Qeverrisë dhe Gjykatave…po dhe të gjitha Bankave mbrenda e jashta “Shqipërisë”, sepse, “ay e bëri Shqipërinë…”, dyke mbajtur të varura në portofolet e tij “tituj dhe dekorata” per 70 vjetë robëri e terror:
■Urdhri “Hero Kombëtar”, Titulli “Hero i Popullit”, Titulli “Hero i Punës Socialiste”, Urdhri i Lirisë i Klasit të Parë, Urdhri i Flamurit, Medalja e kujtimit, Urdhri “Ylli Partizan” i klasit të parë, Urdhri i “Skënderbeut” i Klasit të Parë, Urdhri i Trimërisë, Urdhri “Ylli i kuq”, Medalja e Trimërisë, Medalja e Çlirimit, Dekoratë nga Partia Komuniste Italiane me Urdhrin “Ylli Garibaldit”, Dekoratë me Urdhrin “Suvorov” të Klasit të I nga Presidiumi i Sovjetit Suprem të Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike… HAPNI VARRIN E SHIKONI … Aty do ta gjeni dyke shkruar:
■“APROVOHET NDESHKIMI ME VDEKJE…
NA LAJMËRONI DATËN E EKZEKUTIMIT TË TYRE DHE VULLNETIN E FUNDIT. Komandanti i Përgjithshëm Xheneral Kolonel Enver Hoxha d.v.”
■I mbytun në mendime me krye në grushta, me t’u dukë sikur po fliste me vete, ishte një oficer i ministrisë së mbrendshme që kishte punue në arkiv para se të arrestohej… vazhdonte të fliste…: “Jo, asnjëri, nuk dinte se çka kisha të dyllosur tek kasaforta ime…! Kurrë, asnjëri, nuk e ka çelur ate përveç atij që ka punuar para meje në atë zyrë…Edhe ay është zhdukur…e, ndoshta, fatin e tij do kem dhe unë…ti, je i rinj dhe, një ditë do dalësh…si shkodranë, do të besoj…deri ditën që jam arrestuar, në shkurt të këtij viti (1974, shenimi FR}, numuri i të pushkatuarve, të vramve me gjyq e pa gjyq, të mbeturve në hetuesi në tortura, të vdekurve në kampe pune dhe çfarosje, të vdekur në kampe internimi dhe ferma pune, në spitale psiqiatrike dhe çmendira, të vrarë në kufinj dhe reparte pune e ushtarake ose, gjoja të “vetvrarë”…pa shifrën e atyre që Sigurimi ka zhdukur në botën e jashtme, mbasi ata nuk ishin në kasafortën time, shifra ka arritur:
■ 45.000 Shqiptarë pa varr…në tokën e tyre Shqiptare..!
■Dhe, mbi 450.000 Shqiptarë të tjerë, të burgosur, (të riburgosur dy ose tre herë), të internuar, të dëbuar, të zhdukur…që të gjithë vazhdojnë të vuajnë “luftën e kllasave” të diktaturës së Enver Hoxhës, dhe partisë së tij të punës, po kurrë, të Shqipërisë dhe Popullit Shqiptarë..! Mallkuar qoftë ay që i shërben këtij shteti terrorist..!”
■Dijetari i Madh të shkencës së matematikës, i ndjeri Profesor Petro Fundo ka thanë:
“Diktatorë si Enver Hoxha, vazhdojnë për të sunduar edhe pas vdekjes së tyre!..”
Melbourne, Tetor 2015.

Filed Under: Analiza, Histori Tagged With: 100 Tiranet, Fritz radovani, pa Enver Hoxhen

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • …
  • 65
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT