Nga Fritz RADOVANI/
PAPA GJON PALI II NË RINAS…/
25 PRILL 1993 DITA MA E BARDHË E POPULLIT SHQIPTAR…/
■Papa Gjon Pali II puthë rrasen nën të cilen janë Eshtnat e të burgosunve politik, që kanë vdekë t’ uritun nga viti 1955 – 1957, tue ndertue aeroportin në Rinas të Tiranës…
■2 Shkurt 1981, Papa polak Vojtila, i porsa zgjedhun në Vatikan tha: “Unë mbas popullit tim polak ma së tepërmi e due popullin shqiptar, sepse, së pari keni vuejtë tepër gjatë e tepër shumë dhe padrejtësisht, dhe së dyti, sepse na keni dhurue Nanën Tereze”.
■Papa Gjon Pali II me 5 Tetor 1980, nga Otranto e Italisë foli per Kishen në Shqipni: “Nuk mund të mos e hedh vështrimin tim përtej detit, jo larg prej këndej, drejt Kishës heroike në Shqipni, e tronditun thellë nga persekutimi i ashpër e i zgjatun, por edhe e pasunueme nga dëshmia e Martirëve të Saj: Ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë, rregulltare e besimtarë të thjeshtë”.
■1984 Në Bari t’ Italisë Papa tha: “Prej këtij qyteti mendimi im asht drejtue poashtu nga vllaznit e motrat e Shqipnisë, që s’ kanë mundësi ta tregojnë Fenë e tyne botnisht, që asht një e drejtë thëmelore e njeriut. U porosisë të luteni për ta.
Dishroj t’ ju them se ata janë posaçerisht të pranishem në zemren time.”
■Romë, 27 Prill 1986: “Ky takim i pari me Bashkësinë Shqiptare më prekë thellë në zemer. Nuk asht fjala për një përmallim rasti: Them se asht përmallim i vazhdueshëm. Për çdo ditë, sidomos gjatë Meshës së Shenjtë, kerkoj të jetoj martirizimin e Popullit Tuej, të besimtarëve të Tuej, vllazenve e motrave Tueja Shqiptare, dhe lutem per Atdheun Tuej, per të gjithë besimtarët e Feve të ndryshme, si dhe per Kishen në Shqipni që asht zhdukë persa i perket dukjes së jashtme, por e dini mirë se Kisha nuk mund të zhduket nga zemrat, sepse asht ndertue prej Shpirtit Shenjtë, prej Fjalës së Krishtit e cila gjallon në zemrat e fetarëve. Unë bashkë me Ju, besoj thellë se Krishti jeton…”
■6 Maji 1988, me Katolikët Shqiptarë t’Amerikës, që ishin per lutje në Gjenacan t’ Italisë, Papa Gjon Pali II u tha: “Si mos ta kemi dashuninë e veçantë ndaj një Populli, Bashkësia Katolike e të cilit, i ka mbetë besnike Selisë Apostolike edhe ndër rrethanat ma të vështira e të dhunëshme? E njoh historinë Tuej shpeshherë të shkrueme me gjak… Kisha dymijëvjeçare, e rranjosun në Token Tuej Shqiptare, don liri të plotë per me vijue me kenë element afrimi kombtar, bashkimi dhe paqe në zemren e Popullit Tuej.”
■Me 4 dhe 11 Nandor 1990, Don Simon Jubani kremton Meshen e Parë në Rrëmaji të Shkodres, mbas shpalljes së Shqipnisë “shtet ateist” në vitin 1967, nga Enver Hoxha dhe Ramiz Alia, në luften kunder Fesë me “Revolucionin Ideologjik e Kultural”.
■Liria e Fesë solli disa nga ndryshimet e prituna mbas ramjes së Murit të Berlinit…
■Me 2 Qershor 1991, Papa Gjon Pali II kremton Meshen solemne të Korpit Krishtit, me perfaqsues të një Delegacioni të veçantë të Selisë Shenjte, tue i rivendosë marrdhanjet diplomatike në rang Nunciature Apostolike per Selinë e Shenjtë, dhe Ambasade në Shqipni. Marrdhanjet e Vatikanit me Shqipninë u nderprenë në Maji 1946, kur Shqipnia ishte nën kontrollin e plotë të Jugosllavisë komuniste, dhe qeveria kukull e Tiranës e drejtueme nga Enver Hoxha, zbatonte politiken e shkombtarizimit dhe të daljes jashtë të Shtetit Shqiptar nga Europa Perëndimore Perparimtare. Atëherë u nxjerr jashtë Delegati Apostolik i Vatikanit Leone G.B. Nigris, nga Shqipnia dhe u pushkatue pafaj Rregjenti i Delegacionit Apostolik Shqiptar i porsaemnuem Imzot Frano Gjini.
■Me 13 Qershor 1991, Papa Gjon Pali II, nuk e pranoi per vizitë në Vatikan autorin e “Muzeut Ateist”, terroristin Ramiz Alia, edhe pse PPSh ndrroi emnin në Kongres, dhe u quejt “Partia Socialiste e Shqipnisë”. Ramiz Alia kerkoi me u perjetsue si president.
■Me 2 Dhjetor 1992, në pragun e vizitës së Papes Gjon Pali II në Shqipni, anadollakët Ramiz Alia dhe Sali Berisha, presidentët binjakë të “demokracisë”, shpallin Shtetin Shqiptar “Shqipnia Antare e Konferencës Islamike”.
■24 Prill 1993, një ditë para udhëtimit për Shqipni, Papa Gjon Pali II i drejtohet Popullit Shqiptar nga Vatikani: “Të dashtun vllazen e motra shqiptarë, po vij tek ju në emën të Zotit. Po vij, që të lutem me ju dhe për ju, për një të ardhme qetësie e paqe”…
Dhe në gjuhën shqipe shtoi: “Mirupafshim nesër! Zoti ju bekoftë!”
***
■25 PRILL 1993…PAPA DHE SHQIPNIA…
Vargu i pafund i njerzëve lidhi Aeroportin e Rinasit me Kathedralen e Shkodres…
■Ditë e shenueme mbas 526 vjetësh kur Zoja e Këshillit të Mirë mërrijti në Gjenacan, e pikrisht prej atje, me 25 Prill, Papa solli një kopjo të asaj Figure tek rrenojat e Kalasë.
■PAPA GJON PALI II viziton Shqipninë e Gjergj Kastriotit…
Takohën Dy Burra! Njeni me shpatë të futun në kllef , Tjetri me Kryq në krahnor!
Asht Skenderbeu përballë Karol Vojtilës!
Asht Shqiptari përballë Polakut që paqë nuk ban me hasmin tonë!
Asht Atleti i Krishtenimit përballë Atletit mbarë Njerëzimit!
Asht i Zoti i shtëpisë që dorën i shtrinë mikut që puthi Tokën tonë!
“Hajde! Urdhno!..Mirse të ka prue Zoti, Shtëpia asht e Zotit dhe e Mikut!
Mirëse erdhe, o Burr’ i Bekuem!” E kryet zatesin njeni me tjetrin bash si atëditë…
me 12 Dhjetor 1466, me Palin e II, në Romën plakë!
E dora e rame e Gjergjit mbi gjoks nga 17 Janari 1468, ngrihët naltë!..
■“Qé, pra, Karol Vojtila! Ky asht Populli im Shqiptar!
E, Ti jé bash Ai Burrë Trim që bashkë me historinë e Botës mbarë, ké sjellë një Epokë
të Ré edhe për Atdheun tim! Bijtë e mijë, vêni veshin Këtij Burrë e ndigjoni mirë shka thotë!.. Edhe unë dikur…Këta… ndigjova,.. e, Fitova!..”.
■“Zotni President!
Të nderuem zotnijë Autoritete civile, ushtarake dhe fetare!
Vëllazën e Motra Shqiptare, Ju përshëndes përzemërsisht!
