
Mësuesi Besnik Ademi: “Një diasporë e organizuar është më e respektuar dhe më e aftë të kontribuojë si për vendin ku jeton, ashtu edhe për atdheun e origjinës”.
Intervistoi: Sokol Paja
1. I nderuar z. Ademi, cili është historiku i Shkollës Shqipe në Slloveni?
Historia e Shkollës Shqipe në Slloveni nuk mund të ndahet nga historia e organizimit kulturor dhe atdhetar të shqiptarëve në këtë vend. Ajo është pjesë e një përpjekjeje shumëvjeçare për ta ruajtur gjuhën shqipe në një mjedis të ri shoqëror dhe për t’ua përcjellë brezave të lindur jashtë atdheut kujtesën, kulturën dhe ndërgjegjen kombëtare.
Një rol historik në këtë rrugëtim ka luajtur Shoqata Kulturore Shqiptare “Migjeni”, e themeluar në Lubjanë në vitin 1989 nga intelektualë dhe veprimtarë shqiptarë. Ajo u krijua në një nga periudhat më të vështira për Kosovën, kur shqiptarëve po u mohoheshin të drejtat themelore dhe kur fjala e lirë shqipe përballej me shtypje sistematike. Në atë kohë, “Migjeni” nuk ishte vetëm një shoqatë kulturore: ishte një vatër e ndërgjegjes kombëtare, një tribunë e së vërtetës për Kosovën dhe një urë komunikimi ndërmjet shqiptarëve dhe shoqërisë demokratike sllovene. Përmes revistave “Alternativa” dhe më vonë “Republika”, ajo u shndërrua në një zë të rëndësishëm të shqiptarëve në Slloveni dhe në diasporë. Historiku i Shoqatës “Migjeni”
Brenda veprimtarisë së shoqatës u zhvilluan edhe format e para të mësimit plotësues në gjuhën shqipe, krahas aktiviteteve letrare, muzikore, teatrore dhe kombëtare. Në periudha të ndryshme, mësimi shqip është zhvilluar me intensitet të ndryshëm, varësisht nga mundësitë organizative, numri i nxënësve, angazhimi i mësuesve dhe mbështetja e prindërve.
Rihapja dhe fuqizimi i Shkollës Shqipe në Lubjanë përfaqëson vazhdimësinë e këtij misioni. Mësimi zhvillohet falas, në mënyrë që asnjë fëmijë shqiptar të mos mbetet jashtë për shkak të kushteve ekonomike. Nisma është realizuar nga Shoqata “Migjeni”, me mbështetjen e përfaqësive diplomatike të Shqipërisë dhe Kosovës. Për ne, Shkolla Shqipe nuk është vetëm një klasë ku mësohen shkronjat. Ajo është vazhdimësi e një amaneti. Brezat e mëparshëm luftuan që shqipja të mos ndalohej; detyra jonë sot është të mos lejojmë që ajo të harrohet.
2. Çfarë kurrikule mësimore përdorni dhe cila është thirrja juaj për prindërit shqiptarë?
Në mësimin plotësues përdorim kurrikulat dhe materialet mësimore të hartuara nga institucionet përgjegjëse arsimore të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës. Ato janë të përshtatura për fëmijët shqiptarë që rriten në diasporë dhe përfshijnë jo vetëm mësimin e gjuhës shqipe, por edhe njohuri nga historia, gjeografia, letërsia, kultura, trashëgimia dhe traditat tona kombëtare. Përmes kësaj kurrikule synojmë që fëmija të mos mësojë vetëm si të lexojë dhe të shkruajë shqip, por ta kuptojë botën shqiptare, të njohë rrugëtimin historik të popullit të vet dhe të krijojë një lidhje të natyrshme shpirtërore me Kosovën, Shqipërinë dhe të gjitha trojet shqiptare.
Thirrja ime për prindërit është e drejtpërdrejtë dhe vëllazërore: sillni fëmijët në Shkollën Shqipe! Mos ua lini mësimin e gjuhës së nënës vetëm rastësisë dhe mos mendoni se mjafton që fëmija ta kuptojë shqipen brenda shtëpisë. Gjuha duhet folur, lexuar, shkruar dhe kultivuar.
Prindi është mësuesi i parë i identitetit. Nëse në shtëpi hesht shqipja, me kalimin e kohës hesht edhe kujtesa. Kur humbet gjuha, nuk humbet vetëm një mënyrë komunikimi; dobësohet lidhja me gjyshërit, me historinë familjare dhe me atdheun. T’ia mësosh fëmijës gjuhën shqipe nuk do të thotë ta pengosh integrimin e tij në shoqërinë sllovene. Përkundrazi, një fëmijë që e njeh mirë prejardhjen e vet është më i sigurt, më i hapur dhe më i aftë ta respektojë edhe kulturën e vendit ku jeton. Integrimi nuk duhet të jetë asimilim. Fëmijët tanë mund të jenë qytetarë të shkëlqyer të Sllovenisë dhe njëkohësisht shqiptarë krenarë për rrënjët e tyre.
3. A gjykoni se Shkolla Shqipe luan rolin e një qendre komunitare që bashkon, promovon dhe lidh më shumë shqiptarët?
Po, pa asnjë dyshim. Shkolla Shqipe është shumë më tepër se një institucion mësimor. Ajo është një qendër shpirtërore dhe komunitare, një hapësirë ku takohen fëmijët, prindërit, mësuesit, veprimtarët dhe krijuesit shqiptarë.
Në shkollë nuk bashkohen vetëm nxënësit; bashkohen familjet shqiptare nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Lugina e Preshevës dhe nga viset e tjera shqiptare. Aty dallimet krahinore treten përpara asaj që na bashkon: gjuhës, kulturës, historisë dhe përkatësisë sonë kombëtare.
Përmes festave kombëtare, orëve letrare, recitimeve, këngëve, valleve dhe veprimtarive kulturore, fëmijët nuk janë vetëm pjesëmarrës, por bëhen bartës të kulturës sonë. Kur një fëmijë reciton shqip, këndon një këngë shqiptare ose flet për historinë e popullit të vet, ai nuk po paraqet vetëm një program artistik; ai po dëshmon se identiteti shqiptar jeton edhe larg atdheut.
Shkolla krijon edhe një rrjet solidariteti ndërmjet prindërve. Njerëzit njihen, bashkëpunojnë, ndihmojnë njëri-tjetrin dhe ndërtojnë një komunitet më të organizuar. Një diasporë e organizuar nuk është vetëm më e dukshme, por edhe më e respektuar dhe më e aftë të kontribuojë si për vendin ku jeton, ashtu edhe për atdheun e origjinës. Prandaj, Shkolla Shqipe është një lloj ambasade shpirtërore e kombit: nuk përfaqëson vetëm një shtet, por gjuhën, kulturën dhe kujtesën e përbashkët të shqiptarëve.
4. Si ka ndihmuar mësimi i gjuhës shqipe në ruajtjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve në Slloveni dhe cili është roli i Shoqatës “Migjeni”?
Gjuha është themeli më i qëndrueshëm i identitetit kombëtar. Mund të ndryshojë vendbanimi, mënyra e jetesës dhe mjedisi shoqëror, por për sa kohë ruhet gjuha, ruhet edhe ura që e lidh njeriun me prejardhjen e vet.
Mësimi i shqipes u ka mundësuar fëmijëve tanë të komunikojnë më lirshëm me prindërit dhe gjyshërit, të lexojnë letërsinë shqiptare, të kuptojnë këngët dhe traditat tona dhe, mbi të gjitha, të mos ndihen të huaj kur vizitojnë vendlindjen e familjeve të tyre. Fëmija që di shqip nuk shkon në Kosovë apo në Shqipëri vetëm si vizitor; ai shkon si pjesëtar i një bashkësie së cilës i përket edhe shpirtërisht.
Shoqata “Migjeni” e ka kuptuar që nga themelimi se mbrojtja e çështjes kombëtare nuk bëhet vetëm me deklarata. Ajo bëhet edhe duke ruajtur gjuhën, duke botuar, duke organizuar kulturën dhe duke edukuar brezin e ri. Në fund të viteve ’80 dhe gjatë viteve ’90, Shoqata ishte zëri i shqiptarëve dhe i së vërtetës për Kosovën. Sot, në rrethana të reja, misioni vazhdon përmes shkollës, kulturës dhe ruajtjes së identitetit. Dikur duhej të luftonim që bota ta dëgjonte zërin e Kosovës; sot duhet të punojmë që fëmijët tanë të mos e humbasin zërin e gjuhës shqipe. Format e veprimit ndryshojnë, por thelbi i misionit mbetet i njëjtë: të mbrojmë qenien tonë kombëtare dhe t’ua dorëzojmë atë të pacenuar brezave që vijnë.
5. Si reagon shoqëria sllovene dhe si pritet Shkolla Shqipe dhe mësimi në gjuhën shqipe?
Shoqëria sllovene, në përgjithësi, e mirëpret pozitivisht organizimin arsimor dhe kulturor të shqiptarëve. Sllovenia është një shoqëri që e njeh rëndësinë e gjuhës dhe kulturës kombëtare, prandaj ekziston mirëkuptim për përpjekjet tona që edhe fëmijët shqiptarë ta ruajnë gjuhën amtare.
Përvoja historike dëshmon se intelektualë, shkrimtarë, gazetarë dhe veprimtarë të njohur sllovenë kanë qenë ndër mbështetësit më të sinqertë të të drejtave të shqiptarëve dhe të çështjes së Kosovës. Kjo miqësi është një kapital i çmuar moral dhe historik në marrëdhëniet ndërmjet dy popujve tanë.
Shkolla Shqipe nuk duhet perceptuar si një hapësirë izolimi, por si një kontribut në pasurinë kulturore të Sllovenisë. Një fëmijë dygjuhësh, që njeh kulturën shqiptare dhe atë sllovene, është një pasuri për të dyja shoqëritë. Ai mund të bëhet një urë njerëzore, kulturore dhe ekonomike ndërmjet Sllovenisë dhe hapësirës shqiptare. Mbështetja e institucioneve vendore për nisma të tilla dëshmon se ruajtja e rrënjëve dhe integrimi në shoqërinë sllovene nuk e përjashtojnë njëri-tjetrin. Hapja e mësimit shqip edhe në Slovenske Konjice, me përkrahjen e autoriteteve të bashkisë, është një shembull domethënës i kësaj fryme bashkëpunimi.
6. Cilat janë vështirësitë në mësimdhënien për fëmijët dygjuhësh dhe cilat janë projektet për zhvillimin e Shkollës Shqipe?
Fëmijët dygjuhësh kanë një pasuri të madhe gjuhësore dhe kulturore, por procesi i mësimdhënies paraqet edhe sfida të veçanta. Fëmijët kanë nivele të ndryshme të njohjes së shqipes: disa e flasin mirë në familje, disa e kuptojnë por kanë vështirësi ta flasin, ndërsa disa të tjerë duhet ta mësojnë pothuajse nga fillimi.
Një vështirësi tjetër është ndikimi i strukturës së gjuhës sllovene në shqiptim, në ndërtimin e fjalive dhe në përdorimin e fjalorit shqip. Për këtë arsye, mësimdhënia nuk mund të jetë e njëjtë me atë në Kosovë apo Shqipëri. Ajo duhet të jetë e përshtatur, bashkëkohore, tërheqëse dhe e lidhur me jetën konkrete të fëmijës në diasporë.
Sfida kryesore mbetet vazhdimësia. Mësimi plotësues zhvillohet jashtë orarit të rregullt shkollor dhe kërkon sakrificë nga mësuesit, prindërit dhe fëmijët. Pikërisht për këtë arsye, përgjegjësia nuk mund t’u lihet vetëm mësuesve. Nevojitet një bashkëveprim i vazhdueshëm ndërmjet familjes, shoqatës, institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë, përfaqësive diplomatike dhe autoriteteve sllovene.
Projektet tona synojnë zgjerimin e rrjetit të mësimit shqip në qytete të tjera të Sllovenisë, rritjen e numrit të nxënësve, sigurimin e materialeve të përshtatshme didaktike, përdorimin e teknologjisë dhe organizimin e aktiviteteve të përbashkëta ndërmjet shkollave shqiptare në diasporë. Synojmë gjithashtu të organizojmë biblioteka të vogla shqipe, orë letrare, gara të diturisë, kampe verore, vizita në Kosovë dhe Shqipëri, si dhe takime me shkrimtarë, artistë, profesorë dhe personalitete shqiptare. Fëmija duhet ta përjetojë shqipen jo vetëm si lëndë mësimore, por si një hapësirë krenarie, krijimtarie dhe përkatësie.
7. Çfarë ndikimi ka pasur mësimi shqip në rritjen e patriotizmit te fëmijët shqiptarë?
Mësimi shqip e ushqen patriotizmin në formën e tij më të pastër: si dashuri për gjuhën, kulturën, prejardhjen dhe popullin tënd. Nuk synojmë një patriotizëm të zhurmshëm apo përjashtues, por një patriotizëm të ditur, të përgjegjshëm dhe njerëzor.
Fëmija që e njeh historinë e popullit të vet e kupton se liria, shkolla dhe e drejta për të folur shqip nuk kanë qenë gjithmonë të vetëkuptueshme. Ato janë ruajtur me sakrificën e shumë brezave. Kur fëmijët mësojnë për Skënderbeun, rilindësit, Nënë Terezën, Adem Jasharin, Ibrahim Rugovën dhe për të gjithë ata që i shërbyen kombit me dije, guxim e flijim, tek ata ndërtohet një ndjenjë e natyrshme krenarie dhe përgjegjësie.
Patriotizmi nuk matet vetëm me emocionin gjatë valëvitjes së flamurit. Ai matet me gatishmërinë për ta mësuar gjuhën, për ta respektuar familjen, për të qenë nxënës i mirë, qytetar i ndershëm dhe për ta përfaqësuar denjësisht emrin shqiptar kudo që jeton.
