• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

1945 – 2015- 70 VJET SHQIPTARËT NËN “PERKRENARE” BETONI

January 16, 2015 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/
17 Janar …/
■Plot 70 vjetë që u dhunue Atdheu dhe Flamuri i Gjergj Kastriotit…
Një za ushtoi pranë kompanjelit ku partizanët vune Flamurin e Shqipnisë me yllin e kuq.
Ishte… At Gjergj Fishta…
ÇOHI, TË VDEKUN !
Shqiptarë, a ndiet ? Evropa, mrrutë e ndytë,
Shkerdhye me Evrej t’ Parisit e t’ Londonit,
(Se cilës dreqi ia plasi të dy sytë
E marren ma s’ e sheh, njitash n’ e s’ vonit)
E bani gjyq, qi t’ nipat e Kastriotit
Shkjeve t’ Balkanit urë t’u rrijnë mbas sotit.
Po; per Shqiptarë pleqnue e ka Evropa,
Qi shi njatyne urë t’u rrijnë perdhé,
Të cilët Kishat rrënue ua kanë me topa
E n’ djep foshnjet e njoma ua kàn pré:
Qi t’ ndertat vasha u kanë koritë përdhuni
E rrugash bamë i kanë me vdekë ûni.
E mbas sotit Shqiptarët n’ gjuhë t’ huej do t’ flasin;
E gjakësve t’ vet do t’ bajnë këta t’u ngjatët jeta?
Hajnat lapera zotni do t’ thërrasin,
E t’ pa rodit do t’ i apin pagë e t’ dheta;
Me armë shqiptare, n’ za gjithmonë e n’ namë,
Sogje Shqiptari shkjaut do t’ rrijë sot n’ kambë.
Ah vaj! Ah kob! A ka ma zi n’ ketë jetë?
A ka si i bahet kujt ma tepër dhúnë?…
Ehu! Shka do t’ bajnë, thue, tash Shqiptarët e shkretë:
Ata, qi m’ vedi pasë e kanë kanunë:
Ata, qi n’ dej kanë gjak të Skenderbeut:
Qi shekulli mbajtë i ka per burra t’ dheut? –

***
Urra! Po, djelm! Shqiptar kushdo ka lé,
N’ mos mujtë Shqiptar me mbetë, Shqiptar t’ hijë n’ dhé!
E n’ kjoftë se lypet prej s’ hyjnueshmes Mëni,
Qi flijë t’ bahet ndo ‘i Shqiptar m’ therore,
Qé, mue tek m’ keni, merrni e m’ bani fli
Per Shqiptari, me shue çdo mëni mizore. –
Oh! Edhe pa mue Shqipnia kjoftë e rrnoftë
E nami i sajë per jetë u trashigoftë!
Po: Rrnoftë Shqipnia! E porsi krypa n’ Dri
E porsi krandja e thatë n’ nji flakadâ,
U shoftë me arë, me farë me mal me vërri
Kushdo Shqiptar, qi s’ brohoritë me zâ,
Kushdo Shqiptar, qi s’ brohoritë me uzdajë
Oh! Rrnoftë Shqipnia! Rrnoftë Flamuri i Saj!
(Marrë nga Lirikat: “Surgite mortui!”)
***
■Nëse në vitin 1913 kishte mbetë një “copë” Shqipni, po i themi…
Në vitin 1945, Aleatët e robnojnë Shqipninë e Gjergj Kastriotit, nën zgjedhen e eger të shovenistëve sllavokomunistë të Titos… Qeveria kukull e Tiranës, i dorzohet një tirani sa anadollak aq tradhëtar dhe i pabesë, që për kolltuk të vet vret e therë edhe kunatin…
At Gjergj Fishta vertetë se u “perjashtue” nga shkollat Shqiptare… Pse, vepra e Tij asht e papersëritëshme dhe e panjohun nga brezat pasuese… Ai parandjente:
Qé, mue tek m’ keni, merrni e m’ bani fli
Per Shqiptari, me shue çdo mëni mizore. –
– Po, a u shue deri sot ajo mëni mizore? – Urrejtja ndaj Tij…nuk shuhet!
Lè të flasin zani i vertetë i Historisë së Pergjakëshme 47 vjeçare të Popullit Shqiptar…
Lè të flasin varrezat nën “Perkrenaren” e betonit…
Ata, qi n’ dej kanë gjak të Skanderbeut:
Qi shekulli mbajtë i ka per burra t’ dheut? –
E nuk janë aq pak sa kujtojnë… Po, janë mbi 50.000 viktima të kësaj robnije 47 vjeçare…
Melbourne, Janar 2015.

Filed Under: ESSE Tagged With: 1945 – 2015- 70 VJET, Fritz radovani, NËN “PERKRENARE” BETONI, shqiptaret

14 JANAR 1990 – 2015- 25 VJETORI I DEMOSTRATES Së PARE ANTIKOMUNISTE Në SHKODER

January 13, 2015 by dgreca

1944 – 1991/
Nga Fritz RADOVANI*/
14 JANAR…
■Profesor Petro Fundo ka thanë për tiranin Enver Hoxha:
“Diktatorët si ay, vazhdojnë për të sunduar edhe pas vdekjes!”
Kjo foto duhet të na zgjojë edhe natën për të na rikujtue atë tirani të pashoqe që ka sundue dhe po vazhdon me robnue një Popull në Europë, që luftën për Liri asnjëherë nuk e ka pushue por, edhe ka derdhë gjak ma shumë se asnjë shtet tjetër.
■Ngjarjet e fundit të vitit 1989 në Rumani, ishin sinjali i zgjimit të pritshem në Shkoder!
Maska e hipokrizisë së Ramiz Alisë dhe Nexhmije Hoxhës, mbas prishjes marrveshjes me Shtrausin e Gjermanisë tue kalue në prehen të Onekerit Gjermanisë Lindore, dhe të gjitha perpjekjet e mëshefta me blokun komunist si dhe vendet islamike, kishin krijue tek Shqiptarët bindjen se thanja e Don Lazer Shantojës në Janarin e vitit 1945, asht e padiskutueshme që: “Të gjithë komunistët janë tradhëtarë!”
■Vransinat e zakonshme të Janarit në Shkoder, nuk do të munden me pengue rrezet e një “dielli” që kishte perëndue prej 46 vjetësh në Shqipninë e Gjergj Kastriotit. Rinia e Shkodres Martire kishte vendosë me u vetsakrifikue për Liri dhe Demokraci, por në një
kah gati të harruem prej vitit 1945, kur kasapët e Jaltës e lane nën robninë komuniste të
shovenistëve sllav të Titos, me sherbëtorin e tij anadollak Enver Hoxha. Ishte pikërisht kahu i Atyne Martirëve që thirrën që në 1911 në Deçiq, përkrah Dedë Gjo’ Lulit të Hotit: “Duem një Shqipni të Bashkueme!”… “E duem Shqipninë si gjithë Europa!”…
■Ishte data 14 Janar 1990, kur Sheshi i Deshmorëve në qendren e qytetit Shkodres kishte që në orët e para të mengjesit disa mija vetë të rijë rreth monumentit të tiranit Stalin.
Fatkeqësisht, Partia e Punës e Ramiz Alisë, një fanatiku anadollak i pashoq, dhe pikrisht sëpse ishte i tillë pasoi Enver Hoxhën, me anën e sigurimit të shtetit kishte mërrijtë me shmangë nga kjo Protestë në heshtje, një zonë të madhe të qytetit ku perfshihej Parruca, Xhabijej, Perashi dhe Dudasi. Komunistët atje i kishin dhanë Protestës ngjyrë fetare.
Ata persona që mendoheshin organizatorë të Protestës një natë përpara u arrestuen nga vetë kriminelët zevendësministri i mbrendshëm Zylyftar Ramizi, dhe kryetari i Degës së Mbrendshme të Shkodres Çapajev Taçi, që vazhdonn me “zbatue” ligjin. U arrestuen shumë të rijë nder të cilët kujtoj: Dedë Kasneci, Gjergj Livadhi, Rin Monajka, Kolec Hublina, Nikolin Thana, Tonin Dema, Flamur Elbasani, Nikolin Pergjini, Klaudio Daka, që mbasi u derguen në Tiranë ku, u masakruen barbarisht në hetuesi atje, me urdhen të vetë ministrit mbrendshëm Simon Stefani, edhe u dënuen me shumë vite burg.
■Në këte Demostratë të vertetë antikomuniste Ramiz Alia, u mundue me i dhanë edhe botës së jashtme idenë e një organizimi nga Kleri Katolik që porsa ishte lirue nga burgu, tue u mundue me fajsue edhe dy klerikët Don Simon Jubani, i njohun si antikomunist i pathyeshem në burgun e Burrelit, si dhe Don Zef Simoni, i liruem nga burgu i Spaçit, ku vite perpara e ekzekutuen katër Heroj në Revolten e atij kampi shfarosje. Kur tek Don Simoni ka shkue një natë para Ndrekë Bazhdari me i kerkue me shkue në Demostratë, Don Simoni i ka thanë: “Jo, mue nuk më lejohet që të vij se jam klerik dhe me që demostrata apo protesta ka karakter politik unë nuk mund të marrë pjesë. Po të ishte se do të protestojmë për lejimin e fesë, hapjen e kishave e objekteve të kultit, unë vij i pari me Ju, dhe nuk kam asnji kundershtim”. (Dishmi gojore nga Don S. Jubani)
Sigurisht, u bane dhe arrestime tjera si vllaznit Haxhi, Kol Margjini, Paulin Palushi, Mati Prennushi, Leonard Kalaj, etj., që fatkeqësisht me emnat e tyne nuk mungojnë edhe shumë emna vajzash të reja, që nuk po kujtohen nga askush per Heroizmin e Tyne: “Pjesmarrës në Demostraten e Parë Antikomuniste me 14 Janar 1990, në Shkoder!”
■Masat e sigurimit shtetit ishin ma ekstremet. Sjellja e forcave speciale dhe vendosja e armëve goditëse nder tarracat e turizmit, PTT, Sahatit Inglizit, etj., pesë ambulancat e mbushuna me armatime para turizmit (që i kam pa vetë me sy), apo forcat tjera në rrethina të Shkodres të gatëshme per kasaphanë, tregojnë etjen per hakmarrje që ishte e brumosun me një urrejtje të pashoqe 46 vjeçare, që në Janarin e Vitit 1945 me Prekë Calin, e që vazhdoi me zhdukjen e Demokratit Parë Shqiptar Mark Çuni, kur thëmeloi Organizatën e Parë Antikomuniste “Bashkimi Shqiptar” në Shkoder në Maji 1945.
■Demostrata e Janarit 1990 ishte vertetë Antikomuniste, sëpse në gjiun e saj ajo nuk pat “pulëbardha”… që nga fundi i vitit ato u vishën me “pardysytë e bardha”.
■Që Ajo ishte e tillë e verteton edhe qendrimi i turpëshem ndaj Heroit të Pavdekshëm e Shkodranit Rin Monajka, i cili nuk ka asnjë shenjë kujtimi tash 25 vjetë në Shkoder!
■Shkodranët nuk duhet të presin nderime dhe kujtime nga masakruesit e Tyne!
■Historianët le të mos e shkruejnë kurrë një rresht për këte Demostratë Historike, mbasi edhe kjo asht në Nderin dhe Lavdinë e Rozafës Antikomuniste e Liridashëse!
■Shkoder! Kurrë mos e harro thirrjen: “E duem Shqipninë si gjithë Europa!”
■Historia e Shkodres Antikomuniste e shkrueme me Gjak Herojsh, asht e Perjetëshme dhe e Lavdishme nder shekuj të shekujve! Lavdi Herojve të Saj!
Melbourne, 13 Janar 2015.
* Ne vijim te rubrikes:
Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë…