Mbas njëdite me një program të ngjeshun me kremtime e takime, të cilat me dhanë mundësinë me prekë me dorën time jo vetëm fenë plot afsh të Bashkësisë Katolike po, edhe ngrohtësinë e mirëpritjes së Popullit Shqiptar, ja ku erdhi çasti i ndamjes dhe i prekun thellë me duhët t’ ju la. Në miqësinë që me keni shfaqë kam kuptue se pata të baj me miqë që kishin një zemër të madhe. Në çiltërsinë tuej pashë kurajon e një demokracie të ré, një demokraci që po ecën me hapa të sigurta drejt lirisë, mbas sa vitësh të pafund dhe t’errta të një diktature dhe të një ateizmi mbytës. Ju falemnderës për mikpritjen! Do të këthehëm në Romë me një kujtim të ngrohtë për vendin tuej të ngulitun në mendjën dhe në zemrën time. Ju falëmnderës!
■Erdha mes jush për me përmbushë misionin tim si Mbasardhës i Apostullit Pjetër në shërbim të Kishës Universale, për me ju dishmue besimtarëve Shqiptarë prej shumë kohësh të munduem, solidaritetin e gjithë bashvëllazënve të të njejtit besim, të cilët janë shpërnda në të katër anët e Botës. Kam ardhë këtu për me ju shpreh nderimin tim Vllaznor edhe komunitetëve të ndryshme fetare që bashjetojnë këtu prej shekujsh:
Komunitetit Kristjan Ortodoks dhe Komunitetit Mysliman, të cilëve u sjellë një përshëndetje të përzemërt.
■Kam ardhë për me i shfaqë çdo Shqiptari admirim dhe mbështetje në këte fazë delikate të kalimit historik dhe të të shumë së dishruemes ringjallje shoqnore dhe shpirtnore.
■Të dashtun Vllazën e Motra! Sa herë në të kaluemen ju asht dashtë ta mbroni me forcë identitetin tuej. Me një angazhim të tillë sikur edhe vetë ky shesh na e kujton u shque Figura e Naltë e të Krishtenit Gjergj Kastriotit-Skenderbeut, i respektuem nga Papët e Romës dhe përjetësisht i gjallë në kujtimin e Popullit Shqiptar.
■Ju keni vuejtë për Kombin Tuej. Prandej dhe keni të drejtë ta doni kaq shumë.
Populli i juej kaloi një tragjedi me të vërtetë tronditëse nën shtypjen komuniste.
Ishte vërtetë i tmershëm përftyrimi i jetës njerëzore nën rregjimet totalitare si ai që ju keni njohë, ku, njeriut i mohohej një nga të drejtat ma thelbësore: Liria e shfaqjes së mendimit dhe e besimit të tij si dhe liria e ndërgjegjës. Mohim ky, që shpesh merrte formën e një shtypjeje të tmershme. A ka gja ma të randë sësa mbyllja e Tempujve të çdo besimi dhe, a nuk u dënuen me vdekje priftërijtë vetëm pse guxuen të ushtronin rritët fetare? A nuk u përsekutuen besimtarët tue u burgosë ose tue u fye me të gjitha mënyrat?
■Në vendin tuej të vishkulluem mashumëse asnjë vend tjetër nga përsekutimi asht e thjeshtë me gjetë gjurmët e Katakombëve të lashta Kristjane dhe t’arenave ku, dëshmitarët e Krishtit hidheshin me dhunë për me ushqye bishat.
Këtu kje një luftë e ashpër kundër Fesë, simbas një vije dogmatike të një programi shoqnor dhe politik, i mbështetun nga ideologjia komuniste. Dukej sikur mjeti ma i domosdoshëm për me realizue e trumbetue “Parajsën në tokë” kje tue i mohue njeriut atë forcë që e lidhë me Krishtin, forcë kjo, rreptësisht e dënueme si një “dobësi e pandershme për njeriun”. Në të vërtetë kjo forcë e pame jo me atë sy ishte ma shumë dishka shqetësuese për ata, ashtu si e treguen faktët. Përsoni njerëzor në të vërtetë me energjinë që vjen nga Feja, nuk lejon lehtësisht të hidhët në anonimatin kolektiv.
■Ajo që ka ngja në Shqipni të dashtun Vëllazën dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e njerëzimit. Asht e vërtetë se edhe në Përandorinë Romake janë ba përndjekje të ashpra ndaj të Krishtenëve, por atëherë, ishte fjala për Shtet i cili në emën të një Feje, asaj pagane, luftonte ata që mbështetshin Ungjillin e Krishtit.
■Kurse këtu, Shteti asht përpjekë me shue çdo shprehje fetare në emën të një ateizmi radikal, të mbështetun në një sistem universal dhe përgjithësues. E gjithë kjo ndodhte në një kohë kur askush nuk mund të ndërhynte për me mbrojtë dinjitetin e njerëzve që u ishte mohue gjithshka, tue i çveshë deri nga ma “njerëzorja”, liria e tyne.
■Drama e Juej Shqiptarë të dashtun, zgjon interesimin e gjithë Kontinentit Europian dhe asht e domosdoshme që Europa mos t’ Ju harrojë. Dhe në fakt ky duhët të jetë sot pikësynimi, me këthye shpejt fletën tue mos harrue atë që ka ekzistue, për me shikue përpara. Pikëpamje kjo, që në një prizem vështrimi asht e drejtë e, madje, edhe e domosdoshme, por me një kusht, që me mbetë gjithmonë në kujtesën tonë ajo që ngjau në të kaluemen. Në të vërtetë ky asht kusht i domosdoshëm për mos me u rikëthye tek të njajtat gabime të përlotuna dhe, asht shtegu ma i mirë për një proçes pajtimi të vërtetë.
Ju sot, keni fitue lirinë në një mënyrë krejt të veçantë të papërgjakun.
■Jeni ngritë nalt mrekullisht nga një greminë tiranie dhe vdekje. Kur dukëj se po shuhej gati çdo motiv i arësyeshëm besimi zbardhi agimi i lirisë. ■Rilindi jeta. U ringjall kurajo për me qëndrue, u ndez përsëri Drita e shpresës.
Por, kjo liri besimi fetar të cilën Ju ma në fund po e shijoni, nuk asht vetëm një dhuratë
e çmueshme e Zotit për ata që kanë hirin e fesë, por asht një dhuratë për të gjithë,
sëpse ajo asht thëmeli i garancisë për çdo shprehje tjetër të lirisë. Ajo prek njeriun në intimitetin e vet, në atë cep të Shenjtë dhe të padhunueshëm që asht ndërgjegja, ku, kenja njerëzore takohët me Krijuesin dhe fiton ndërgjegje të plotë të dinjitetit të vet.
■Nga një liri e tillë e trajtueme ashtu siç duhët, nuk ka për shka ti trembemi asnjë shrregullimi njerëzor. Besimi i çiltër në Té nuk i përçanë njerëzit por përkundrazi, i bashkon me gjithë veçantitë e tyne. Si na e mëson edhe Feja, nëse kemi një Krijues të perbashkët që të gjithë jemi Vllazën. Kështu, që Feja asht një kështjellë mbrojtëse kundër totalitarizmit dhe një kontribut vëndimtar për një vllaznim human.
■Liria e vërtetë fetare i shpëton ngacmimëve të intolerancës dhe të sektarizmit, dhe ofron mënyra dialogu të respektueshëm dhe konstruktiv.
■Populli Shqiptar, – dhe po më pëlqen që po e kujtoj në këte çast,- asht për me u marrë si shembull në këte pikëpamje. Që të tre Komunitetët fetare mbajnë një raport respekti rreciprok të një bashkpunimi të njerëzishëm. Qëndroni në këte pikëpamje Vllazën e ■Motra të dashtuna! Ju, do të keni merita për solidaritetin dhe për paqën në Atdheun Tuej dhe në krejt zonën e shumëvuejtun të Ballkanit.
■Kështu, Ju, mund të ndërtoni një Bashkim Kombëtar të urtë dhe të qendrueshëm.
Megjithatë, dashnia për Atdheun të cilën Ju e ndjeni të fortë ndër këta çaste, nuk duhët të degjenerojë në nacionalizem intolerant dhe agresiv që sot e kësaj dite, po shkakton viktima dhe po ndezë urrejtje të papërmbajtuna në vende të ndryshme të Botës, madje, dhe jo fort larg nga këtu tek Ju.