Mësimi shqip u ka dhënë fëmijëve siguri për të thënë pa ngurrim: “Jam shqiptar”. Ua ka mësuar këngët, simbolet dhe historinë, por njëkohësisht ua ka shpjeguar se dashuria për kombin tënd nuk ndërtohet mbi urrejtjen ndaj një kombi tjetër. Patriotizmi i brezit të ri duhet të jetë patriotizëm i dijes, i punës dhe i dinjitetit. Në të kaluarën, shqiptarët e mbrojtën gjuhën edhe me jetën e tyre. Sot, fëmijët tanë e mbrojnë duke e mësuar, duke e folur dhe duke mos u turpëruar kurrë prej saj.
8. Kush është mësuesi Besnik Ademi?
Të flasësh për veten nuk është gjithmonë e lehtë, sepse njeriun duhet ta dëshmojë puna dhe jo vetëm fjala. Unë jam Besnik Ademi, një shqiptar me prejardhje nga fshati Kamjan ne Maqedonine Veriore.
Veprimtarinë atdhetare nuk e kuptoj si fjalë të mëdha për veten, por si punë të përditshme: të hapësh një derë për mësimin shqip, të bashkosh familjet, të ndihmosh një fëmijë të mësojë alfabetin, të organizosh një manifestim kombëtar dhe ta paraqesësh kulturën shqiptare me dinjitet përpara shoqërisë sllovene.
Kam lindur në Rovinj të Kroacisë, në një familje shqiptare, bujare dhe atdhedashëse. Prindërit e mi atje drejtonin një restorant, duke e ndërtuar jetën e tyre me shumë punë, ndershmëri dhe sakrificë. Prej tyre kam mësuar se buka e fituar me djersë ka dinjitet dhe se emri i mirë i familjes ruhet me punë, përgjegjësi dhe respekt ndaj njerëzve.
Më vonë, së bashku me familjen, u shpërngulëm në Lubjanë, ku përfundova shkollimin dhe vazhdova rrugëtimin tim jetësor e profesional. Edhe pse jam lindur dhe jam formuar larg trojeve shqiptare, në familjen tonë gjuha shqipe, traditat dhe dashuria për atdheun kanë qenë gjithmonë të pranishme. Prindërit tanë na mësuan se vendi ku jetojmë duhet respektuar dhe duhet ndihmuar në zhvillimin e tij, por njëkohësisht nuk duhet harruar kurrë vendi prej nga vijmë dhe rrënjët të cilave u përkasim.
Veprimtaria jonë profesionale është e lidhur ngushtë me traditën familjare në fushën e gastronomisë. Sot, tashmë brezi i tretë i familjes sonë vazhdon të ushtrojë dhe të drejtojë të njëjtin profesion. Kjo vazhdimësi është dëshmi se puna, përvoja dhe vlerat familjare mund të përcillen me krenari nga një brez te tjetri. Për ne, restoranti nuk ka qenë vetëm një veprimtari ekonomike; ai ka qenë edhe një hapësirë mikpritjeje, komunikimi dhe njohjeje ndërmjet njerëzve e kulturave të ndryshme.
Shqiptarët historikisht janë dalluar për mikpritjen, bujarinë dhe respektin ndaj mysafirit. Ne jemi përpjekur që këto vlera t’i përfaqësojmë denjësisht edhe në Slloveni. Besoj se çdo shqiptar i suksesshëm në diasporë, përmes punës së ndershme dhe sjelljes së tij, bëhet një lloj ambasadori i popullit të vet.
Angazhimi im në krye të Shoqatës Kulturore Shqiptare “Migjeni” nuk është për mua vetëm një detyrë organizative apo një titull. Është një përgjegjësi morale ndaj historisë së shoqatës, ndaj veprimtarëve që e themeluan dhe ndaj fëmijëve shqiptarë që po rriten në Slloveni. E konsideroj detyrë që përvojën, mundësitë dhe energjinë time t’i vë edhe në shërbim të komunitetit.
Jam krenar për vendin ku kam lindur, mirënjohës ndaj Sllovenisë ku jam shkolluar, jetoj dhe veproj, por njëkohësisht jam thellësisht krenar për prejardhjen time shqiptare. Këto identitete nuk e përjashtojnë njëri-tjetrin; përkundrazi, më kanë mësuar të ndërtoj ura, të respektoj dallimet dhe ta përfaqësoj kulturën shqiptare me dinjitet.
Nëse përmes punës sonë arrijmë që një fëmijë më shumë ta mësojë gjuhën shqipe, ta njohë historinë e vet dhe ta shqiptojë me krenari emrin shqiptar, atëherë angazhimi ynë ka pasur kuptim. Sepse atdheu nuk shërbehet vetëm me fjalë: ai shërbehet me punë, me dije, me përgjegjësi dhe me përkushtimin për t’ua përcjellë brezave atë që kemi trashëguar nga të parët tanë.