Në 100 vjetorin e lindjes…/
NE FOTO: DON PASHKO MUZHANI (1915 – 1995)/
Nga Fritz RADOVANI/
■Don Pashko Muzhani asht le me 31 Janar 1915 në fshatin Mushan të Shkodres.
Kur ishte dhjetë vjeç familja e Tij erdhi në Shkoder ku, Pashkoja, mori mësimet e para.
Në vitin 1931 ndjekë Seminarin Papnuer të Arkidioqezit të Durrësit, prej ku, me 1937 ka vazhdue studimet e nalta në Propaganda Fide në Romë, dhe me 29 Qershor 1942 ka thanë edhe Meshen e Parë. Porsa erdhi në Shqipni u emnue zevendësfamullitar i Tiranës pranë Don Shtjefën Kurtit. Vazhdon famullitar në Zheji deri në vitin 1947, kur e marrin me krye sherbimin ushtarak… Një nga mënyrat e zhdukjes së disa klerikëve katolik…
■Me daten 25 Gusht 1948, arrestohet diten që do të lirohej nga sherbimi ushtarak, pra kështu Don Pashko fillon Kalvarin 15 vjetë si “armik i Popullit”, tue u akuzue se “ka mësheh një pistoletë nder fletët e Ungjillit”… Kush ka vizitue në Shkoder mbas vitit 1970 “Muzeun Ateist”, të ngritun nga R. Alia ka pasë mundësi me e pa aty të ekspozueme. Autori i këtij krimi që ka futë revolverin në fletët e preme të Ungjillit, ka shkue në Moskë dhe mbasi ka krye studimet atje, asht kenë kryeredaktor i gazetës “Bashkimi”, si një “sherbëtor besnik i sigurimit shtetit”… emnin e të cilit, Don Pashko, nuk e ka tregue as mbas viteve 1990, mbasi kështu i kishte premtue kur e “ka falë” kriminelin e vet.
Don Pashko bani dhjetë vjetë burg nder kampe shfarosje dhe u lirue në mars 1958. Nuk Ju dha e drejta me sherbye si Klerik edhe pse Argjipeshkvia e Durrësit e emnoi në Zheji sepse, nuk firmosi “Statutin e Kishës Katolike” të 1951. Mos me rrezikue njerzit e vet punoi punë të randa dhe banoi në shtëpinë e Shaqe Kadares, pranë Kishës së Arrës së Madhe. Edhe pse ishte i sëmurë mbas vitit 1991 porsa u rihapën Kishat, Don Pashko shkoi nder disa Kisha të shkatrrueme të Durrësit, ku ndihmoi edhe rindertimin e tyne.
Ka vdekë në vitin 1995 në Famullinë e Tiranës, i knaqun nga vizita e Papës Gjon Pali II në Shqipni në Prill 1993, kur pat fatin edhe me u takue me Papen në Shkoder.
■Don Pashko Muzhani ishte nder Klerikët e nderuem të Kishës Katolike Shqiptare dhe për këte Ai asht perndjekë edhe mbas dënimit me akuzen fallco të “mbajtjes së armës”. Motivacioni i Imz. Vinçenc Prennushit kur emnoi Don Pashkon pranë Dekanit Tiranës, Famullitarit Don Shtjefen Kurti (i pushkatuem në vitin 1971), ishte ky: “…Jam kah ta porosis e due të gjejë me ty, ky meshtar i ri i Arkidioqezës sonë nji drejtues të përzemert, nji Famullitar gjithë dashni e gjithë kujdes; i sigurt se edhe Don Pashkoja ka me dijtë me i pergjegjë asaj mirsije e ka me të dalë krah i djathtë nder të gjitha veprimet e shumta qi lypë ajo Zyrë. Shndet e bekim…” (Imz. V. Prennushi, 6 Gusht 1942, Nr. 348/42, Tiranë).
■Ishte viti 1966 kur hapa Ekspoziten e pikturës (ndoshta e vetmja) pranë Klubit Vllaznia.
Në një mbasdreke të bukur nga fundi i muejt qershor, ishe krejt vetem kur shoh në hymje të Ekspozitës tre Klerikë të njohun që po vinin me vizitue buzagaz… Po u printe piktori i njohun, i lauruem në Siena t’Italisë At Gegë Lumaj, dhe mbas Tij Don Nikoll Mazrreku, letrar i madh dhe artist i vertetë. I treti ma pak i njohun per mue ishte Don Pashko Muzhani, fjalëpak dhe i saktë në gjykimet artistike. Ndoshta, ajo vizitë e asaj ditë ishte nder ma të bukrat dhe ma mbreslanset per mue, mbasi rezultati i “provimit” para Atyne artistëve mbet i pashlyeshem pergjithmonë në kujtesen time. Shenimi në librin e pershtypjeve ishte ky: “Nji ekspozitë dinjitoze nder të paktat që kemi vizitue në qytetin tonë historik, me punime grafike prej piktorit Fritz Radovani. Firmat”.
Mbas pak ditësh erdhën edhe në shtëpi per urime… Në shtëpi u knaqën kur ua tregova punimin e “Krishtit të vdekun”, një grafikë e punueme në vitin 1961 dhe, që në vitin 1993, u vendos në kopertinen e librit “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare 1944 – 1990” që Ju dhurue Papës Gjon Pali II, me rasën e vizitës në Shkoder. Kalueme orë të bukra!
■Me datën 28 Qershor 1966 ishim per darkë naten e Emnit tek Prof. Petro Fundo, ku perveç tre Klerikëve të siperm ishte edhe Don Mark Hasi, Prof. Gasper Ugashi dhe disa vetë të tjerë që koha pasuese nuk na dha mundësi me u mbledhë kurrma bashkë!
■Ndoshta, Ju duket e pabesueshme…Po, per orë të tana që kalueme në atë darkë tek Profesor Fundo, mësallat që kishim perpara na u nevojitën me fshij lotët nga humori i hollë e i mrekullueshëm i At Gegës, “thumbave” të Don Nikollit, seriozitetit Don Markut dhe ironisë së Don Pashko Muzhanit! Prof. Gaspri dhe Fundo i hoqen fare gjyslykët…
■Asht vështirë me u shlye nga kujtesa kujtime të këtilla!
■Ishin Burra të mëdhej e të dijtun, prej të cilëve mësueme shumë!
Melbourne 2015.