■Përkundrazi, u shtoftë gjithënjë e ma shumë harmonia në bashkjetesë tek Ju.
Duhët mësue arti i dialogut dhe i të dëgjuemit kjoftë dhe kur ky art asht i lodhëshëm.
■Ky asht çmimi i lirisë, ky asht sekreti i progresit të vërtetë moral e civil.
Shqipni, qëndro në naltësinë e kësaj beteje të madhe!
Rruga që do të bash nuk asht aq e lehtë. Ende ka plagë të pambylluna.
E kaluemja lé të shërbejë si mësim por kurrë mos të të shtyjë në hakmarrje mëllefesh. Tashti asht koha për me shkue me besim drejt së ardhmës.
E madhe asht detyra që të pret për të cilën tashma e ké fillue punën më një zell të lavdërueshëm. Në përpjekjen për rimëkamjen ekonomike asht e domosdoshme që të gjithëve t’u garantohët puna dhe, ajo, që asht ma esenciale për me jetue me dinjitet,
lé ti bashkohët edhe vullneti për ta konsolidue demokracinë tande të ré. Kjo nuk arrihët pa çmue si duhët disa vlera thelbësore tue fillue sëpari nga dinjiteti i jetës njerëzore.
■“Një demokraci pa vlera, -kam shkrue në Encilklikën Centesimus Annus- mund të shndërrohet lehtësisht në një totalitarizëm të hapun ose të fshehtë, si po na e tregon historia”. Krijimi i një shoqnie demokratike nuk bahët menjëherë me një të thanun.
Ajo kërkon një kujdes të përditëshem nga të gjithë dhe një gatishmëni bashpunimi. ■Askujt nuk i falët të rrijë mënjëanë e të sodisë.
■Kësaj Shqipnie të posalindun Kisha nuk do t’ua kursejë kontributin e Sajë. Ajo sigurisht nuk harron se misioni i Saj asht kryesisht fetar dhe do të ketë shumë kujdes, për mos me hy në çeshtje thelbësisht politike por, e mbështetun në forcën e Ungjillit Kisha që u ngrit nga Krishti si lajmëtare në Botë, do ta ofrojë ndihmesën e vet kjoftë me pjesëmarrjen në punë të institucioneve të Saja, kjoftë mbi të gjitha, me mbështetjen e Saj në favor të një humanizmi të vërtetë, i cili ngritë përsonin, i pamë ky në Dritën e Zotit dhe i përfshimë në të gjitha dimensionet në qendër të çdo projekti ekonomik, social dhe politik.
■Njeriu dhe Zoti nuk janë kurrë në një alternativë dhe nuk konkurrojnë njeni tjetrin. Përkundrazi, njeriu ka një dinjitet të naltë, tamam siç i ka hije një krijese të bame simbas imazhit të Zotit. Njohja e kësaj vlere té çdo njeri do të bajë që edhe ekonomia të gjejë ekujlibrin e drejtë ndërmjet arësyve të aftësive dhe të spikatjes së solidaritetit dhe do ta çojë kështu, impenjimin politik me një kërkesë përgjegjësie ndaj së mirës së përbashkët, tue ndjekë gjithmonë kërkesat e respektimit ndaj etikës dhe moralit.
■Popull Shqiptar, ec përpara me kurajo drejt shtigjëve të solidaritetit!
Asht një rrugë e vështirë kjo, por në té janë të mbjelluna farnat e shpresës.
■Lé të shoqnojë forca e Martirëve të Tu, dëshmitarë gjithmonë në roje të Lirisë në vitët
e pafund të shtypjes së rregjimit totalitar.
■Lé ti ndrisë hapat e Tu dashunia për familjën, shpirti i vëllaznimit, mikëpritja ndaj të huejt dhe vetitë që e dallojnë Popullin Tuej, veti këto që përbajnë pasuninë ma të çmueme të traditave shekullore Shqiptare. Lé të ushqejë guximin Tand Feja e besimtarëve të Tu në një Zot të vetëm , të cilët sëbashku me çdo njeri vullnetmirë, do ti përkushtohën shërbimit ndaj drejtësisë dhe paqës.
■E si mos të kujtojmë tashti një Bijë të zgjedhun të Popullit Shqiptar, Motren Tereza të Kalkutës, Nanë shumë e vorfën ndër ma të vorfnit në Botë? Me zjarrin e Fesë në krahnor Kjo grue e vogël dhe e madhe njëkohësisht, sjell dhe ruen mbrenda vetës hovin e bujarisë së papërmbajtun dhe të pamposhtun të zemrës Shqiptare.
■Në emnin tand Popull Shqiptar, po i drejtohëm këtu Komunitetëve Ndërkombëtare që ta këthejnë vëmendjen e tyne vëpruese ndaj kërkesave të zhvillimit tand të përgjithshëm. Vetëm kështu, mund të mëkambët Paqa në këte zonë të Ballkanit, të përgjakun nga konfliktet vllavrasëse të ulta e të pakuptim…
■Erdhi çasti i ndamjës.
Ju përshëndes i prekun thellë në zemër e me mirënjohje që Ju kam pranë.
Përshëndes veçanërisht Presidentin e Republikës, që më përkushtoi një pritje të ngrohtë. I jam mirënjohës për fjalët dashamirëse që më drejtoi. Përshëndes autoritetet civile dhe ushtarake. Përshëndes vllaznit e mijë të Episkopatës dhe veçanërisht ata që pata kënaqësinë Ti Shuguroj sot.
■Kam dëshirë ti drejtoj një përshëndetje të veçantë Monsinjor Joakim Herbut dhe Ausiliarit Monsinjor Nik Prela; gjithashtu edhe besimtarëve të ardhun nga Shkupi e Prizrêni dhe murgeshave.
Përshëndes ushtarakët e kontingjentit “Pelikan”, të cilët prej muejsh po përpiqen me një dedikim të admiruem në shërbimin humanitar ndaj Popullit nevojtar Shqiptar.
■Përshëndes të gjithë Shqiptarët e shpërndamë në të katër anët e Botës.
I lutem Zotit, që mbi secilin të jetë Dora e Tij dhe e Virgjinës Mari, që këtu lutët me emnin Zoja e Këshillit të Mirë.
■Vllazën e Motra Shqiptare fort të dashtun!
Zoti e ruejtë Atdheun Tuej! Zoti e mbrojtë Popullin Shqiptar në mbarë Botën!
Në Emën të Zotit Ju përqafoj e Ju Bekoj të gjithëve!
Mirupafshim! Ju uroj me gjithë zemër: Gjithë të mirat!”
(Perkthye nga Prof. Gjon Sinishta, Buletini Katolik Shqiptar, Vol. XIV, fq.171,
viti 1993. University of San Francisco, USA. Nenvizimet janë të FR)
■Me 2 Prill 1999 Papa Gjon Pali II tha: “I përbuzun e i dëbuem asht Krishti në njeriun e munduem e të vramë në luftën e Kosovës dhe kudo që ngadhënjen kultura e vdekjes”.
■Papa Gjon Pali II, në mesazhin e tij Urbi et Orbi, pikërisht për Pashkët e vitit 1999, tha: “I lutem Zotit të ringjallun t’i japë dhuratën e paqes, së pari tokës së martirizueme të Kosovës, ku lot e gjak vazhdojnë të përzihen në një skenar dramatik urrejtjeje e dhune. Mendoj, për ata që janë vra, për ata që kanë mbetë pa shtëpi, për ata që janë largue me forcë nga familjarët, për ata që janë detyrue të ikin larg…”
■Ndersa unë, Ju pyes sot… në Prill 2015: “PO SHQIPTARËT SHKA BAJNË..?!”
Melbourne, 2015.
