• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“COPËZA” KUJTIMESH QË NUK I KA TRETUR KOHA

April 30, 2020 by dgreca

-Me rastin e 60 vjetorit të Televizionit Publik Shqiptar-/

Nga Fuat Memelli*/

Kjo ngjarje e shënuar në historinë e Televizionit Shqiptar, më zgjoi plot kujtime edhe mua, si shumë të tjerëve që kanë patur fatin të punojnë aty. Ishte një punë që nuk e kisha ëndërruar. Botimet në shtyp qysh student dhe sidomos kursi dy vjeçar i gazetarisë që mbarova tok me rreth 20 studentë të tjerë nga fakultete të ndryshëm, ndikuan në rrugën time gazetareske. Një pjesë e studentëve si Namik Doklja, Qemal Sakajeva, etj, filluan punë në shtyp, Zhuliana Jorganxhi në radio e disa në televizion. Ishte shtatori i vitit 1969, kur hyra në godinën e Radio Tiranës, në katin e parë të të cilës ndodhej studjoja e regjistrimit dhe trasmetimit. Me 60 vjet jetë, ai tani mund të quhet  i “moshuar”,  por më  i moshuar se ai është brezi im që punoi aty, i cili i ka kaluar të 70-at. Por, njeriu ron me kujtime. Disa “copëza” kujtimesh që nuk i ka tretur koha, do të tregoj edhe unë nga ato vite kur TVSH-ja  ishte ende “fëmijë”. 

KOLEGËT QË GJETA ATY

Jo vetëm studjoja por edhe ato pak zyra të televizionit, ndodheshin në godinën e Radio Tiranës. Në zyrën ku shkova unë gjeta Andon Deden, Mevlllan Shanajn, Petro Latin, Ylli Pepon, Vladimir Grillon, Alfons Gurashin, Gazmir Shtinon, Natasha Çipin, Tomor Toporen, Milto Bakën, Dhimitër Rëmbecin, Mërkur Bozgon, Kadri Metohun si dhe piktorin e parë të dekorit, Edi Hila e ndihmësen e tij, Sofika Ziri, etj. Shumica ishin ishin të rinj, beqarë, me moshë  23-25 vjeçare,  që nisnin rrugën e bukur të televizionit.  Shefi im dhe i disa redaktorëve të tjerë ishte Kliton Gilani, njeri me kulturë e shumë fisnik. Shef tjetër ishte Fuat Bozgua, njeri i shkathët dhe me kulturë , ndërsa  drejtor i TV  qe Klimi Misja një njeri i mirë, i dashur e që nuk i bënte keq njeriu, ndërsa drejtor i përgjithshëm ishte Thanas Nanua. Kameraman në studjo qe Beqir Dërhemi, i cili kishte filluar para nesh. Ai është  kameramani i parë i TV-së. Tok me të ishin kameramanë në studjo edhe Stefan Gajo e Pali Kuke. Spikere ishte Stoli Beli, e cila bënte edhe emisione,  është e para spikere në TVSH-së. Punohej me film negativ 16 mm, i cili lahej në Kinostudjo e montohej nga gazetarët e operatorët, në fund të koridorit.Pas ndonjë viti e ca, u ndërtua godina e re e televizionit e projektuar nga një grup specialistësh, kryesuar nga Inxh. Alfred Xhufka, i cili u bë edhe kryeinxhinier. U shtuan programet televizive me koncerte që regjstroheshin aty por edhe në natyrë; u shtuan dokumentarët  e më pas edhe filmat televizivë me regjisorët e shquar Mevlan Shanaj,  Albert Minga e më vonë edhe Ylli Pepo.. Më pas erdhën nga Kinostudjoja edhe Vladimir Prifti e Kristaq Dhamo, të dy regjisorë të shquar, por që nuk vazhduan shumë vite në televizion. Në godinën e re erdhën më vonë  një brez tjetër regjisorësh që gjithashtu lanë gjurmë të pa shlyera si Jani Tane, Osman Mula, Esat Teleiti, etj. Nga Kinostudjoja erdhi edhe regjisori i montazhit, Ismail Balla, i cili  hodhi bazat e montazhit profesional. Ai punoi tok me montazhieret e para të filmit si Flora Gjika, Nadia Orjeti, Mimoza Tafaj, etj. “Brumi” ku zinin fill emisionet e shumta, ishin redaktorët, idetë dhe skenaret e të cilëve materializoheshin më pas në ekran. Ndër redaktorët me emër do të përmendja Xhemal Maton me emisionet shkencore, i cili më vonë mori edhe titullin pas regjisor. Gjurmë të pashlyera lanë Andon Dedja me emisionin “Shqipëria –atdheu ynë”, Petro Lati me emisionin e fëmijëve e pastaj me “Enciklopedisë televizive”,  Azis Gjergjin me emisionit “Ngjarje dhe data”, Flamur Topi me emisionin “Trupi dhe shëndeti”, Vladimir Grillon me smisionin sportiv, Gëzim Gjyrezin me emisionet e artit e të rinisë, Dhimitër Pecanin me emisionet e trashëgimisë kulturore, Bajram Hoxha me emisionet ekonomike, etj. Nga operatorët që u bënë mjeshtra do të veçoja Stefan Gajon, Pali Kuken, Bujar Kokonozin, Valter Qarrin, Astrit Omerin, Ilir Kasnecin e më pas Gaspër Shllakun, Bujar Koren, Naun Laskun, Agim Kurin, Esat Çuçllarin, operatorin e zërit Kristaq Kristo, etj. Për mua “zemra” e televizionit ishte montazhi, Në montazhin elektronik u bënë nga më të mirët, Andon Beqari, Fedra Rama, Milena Panajoti, etj. Nuk mund të le pa përmendur spikerin e shquar, të ndjerin Kiço Fotiadhi si dhe një brez tjetër të mëvonshëm si Virgjil Kulen një nga më të mirët, i cili u bë edhe drejtor i TV-së,  Silvana Braçe e Zerina Kuke, Dhimitër Gjoka, i cili vazhdon edhe sot, Tefta Radin, një nga ikonat femra të ekranit, Angjelina Xharën, spikerin dhe regjisorin e njohur, Xhelil Aliu, etj.  Inxhinier me emër kanë qënë Emil Plumbi,  Gjergj Shteto, Çlirim Balluku, Genc Tomço, etj, ndërsa teknikët e parë ishin Natasha Shuza, Spiro Qirko dhe Vezir Hoxha. Teknikë të tjerë duarartë që mbanin gjallë paisjet televizive  ishin Jani Melja,  Gjergji  Capo, Mina Shagla, etj. 

PROGRES, POR EDHE TRONDITJE NGA ARDHJA E TODI LUBONJËS

Një fytyrë të re mori radjoja e televizioni kur në vënd të Thanas Nanos erdhi drejtor I Përgjithshëm Todi Lubonja, njeri me kulturë të gjerë dhe me prirje liberale. Ai mbështeti kuadrot e aftë dhe filloi të largojë të paaftët . Mbaj mënd që dha porosi për redaktorët që për të kaluar “provimin” e qëndrimit ose jo në televizion,  sejcili të përgatiste një emision me temën që deshte vetë dhe kur të trasmetohej, të njoftonte Todin për ta parë. Unë zgjodha për temë të “provimit” një telereportazh me sharrëtarët e Fushë-Arrësit. Shkuam aty bashkë me Tomor Toporen i cili në fillim punonte operator e më pas kaloi redaktor. Qëndruam disa ditë aty dhe përgatitëm një emision të bukur për punën dhe jetën e sharrëtarëve të cilin e titullova ”Miniera e gjelbër”. Në orën e trasmetimit isha edhe aty pasi  muzika dhe titrat futeshin direkt. Sapo mbaroi emisioni, Todi mer në telefon Fuat Bozgon, shef i programacionit në TV i cili ishte në trasmetim dhe i thotë: “E pashë emsionin e atyre djemve dhe më pëlqeu shumë. I thuaj që e kaluan provimin”.  Prej lajmit që mora, fluturoja nga gëzimi. Ndër njerzit që largpi Todi Lubonja ishte edhe drejtori i Televizionit, Klimi Misja. Më erdhi keq për atë njeri të mirë. Nga trishtimi Klimi u sëmur, pësoi një paralizë dhe u nda nga jeta para kohe. Fryma liberale e Todi Lubonjës kulmoi në Festivalin e 11-të që u mbajt më 22-25 dhjetor të vitit 1972. Prezantues ishin Edi Luarasi e Bujar Kapexhiu, ndërsa regjisor Mihallaq Luarasi. Festivali pati muzikë të bukur dhe  ritmike, veshje më  elegante dhe një çlirim  nga qëndriumi statik i këngëtarëve. Por, gëzimi i festivalit të bukur, nuk zgjati shumë. Enver Hoxha i cili e kishte ndjekur nga Vlora ku ishte me pushime, lëshoi rrufetë për organizatorët e në rradhë të parë për Todi Lubonjën. Filluan mbledhjet për dënimin e festivalit i cili spias diktatorit kishte shfaqje të huaja, që nuk pajtohshin me moralin komunist. Të deleguarit e komitetit të partisë e Komitetit Qëndror,  shkonin e vinin. Dihen masat ekstreme që u morën. Todi u shkarkua dhe u çua në Lezhë ku më pas u arrestua. Drejtor i përgjithshëm rikthehet Thanas Nanua, i cili kishte dalë në pension por erdhi me propozim të Enver Hoxhës. U dënua regjisori i festivalit, Mihal Luarasi, këngëtari  Sherif Merdani, Justina Aliaj, etj. Stina e paranverës që kishte filluar të lulëzojë në radio e televizion, u përmbys. Thanasi që njihej për frymën e tij konseravatore u rikthye me dorë të hekurt dhe rihabilitoi njerzit që kishte larguar ose ulur në detyrë Todi lubonja. Pas Pleniumit të 4-t fryma liberale në art e kulturë u dënua në të gjitha instancat, në qendër e në rrethe. U dënua Fadil Paçrami, sekrtar i komitetit të partisë së Tiranës për artin e kulturën, etj. Më pas filloi një fshesë tjetër në radio e televizion jo vetëm e atyre që ishin marë me festivalin por u kaluan në “sitë” biografitë e gjithë punonjësve.

NGA “FSHESA” NUK SHPËTOVA AS UNË

 Vazhdonin  me orë të tëra mbledhjet e partisë. Unë nuk isha në parti por fjalët dilnin. Të gjithë ishin në tension. Ndihesha i qetë pasi nuk e futja vetën te njerzit me “njolla”, pasi kisha motrën komuniste, xhaxhanë po ashtu, një kushëri të parë të babajt dëshmor, emrin e të cilit e mbante shkolla e fshatit.  Gazeari Andon Dede,  një nga më të aftët dhe kurajozët  e televizionit, më thoshte:”Kap ndonjë njeri se situata është e vështirë”, por unë vazhdoja shërbimet nëpër rrethe. Pas pak ditësh ishin “kopsitur” mirë personat që do largoheshin nga televizioni. Kur shkoj në mëngjes në punë, polici nuk më lejoi te hyj në godinë.”E ke emrin në listë, më tha, nuk kam çfarë të bëj”. Pësova një trishtim të madh. Më pas takova drejtorin e TV Marash Hajatin, i cili më tha:”Jeni larguar për qarkullim”. Në kuadër ku gjithashtu u ankova, më treguan dosjen time, e cila shumica ishte e zezë. Kishte vetëm një rresht që gjatë luftës familja ka mbajtur qëndrim të mirë e pastaj vazhdonte me emrat e dy kushërinjve të mi të dytë, njëri i vrarë në kufi ( siç doli më pas, ishte vrasje nga shteti) ndërsa tjetri ishte nxënës i shkollës së mesme që kishte tentuar të kalonte kufirin. U mundova ta sqaroj , por ishte e kotë. “Ne i besojmë këto që ke në dokumenta”, më tha ajo. Më pas mësova se karakteristikën time e kishte nxirë një sekretar partie i fshatit bashkë me ndonjë tjetër dhe jo vetëm mua, por edhe disa sinicarëve  të tjerë. Shumica e të larguarve përfunduan në rrethet e veriut, ndërsa unë pas gjashtë vjet pune në TV, më çuan agronom në kooperativën e Petrelës . Isha me fat që nuk përfundova në veri si shumë të tjerë pasi nuk dihej se kur mund të ktheshesha. Pas tre vjetësh  u riktheva në sektorin e filmit të Ministrisë së Bujqësisë, ku vazhdova punën me dokumentarë  dhe emisione për bujqësinë, të cilët trasmetoheshin në televizion. Pra, në një farë mënyre më larguan nga dera dhe u futa nga dritarja. Me këtë punë u mora deri në vitin 2011 kur dola në pension. Por, kudo që punova, televizioni mbeti dashuria ime e parë dhe kjo dashuri nuk harroet. Historia e plotë e Televizionit Shqiptar është pasqyruar në librin e shkrimtarit dhe komentatorit të shquar sportiv, Skifter Këlliçi. Unë solla vetëm disa “copëza” kujtimesh nga puna ime 6 vjeçare aty, ku isha redaktor i parë i emisioneve të bujqësisë. Më pas e vazhduan këtë punë Tomor Toporja, Shkëlqim Aliaj, Thoma Tole e së fundi Marash Mirashi. Të më falin  shumë punonjës të tjerë që kanë punuar aty dhe i kushtuan jetën televizonit e që nuk mund t’i përmend. Një gjë duhet theksuar: TVSH-ja  u rit e u forcua në rradhë të parë nga pasioni e përkushtimi i krijuesve dhe sektorit teknik, pa harruar edhe bashkëpunimin me radion nga erdhën disa gazetarë, spikera, teknikë e inxhinierë.

                                                                    ***

Brezi i kolegëve të mi në televizion, ka dalë në pension. Një pjesë jetojnë në Shqipëri, të tjerë në emigracion, disa edhe kanë ndruar jetë. Pas viteve ’90, në Shqipëri lindën televizione privatë  si Top Chanell, TV Klan, Neës 24, Vizion Plus, e plot të tjerë . Dy të parët kanë ecur përpara dhe ia kaluan televizionit të “ moshuar”, por nuk duhet harruar se disa nga kuadrot që i ritën këto televizione si dhe shumë filmime të vjetra, i kanë nga TVSH-ja, i cili  mbetet pionieri i televizioneve në Shqipëri. 

Boston, 29 prill 2020, dita kur në Tiranë u përkujtua 60 vjetori i TVSH-së. 

*Me shame fotografi I genie ne fb dielli vatra

Filed Under: ESSE Tagged With: 60 Vjet TVSH, Fuat Mememlli

Artikujt e fundit

  • HISTORIA E KRYEVEPRES SË NDOC MARTINIT
  • SI LETRAT BRENDA SHISHEVE…
  • Zëri i gjëmimshëm i Andrea Bocellit, si një thirrje për zgjim shpirtëror
  • SI U HOQ BUTRINTI NGA DUART E PUBLIKUT
  • Të arratisurit nga Shqipëria deri më 31 tetor 1990
  • Nga lufta e Kosovës, në Distriktin 14-të në New York
  • Hieroglifet e mallit…
  • Një ftesë për shqiptarët e Amerikës
  • VATRA ORGANIZON SIMPOZIUM SHKENCOR NË 50 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT ABAS KUPI
  • Si e ka portretizuar Kosova sportin në pullat e saj postare
  • Balluku nuk është rasti, është testi!
  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT