Ese nga Thanas L.Gjika-
Regjimi diktatorial komunist arriti ta shtypte mendimin ndryshe më fort se çdo regjim që kishte sunduar në Shqipëri gjatë shekujve XIX-XX dhe t’i kthente shumicën e banorëve të Shqipërisë në njerëz të dyzuar, që ndryshe mendonin e ndryshe shpreheshin.
Qeveria turke i ndoqi dhe i luftoi rilindësit tanë, të cilët përhapnin idenë e lirisë kombëtare, pra mendimin dryshe, por nuk arriti ta shuante lëvizjen e tyre që u kthye shpejt në një lëvizje mbarëkombëtare. Kjo lëvizje kundër zgjedhës turke ndërgjegjësoi një pjesë të madhe të popullit dhe më tej shpuri në organizimin e kryengritjeve të armatosura dhe së fundi tek akti i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Fatkeqësisht, nën trysninë e politikës sllavomadhe të Rusisë cariste, Fuqitë e Mëdha të asaj kohe krijuan një Shqipëri të lirë në gjysmën e territoreve të banuara nga shqiptarët.
Qeveritë shqiptare që u krijuan në vitet 1912-1913 dhe 1920-1939 e lejuan shprehjen e mendimit ndryshe nëpër gazeta, revista, libra dhe në debatet parlamentare. Në saje të lirisë së shprehjes së mendimit ndryshe lulëzoi në Shqipërinë e atyre viteve gazetaria dhe letërsia përparimtare që iu kundërvu politikës së qeverive të kohës si dhe monarkisë Zogiste.
Respektimi i shprehjes së mendimit ndryshe vijoi edhe gjatë viteve 1939-1944, kur sunduan qeveri të ndryshme shqiptare bashkëpunëtore të pushtuesve italo-gjermanë. Në ato vite u botuan krahas organeve qeveritare që propagandonin politikën e pushtuesve të huaj edhe gazeta, revista, libra që shprehnin mendime kundër kësaj propagande. U krijuan organizata patriotike “Balli Kombëtar”, “Partia Komuniste Shqiptare”, “Partia e Legalitetit”, “Partia Social Demokrate” të cilat botonin buletinet e tyre, ku propagandonin lirinë kombëtare.
Mmbas ardhjes në pushtet të Partisë Komuniste Shqiptare mendimi ndryshe, pra mendimi që nuk përputhej me propagandën e qeverisë në pushtet, u luftua ashpër . Në fillim kjo luftë u krye pa pasur ligje të shkruar, por shumë shpejt u sajuan dhe nene e ligje që e dënonin mendimin ndryshe. Këtyre dënimeve iu dha emri “Agjitacion e propagandë kundër shtetit”, kurse të dënuarit shpalleshin “Armiq të Partisë e të atdheut”. Këtyre u jepej një dinim nga 3 deri 10 vjet burg, dënim që shoqërohej krahas burgimit të personit dhe me internimin e falijarëve. Shumë nga të dënuarit pasi kryenin vitet e burgimit dërgoheshin në kampe internimi për disa vjet, ose për gjithë jetën. Me të tilla dënime u shfarros pjesa më e madhe e intelektuatëve të formuar në shkollat perëndimore. Në popull u krijua një gjendje frike e terrori.
Njerëzit që kishin një farë formimi demokratik, për të mbijetuar u detyruan të mbyllnin gojën. Edhe pse në mendje mendonin ndryshe, kur flisnin në ambjente shoqërore ata aprovonin vendimet e partisë shtet, madje dhe i duartrokisnin fjalimet e udhëheqësve të partisë. Frika stimuloi dyzimin mendor te shumë njerëz, madje dhe te shumë krijues të letërsisë dhe artit. Shumë pak krijues që mendonin ndryshe nuk vijuan të krijonin vepra të reja pas vitit 1944. Këtë rrugë ndoqën Lasgush Poradeci, Ali Asllani, Mustafa Grëblleshi e ndonjë tjetër.
Krijues që kishin filluar të krijonin para vitit 1944, si Dhimitër Shuteriqi, Andrea Varfi, Aleks Çaci, Foto Stamo, Shefqet Musaraj, Fatmir Gjata, etj, të cilët morën pjesë në Luftën Antifashiste në krahun e Nacional Çirimtares, pas vitit 1944 u bënë flamurtarë të metodës së re letrare, metodës së realizmit socialist. Kjo metodë e re u importua prej Bashkimit Sovjetik bashkë me thënien e Leninit “Shkrimtarët dhe artistët janë vidë dhe burmë e propagandës së partisë”.
Trysnia për nënshtrimin dhe kthimin e gjithë popullit në popull servil e të nënshtruar ushtrohej në dy dretjtime: nga njëra anë përmes ushtrimit të terrorit policor me burgime e internime që kryenin Ministria e Punëve të Brendshme me organet e veta dhe Komisioni i Dëbim-Internimeve; dhe nga ana tjetër përmes propagandës me gazeta, revista, radio (më pas u shtua dhe televizioni), me botime veprash letrare, prodhim filmash, organizim festivalesh të këngës, ekspozita pikturash e skulpturash, etj.
Kuptohet se trysnia që kryhej me anën e propagandës artistike ka qenë forma që e ndihmonte partinë shtet më shumë në misionin e saj shtypës, prandaj shpërblehej me lejë krijuese, honorare, dërgime jashtë shtetit, tituj e grada shkencore për fushat e shkancave shoqërore, etj. Kjo ndodhte sepse arti e pushton lexuesin, spektatorin, dëgjuesin me figuracionin artistik të krijuar bukur me imagjinatën krijuese. Dhe kur njeriut i pushton mendjen e zemrën e kthen atë në simpatizant e rrob. Këtu qëndron dëmi i madh i helmit të sofistikuar që përhapnin këngët, poezitë, poemat, romanet, dramat, filmat, tablotë murale e komplekset monumentale që realizoheshin me nivel të lartë artistik, por me brendi ideore të gabuar, sepse përmes tyre propagandohej Partia Komuniste si e vetmja forcë përparimtare që po e shpinte popullin nga fitorja në fitore, kur dihej tatëpjeta ekonomike, politike dhe morale që kishte marrë realisht Shqipëria. Po kaq të dëmshëm ishin dhe studimet në fushën e shkencave shoqërore, ku shtrembërohej realiteti dhe e vërteta historike për ta përputhur atë me vijën politike të partisë shtet.
Fakti që vepra letrare e artistike krijoheshin me një frymëzim të lartë dhe me imagjinatë të fuqishme krijuese dëshmon se ato ishin krijuar jo nga zori e frika, se ashtu e kërkonte partia shtet, por sepse të tilla ishin bindjet artistike të krijuesve. Niveli i tyre i lartë artistik dëshmonte dhe dëshmon se partia shtet duke e përdorur politikën e kulaçit e kërbaçit, i pati bërë ushtarë besnikë të propagandës së vet si ish-partizanët edhe krijuesit që nuk ishin lidhur me Luftën Antifashiste. Më vonë këtij grupi iu bashkuan edhe krijuesit e rinj që filluan krijimtarinë pas viteti 1950.
Ndërkohë kontakti me vepra të letërsisë përparimtare botërore, kontakti me njerëz si Lasgush Poradeci, Ali Asllani, vepra e Mirtush Kutelit që nuk shkruhej sipas normave të realizmit socialist, etj, i nxitën disa romancierë, regjisorë, etj, të kalonin në trajtimin e tematikës historike të para krijimit të Partisë Komuniste. Kjo lloj tematike i shpëtonte ata nga detyrimi për të krijuar në veprat e tyre një hero pozitiv komunist ose sekretar partie.
Në Bashkimin Sovjetik pasi u dënua kultit të Stalinit prej N. Hrushovit, filluan të delnin shkrimtarë dhe artistë disidentë që e kundërshtonin parimin e realizmit socialist dhe politikën e partisë shtet. Në këtë kohë edhe në Shqipëri filloi të shihej me simpati ideja se disidenca ishte një mendësi pozitive, që ndihmonte ecjen drejt lirisë. Mirëpo, pikërisht në këtë kohë partia shtet e forcoi edhe më tepër ndjekjen dhe shtypjen e çdo shfaqjeje të mendimit ndryshe në shtyp dhe në shoqëri. U arrestuan krijues si Pjetër Arbnori, Trifon Xhagjika (këtë pas pak vitesh e pushkatuan në burg). Vala e përndjekjes u shtuan pas pleniumit të IV të PPSh-së (1973). U arrestuan Frederik Reshpja, Luk Kaçaj, Vangjush Tushi, Fatos Lubonja, Spartak Ngjela, Maks Velo, Visar Zhiti, etj. Terrori arriti kulmin me pushkatimin e poetëve Genc Leka e Vilson Blloshmi më 1987 dhe me varjen në litar të poetit Havzi Nela më 1988 (një vit para shembjes së murit të Berlinit).
Shqiptarët brenda atdheut ishin ndarë në disa grupe: Njëri grup përbëhej nga të dënuarit politikë, të cilët formonin grupin e disidentëve të vërtetë, kundërshtarëve të regjimit. Një grup tjetër përbëhej nga gojëmbyllurit, të cilët hiqeshin si neutralë, por kur vinte puna duarktokisnin bëmat e partisë edhe pse në thellësi të tyre vlonin mendime kritike ndaj regjimit. Ky ishte grupi më i madh shoqëror. Një grup tjetër përbëhej nga krijues aktivë të cilët përmes veprave të tyre mbështesnin vijën e partisë, gjë që helmonte masat e popullit. Kurse disa më të pakët përpiqeshin të luanin një farë roli disident në ato kushte të vështira. Këta krijonin herë pas here krahas veprave socrealiste dhe vepra me nëntekst kritik ndaj disa aspekteve të jetës e të propagandës së partisë. Kritka e tyre godiste disa aspekte të jetës e të propagandës komuniste, por nuk kritikonte thelbin e regjimit komunist, pra këta krijues nuk arrinin të ishin kundërkomunistë. Në krye të tyre ishte shkrimtari më i talentuar shqiptar Isamil Kadare, deputet në disa legjislatura dhe nënkryetar i Fronit Demokratik. Veprën e tij partia shtet filloi ta përkthente frëngjisht e botonte në Francë për të treguar se ishte parti liberale dhe jo diktatoriale. Bota perëndimore e pëlqeu dhe e përkrahu veprën e I. Kadaresë sepse ai ishte shkrimtar shumë i talentuar dhe që shkruante me tone kritike ndaj jetës nën diktaturën komuniste.
Në vitet 1990-1991 u pranua dhe në Shqipëri dështimi i regjimit diktatorial. Të burgosurit e ndërgjegjes u luruan dhe u krye ndërrimi i sistemit socialist me sistemin pluralist dhe ekonominë e tregut. Ish-të përndjekurit e ndërgjegjes botuan veprat e tyre, metoda e realizmit socialist u hodh poshtë si metodë e gabuar. Disa krijues dhe studiues të shkencave shoqërore, që kishin krijuar në përputhje me vijën e partisë shtet në mbështetje të propagandës së partisë, të çliruar nga frika, u kthjelluan dhe filluan të evoluonin drejt së djathtës. Këta filluan të hartonin vepra letrare artistike realiste dhe të kritikonin krimet e komunizmit, kurse studjuesit e shkencave shoqërore filluan të hartonin studime ku respektonin me objektivitet ligjet e zhvillimit të shoqërisë njerëzore.
Një shumicë e madhe e krijuesve të veprave të realizmit socialist, edhe pse e braktisi këtë metodë krijuese dhe filloi të shkruante ndryshe, nuk mundi të evoluonte sa e si duhej. Këta nuk i kritikuan veprat e tyre të shkruara para vitit 1990, nuk i dënuan krimet e komunizmit dhe nuk deshën t’i vlerësonin veprat e të përndjekurve politikë. Në krye të tyre qëndroi poeti e shkrimtari i talentuar Dritëro Agolli, ish-kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe artistëve.
Për fat të keq mosevoluimin e D. Agollit nuk e kritikoi mbas vitit 1992, por e vlerësoi si tipar të shëndetshëm studjuesi i talentuar i Kosovës, Prof. Rexhep Qosja. Me rastin e largimit nga jeta të D. Agollit ai shkroi: “Për jetëshkruesit e tij Dritëro Agolli do të mbetet i çmuar, shumë i çmuar edhe për një arsye: do të mbetet i çmuar përgjithmonë për qëndrimin e tij vertikal, të dinjitetshëm pas rënies së komunizmit. Ai nuk do të provojë asnjëherë, me asnjë fjalë të arsyetohet për farë veprimesh a për farë shkrimesh që në kohën e shkuar mund të ketë bërë, siç iu ka ndodhur, më në fund, të bëjnë jo pak të tjerëve”.
Në rrugë tjetër eci I. Kadareja pas largimit nga Shqipëria, pra pas tetorit 1990. Duke jetuar në Paris ai pati mundësi të kuptonte se regjimi diktatorial komunist ishte i gabuar në thelbin e vet. U shpreh shpesh herë kundër terroit komunist, kërkoi hapjen e dosjeve të Sigurimit dhe dënimin e krimeve të komunizmit. Shkroi vepra të reja ku thelloi kritikën ndaj regjimit diktatorial, etj. Natyrisht ata që mbetën në vorbullën e shërbëtorëve të partisë socialiste (si u quajt PPSh-ja pas vitit 1991), iu turrën Kadaresë nëpër faqe gazetash e interneti si sambistët e dikurshëm, tashmë jo me shkopinj, por me penat e tyre të fëlliqura gjithë sharje e shpifje.
Rrugën e evoluimit e ndoqën edhe shumë krijues si Peç Zogaj, Koçi Petriti, etj, studjues të shkencave shoqërore si Beqir Meta, Muharrem Dezhgiu, etj. Numëri i krijuesve dhe studiuesve që evoluojnë drejt së djathtës, që i bashkohen grupit të krijuesve dhe shtudiuesve të përndjekur, vjen duke u shtuar. Shqiptarët e këtij grupi nuk vuajnë nga dyzimi.
Kurse krijuesit dhe studjuesit që mbetën besnikë të vijës politike të PS-së, vijueses së PPSh-së, mbetën të dyzuar. Përpiqen të tregojnë se nën diktaturë kanë qenë në pozita të shëndosha, se patën krijuar vepra me tipare disidente, se u janë hequr nga shtypi një apo më shumë poezi e vepra, etj. Po ashtu dhe studjuesit e shkencave shoqërore pretendojnë se studimet e tyre i patën hartuar në përputhje me ligjet e shoqërisë njerëzore dhe jo në përputhje me vijën politike të partisë shtet. Këta bënë shumë pak ndryshime në studimet e tyre pas vitit 1992. E ripunuan dhe e ribotuan “Historinë e Shqipërisë” së periudhës së Luftës së Dytë Botërore dhe “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar” duke përsëritur shumë gabime të botimeve të mëparshme…