MBAS SHTERNGATES
Nga Fritz RADOVANI/
■NË 100 VJETORIN E NJË YLLI TË KULTURËS SHQIPTARE…/
Mbas një shiu që ra mbramë sikur, dikur në Shkoder, kur dola n’ oborr pashë se qielli ishte mbushë me yje… I shikova per pak minuta e menjëherë mu kujtuen disa Yje që shtërgata e vitit 1944 në Shqipni, nuk na lejoi me ua pa as xixllimin e tyne plot dritë…
A dishroni me u shmallue me burimet e gurrat e Gegënishtes Letrare të Shqipnisë ?
Çoni sytë nga qielli e në sejcilin Yll do të lexoni emnat e Guljelm Dedës, Nikollë Dakës, Henrrik Lacës, Mark Demës, Et’hem Haxhiademit etj., Emna të cilët as hetuesitë, as torturat dhe as burgjet e kampet e interrnimit, nuk mujtën me ua errësue shkelqimin e artë të Tyne shpirtnuer, shoqnor dhe kulturor me një persekucion gjysëshekullor.
■E pra, bashkë me Ata letrarë asht edhe Dedë Gajtani (Kola), që asnjëni nuk njiheshin as “profesora” dhe as, “akademikë”… sepse, shkruenin e flisnin Gegnisht e per pasojë u interrnuen, u burgosën dhe u trajtuen nga “lufta e kllasave” të “pakënaqur” e nënza… “reaksionarë të kulturuar në shkollat klerikale të Shkodres”! Sigurisht, “jo shumë kohë” po, nga 1944 e derisa mbyllën sytë e Tyne plot dritë që shkelqenin kulturen Shqiptare Europjane Perëndimore! Një brez intelektualësh i papersëritshëm në Shqipni!
■Dedë Gajtani asht le në Gajtan të Shkodres me 7 Qershor 1915. Shkollen e mesme e perfundoi në Kolegjin e Jezuitëve në Shkodër. Ishte nxanës i Don Ndre Mjedjës, i vlersuem gjithmonë në letersi me notën 10. Në vitin 1935 vazhdoi studimet e nalta në Romë, ku edhe i perfundoi në Propaganda Fide në vitin 1941. Ishte student kur filloi me shkrue poezi të cilat u botuen edhe në revistën Cirka. Kur ishte Deda student në Romë, shkoi për vizitë At Gjergj Fishta. Me atë rast prof. Mark Dema recitoi një poezi që kishte shkrue Deda. At Fishta pyeti se kush e kishte shkrue atë poezi? Shokët i thanë: Dedë Gajtani. At Gjergji ju drejtue Dedës tue i thanë: Të lumtë, të këshilloj me vazhdue me shkrue! Vlersimi dhe levdatat e asaj kohë i dhanë krahë muzës së Tij poetike, gja të cilen e kujtonte gjithnjë Deda. Kishte pasion per gjuhët e hueja dhe zotnonte shumë mirë latinishtën, italishtën, frengjishtën, spanishtën, gjermanishtën, anglishtën, dhe hebraishtën. Porsa u kthye në Atdhe filloi përkthimet e botimet në revisten “Kumbona e së Diellës”. Punoi nga viti 1941 deri në 1945 në Institutin e Studimeve dhe Biblioteken Dante Aligeri, në Tiranë. Në vitin 1945 emnohet arsimtar në Fier. Ishte tue shetitë në Manastirin e Ardenicës në vitin 1946 kur e arrestojnë për disa muej në burgun e Beratit.
Me nderhymjen e nje shoku të tij, në Institutin e Studimeve, e lirojnë nga burgu. Ajo nderhymje ishte vendimtare që e çveshi nga akuzat e shpifjet si agjent i Vatikanit…etj.
Porsa u kthye në Tiranë, u dëbue politikisht dhe u emnue arsimtar në Maqellar të Peshkopisë deri në 1950. Prej këtej e transferojnë në Krujë, ku mbas një viti në 1951, e pushojnë nga puna me motivacion: “I pa denjë për të edukuar brezin e rinj”.
Detyrohet per kafshatën e gojës të punoi punë fizike në hidrocentralin Karl Marks, Ulzë, deri në 1954. Nga 1954 deri 1958 emnohet persëri mësues në shkollat fillore të Oroshit e Malaj të Mirditës… Deda nder ato Malësi të egra, kishte përkrahu edhe zonjën e Tij të Nderueme Maria, një Burrneshë e daltueme nga Vetë Dora e Zotit, me të gjitha tiparet që pak gra Shqiptare i ruejnë prej rracës sonë Ilire… Një Fisnike, e gjatë, por gjithmonë me buzë në gaz dhe madhështore, aqsa i ka hije një grueje intelektuale. Në vitit 1958
ishin me 4 fëmijë kur i transferojnë në Dukagjin, kohë në të cilën i njoha edhe unë… Detyrohen me i ra kryqeterthuer edhe Malësisë së Dukagjinit… Abat, Gimaj, Theth…
Po, gjithmonë Ai Deda i thjeshtë, i dashtun, buzagaz e optimist: “E ban Zoti mirë…!
Ai na ka në kujdes!”… Gjithmonë i “heshtun” e me një shprehje fëtyre plot dritë… ■Kultura botnore që kalonte nder duert’ e Tij, kishte ba punën e vet! Ajo kishte depertue thellë në Shpirtin e Dedë Gajtanit, që mërrijti me pa vetem pak ditë shpresdhanëse të asaj deshire të madhe sa vjeçare, per të cilën punoi gjithë jetën e vet pa ju ndigjue zani.
Bash atëherë kur një rreze drite e një Lirie mendimi e fjale të andrrueme filloi me freskue shpresën e mberthyeme nder prangat e heshtjes, atëherë, kur filloi me pa frutin e punës 47 vjeçare nder revistat e porsa daluna nga shtergata… Deda iku në Mbretninë Qiellore!
Me datën 7 Dhjetor 1993, Dedë Gajtani heshti përgjithmonë…Edhe né ashtu kujtuem!
■Po veprat e Tij në gjuhët e mbarë Europës, u zgjuen e na treguen se Dedë Gajtani asht i pranishem në sofrat e shkodranëve të Tij, nder sofrat e miqëve në Fier, nder ata gurë historikë të Bjeshkëve të Nemuna ku, dora e Dedës, gjithmonë e lëmueme nga një dashuni e thellë e Marijës, arrijti me daltue nder ata shkambijë dashuninë për Atdhe!
Aty nder ata male do të gjeni pranë krojeve nder Kryqat e pushimit perjetsisht tue folë në Gegnishten e bukur të At Fishtës dhe Don Ndre Mjedjës, në ambelsinë dhe rreptësinë e Don Lazer Shantojës e Don Ndre Zadejës, ase në rizat apo xhubletat shekullore të atyne Viseve, të shkruem per Ju o Rini Shqiptare: Poetët e Mëdhej Dante Aligeri, Viktor Hygo, G.Volfango Goethe, Federik Schiller, Aleksander Manxoni, Carducci, Leopardi, Marradi, Torquato Tasso, Ada Negri, G.Pascoli, Artur Graf, Zanella, Aleardi, Henrik Heine, G.Giusti, G.Caparozzo, Giovani Prati, Chateubriand, E.Longfellow, Domenico etj…, etj… E fëmijët e vegjel do të dëgjojnë përrallat e Ezopit e Fedrit në gjuhen Shqipe!
■E zemra e Madhe e Poetit të heshtun, aty ku prangat e robnisë u këputën, aty Ajo… shpertheu si vala e Drinit apo rrebeshi i Cemit, ashtu si dikur Ato Vise të Kastriotit nuk njohën turp dhe robni, ashtu edhe Shpirti i paster i Dedë Gajtanit na dhuroi poezitë e Tija origjinale si biluri: Malli, Ave Maria, Andërrime e vegime, Nanë Lamtumirë…
■Po, mbi të gjitha Dedë Gajtani sot në librin e Tij, na thotë mbas shtërgatës: Këtu jam!
Nuk jam ma Firsi…Nuk kam ma pseudonime! E as, nuk do të heshtë! Këtu jam!
■A dishroni me më ndigjue zanin tim tue këndue? Per Ju, o Shqiptarë, sot do t’i këndoj…
KALASË ROZAFATIT
O mure të vranta të Rozafatit!