Filed Under: Histori Tagged With: 14 JANAR 1990 – 2015- 25 VJETORI I DEMOSTRATëS Së PARë, Antikomuniste", Fritz radovani, ne shkoder

PESË PREDIKATARËT MA TË MËDHEJ TË KLERIT KATOLIK SHQIPTAR NË SHEKULLIN XX

January 4, 2015 by dgreca

■1945 – 1950 Pushkatohen dhe zhduken 5 kolosët e mendimit Atdhetar, Fetar…
Nga Nga Fritz RADOVANI*/
I-At Anton HARAPI O.F.M. (5 Janar 1888 – 20 Shkurt 1946)
■Asht lé me 5 Janar 1888 në Shirokë, pranë Shkodres. Studimet e nalta i ka ndjekë në Salzburg, e mandej Schwaz e Villach të Tirolit të Austrisë, ndërsa studimet teologjike i ka krye në Romë. Në vitin 1910 kthehet në Atdhé dhe shugurohet Meshtar tue plotsue kushtet e Urdhrit Françeskan O.F.M., në Shkoder. Besnik i Idealit “Atdhé e Fé”!
■Asht organizator ndër tre bajrakët Hot, Grudë e Triepsh i Memorandumit të përgatitun nga Ai vetë në vitin 1918, që Paria e Maleve i dorzoi komandantit francez në Shkodër. Në bashkëpunim me Luigj Gurakuqin dhe At Fishtën, harton një peticion të nënshkruem nga 200 përfaqësues të tre Bajrakëve, drejtue përkatësisht Konferencës së Paqës në Paris, ministrave të jashtëm të ShBA, Anglisë, Francës dhe Italisë. Asht nisiator dhe formoi grupimin “Ora e Maleve”. Kjé bashkëpunëtor dhe nismëtar edhe i botimit të fletores me të njëjtin emën. Në vitin 1925, arrestohet pak kohë nga A. Zogu, dhe shkon profesor në Liceun “Illyricum”… Nga vitët 1930-1936 asht drejtor i “Hyllit të Dritës”, si shkruejnë dhe gazetat “Posta e Shqypnisë” e “Zani i Shna Ndout”, ku për shtatë vite mbuloi rubrikën me mendime filozofike popullore “Thâna e thâsha”.. Në vitet pasuese asht predikues i palodhun i vlerave, parimeve, kulturës së krishtenë dhe Atdhetarisë.
■Edhe mos të angazhohej për Shpëtimin e Atdheut, në vitin 1943 me Rregjencën Shqiptare, At Anton Harapi do të pushkatohej nga komunistët para datës 20 Shkurt 1946.
■Asht orator, mendimtar, dijetar, shkrimtar, organizator, trim dhe parashikues i dalluem në mendimet e Tij, në lidhje me t’ ardhmen e njerzimit mbas Luftës II Botnore:
“SHQIPNIJA U FITUE ME GJAK; ME GJAK EDHE PO MBAHET E ROBNUEME. DO TË VIJ DITA E, ME PAQË E DREJTËSI DO TË FITOHET !” (Shkurt 1946.)

II. Imzot Gaspër THAÇI (23 Janar 1889 – 25 Maji 1946)
■Asht lé në Shkoder me 23 Janar 1889. Studmet e nalta i ka krye në Insbruck të Austrisë dhe shugurohet Meshtar në Shkoder me 21 Shtator 1912.
■Me 8 Dhjetor 1912 ngriti Flamurin Kombtar në Qelzë, ku shërbente si famullitar.
Mbas vdekjes së Imzot Lazër Mjedjës, emnohet Argjipeshkëv metropolitan në Shkoder, ku mbas vitit 1944, përballet me diktaturen komuniste. Në muejn mars 1945, dy javë mbas pushkatimit Don Ndre Zadejës, nuk pranon me pritë Mehmet Shehun. Asht thirrë nga Enver Hoxha bashkë me Imz. Frano Gjinin, atë kohë Regjent i Delegacionit Apostolik në Shqipni, për me pré mardhanjet me Vatikanin, po nuk kanë pranue.
■Në kushte izolimi, me 26 Maji 1946, mbyllë sytë nga një smundje e randë.
■Sigurimi komunist organizon të gjitë agjentat e vetë me pengue me çdo kusht funeralin, pjesmarrjen e qytetarëve e të rinisë shkodrane në vorrim të Argjipeshkvit të paharrueshëm për të gjithë qytetin. Studentët katolik të gjimnazit të Shtetit kërcejnë nga dritarët për me shkue në Kishën Kathedrale, ku do të thohej Mesha solemne me korin e drejtuem nga Prenkë Jakova dhe muzikanti At Filip Mazrreku. Vetë Regjenti Apostolik Imzot Frano Gjini, drejtonte ceremoninë. Vorrimi u ba në Kishen Katedrale. At Konrrad Gjolaj do të shkruejnë se: “Punën e bame deri at’ ditë me rininë, ia prishi një arkivol!”
■Edhe Neroni që ka djegë Romën ka një vorr në Itali. Ndërsa, tek né në Shqipni, në vitin 1967 hapën vorret e Atyne që kanë vue thëmelet e qytetnimit Evropjan dhe komunistët ua tretën Eshtnat e Tyne… Ashtu si u veprue me të gjithë Ata që janë pushkatue, dhe u zhdukën nder hetuesi u veprue edhe me Imz. Gaspër Thaçin…

III. Don Lazër SHANTOJA (7 Korrik 1891 – 5 Mars 1945)
■Asht pinjoll i një familjes së vjetër shkodrane. Studimet e nalta i ka krye në Insbruck t’ Austrisë, dhe në vitin 1915 shugurohet Meshtar. Asht njohës i shumë gjuhëve të hueja, dhe shkelqen si orator, publiçist, stilist i rrallë, filozof dhe politikan, që për hirë të çeshtjes kombtare, gjithmonë në prizmin e bashkimit Trojeve Shqiptare, sakrifikon edhe jeten në moshen 54 vjeçare, mbas një masakrimi të pashoq nga terroristët tue u ngritë në panteonin e Atdhetarëve Shqiptar si “Martir’ i Parë i Klerit Katolik Shqiptar, me 5 Mars 1945… Pushkatimi i Tij ishte një “dëshirë” e Nanës së Tij, e cila kur e pau në një birucë të cunguem kambësh, dhe të zhytun në pisllek iu lut katilëve komunistë: “Aman, ju lutem, ma vritni djalin, mos e leni me vuejtë kështu!…” Ata ia plotsuen “dëshiren”…
■Në 1919 provoi burgun nga italianët. Në 1925 provoi burgun e A. Zogut… Gjithë jeten e kaloi në mërgim, po gjithmonë me mend, zemer dhe veprimtari pranë Atdheut.
■Si orator la mbresa të pashlyeshme ndër të gjitha vendet ku i shkeli kamba, jo vetem në Shkoder apo Tiranë, po edhe në Vlonë e të tjera qytete, ku pat rasen me u folë Shqiptarëve në ditë Feste e morti… Fjala e Don Lazrit në vorrimin e Avni Rustemit, asht një nder perlat letrare të Shantojës, ndonse fanatikët anadollakë mundohen me e harrue.
■Në vitin 1924 mbetë padyshim publiçisti ma i persosun dhe i pakompromis në
veprimtarinë Atdhetare, me artikujt dhe satiren e Tij në gazetën “Ora e Maleve”.
■Don Lazer Shantoja asht ndër letrarët ma modern të letersisë sonë.
■Në 1945, kur u arrestue tha: “As ma pak e as ma shumë se ajo që kam dijtë me kohë, se komunistët janë veç tradhëtarë!..” (D.L.Shantoja, Sheldijë 26 Janar 1945).
■A mundet kush sot, mbas 70 vjetësh me provue të kundertën?
■Yjet e Kombit nuk shuhen me ujë, dhe as, nuk mbulohen me baltë!

IV. Don Ndré ZADÊJA (3 nandor 1891 – 25 Mars 1945)
■Asht lé me 3 Nandor 1891 në Shkoder. Studimet e nalta i kreu në Insbruck të Austrisë. Me 26 Prill 1916 ka thanë Meshen e Parë tek Kisha e Zojës pranë Kalasë.
■Don Ndreu ishte shumë i rij kur pena e Tij filloi me shkelqye jo vetem si klerik, po edhe letrar, dramaturg, prozator dhe poet. Asht i njohun ndër tre letrarët botnor, me letren që i ka dergue At F. Cordignano S.J., jezuit italian që guxoi me fye Shqiptarët.
■Me 16 Gusht 1944, ditën e Shna Rrokut, në Shirokë paralajmon: “Dy fjalë i kam sot me ju, sidomos me ju o të rij. Një rê e zezë ngarkue me ideologji të kuqe po dyndet mbi krenat tona. Ajo ka ndërmend të shprazet mbi ju, por atëherë s’keni për të pasë shka me i ba, veç me i bajtë e me sprovue të këqijat, se përveç të zezave të tjera që ka, ajo mohon edhe Zotin”. Ishte predikatar që fjala e Tij trokiste në zemrat e rinisë Shqiptare!
■Ja disa thanje të Don Ndreut: “Sot ka edhe nga ata që thonë se nuk e njohin Flamurin Kombtar, nuk ngrihem në kambë për Hymnin e Shqipnisë. Ka pasë edhe në 1912 të tillë – ka pasë që donin përsëri gjysëmhanën e jo, Shkabën tonë madhështore…
Po për fat të mirë ka pasë shumë e ma shumë, ka përsëri sot e do të ketë në jetë të jetëve, nga ata që kanë kenë e janë përsëri gati të flijohen për “Ruben e kuqe”, Flamurin tonë me shkabë.” Dramat e Tij ishin Atdheu, Feja e Gjergj Kastrioti. Prandej, edhe…
■U arrestue… U torturue… I lidhun përdore me Atdhetarin Prek Cali… U gjet tek Muri i Gjakut nën çinar… Askush nuk ndigjoi një fjalë prej “gjyqit” Tij… Ishte i dyti Klerik Katolik Shqiptar që po pushkatohej në Shkodren e Martirizueme. 25 Shkurt 1945.
■Para pushkatimit tha: “Shqipni, moj mizore, çka të baj ma shumë për ty..?!”

V. Don Kolec PRENNUSHI (1 Janar 1902 – 2 Korrik 1950)
■Ishte i pesti klerik katolik i Familjes Prennushi, në Shek. XX. Asht lé në Shkoder me 1 Janar 1902. Studimet e nalta i ka perfundue në Linz të Austrisë, dhe u shugurue në Shkoder Meshtar, me 25 Qershor 1925, Ditën e Zemres së Krishtit…
■Zotnues i disa gjuhëve të hueja, qyshë i rij perkthyes dhe letrar modern.
■Ka shkrue libra me karakter filozofik dhe teologjik: “Zoti Asht”, “Rrimë shtremt e flasim ndrejt”, “Për Krishtin o kunder Krishtit”. Në vitin 1941, zen vend në Letrarët e Antologjisë Shqipe, “Rreze Drite”, me prozen “Të vershuemit”.
■Ka shkrue artikuj edhe me pseudonimin “Mujs Polemi” në revistat: “Zemra e Krishtit”, Hylli i Dritës”, “Cirka”, “LEKA” etj.
■Ishte i vetmi Shqiptar, që ftohej nga Jezuitët e Shqipnisë per leksione fetare me rasën e ushtrimeve shpirtnore në kuvendin e tyne.
■At Zef Valentini S.J., e ka cilësue: “Il futuro Cardinale d’ Albania”.
■Në vitin 1948 arrestohet nga komunistët dhe torturohet per 11 muej në hetuesi.
■Në nandor 1949 Don Koleci, lirohet dhe ngarkohet për me “aprovue” “Projekt Statutin e Kishës Katolike Shqiptare”. Merr pjesë në dy mbledhjet e përgjithshme të klerit dhe paraqet haptas mendimet e veta në Argjipeshkvinë e Shkodres në dhjetor 1949.
■“Këta do të na kërcnojnë se do të mbyllin kishat tona, në kjoftë se na nuk miratojmë këte projekt- statut kështu si asht këtu. Ky projekt-statut nuk duhët miratue prej nesh se, edhe mbas miratimit të tij këta kanë me i mbyllë kishat prap se prap. Jam i sigurt se do të na thonë se do t’ju vrasim, por asht ma mirë me ba shka kanë ndër mend sot se ma vonë. Lè të na vrasin ma mirë sot me faqe të bardhë, sësa me firmue këte dhe nesër prap kanë me na mbytë por, na do të vdesim me faqe të zezë. E, na, nuk duhët me harrue se me këta na jemi hupë se hupë. Komunistët kështu kanë ba ku e kanë marrë pushtetin, në Rusi, në Spajë e kudo. Na nuk jemi të parët që nuk po i njofim se kush janë….Këta janë gjithkund njisoj…!” (At K.Gjolaj në librin “Çinarët”, fq.125).
■Don Kolec Prennushi ka vdekë i shkatrruem nga torturat me 2 Korrik 1950.
***
■Me siguri kjo temë në të ardhmen asht një liber në vete. Kjo i perket Rinisë!
■Sot unë, vetem holla një gur si shenjë aty ku duhen hapë e vue thëmelet!
■Këta predikatarë caktoheshin përpara festave të mëdha me folë ndër Kisha, ku rinia vershonte me ndigjue temat filozofike që ata trajtonin me një oratori të rrallë.
■Asht e vërtetë që Enver Hoxha zbatoi me përpikni të gjitha vrasjet që urdhnonin serbo bolshevikët e Titos, dhe zhduku ajken e Klerit Katolik Shqiptar në vitët e para të vendosjes së diktaturës komuniste në Shqipni, po edhe sikur këta kolosë të mos vriteshin që në ditët e para, në Marsin e 1945 e deri në Korrikun e vitit 1950, koha provoi se mbas vitit 1944, Gjenocidi komunist ishte i pashmangshëm. Ai do të zbatohej pa kushte!
■Etja e Enver Hoxhës për kolltukun e vet në qeverisjen e shtetit Shqiptar, ishte e kombinueme edhe me formimin e tij anadollak familjar, masonizmin francez dhe njëfarë
magallomanije prej injoranti, që kerkonte me zhdukë me rrajë inteligjencën Shqiptare të përgatitun ndër universitetet ma të njohuna të Europës Perëndimore, ku ai vetë nuk arrijti me krye asnjë vit ndër ato qendra kulturore e dije universale.
■E vetmja shkallë e njohjes së tij, në kohën kur ishte rregjistrue në universitetin e Montpellier të Francës, asht ajo që dëshmonte bashkëkohësi i tij atje, Prof. Petro Fundo:
“Kur e pyeta Enverin po ti, çfarë mendon të bëhësh, ai tha: “Terrorist”!
■E sigurisht, ky terrorizëm do të shpërthente atëherë kur tek Enver Hoxha, u kombinue me atë doktrinë barbare të cilën nuk e ka njoh kurrë, doktrinën shkatrrimtare markste – leniniste, që përputhej me interesat shoveniste sllavo – bolshevike të Titos dhe të Stalinit: “Shkombtarizim i Popullit Shqiptar dhe shpartallimi i Shtetit Shqiptar, me kulm e thëmel që asht konsiderue Muri Mbrojtës i qytetnimit Europjan nga invazioni sllav…” (Lord Beaconsfield (1804-1881), Memorandumi i Kongresit Berlinit 13 qershor 1878).
■Ky “Mur Mbrojtës” nuk rrëzohej… Vazhdonte me qendrue ndër shekuj që nga viti 1444, kur Mbrojtësi i Qytetnimit Europjan, Heroi ynë kombtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, kishte ngulë përjetsisht në Krujë Flamurin me Shqipe dykrenare…
■Viti 1913 u kishte lanë një kujtim jo vetem komshijve po, edhe pak ma larg: “Flamuri i Shqipnisë, e ka per nderë me u gjuejte me topa!” (At Gj. Fishta 12 Qershor).
■E ky robnim i yni kishte piksynimin kryesor tek porosia e Titos: “Shkatrroni kulm e thëmel çerdhën e Klerit Katolik në Shkodër, me në krye Françeskanët!”
■Enver Hoxha mbante mend edhe nga mejtepet porosinë e sulltan Mehmetit:
“MOS TË MBESË GJALLË ASNJË SHKODRANË!”
■E ndoshta, ky ishte shkaku kryesor i urrejtjes së Enver Hoxhës, që e “përjetsoi” tiran i Popullit Shqiptar… I renditun nder 100 Tiranët e 3600 vitëve në Histori Botnore!
Melbourne, 2015.
* Ne vijim te rubrikes;Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë…

Filed Under: Featured Tagged With: Fritz radovani, pese predikataret e medhenj, shqipatr, te Klerit katolik, te shek XX

“BÁLLË PËR BÁLLË”…

December 30, 2014 by dgreca

ME KOLË MIRAKAJ…TEK LIBRI “VETVRASJA E NJË KOMBI”/
Ne Foto: Kolë MIRAKAJ/
Shkruan: Nga Fritz RADOVANI/
Një mik nga Belgjika më dergoi me lexue një material historik…
Kam pasë rasë me lexue pak libra që thonë të vërtetën për Historinë e Shqipnisë.
Ndoshta, kjo asht arsyeja që sot lexoj me andje për atë fushë ku, asht gjithshka e shkelun, e nëpërkamun, e fallsifikueme dhe ma shpesh e shkrryeme përtokë…
Ndër tjerë miqë të Nikollës në Bruksel…, u lidha edhe me z. Lekë Mirakaj.
Ishte bash i biri i Kolë Bib Mirakaj, Ministrit Mbrendshëm të qeverisë fashiste Shqiptare, në vitin 1942. Nga pleqtë e mij kishe dëgjue se At Mati Prennushi asht kenë njohë kur ishte në Iballe të Pukës famullitar me Kolë Mirakaj, ku Ai shërbente si mësues … Dhe, mandej, ajo miqësi ishte vazhdue nga nipat e At Matisë, e prej tyne lidhja e asaj kohë u pasue me Babën tim, Kolë Radovani. Ma vonë, koha solli nga vitët 1950 që unë me njohë motren e Nderueme të Kolës, Elena Mirakaj (Luli), zonja e Atdhetarit të Madh kapiten Gjelosh Luli, i vramë dhe i masakruem për sëvdekuni nga komunistët në Vrith, nga fundi i vitit 1947… Daja Paulin Prennushi fliste me respekt për Ministrin Kolë Biba, për atë kohë kur ky ishte kenë sekretar i zyrës së Tij në Tiranë, në vitin 1942.
Nga z. Leka, mora letren e Kolë Bibës që i kishte shkrue në mergim në vitet 1967 kryetarit të Ballit Kombtar Abaz Ermenji, e cila edhe u pat botue në vitin 2012.
Papritmas u ndodha para një Parathanje që vet Autori Kolë Mirakaj i kishte ba një librit të vet, kur ishte në mërgim në Sh.B.A., dhe e mbyllte atë Parathanje me një dëshirë që, po u botue ndonjëherë Libri, mendonte se titulli ma i pershtatshëm do t’ ishte për té: “VETVRASJA E NJË KOMBI”…
Fillova me e lexue me kurreshtje të madhe, mbasi nuk kishe fare njohuni për atë kohë, që gjithmonë asht quejtë “koha e robnisë fashiste” dhe mbyllej gjithmonë biseda me “okupacionin e Italisë…”, e cila, “na solli të gjitha të këqijat, pa asgja të mirë…”!
Aq asht e vertetë kjo, sa kur duem me tregue tmerret e kohës së komunizmit, sot perdorët një thanje: “fashistët e kuq”, ose kur disa “intelektualë” kosovarë tregojnë një nga episodet e randa të jetës së vet aty nga vitët 1970, thonë: “Këte, na e sollën fashistët e Beogradit”.., edhe mirë bajnë, se nga komunizmi, pothuej…“nuk patne pasoja!!”
Lexuesi Shqiptar sot po merr në duertë e veta një Liber të shkruem me makinë shkrimi, të pandryshuem fare nga gjuha Gegënishte e Autorit Kolë Mirakaj… Aty asht jeta personale “fashiste” e Kolë Bibës, pikrisht, atëherë, kur né i madh e i vogël dinim vetëm se “ky dhe shokët e tij, ishin vue në shërbim të fashistave italianë…”, po se, ku mendonin me e çue Atdheun, até e “plotsonin akademikët e prof…” e Enver Hoxhës!
Jam i sigurtë se, sikur, unë të kishe ba sot komente rreth Librit Kolë Mirakaj, dhe të fillojshe me tregue se cila asht vlera e këtij Libri unik në Historinë Shqiptare, pa perfundue me e lexue do të fillonin akuzat prej stergjyshave të mij, e deri tek Baba im, që asnjëherë nuk asht kenë as fashist as simpatizues i tyne, per të vetmin fakt: “Okupacioni italian, vertetë bashkoi Trojet Tona, po nuk u donte kurrë me lanë me u rritë fara e keqe e komunizmit, që bijti nga rregjimi i Zogut dhe shovenistët sllavë dashakëqijtë tanë!”
Tek Libri do të gjeni historinë, protagonistët e saj, idhujt dhe mashtruesit, ata që i vune zjarrin Atdheut “me këmishat e zeza” dhe “ata, që ua shuen dritën” Shqiptarëve, me “yjët e kuq”, ata që e “vorfnuen” dhe ata, që e “ringjallën” tue i rjepë persëgjalli me ua nxjerrë napolonat ar nga hundët! Aty janë “tradhëtarët” përballë “Atdhetarëve”…
Studjuesit e Historisë, mos të merren me “ë” – pazane, po të mësojnë si duhen shkrue datat, ngjarjet e faktet… me dhimbje, per këto 70 vjetë mashtrime e fallsifikime.
Aty janë edhe “dy fjalë për lexuesit e nderuem” nga ana ime. Një nderim shumë i madh dhe i pamerituem per mue, ndaj Vepres së çmueshme të Autorit papersëritshëm.
Po, Ju lutem, mos u ngutni me lexue shpejtë, se nuk do të kuptoni asnjëherë se: Kush e shiti Atdheun tonë të shtrenjtë tek shovenistët sllavë, dhe kush ua vuni thikën mu në zemer Shqiptarëve, ashtusi, nuk jeni tue kuptue tash 70 vjet Permbytje të Shqipnisë Europjane, pasojat nga “çlirimtarët” e Mëdhej të Botës së Luftës së Dytë Botnore…
Autori tue mos dijtë me u krenue, nuk do as me fye! Jo pse nuk di, po brengat e mëdha në zemer, heshtat e nguluna me vrasjen e të Birit, humbjet e gropave ku i asht varrosë Nana, vllau, kushrinjtë…e besa, edhe bashkfshatarët e Iballës, ku lindi dhe piu qumështin e Asaj Nanë, që e kalbi dheu i Tepelenës… E “rikthejnë” tek Vatra e lanun shkret nga të gjithë far’ e fisi që u rrit, u shtue, vdiqën dhe u plakën nga 15 Maji 1945 e deri në vitin 1990 nder të gjitha burgjet e kampet e interrnimit të Shqipnisë “socialiste”.
Libri i Kolë Mirakaj “VETVRASJA E NJË KOMBI”, asht Historia e Shqipnisë së pashkrueme, ku Autori, na tregon sesi shkruhet Historia e Një Populli Martir, po edhe sesi duhet të qendrojmë “Ballë për ballë” me miqtë dhe anmiqtë e së Vertetës, qendrim i cili, e ban Figuren e Tij Atdhetare të Nderueme dhe të Pavdekshme nder shekuj…
Ju falemnderës për nderimin dhe respektin! F. Radovani.
Melbourne, Dhjetor 2014.

Filed Under: Featured Tagged With: “BÁLLË PËR BÁLLË”..., Fritz radovani, Kole Mirakaj, per Kole Mirakaj

“PSE MË SHIKON ASHTU…?!”

December 27, 2014 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI*/
At Gjergj Fishta O.F.M./
Ishe një ditë tue lexue tek “Hylli i Dritës”… Kerkova me pa ndonjë foto…
Kalova fletën dhe u gjeta krejt papritmas përballë me këte foto që më “shikoi” e më tha: “Pse më shikon ashtu Fritz?”… Për pak çaste mbeta i shtangun vërtetë tue e shikue…
Mu kujtue një ditë që tashma hyn nder vitet e shkueme mjaft larg prej tyne: 6 Janar 1940.
Ishte Burri i parë jo i shtëpisë, që takova në këte Botë!
Mbas 12 muejsh me 31 Dhjetor 1940 Ai nuk ishte ma! Ndoshta, një fat i madh për Té!
Ai vërtetë u çudit kur unë po i shikojshe dekoratat e varuna në gjoks!
Pyetja e Tij: “Pse më shikon ashtu?”… Disi, më erdhi e papritun… Ndoshta, më topiti me shikimin e Tij të vrantë po, tue mos e ndij vetën fajtor për shka ka ngja, Ju përgjegja:
– At Gjergj, kur ishe fëmijë 5 vjeç, porsa kishte fillue shkolla dhe unë kishe hy në klasën e parë, në Dajç të Bregut të Bunës, mësueja ime zonjusha Viktore Kuka, na tha: “Nuk do të këndoni ma në shkollë Hymnin e Flamurit “Porsi Fleta e Ejllit t’ Zotit..!” Né shikuem njenitjetrin dhe u topitëm… Po, askush nuk dijti me pyet dhe as, me kundershtue!
Kur shkova në shtëpi me vrap, i tregova Gjyshës sime: Nana Nine, nuk duhet me këndue ma kurrë Hymnin e Flamurit, na ka thanë mësuesja… Ajo më shikoj, dhe u bind se unë po i thojshe një të vërtetë, në moment fshani e tha: “Uuuu, këta i huptë Zoti !”…
Tezja Rozë, veshtroi dhe i tha: Gjatë ka shkue, ooo Nine, po këta, mos bajshin ditë të mirë, si kanë me këndue Hymnin e At Gjergjit kur Shqipninë e shkretë, e futne nën Jugosllavinë e komunistave të pashpirtë e t’ pa Zot!..
Mbas pak kohe, nuk e pashë ma librin “Lahuta e Malcis”, që daja e kishte tek rafti… Nga biblioteka e vet Ai hoq shumë libra, madje edhe disa i dogj në furrën e bukës…
Per të gjitha këta që shpjegova At Gjergji, nuk tregoi interes, sikur i dinte të gjitha…
Deshta me i tregue edhe për thesin me Eshtnat e Tij, po më tha: “E dij, e dij edhe atë!”
E pyeta: “At, po mos ndoshta, Haxhi Qamili kur shkoi me djegë qelen e Don Nikoll Kaçorrit, ka gjetë aty foton që keni ba bashkë me Té, Mit’hat Frashërin e Don Ndre Mjedjen në Manastir 1908, e até nuk e ka djegë me tjerat e ua ka lanë porosi këtyne?!
Ai më pyeti: “Po, çfarë porosije u la Haxhi Qamili këtyne per mue?!”… – Jo, jo, i thashë, po, më shkoi mendja mue, se kam vue ré, që permendin Kongresin e Manastirit, zanë me gojë Alfabetin që krijove Ti, tregojnë vleren kombtare… E emnin Tand, kurrë!
Bani buzën në gaz e si në buzqeshje, më tha: “Po, me Haxhi Qamilin, ku hij unë?”
– At Gjergj, po me gjithatë Kryq të varun në fyt, tashti mbasardhësit e Haxhi Qamilit, si thue Ti, a do të merren me Ty?… – Jo, ooo At Gjergj… Po, as “fra-telat” e sotit nuk po flasin ma “Gjuhë Tande”… Se, u duket edhe Ajo, si “Gjuha e Krishtit”… Janë me shkollat e dreqit… E sigurisht, edhe do të flasin me gjuhën e tij…
Më nderpreu, dhe më tha me shumë butësi dhe ambelsi, ashtu si ka pasë natyren:
“Pasha bukën, 100 vjetë para ua pata shkrue në 1914, për shka ngjau në nandor të 1944…:
***
Qé, shkjau, harlisë krenije,
Meshtarët asht tue i mbytë;
Lterët Tu, seli hyjnijet,
Me gjak asht tue Ti zhytë:
E rrfeja e Jote Kisha
Por rrzon e veç çan pisha!

As gjaku, pra, i Meshtarëve
As gurt e elterëve t’ Tu
S’ mund rreshkan mshirë Shqiptarëve,
Nuk mundkan mëninë me t’ zgjue?
E fatin e Shqipnisë
E lankan n’ dorë t’ shkjenisë?…

O e mjera, moj e mjera
Shqipni, se keq ké ngelë!
Se mirë, moj, ty t’ thau vera,
Qysh se shkjau asht tue t’ shkelë
E tue t’ poshtnue pa dhimbë,
Tue t’ lanë n’ vaj e n’ brimë.

T’ kanë rrahë gjithkah me topa,
Tue t’ djegë e tue t’ shkrumue:
T’ kanë ndamun copa – copa ,
Si t’ ishe pa zot lëshue,
E shk’ asht ma fort per t’ kja,
Me dorë t’ Mbretnive t’ Mëdha.

O Zot! O Zot! Mos tjeter
Per ketë pleqni tradhtare,
Qi Evropa, rrence e vjeter,
Bani mbi tokë Shqiptare,
Deh! Ti mos lèn që njeri
Kshtu ta dhunojë pa hiri.

Veç n’ Ty na e kemi shpresën
Se ‘i ditë Liri mund t’shohim;
Pse njeriut fjalët e besën
Fort mirë sot po ia njohim:
Ai syt s’ i prir kurr ngjeti,
Veç ku mund t’ grryejë per veti.

Prandej, o Zot, prej qiellet
Ti priri syt mbi né,
E ban qi puna t’ kthjellet,
Si asht mirë per Atme e Fé; …”
*Nga At Gj. Fishta, “Mrizi i Zanave”: “Mbi vorr të At Alois Paliq O.F.M.”, 2001.
* Ne vijim te ciklit:Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë…

Melbourne, Dhjetor 2014.

Filed Under: Opinion Tagged With: “PSE MË, Fishta, Fritz radovani, SHIKON ASHTU...?!”

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • …
  • 65
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT