Nga B.Jashari/.-Zyrtarët e NATO-s kanë thënë se nëse mandati dhe misioni i FSK-së ndryshon, kjo pritet të ndodhë pasi që Këshilli Veri-Atlantik ta shqyrtojë nivelin e angazhimit të NATO-s. Këtë e bën të ditur media kosovare, e cila përkujton se duke shpalosur elementin kryesor të dalë nga rishikimi strategjik i sektorit të sigurisë, kryeministri Hashim Thaçi ka bërë publike se Forca e Sigurisë së Kosovës do të shndërrohet në Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK), e cila sipas tij, do t’i ketë tërë tiparet e një ushtrie.
“Ne jemi në dijeni për deklaratën e z. Thaçi. Kjo është një çështje e brendshme e cila përfshin institucionet lokale. Siç e kemi përmendur edhe në përgjigjet e mëparshme, NATO aktualisht mbështet zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në kuadër të misionit dhe mandatit të saj fillestar, përmes Zyrës Ndërlidhëse të sapo themeluar të NATO-s dhe Grupit Këshillues”, thuhet në përgjigjen e Departamentit për Marrëdhënie me Publikun të NATO-s për Radio Kosovën.
“Në lidhje me pyetjen tuaj rreth së ardhmes së statusit të FSK-së kjo është hipotetike dhe nuk është diskutuar në NATO. Nëse mandati dhe misioni i FSK-së do të ndryshoj, ne presim që Këshilli Veri-Atlantik ta shqyrtojë nivelin e angazhimit të NATO-s”, thuhet në këtë përgjigje të Departamentit për Marrëdhënie me Publikun të NATO-s, sipas RTK-s