Posta Shqiptare emeton katër pulla me hyjneshën antike/
Nga Gezim Kabashi/
– Hyjnesha Artemisë e qytetit të lashtë të Durrësit ka zënë vend këto ditë në serinë e re të pullave postare shqiptare me temë nga arkeologjia. Katër pullat me vlerë nga 50 deri 90 lekë, janë emetuar nga Posta Shqiptare me rastin e 102-vjetorit të shpalljes së Pavarsisë dhe në to janë paraqitur katër figurina të zbuluara në rrethinat e Durrësit gjatë viteve 1970-1971.
Prof. Fatos Tartari, arkeolog dhe bashkëdrejtues i misionit 10-vjecar shqiptaro-francez, që studioi mbi 5 ton materiale të zbuluara në Kodrën e Dautes, tha se nga repertori tipologjik i gjetur në qytetin antik janë përzgjedhur për pullat postare 4 terrakota dhe figurina në mermer dhe në bronx, që i kushtohen asaj dhe që përfaqësojnë atributet më të rëndësishme të saj në qerthullin ilir.
Dy nga figurat e punuara në baltë të pjekur i përkasin shekullit të IV para erës sonë, e treta është një kokë mermeri me lartësi 15 cm e së njejtës periudhë, ndërsa e fundit një statujë në bronx me lartësi 12 cm, në të cilën hyjnesha paraqitet në këmbë-tha arkeologu i njohur durrsak. Këto objekte ruhen në Muzeun arkeologjik të Durrësit.
Prof. Tartari shtoi se për 10 vjet radhazi, që nga viti 2002, një mision i përbashkët franko-shqiptar punoi për studimin e materialit arkeologjik të zbuluar nga arkeologu i mirënjohur Vangjel Toçi, në zonën kodrinore të Dautes dhe Kokomanes në veriperëndim të qytetit. Pranë kësaj zonë sipas të gjitha gjasave ndodhej sanktuari i hyjnisë së Artemisës dhe materialet arkeologjike datohen që nga shekulli i 6-të para erës sonë. Gjatë ekspeditave të viteve 1970-1971 u zbuluan mbi 5 ton objekte të periudhave klasike, helenistike dhe romake, mes të cilave mbizotërojnë figurinat e grave prej balte të pjekur, enët dhe monedhat. Ekspedita studimore u kujdes për identifikimin dhe klasifikimin e këtij materiali të bollshëm.
Plazhi i Durrësit, një shekull histori
Nga Gëzim Kabashi/- Plazhi i Durrësit tashmë ka nisur të mbushet me pushues. Pas reshjeve që karakterizuan muajin korrik, si dhe përfundimi i muajit të Ramazanit, kanë rritur këto ditë numrin e pushuesve, kryesisht shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia.
Megjithatë operatorët turistikë janë të pakënaqur me shifrat e turistëve, që shfrytëzojnë hotelet apo banesat, që jepen me qera në zonën e plazhit më të madh të vendit. Ata mendojnë se rënia e interesimit për Durrësin nuk lidhet vetëm me reshjet dhe temperaturat pranverore, por edhe me problematikat e infrastrukturës, e sidomos me kanalizimet. Nga ana tjetër, aktivizimi i plazheve të rinj në Gjirin e Lalzit, i kanë drejtuar një pjesë të pushuesve në veri të qytetit bregdetar.
Sidoqoftë, Durrësi mbetet pika më e frekuentuar dhe plazhi pranë tij ruan traditën më të hershme të pushimeve pranë detit.
Po cilat janë fillimet e plazhit më të vjetër të vendit tonë?
-Nga toka bujqësore në plazhin e madh-
Në fillim të shekullit të kaluar zona e plazhit klasifikohej si tokë bujqësore. Rëra me vlera mjaft kurative kishte pamjen e dunave të mbuluara me gjineshtra, ferra dhe bar. Rruga nacionale Durrës-Kavajë e shtruar me kalldrëm, në segmentin ura e Dajlanit-Plepa kalonte pikërisht aty ku sot ndodhet rruga e re me gjashtë korsi. Më vonë kjo vijë do të shërbente për të ndarë konvencionalisht zonën turistike nga toka bujqësore.
Siç dëshmon dr. Ali Sula, në vitet ’20 të shekullit të kaluar më shumë se 50 familje nga Durrësi, Tirana, Berati etj. ndërtuan shtëpitë e para palafite, me këmbë prej druri brenda në det. Megjithëse banjot ndodheshin në bregdet, familjet morën urdhër nga bashkia e qytetit që për shkak të rrezikut të epidemive t’i largonin nga uji banesat me forma prehistorike.
Oborri mbretëror, ne fillim të viteve ’30 ngarkoi Bashkinë e Durrësit dhe një grup specialistësh për hartimin e planit rregullator për plazhin. Ky grup drejtohej nga arkitekti Kristo Sotiri, i lauruar në Padova dhe Venecia, veprat e të cilit tashmë ishin ndërtuar në Itali, Rumani dhe Egjipt.
Plani rregullator përfshinte të gjithë territorin e plazhit nga rruga nacionale deri në bregdet me një gjërësi nga 200-800 metra dhe me gjatësi prej mbi 4 km, sipërfaqja e cila në dokumentat e kohës emërtohej thjesht Banjat. Në këshillin e qarkut disponohen dokumente dhe harta të kësaj periudhe, ku shihet ndarja në 300 parcela me sipërfaqe 400 dhe 500 metra katrorë secila dhe të renditura në katër radhë nga bregu i detit deri në rrugën nacionale.
Bashkia e Durrësit ua shiste parcelat pronarëve, që sipas planit urbanistik duhet të ndërtonin vetëm në gjysmën e sipërfaqes së blerë duke i dhënë përparësi gjelbërimit.
Sipas një dokumenti të kohës deri në vitin 1936 në zonën turistike të Banjave ishin ndërtuar 82 vila 1-2 katëshe, vlera e ndërtimit të të cilave lëvizte nga 1.500 deri në 5000 franga ari.
Ndërtimet sipas planit rregullator vijuan në vitin 1943, ndërsa më pas popullsia e Durrësit u shpërngul thuajse tërësisht në Tiranë dhe Kavajë për shkak të luftës.
Pas vendosjes së diktaturës komuniste, në vitin 1946 të gjitha vilat e plazhit u shtetëzuan, ndërsa familjet pronare të tyre u detyruan të jetojnë ku të munden. Vilat fillimisht u përdorën si shtëpi pushimi për punëtorët, ndërsa më pas një pjesë e tyre u kthyen në vila pritjeje për udhëheqësit e partive të huaja marksiste-leniniste ose si shtëpi pushimi për drejtuesit dhe funksionarët vendas.
Ndërkohë rreth 1.2 km plazh në stabilimentin Iliria u militarizua plotësisht. Atë që nuk arriti ta bëjë mbreti Zog në zonën me pisha të Plepave, që quheshin Banjat Mbretërore, e realizuan drejtuesit e lartë komunistë, të cilët ashtu si në Tiranë krijuan edhe në plazhin e Durrësit një territor disa hektarësh, ku askush nuk afrohej dot dhe që njihet ende sot me emrin gati mistik “Blloku i udhëheqësve”.
Qytetarët durrsakë filluan ta frekuentojnë masivisht plazhin vetëm në fillim të viteve ’60. Deri në atë kohë ata i drejtoheshin plazhit të Currilave në veriperëndim të qytetit.
Pikërisht në këtë periudhë në plazhin e ri ndërtohen disa godina masive: kompleksi hotelier me arkitekturë dukshëm sovjetike vendosi në qendër hotel “Adriatik”-un me dy çifte hotelesh “Butrinti” e “Durrësi” dhe “Kruja” e “Apolonia” në të dy krahët e tij. Pak më larg u ngritën edhe godinat e shtëpisë së pushimit të punëtorëve me rreth 600 shtretër gjithsej.
Plazhi i Durrësit u kthye në këtë kohë në një pikë verore mjaft e frekuentuar dhe e kërkuar veçanërisht nga intelektualët dhe studentët nga i gjithë vendi, familjet e të cilëve kursimet vjetore synonin t’i shpenzonin në plazhin më të madh të Shqipërisë. Për të siguruar dy javë në një nga dhomat me sipërfaqe dhe komoditet minimal duhej patjetër rekomandim nga shteti.
Në mesin e viteve ’80 plazhi i Durrësit iu nënshtrua një sistemimi masiv, i cili mbeti i papërfunduar për shkak të ndryshimeve të tranzicionit. Gjelbërimi i vjetëruar dhe i rrezikshëm me plepa nisi të zëvëndësohej me pisha dhe eukalipte, ndërsa paralelisht me rrugën automobilistike u ndërtua një trotuar i mjaftueshëm në shërbim të kalimtarëve pushues.
Hoteli i ndërtuar nga bashkëqytetari ynë Rexhep Breshka në stabilimentin “Hekurudha” 70 vjet më parë ishte një nga simbolet e fundit, që u rrafshua ne fundin e viteve ’80. Ndërsa urat prej druri zgjateshim vetëm pak metra në det u zëvëndësuan nga urat prej betoni që i drejtohen edhe sot thellësive.
20 vjet për t’u harruar-
Spontaniteti dhe amullia kanë karakterizuar plazhin e Durrësit gjatë 20-vjeçarit të fundit. Godinat shumëkatëshe kanë sulmuar bregun e detit duke iu afruar egërsisht atij dhe duke pakësuar ndjeshëm fondin e rërës, aq të domosdoshëm për plazhet masive si ky i Durrësit.
Mijëra apartamente janë “mbjellë” në zonën turistike ku aktualisht mungojnë institucionet kulturore apo ato zbavitëse për pushuesit e shumtë, të cilët vazhdojnë t’i qëndrojnë besnikë atij. Ndërtimet e shumta kanë shkatërruar shpesh herë edhe sistemin e kanalizimeve, duke shkaktuar përmbytje të vazhdueshme të lagjes në raste reshjesh, si ato të fundjavës së kaluar. Ato kanë nxjerrë jashtë loje gjelbërimin e lartë dhe të ulët, i cili ka mbetur si një kujtim i largët vetëm në oborret e shtëpive.
Megjithatë plazhi i Durrësit vazhdon të jetë destinacioni turistik i preferuar për mijra pushues nga vendi, Kosova dhe Maqedonia, të cilët gjejnë mikpritje dhe dëshirë për të përmirsuar cilësinë e shërbimeve ndaj turistëve.
Grafisti modern
Nga Gezim Kabashi/
Përballë veprave të grafistit Musa Qarri zbulon njëherazi edhe identitetin e autorit, krijimtaria artistike e të cilit ka kaluar përmes gjithfarë stacionesh, nga personazhet e librave në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” te nxënësit e talentuar në shkollat artistike të rrethit; nga kodrat e fshatrave të Kavajës te bregdeti i Durrësit.
-Diplomanti i parë në grafikë-
“Prirjet e mija në grafikë i evidentoi për herë të parë pedagogu im, Ksenofon Dilo”.
Musa Qarri, duke folur për ATSH-në është rikthyer në fundin e viteve 1960, atëherë kur në Institutin e Lartë të Arteve u përfshi për herë të parë edhe lënda e grafikës. “Vizatova një model me karbon, me një lehtësi që sipas prof. Dilos më dallonte nga të tjerët-kujton piktori, i cili që nga ai çast do ti kushtohej më shumë krijimeve në grafikë.
Megjithëse ishte ende student, gazetat dhe revistat “Pioneri”, “Fatosi”, “Ylli” dhe “Shqiptarja e re” i hapën vend punimeve të tij dhe Qarri u bë një nga bashkëpunëtorët e parë grafistë për të përjavshmet dhe përmuajshmet e njohura shqiptare.
Bashkë me studentë të tjerë nga Instituti i Arteve dhe fakulteti i letërsisë Musa Qarri udhëton për një javë radhazi nga Peza drejt Helmësit të Skraparit. Blloqet filluan të mbushen me përshtypjet që studenti i pikturës mblidhte në çdo çast. Peisazheve të natyrës iu shtuan edhe personazhet e shumtë që në vitin 1970 iu përkushtuan elektrifikimit të fshatrave në të gjithë vendin.
Musa Qarri kishte krijuar ciklet e para tematike, të cilat i bindën pedagogët e arteve figurative se piktori i ardhshëm duhet të paraqitej me një punim diplome të mbështetur plotësisht te grafika.
“Vallja e dritave” një cikël me peisazhe në linoleum do ta bënte Qarrin grafistin e parë të diplomuar në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Punimet zenë vend menjëherë në Galerinë Kombëtare të Arteve, duke dëshmuar jo vetëm për talentin, por edhe për këmbënguljen e artistit të ri. Bashkë me to dallohet edhe cikli i parë i tij me titull “Dhe ne luftuam”. “Janë 27 faqe të punuara me gomë arabike, një nga teknikat e para e të vështira të punës grafike-dëshmon Musai.
-Grafika, pasaporta për kopertinat e librave-
Nga ekspozita e piktorit Musa Qarri, Durres Foto Gezim Kabashi (1)
Cilësia e grafikave të Musa Qarrrit u bë pasaporta më e mirë për të ardhmen e tij profesionale. E emëruan në Shtëpinë botuese “Naim Frashëri”. Fillon një periudhë e ethshme pune dhe kërkimi.
“Kam botuar afro 60 kopertina, si dhe cikle të plota për librat e ilustruar. Ishte një punë e bukur, gjatë së cilës fillova të kërkoj rrugë të reja, jo vetëm për teknikat, por edhe për formën e përmbajtjen artistike të punimeve që udhëtonin në mijra duar, së bashku me librat e botuar”.
Ndërkaq Musa Qarri është pjesmarrës i rregullt në ekspozitat që organizoheshin në data jubilare apo me raste festash. Fillojnë të ndjehen rezultatet e kërkimeve të tij, të cilat mund të përktheheshin edhe në pasoja. Ndonjëri prej punimeve mbetet në studion e autorit për shkak të këshillave të miqve, të cilët ndjenin rrezikun e etiketimit të tyre si “vepra moderniste”. Sidoqoftë, tablotë e Musa Qarrit në vitet e izolimit të madh arrijnë të kalojnë edhe kufirin shtetëror. Ato ekspozohen në Kosovë në vitin 1972, ndërsa në vitin 1983 vepra “Asfaltimi I rrugëve” vlerësohet me Medalje në Bienalen e Aleksandrisë (Egjypt).
Por suksesi I dytë Musa Qarrin e gjen në Kavajë. Në vitin 1975, kur era e liberalizimit ia kishte lënë vendin konservatorëve anadollakë, grafistin e njohur e dërguan në Kavajë. Musa Qarri fillon të punojë si mësues në shkollën e mesme artistike “Aleksandër Moisiu”. Një grup nxënësish të talentuar kavajas bëhen mbështetja e piktorit të formuar.
“Gëzim Tafa, Fatmir Musai, Muhamet Mahilaj dhe Stefanaq Sotja janë disa nga të rinjtë, që tani janë piktorë të afirmuar, jo vetëm sepse kanë janë diplomuar në Akademi, por mbi të gjitha sepse talentin e ushqyen me punë këmbëngulëse-rrëfen piktori 71-vjeçar Musa Qarri, pa dashur të ndalet te kontributi i tij i pazëvëndësueshëm në arritjet e ish-nxënësve.
Në këtë periudhë piktori fillon ti kërkojë subjektet e punimeve të tij në fshatrat e Kavajës. Shkrimtari kavajas Nazmi Roli kujton ekspozitën që u hap në fshatin Kryevidh. “Kinemaja, vendi ku u vendosën mbi 100 grafika dhe piktura ishte mbushur plot me fshatarë dhe megjithëse në fjalën prezantuese një nga autoritetet e kohës e lexoi “pistil” fjalën “pastel” unë vija re se Musai ndjehej mirë-tregon Nazmiu. Më pas ai hapi edhe dy ekspozita të tjera, në Synej dhe në Helmës, duke sjellë përsëri vizatime me penë”.
“Më pëlqen motive i fshatit dhe ekspozita e parë që kam hapur në Kavajë, diku nga fillimi I viteve 1990 ka patur shumë tablo, të inspiruara nga udhëtimet në fshatra-I kthehet bisedës Musa Qarri.
Aleksandër Moisiu dhe poeti Shazal – frymëzimi i papërfunduar
Laboratori krijues i Musa Qarrit nuk ka receta të përcaktuara, as data për dorëzimin e punimeve. “Unë nis njëlloj siç bën një futbollist nxemjen: ulem dhe zhgarravis atë që kam në kokë dhe që fillon të qartësohet sa më shumë shoh vizat që saktësojnë motivin”. Musa Qarri që prej më shumë se 15 vjetësh banor i qytetit të Durrësit i ka kërkuar edhe përjetimet e bregdetit duke shëtitur herët dhe duke hedhur emocionet e para në letër. “Ja, ky peisazh këtu e ka qiellin e errësuar, por ndoshta atë ditë e kam parë unë kështu”.
Abdulla Tafa, kritik i njohur, autor i librit “Kodra, një univers” thotë se në krijimtarinë e Musa Qarrit dallohet cikli i grafikave për Aleksandër Moisiun. Është një cikël i pambaruar-tregon Musai. Vepra e plotë duhet të ketë 55 grafika, ndërsa unë kam përfunduar vetëm 33 të tilla”.
Piktori i njohur mund të nxjerrë nga dora një vepër shumë shpejt, por mund të bindet që ajo ka përfunduar edhe pas një viti. Musa Qarri flet me pasion për poezinë e autorit francez Shazal. “Kam nisur ilustrimet e vargjeve të tij, por jam ende në fillimet e këtij procesi-thotë Qarri.
Musa Qarri nuk është piktor mediatik. Në grafikë ai është krejtësisht i pazakontë, dhe modernizmi i koduar i tij ka mbetur ende i padëshifruar-shprehet kritiku Tafa
Durrës – “Europa Nostra” paraqet studimin për Amfiteatrin Antik
Nga Gëzim Kabashi/. – Fondacioni “Europa nostra” ka paraqitur mbrëmjen e kaluar në Durrës studimin e fizibilitetit, që synon rivitalizimin e ansamblit historik, që ndodhet pranë amfiteatrit antik të qytetit, i përfshirë në listën e monumenteve të rrezikuara të Evropës për vitin 2014.
Gjatë një takimi që u zhvillua mbrëmjen e kaluar në Bashkinë e qytetit bregdetar arkitekti dhe eksperti ndërkombëtar Pedro Ponce, i cili është njëkohësisht zv. President i Komitetit Shkencor të Europa Nostra-s prezantoi këtë projekt tepër ambicioz që nuk përfshin amfiteatrin e Durrësit si objekt të vetëm, por të gjithë ansamblin historik që ndodhet përreth tij, si një zonë e tërë që do të rijetëzohet dhe do të shtojë interesin e turistëve dhe vizitorëve vendas e të huaj. Gjashtë muaj më parë specialistët e këtij Fondacioni zhvilluan një vizitë në mjediset e monumentit më të madh të zbuluar në vendin tonë, pasi ai u përzgjodh në listën e monumenteve më të rrezikuar në botë.
Kryebashkiaku Vangjush Dako deklaroi se aseti më i madh i trashëgimisë sonë kulturore është amfiteatri dhe se ky projekt është i rëndësishëm, pasi merret jo vetëm me monumentin, por me një zonë të tërë të trashëgimisë kulturore të qytetit.
Në emër të Ministrisë së Kulturës, zv ministri Zef Çuni u shpreh se ky studim ka qasje me vizionin e Ministrisë së Kulturës për trajtimin e trashëgimisë kulturore në tërësinë e saj, duke konturuar peizazhin e plotë kulturor. Ndërkohë gjetja e fondeve për ta zhvilluar këtë studim është një sfidë për të gjithë aktorët.
Të gjithë të pranishmit kanë diskutuar dhe kanë rënë dakord në parim për ngritjen e këtij grupi pune (Task Force) me përfaqësues nga Ministria e Kulturës, Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Instituti i Arkeologjisë, Bashkia e Durrësit, Ministria e Financave, Shoqata për Zhvillimin e Turizmit Kulturor dhe Europa Nostra, i cili do të ndjekë fazat e parashikuara në këtë studim, do ta prezantojë atë për miratim në institucionet përkatëse, si dhe do të kontribuojë për lobimin dhe gjetjen e burimeve financiare për rehabilitimin e këtij objekti të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore shqiptare dhe europiane.
Gjatë 10 viteve të fundit institucione shkencore dhe universitare europiane kanë paraqitur interes, si dhe projekte ende të pazbatuara në monumentin më të madh të zbuluar në vendin tonë
“Bukuroshja e Durrësit”
Nga Gezim Kabashi/- “Bukuroshja e Durrësit”, mozaiku më i hershëm i zbuluar ndonjëherë në Shqipëri, është bërë i njohur në të gjithë botën shkencore 55 vjet më parë. Këmbëngulja e arkeologut të shquar, Vangjel Toçi, rinxorri në dritë pikërisht në vitin 1959, një nga monumentet më të rëndësishëm të trashëgimisë sonë kulturore gjatë antikitetit, monument që aktualisht ndodhet në hyrje të Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë.Bashkëpunëtori i vjetër shkencor, Vangjel Toçi, ndoqi me kujdes të dhënat e shkruara nga dy arkeologë austriakë në fillim të shekullit të XX, lidhur me praninë e mozaikut në një nga lagjet qendrore të Durrësit.Për herë të parë ky mozaik, që i përket shekullit të IV-III para erës sonë, u zbulua rastësisht gjatë punimeve të ushtrisë austriake për hapjen e një transheje fortifikuese në vitin 1916. Oficeri austriak, Camillo Prashnicher, i cili ishte edhe një arkeolog i shquar, u kujdes që shtresa e mozaikut të ruhej. Prashnicher është i pari që botoi fotografinë e mozaikut në librin e tij arkeologjik për Shqipërinë duke e quajtur atë një kryevepër të artit figurative.
Më pas mozaiku u mbulua dhe humbi për 33 vjet
Për fat të mirë, falë këmbënguljes dhe aftësisë së tij profesionale, në vitin 1959 arkeologu durrsak Vangjel Toçi e rizbuloi mozaikun 2300-vjeçar. Bashkëkohësit kujtojnë bisedat e gjata të arkeologut me të moshuarit e qytetit si dhe të dhënat e nxjerra prej tij nga libri i botuar në vitin 1920 nga arkeologët Shober dhe Prashniker.
Mozaiku ndodhej në thellësinë 3.80 metra në themelet e një shtëpie dykatëshe, vetëm 150 metra pas godinës së teatrit “Aleksandër Moisiu” të qytetit. Rizbulimi i mozaikut ngjalli interesin e shumë shkenctarëve të huaj, të cilët megjithë kufizimet e periudhës komuniste kërkuan ta shihnin nga afër veprën e lashtësisë.
Mozaiku ka formë eliptike me diametrin e madh 5.1 metra dhe ze një sipërfaqe afro 9 metër katrorë. Në qendër të tij është figura e një gruaje të re dhe të bukur mes një peizashi plot kërcej lulesh, gonxhesh dhe petalesh. Është mbiquajtur “Bukuroshja e Durrësit”, një emër metaforik në nderim të grave të qytetit të lashtë, por edhe të mjeshtrave ilirë që e krijuan atë. Në lashtësi, ky mozaik ka zbukuruar për një kohë të gjatë një banjë luksoze private të qytetit antik.
Teknika e përdorur për krijimin e tij është me gurë zalli natyrorë, me ngjyra të ndryshme, të ngjitura me njëra- tjetrën me mjeshtëri shumë të madhe.
Në vitin 1982 mozaiku u zhvendos nga Durrësi dhe u instalua në sallën kryesore të antikitetit, në hyrje të Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë. Ende nuk ka një mendim të përcaktuar shkencor se kujt i përket figura qendrore e mozaikut, por sidoqoftë ai vazhdon të njihet thjesht si “Bukuroshja e Durrësit”, duke i dhënë qytetit të lashtë një privilegj më shumë përballë turistëve vendas dhe të huaj.(ATSH)