Që tash sa shekuj, ju besnikë mbrojës,
I patë sa orla të zezë mësyen këtij shpatit,
Çerdhen e shqiponjës.
Sa ushtri turke këtu e barbarë erdhen!
Sa herë o shqipe, me luftë të kanë mësy!
Por s’ muejt asnjeni, ta prishi çerdhen
As të pushtojë ty.
E njikëtu motit shqipet rromake
Fishkëlluen rreth teje, me të shkye me skjepa.
Por ti, o shqipja shqiptare i flake,
Copë, copë në këto shkrepa.
Sa herë t’ u sulen ndër kohna të vjetra!
Sa herë t’ u sulen ndër kohna të reja!
Ti, o shqipe ilire, i shkjeve me kthetra,
Mu té foleja.
***
Vullkan kalaja thonë ka kenë motit,
E ke asht afrue e ka djegë mbrendë.
Vullkan kalaja asht dhe në ditë të sotit
E ka për të kênë.
U lëshuen të grabisin sa herë vandalët,
Rromakë e turq e serb, venedikë,
Por té, i to ledhe, u thyene valet,
Porsi té, i digë.
Ledhet hijeranda, të kalasë madhështore
Të kujtojnë të kaluemen, trime e luftare.
Porsi ma e bukra sot përmendore,
E tokës shqiptare.
O njato mure, e njato rrenime!
Mbulue prej myshqesh e shermashekut,
Përmbi ballë të tyne ruejnë sa kujtime,
Të kohës Skanderbegut.
***
Po qeshi Shkodra, e bukur fare,
Rrethue prej malesh zbardhue prej bores.
Kur kënduene të lira vashat shqiptare
Kangët e fitores.
Kënduen fushat, malet dhe valet e Drinit,
Kur valoi flamuri mbi të lire Rozafen.
E ushtritë e hueja përtej kufinit
E thyene qafen!
Té ti, me njome të veta përdore,
Vijnë sot të mejtueme nanat shkodrane.
E u tregojnë fëmijve njimijë histore,
Mbi kalanë tande!
***
■Ishim me duer të shterngueme si burrat…
Ah Dedë Gajtani, si sot më kumbon zani Yt “nën za”… “Fritz, mos na ndigjoj kush!..”
– Vetem Rozafa!
Vetem Ajo, do të daltojë nder Gurt’e Saj… Emnin Tand për shekuj të shekujve!
Melbourne, 2015.
TREGONTE ANADOLLAKU FADIL YMERI…
Nga Fritz RADOVANI/
30 MAJI 1969 HAPNI DOSJEN: KISHA E VAUT TË DEJËS NË SHKODER./
Fadil Ymeri, kandidat i Komitetit Qendror të PPSh…mik i terroristit Ramiz Alia, ishte ulë në një tavolinë në mensen e fabrikës së Pelhurave në Shkoder, i rrethuem nga disa teknikë tezgjahu dhe po i shpjegonte me duer dhe kambë sesi mbasi e kishin mbushë me eksploziv Kishën e Vaut të Dejës, kishin ndezë fitilat dhe Kisha me kompanjel ishte shkëputë nga thëmelet…dhe, mbasi asht ngritë nalt, asht shkaperda copa copa…Ishte dishka e rrallë me pa momentin e shkatrrimit – vazhdonte me tregue me knaqësi Fadili.
Fadilit i takonte me u krenue per këte veper, se ishte sekretari i PPSh së hidrocentralit.
■“Sa keq që këtë dëmtim e kanë bërë njerëzit tanë”, i tha i “habitun” Enver Hoxha, drejtorit Monumenteve z. Gani Strazimirit, kur ky shkoi me u ankue per hudhjen në erë të ma shumë se 100 veprave “monumente kulture, që mbroheshin nga shteti”, sigurisht, kur ata nuk ishin Kisha Katolike. Enveri u prek thellë për këte veper po, “me që ishin njerëzit tanë barbarët” ai, si anadollakë, i mori në mbrojtje! “Heshtje…”!
■1985 Akademia e Shkencave e RPSSh, Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë 1985, faqe 477: “Kisha e Shën Mërisë në Vaun e Dejës… Në dokumentat historike përmendet së pari me 1400, por nga ndertimi kuptohet që i takon fundit të shek. XIII… Është e ndërtuar me gurë të skuadruar dhe të gdhendur pastër. Harqe të verbra kalojnë dhe në muret e jashtme, të cilat përfundojnë me një brez zbukurues prej harqesh të varura. Kapela e stilit romako – gotik e që gjen përhapjen në atë kohë në Shqipërinë e Veriut, shquhej për vlerat arkitekturore si dhe për pikturat e stilit bizantin në brendi. (A.M.)”
■Që Enver Hoxha ishte kush ishte tashma, dihet nga të gjithë origjina e tij anadollake dhe vazhdimsia e tij në sherbim të sulltanëve të Stambollit. Që rreth vetes kishte brumin e kallepit Ramiz Alisë e Fadil Ymerit me shokë, pra “njerëzit tanë”, si i quente ai vetë, edhe kjo dihet. Po, kur lexon tek Fjalori Enciklopedik i Akademisë së Shkencave, në faqe 477 tekstin e siperm, per Kishën Vaut të Dejes, që asht hjedhë në erë që me 30 Maji 1969, dhe mbas 19 vjetësh (simbas shkrimit A.M.) shkruhet: “Është e ndërtuar…dhe harqe të verbra kalojnë në muret e jashtme…etj…” rrena e mashtrime që ajo akademi i ka fillue që me 29 nandor 1944, po që nuk po kanë të sosun asnjëherë, njeriu ndjen dishka të pamujtun me e kalue tej grykës së fytit… të vështirë me e kaperdij… per ke asht Njeri!
■Që Enver Hoxha ishte i poshter edhe kjo dihet! Po, të vazhdosh me mashtrue Rininë tonë edhe mbas 20 apo 40 vjetësh, per shkatrrimin e kulturës, artit dhe Shqipnisë sonë deri në thëmele shekullore Europjane, e kur kjo poshtersi vazhdohet perditë edhe sot… kjo, asht e pafalshme dhe, përmatepër, që kjo masaker lidhet me një nga ngjarjet shumë të randsishme të historisë sonë kombtare, pikrisht me Kishen e Shën Mërisë së Vaut të Dejës, ku asht kunorzue Heroi ynë kombtar Gjergj Kastrioti Skenderbeu.
■Kjo me siguri ishte edhe arsyeja që, siç i ka quejtë edhe i nderuemi Prof. Arshi Pipa, “turqit e rinjë të Shqipërisë së re” Ramiz Alia, Fadil Ymeri, Xhemal Dini, Musa Kraja dhe një brez i tanë i trashigimtarëve të tyne edhe sot, po vazhdojnë me shkatrrue ato vepra që bota e qytetnueme i konsideron të paprekëshme perjetsisht në vendet e veta.
■Nuk ishte aspak rastësi shkatrrimi i Kishës Kathedrale të Shkodres, që ruente në muret e saja predhat malazeze… Prishja e Kishës së Fretenëve të Gjuhadolit, ku At Fishta, me datën 13 Qershor 1913 vendosi Flamurin Kombtar me Shqipen Dykrenare, Flamur të cilit i kushtoi dhe Hymnin e Tij, me muziken e At Martin Gjokës… Apo prishja e Kishës së Zojës tek Kalaja Rozafat, ku kompanjeli i saj tregonte drejtimin e gjyleve serbe dhe atyne malazeze kunder Shkodres Martire. Kazmat e vume në Kishen e Jezuitëve të Shkodres ishin kazma mbi Varrezat e Mësuesëve të Parë të Gjuhës Shqipe: At Xanonit, Jungut, Pasit, Don Ndre Mjedjes dhe të sa e sa personaliteteve tjera të kulturës sonë, tue mos perjashtue asnjëherë perpjekjet per shkatrrimin e mohimin e Identitetit tonë kombtar! ■Kjo, asht masaker e vazhdimsisë së terrorizmit 70 vjeçarë… Asht lufta per të cilen pasuesi i sulltan Muratit të dytë, terroristi i betuem i 8 nandorit 1941, Enver Hoxha me “njerëzit e vet” po vazhdonte me kthye Atdheun e Gjergj Kastriotit në germadhë e gurë… Po, në “Gurë”, që për shekuj të shekujve do ti gjuejnë brez mbas brezi këto anadollakë tue fillue nga Enver Halil Musa bej, Ramiz efendi Alia, Fadil Ymer i parodi e Xhemal Din’eimani, me prof. e lauruem të Stambollit Musa Krajthati i Akademisë Shkencave Otomane të RPSSh…dhe mik i “akademikëve të Revolicionit Kultural të Pekinit 1967”…
■HAPNI DOSJET e shikoni se çfarë gjaku të pistë, po trashigojnë “shqiptarët” e sotit… në organet shtetnore, akademi, kulturë, arësim e deri tek rojtarët e dyerve të pallateve… të ndertuem me korrupsion dhe mjete të tjera antishtetnore dhe antishqiptare…
■Jo, heshtje Vllazen e Motra Shqiptarë! Heshtja po shkatrron kulm e thëmel Shqipninë!
■HAPNI DOSJET: Jo, zvarritje! Ju kanë zanë sytë “dekoratat” e kriminelëve!
■Këta institucione shtetnore e kulturore kanë nevojë urgjente per pastrim!..
Vazhdon Pjesa XIII.
Melbourne, Prill 2015.
* Nevjim te ciklit: Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë…Pjesa XII
A KANË “IDEAL” KOMUNISTËT ?!
Nga Fritz RADOVANI*/
■HAPNI DOSJET ! Aty keni me gjetë edhe “idealin” e këtyne dy miqëve!
■Kur shkoi në Francë per studime Enver Hoxha deklaroi: “Unë do bëhëm terrorist!..”
Ky ishte “ ideali” i tij, që iu plotsue dhe u realizue mbi 500.000 viktima Shqiptarësh nga viti 1941 e deri 1985, kur drejtoi PKSh (PPSh), terror të cilin, e vazhdoi Ramiz Alia, derisa mbylli sytë tue i sherbye shovenistëve sllavë, sovjetikë, kinezë, arabë e antishqiptarë…
■E bija e Stalinit deklaroi në 1989 se: “Baba im Stalini, ishte vrasës i miljona rusëve…”
E bija e Enverit deklaroi në 1991 se: “U zgjuan kafshët…”
■Enver Hoxha deklaroi në 1967 se: “Shqipëria është shtet ateist..” dhe, në 1984 boton:
në librin “Shenime për Lindjën e Mesme”: “Shqiptarët duhet t’i referohen Kur’anit…”
■Ramiz Alia në vitin 1970 nderton në Shkoder “Muzeun Ateist” i vetmi në Botë… dhe mbasi vrasin, masakrojnë e burgosin me Enverin dhe Nexhmijen 138 Klerikë Katolik…
Me 2 Dhjetor 1992, dy presidentët anadollakë, Ramiz Alia dhe Sali Berisha shpallin: “Republika e Shqipërisë antare e Konferencës Islamike”… Nexhmia zemrohet…e heshtë: “Nuk duhet të zemrohemi, për ideal të partisë, né jemi vëllezër gjaku me turqit…”
■Në vitin 1990 kur Rinia Shkodrane kerkon heqjen e diktatorëve Stalin dhe Enver, asht ky Ramiz Ali terroristi barbar, që lanë me gjak piramidat kufitare dhe Shkodren heroike me Gjakun e Dëshmorëve të 2 Prillit 1991, Arben Broci me shokë.
■Gjaku i paster i Rinisë Shqiptare ishte “ideali” i komunistëve tradhëtarë e terroristë!
Ky ishte dhe asht “ideali” i trashigimtarëve të tyne atëherë dhe sot! A kerkoni fakte?
HAPNI DOSJET !
■Ja fjalimi i terroristit Ramiz Alia, në Byronë Politike të K.Q. të PPSh, në vitin 1989:
Shokë, pushteti ka qenë dhe do mbetet yni!
Strategjia e ndryshimit… “Partitë dhe të tjerët që do të vijnë të kontrollohen nga ne.
Sali Berisha, Fatos Nano dhe pasuesit janë dhe do të mbetën veglat tona besnike…
■Si do ta përjetësojmë komunizmin? – “Të jeni të sigurtë që e ardhmja do të jetë jona. Kurrë nuk do të lejojmë restaurimin e pushtetit politik të armiqve tanë! Sistemi ynë tanimë është drejt kapitullimit përballë sistemit kapitalist. Kështu na lind si detyrë që të ndryshojmë strategjinë tonë. Ndryshimet do të jenë në dy drejtime kryesore: në krijimin e pluralizmit politik dhe në respektimin e të drejtave të njeriut. Me këto të fundit edhe mund të abuzohet, pasi të drejtat janë gjëra që rregullohen brenda për brenda me ligj, por pluralizmi duhet të vendoset patjetër. Le të krijojnë kundërshtarët tanë parti të djathta, të majta apo të qendrës, madje do t’i nxisim dhe ne vetë, por kryesore është që të gjitha këto parti të kontrollohen nga ne vetë. Për këtë, edhe programet e themelimit duhet t’i formulojmë ne. Për drejtimin e këtyre partive duhet të gjenden njerëz që të përkrahin strategjinë tonë. Partia që do të marrë pushtetin, jo vetëm që është e lirë të shajë pushtetin, por këtë ta bëjë fort, sepse kështu do të fitojmë simpatinë e Perëndimit dhe të disidencës antikomuniste. Dhe e dini pse?! Sepse sapo të marrin fuqinë, do të fillojnë të hakmerren…Në zbatim të drejtave të njeriut, duhet t’u japim kompensimin në para, të burgosurit polikë t’i kompletojmë me komoditetet banimi. Të sekuestruarve dhe të shpronësuarve do t’u japim nga një letër në dorë që t’u njihet prona, por prona vetëm në pak duar do të bjerë, pasi ligji do t’i ngatërrojë njëri me tjetrin…Kësaj kategorie mendoj që t’i japim pasaportë për t’u larguar nga Shqipëria më mirë dhe me kaq do të jenë të kënaqur. Pasuria e tyre na përket neve, sëpse ne e bëmë.
■Gorbaçovi më dërgoi disa dokumente e plane dhe po i studioj prej kohësh…Kjo është një mbledhje vetëm për ne më të besuarit, ndaj le të flasim hapur. Ne kemi kuadro sa për shtatë Komitete Qendrore, pra frika nuk duhet të ekzistojë. Shumë intelektualë do të na kundërshtojnë, por me ta do të rregullohemi duke u dhënë punë e ngritur paksa rrogën. Problem mund të jenë intelektualët pensionistë. Këtyre do t’u ofrojmë krijimin e Shoqatës së Veteranëve të Luftës dhe të Punës…
■Kosova është në pragun e shpalljes së Kushtetutës. Është punë e tyre, ne e kemi programin dhe platformën tonë. Strategjia është e qartë dhe kemi përcaktuar rrugët për zbatimin e qëllimit misionit tonë. Nën një propagandë ekstreme kundër komunizmit dhe me disa ndëshkime të vogla, sa për sy e faqe ndaj nomenklaturës së lartë komuniste.
■Ne, komunistët reformatorë, do të zbatojmë strategjinë tonë në ekonomi, sipas së cilës kapitalistët dhe pronarët e ardhshëm në një vend socialist të jemi ne apo njerëzit tanë. Me strategjinë tonë të re, brenda dy-tre legjislaturash do të arrijmë që nga klasa komuniste të krijojmë klasën kapitaliste, e cila do të na përjetësojë ne pushtetin politik të së ardhmes. Të jeni të sigurtë që e ardhmja do të jetë jona. Kurrë nuk do të lejojmë restaurimin e pushtetit politik të armiqve tanë. E ardhmja e fëmijëve tanë do të jetë e mrekullueshme, gjithnjë e sigurt, sepse për këtë kemi derdhur kaq gjak dhe do të derdhim përsëri po të jetë nevoja. Shqipërinë do ta gëzojmë ne dhe pasardhësit tanë. Po rastisi që të na e përvetësojnë pushtetin apo të rrezikohemi, atëhere mos u gëzofshim asnjëherë, nëse nuk do të dimë t’i mbrojmë fitoret e arritura, qoftë edhe me grykën e pushkës, si në rininë tonë të hershme. Ndaj, për të mbrojtur mbajtjen e pushtetit duhet të jemi të përgatitur në të dyja anët; në rrugën paqësore dhe në atë të luftës së armatosur.
■Ne jemi të përgatitur për të dyja rrugët; kemi njerëzit e vendosur dhe guximtarë, të cilët i kemi përgatitur me sakrifica e mund për vite me radhë, por kemi edhe organet tona të dhunës. Ndaj, mjerë ata që do të guxojnë të na kundërvihen. Jua them këtë që të mbani lart moralin dhe asnjëri prej jush të mos ketë frikë. Nëse do të jetë e nevojshme, do të kemi edhe mbështetjen e aleatëve të jashtëm ideologjikë në pushtet, që ju i dini mirë se sa na kanë ndihmuar. Pavarësisht konflikteve të fundit që kemi patur me ta, duhet ta dini se na bashkon kauza e pushtetit të komunistëve, pavarësisht nga nuancat dhe përplasjet e përkohshme. Përveç aleatëve ideologjikë, do të kemi edhe mbështetjen e aleateve të Perëndimit, me të cilët kemi ruajtur fijet e lidhjeve të vjetra për hir të interesave të mëdha. Këta të fundit do t’i përdorim vetëm nëse do të jetë shumë e nevojshme. Shoku Enver dikur, dhe unë sot, i kemi ruajtur këto lidhje që të garantojnë pushtetin tani edhe në të ardhmen, përgjithmonë! Ju garantoj se pavarësisht nga rrethanat e vështira aktuale, sidoqë të shkojnë punët, ujë do të rrjedhë në mullirin tonë. Për këtë jeni të garantuar sot e përgjithmonë. Kërkoj nga ju që të mos keni frikë, të shtrëngoni radhët dhe të mos dekurajoheni… në fund të fundit rëndësi ka pushteti, që do të jetë plotësisht yni. Ju uroj punë të mbarë, mobilizim dhe mendje të kthjellët!
■Mbajeni mend: Fitorja dhe pushteti do të jenë përjetësisht tona! Do bisedojmë prap…
***
■Fanari ndriçues i marksizëm – leninizmit thotë: “Shqiptarët t’i referohen Kur’anit!”…
Shikoni me kujdes foton naltë…Kush ishin ata dy…Dhe, kush po e drejton Shtetin sot!..
■Ka pasë thanë Ai Plaku i Grisë, “qeeeni që han robtë e shpiiisë… Do vraaa!!”
Vazhdon Pjesa XII…
Melbourne, Prill 2015.
* Nga cikli: Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë…, Pjesa XI
VDIQËN PER NJË IDEAL:“RRNOFTË KRISHTI MBRET, RRNOFTË SHQIPNIA !”
Nga Fritz RADOVANI/
“E PREMTJA E ZEZË NË SHQIPNI KA FILLUE ME 29 NANDOR 1944, DHE KA ME VAZHDUE DERISA TË MAROJË KOMUNIZMI.” Don Dedë MALAJ (1959)./
“Ajo që ka ngja në Shqipni, të dashtun Vllazën e Motra,s’ ishte pa kurrë në historinë e njerzimit…”- Papa Gjon Pali II (Prill 1993)/
KY ISHTE KLERI KATOLIK SHQIPTAR PËRBALLË GENOCIDIT KOMUNIST/
■“Kleri Katolik Shqiptar asht kleri ma heroik që ka me cilësue historia në rrugën dymijëvjeçare të Krishtit, sëpse, mbas pesëqind vjet robnije nën Turqi, po të merret historikisht prej vitit 1912, kur Shqipnia u formue si shtet e deri me 1944, që këtu erdhën në fuqi komunistët, … janë vetëm 30 vjet mundësi me formue një Kler Shqiptar e, për 30 vjet me nxjerrë aq Heronjë sa kemi nxjerrë na, nuk ka asnjë kler në Botë”.
At Pjetër Mëshkalla S.J.
●Kleri Katolik Shqiptar para vitit 1944 kishte mbrenda kufinjve shtetnor: 220 Meshtarë, shumë murgesha, disa fratela e qindra objekte kulti.
Mbas vitit 1944, janë shugurue edhe 25 Meshtarë në Shqipni, ndërsa, jashta kufinjve shtetnor janë shugurue edhe 20 Meshtarë tjerë.
●Genocidi komunist ka përfshi nga viti 1944 – 1990 këta Klerikë Katolik:
●TË PUSHKATUEM: (Me gjyqe, pa gjyqe dhe gjyqe të mëshefta)
1. Imzot FRANO GJINI (1886 – 1948) Regjent i Delegacionit Apostolik në Shqipni.
2. Imzot GJERGJ VOLAJ (1904 – 1948) Ipeshkëv i Sapës.
3. Imzot NIKOLL DEDA (1890 – 1948)
4 Imzot NIKOLL NOGA (TUSHA) (1895 – 1946)
5. At MATI PRENNUSHI OFM. (1882 – 1948)
Provinçial i Françeskanve të Shqipnisë.
6. At ÇIPRIAN NIKA OFM. (1900 – 1948)
Guardian i Françeskanve të Shkodres.
7. At LEKË LULI OFM. (1908 – 1944).
8. At LEONARD TARGAJ OFM. (1910 – 1945)
9. Don LAZËR SHANTOJA (1892 – 1945)
10. Don NDRE ZADÊJA (1891 – 1945)
11. Don MARK GJANI (1909 – 1945)
12. At PAPA PANDI (1909 – 1945)
13. At ANTON HARAPI OFM. (1888 – 1946)
14. At GIOVANI FAUSTI SJ. (1899 – 1946)
15. At DANJEL DAJANI SJ. (1906 – 1946)
16. At GJON SHLLAKU OFM. (1907 – 1946)
17. Don NIKOLL GAZULLI (1893 – 1946)
18. Don ALFONS TRACKI (1892 – 1946)
19. Don LUIGJ PICI (1907 – 1946)
20. Don ZEF MAKSEN (1901 – 1946)
21. At BERNARDIN LLUPI OFM. (1894 – 1946)
22. Don LUIGJ PRENDUSHI (1896 – 1947)
23. Don DEDË MAÇAJ (1920 – 1947)
24. Don ANTON ZOGAJ (1905 – 1948)
25. Don EJËLL KOVAÇI (1920 – 1958)
26. Don DEDË MALAJ (1920 – 1959)
27. Don ZEF BICI (1919 – 1968)
28. Don MARK DUSHI (1920 – 1968)
29. Don MARIN SHKURTI (1933 – 1969)
30. Don SHTJEFËN KURTI (1898 – 1971)
31. Don MIKEL BELTOJA ( 1935 – 1974)
32. Seminaristi MARK ÇUNI (1919 – 1946)
●TË VDEKUN NË TORTURA:
33. At LORENC MITROVIÇ OFM. (1872 – 1943)
34. At BERNARDIN PALAJ OFM. (1894 – 1946)
35. At SERAFIN KODA OFM. (1915 – 1947)
36. Papa JOSIF PAPAMIHAJLI (1912 – 1948)
37. Don ALEKSANDËR SIRDANI (1892 – 1948)
38. Don PJETËR ÇUNI (1914 – 1948)
39. Don DEDË PLANI (1889 – 1949)
40. Don JAKË BUSHATI (1890 – 1949)
41. Imzot JUL BONATI (1874 – 1951)
42. Vlla GJON PANTALIA ( 1887 – 1947)
●TË VDEKUN PAK KOHË MBAS TORTURASH NGA SIGURIMI I SHTETIT:
43. Imzot FRANO GJURAJ (1893 – 1947)
44. Don ANTON MUZAJ (1921 – 1948)
45. Don KOLEC PRENNUSHI (1902 – 1950)
46. Don LAZËR JUBANI (1925 – 1982)
●TË VDEKUN NË BURGJE E KAMPE SHFAROSJE:
47 Imz. VINÇENC PRENNUSHI OFM. (1885 – 1949)
48. Imzot ERRNESTO ÇOBA (1913 – 1980)
49. Don MARK BICAJ (1911 – 1946)
50. Don NIKOLL SHELQETI (1892 – 1947)
51. Don EJËLL DEDA (1917 – 1948)
52. Don NIKOLL LASKAJ (1898 – 1948)
53. At GASPËR SUMA OFM. (1897 – 1950)
54. At PAL DODAJ 880 – 1951)
55. At KARLO SERREQI OFM. (1911 – 1954)
56. At KLEMENT MIRAJ OFM. (1882 – 1956)
57. At RROK GURASHI OFM. (1894 – 1965)
58. Don RROK FRISKU (1892 – 1956)
59. Don PJETËR NOGA (TUSHA) (1873 – 1958)
60. Don ANTON DOÇI (1920 – 1973)
61. Don MARK HASI (1920 – 1981)
62. Don LEC SAHATÇIJA (1906 – 1986)
63. Don NIKOLL GJINI (1911 – 1987)
64. Don PJETËR GRUDA (1922 – 1989)
●VDIQËN MBASI VUEJTËN DËNIMIN:
66. Imzot GJERGJ HABERI (1874 – 1950)
67. Don ZEF SHTUFI (1879 – 1950)
68. Don NDOC NIKAJ (1864 – 1951)
69. Don MARK SHLLAKU (1865 – 1951)
70. Imzot BERNARDIN SHLLAKU OFM. (1875 – 1956)
71. At BUON GJEÇAJ OFM. (1870 – 1957)
72. At PAL ÇIURÇIJA OFM. (1878 – 1957)
73. At PASHKO GJADRI SJ. (1877 – 1960)
74. Don NIKOLL KIMZA (1878 – arratiset, vdes në Romë 1960)
75. Don NDOC SUMA (1887 – 1962)
76. Don TOMË LACAJ (1898 – 1962)
77. At MARIN SIRDANI OFM. (1885 – 1962)
78. Don VLASH MUÇAJ (1918 – 1963)
79. At LEONARD SHAJAKU OFM. (1887 – 1964)
80. Don MEHILL ÇUNI (1871 – 1965)
81. At ÇIRIL CANI OFM. (1875 – 1967)
82. Don LAZËR DEDI (1919 – 1967)
83. Don PRENKË QAFALIA (1900 – 1967)
84. Don NIKOLL SHLLAKU (1886 – 1967)
85. Don NDRE LUFI (1878 – 1969)
86. At FLORIAN BERISHA SJ. (1897 – 1970)
87. At MARK HARAPI SJ. (1890 – 1974)
88. At MARJAN PRELA OFM. (1885 – 1974)
89. At GJON KARMA SJ. (1896 – 1975)
90. Don PAL GJINI (1905 – 1975)
91. At ALFONS ÇUNI OFM. (1900 – 1976)
92. Don NDUE SOKU (1922 – 1976)
93. Don LEKË DREDHAJ (1899 – 1976)
94. At MËHILL MIRAJ OFM. (1909 – 1978)
95. Don INJAC GJOKA (1916 – 1979)
96. At GEGË LUMAJ OFM. (1904 – 1980)
97. At DONAT KURTI OFM. (1903 – 1983)
98. At MËHILL TROSHANI SJ. (1904 – 1983)
99. At SEBASTJAN DEDA OFM. (1916 – 1984)
100. At FILIP MAZRREKU OFM. (1913 – 1984)
101. At FRANO KIRI OFM. (1902 – 1986)
102. At FERDINAND PALI OFM. (1907 – 1986)
103. Don MARIAN ARTA (1905 – 1986)
104. At AUGUSTIN ASHIKU OFM. (1906 – 1986)
105. At PJETËR MËSHKALLA SJ. (1901 – 1988)
106. Don KOLEC TONI (1932 – 1992)
107. Don NDOC SAHATÇIJA (1904 – 1993)
108. At PETRAQ ISAK (1914 – 1997)
109. Fra GASPËR JUBANI (1920? – 1992)
●KLERIKË QË U ZHDUKËN NGA SIGURIMI I SHTETIT KOMUNIST:
110. Don MATISH LISNA (1924 – helmatisë 1958)
111. Don PRENKË NIKÇI (1921 – aksidentalisht 1974)
112. Don LAZËR SHELDIJA (1928 – 1988, vra në SHBA)
●VUEJTËN DËNIMIN DHE ISHIN NË SHERBIM TË FESË MBAS VITIT 1993:
●25 Prill 1993 PAPA GJON PALI II – në SHQIPNI.
“….Të dashtun Vllazën e Motra! Sa herë në të kaluemen ju asht dashtë me ruejtë identitetin tuej. Me një angazhim të tillë, sikur edhe vetë ky shesh na e kujton, u shque figura e naltë e të Krishtenit Gjergj Kastriotit Skenderbeut, i respektuem nga Papët e Romës dhe përjetësisht i gjallë në kujtimin e Popullit Shqiptar…
Papa Gjon Pali II (Në Sheshin Skenderbej Tiranë)
Buletini Katolik Shqiptar, Vol.XIV. fq. 171, 1993. San Francisco USA.
113.Imz FRANO ILLIJA Argjipeshkëv i Shkodres (1918 – 1997)
114. Imzot NIKOLL TROSHANI (1915 – 1996)
115. Imzot ZEF SIMONI (1928 – 2009)
116. Imzot MIKEL KOLIQI ●KARDINALI I – SHQIPTAR (1902 – 1997)
117. At ZEF PËLLUMBI OFM. (1924 – 2008)
118. At ALEKS BAQLI OFM. (1918 – 1993)
119. At JAK GARDIN SJ. (1905 – 1996)
120. Don ZEF GILA (1916 – 2000)
121. At KONRRAD GJOLAJ OFM. (1918 – 2000)
122. Don SIMON JUBANI (1928 – 2011)
123. At LEON KABASHI OFM. (1906 – 1998)
124. Don LUIGJ KÇIRA (1925 – 2008)
125. Don NDRE KRROQI (1922 – 1996)
126. At ANTON LULI SJ. (1910 – 1999)
127. At DIONIZ MAKA OFM. (1910 – 2004)
128. Don NIKOLL MAZRREKU (1912 – 1996)
129. Don PASHKO MUZHANI (1915 – 1993)
130. Don NDOC NDOJA (1914 – 1996)
131. Don LORO NODAJ (1918 – 1996)
132. Don NDOC NOGAJ (1926 – 2011)
133. Don GJERGJ SIMONI (1935 –
134. Don ERRNEST TROSHANI (1928 –
135. Don MARTIN TRUSHI (1933 – 1998)
136. At GJERGJ VATA SJ. (1915 – 2000)
137. At VIKTOR VOLAJ OFM. (1910 – 1995)
138. Don JAK ZEKAJ (1906 – 1995)
●MOTRA QË VUEJTËN DËNIME NË BURGJET KOMUNISTE:
139. Moter GJEORGJINA BULGARECI (1928 – ?
140. Moter LILJANA RADOVANI (1925 – 2002)
●Shenim (FR): Pranë emnit shenohët OFM për Urdhnin Françeskan, dhe SJ., për Urdhnin Jezuit. Mbas vitit 1993, rreshtimi asht ba simbas rendit alfabetik.
Këtu përfshihen vetem Ata Klerikë që janë pushkatue, zhdukë, mbytë në tortura, vuejtë në hetuesi, burgje, kampe shfarosje dhe interrnimi nga Shtetit komunist i Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë, nga viti 1943 – 1991.
Melbourne, Prill 2015.
- « Previous Page
- 1
- …
- 40
- 41
- 42
- 43
- 44
- …
- 65
- Next Page »