Nga Fritz RADOVANI*/
At Gjergj Fishta O.F.M./
Ishe një ditë tue lexue tek “Hylli i Dritës”… Kerkova me pa ndonjë foto…
Kalova fletën dhe u gjeta krejt papritmas përballë me këte foto që më “shikoi” e më tha: “Pse më shikon ashtu Fritz?”… Për pak çaste mbeta i shtangun vërtetë tue e shikue…
Mu kujtue një ditë që tashma hyn nder vitet e shkueme mjaft larg prej tyne: 6 Janar 1940.
Ishte Burri i parë jo i shtëpisë, që takova në këte Botë!
Mbas 12 muejsh me 31 Dhjetor 1940 Ai nuk ishte ma! Ndoshta, një fat i madh për Té!
Ai vërtetë u çudit kur unë po i shikojshe dekoratat e varuna në gjoks!
Pyetja e Tij: “Pse më shikon ashtu?”… Disi, më erdhi e papritun… Ndoshta, më topiti me shikimin e Tij të vrantë po, tue mos e ndij vetën fajtor për shka ka ngja, Ju përgjegja:
– At Gjergj, kur ishe fëmijë 5 vjeç, porsa kishte fillue shkolla dhe unë kishe hy në klasën e parë, në Dajç të Bregut të Bunës, mësueja ime zonjusha Viktore Kuka, na tha: “Nuk do të këndoni ma në shkollë Hymnin e Flamurit “Porsi Fleta e Ejllit t’ Zotit..!” Né shikuem njenitjetrin dhe u topitëm… Po, askush nuk dijti me pyet dhe as, me kundershtue!
Kur shkova në shtëpi me vrap, i tregova Gjyshës sime: Nana Nine, nuk duhet me këndue ma kurrë Hymnin e Flamurit, na ka thanë mësuesja… Ajo më shikoj, dhe u bind se unë po i thojshe një të vërtetë, në moment fshani e tha: “Uuuu, këta i huptë Zoti !”…
Tezja Rozë, veshtroi dhe i tha: Gjatë ka shkue, ooo Nine, po këta, mos bajshin ditë të mirë, si kanë me këndue Hymnin e At Gjergjit kur Shqipninë e shkretë, e futne nën Jugosllavinë e komunistave të pashpirtë e t’ pa Zot!..
Mbas pak kohe, nuk e pashë ma librin “Lahuta e Malcis”, që daja e kishte tek rafti… Nga biblioteka e vet Ai hoq shumë libra, madje edhe disa i dogj në furrën e bukës…
Per të gjitha këta që shpjegova At Gjergji, nuk tregoi interes, sikur i dinte të gjitha…
Deshta me i tregue edhe për thesin me Eshtnat e Tij, po më tha: “E dij, e dij edhe atë!”
E pyeta: “At, po mos ndoshta, Haxhi Qamili kur shkoi me djegë qelen e Don Nikoll Kaçorrit, ka gjetë aty foton që keni ba bashkë me Té, Mit’hat Frashërin e Don Ndre Mjedjen në Manastir 1908, e até nuk e ka djegë me tjerat e ua ka lanë porosi këtyne?!
Ai më pyeti: “Po, çfarë porosije u la Haxhi Qamili këtyne per mue?!”… – Jo, jo, i thashë, po, më shkoi mendja mue, se kam vue ré, që permendin Kongresin e Manastirit, zanë me gojë Alfabetin që krijove Ti, tregojnë vleren kombtare… E emnin Tand, kurrë!
Bani buzën në gaz e si në buzqeshje, më tha: “Po, me Haxhi Qamilin, ku hij unë?”
– At Gjergj, po me gjithatë Kryq të varun në fyt, tashti mbasardhësit e Haxhi Qamilit, si thue Ti, a do të merren me Ty?… – Jo, ooo At Gjergj… Po, as “fra-telat” e sotit nuk po flasin ma “Gjuhë Tande”… Se, u duket edhe Ajo, si “Gjuha e Krishtit”… Janë me shkollat e dreqit… E sigurisht, edhe do të flasin me gjuhën e tij…
Më nderpreu, dhe më tha me shumë butësi dhe ambelsi, ashtu si ka pasë natyren:
“Pasha bukën, 100 vjetë para ua pata shkrue në 1914, për shka ngjau në nandor të 1944…:
***
Qé, shkjau, harlisë krenije,
Meshtarët asht tue i mbytë;
Lterët Tu, seli hyjnijet,
Me gjak asht tue Ti zhytë:
E rrfeja e Jote Kisha
Por rrzon e veç çan pisha!
As gjaku, pra, i Meshtarëve
As gurt e elterëve t’ Tu
S’ mund rreshkan mshirë Shqiptarëve,
Nuk mundkan mëninë me t’ zgjue?
E fatin e Shqipnisë
E lankan n’ dorë t’ shkjenisë?…
O e mjera, moj e mjera
Shqipni, se keq ké ngelë!
Se mirë, moj, ty t’ thau vera,
Qysh se shkjau asht tue t’ shkelë
E tue t’ poshtnue pa dhimbë,
Tue t’ lanë n’ vaj e n’ brimë.
T’ kanë rrahë gjithkah me topa,
Tue t’ djegë e tue t’ shkrumue:
T’ kanë ndamun copa – copa ,
Si t’ ishe pa zot lëshue,
E shk’ asht ma fort per t’ kja,
Me dorë t’ Mbretnive t’ Mëdha.
O Zot! O Zot! Mos tjeter
Per ketë pleqni tradhtare,
Qi Evropa, rrence e vjeter,
Bani mbi tokë Shqiptare,
Deh! Ti mos lèn që njeri
Kshtu ta dhunojë pa hiri.
Veç n’ Ty na e kemi shpresën
Se ‘i ditë Liri mund t’shohim;
Pse njeriut fjalët e besën
Fort mirë sot po ia njohim:
Ai syt s’ i prir kurr ngjeti,
Veç ku mund t’ grryejë per veti.
Prandej, o Zot, prej qiellet
Ti priri syt mbi né,
E ban qi puna t’ kthjellet,
Si asht mirë per Atme e Fé; …”
*Nga At Gj. Fishta, “Mrizi i Zanave”: “Mbi vorr të At Alois Paliq O.F.M.”, 2001.
* Ne vijim te ciklit:Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë…
Melbourne, Dhjetor 2014.
ILIR HASHORVA says
Një shkrim me ndjenjë. Artistikisht i përsosur.
Urime Fritz!