• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ARMËT E DEDË GJO’ LULIT NUK NDRYSHKEN KURRË !

September 18, 2015 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/
Në Malësi të Mbishkodres – Mbas faljes së Sulltanit 1911./
■TË GJITHË KËTA BURRA KANË ARMË…Arma e Tyne ishte Formula “Atdhé e Fé”! /
Prandej edhe fituene! Dokumentat e Fototekës Marubi, ata të arkivuemet në revistat e kohës Leka, Hylli i Dritës, Cirka, Lajmëtari i Zemres së Krishtit etj… Janë thesari ma i  madh që ka Populli Shqiptar per me dokumentue të verteten historike të Shqipnisë.
Edhe pse të gjitha arkivat dhe revistat e ruejtuna nga Kleri Katolik Shqiptar dhe i huej, që në Janarin e vitit 1945, filluene me u plaçkitë nga komunistët e brigadave partizane Sheuqet Peçi dhe Mehmet Shehu, me porosi të sllavokomunistëve jugosllavë, prap sot ai që dishron me thanë e shkrue të verteten e paperçudnueme nga Kongresi mashtrues i vitit 1972, me perpjekje dhe durim mund të “çvarrosi” nga Dheu i gropave nder Malësi, Armët e pandryshkuna të Burrave të Pavdekshem që dhane jeten per Liri t’ Atdheut.
Armët e Atyne Burrave edhe sot tregojnë heroizmin e Shqiptarit per Atdheun!
■A doni të dini se kush ishte Luigj Gurakuqi? Ua tregon këmisha që ruejti Miku i Tij trim Gjon Kamsi…Aty e keni në Muze të Shkodres, se Shtëpia Muze e Luigjit u shemb nga mbeturinat sllavokomuniste e anadollake të “demokracisë” së Ramiz Alisë, që nuk mujti me e pa me sy Luigj Gurakuqin as në “monumentin” e Vlonës, në vitin 1972…
E, Don Nikoll  Kaçorrin mos e kerkoni… Ishte me veladon e Nanë muslimane, antiturk!Imzot Luigj Bumçi na la të shkrueme: “Kah gjysa e mojit të Qershorit 1911, Valija i Shkodrës i atëhershëm z. Mustafa Nedin iu lut Argjipeshkvit të Shkodrës Shk. Tij Emzot Serreqit, me shkue në Podgoricë, me Hot e me Grudë, qi kishin kalue kufinin e dalë në Mal të Zi në kohën e Turgut Pashës, me u thanë atyne qi Mbreti i kishte falë, por të këtheheshin ndër banime të veta e damet qi kanë pasë kishte me u a shperblye.Edhe Argjipeshkvi muer me vedi At Gjergj Fishten e mue, e u nisëm për Podgoricë. Mbas pak kohe qi mërrijtëm atje, Argjipeshkvi më çoi mu në Triepshë me u ndeshë me Malsorët e atij vendi e me u a diftue mesazhin e Mbretit. ZZ. D. Nikollë Ashta e At Mati Prennushi më shoqnuen n’at udhtim, e nji të diele në nadje heret u gjetëm te Kisha e Triepshit. Si u mblodhën Malsorët, dola e si u pershndeta me ta, u thaçë kto fjalë: Z. Argjipeshkvi ka dalë në Podgoricë me u pá me ju, por mbasi ai vetë nuk muejti me ardhë deri këtu, na ka çue né. Ju falet pra me shndet e çon bekimin…
■…Si hîmë n’at odë Ministri u fal me ’ta e u thotë: Zotni kam ardh prei Cetine me ju pa. Dedë Gjo Luli po i pergjegjet: S’na ka pasë marri malli per ty. Mue mu’ dote me i a perkëthye. Si u ulem e ndejëm po i thotë Ministri: Mbreti ju do e ju ka falë. Dedë Gjo Luli nuk e la me mbarue, e me ’i  herë i tha: Mos na përmend Mbretin pse s’kemi punë me te. Aj as nuk na njef as nuk i di punët tona. Por ju qi vini mbas Mbretit jeni të tanë hajna e menafikë, e ju e rrêni si për né si për të tjerët. Pra aj nuk ka shka falë.
Atbotë Ministri siellet kah un e më thotë: Po pyeti kta Zotni at librin e kuq qi kta permendin a e duen për vedi a për të gjith Shqipnin?(Libri i kuq permbante disa pika të cilat i ndieri Luigj Gurakuqi i kishte pregatitë për me ja lypë Mbretit për Shqipni).
■Ministri, i cilli gjatë ktij kuvendi nuk kishte mujtë me mbajtë gjakftoftësinë, u çue mjaft idhnuéshem e më tha: thueji se s’kam me ardhë mâ me i pa.
■Marrë vesht kto fjalë Dedë Gjo Luli, i ndei gadi e i tha: Kurr bojën mos t’a pashim…”
■Imz. Luigj Bumçi, në librin “Nga kujtimet e mija”, Ua ngriti “Monumentin Burrave të Veriut të vitit 1911…” E Ata Burra të Pavdekshem, i keni në foton naltë…
■Me u ruejtë nga ngerrçi asht mirë! Nëse u ka mbetë pak “surrat”,..thoni të verteten!
***
“LIBRI I KUQ PERMBANTE DISA PIKA TË CILAT I NDIERI LUIGJ GURAKUQI I KISHTE PREGATITË PËR ME JA LYPË MBRETIT PËR SHQIPNI.”
Tek libri “Nga Kujtimet e mija”…
■Një Mik i imi, studjuesi Bep Martin Pjetri, me daten 11 Shtator 2015, me dhuroi një Dokument që do ta botoj ma poshtë, per me lexue Rinia Shqiptare nga origjinali ate që  asht kenë nenshkrue në Memorandum të Gerçes me 23 Qershor 1911 …
Njëheri edhe falnderoj Mikun tim, per këte Dhuratë shumë të çmueshme!
***
Mbi vêndimét é dhânuna préj Kuvêndit te pergjitheshem te Krénevét Shqypetare ne Gerçé me 10/23 te Qershorit 1911 Si pergjigjejé te proklamacjonit te
Shéfqét Turgut Pashes
1. – Garantie kundra perseritjés pas sodit [6] te véperimévét é te menyravét antikonstitucjonaré nga ana é Qévéries qéndrore e t’Auktoritétévét vendoré ne te gjithe Shqyperien. Ndérim per te gjitha féet é per zakonét é vjétra te garantuara nga konstitucjoni é te konshakruara nga kanunét e zakonét.
2. – Te njohunit é plote te kjénejes se kombit shqypetar mé atò te dréjta qe kane kombét é t’jéra te Mbréteries.
3. – Lirie te plote per Shqypetaret te zgjédhin pa ndo-nji pengim a ngushtim députétet é véte, numri i te cilevét do t’i pergjigjét popullsies.
4. – Lirie te plote per Shqypetaret te mesohén é te perparojne ne gjuhe te véte, é te thémélojne shkolla shqypé te véçanta é te boteshmé te cilat te kéne te gjitha ato te drejtat qe kane shkollat é Qévéries. Ndérim per te dréjtat qe u jane njohune Krérevét féetare te kershténe per sa i perkèt mesimit ndé shkollat qe jane nen sundimin e tyné.
5. – Organizim i administrimit te Vilajétévét, ku ndodhén Shqypetare, i cili te kéte per thémél nje systéme déqéntralismi administrator, qe t’u pergjégjét névojevét te vêndit é zakonévét te vêndasvét, é qe t ’afrojne rrégullat é pergjitheshmé t’administrimit te njohuna préj konstitucjonit mé praktikat é konshakruara préj kohes ne disa visé.
6. – Te zgjédhunit é Valinjvét é te tjérevé nepunes te larte te shtétit nde  mést mâ te mirevét é mâ te vjéfshemvet zyrtare te shtetit [7]  tué pelqyé mâ téper atà qe dijne gjuhen é zakonét é véndit. Emnim i te tjerevé nepunes civile é financjére é te gjygjetarevét nde mést t’atyné qe jane shqypetare é qe te kéne cilesiét é njohesiet é lypuna. Xhéndaret é agjéntét é policies ashtu édhè nepunesit t’jére te zgjidhén nde mést mâ te zotevét nga njérezit é véndit.

7. – Emnim i nje perfaqsonjesi te Sulltani si inspektor i pergjitheshem per nje périudhe vjétesh mé barren qe te shekonje te vuemit bésnikisht n’udhe te nomit organik te mbaruarit é detyres se Valinjvet é te t’jérevét nepunes, é té mbajtunit é qétesies é te harmoniés nde mést t’éléméntévét te ndryshmé éthniké qe ndodhén nde Vilajétét bashkarisht.
8. – Perdorim i gjuhes shqype nde marrevéshjét nde mést te t’administruarvét é t’administratorevét te vêndit, é nde kuvêndét é gjykimét perpara gjygjévét per krah mé turqishtén qe âsht é mbétét gjuha zyrtaré e
qévéries qendroré.
9. – Sherbim ushteriak i detyreshem per te gjithe Shqypetaret mé systéme skânjésh(systéme de cantonnement), ne kohe paqi; é nje organizim té veçante per vêndasit é visévét qe ndodhén ne kufî te Shtétévét Balkaniké, tué u dhâne léhtesien qe te munt te bâjne sherbimin ne vênt é te ruajne shegurien e kufinjvét. Ushtaret do t’a kéne te liir sherbimin é besevét te tyné
é te mbajtunit é zakonévét te véta.
10. – Te lidhunit per névojet é vèndit te te gjitha t’ardhunavét, pervéç sé atyné te Gjym – [8] rykut, te Postes é te Télégrafes, te Duhanit, te Shpirtravét, é te Pullavét, te cilat jane dhâne per disa sherbimé te véçanta.
Te lânunit per ndertim udhash, é hékurudhash me nderâshtjé vêndoré é per mbajtjén é shkollavet te boteshmé te nje pjésè te téprices t’ardhunavét te permenduna sypri ashtù é dhé te te gjitha pagésavét per udha, te pagéses shtimoré per mesim é te 3 % te se dréjtes se hyrjés.
Tu njihet komunévét é dréjta é te prérit dréjt per se dréjti osé mé anen é t’jérevé, te pyjévet te véndit me detyre per komunét mé marre per barre ruajtjén é tyné, mé rregulluar te prérit, pas urdhnavét téhnike, é mé i paguar fiskut nje pagése qe do te shênjohét pas llojit te drunjvét é pas largimit te pyllit nga limani osè nga vêndi i shitjés.
11. – Te dréjta per Keshillat é pergjitheshmé te munt te japin vêndimé mbi budgétin é Vilajétévét é te bâjne kontroll te prishunat.
12. – Kerkim i fundévét te névojeshmé qe te shegurohét mbledhja é te te hollavét qe lypsén per goditjén rishtazi te shtepiavét é te ndertésavét te djéguna; e thémélim i nje komisjoni te perziém(comission mixte) é te mosvarme qe te véshtronje kethimin ne vênt te njéresvét te dâmtuare é goditjén é shtepiavét te djéguna.
Te kthéhén armet e marruna me detyre per atà qe i mbajne qe t’i shtarohen kanumit te posaçem.
(U riprodhue krejt tekstualisht si âsht në librin e kuq)
Shenim (B.M.Pjetri): Marrë prej faqeve 9 – 13 të Revistës ”Leka”, Nr. 1 – kallenduer 1937.
Melbourne, Shtator 2015.

Filed Under: Histori Tagged With: Armet e Dede Gjo Lulit, Fritz radovani

KUR KENI NGERRÇ… MOS SHKRUENI PER GERÇË !

September 13, 2015 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

1911-■Tkurrja e menjëhershme e një muskuli ose e një grupi muskujsh shoqnue me dhimbje të forta quhet ngerrç… Asht shumë i perhapun nder “historianë” dhe “letrarë” antigegë!..

Asht i njohun që në kohen e osmanllijve, dhe asht shfaqë ma shumë nder Male të Veriut, kryesisht në Hot e Grudë aty nga viti 1911… Kur zehej me gojë Deçiqi, kishte turqë që iu shtremnonte fëtyra nga ngerrçi i muskujve të surratit… E vazhdoi ajo gjendje perçudnimi edhe me ngerrçin e Gerçës, e besa, disave edhe sot kur zehet me gojë Luigj Gurakuqi në Vlonë ose Bajram Curri në Dragobi… Gjuhtarët e shkrimtarët janë me ngerrç që në 1972. Të mos largohemi nga tema e Kuvendit e Memorandumit të Gerçës 10 – 23 Qershor 1911.

■Ma parë e ma dalë…Merrni harten e Shqipnisë dhe shihni ku bjen Gerça! Jeni mundue me fshijë Bratilen, Kelmendin, “Beslidhjen e Veriut”, “Kanunin e Lekë Dukagjinit”, “Kanunin e Skenderbeut”… E tashti, si per tjerat po punohet me fshij nga faqet e Historisë së Lavdishme të Maleve të Veriut edhe “Memorandumin e Gerçës”…

E pra, ky Memorandum 104 vjet perpara asht thirrë “Libri i Kuq” nga kopertinat.

■Ishte data 10 Qershor 1911, pra dy muej mbas 6 Prillit 1911 në Bratilen e Dedë Gjo’ Lulit,

kur At Mati Prennushi, hapi në dy kapakë dyertë e çeles së Tij në Gerçë, për miqtë e vet

të shtrenjtë e besnikë me të cilët e lidhte përjetsisht Formula “Atdhé e Fé”, per të cilen

ishin gati me ba vdekjen si me lé! Nana Drande e At Matisë ishte në kambë me ua gatue

buken dhe me ua shtrue sofrat Burrave të Malësisë që ishin tek Frati si në shtëpinë vet!

Armët Ata i kishin të varuna tek Dera e çelës, ashtu ishte rregulli i Kuvendit të Burrave.

Klerikët dhe miqtë ishin në krye të vendit, mandej rreshtoheshin Burrat e Malësisë së

Veriut ashtu si kishin rregullat e veta simbas Kanunit. Memorandumi i Gerçës (ose Libri

i Kuq) asht nënshkrue me datën 23 Qershor 1911, dhe në Hymje ka këte tekst në dy

gjuhë, Shqip e Frengjisht: “MEMORANDUM mbi vendimet e dhanuna prej Kuvendit të

pergjithëshem të Krenëvet Shqyptarë në Gerçë me 10/23 të Qershorit 1911, si përgjigjëje

të reklamacjonit të Shekjet Turgut Pashës.” Firmojnë: Sokol Baci (Grudë), Dedë Gjo

Luli (Hot), Dedë Nika (Grudë), Dodë Preçi (Kastrat), Tomë Nika (Shkrel), Cal Dedi

(Selcë), Lulë Rapuka (Vukel), Llesh Gjergji (Nikç), Gjeto Mark Ujka (Hot), Mehmet

Shpendi (Shalë), Avdi Kola (Gimaj), Nikë Mëhilli (Shllak), Tup Çuni (Prekal), Binak

Lulashi (Toplanë), Bash Bajrami (Nikaj) dhe Bek Delia (Dukagjin).

■Ky dokument u asht paraqitë Kuvendit të Krenëve të kryengritjes i shkruem me një

gjuhë të përbashket Gegënisht dhe Toskënisht nga Luigj Gurakuqi, i cili ishte nder të

paktit letrarë Shqiptarë që dinte me i shkrue dhe me i folë pa vështirësi. Qellimi ishte që

këte Memorandum shumë shpejtë ta përkrahte edhe Shqipnia e Jugut, ashtu si ngjau.

■Të pranishem aty ishin edhe Klerikët Katolik Shqiptar të atyne krahinave, tue fillue nga

i zoti i shtëpisë At Mati Prennushi, organizator i këtij takimi me Ipeshkvijtë e njohun

Imz. Luigj Bumçi e Imz. Lazer Mjedja, që kanë ndihmue edhe në përgatitjen e tekstit.

Aprovimi ishte marrë edhe nga Imz. Jakë Serreqi, Argjipeshkëv i Shkodres. Ishin aty të

pranishem Fretnit: At Buon Gjeçaj O.F.M. Famullitar i Grudës; At Luigj Bushati O.F.M.

Famullitar i Traboinit; At Karlo Prennushi O.F.M. Famullitar i Vuksanlekaj; At Lorenc

Mitroviq O.F.M. Famullitar i Bajzës Kastratit, të njohun si Atdhetarë per Pavarësi.

■Memorandumi pat jehonë në të gjitha Trojet tona tue perfshi edhe Arbëreshët e Italisë.

■Memorandumi ju dorzue perfaqsuesit turk në Cetinë me 25 qershor 1911 nga Këta

Perfaqesues të Kuvendit: Ded Gjon Luli (Hot), Sokol Baci (Grudë), Dod  Preçi (Kastrat),

Prekë Gjetja (Kelmend) dhe Luigj Gurakuqi (Shkoder). Nga Kujtimet e Imz. Luigj

Bumçit kemi një dokument me randësi që tregon se kur “Perfaqsuesi” turk në Cetin,

Sadredin Beu e pyetë Dedë Gjo’ Lulin se, “a i dueni për vete a për gjithë Shqipninë pikat

e “Librit të Kuq”? – I Madhi prijës i Kryengritjes së Malësisë Dedë Gjo’ Luli i ishte

pergjegjë: “Ato pika që janë në Librin e kuq  i dona ma parë për vedi, e mandej, për

Shqipninë  mbarë!..” E fjala mori dheun…

■Gazeta e parë që botoi Memorandumin ishte ajo Austriake  “Neue Freie Presse” e

Vjenës, që ka shkrue  12 kerkesat që me 25 qershor 1911, vetëm dy ditë  mbas perfundimit

të Kuvendit në Gerçë.

■Gazeta e dytë  që i bani jehonë Memorandumit me 12 kerkesat e Shqiptarëve të Veriut,

ishte ajo franceze “Le Moniteur Oriental” me daten 26 qershor 1911.

■Me 6 korrik 1911, Gazeta e Shkupit “Vardar” boton të plotë Memorandumin e Gerçës..

■Gazeta “Corriere d’ Italia” njofton per Memorandumin e  Gerçes  me 12 korrik 1911, se:

“Memorandumi asht një program politik që shkëputë Shqipninë nga Turqia…”

■Kuvendi i Gerçës nuk kishte mbetë jashtë vemendjes së komuniteteve Shqiptare në

Bullgari, që botojnë “Librin e Kuq” në gazetën e tyne “Liri e Shqipërisë” në Sofje, me

datat 7 e 20 korrik 1911. Gjithashtu Arbëreshët e Italisë e botojnë italisht në Gazeten e

tyne “La  Nazione Albanese” Memorandumin e plotë, që plotsohej edhe me komente

shumë shpejtë nder shumë gazeta italiane…

■Nuk vonojnë Vlona, Gjinokastra e shumë qytete të tjera të Trojeve Shqiptare, me botue

dhe me publikue “Memorandumet” e veta per Pavarsinë e plotë të Shtetit Shqiptar.

Krasniqe e Tepelena me Malësitë e Gjakovës edhe Durrësi, rrokin armët e Lirisë…

Çohet në kambë Mirdita e Don Nikoll Kaçorrit, e mbas Tij Shqipnia e Mesme… Nuk rri

pa u pergatitë as Gjin P. Pervizi e as Isa Boletini, as Hasan Prishtina e as Bajram Curri…

■Memorandumi i Gerçës i paraprinë Pavarsisë së gjithë Shqipnisë, në Vlonen Heroike të

ditës së 28 Nandorit 1912! Shqipnia u shpall Shtet i Pavarun nga Turqia!

***

■Këta Emna Shqiptarësh të Nderuem, shumica nuk janë fare në Historinë e Shqipnisë!

Si rrjedhim, ajo “Histori” e shkrueme pa ngjarjet e Maleve tona të vitit 1911, mund të jetë

e anadollakëve të paraviteve 1912, e esadistëve ase trashigimtarëve të Bristolit, pasuesve

vrasës të Haxhi Qamilit… Mbas vitit 1944, disa anadollakë per me ua ba qejfin fqinjëve

sllavokomunistë që na rrethojnë, kanë fallsifikue Historinë, e kanë shtremnue si e kanë

kerkue ata, e as sot mbas 25 vjetësh “shpresa demokracije” nuk po ndigjojnë me e

rishkrue ashtu si asht e verteta. Edhe “vëllezërit e gjakut me turq”…po i sherbejnë atyne!

■Asht “ngerrçi” që vazhdon sot me tkurrë muskujt e “dr. prof. e akademikëve” tanë…

Melbourne, Shtator 2015

Filed Under: Opinion Tagged With: Fritz radovani, Memorandumi i Gerces

POPUJT “PA HISTORI” JANË PLOT ME “HISTORIANË”…

September 3, 2015 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/*
■Ndër Popujt e Europës, Shqiptarët janë prej kombësive ma të vjetra të kontinentit!
“Historianë” kemi me tretë, po “Histori” të shkrueme… “ata” thonë se, “nuk kemi”!
■Pak e aspak shtete kanë figura të mëdha e të njohuna sa Gjergj Kastrioti, Nana Tereze e Ibrahim Rrugova… E ndoshta, lakmia e atyne që dishrojnë me i pasë për vete na ka ba me u perçudnue deri në këte shkallë, sa “historinë” me e shkrue injorantët, tradhëtarët, fallsifikatorët, antishqiptarët ose ma keq se këta: Filo… Vazhdoni ju, se nuk dij ku kemi fillue e ku asht fundi i tyne, që as në Kinë, nuk besoj se ka kaq sa tek ne “antiatdhetarë”!
Hapim sytë me lexue çka kanë shkrue të huejtë per historinë tonë të lavdishme…
■Monumenti i Heroit Kombtar Gjergj Kastrioti sot asht në shumë shtete e vende të tjera, në Londer, Gjenevë, Bruksel, New York, Romë, Budapest, Vienë, Spanjë… Munxhufuni (Montecilfone) Itali, që as nuk e dij ku asht ky vend i banuem me Arbëreshë!!
■Vetem të huejtë shkruejn sakt per Nanen Tereze, kur u nderue me çmimin “Nobël”, dokumenti kishte të shkrueme gabim kombësinë “jugosllave”. Ajo e pau dhe, Ua këthej atyperaty per me e korrigjue tue U thanë: “Unë jam kombësi Shqiptare, se kam le në Shtetin Shqiptar!” Dhe, menjëherë Dokumenti u korrigjue ashtu si u tha Nana Tereze.
■Familja, Qyteti dhe Shteti, janë Familja e Madhe per të cilen na mësoi Nana Tereze, asht tue thanë në këte moment Papa Françesku…(30 Gusht 2015, ora 18.20 Melbourne)…
■Kosova asht e lirë! Liria e Dardanisë Shqiptare asht meritë vetem e Nanës Tereza dhe e Ibrahim Rrugovës, e këte nuk e kam thanë unë po, Ua ka shpjegue Presidenti Klinton!
“Nanë Tereza, ishte e para Ajo që më bani ta due kombin Shqiptar. Dhe tashti ndihem shumë krenar që e plotësova një detyrë morale ndaj Saj dhe ndaj vlerave të lirisë”, ka deklarue Bill Klinton mbas ndërhymjes së NATO-s për çlirimin e Kosovës.
■Ka shumë antishqiptarë që shkruejnë “Historinë e Shqipnisë” pa zanë me gojë fare një nga Figurat ma të Mëdha të Popullit Shqiptar, Heroin e Pavdekshem të Hotit dhe të Flamurit të Gjergj Kastriotit të 6 Prillit 1911, Dedë Gjo’ Lulin…Kujtojnë se “lavdia e tyne” filloi me 28 Nandor 1912 në Vlonë, tue u kremtue në Shqipni, Kosovë e Maqedoni…
Harrohet Hoti e Gruda, e aq ma keq Çamëria e Trojet tona… që po i sundon greku!
Kur u ngrit Flamuri në Vlonë, “…Ishte menduar nga Ismail Qemali, që Shqipëria të vazhdonte për të qenë dhe pas vitit 1912 autonome në suazen e Perandorisë Osmane.” Edhe mbledhja e përfaqësuesve të kolonive Shqiptare të ShBA-së, që u ba në Boston më 6 tetor 1912, duke “… marrë në sy atë që po mundet Turqia, e që shtetet e Ballkanit do ta ndajnë Shqipërinë në mes tyre”, deklaronte: “Është detyrë e atdhetarëve shqiptarë të jenë plotësisht të bashkuar me guvernën (qeverinë – shën. i aut.) otomane kundër armiqve të Mbretërisë”. Ndonëse frymëzohej nga qëllime patriotike, qëndrimi i kolonive shqiptare të ShBA-së përmbante në vetvete një rrezik të madh për vendin. Përkrahja pa kushte që shqiptarët do t’i jepnin Turqisë në luftën kundër Aleancës Ballkanike do të sillte si pasojë që Shqipëria të pësonte të njëjtin fat që do të pësonte Turqia në Ballkan dhe do t’u jepte një argument të fortë qeverive të Aleancës Ballkanike për të mbrojtur përpara opinionit publik ndërkombëtar planin e copëtimit të Shqipërisë si një provincë e thjeshtë turke…” Po këte a e dijnë “historianët” tanë?!
■Luigj Gurakuqi pa ju tutë fare syni, nuk priti po, nxori patllaken dhe u tha delegatëve: “Pa u ngritë sot Flamuri, asnji nuk dalim të gjallë nga kjo shtëpi!..”
(Shikoni me kujdes foton në balkon ku, Luigji vazhdon me kenë me dorë në xhep…) Guximi i Gurakuqit lidhet edhe me besnikrinë e Trimit të Kosovës Isa Boletini, i cili me 300 Burra të armatosun kishte rrethue Sheshin ku menjëherë u ngrit Flamuri…
■Kjo asht arsyeja që edhe Luigj Gurakuqi duhet “harrue”, se Ky asht Ai që “na prishi me vëllezërit e gjakut turqë të vjeter e të rinjë, se me sllavë as nuk bëhët fjalë…”
■Presidenti i Shqipnisë e ka gjetë zgjidhjen: “Bustit të Skenderbeut i ka vue rrota…”
■Tradhëtarët pranojnë injorancen e idjotsinë per hirin e titujve “dr, prof, e akademikë”!
Ka shkue puna e “historisë” sonë per turp, sa per Figuren e Gjergj Kastriotit me diskutue në TVSh… njëfarë turkeshet Djana Kastrati, nga brezi i “turqëve të rijë” per të cilët, ka shkrue i Madhi Prof. Arshi Pipa… “Turqit e rij të Shqipnisë së Re” “Adriatiku” 1992:
■I.Pushtimi i gjatë i Shqipnisë nga Turqit la mbresa të pashlyeshme në mendësinë dhe kulturën e kombit shqiptar…Mbasi systemi politik i perandorisë shumëkombëshe otomane bazohej në fenë islame dhe tue qenë se shqiptarët ishin nji grup ethnik i privilegjuem në perandorinë otomane për arsye t’islamizimit të tyne në masë, Turqit e Rij shqiptarë e panë të volitshme me kufizue kërkesat e tyne te ideja e krijimit të nji Shqipnie autonome në suazën e perandorisë otomane. Kjo Shqipni do të përmblidhte katër vilajetet e Shkodrës, Kosovës, Janinës dhe Manastirit, që përbajshin pjesën ma të madhe të trojevet otomane n’ Europë. Po shënojmë këtu, në kalim e sipër, se ideja e autonomisë nuk ishte aspak popullore në Kosovë, mbasi kosovarët n’atë kohë vazhdojshin me qenë besnikë të Sulltanit, që ata e quejshin “baba mbret”…
■Tue raportue mbi kto ndeshje në revistën Albania Faik Konica shkroi çka vijon: “Na duhet të luftojmë Turqit e Rij që janë personifikim i kulshedrës në përrallat popullore. Por nëse nesër marrin prap pushtetin turqit e vjetër, atëherë le të sillemi kundër tyne. Vërtet se ka disa burra të mirë mes tyre. Por të rij ose të vjetër, turqit janë turq, dmth janë, si thotë fjala latine, “bukë e nji mielli (ejusdem farinae)”.
■…Tjetër faktor i përbashkët asht oportunizmi i të dy palëve: stalinistat shqiptarë renegatë mohuen hoxhanizmin n’emën të demokracisë pa qenë ata vetë demokratë po ashtu si Turqit, që çuen krye kundër Sulltanit n’emën të liberalizmit dhe nuk ishin ata vetë liberalë… Nji tjetër gjasim asht se të dyja kto lëvizje disidente nuk ishin fillime por vazhdime. Turqit e rij ecën në vazhdën e liberalëve turq të mërguem, ndërsa revolta e shqiptarëvet stalinista qe shprehja finale e disidencës partiake që ka nji histori të gjatë.
■Turqit e Rij shqiptarë nuk rrezikuen asgja tue kalorue valën revolucionare të nisun nga studentat dhe të çueme përpara nga grevat e punëtorëvet.
■Sa do të zgjasë sundimi i tyne?
Turqit e Rij humbën vrullin e tyne revolucionar mbas katër vjetësh. Sundimi i PD-së ka gjasë mos me qenë aq i gjatë. Udhëheqsit e saj kanë ba shumë poterë me akuzat e tyne kundër komunistëvet të Hoxhë-Alisë, tue ba popullin me besue se, t’ardhmen ata në fuqi, do të hapnin gjyqet. Por këte ata nuk do t’a bajnë tashnjiherë, mbasi hapja e dosjevet të Sigurimit mund të jetë kompromentuese për së paku disa prej tyne.”(Ne vijim te rubrikes;Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë…)
■Historia nuk mund të shkruhet nga “ata” që e kanë fallsifikue dhe shtremnue…
Melbourne, Shtator 2015.

Filed Under: Analiza Tagged With: Fritz radovani, plot me historiane, Popujt pa histori

DON PASHKO MUZHANI

August 26, 2015 by dgreca

Në 100 vjetorin e lindjes…/
NE FOTO: DON PASHKO MUZHANI (1915 – 1995)/
Nga Fritz RADOVANI/
■Don Pashko Muzhani asht le me 31 Janar 1915 në fshatin Mushan të Shkodres.
Kur ishte dhjetë vjeç familja e Tij erdhi në Shkoder ku, Pashkoja, mori mësimet e para.
Në vitin 1931 ndjekë Seminarin Papnuer të Arkidioqezit të Durrësit, prej ku, me 1937 ka vazhdue studimet e nalta në Propaganda Fide në Romë, dhe me 29 Qershor 1942 ka thanë edhe Meshen e Parë. Porsa erdhi në Shqipni u emnue zevendësfamullitar i Tiranës pranë Don Shtjefën Kurtit. Vazhdon famullitar në Zheji deri në vitin 1947, kur e marrin me krye sherbimin ushtarak… Një nga mënyrat e zhdukjes së disa klerikëve katolik…
■Me daten 25 Gusht 1948, arrestohet diten që do të lirohej nga sherbimi ushtarak, pra kështu Don Pashko fillon Kalvarin 15 vjetë si “armik i Popullit”, tue u akuzue se “ka mësheh një pistoletë nder fletët e Ungjillit”… Kush ka vizitue në Shkoder mbas vitit 1970 “Muzeun Ateist”, të ngritun nga R. Alia ka pasë mundësi me e pa aty të ekspozueme. Autori i këtij krimi që ka futë revolverin në fletët e preme të Ungjillit, ka shkue në Moskë dhe mbasi ka krye studimet atje, asht kenë kryeredaktor i gazetës “Bashkimi”, si një “sherbëtor besnik i sigurimit shtetit”… emnin e të cilit, Don Pashko, nuk e ka tregue as mbas viteve 1990, mbasi kështu i kishte premtue kur e “ka falë” kriminelin e vet.
Don Pashko bani dhjetë vjetë burg nder kampe shfarosje dhe u lirue në mars 1958. Nuk Ju dha e drejta me sherbye si Klerik edhe pse Argjipeshkvia e Durrësit e emnoi në Zheji sepse, nuk firmosi “Statutin e Kishës Katolike” të 1951. Mos me rrezikue njerzit e vet punoi punë të randa dhe banoi në shtëpinë e Shaqe Kadares, pranë Kishës së Arrës së Madhe. Edhe pse ishte i sëmurë mbas vitit 1991 porsa u rihapën Kishat, Don Pashko shkoi nder disa Kisha të shkatrrueme të Durrësit, ku ndihmoi edhe rindertimin e tyne.
Ka vdekë në vitin 1995 në Famullinë e Tiranës, i knaqun nga vizita e Papës Gjon Pali II në Shqipni në Prill 1993, kur pat fatin edhe me u takue me Papen në Shkoder.
■Don Pashko Muzhani ishte nder Klerikët e nderuem të Kishës Katolike Shqiptare dhe për këte Ai asht perndjekë edhe mbas dënimit me akuzen fallco të “mbajtjes së armës”. Motivacioni i Imz. Vinçenc Prennushit kur emnoi Don Pashkon pranë Dekanit Tiranës, Famullitarit Don Shtjefen Kurti (i pushkatuem në vitin 1971), ishte ky: “…Jam kah ta porosis e due të gjejë me ty, ky meshtar i ri i Arkidioqezës sonë nji drejtues të përzemert, nji Famullitar gjithë dashni e gjithë kujdes; i sigurt se edhe Don Pashkoja ka me dijtë me i pergjegjë asaj mirsije e ka me të dalë krah i djathtë nder të gjitha veprimet e shumta qi lypë ajo Zyrë. Shndet e bekim…” (Imz. V. Prennushi, 6 Gusht 1942, Nr. 348/42, Tiranë).

■Ishte viti 1966 kur hapa Ekspoziten e pikturës (ndoshta e vetmja) pranë Klubit Vllaznia.
Në një mbasdreke të bukur nga fundi i muejt qershor, ishe krejt vetem kur shoh në hymje të Ekspozitës tre Klerikë të njohun që po vinin me vizitue buzagaz… Po u printe piktori i njohun, i lauruem në Siena t’Italisë At Gegë Lumaj, dhe mbas Tij Don Nikoll Mazrreku, letrar i madh dhe artist i vertetë. I treti ma pak i njohun per mue ishte Don Pashko Muzhani, fjalëpak dhe i saktë në gjykimet artistike. Ndoshta, ajo vizitë e asaj ditë ishte nder ma të bukrat dhe ma mbreslanset per mue, mbasi rezultati i “provimit” para Atyne artistëve mbet i pashlyeshem pergjithmonë në kujtesen time. Shenimi në librin e pershtypjeve ishte ky: “Nji ekspozitë dinjitoze nder të paktat që kemi vizitue në qytetin tonë historik, me punime grafike prej piktorit Fritz Radovani. Firmat”.
Mbas pak ditësh erdhën edhe në shtëpi per urime… Në shtëpi u knaqën kur ua tregova punimin e “Krishtit të vdekun”, një grafikë e punueme në vitin 1961 dhe, që në vitin 1993, u vendos në kopertinen e librit “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare 1944 – 1990” që Ju dhurue Papës Gjon Pali II, me rasën e vizitës në Shkoder. Kalueme orë të bukra!
■Me datën 28 Qershor 1966 ishim per darkë naten e Emnit tek Prof. Petro Fundo, ku perveç tre Klerikëve të siperm ishte edhe Don Mark Hasi, Prof. Gasper Ugashi dhe disa vetë të tjerë që koha pasuese nuk na dha mundësi me u mbledhë kurrma bashkë!
■Ndoshta, Ju duket e pabesueshme…Po, per orë të tana që kalueme në atë darkë tek Profesor Fundo, mësallat që kishim perpara na u nevojitën me fshij lotët nga humori i hollë e i mrekullueshëm i At Gegës, “thumbave” të Don Nikollit, seriozitetit Don Markut dhe ironisë së Don Pashko Muzhanit! Prof. Gaspri dhe Fundo i hoqen fare gjyslykët…
■Asht vështirë me u shlye nga kujtesa kujtime të këtilla!
■Ishin Burra të mëdhej e të dijtun, prej të cilëve mësueme shumë!
Melbourne 2015.

Filed Under: Histori Tagged With: DON PASHKO MUZHANI, Fritz radovani

PUNA E PENDIMIT

August 14, 2015 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/*
O Zoti im,/
po më vjen keq me gjithë zemër për të gjitha mëkatet që i kam ba./
Se kam bjerrë Parrizin dhe kam meritue ferrin./
Por më fort se të kam fye Ty, o E Mira e pambarueme,që kaq fort më ke dashtë./
Mëshirë, o Zot!/
Më fal, o Zot!/
Po të jap fjalën, me ndihmën Tande, që mos me Të fye ma kurrë!/
Ashtu kjoftë!/
Ne Foto: “DY RRUGËT E JETËS” Pikturë nga Kolë IDROMENO/
HAPNI DOSJET !
Po filloj maparë me “ata” që e kuptojnë ma mirë se të tjerët këte veper të Kolë Idromeno!
Artistët tanë që pak frika e ma shumë karrierizmi i detyroi me ndjekë rrugen e “dytë”, që i zbriti poshtë…dhe po e vazhdojnë disa prej tyne edhe sot, asht mirë të Pendohen…
HAPNI DOSJET !
Shikoni pak rrugen e “dytë” që keni zgjedhë atëherë kur keni votue në sallen e Kuvendit Popullor ligjët e interrnimit fëmijëve, apo pushkatimet e varjet e Atdhetarëve tanë, dhe të “shokve” tuej…vetem se kanë dashtë me gjithë zemer Atdheun dhe Lirinë e Tij…
HAPNI DOSJET !
Shikoni firmat tua… Dhe, mendoni mirë per ke keni punue! Veprat e perkthyeme të jueja janë helmi i Tiranit, që ju i keni shpernda mbarë Botës! Ju ishit thimci i Stalinit, Enverit, marksizmit, diktaturës, terrorit, masakrave, torturave, pushkatimeve dhe varjeve…ju keni
çue fëmijët prej gjiut me vdekë nder kampet e shfarosjes… ju keni zhytë pleqët në baltë!
HAPNI DOSJET ! Këtheni nga rruga që jeni tue vazhdue! Pendohuni! Jeni vrasës!
Bani Punen e Pendimit, sa nuk ju asht fikë ora e zezë e jetës suej! PENDOHUNI !..
Melbourne, Gusht 2015.
*Nga rubrika:Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë…

Filed Under: Opinion Tagged With: Fritz radovani, Hapni Dosjet, Puan e pendimit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • …
  • 65
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT