• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Akademia kushtuar dom Anton Kçirës nga Shoqata “Trojet e Arbrit”

August 2, 2018 by dgreca

 

2-Leonora-Laçi-250x274Nga Leonora Laçi/Sekretare e Përgjithshme e Shoqates Trojet e Arbrit, studiuese/1 akdemi1 Ish ambasad LaukaGjakovë, 1 gusht 2018- Në Sallen e Konferencave në Hotel Metropol-Gjakovë u mbajt akademia kushtuar dom Anton Kçira si dhe u promovua libri i dytë që i është kushtuar atij, organizatore ishte Shoqata I.Gj. Trojet e Arbrit, dhe ishte i treti organizim brenda pak ditesh që kjo shoqatë zhvilloi, pas Prizrenit dhe Lezhës i erdh radha Gjakovës2 akademi

Gjakoven po e vizitoja për herë të parë, është vendlindja e dom Anton Kçirës, vendi i heronjve real dhe atyre jo real. Pashë pak nga të gjitha; pak Shkodër, pak Prizren etj. 1 tomaTema bosht ishte- “Dom Anton Kçira Ambasador i shqiptareve ne SHBA”. Shoqata Trojet e Arbrit nen kryesine e Mrsc. Nue Oroshit dhe keshillit organizator, pa harruar dhe bashkthemeluesit prof.dr. Muhamet Shatri, e veprimtarin, sekretarin e Lidhjes se III Shqiptare te Prizrenit,kontribuesin, studiuesin Tome Mrijaj i ardhur nga ShBA.

Sesioni filloi me himnin kombëtar e u ndoq nga poema e Kapedan Markut e Ernest Koliqi, fjalen e hapjes e mbajti prof.dr. Muhamet Shatri, ku përshendeti mysafirët e  studiuesit si dhe z. Tomë Jakun nga ShBA, u ndal tek rendësia e ketij sesioni dhe bëri nje apel të hapur, citoj-“ Guxoj të them ketu perpara jush të nderuar pjesëmarres, se ato që mohojnë këto figura madhore kombetare e njerëzore, me vlera që rrezatojnë në mbarë boten, e kanë humbur rrugen e shqiptarisë. Ne duhet ta kemi të qartë se pa terësinë e të gjitha feve te popullit tonë, do të zhbehet edhe shqiptaria. Prandaj, duhet të luftojmë me ngulm që fara e keqe, sidomos ajo e perskajshmërisë islamike, të mos mbijë dhe të mos leshoj rrenjë në trojet etnike”.

Na nderuan me pjesëmarrjen e tyre perfaqësues të  klerit katolik si; Mons. Rrok Gjonlleshaj, Arqipeshkvi i Tivarit, mons. Zef Gashi, ipeshkv në pension, mons. Hilë Kabashi, ka qenë administrator i kishës katolik në Shqipërinë e Jugut, aktualisht në pension në Gjakovë, dom Nikë Ukgjini – studiues, famullitar i kishës së dom Ndre Mjeda, Kukel- Bushat, Shkoder etj. Patëm nderin të kishim dhe ish- ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë z. Islam Lauka ku tha mes te tjerave:-“ Më vjen mire që i bëhet sesion dom Anton Kçirës në të gjallë të tij, ne kemi nevojë për orientues si dom Antoni, pasi sesione i janë bërë vetëm figurave madhore si: Nane Terezes, Ismail Kadares etj. Dhe kjo tregon rendësin e madhe të tij.

Ndërsa mons. Hilë Kabashi vuri theksin se:-“ Harresa është nje armik i madh dhe këto takime janë për tu mos harruar personi dhe vepra e tij”.

Ndërsa pader Nue Kajtazi famullitar i kishës së Gjakovës, tha:- Mirë se keni ardh në Gjakovë, Gjakova flet shqip dhe do te flas gjithmonë shqip, ndryshe nga qytete të tjera që po përzijnë gjuhë tjera, psh;Prizreni. Dom Antonin e njoh, ai është një figurë që duhet hulumtuar e ne shqiptarët kemi të mirat dhe të këqijat tona, brenda natës të shpallim shenjt, e brenda natës të shpallim djall, brenda natës të shpallim hero, e brenda natës të shpallim armik. Shqiptaret sot nuk ia dinë vlerën dom Antonit, por në të ardhmen kanë me qenë krenar për te”.

Keto ishin pak nga fjalet e mbajtura të mysafirëve.

Pastaj filloi pjesa shkencore ku pati rreth 20 kumtesa nga studiues të ndryshëm nga mbarë trojet etnike dhe diaspora si; dr. Besim Morina, Eugjen Merlika,Tome Mrijaj, Pjeter Nikolla, dr. Riza Sadiku, dom Albert Jaku, Fatmir Minguli, Franc Llesh Grishaj, Leonora Laçi, Pal Canaj, Anton Antoni, Mhill Velaj, Mikel Gojani, Klajd Kapinova, Arben Çokaj, Krist Gjinaj, Lekë Mrijaj, Gjon Fran Ivezaj, Nue Oroshi, dr.Sali Haxhiu etj.

Referimet e mbajtura sollen mjaft të reja për veprimtarinë e dom Antonit në Kosovë por dhe diaspor, disa nga kumtesat ishin përshypje nga librat ; “ Don Anton Kçira në jubileun e 50 vjetorit te meshtarise” me autor Tomë Mrijaj& Klajd Kapinova dhe “Dom Anton Kçira sherbestar i Zotit e i Atdheut” po nga keto dy autor.

Dom Antoni ndërtoi jo vetëm një vend kulti në Detroit( ShBA), por Shqipërinë në miniaturë duke i ndihmuar shqiptarët të mos humbnin traditat e zakonet e tyre për t’ja përcjellë ato dhe fëmijëve. Kisha e Shën Palit u bë model për nga rregullat strikte jo vetëm për të respektuar rregullat kishtare por dhe shtëpinë e Zotit, Dom Antoni minimizoi hakmarrjen dhe ktheu besimtarët shqiptarë në kishë. Ai krijoi ura lidhese dhe nxiti bashkejetesen fetate ku bashkëpunoi pa dallim me klerin mysliman në dobi të çështjeve të përbashkëta. Dom Anton Kçira nuk u kursye për shqiptarët e diasporës, dhe  akademia pati këtë synim;nderimin e aktivitetit te tij, ndonëse nuk e bëri për të marrë vlerësime por e ndjeu si detyrë kombëtare.

Arrijmë në përfundim se Kisha e Shen Palit në Detroit u mishirua me emrin e Dom Antonit dhe ishin të pandashem në rrugetimin e tyre, Dom Anton Kçira- Kisha Shen Palit.

Ajo qe duhet theksuar nga ky sesion është se popullit që ai i ka sherbyer e ka shpallur Ambasador i komunitetit në SHBA, dhe ai nuk ka nevoje per dekorata nga institucionet shteterore te Shqiperise e Kosoves pasi de facto ai i ka fituar dekoratat, ka fituar zemrat, simpatine dhe respektin e atyre qe i ka udhehequr ne rrugetimin shpirteror.

Sikurse institucionet fetare shqiptare të kishin nga një Dom Anton, me mire do t’i kishin punet. Dom Antoni në Gjakovë njohu komunizmin sllav, e në Detroit atë sllav dhe shqiptar. Kur punon fort dhe armiqt e dashakeqasit janë të shumtë, por në fund askush nuk mund ta mohojë kontributin e Dom Antonit ne komunitetin shqiptar ne SHBA por dhe mbeshtetjen e pakursyer te tij ndaj çeshtjeve te ndjeshme e problemeve të Shqipërise dhe Kosovës.

Ai e la vepren, detyra jone eshte ta evidentojme dhe t’i japim meritat qe i ka.

Ky sesion i treti shkencor u përmbyll me sukses ashtu si dhe të tjerat para tij me fjalen e mbylljes nga prof. Riza Sadiku- studiues i mërgatës shqiptare të SHBA, ku nder te tjera tha:-“ të tilla sesione shkencore për personalitete të dalluar kombëtar, duhet të organizohen edhe ne te ardhmen sepse opinioni i gjere shqiptar nuk eshte sa duhet i informuar me veprimtarine e tyre kombetare, të cilët terë jetën ia kushtuan afirmimit dhe ndërkombtarizimit të çështjes mbarëkombetare, në veçanti të Kosoves, siç është rasti edhe me figuren emblematike dhe personalitetin e dom Anton Kçirës, personalitete te tilla te anatemuara dhe margjinalizuara nga sistemet komuniste ka shumë populli shqiptar, nxjerrja në dritë e veprimtarisë kombetare të personaliteteve të mirefillta te kombit shqiptar, jo vetem qe eshte obligim moral dhe njerezor por me veprimtarë të tillë të devotshëm pasurojnë dhe historinë e popullit shqiptar”. Profesor Riza vazhdoi fjalen më tej-“ Falenderoj Kryetarin  e palodhur te Shoqates Trojet e Arbrit magjister Nue Oroshin, sekretaren e shoqates zonjushen Leonora Laçi dhe ne veçanti perfaqesuesin dhe koordinatorin e mergatës shqiptare nga ShBA  z. Tome Mrijaj, i cili për 15 vite e mbanë timonin e organizimit dhe financimit të sesioneve te tilla shkencore – përmbyll fjalën prof. dr Riza Sadiku.

Dom Antoni ishte i pranishem dhe pershendeti klerikët katolik dhe organizatoret e sesionit shkencor, duke i falenderuar përzemersisht, ku iu dha dhurate simbolike Gjergj Kastrioti, në emer të Shoqatës  nga kryetari  Nue Oroshi.

Kështu edhe ketij sesioni i erdh fundi për t’ i lenë radhen botimit të kumtesave, diskutimeve për sesionet e ardhshme dhe projekteve ambicioze.

Filed Under: Politike Tagged With: Akademi, Dom Anton Kçira, gjakove, Leonora Laci

GJAKOVE-Organizohet sesioni shkencor mbi ripushtimin jugosllav pas LDB-së dhe qëndresën shqiptare

August 10, 2014 by dgreca

Nga Enver Sulaj/
Organizuar nga Shoqata e Intelektualëve Mbarëshqiptarë “Trojet e Arbrit”, të shtunën, më 9 gusht 2014, në hotel “Europa” në Gjakovë u mbajt sesioni XII shkencor “Ripushtimi jugosllav i Kosovës dhe i trojeve tjera etnike prej vitit 1944 dhe qëndresa shqiptare”. Në këtë sesion shkencor, ligjëruesit nga trojet etnike shqiptare dhe diaspora shqiptare, përmes fakteve dhe argumentimit të mirëfilltë shkencor kanë hedhur dritë mbi zhvillime të rëndësishme të historisë sonë kombëtare dhe pasojat që solli ripushtimi sllav. Sesioni i ka filluar punimet pas intonimit të himnit të flamurit tonë kombëtar dhe një rikujtimi në formë referati nga Nue Oroshi, nënkryetar i shoqatës „Trojet e Arbërit“, për për katër veprimtarët e ndjerë të kësaj shoqate, Mark Avdyli, Hajriz Demaku, dr. Pjetër Pepa dhe Mentor Quku, të cilët u ndanë nga jeta kohë më parë.
Larmia tematike, qasja origjinale dhe shtrirja problemore në tërë hapësirën etnike shqiptare ishin tiparet dalluesve të kumtesave të këtji sesioni. Një vend të dalluar në punimet e këtij sesioni zuri portretizimi i figurave të rezistencës sonë kombëtare antikomuniste, por edhe i familjeve të tyre, kontribut ky që për një gjysmë shekulli nuk u vlerësua drejt nga historiografia shqiptare. Poashtu u trajtua kontributi i gruas në lëvizjen antikomunsite, por edhe burgosja dhe tortuarat që ato iu nështruan, si Marie Shllaku, Kartarina Josipi etj. Nuk u la anash as kontributi i klerit dhe përjekjet që ai bëri për të ruajtur qenësinë tonë kombëtare përballë së keqes që po i kanosej vendit, si edhe puna e madhe që është bërë në mërgim nga shoqatat dhe organizatat e emigracionit shqiptar të të gjitha periudhave për çështjen shqiptare. Megjithëkëtë, u theksua nevoja që studiuesit në punën e tyre të gjitha çështjet e lidhura me këtë periudhë t‘i trajtojnë duke u mbështetur në metodologjinë shkencore, të udhëhequr nga faktet dhe argumentet e bollshme, duke mënjanuar qasjet përjashtuese dhe krijimin e polarizimeve në studimet historike, që do të ishte i panevojshëm dhe joprodhimtar.

Nuk u la anash edhe trajtimi i çështjes çame, që në këtë sesion u trajtua nga studiuesi i Institutit të Studimeve Çame, Ahmet Mehmeti.
Gjatë punimeve të sesionit pati referate që u vlerësuan edhe për kontributin në qartësimin e nocioneve shkencore kur flitet për këtë periudhë, por edhe për informacionet e panjohura më parë që për publikun e gjerë do të jenë me interes.

Në këtë sesion ishin të pranishëm përfaqësues të më se 10 subjekteve politike, shoqatave dhe organizatave të ndryshme, si dhe të ftuar të shumtë, në mesin e tyre anëtarë të familjeve atdhetare që kanë kontribuar për çështjen kombëtare. Gjatë sesionit, prof. dr. Muhamet Shatri, kryetar i shoqatës „Trojet e Arbrit“ paraqiti propozimet drejtuar institucioneve shtetërore në vend që Instituti Albanologjik i Prishtinës të emërohet me emrin Instituti Albanologjik Anton Çetta. ndërsa Institut i Gjeografisë të emërohet me emrin e gjeografit të parë shqiptar profesor Ahmet Gashi. Në mesin e 85 ligjëruesve sa ishin paraparë në program, në këtë sesion u paraqitën prof.dr.Muhamet Shatri, prof. dr. Jahja Drançolli, Ahmet Mehmeti, dr. Riza Sadiku, dr. Izber Hoti, dr. Mehmet Rukiqi, mr. sci. Nue Oroshi, Tomë Mrijaj, Mentor Kaçi, Leonora Laçi, Selman Etemi, Artur Roshi, Sulejman Gjana, Frrok Kristaj, Prend Buzhala, Fatbardha Mulleti -Saraqi, Xhemal Meçi, Avni Bilalli, etj. Në fund të sesionit, para të pranishmëve nënkryetari i shoqatës mr.sci. Nue Oroshi lexoi një deklaratë programore ku paralajmërohet përgatitja e një memorandumi drejtuar fuqive të mëdha për bashkimin e kombit shqiptar në një shtet të përbashkët, marrja e një nisme kombëtare për pajtimin e gjaqeve dhe ngatërresave në trojet etnike shqiptare.
Shoqata “Trojet e Arbrit” ka kërkuar nga mekanizmat përgjegjës për sigurinë që të veprojnë mbi bazën e ligjeve në Kosovë për të pamundësuar aktivitetet, organizimin dhe çfarëdo veprimtarie radikale e ekstremiste që kërcënojnë jetën e qytetarëve, jo vetëm të Kosovës, dhe që synojnë shndërrimin e vendit në burim të ekstremizmit.

Filed Under: Histori Tagged With: gjakove, mbi ripushtimin jugosllav pas LDB-së dhe, Organizohet, qëndresën shqiptare, sesioni shkencor

Çështje të prejardhjes dhe formimit të patronimeve (mbiemrave dhe emrave familjarë) në Gjakovë

December 6, 2013 by dgreca

Shkruan: Migena ARLLATI, Msc/

Gjakova është qytet në pjesën perëndimore të Kosovës. Edhe pse njëri prej qyteteve më të rinj në Kosovë, vetë emri i qytetit duket se vjen nga një gojëdhënë e cila njëkohësisht konfirmon edhe mbiemrin-patronimin e parë të këtij vendbanimi. Sipas gojëdhënës për emrin e këtij qyteti, në vendin ku gjendet sot qyteti, paska ekzistuar një katund prej shtatë shtëpish, të gjithë të një gjaku me mbiemrin VULA, ku kryeplak katundi ishte Jak Vula. Hoxha Hadum Aga e bindi banorin e parë Jakun që ta dhurojë tokën për ndërtimin e një xhamije, e më pas në atë tokë filloi të ndërtohet qyteti, i cili në fillim u quajt Jakovë (nga turqishtja: fusha e Jakut). Pra emri i qytetit, vjen nga emri i Jak Vulës, i familjes Vula që ende banon në qytet dhe që numërohet si ndër familjet më të vjetra gjakovare. Kjo histori i përket shek. XVI, gjë e cila tregon se para kësaj kohe, nuk kemi asnjë mbiemër-patronim të konfirmuar në këtë zonë. Kjo e dhënë na detyron të pranojmë se mbiemri i parë i konfirmuar në bazë të të dhënave të deritanishme në Gjakovë është mbiemri VULA.

Historia e mbiemrave/

Zhvillimi i mbiemrave tek shqiptarët thuhet se është bërë nga shek. XII-XX. Në rreth 5-6 shekuj histori, procesi i vënies së mbiemrave ka ecur nga lart poshtë. Kështu, fillimisht janë pajisur me mbiemra shtresat e larta, më pas shtresat e hierarkisë fetare, ndërsa më vonë ka zbritur deri në shtresat e ulëta. Qëllimi fillestar i mbiemrave ka qenë për të dalluar njerëzit nga njëri-tjetri.

Çlirim Bidollari në studimin e tij “Hulumtime onomastike” thotë se në periudhën para formimit të principatave feudale arbërore në shekullin e 12-të, vijon identifikimi i njerëzve sipas titujve e ofiqeve, veçanërisht kur bëhet fjalë për hierarkinë e lartë të kishës. Por meqë zona jonë e interesit në këtë studim është zona e Gjakovës, atëhere fokusin e përqëndrimit kohor duhet ta zhvendosim shumë shekuj më vonë sepse vetë Gjakova si vendbanim përmendet për herë të parë në 1594 kur përfundon së ndërtuari xhamia e Hadumit, hani, hamami dhe dyqanet përreth, ndërsa në vitet 1605-1606 asaj iu njoh statusi i Kasabhasë. Me vendosjen e pushtetit turk dhe me procesin e islamizimit, gjithmonë e në një numër më të madh njerëzish, fillojë të përhapet mënyra e identifikimit të vendasve si myslimanë-nënshtetas të perandorisë osmane, sipas formulës identifikuese: X i biri i Y, ku me kalimin e dekadave nën pushtim, edhe X edhe Y paraqiteshin gjithnjë e më tepër si emra islamikë: Asllani i biri i Hasanit, Mustafa i biri i Qerimit. Po kështu fillojnë të shfaqen edhe titujt administrativë fetarë, feudalë ose ushtarakë si p.sh.: Ali hoxha, Osman beu, Hysen spahiu.

Nga pikëpamja gjuhësore lënda që do trajtohet shfaq një interes të zgjeruar sepse bëhet fjalë për patronime të formuara në mënyra të ndryshme, të cilat i japin larmi emrave të familjeve-mbiemrave të banorëve të kësaj ane. Duke u bazuar në klasifikime patronimesh të përdorura nga studiues të huaj dhe që po ashtu janë shfrytëzuar si model edhe nga studiues shqiptarë, edhe unë lëndën time do ta klasifikoj në katër lloje:

a) mbiemra që lindin nga zona (qyteti a fshati) e prejardhjes;

b) emra prindërish të kthyer në mbiemra:

c) mbiemra që tregojnë zanate, profesione, tituj e ofiqe;

d) mbiemra të formuar në formën e nofkave e llagapeve etj.

Por meqë këto katër kategori nuk mund të shpjegojnë një sasi të mbetur, sado të konsiderueshme mbiemrash, atëhere kategoria e pestë do të duhej të ishte:

e) patronime të pashpjegueshme, në të cilat do të përfshihen ato mbiemra për të cilët sistemi i sotëm gjuhësor nuk jep shpjegime.

Le t’i trajtojmë të gjitha këto me rradhë:  Mbiemra që lindin nga zona (qyteti a fshati) e prejardhjes. Në Gjakovë është shumë e pranishme kjo lloj mënyre e ndërtimit të mbiemrit i cili tregon vendin se nga ka ardhur fisi ose familja në historinë e saj para disa gjeneratash. Është një numër i konsiderueshëm i mbiemrave që janë formuar në mënyrë të tillë, pra kanë marrë emrin nga lokacioni a vendbanimi të cilit i ka përkitur a përket familja. Për këtë arsye ata quhen mbiemra prejtoponimikë, si p.sh.: RUGOVA, LIPOVECI, GËRQINA, GASHI, PONOSHECI, JUNIKU, SHALA, KORENICA, GODENI, DUJAKA, KRUMA, HASI, VOKSHI, LUMA, MATI, KARADAKU, GLLOGJANI, BELLANICA, DEVA, BROVINA, MORINA, DOBRUNA, LETI ose LETAJ, ZHURI, BYTYQI, HASI, DOBRUNA, SHKRELI, KELMENDI, BISHTAZHINI, RAKOCI, DEMJANI, RADONIQI, JUNIKU, OSEKU, PONOSHECI, XËRXA, SHLLAKU, OROSHI, KAÇINARI etj. Që të gjithë patronimet e sipërpërmendur janë mbiemra aktivë tek gjakovarët e sotëm, dhe prejardhja e këtyre mbiemrave nuk është gjë tjetër veçse rast i formimit të mbiemrit nga zona e prejardhjes së fisit, familjes a individit të vendosur kohë më parë në Gjakovë.

Përveç këtyre emrave që i përkasin zonave të vogla si fshatra a lokacione të caktuara, janë të pranishëm edhe pse më rrallë emrat e qyteteve, si: PEJA, SHKUPI, GJAKOVA, KAÇANIKU, PUKA, TROPOJA, MIRDITA, DIBRA-DIBRANI, SHALA.

Ndodh edhe që patronimi të shërbejë si saktësues për emrin vetjak pra saktësues për identifikimin e mëtejshëm të emrit. Në këtë rast patronimi vjen nga një etnonim: BOSHNJAKU (familje emigrantësh nga Bosnja), MALOKU ( banor i Malësisë, verior), GEGA ( i trevave veriore), OSMANI (familje të lidhura me Turqinë osmane por jo domosdoshmërisht me origjinë osmane), MUHAXHIRI (familje të shpërngulura), AXHEMI (në arabisht shenjon të gjithë ata që nuk janë arabë, pra janë të huaj), ÇERKEZI (përfaqësues i një kombi që ka ardhur tek ne si ushtar dhe ka mbetur aty), SARAÇINI (që lidhet me saracenët), MAXHARRI (familje e lidhur me Hungarinë). Për këta patronimat e fundit mbetet e diskutueshme nëse kanë të bëjnë me kombësinë e të shenjuarve apo me apelativët që motivohen nga emrat e këtyre kombeve. Në literaturën onomastike ky tip identifikimi përcaktohet si një formë përshkruese dhe në një farë kuptimi ai është konvencional. Çlirim Bidollari mban mendimin se shqiptarët i kanë shtënë në punë me lehtësinë më të madhe emrat e vendeve, që nga atdheu i largët e deri tek fshatrat më të vegjël. Megjithatë Bidollari mendon se ky lloj mbiemrash ka ardhur duke u tkurrur, pasi ka përjetuar disa kulme në shekullin 15-të, 19-të dhe vitet e para pas Luftës së dytë Botërore. Pikërisht në mesin e shekullit XX, ky lloj patronimi hyri në modë. Megjithatë në gjendjen e sotme të sistemit patronimik shqiptar, ky tip konsiderohet i mbyllur. Përdorimi i tij i zgjeruar vihet re edhe sot e kësaj dite në Gjakovë.

Emra prindërish të kthyer në mbiemra. Në pasurinë e përgjithshme të patronimeve shqiptare, mbiemrat e formuar nga emri i paraardhësit, konkretisht babës, përbëjnë rreth 40 përqind të numrit të përgjithshëm, dhe një tablo e tillë na del e pranishme edhe tek banorët e Gjakovës. Mbiemrat me zanafillë nga atësia kanë një arsye logjike të lindjes së tyre. Në këtë nënlloj patronimesh mund të dallojmë dy areale: areali katolik që shfaqet me trajtat karakteristike të emrave të krishterë; areali mysliman që përfshin emra dhe variante të tyre nga gjuhët orientale. Rastet më të shpeshtë të emrave të pararendësve të kthyer në mbiemra të pasardhësve në Gjakovë janë: AHMETI, LEKA, JAKUPI, KAMBERI, GJERGJI, KOLA, GJOKA, NIKA, DEDA, MALAJ, (I)BRAHIMI, ISUFI.  Vendi dhe roli i këtij lloji patronimesh është i rëndësishëm nga vetë prania e shtuar gjë e cila njëkohësisht tregon edhe dendurinë e përdorimit.

Në të folmen e Gjakovës është karakteristik fakti i thirrjes së frymorëve me emrin personal të cilit i bashkangjitet edhe mbiemri ose emri i familjes. Kjo sigurisht është një formë jashtë komunikimit formal e shkrimor, i përdorshëm në rrethe njerëzish e mjedise të ngushta. Trajta e emërores në numrin njëjës përdoret në gjinore njëjës, psh: X i Manxhukës, ose Y i Meqës, ku MANXHUKA e MEQA nuk janë emrat e prindërve por mbiemri i familjes.

Tepër e pranishme në Gjakovë na del edhe ndajshtesa –aj, e cila në gjuhësinë tonë është pranuar si ndajshtesë e specializuar për formim patronimesh. A. Xhuvani dhe E. Çabej për ndajshtesën –aj vlerësonin se me këtë lloj prapashtese mundësohet formimi i patronimikave (KOLË-KOLAJ, LEKË-LEKAJ) dhe formimi i emrave të viseve a krahinave të cilat mandej janë përdorur si material furnizues për patronime të reja (BARDHAJ, ZOGAJ). Rruga e formimit të patronimeve me –aj mendohet të ketë ardhur si rezultat i trajtës pas singularizimit të formës së shumësit: psh Petriti i Dedajve > Petrit DEDAJ. Sipas përdorimit praktik të patronimeve në Gjakovë, vërejmë se pjesa më e madhe e atyre patronimeve që dalin me –aj rëndom i përkasin mbiemrave të banorëve në zonat rurale ndërsa në zonat urbane gjejmë gjithashtu të njëjtat patronime por pa ndajshtesën –aj. Kështu psh, gjejmë dy variantet LEKA-LEKAJ, GJOKA-GJOKAJ, MALA-MALAJ, NIKA-NIKAJ, MARKU-MARKAJ etj., gjë e cila jep të kuptohet se patronimet e krijuar në bazë të emrit të kryetarit të familjes janë përdorur pa dallim në zonat urbane a rurale por këto të fundit janë pajisur edhe me ndajshtimin -j, – aj. Marrë në tërësi, ky lloj mbiemërformimi duhet se ka tendencën e identifikimit sa më të saktë të subjektit, duke futur në punë emrin e të atit, gjë e cila gradualisht e kthen këtë të fundit në mbiemër të vetë individit. Po këtu na dalin edhe raste të mbiemrave të përngjitur: GJONKOLAJ, MARKAGJONAJ, GJONDEDAJ, NDUELLESHI, PERKOLA, PERDODA, DEDNIKAJ, MURAKOLA, SYLAFETA(Syl+ Fetah), LEKMARKU etj. Këto janë patronime dy a më shumë pjesëshe të cilët nuk mjaftohen vetëm me emrin e një paraardhësi por ndërtohen me emrat e përfaqësuesve të disa brezave. Kjo mund të ketë ndodhur si shkak i ndarjes nga trungu familjar dhe meqë ka sunduar familja e madhe patriarkale çdo ndarje duhet të sillte mbartjen e emrit të familjes së madhe. Por mund të ketë ardhur edhe si shkak i zvogëlimit të fondit të emrave fetarë kalendarikë. Kjo dukuri nuk ka ndodhur vetëm tek popullata e besimit të krishterë por edhe tek ajo myslimane. Mund të përmendim raste si: BEJTULLAHU, RAMAZANI, RAMADANI, SHAHSIVARI, AVDIU etj.

Një vend të posaçëm zënë edhe trajtat e shkurtëra të patronimizuara, p.sh.: patronimi HIL-A vjen nga emri MËHILL, NIK-A nga NIKOLLË, NDUE ose NDOC-I nga ANTON, AVDIU ose AVDIAJ nga ABDULLAH, SULA nga SULEJMAN, RRUSTA nga RRUSTEM, BRAHUSHI nga IBRAHIM, SMAJLI nga ISMAIL, MUSA nga MUSTAFA etj. Në lidhje me këtë lloj formimi patronimesh që është i përhapur tek të gjithë shqiptarët dhe jo vetëm tek gjakovarët, Thimi Mitko tek “Bleta shqiptare” thotë se këta janë emra sikundër i kanë përdorur prindërit tanë që moti, pra duke ruajtur emrin e pararendësit ka lindur tendenca e mbiemërformimit.

Mbiemra që tregojnë zanate, profesione, tituj e ofiqe.

Nga të gjitha ndarjet e onomastikës, më shumë ndikim nga ndikimi turk ka pësuar antroponimia, veçanërisht patronimia për arsye se procesi i saj nisi dhe mbaroi brenda sundimit osman. Për shkak të përfshirjes në sistemin feudal-ushtarak, terminologjia orientale u shtri gjerë e gjatë në të gjitha fushat prandaj edhe sot e kësaj dite ne trashëgojmë një ngarkesë të konsiderueshme orientale. Por është e çuditshme se si prapashtesat turke -xhi,- lli janë fare pak të pranishme në patronimet e Gjakovës: RIZVANOLLI, ÇARKAXHIU. Për këtë tip patronimesh që tregojnë zanate e tituj, Bidollari konsideron se fillimisht ka shërbyer si karakterizues shtesë që iu atribuoheshin njerëzve që ushtronin profesione të caktuara, zanate a funksione. Me kalimin e kohës, duke pasur prirjen të bëhen të trashëgueshëm, kur ky profesion bëhej i trashëgueshëm nga njëri brez në tjetrin, ai pasohej nga pasardhësit duke ‘detyruar’ të njëjtën gjë edhe për patronimin. Meqë zanatet a mjeshtëritë monopolizoheshin, sidomos zanatet fisnike, atëhere edhe trashëgimi i mbiemrit konsiderohej si një vlerë me peshë. Për familje a anëtarë familjesh që për një kohë të gjatë ushtruan një zeje, emri i zanatit u shndërrua në patronim  pasi filloi të shenjojë familjen e ushtruesit të zejes, qoftë edhe kur ai e kishte lënë së ushtruari atë profesion.  Të tilla janë patronimet: TERZIU (rrobaqepës), BAKALLI (shitës i gjësendeve të ndryshme), TABAKU (lëkurëpunues), NALLBANI (mbathës i kuajve), SARAÇI (pajisje për kuaj), KAZAZI (përpunues i mëndafshit), KOVAÇI (farkëtar), SAHATÇIJA (orëndreqës), ÇARKAXHIJA (për punimin e armëve), FURRA (bukëpjekës), KASAPI (me therjen dhe shitjen e mishit), HARAÇIJA (taksambledhës), GËRÇARI (baltëpunues), BERBERI (rrojtar) etj. Meqë në Gjakovë janë punuar dhe ushtruar me dhjetëra zeje të cilat janë trashëguar tek gjeneratat e reja, prej tyre kanë mbetur një numër i konsiderueshëm patronimesh. Por duhet cekur se jo çdo zeje a profesion ka lënë pas në ditët e sotme një patronim.

Nga pikëpamja gjuhësore, kjo kategori paraqitet e pasur, me mbizotërim nga fjalët-rrënjë orientale. Në rastet më të shpeshta ato i takojnë jetës qytetare meqë zejet u zhvilluan brenda në qytet ku ishin rangjet e esnafëve. Po ashtu në qytet ishte i përqëndruar rendi administrativ e shtetëror, ushtarak, fetar.

HOXHA, PRIFTI dhe SHEHU janë tre patronimet me burim nga tituj të hierarkisë fetare, më të përhapura tek shqiptarët. Prej të treve, në Gjakovë hasim vetëm dy: HOXHA dhe SHEHU, që të dy të motivuar me përkatësinë fetare të patronimmbajtësit. Mandej vjen DERVISHI, MEJZINI, HAXHIU (vizitor i vendeve të shenjta), BAJRAMI(festë fetare). Kthimi i emërtimit të klerikut në emër familjar ka kaluar nëpër rrugën tradicionale të formimit të patronimeve shqiptare: fillimisht ky emër iu bashkua emrit vetjak të klerikut si emër dallues, për ta evidentuar atë midis personave që mbanin të njëjtin antroponim. Patronimi MEKA mund të ketë lindur nga praktika islame e haxhillëkut. Si emra familjarë u përdorën edhe fjalë që i takojnë arsimit dhe jurisprudencës: MYDERRIZI, MYFTIU, QEHAJA (sekretar, shkrues). Është për t’u vërejtur se mes patronimeve në Gjakovë nuk shënohet asnjë rast i ekzistencës së patronimit PRIFTI. Kjo mbetet e pashpjegueshme për faktin se në këtë zonë jeton një përqindje e konsiderueshme e popullatës së krishterë, megjithatë patronimi PRIFTI nuk gjendet në asnjë rast.

Mbiemra të tjerë me ngjyrim fetar përmendim edhe: BABALIA, HAFIZI, DOMI etj. Jo të rrallë paraqiten mbiemrat që shprehin një gradë ose titull ushtarak : SPAHIU, ÇAUSHI, VEZIRI, PASHA, IMAMI, AGA(J)-AGANI, GAZIJA, BEGU-BEGDUSHI (prej: bejlerë), YVEJSI, SPAHIU (kalorës në ushtri), ZAJMI (kreu i spahijve) por edhe EFENDIA – titull shoqëror, MYFTARI (kryeplak). Interesant është fakti se titullin ‘sulltan’ si shkalla më e lartë e hierarkisë qeverisëse osmane, nuk e gjejmë të pranishëm në Gjakovë, por as në patroniminë mbarë shqiptare. Kjo ndoshta për faktin se shqiptarët asnjëherë nuk u bënë dot Sulltanë, por maksimumi Vezirë. Ndaj emri Sulltan na del vetëm si emër vetjak femëror: SULLTANE. Ndërsa fjalët: VEZIR, SHAH i gjejmë edhe si emra personal femërorë, edhe si patronime. Në këtë tip patronimesh, vërehen raste të shumta të ndërtimeve kompozitë, ndërtimi i të cilave formohet në sajë të bashkimit të ofiqit me emrin personal. Ky tip funksionon sipas skemës: emër fetar + emër vetjak : HAXHISMAJLI, HAXHIMIFTARI, HAXHIKADRIJA, HAXHIBEQIRI, HAXHIAVDYLI, HAXHISHABANI, HAXHIJONUZI, MULLAADEMI, MULLAJUSUFI, MULLAIDRIZI, MULLATAHIRI, MULLAZENUNI, YMERAGA, DAUTAGA, HAFIZADEMI, DERVISHDANA, AXHANELA, BABALIA, BEGDUSHI, SHEHDADI, SHEHDANJOLLI. Prania e këtij fondi në onomastikën e kësaj treve është dëshmi e rolit të madh që kanë luajtur këto besime fetare në jetën shoqërore të popullatës. Por po ashtu ajo është shenjë treguese e respektit të shqiptarëve për besimet fetare që ushtrohen nën frymën e tolerancës. Identifikohen edhe mënyra të tërthorta të shenjimit të zanateve, profesioneve. Ato i paraqesim të strukturuara sipas elementit të cilin e shquajnë:

a) Me anë të lëndës së parë me të cilën punohet: QARRI, PENI, QYMYRI, HIMA, BARUTI.

b) Me anë të instrumentit a mjetit të punës: KOBURJA, PALLASKA, TULLUMI.

c) Dalin edhe disa raste të patronimeve metaforike në të cilat trajtimi merr një natyrë të dyfishtë frymorësh : DASHI, DACI, PULA, KNUSI, ZOGU, BYLBYLI, MAGARI (aktualisht mbiemër i shuar, i zëvendësuar me tjetër), por edhe: MISKU (erëmirë).

Mbiemra të formuar duke marrë burim nga nofka e llagapi.

Në lidhje me këto lloje patronimesh, mund të flasim qartë rreth kuptimit që kanë por jo edhe për rrethanat në të cilat emërtimi është kthyer në mbiemër të individit-familjes. Çabej, që në Konferencën e parë albanologjike pranon se parimi i emërtimit të njerëzve, përgjithësisht meshkujve, me anë të emrave të shtazëve, si dhe prejardhja e emërtimeve prej ofiqeve, janë një nga kriteret e emërtimit në shqipe. Këto lloj mbiemrash kanë marrë formën e epiteteve, me ngjyresa pozitive a negative të cilat me kalimin e kohës janë zbehur. Pas Beratit, mendohet se Gjakova është një nga qytetet që ka më së shumti “epitete” apo nofka. Për këtë arsye, këtë tip patronimesh e klasifikojmë në dy lloje:

a) Patronime që vijnë nga fjalë që shenjojnë vetitë fizike a morale të njerëzve;

b) Patronime që vijnë nga ofiqe/nofka dhe emërtime kafshësh.

Nga nënlloji i parë në Gjakovë hasim në patronime si: QORRI, QELI (DANQELI), TOPALLI, SHYTI, KOMTRASHI, KOKA(J), VOGLI, DHOMI, BUZA, BARKU, GRUSHTI, PARASHUMTI.                                                                                                                                                            Shënjues me anë të një ngjyre: KUQI, BARDHI, KRYEZIU.                                                                                                                                                                             Nga nënlloji i dytë, përveç se kemi një prani të konsiderueshme të këtyre rasteve, mund të themi gjithashtu se në to janë të pranishëm kuptimi i drejtpërdrejtë dhe ai metaforik. Dallojmë disa lloje klasifikimi:

a) Nofka të bazuara në elemente ushqimore: UFLLA, SHEQERI, KRYPA, AJRONI, PILAVI, SPECI, PURRINI, KUMPIRI, KAKIÇKA, KOC(K)A.

b) Nofka të bazuara në emra shpendësh a kafshësh: KËNDUSI, PULA, BYLBYLI, VREMÇI, PLESHTI, KLYSHI, KARCYLLI, HUTI, DASHI, KINGJI, MAGARI, BULLI, ABRASHI (kalë me lara).

c) Nofka nga objekte: BUNARI, FURRA, QEREPI, TULLUMI, BALLONI, KOSHI, KUPA.

d) Nofka me kuptim përbuzës: HAJNI, LUGATI, KATILI, QYRRI, PAÇAVRA, BURGIJA, ZARARI, XHUXHA, QUKI, GUZICA (srb. – prapanica).

Një pjesë e mirë e patronimeve të lartshënuara, me kalimin e kohës janë zëvendësuar me patronime të rinj, me arsyetimin se pasardhësit e këtyre familjeve janë ndjerë të ofenduar në mentalitetin e ri të shoqërisë. Myslim Nagavci tek “E folmja e Gjakovës” vlerëson se nuk është e tepërt të tregojmë se gjakovarët jetojnë duke i përqeshur të metat e të tjerëve, duke u vënë njerëzve ofiqe të ndryshme sipas prirjeve, komplekseve. Bile në Gjakovë vlen thënia: “Më thuaj çfarë ‘llagapi’ ke, të të them se kush je”. Pjesën dërrmuese të këtyre nofkave, banorët ua kanë ngjitur njëri-tjetrit për t’i përqeshur ose fyer, në sajë të situatave të jetuara. Në përgjithësi këto emërtime që me kohë janë kthyer në llagape, janë fyes e përqeshës dhe vetëm në ndonjë rast shumë të rrallë tregojnë cilësi a tentojnë të japin informatë të mirë: MISKU, BYLBYLI, DRENI.

Ja edhe disa nga mbiemrat-nofka të cilat mund t’i ndeshni tek banorët e Gjakovës: ZALLI, KAMISHI, ARAPI, DUSHMONI, DUDUFENCI, LUKI, TULI, SARIÇKA, JAKA, TODORZA, PRUSHI, LAMA, GUCI, MICI, XHIBIGJUKI, GJYJGJYZARI, SEREMI etj. Kjo nuk do të thotë se qytetet e tjera nuk kanë mbiemra karakteristikë por gjithsesi Gjakova shquhet dhe dallohet për mbajtjen e nofkave për mbiemër. Shumëkush e konsideron këtë si një pasuri të llojit të vet. Megjithatë tek gjeneratat e reja, nga njëzet vitet e fundit e këtej, vihet re tendenca për t’i zëvendësuar nofkat e pahijshme me patronime më të dinjitetshme.

Mbiemra me ndikim oriental:

Patronimet me burim prej gjuhëve orientale të cilat mund të jenë të ardhura nga persishtja ose arabishtja, por që në shqipe kanë hyrë nëpërmjet turqishtes: HOXHA, GJYLGJYZARI, BAJRAKTARI, SPAHIU, RRUSTEMI, ARLLATI, SHAHINI, KARAKUSHI (kompozitë, karaj – i zi) etj. Këto lloj patronimesh i gjejmë në përdorim të shtuar.

Pra vihet re se ashtu si në toponimi, edhe në patronimet e vendasve në Gjakovë kanë lënë ndikimin e tyre gjuhët orientale si pasojë e sundimit të gjatë të Perandorisë turke ndërsa prania e ndikimit sllav vihet re në një masë shumë më të ulët. Në Gjakovë, ndikimi sllav është sadopak i vërejtshëm në toponimi, por edhe në emërtimet e familjeve a fiseve. Meqë në këtë zonë të Kosovës asnjëherë nuk ka patur më tepër se dy përqind të popullatës me përkatësi sllave, janë mininale rastet që reflekftohen nga ndikimi i sllavishtes në patronimi.

Jo më kot e lashë për në fund edhe një tip patronimesh të cilat duke u nisur nga sistemi i sotëm gjuhësor, mbeten të pashpjegueshme. Pra këtu do të përfshij ato mbiemra për të cilët vetë emërtimi nuk jep shpjegime: VALLA, DALLADAKU, FËRDULLI, KATONA, BUQINCA, ELSHANI, ROKA, PERJUCI, MILLA, DURAKU, etj.

Sot, sistemi patronimik funksionon me një larmi trajtash, duke marrë përsipër të identifikojë banorët e Gjakovës, dhe jo vetëm kaq, por edhe të tregojë origjinën e prejardhjes familjare të tyre. Mbiemrat e sotëm kanë lindur, ndryshuar e përshtatur në një rrugë të gjatë evoluive, duke u fiksuar në gjendjen e sotme e cila siç e pamë na paraqitet me një shumësi tiparesh dhe cilësish.

Literatura:  

Aleksandër Xhuvani, Prapashtesat e gjuhës shqipe, Studime gjuhësore, III, Prishtinë 1976

Çlirim Bidollari, Hulumtime onomastike, Tiranë 2012

Eqrem Çabej, Studime gjuhësore, Vëll. I, Prishtinë 1976

Jusuf Shpuza, Përsiatje onomastike, Shkodër 2008

Myslim Nagavci, Të folurit e Gjakovës, Revista kulturore dhe shkencore “Përparimi”, Prishtinë 1969                                                                         Thimi Mitko, Bleta shqiptare, Mbledhës të hershëm të folklorit shqiptar, nr. 2, Tiranë 1961.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: gjakove, mbiemrave dhe emrave, Migeba Arllati, patronimeve, prejardhja dhe formimi

Vetështrydhja e një kombit të ndrydhur

April 23, 2013 by dgreca

  “Shteti nuk është asgjë pa popullin dhe një qeveri e mençur  nuk e vendos shtetin mbi popullin, por popullin brenda shtetit” Fredrich Ludwig Jahn/…

–  Si u ndrydh historia e një kombi? Çka ka të ndrydhur ne Zip-in e mëshefur të historisë sonë? Çfarë është ky komb kaq interesant?

 Shkruan Fahri Xharra-Gjakove/

  Të ndrydhësh do të thot të ngjeshësh diçka për të zënë vend më pak.Brumi ndrydhet. Ndrydhet edhe ajri. Ndrydhja është kur nuk e  lë diçkafin  apo dikë të shfaqet apo zhvillohet lirisht duke i krijuar pengesa a vështirësi ,duke e ngushtuar,duke e penguar apo shtyp. Por, këtu e kam fjalën për kombin tonë të ndrydhur; të ndrydhur nga mëndimet ,nga ndjenjat dhe nga dëshirat.Të ndydhur nga hovi ,të ndrydhur nga personaliteti.

Një komb i ndrydhur , i mbyllur në vetvete , i ndrydhur nga ndrojtja e nga frika.Një komb, i vrenjtur ,i rrudhur,i ngrysur: i kufizuar e i penguar në zhvillim,në çfaqje të lirë të mëndimeve . Një komb, që jetuam në një mjedis ndrydhës me me ndjenjë të rëndë shtypëse:me një trishtim ndrydhës e që na dukej qetësi -e ajo ishte qetësi ndrydhëse.

Na mbanin të ndrydhur me dëshira të ndrydhura, me fuqi,vullnet dhe jetë të ndrydhur.

Edhe hapësirën na e ndrydhnin.Shikoni hartat  se ku ishim , se cilat detëra i lagnin brigjet tona . Duke u (na) ndrydhur u ( na) tkurrëm(n) në një vend  që na ofronte vetëm ndrydhje mendore,intelektuale dhe vetvepruse.

Me anë të ndrydhjes na e ndrynë edhe të kaluarën tonë; ashtu të mbyllur në një vend pa kreanari, të këputur nga lidhjet ndërveti  e me të tjerët.

Të gjithë , sot e njofin se ç`është Zip-i , një arkivë e formatuar  e cila mundëson që sa më shumë të dhëna të ndrydhen në një vend që mos të zënë vend në kompjuterin tonë. Zip-in e krijoi me 1989 Phil Katzi. Zip-i na mundëson që t`i ndrydhim(komprimojmë) shënimet tona të shumta duke përdorur metoda të ndryshme apo thjeshtë duke i magazinuar të dhënat tona.Çdo e dhënë e ndrydhur me anë të Zipi-t ruhet veçmas dhe shfletohet po ashtu veçmas., sepse ato duke u ruajtur veç e veç ,pa e trazuar terësinë nxirren jashtë ato që na duhen.Një shigjetë treguese është e vendosur në fundin e Zip-t.dhe ajo ne tregon se cilat të dhëna janë dhe ku janë . E lehtë a?

     Si u ndrydh historia e një kombi? Çka ka të ndrydhur ne Zip-in e mëshefur të historisë sonë? Çfarë është ky komb kaq interesant?

”Po, kush ishin këta pellazgë, që u “sorollatën” si zot të deteve (deti Jon) dhe iu dhanë atribute të Perëndive, Mbretërve të tyre të famshëm? (shiko Niko Stillo “Etruskishtja Toskërishte”).Këta banorë të parë europianë, që u shtuan në shumë “fise” dhe “fara”, i lanë jo vetëm një arkiv të pasur gjuhësor, por edhe të zbulimeve shkencore, kulturore dhe fetare, shoqërive të mëvonshme në Europë dhe bashkëkohëse në Afrikën Veriore, Azinë e Afërme dhe të Largët e deri përtej Oqeaneve. Gjithashtu, krijuan modele të drejtimit të shtetit dhe të edukimit të elitave të ardhshme, që frymëzuan edhe intelektualët e Rilindjes europiane të shek. 18-19. Një trashëgimi kaq e pasur e lashtësisë europiane, e krijuar gjatë 50 000 – 150 000 viteve, sepse gjuhët e njeriut të sotëm mendohet të jenë zhvilluar gjatë kësaj periudhe kohorenuk mund t’i mbanin vetëm shpatullat disa shekullore të Greqisë, që fillon me shek. 6 p.k. me botimin e poemave të Homerit.( Fatbardha Demi)

“Gabimi më i madh i kryer ka qenë, sepse Greqia është vendosur në qendër të të gjitha studimeve historike dhe gjuhësore”, megjithëse nga Homeri “Helenët nuk janë cituar kurrë si popull apo si komb”.

“Përkrenarja e famshme me brirë (cjapi apo dashi) që mbante Pirro II (319-272 p.k) ishte e ngjashme me atë të Aleksandrit të Madh. Të njëjtën përkrenare mbante edhe heroi kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti (1405-1468). Kjo vërteton zanafillën e përkrenares me brirë që mbahej nga sovranët, në veçanti nga ata me zanafillë thrako-ilire (Arif Mati)”

Ky ishte një Zip e ne nuk guxonim të flisnim.

Pastaj Zipi tjetër  nga Roma , Turqia dhe Serbia. . Ndrydhje e pashembulltë ndaj një populli me prejardhje të lashtë e super të lashtë.Neve na ndrydhën të kaluarën ( na e futën në Zip) : pa kurrëfarë mundësie që ta ç`ndrydhim dhe dualën me shënimet e tyre të cilat ia shpërlanë trurin botës e  për ne as mos të flasim. Na shanë, na anashkaluan sikur mos të kishim qenë kurrë këndej pari. Na bënë ”bisha” na ”ngjitën” bishtin e se ç`na thanë. Të gjitha duheshim t`i përpinim dhe besa filluam edhe t`i zënim besë se me të vërtetë ” ishim ”po ata  , ashtu si shkruhej për ne.

Një gjë interesante me këtë trenin e historisë i cili nuk ka të ndalur dhe në të hypin dhe zbresin nga më të ndryshmit , nga më të  … por të fundi i fundit  të gjithë janë udhëtarë ,dhe duhet të kryejnë një mision natyror . Neve ,natyra na i kishte pas pasë dhënë biletat për në vagonat e parë me numra të caktuar të ulëseve .. Dhe udhëtonim.

E fituam atë që nuk e kishim me mileniumedhe krijuam shtete por  kur filluan gjërat të ç`ndrydhen dhe Zipi filloi të hapët ; filloi gjiçkafi por  duke e harruar që Fredrich Ludwig Jahn, theksonte kuptimin politik të idesë kombëtare: “Shteti nuk është asgjë pa popullin dhe një qeveri e mençur, nuk e vendos shtetin mbi popullin, por popullin brenda shtetit”

Për kundër asaj që i kemi biletat për ato ulëset e vagonave të parë të klasit të parë;  ardhësit po mundohen që ato të na i shkyejnë ,dhe këto vende që memzi i kemi rujtur të na i zënë dhe të na gjuajnë ,të na hedhin poshtë nga treni i historisë i cili kurr nuk ndalet.

Kur filluam pak të shlirohemi , të marrim frymë më lirëshëm, të ngopemi me ujë se na mungonte edhe lagështira në ato ndrydhje të pamëshirëshme,filloi shtrydhja  e re mbi ne. Filluam edhe te vetështydhemi.Shtrydh ata ,shtrydh ne, dhe kend? Një popull të ndydhur.

”Dhe nga këtu e ke tepër zor me ia mbushur mendjen njeriut të fillimshekullit të ri, se, o krijesë e vetme me gjykim, vetëdije e të folme, sikur kot se koti je duke djegur çastet e jetës tënde për t’u bërë zot e për mbi zot mbi planetin e tokës, sepse, përvoja e jetës brezave u ka lënë porosi: Ti mund ta blesh shtratin, por jo edhe gjumin. Ti mund ta blesh orën, por jo edhe kohën. Ti mund ta blesh librin, por jo edhe dijen. Ti mund ta blesh ilaçin, por jo edhe shëndetin. Ti mund ta blesh gjakun, por jo edhe jetën. Ti mund të blesh tërë armët e botës, por jo edhe lirinë.” (Riza GREIÇEVCI)

Vazhdimësia iliro-shqiptare? Skënderbeu ? Nënë Tereza?  Ndërrimi i historisë?S`ka nevojë të futem në detaje.

Të përfundoj me shkrimin e Fatbardha Demit: Vetëm atëhere, kur historia e Arbërve, do të zëre vëndin që i takon në Historiografinë e Lashtë Europiane dhe atë Botërore, vetëm atëhere, historiografisë së lashtësisë, do t’ikthehet MORALI i saj shkencor.

Gjakove, Prill 2013

 

Filed Under: Opinion Tagged With: e nje Kombi te ndryshur, Fahri Xharra, gjakove, vetshtrydhja

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT